*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Newsroom
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave 09 Mars 2016
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave 09 Mars 2016
9 Mars 2016
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 9 mars 2016
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES TE MINISTRIA E DREJTËSISË, PËR GJYKATËN E APELIT ADMINISTRATIV TIRANË, TË ISH-GODINËS SË MINISTRISË SË MJEDISIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c’, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pasuritë e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes te Ministria e Drejtësisë, për mjedise pune për zhvillimin normal të veprimtarisë administrative të Gjykatës së Apelit Administrativ Tiranë, të ish-godinës së Ministrisë së Mjedisit.
2. Ministrisë së Drejtësisë dhe Gjykatës së Apelit Administrativ Tiranë u ndalohet ta ndryshojnë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë atë apo t’ua japin në përdorim të tretëve.
3. Vendimi nr.729, datë 2.9.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë te Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, të mjediseve të ish-godinës së Ministrisë së Mjedisit, për Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA)”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe Gjykata e Apelit Administrativ Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.904, DATË 12.12.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE DHE DOKUMENTACIONIT TË PËRFITIMIT TË NDIHMËS EKONOMIKE NË ZONAT PILOT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, pikat 1 e 6, 20, pikat 3 e 4, dhe 42 e 42/1, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.904, datë 12.12.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Pas shkronjës “c”, të pikës 5, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) Formularin e verifikimit të situatës social-ekonomike të familjeve në nevojë, kur futen për herë të parë në skemë, dhe dy herë në vit atë të të gjitha familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi.”.
2. Pas shkronjës “b”, të pikës 8, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) Deklarimin e rremë apo mosdeklarimin e ndryshimeve të situatës social-ekonomike në deklaratën e paraqitjes çdo tre muaj të familjes.”.
3. Kudo në vendim, fjalët “… bashki/komunë…” zëvendësohen me “…bashki/ njësi administrative…” dhe emërtimi “…ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Rinisë…” zëvendësohet me “…ministri përgjegjës për çështjet sociale…”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
Për
DISA NDRYSHIME Në VENDIMIN NR.223, DATË 19.4.2006, tË kËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR pAGESËN E SË ARDHURËS NGA PAPUNËSIA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 53 e 55, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.223, datë 19.4.2006, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Pika 2 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“2. Personave, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, u paguhet e ardhura e papunësisë, në varësi të periudhës së kontributit të sigurimit shoqëror, përkatësisht për:
a) 3 muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, një vit;
b) 9 muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, 5 vjet;
c) 12 muaj, për personat me një periudhë kontributi mbi 10 vjet.”.
2. Në pikën 3 bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjën “b”, fjalët “…Certifikatë personale me fotografi…” zëvendësohen me fjalët “… Dokument identiteti…”;
b) Shkronja “f” shfuqizohet.
3. Pika 4 shfuqizohet.
4. Shkronja “a”, e pikës 11, shfuqizohet.
5. Pika 12 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“12. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit për zbatimin e këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE PËR SISTEMIN E SHËRBIMEVE TË PUNËSIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, dhe të ligjit nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit (SHKP). Baza e të dhënave të SHKP-së quhet Sistemi i Shërbimeve të Punësimit (SSHP).
2. Sistemi i Shërbimeve të Punësimit (SSHP) përmban të dhëna për:
a) punëkërkuesin;
b) punëdhënësin;
c) vende të lira pune.
3. Institucioni administrues i SSHP-së është Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
4. Të dhënat e SSHP-së mblidhen në kohë reale dhe kategorizohen në të dhëna parësore e dytësore.
5. Të dhënat parësore konsiderohen të dhënat e:
a) punëkërkuesit:
o Punëkërkues i papunë;
o Punëkërkues në punë;
o Punëkërkues aktiv ose i çregjistruar.
o Të dhëna për nivelin arsimor, kurse profesionale, aftësi të tjera, eksperienca në punë dhe profesionet e dëshiruara (CV e vetëdeklaruar e punëkërkuesit);
o Përfitues i shërbimeve të punësimit;
o Përfitues nga programe të nxitjes së punësimit;
o Përfitues i kurseve të formimit profesional publik;
o Përfitues nga programi i pagesës së papunësisë.
b) punëdhënësit:
o Të dhëna për personin e kontaktit;
o Shërbime që i ofrohen;
o Përfitues nga programet.
c) Vendet e lira të punës:
o Të dhëna për vendin e lirë të punës (adresën, numrin e vendeve të lira, profesionin, pagën, orët e punës, arsimimin dhe aftësitë e kërkuara.
6. Të dhënat dytësore konsiderohen të dhënat e:
a) punëkërkuesit, të dhënat personale të të cilit verifikohen nga regjistri i Gjendjes Civile (RGJC). I punësuari verifikohet, gjithashtu, nga regjistri i tatimeve (DTP) dhe trajtimi i tij me ndihmë ekonomike verifikohet nga Shërbimi Social Shtetëror.
b) Punëdhënësit, të dhënat e të cilit verifikohen nga Qendra Kombëtare e Regjistrimeve (QKR), dhe të dhënat e punëmarrësve në ndërmarrje, të cilat verifikohen nga regjistri i tatimeve (DTP).
7. Dhënës të informacionit për SSHP-në janë punëdhënësit, punëkërkuesit dhe institucionet e tjera, me të cilat ai ndërvepron.
8. Baza e të dhënave të SHKP-së shkëmben informacion me institucione publike, që ushtrojnë funksione publike, sipas ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, lidhur me shërbimet që ofrohen. Bazuar në legjislacionin në fuqi:
a) institucionet, nga të cilat SSHP-ja merr të dhëna parësore, janë:
o Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile;
o Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
o Shërbimi Social Shtetëror;
o Qendra Kombëtare e Regjistrimit;
Institucione të tjera, me të cilat SSHP-ja ka interes të ndërveprojë, janë: Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe institucione të tjera shtetërore, të cilat mund të ngarkohen me akte ligjore e nënligjore.
b) institucionet, për të cilat SSHP-ja jep të dhëna parësore, janë:
o Shërbimi Social Shtetëror;
o Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;
o Institucione të tjera publike, të cilat kanë interes të ndërveprojnë me SSHP-në.
9. Subjektet e interesuara (punëdhënës dhe punëkërkues) kanë nivel aksesi për të hedhur dhe lexuar informacion të kufizuar, sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi, nëpërmjet sistemit të SSHP-së, si dhe shërbimit on-line. Për punonjësit e SHKP-së niveli i aksesimit përcaktohet me rregullore të brendshme, sipas dispozitave ligjore.
10. Baza e të dhënave të SHKP-së ka këto nivele përdoruesish:
a) Nivel administrator;
b) Nivel drejtues;
c) Nivel raportues;
ç) Nivel specialist;
d) Përdorues të jashtëm (punëkërkues dhe punëdhënës).
Funksionet dhe të drejtat e secilit përdorues janë në përputhje me pozicionin e punës dhe të përcaktuara në përshkrimet e punës, të miratuara nga drejtori i Përgjithshëm i SHKP-së, për secilin nga punonjësit e saj.
11. Subjektet e interesuara janë punëkërkuesit dhe punëdhënësit.
12. Të gjitha ndryshimet në arkitekturën software dhe hardware dhe në strukturën e SSHP-së të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, të cilat mund të ndodhin në varësi të nevojave të institucionit dhe praktikave evropiane e ndërkombëtare në fushën e shërbimeve të punësimit, do të bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
13. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
CAKTIMIN E NIVELIT BAZË TË SË ARDHURËS NGA PAPUNËSIA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 2 e 3, të nenit 54, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Niveli bazë i së ardhurës nga papunësia të jetë 11 000 (njëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në grupin 25, titull 10550 kap.1, Art 606 “E ardhura nga papunësia”.
3. Vendimi nr.562, datë 3.8.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHImE Në VENDIMIN NR.138, DATË 31.3.1994, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KOMPENSIMIN E shpenzimeve nga NDRYSHIMI I Çmimit tË ENERGJISË ELEKTRIKE DHE LËNDËVE DJEGËSE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 54, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.138, datë 31.3.1994, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Shkronja “b”, e pikës 2, të kapitullit I, shfuqizohet;
2. Shkronja “c”, e pikës 3, të kapitullit II, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIm Në VENDIMIN NR.274, DATË 12.6.1993, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KOMPENSIMIN PËR FRYMË tË shpenzimeve nga rritja e Çmimit tË bukËs”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 54, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 2, të kapitullit I, të vendimit nr.274, datë 12.6.1993, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, hiqen fjalët “…si dhe atyre që do të përfitojnë pagesë papunësie, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”…”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLIT TEKNIK “PËR KËRKESAT THELBËSORE, MARKIMIN “CE” DHE VLERËSIMIN E KONFORMITETIT TË PAJISJEVE MJEKËSORE DIAGNOSTIKUESE IN VITRO”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 7, pika 1, 17, pika 2, dhe 18, pika 4, të ligjit nr.89/2014, “Për pajisjet mjekësore”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullit teknik “Për kërkesat thelbësore, markimin “CE” dhe vlerësimin e konformitetit të pajisjeve mjekësore diagnostikuese in vitro”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.572, datë 27.6.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullit teknik “Për kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të pajisjeve mjekësore diagnostikuese in vitro”, shfuqizohet.
3. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR USHTRIMIN E KONTROLLIT PËR VEPRIMTARINË E AGJENCISË KOMBËTARE TË BARNAVE DHE PAJISJEVE MJEKËSORE, NË ZBATIMIN E DETYRAVE DHE USHTRIMIN E PËRGJEGJËSIVE NGA KJO AGJENCI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 62, pika 2 e 66, pika 1, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e rregullave për mënyrën e ushtrimit të kontrollit për veprimtarinë e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (në vazhdim Agjencia), i cili lidhet me analizën, regjistrimin, farmakovigjilencën, kontrollin e barnave dhe të pajisjeve mjekësore si dhe me inspektimin e veprimtarive në fushën farmaceutike.
2. Agjencia, si institucion në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, kontrollohet nga Njësia e Posaçme (në vazhdim Njësia), përbërja e së cilës përcaktohet me urdhër të ministrit të Shëndetësisë.
3. Njësia e Posaçme përbëhet nga 5 anëtarë, të përzgjedhur nga personeli efektiv i Ministrisë së Shëndetësisë, ku kryetari i saj ka një mandat 1-vjeçar, me të drejtë përsëritjeje.
4. Njësia fillon procedurën e kontrollit në këto raste:
a) kur dyshon se është bërë një shkelje e rëndë nga Agjencia, e cila, në raste të veçanta, është bërë edhe publike;
b) kur ka një ankesë të arsyetuar nga subjektet të ndryshme, që pretendojnë se u është cenuar një e drejtë nga veprimtaria e Agjencisë;
c) periodikisht, një herë në vit dhe sa herë shihet e nevojshme, sipas një programi të miratuar nga ministri i Shëndetësisë.
5. Në rastet kur kontrolli fillon për shkaqet e paraqitura në shkronjën “a”, të pikës 4, ai është i menjëhershëm dhe kryhet në ambientet e Agjencisë, duke verifikuar aktet dhe dokumentet që i referohen vetëm rastit konkret.
6. Në rastet kur kontrolli fillon pas një ankese nga subjektet, ankesa duhet të përmbajë, të paktën,:
a) emrin dhe mbiemrin e ankuesit;
b) shpjegime të hollësishme të shkeljes së pretenduar, të shoqëruara me dokumentet përkatëse;
c) masat që kërkohen të merren;
ç) datën dhe firmën e përfaqësuesit të subjektit.
7. Subjekti që paraqet ankesën nuk ngarkohet me tarifë për shqyrtimin e ankesës.
8. Kontrolli periodik, që Njësia kryen pranë Agjencisë, shoqërohet më një program kontrolli, i cili miratohet nga ministri i Shëndetësisë. Programi i kontrollit duhet të ketë të përcaktuar qartë objektin e kontrollit dhe afatin e ushtrimit të tij.
9. Agjencia raporton në Ministrinë e Shëndetësisë çdo 4 muaj, për veprimtarinë e saj, lidhur me:
a) analizën;
b) pajisjen/rinovimin me autorizim për tregtim të barnave dhe pajisjeve mjekësore;
c) farmakovigjilencën;
ç) kontrollin e barnave dhe pajisjeve mjekësore;
d) inspektimin e veprimtarive në fushën farmaceutike;
dh) zbatimin e buxhetit;
e) lëvizjet e kryera në personelin e Agjencisë, masat disiplinore.
10. Njësia, në të gjitha rastet kur ushtron kontroll për veprimtarinë e Agjencisë, sipas përcaktimeve të pikës 4, e kryen atë për një periudhë jo më shumë se 30 ditë. Në raste të veçanta, kërkon shtyrjen e afatit, por jo më shumë se 3 muaj.
11. Pas përfundimit të kontrollit, Njësia harton një raport paraprak, të cilin ia paraqet Agjencisë për të bërë observacione, brenda 8 ditëve. Pas kësaj, Njësia përpilon raportin përfundimtar, me rekomandimet dhe masat përkatëse, dhe ia paraqet atë ministrit të Shëndetësisë.
12. Ministri i Shëndetësisë vlerëson raportin dhe miraton programin e punës për zbatimin e rekomandimeve.
13. Njësia, gjatë ushtrimit të kontrollit, ruan konfidencialitetin dhe zbaton legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SERBISË, PËR TRANSPORTIN NDËRKOMBËTAR RRUGOR TË UDHËTARËVE DHE MALLRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Serbisë, për transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “PARTIZANI”, SH.A., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË “AMBIENTE TË PRONËS NR.4, ME EMËRTIM “REPARTI USHTARAK NR.4030, RRUGA “MYSLYM KETA”, TIRANË”, NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË MBROJTJES
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në vijim të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “PARTIZANI”, sh.a., si qiramarrës, për pasurinë “Ambiente të pronës nr.4, me emërtim “Reparti Ushtarak nr.4030, rruga “Myslym Keta”, Tiranë”, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, me sipërfaqe të përgjithshme 37 000 (tridhjetë e shtatë mijë) m2, nga të cilat, sipas genplanit, përkatësisht 5164.72 (pesëmijë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër pikë shtatëdhjetë e dy) m2 sipërfaqe ndërtimore dhe 31 835.28 (tridhjetë e një mijë e tetëqind e tridhjetë e pesë pikë njëzet e tetë) m2 sipërfaqe funksionale, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STATUTIT TË QENDRËS KOMBËTARE TË BIZNESIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 14, të ligjit nr.131/2015, “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e statutit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.505, datë 1.8.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e statutit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit”, shfuqizohet.
3. Vendimi nr.624, datë 11.6.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e statutit të Qendrës Kombëtare të Licencimit”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SHUMËPALËSHE, TË AUTORITETIT KOMPETENT, PËR SHKËMBIMIN AUTOMATIK TË INFORMACIONIT TË LLOGARISË FINANCIARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.146/2013, “Për ratifikimin e Konventës për Ndihmën Administrative të Ndërsjellë në Çështjet Tatimore”, dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes shumëpalëshe, të Autoritetit Kompetent, për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarisë financiare, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SIGURIMIN E JETËS SË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA, QË DËRGOHEN NË MISIONE USHTARAKE JASHTË VENDIT, PËR VITIN 2016
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 6, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me shoqërinë e sigurimeve “INSIG”, sh.a., të bëjë sigurimin e jetës të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që dërgohen në misione ushtarake jashtë vendit, për vitin 2016.
2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, miratuar për vitin 2016.
3. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes dhe shoqëria e sigurimeve “INSIG”, sh.a. për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E SASISË MINIMALE TË BIOKARBURANTEVE DHE TË LËNDËVE TË TJERA DJEGËSE, TË RINOVUESHME, QË DO TË PËRDOREN GJATË VITIT 2016 NË SEKTORIN E TRANSPORTIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.9876, datë 14.8.2008, “Për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shoqëritë e tregtimit me shumicë, të pajisura me licencë të tipit A, janë të detyruara që të tregtojnë biokarburante dhe lëndë të tjera djegëse, të rinovueshme, që përdoren në sektorin e transportit.
2. Sasia minimale e biokarburanteve dhe lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, që përdoren në sektorin e transportit, për vitin 2016, është 10% e sasisë totale të nënprodukteve të naftës, të cilat tregtohen nga shoqëritë e tregtimit me shumicë.
3. Organi shtetëror për kontrollin e respektimit të detyrimit, të përcaktuar me këtë vendim, është Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial.
4. Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial është përgjegjës për:
a) respektimin e përdorimit të sasisë minimale të biokarburanteve dhe lëndëve djegëse, të rinovueshme;
b) kontrollin dhe respektimin e treguesve cilësorë të standardeve apo rregullave shtetërore për cilësinë, në formë të pastër ose të përzier;
c) kontrollin dhe kryerjen e analizave, në laboratorin qendror të Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, për sasitë e importuara, para zhdoganimit, për sasitë e biokarburanteve dhe lëndëve djegëse, të rinovueshme, të prodhuara në vend, si dhe për kontrollin përpara shpërndarjes në stacionet e shitjes së karburantit.
5. Për mosrespektimin e detyrimeve të këtij vendimi, zbatohet sanksioni i përcaktuar në shkronjën “g”, të pikës 1, të nenit 25, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar.
6. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.953, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 56, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në aneksin 1, bashkëlidhur vendimit nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) shtohen kodet e mëposhtme:
7305 11 00 – Hark gjatësor i fundosur i salduar;
7307 93 91 – Bërrylat dhe përkuljet;
b) hiqet kodi i mëposhtëm:
8414 20 20 – Pompa dore për mjetet të llojit biçikleta, motoçikleta, triçikleta.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.860, DATË 10.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MËNYRËS SË MBLEDHJES DHE ADMINISTRIMIT TË TË ARDHURAVE PËR NDËRTIMET PA LEJE DHE VLERAVE TË ZBATUESHME PËR LEGALIZIM”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 32, pika 3, e 43, pika 2, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.860, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Pika 4 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“4. Pagesa e tarifës së shërbimit të kryhet brenda 30 ditëve nga data e njoftimit me shkrim të ALUIZNI-t.”.
2. Pas pikës 4 shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:
“4/1. Për ndërtimet pa leje, njoftimi për pagesën e tarifës së shërbimit (në rastet kur kjo tarifë aplikohet), i dërgohet subjektit në rrugë postare ose i jepet në dorëzim menjëherë pas kualifikimit të ndërtimit për legalizim (data e vendimit të kualifikimit).
Në rast mospagimi të tarifës, ALUIZNI, pas miratimit të lejes së legalizimit, e dërgon atë për regjistrim me hipotekë ligjore mbi ndërtimin, sipas nenit 54, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.”
3. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Për llogaritjen e penalitetit të legalizimit të shtesave të subjektit ndërtues, sipas nenit 43, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, si çmim minimal fiskal të përdoret vlera e kostos mesatare të ndërtimit të banesave për m2, bazuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, të miratuar në zbatim të shkronjës “dh”, të nenit 34/1, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004. “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, të ndryshuar.”.
4. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Për ndërtimet në zona ku nuk ka vlera të miratuara të kostos mesatare, përllogaritja të kryhet në bazë të mesatares aritmetike të kostove të zonave kufitare.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PIKË PANORAMIKE DHE SPORTIVE, LLOGORA, HIMARË”.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit, “Pikë panoramike dhe sportive, Llogora, Himarë”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Himarë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “tokë kullotë”, me vlerë të përgjithshme prej 2 515 332.90 (dy milionë e pesëqind e pesëmbëdhjetë mijë e treqind e tridhjetë e dy pikë nëntëdhjetë) lekësh.
4. Vlera totale e shpronësimit, prej 2 515 332.90 (dy milionë e pesëqind e pesëmbëdhjetë mijë e treqind e tridhjetë e dy pikë nëntëdhjetë) lekësh, të përballohet nga fondi i shpronësimeve, në llogarinë e shpronësimeve në Bankën e Shqipërisë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7. Pronarët e listës që i bashkëlidhen këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Himarë.
8. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Himarë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Bashkia Himarë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI