Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË AFATMESME TË MENAXHIMIT TË BORXHIT PUBLIK 2015-2017 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit Publik 2015-2017, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 NJËSIMIN E GRADAVE USHTARAKE ME FUNKSIONET ORGANIKE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 23, të ligjit nr.59/2014, “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Njësimin e gradave ushtarake me funksionet organike në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
2. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura që shërbejnë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura njësohen me funksionet organike, sipas lidhjeve nr.1 dhe nr.1/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
3. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura që shërbejnë në repartet dhe institucionet në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes njësohen me funksionet organike, sipas lidhjeve nr.2 dhe nr.2/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
4. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura që shërbejnë në repartet dhe institucionet në varësi të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura njësohen me funksionet organike, sipas lidhjeve nr.3 dhe nr.3/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
5. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura që shërbejnë në Forcën Tokësore dhe repartet në varësi të saj njësohen me funksionet organike, sipas lidhjeve nr.4 dhe nr.4/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
6. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura që shërbejnë në Forcën Detare dhe repartet në varësi të saj njësohen me funksionet organike, sipas lidhjeve nr.5 dhe nr.5/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
7. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura që shërbejnë në Forcën Ajrore dhe repartet në varësi të saj njësohen me funksionet organike, sipas lidhjeve nr.6 dhe nr.6/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
8. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura që shërbejnë në Komandën Mbështetëse dhe repartet në varësi të saj njësohen me funksionet organike, sipas lidhjeve nr.7 dhe nr.7/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
9. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura që shërbejnë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe repartet në varësi të saj njësohen me funksionet organike, sipas lidhjeve nr.8 dhe nr.8/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
10. Njësimi i gradave ushtarake me funksionet organike në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë të përfundojë brenda datës 31.3.2015.
11. Vendimi nr.554, datë 2.7.2004, i Këshillit të Ministrave, “Për njësimin e gradave ushtarake me funksionet organike në të gjitha nivelet e hierarkisë së komandimit dhe të drejtimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohet.
12. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
      Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.205, datë 21.3.2012, TË KËSHILLIT TE MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E BRENDSHME, TË PRONËS NR.818, ME EMËRTIM “BATERIA KUNDËRAJRORE”, ME VENDNDODHJE NË MBYET, FIER, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 121, pika 1, e 124, pika 1, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shfuqizimin e vendimit nr.205, datë 21.3.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Brendshme, të pronës nr.818, me emërtim “Bateria Kundërajrore”, me vendndodhje në Mbyet, Fier, dhe për një ndryshim në vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar.
2. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Brendshme dhe kryeregjistruesi i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NUMRIT TË PRAKTIKANTËVE PËR KRYERJEN E PRAKTIKËS PROFESIONALE, ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR PERIUDHËN 1 JANAR DERI NË 15 QERSHOR DHE 15 SHTATOR DERI NË 31 DHJETOR 2015, PËR MINISTRINË E ARSIMIT DHE SPORTIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 11, të ligjit nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 57, të  ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i praktikantëve për kryerjen e praktikës profesionale, me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar, për periudhën 1 janar – 15 qershor dhe periudhën 15 shtator – 31 dhjetor 2015, të jetë 1 500 veta.
2. Numri i praktikantëve për kryerjen e praktikës profesionale, me kontratë të përkohshme, sipas njësive arsimore vendore, dhe afati kohor i kontraktimit të tyre është sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Praktikantët, gjatë periudhës për kryerjen e praktikës profesionale, përfitojnë çdo muaj, nga punëdhënësi, njësitë arsimore vendore (drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore), pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në masën 16.7 %, të përllogaritur mbi pagën bazë minimale mujore 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë, miratuar me vendimin nr.573, datë 3.7.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”. Ndryshimet në vendimin e Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e  pagës minimale në shkallë vendi”, reflektohen në masën e pagesës që punëdhënësi paguan, çdo muaj, për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
4. Efektet financiare për pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitin 2015, në shumën 49 599 000 (dyzet e nëntë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë) lekë, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të mbulohen nga fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2015 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
5. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2015.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT E KRIJIMIT, RIORGANIZIMIT DHE MBYLLJES SË INSTITUCIONEVE PUBLIKE, OFRUESE TË ARSIMIT DHE FORMIMIT PROFESIONAL
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të neneve 23, shkronja “d”, dhe 24, shkronja “a”, të ligjit nr.8872, datë 29.3.2002, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Dispozita të përgjithshme
Krijimi, riorganizimi dhe mbyllja e institucioneve publike, ofruese të arsimit dhe formimit profesional, bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet sociale ose me urdhër të titullarit të institucionit shtetëror që ka në varësi institucionin publik ofrues, në rastin e formimit profesional.
II. Krijimi i institucioneve publike, ofruese të arsimit dhe formimit profesional
1. Krijimi i institucioneve publike, ofruese të arsimit dhe formimit profesional, bëhet edhe me propozim të pushtetit vendor ose partnerëve socialë. Propozimi shoqërohet me një argumentim për nevojën e krijimit të këtij institucioni dhe angazhimin e përfshirjen e mundshme të partnerëve socialë.
2. Propozimi për krijimin e një institucioni publik, ofrues të arsimit profesional, paraqitet pranë ministrit përgjegjës për çështjet sociale, të paktën, një vit përpara fillimit të vitit mësimor.
3. Institucioni përgjegjës shqyrton propozimet e dërguara, sipas pikës 2 e 3, të këtij vendimi, dhe, nëpërmjet strukturave të tij, konsultohet me njësinë përkatëse vendore dhe partnerët socialë brenda një afati tremujor. Pas konsultimeve, ai vlerëson nëse krijimi i institucionit është në gjendje të përmbushë kriteret e përgjithshme të funksionimit të institucioneve publike, ofruese të arsimit dhe formimit profesional.
4. Institucionet publike, ofruese të arsimit dhe formimit profesional, krijohen:
a) mbi bazën e kërkesës së tregut të punës;
b) kur ndryshojnë kushtet dhe kualifikimi për kategori të caktuara aftësish;
c) në rastin e investimeve të reja, apo teknologjive bashkëkohore, që kërkojnë aftësi të reja;
ç) në raste të tjera, në varësi të politikave të arsimit, formimit dhe punësimit.
III. Riorganizimi i institucioneve publike, ofruese të arsimit dhe formimit profesional 
1. Institucionet publike, ofruese të arsimit dhe formimit profesional, riorganizohen:
a) për shkak të përmbushjes së disa qëllimeve ose shtimit të disa qëllimeve të tjera formuese;
b) kur lind nevoja e një bashkëpunimi më të ngushtë mes institucioneve të arsimit profesional dhe formimit profesional, për rritjen e frytshmërisë së përdorimit të infrastrukturës së tyre;
c) për të optimizuar burimet njerëzore, financiare dhe të infrastrukturës;
ç) për shkak të domosdoshmërisë së një bashkëpunimi të ri me subjekte të tjera, shtetërore apo private, nëpërmjet praktikave në ndërmarrje e institucione;
d) me kërkesë të organeve të njësive të qeverisjes vendore, mbi bazën e studimeve të argumentuara;
dh) mbi bazën e kërkesës së banorëve të zonës ku ushtrojnë veprimtarinë, për ofrimin e shërbimeve të ndryshme dhe me struktura të reformuara;
e) kur vlerësohet nevoja për transferim në një zonë tjetër, për ushtrimin e veprimtarisë;
ë) në çdo rast tjetër, në kuadër të zbatimit të reformave në fushën e politikave sociale, të arsimit, formimit dhe punësimit.
2. Shqyrtimi i nevojës për riorganizim bëhet nga institucioni përgjegjës, i cili vlerëson përdorimin në mënyrë më të mirë dhe efektive të burimeve njerëzore, financiare dhe infrastrukturore.
3. Bordet dhe drejtuesit e institucioneve ofruese të arsimit dhe formimit profesional luajnë rol këshillimor në procesin e vlerësimit të nevojës për riorganizim.
IV. Mbyllja e institucioneve publike, ofruese të arsimit dhe formimit profesional
1. Institucionet publike, ofruese të arsimit dhe formimit profesional, mbyllen kur:
a) kanë përmbushur qëllimin për të cilin janë krijuar ose nuk e përmbushin atë;
b) nuk sigurojnë ofertë të përshtatshme për kërkesat e komuniteteve dhe tregut të punës;
c) frekuentimi nuk e justifikon mbajtjen e tyre.
2. Në çdo rast, institucioni përgjegjës bën konsultime me drejtuesit dhe bordin e institucionit, ofrues të arsimit dhe formimit profesional, njësinë përkatëse të qeverisjes vendore, banorët dhe partnerët socialë.
3. Në rast se vlerësohet nevoja e mbylljes së një institucioni, ofrues të arsimit dhe formimit profesional, parashikohet një periudhë tranzitore, deri në 2 muaj, brenda së cilës duhet të administrohen të gjitha aspektet që preken nga mbyllja.
4. Mbyllja për institucionet publike, ofruese të arsimit profesional, fillon efektet në përfundim të vitit mësimor, ndërsa, për institucionet e formimit profesional, efektet fillojnë me mbylljen e vitit buxhetor.
5. Në urdhrin e mbylljes së institucionit publik, ofrues të arsimit dhe formimit profesional, parashikohen edhe trajtimi i punonjësve, që dalin të papunë, trajtimi i nxënësve/kursantëve, arkivimi i dokumentacionit të institucionit dhe destinacioni i mjeteve monetare e materiale, në përfundim të likuidimit përkatës.
6. Në rastin e mbylljes së një institucioni publik, ofrues të arsimit dhe formimit profesional, institucioni përgjegjës ngre një komision të posaçëm, i cili monitoron gjithë procesin e mbylljes, në përputhje me urdhrin përkatës, si dhe ankimimet që mund të mbërrijnë nga palët e interesuara.
V. Dispozita Përfundimtare
1. Vendimi nr.675, datë 25.9.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të krijimit, organizimit dhe mbylljes së institucioneve të formimit profesional në varësi të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale”, shfuqizohet.
2. Ngarkohen institucionet përgjegjëse për arsimin dhe formimin profesional si dhe institucionet e arsimit dhe formimit profesional për njohjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
KALIMIN NË PRONËSI, NGA UNIVERSITETI “FAN S. NOLI”, KORÇË, TE BASHKIA KORÇË, TË OBJEKTIT BAZA PRODHUESE E UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”, PËR PËRDORIM NGA SHKOLLA E MESME BUJQËSORE “IRAKLI TEROVA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “d”, të nenit 23, të ligjit nr.8872, datë 29.3.2002, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pasuritë e paluajtshme shtetërore”, të ndryshuar dhe neneve 3/b e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, te bashkia Korçë, të objektit baza prodhuese e universitetit “Fan S. Noli”, Korçë, së bashku me truallin nën objekt, për përdorim nga shkolla e mesme bujqësore “Irakli Terova”, sipas planimetrisë dhe planvendosjes që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Vendimi nr.235, datë 27.3.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi, nga bashkia Korçë tek universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, të objektit baza prodhuese e shkollës së mesme bujqësore “Irakli Terova”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, bashkia Korçë dhe shkolla e mesme bujqësore “Irakli Terova” për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË TE DREJTORIA E PËRGJITHSHME E ARKIVAVE, TË OBJEKTIT ME EMËRTIMIN “ISH-DREJTORIA RAJONALE E SHËRBIMIT KOMBËTAR TË PUNËSIMIT, KORÇË”, PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.906, DATË 19.12.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, 
TË NDRYSHUAR, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.660, DATË 4.8.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pasuritë e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë te Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, të objektit me emërtimin “Ish-Drejtoria Rajonale e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Korçë”, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi, për t’u përdorur për mjedise pune, për krijimin e kushteve për zhvillimin normal të veprimtarisë administrative të këtij institucioni.
2. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Arkivi Shtetëror Vendor, Korçë, nuk mund t’a ndryshojnë destinacionin e pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, t’a tjetërsojë atë apo t’ua japin në përdorim të tretëve.
3. Prona, e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të miratuar me vendimin nr.906, datë 19.12.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, dhe t’i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të miratuara me vendimin nr.660, datë 4.8.2010, të Këshillit të Ministrave.
4. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT TE MINISTRIA E MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË, PËR QENDRËN RINORE KORÇË, TË KATIT TË PARË TË OBJEKTIT, ME EMËRTIM “ISH-SHTËPIA E USHTARAKËVE”, KORÇË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2002, “Për pasuritë e paluajtshme shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit te Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për Qendrën Rinore Korçë, të katit të parë të objektit, me emërtim “Ish-Shtëpia e Ushtarakëve”, Korçë, për ta përdorur për mjedise pune për krijimin e kushteve për zhvillimin normal të veprimtarisë së funksionimit të këtij institucioni.
2. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Qendra Rinore Korçë nuk mund ta ndryshojnë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë apo t’ua japin në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E ENTIT SHTETËROR  TË FARAVE DHE FIDANËVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 41, të ligjit nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, dhe nenit 6, të ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
  V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Qëllimi i këtij vendimi është të përcaktojë mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Entit Shtetëror të Farave dhe Fidanëve (ESHFF), në përputhje me kërkesat e ligjit nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”.
2. Të gjitha termat e përcaktuara në ligjin nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, kanë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim.
II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I ENTIT SHTETËROR TË FARAVE DHE FIDANËVE (ESHFF)
1. ESHFF-ja, me seli në Tiranë, është institucion në varësi të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, me financim nga buxheti i shtetit.
2. ESHFF-ja ka si objekt të punës së saj zbatimin e kërkesave të ligjit nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, si dhe të akteve nënligjore, të miratuara, në zbatim të tij.
3. Drejtori i ESHFF-së përfaqëson dhe drejton të gjithë veprimtarinë e ESHFF-së dhe raporton e përgjigjet para ministrit.
4. Drejtori i ESHFF-së përgatit dhe propozon për miratim, te ministri, rregulloren e brendshme të punës e sjelljes së personelit të institucionit.
5. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve rregullohen sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës të punonjësve administrativë të entit rregullohen me Kodin e Punës.
6. Enti Shtetëror i Farave dhe Fidanëve:
a) ndjek procedurat për të gjitha hallkat e prodhimit, riprodhimit, shumëzimit, përpunimit dhe ruajtjes së materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, deri në vendosjen e tij në treg;
b) monitoron rrjetin zonal për provat krahasuese për testim, të cilave u nënshtrohen varietetet e reja të prodhuara në vend ose të importuara për riprodhim, shumëzim e tregtim. Mbi bazën e rezultateve të provave krahasuese dhe metodave laboratorike bën vlerësimin, testimin dhe regjistrimin në Katalogun Kombëtar (KK);
c) ndjek kryerjen e kontrolleve fushore, marrjen e mostrave për kryerjen e analizave laboratorike për çdo material mbjellës dhe shumëzues bimor, që kërkohet të certifikohet, duke zbatuar kërkesat dhe procedurat e përcaktuara në ligj dhe në aktet nënligjore, për këtë qëllim;
ç) kryen aprobimin fushor për të gjitha ngastrat e mbjella, për prodhimin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor;
d) pajis materialin mbjellës dhe shumëzues bimor me certifikatën zyrtare për çdo specie dhe varietet;
dh)  kryen analizat laboratorike, në laboratorin e testimit të farave, për të gjitha mostrat e ardhura nga pikat zonale të testimit, sipas përcaktimit në ligjin nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, dhe akteve nënligjore;
e) propozon tarifa të reja financiare, lidhur me shërbimet që kryen ESHFF-ja për çdo furnizues të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, të cilat miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe ministrit të Financave;
ë) në bashkëpunim me Drejtorinë e Buxhetit, në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, harton projektbuxhetin e tij për vitin dhe vitet pasardhëse, për fondet që financohen nga buxheti i shtetit;
f)  bën propozime për përmirësimin e standardeve të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor që vendoset në treg, shtesa dhe ndryshime të akteve ligjore e nënligjore për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor;
g) bashkëpunon me organizmat ndërkombëtare, si dhe me institucionet homologe të shteteve të tjera, për përditësimin e kritereve që aplikohen për testimin dhe certifikimin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor;
gj) informon, periodikisht, MBZHRAU-në për certifikimin zyrtar të  materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, varietetet e reja, që janë në  proces testimi apo regjistrimi në Katalogun Kombëtar, të specieve e varieteteve të reja të përditësuara, përdorimin e fondeve buxhetore  nëpërmjet situacionit të shpenzimeve si dhe regjistrin e prokurimeve publike, etj.;
h) realizon të ardhura nga pagesat që bëjnë subjektet juridike e fizike për:
i. kryerjen e analizave të materialit mbjellës e shumëzues bimor;
ii. shërbimin e certifikimit zyrtar;
iii. testimin e varieteteve të reja, në prova krahasuese, në rrjetin zonal.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Enti Shtetëror i Farave dhe Fidanëve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I SHESHIT TË TEPELENËS DHE HYRJES SË KALASË SË TEPELENËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21,  të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i sheshit të Tepelenës dhe hyrjes së Kalasë së Tepelenës”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të bashkisë Tepelenë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “objekt” me një vlerë të përgjithshme prej 7 362 156.4 (shtatë milionë e treqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e njëqind e pesëdhjetë e gjashtë pikë katër) lekësh.
4. Vlera totale e shpronësimit, prej 7 362 156.4 (shtatë milionë e treqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e njëqind e pesëdhjetë e gjashtë pikë katër) lekësh, të përballohet nga fondi i shpronësimeve, në llogarinë e shpronësimeve në Bankën e Shqipërisë, ndërsa shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Zhvillimit Urban.
5. Shpronësimi të fillojë në datën 4.3.2015.
6. Pronarët e listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë bashkisë Tepelenë.
7. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tepelenë, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me bashkinë Tepelenë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tepelenë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
9. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tepelenë dhe bashkia Tepelenë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E ZONËS EKONOMIKE, ME STATUSIN “ZONË E LIRË”, NË SPITALLË 2, DURRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Shpalljen e zonës ekonomike, me statusin “Zonë e lirë”, të territorit me sipërfaqe 22 ha, pjesë e zonës kadastrale nr.8517, në përbërje të së cilës janë parcelat me nr. pasurie 148/6 dhe nr.149/1, në Spitallë 2, Durrës.
2. Shtrirja dhe kufizimet e kësaj zone përcaktohen në hartën treguese, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Lloji i veprimtarisë, që do të zhvillohet në këtë zonë, është:
– veprimtari prodhuese, përpunimi dhe agropërpunim;
– veprimtari tregtare, import-eksport;
– shërbime dhe magazinim mallrash;
– veprimtari ndihmëse.
4. Periudha e funksionimit të zonës është 35 vjet.
5. Procedura e përzgjedhjes së zhvilluesit të zonës së lirë të bëhet në zbatim të rregullave dhe procedurave konkurruese, të përcaktuara në ligjin nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar.
6. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E TRANSPORTIT DHE INFRASTRUKTURËS, PËR AUTORITETIN RRUGOR SHQIPTAR, TË OBJEKTEVE DHE TROJEVE FUNKSIONALE, ME SIPËRFAQE TË PËRGJITHSHME 2 343 M², PJESË E PRONËS NR.1042, ME EMËRTIM “OBJEKTE TË REPARTIT USHTARAK NR.5013”, ME VENDNDODHJE NË SYZES, BERAT, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, QË I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te  Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, të objekteve dhe trojeve funksionale (S1 e S2), përkatësisht 2004 (dy mijë e katër) m² dhe 339 (treqind e tridhjetë e nëntë) m², me sipërfaqe të përgjithshme 2343 (dy mijë e treqind e dyzet e tre) m², pjesë të pronës nr.1042, me emërtim “Objekte të Repartit Ushtarak nr.5013”, me vendndodhje në Syzes, Berat, sipas planrilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për t’u përdorur për zgjerimin e rrugës nacionale automobilistike Lushnjë-Berat.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqen objektet dhe trojet funksionale (S1 e S2), përkatësisht 2004 (dy mijë e katër) m² dhe 339 (treqind e tridhjetë e nëntë) m², me sipërfaqe të përgjithshme 2343 (dy mijë e treqind e dyzet e tre) m², nga objektet dhe trualli funksional i pronës nr.1042, me emërtim “Objekte të Repartit Ushtarak nr.5013”, me vendndodhje në Syzes, Berat, dhe të shtohen në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.
3. Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e sipërfaqes së pronës, të përcakuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë atë ose t’ua japin në përdorim të tretëve.
4. Për sigurinë dhe ruajtjen e pronës së Forcave të Armatosura, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar, të ndërtojë rrethimin, në kufijtë e rinj të pronës, të kryejë spostimin e rrjeteve inxhinierike, që prek gjurma e rrugës, sipas parametrave dhe kushteve teknike, duke i kthyer ato në gjendjen e tyre të mëparshme. Për këtë qëllim, të hartohet një aktmarrëveshje e përbashkët, ndërmjet Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Komandës Mbështetëse të Ministrisë së Mbrojtjes.
5. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës dhe kryeregjistruesi i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË BARNAVE QË RIMBURSOHEN NGA FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR DHE TË MASËS SË MBULIMIT TË ÇMIMIT TË TYRE 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 37, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, dhe të pikave 2, shkronja “b”, e 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës nr.1 të barnave të rimbursueshme që tregtohen nga farmacitë e spitaleve, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Miratimin e listës nr.2 të barnave që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Miratimin e masës së mbulimit të çmimeve të barnave të rimbursueshme, në masën 50% – 100%, sipas grupeve terapeutike, dhe barnave të dhëna në pasqyrën nr.1 që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Miratimin e marzheve të tregtimit për barnat e listës së rimbursueshme, përkatësisht, në masën 8%, për tregtimin me shumicë, dhe 24%, për tregtimin me pakicë.
5. Miratimin e marzheve të diferencuara të tregtimit me shumicë dhe pakicë të disa barnave të listës nr.1 dhe listës nr.2, të përcaktuara në pasqyrën nr.2 që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të përcaktojë kufizimet në përdorimin, sasinë dhe kohëzgjatjen e trajtimit me barnat e kësaj liste.
7. Efektet financiare të përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2015.
8. Vendimi nr.135, datë12.3.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së barnave që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe masën e mbulimit të çmimit të tyre”, të ndryshuar, shfuqizohet.
9. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet e tij në datën 1.4.2015.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I STACIONIT TË POMPIMIT, TRUSH”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Rehabilitimi i stacionit të pompimit, Trush”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të SH.A.Ujësjellës Fshat, Shkodër.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitetet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë tokë “arë”, me sipërfaqe të përgjithshme shpronësimi 41 636 (dyzet e një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë) m2 dhe vlerë të përgjithshme shpronësimi 12 639 896 (dymbëdhjetë milionë e gjashtëqind e tridhjetë e nëntë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 12 639 896 (dymbëdhjetë milionë e gjashtëqind e tridhjetë e nëntë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve, zëri “Kosto lokale për rikonstruksionin e stacionit të Trushit”, me kod projekti M063465.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga SH.A. Ujësjellës Fshat, Shkodër.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e listës që  i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar  ZVRPP”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë SH.A.Ujësjellës Fshat, Shkodër.
8. SH.A.Ujësjellës Fshat, Shkodër të kryejë likuidimin e pronarëve, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme  Shkodër, në bashkëpunim me SH.A.Ujësjellës Fshat, Shkodër, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të objektit në hartat kadastrale,  sipas planimetrisë  së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga SH.A.Ujësjellës Fshat, Shkodër dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë,  për  pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të objektit në hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, SH.A.Ujësjellës Fshat, Shkodër, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe  Zyra  Vendore e  Regjistrimit të Pasurive të  Paluajtshme Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI  I SEGMETIT RRUGOR “RRËSHEN–KALIMASH”, (KULTURA BUJQËSORE  DHE DRUFRUTORË)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rrëshen – Kalimash” (kultura bujqësore dhe drufrutorë).
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “kultura bujqësore” dhe “drufrutorë”, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 8 420 000 (tetë milionë e katërqind e njëzet mijë) lekësh, nga të cilat:
a) për “kultura bujqësore”, me vlerën 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë;
b) për “drufrutorë”, me vlerën 8 402 000 (tetë milionë e katërqind e dy mijë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 8 420 000 (tetë milionë e katërqind e njëzet mijë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Rikonfirmim ZVRPP”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Rrëshen për zbatimin e këtij vendimi.
 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I  
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.