Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 1 tetor 2014
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E NDIHMËS FINANCIARE NGA QEVERIA SHQIPTARE PËR QEVERITË E BOSNJË-HERCEGOVINËS DHE SERBISË PER LEHTËSIMIN E PASOJAVE TË DËMEVE TË SHKAKTUARA NGA PËRMBYTJET NË MAJ 2014
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nenit 10, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e ndihmës financiare nga qeveria shqiptare për qeveritë e Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë, përkatësisht, nga 100 000 (njëqind mijë) euro, për lehtësimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në maj 2014.
2. Ministrisë së Punëve të Jashtme, në programin buxhetor 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, t’i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 200 000 (dyqind mijë) eurosh, shpenzime korrente, për t’u përdorur si ndihmë financiare për lehtësimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e muajit maj 2014, në Bosnjë – Hercegovinë dhe Serbi.
3. Ky fond të përballohet nga fondi i kontingjencës, miratuar për vitin 2014.
4. Ngarkohen Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR VLERËSIMIN DHE DHËNIEN ME KONCESION/PARTNERITET PUBLIK PRIVAT TË PUNËVE PUBLIKE DHE SHËRBIMEVE PËR NDËRTIMIN, OPERIMIN, MIRËMBAJTJEN DHE REHABILITIMIN E RRUGËVE NACIONALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pikat 1, shkronja “j” dhe 2, dhe 49, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale, kur ato paraqesin rëndësi të veçantë për infrastrukturën rrugore të vendit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen të gjitha institucionet, qendrore dhe vendore, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË SË ZHVILLIMIT TË BIZNESIT DHE INVESTIMEVE DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT PËR PERIUDHËN 2014 – 2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve dhe të planit të veprimit për periudhën 2014 – 2020, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN SIMBOLIKE 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “TUR-TEKSTIL”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË “ISH-NDËRMARRJA GJEOFIZIKE, PATOS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në vijim të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën simbolike 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Tur-Tekstil”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë “Ish-Ndërmarrja Gjeofizike, Patos”, me sipërfaqe të përgjithshme 12 507 (dymbëdhjetë mijë e pesëqind e shtatë) m².
2. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN SIMBOLIKE 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “LIBEREST”, SH.P.K., PËR PASURINË “AGJENCIA E REZERVAVE TË SHTETIT DORËZ, KOMUNA QENDËR, LIBRAZHD”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në vijim të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën simbolike 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Liberest”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë “Agjencia e Rezervave të Shtetit Dorëz, komuna Qendër, Librazhd”, me sipërfaqe të përgjithshme 38 200 (tridhjetë e tetë mijë e dyqind) m².
2. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN SIMBOLIKE 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “LIBEREST”, SH.P.K., PËR PASURINË “AGJENCIA E REZERVAVE TË SHTETIT DORËZ, KOMUNA QENDËR, LIBRAZHD”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në vijim të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën simbolike 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Liberest”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë “Agjencia e Rezervave të Shtetit Dorëz, komuna Qendër, Librazhd”, me sipërfaqe të përgjithshme 38 200 (tridhjetë e tetë mijë e dyqind) m².
2. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË DHE NDRYSHIM NË VENDIMIN NR. 1, DATË 8.1.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 5, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.1, datë 8.1.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas shkronjës “b”, të pikës 4, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) pagesat e trajtimeve jashtë vendit, sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave, rast pas rasti.”.
2. Shtojca 2/1, që i bashkëlidhet vendimit, zëvendësohet me shtojcën 2/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E SHËNDETËSISË TE BASHKIA LUSHNJË, TË NJË PJESE TË GODINËS NR.4 (ISH-REPARTI INFEKTIV), PRANË SPITALIT “IHSAN ÇABEJ”, LUSHNJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 6, 7 dhe 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Shëndetësisë te Bashkia Lushnjë, të një pjese të godinës nr.4 (ish-reparti infektiv), pranë spitalit “Ihsan Çabej”, Lushnjë, me sipërfaqe 500 m2, zona kadastrale 8571, ndodhur në katin përdhes, sipas planvendosjes dhe planimetrisë që i bashkëlidhen këtij vendimi, për rikonstruksion dhe ngritjen e Qendrës Ditore për Njerëzit me Aftësi të Kufizuara.
2. Bashkisë Lushnjë i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen ministri i Shëndetësisë, kryetari i Bashkisë Lushnjë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH BUXHETORE BRENDA PROGRAMEVE TË MIRATUARA NË BUXHETIN E VITIT 2014 PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë, bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:
a) Në programin buxhetor 07220, “Shërbimet e kujdesit parësor”, në artikullin 604, “Të tjera transferime korrente të brendshme”, të pakësohet fondi prej 350 000 000 (treqind e pesëdhjetë milionë) lekësh.
b) Në programin buxhetor 07330, “Shërbimet e kujdesit dytësor”, në artikullin 604, “Të tjera transferime korrente të brendshme”, të shtohet fondi prej 350 000 000 (treqind e pesëdhjetë milionë) lekësh.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR EKSPORTIN E MBETJEVE DHE KALIMIN TRANZIT TË MBETJEVE JO TË RREZIKSHME E TË MBETJEVE INERTE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 50 e 51, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O SI:
1. Qëllimi i këtij vendimi është mbrojtja, ruajtja dhe përmirësimi i cilësisë së mjedisit si dhe mbrojtja e shëndetit publik, përmes minimizimit të ndikimeve negative nga eksporti i mbetjeve dhe kalimi tranzit i mbetjeve jo të rrezikshme apo i mbetjeve inerte. Objekt i këtij vendimi janë të gjitha llojet e mbetjeve, të cilat janë objekt i ligjit nr.10463/2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar.
2. Ky vendim rregullon procedurat e:
a) qarkullimit ndërkufitar të eksportit të mbetjeve lidhur me origjinën, destinacionin dhe rrugën e transportit që do të ndjekin mbetjet nga origjina deri në destinacionin përfundimtar dhe llojin e trajtimit që do t’u bëhet mbetjeve në destinacion;
b) kalimit tranzit të mbetjeve jo të rrezikshme ose inerte lidhur me origjinën, destinacionin dhe rrugën e transportit që do të ndjekin mbetjet nga origjina deri në destinacionin përfundimtar.
3. Termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me termat e përdorur në ligjin nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, ndërsa me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
a) “Autoritet kompetent i dërgimit”, autoriteti kompetent për territorin nga i cili është planifikuar të niset transferta ose është nisur;
b) “Autoritet kompetent i destinacionit”, autoriteti kompetent për territorin në të cilin transferta është planifikuar ose po kryhet;
c) “Autoritet kompetent i tranzitit”, autoriteti kompetent për çdo vend, përveç autoritetit kompetent të dërgimit apo destinacionit, përmes të cilit transferta është planifikuar ose kryhet;
ç) “Vend i daljes”, çdo vend nga i cili është planifikuar të niset transferta e mbetjeve ose është nisur;
d) “Vend i destinacionit”, çdo vend në të cilin transferta e mbetjeve është planifikuar ose bëhet për rikuperim apo asgjësim;
dh) “Vend tranzit”, çdo vend, përveç vendit të daljes ose destinacionit, përmes të cilit transferta e mbetjeve është planifikuar ose kryhet.
4. Ky vendim zbatohet për llojet e mbetjeve sipas:
a) vendimit nr.99, datë 18.2.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Katalogut Shqiptar të Mbetjeve”, të ndryshuar;
b) kodit përkatës të listës së Konventës së Bazelit në përputhje me ligjin nr.8216, datë 13.5.1997, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Bazelit për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre”;
c) nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave doganore në fuqi.
5. Ministri përgjegjës për mjedisin jep autorizim për personat që kërkojnë:
a) të eksportojnë mbetje;
b) të tranzitojnë mbetje jo të rrezikshme ose inerte.
6. I nënshtrohen procedurës së njoftimit dhe miratimit paraprak duke plotësuar aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi, personat që kërkojnë të eksportojnë:
a) mbetje të rrezikshme për qëllim asgjësimi ose rikuperimi;
b) mbetje jo të rrezikshme që destinohen për qëllim asgjësimi.
7. Për t’u pajisur me autorizim për eksportin e mbetjeve sipas përcaktimit në pikën 6, të këtij vendimi, personi përgatit dhe dorëzon në ministrinë përgjegjëse për mjedisin dokumentet e mëposhtme:
a) Kërkesën, në të cilën shprehen qartë: të dhënat personale (emri i personit fizik dhe/ose juridik); një përshkrim i mbetjeve që do të eksportohen ku të përcaktohen lloji dhe sasia e mbetjeve, vendi i origjinës së mbetjeve, vendi i importit dhe vendet e kalimit tranzit; mjetet e transportit të mbetjeve të rrezikshme të pajisura me certifikatën e miratimit të mjetit, sipas ADR-së, në zbatim të ligjit nr.118/2012, datë 13.12.2012, “Për transportin e mallrave të rrezikshme”, nëse këto mbetje përfshihen në aneksin A të ADR-së; mënyra e paketimit dhe/ose ambalazhimit dhe etiketimit të mbetjeve.
b) Kopjen e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) për objektin e veprimtarisë.
c) Kopjen e lejes së mjedisit të tipit A, B ose C, sipas përcaktimit në ligjin nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar.
ç) Kopjen e licencës III.2.B, sipas vendimit nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga apo nëpërmjet QKL-së dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar.
d) Kopjen e noterizuar të përkthimit në gjuhën shqipe të kontratës së lidhur midis personit që eksporton dhe personit që merr në dorëzim mbetjet për menaxhimin e integruar të tyre.
dh) Formularin e plotësuar, sipas aneksit 1 bashkëlidhur këtij vendimi.
e) Faturën e garancisë financiare apo sigurimit ekuivalent, sipas përcaktimit në pikën 20, të këtij vendimi.
ë) Faturën (mandat-arkëtimi) që provon se ka paguar tarifën e shërbimit në llogarinë bankare të ministrisë, në shumën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë, e cila është e pakthyeshme.
8. Kontrata, sipas shkronjës “d”, të pikës 7, e lidhur midis personit që eksporton mbetjet dhe personit që i merr në dorëzim mbetjet për t’i menaxhuar, duhet të jetë efektive që nga aplikimi për autorizimin për eksport deri në përfundim të vlefshmërisë së autorizimit për të gjithë kohëzgjatjen e transfertave të mbetjeve.
9. Ministria njofton në rrugë zyrtare autoritetin kompetent të destinacionit dhe autoritetin/et kompetent/e të tranzitit në momentin e marrjes së kërkesës për eksport të mbetjeve sipas pikës 7, të këtij vendimi.
10. Njoftimi bëhet në formë shkresore dhe një kopje e skanuar i dërgohet edhe në rrugë elektronike autoritetit kompetent të destinacionit dhe autoritetit/eve të tranzitit.
11. Afati i shqyrtimit të dokumentacionit për dhënien e autorizimit, sipas pikës 7, të këtij vendimi, është 20 (njëzet) ditë pune nga data e marrjes së kërkesës. Ministria mund t’i kërkojë personit plotësim të dokumentacionit. Në këtë rast, afati për plotësimin e dokumentacionit nuk përllogaritet në afatin prej 20 (njëzet) ditësh pune. Afati mund të zgjatet deri në 60 (gjashtëdhjetë) ditë në varësi të marrjes së konfirmimeve nga autoritetet kompetente të destinacionit dhe/ose të tranzitit.
12. Ministri jep autorizimin për eksport të mbetjeve të rrezikshme për qëllim asgjësimi ose rikuperimi dhe të mbetjeve jo të rrezikshme që destinohen për qëllim asgjësimi, pasi të jetë marrë pëlqimi me shkrim nga autoriteti/et kompetent/e i destinacionit dhe/ose i tranzitit. Në rast se autoriteti kompetent i vendit të tranzitit nuk përgjigjet brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit, ministri jep autorizimin.
13. Në rastin e eksportit të mbetjeve për qëllime asgjësimi, asgjësuesi njofton ministrinë për marrjen nga ana e tij në kohën e duhur të mbetjeve në fjalë për kryerjen e asgjësimit, siç specifikohet në dokumentin e njoftimit dhe dokumentet e lëvizjes, sipas anekseve 1 dhe 2, të këtij vendimi, për çdo transfertë. Në qoftë se ministria nuk merr njoftimin brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e daljes nga pika doganore e Republikës së Shqipërisë, njofton me shkrim autoritetin përkatës të vendit të importit.
14. Komunikimi midis ministrisë dhe autoriteteve kompetente të destinacionit dhe të tranzitit bëhet në gjuhë të pranueshme nga autoriteti kompetent i destinacionit. Në çdo rast, gjuha e përdorur është ajo angleze.
15. Përjashtohen nga procedura e njoftimit dhe pranimit paraprak personat që kërkojnë të eksportojnë mbetje jo të rrezikshme për qëllim rikuperimi në sasi mbi 20 kg.
16. Për t’u pajisur me autorizim për eksportin e mbetjeve sipas përcaktimit në pikën 15, të këtij vendimi, personi përgatit dhe dorëzon në ministrinë përgjegjëse për mjedisin dokumentet e mëposhtme:
a) Kërkesën, në të cilën shprehen qartë: të dhënat personale (emri i personit fizik dhe/ose juridik); një përshkrim i mbetjeve që do të eksportohen ku të përcaktohen lloji dhe sasia e mbetjeve, vendi i origjinës së mbetjeve, vendi i importit dhe vendet e kalimit tranzit; mjetet e transportit të mbetjeve; mënyra e paketimit dhe/ose ambalazhimit dhe etiketimit të mbetjeve.
b) Kopjen e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) për objektin e veprimtarisë.
c) Kopjen e lejes së mjedisit të tipit A, B ose C, sipas përcaktimit në ligjin nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar.
ç) Kopjen e licencës III.2.B, sipas vendimit nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga apo nëpërmjet QKL-së dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar.
d) Kopjen e noterizuar të përkthimit në gjuhën shqipe të kontratës së lidhur midis personit që eksporton dhe personit që merr në dorëzim mbetjet për menaxhimin e integruar të tyre.
dh) Formularin e plotësuar, sipas aneksit 3 bashkëlidhur këtij vendimi.
e) Kopjen e noterizuar të përkthimit në gjuhën shqipe të lejes/autorizimit/licencës lëshuar nga autoriteti kompetent i destinacionit që provon se personi që merr në dorëzim mbetjet ushtron ligjërisht në vendin e tij veprimtarinë për të cilën kryhet transferta, siç përcaktohet në kontratën midis palëve.
ë) Faturën e garancisë financiare ose sigurimit ekuivalent, sipas përcaktimit në pikën 20, të këtij vendimi.
f) Faturën (mandat-arkëtimi) që provon se ka paguar tarifën e shërbimit në llogarinë bankare të Ministrisë, në shumën 20 000 (njëzet mijë) lekë, e cila është e pakthyeshme.
17. Kontrata, sipas shkronjës “d”, të pikës 16, të këtij vendimi, e lidhur midis personit që eksporton mbetjet dhe personit që i merr në dorëzim mbetjet për rikuperimin, duhet të jetë efektive që nga aplikimi për autorizimin për eksport deri në përfundim të vlefshmërisë së autorizimit për të gjithë kohëzgjatjen e transfertave të mbetjeve.
18. Afati i shqyrtimit të dokumentacionit për dhënien e autorizimit, sipas pikës 16, të këtij vendimi, është 20 (njëzet) ditë pune nga data e marrjes së kërkesës. Ministria mund t’i kërkojë personit plotësim të dokumentacionit. Në këtë rast, afati për plotësimin e dokumentacionit nuk përllogaritet në afatin prej 20 (njëzet) ditësh.
19. Personi, që kërkon të pajiset me autorizim për eksport të mbetjeve, vendos një garanci financiare në një prej bankave në territorin e Republikës së Shqipërisë ose një sigurim ekuivalent në një prej kompanive të sigurimit që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Republikën e Shqipërisë. Garancia financiare apo sigurimi ekuivalent është për llogari të ministrisë përgjegjëse për mjedisin për periudhën e vlefshmërisë së autorizimit për eksport.
20. Garancia financiare ka për qëllim të mbulojë shpenzimet që dalin në rastet kur një transfertë e mbetjeve nuk përfundon siç parashikohet në autorizimin për eksport apo në rastet kur sjell ndotje a dëmtim të mjedisit dhe/ose shëndetit të njerëzve gjatë eskportit nga vendi i daljes deri në vendin e destinacionit, duke mbuluar:
a) kostot e transportit;
b) kostot e rikuperimit ose asgjësimit, përfshirë çdo operacion të nevojshëm të përkohshëm;
c) kostot për ruajtjen e tyre për 90 (nëntëdhjetë) ditë.
21. Vlera e garancisë financiare ose sigurimit ekuivalent përllogaritet në bazë të vlerës së kontratës.
22. Për transfertat e mbetjeve që kanë për qëllim kryerjen e analizave laboratorike për të vlerësuar karakteristikat e tyre fizike ose kimike ose për të përcaktuar përshtatshmërinë e tyre për operacione rikuperimi ose asgjësimi, në një sasi deri në 25 kg, personi plotëson anekset 2 dhe 3 bashkëlidhur këtij vendimi dhe ia paraqet degës doganore të daljes.
23. Personi që eksporton mbetje ruan të dhënat për çdo ngarkesë që eksportohet:
a) 1 (një) vit nga data e përfundimit të afatit të autorizimit për eksportin e mbetjeve jo të rrezikshme për qëllim rikuperimi;
b) 3 (tre) vjet nga data e përfundimit të afatit të autorizimit për eksportin e mbetjeve të rrezikshme për qëllim asgjësimi ose rikuperimi dhe eksportin e mbetjeve jo të rrezikshme që destinohen për qëllim asgjësimi.
24. Të dhënat e ruajtura sipas pikës 23, të këtij vendimi, raportohen në ministri çdo 6 (gjashtë) muaj gjatë afatit të autorizimit. Këto të dhëna raportohen edhe në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe/ose Inspektoratin Shtetëror për Mjedisin, Pyjet dhe Ujërat me kërkesën e tyre me shkrim. Ministria krijon bazën e të dhënave për eksportin dhe tranzitin e mbetjeve.
25. Personi, që kërkon të pajiset me autorizim për kalimin tranzit të mbetjeve jo të rrezikshme dhe mbetjeve inerte nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë, përgatit dhe dorëzon në ministrinë përgjegjëse për mjedisin dokumentet e mëposhtme:
a) Kërkesën, në të cilën shprehen qartë të dhënat personale dhe juridike të kërkuesit dhe bëhet një përshkrim i shkurtër i mbetjeve që do të tranzitohen, ku të përcaktohen lloji, sasia, vendi ku e merr, pika kufitare e hyrjes dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë, shtetet nëpër të cilat do të kalojë, mjeti me të cilin do të transportojë mbetjet.
b) Kopjen e përkthyer dhe të noterizuar në gjuhën shqipe të kontratës së lidhur midis personit që eksporton dhe personit që merr në dorëzim mbetjet për menaxhimin e integruar të tyre.
c) Formularin e plotësuar, sipas aneksit 3 bashkëlidhur këtij vendimi.
ç) Faturën (mandat-arkëtimi) që provon se ka paguar tarifën e shërbimit në llogarinë bankare të ministrisë, në shumën 20 000 (njëzet mijë) lekë, e cila është e pakthyeshme.
26. Afati për shqyrtimin e kërkesës dhe dokumentacionit për kalimin tranzit të mbetjeve jo të rrezikshme dhe mbetjeve inerte është 30 (tridhjetë) ditë kalendarike.
27. Formulari në aneksin 2 bashkëlidhur këtij vendimi plotësohet për çdo transfertë të kryer nga personi që:
a) është pajisur me autorizim për eksportin e mbetjeve;
b) është pajisur me autorizim për kalimin tranzit të mbetjeve jo të rrezikshme ose mbetjeve inerte.
28. Një kopje (e skanuar) e formularit, sipas aneksit 2 bashkëlidhur këtij vendimi, dërgohet për çdo transfertë në rrugë elektronike në adresën zyrtare në ministrinë përgjegjëse për mjedisin brenda 5 (pesë) ditëve pune:
a) nga dega doganore e daljes, për eksportin e mbetjeve;
b) nga dega doganore e hyrjes dhe nga dega doganore e daljes, për kalimin tranzit të mbetjeve.
29. Autorizimi është i vlefshëm për një afat kohor deri në 1 (një) vit nga data e lëshimit për:
a) eksportin e mbetjeve;
b) tranzitimin e mbetjeve jo të rrezikshme apo mbetjeve inerte.
30. Në raste të refuzimit të kërkesës për pajisje me autorizimin për eksportin e mbetjeve dhe kalimin tranzit të mbetjeve jo të rrezikshme apo mbetjeve inerte, personi mund të ankohet në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.
31. Ministria përgjegjëse për mjedisin mban regjistër të veçantë për kërkesat për autorizim për eksport të mbetjeve apo kalimin tranzit të mbetjeve jo të rrezikshme apo inerte. Formati i regjistrit e mënyra e administrimit të tij miratohen me urdhër të ministrit. Ministri miraton me urdhër modelin e autorizimit për eksport të mbetjeve apo kalimit tranzit të mbetjeve jo të rrezikshme apo inerte.
32. Çdo autorizim mban një kod të veçantë shifror i cili fillon me siglën AL. Kodi është i ndryshëm për çdo autorizim të dhënë, fillon të rinumërohet çdo fillim viti kalendarik dhe nuk përsëritet. Kodi përbëhet nga 3 (tre) numra dhe viti kur lëshohet autorizimi i ministrit, sipas modelit në aneksin 4 bashkëlidhur këtij vendimi.
33. Tarifat që paguhen në zbatim të këtij vendimi derdhen në buxhetin e shtetit.
34. Mosrespektimi i kushteve dhe kërkesave të parashikuara në këtë vendim kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative, siç parashikohet në nenin 62, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar.
35. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, rregullorja e ministrit të Mjedisit nr.4, datë 15.10.2003, “Për kërkimin, shqyrtimin dhe miratimin e lejeve të eksportimit dhe të kalimit tranzit të mbetjeve”, shfuqizohet.
36. Ngarkohen ministria përgjegjëse për mjedisin, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, degët doganore, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Inspektorati Shtetëror për Mjedisin, Pyjet dhe Ujërat për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE ORGANIZATËS EVROPIANE PËR HULUMTIME NUKLEARE (CERN), NË LIDHJE E BASHKËPUNIMIN TEKNIK DHE SHKENCOR NË FIZIKËN E ENERGJISË SË LARTË 2014
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës Evropiane për Hulumtime Nukleare (CERN), në lidhje me bashkëpunimin teknik dhe shkencor në fizikën e energjisë së lartë 2014, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I RRJETIT KRYESOR TË KANALIZIMEVE DHE IMPIANTIT TË PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË PËRDORURA NË PLAZHIN E VELIPOJËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i rrjetit kryesor të kanalizimeve dhe impiantit të përpunimit të ujërave të përdorura në plazhin e Velipojës.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës – Kanalizimeve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për tokë pemëtore, me sipërfaqe prej 17 870 (shtatëmbëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme prej 4 681 940 (katër milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e një mijë e nëntëqind e dyzet) lekësh.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 309 000 (treqind e nëntë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës – Kanalizimeve.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 4 681 940 (katër milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e një mijë e nëntëqind e dyzet) lekësh të përballohet nga buxheti i vitit 2014, zëri “Investime”, i planifikuar për Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës – Kanalizimeve.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 5, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë, që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës – Kanalizimeve.
8. Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës – Kanalizimeve të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës – Kanalizimeve, të fillojnë procedurat për hedhjen e projektit të objektit në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës – Kanalizimeve, dhe me fillimin e procesit të likuidimit të fillojë dhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së projektit të objektit në hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës – Kanalizimeve, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NGRITJEN DHE MËNYRËN E FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT TË ÇMIMIT TË BARNAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 38, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, me propozimin e ministrit të Financave dhe ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
1. Ngritjen e Komisionit të Çmimit të Barnave, si njësi e përhershme, pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.
2. Komisioni i Çmimit të Barnave të kryesohet nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe të ketë në përbërje:
a) Një përfaqësues nga Drejtoria Farmaceutike, pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.
b) Një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat.
c) Një përfaqësues nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
ç) Një përfaqësues nga Agjencia Kombëtare për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore.
Sekretari i komisionit është një specialist i Drejtorisë Farmaceutike pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.
Titullarët e institucioneve, të përmendura në këtë pikë, caktojnë në detyrën e anëtarit të komisionit punonjës që kanë lidhje me funksionin dhe detyrat e këtij komisioni.
3. Mbajtësit e autorizimit të tregtimit të barit në Shqipëri, brenda datës 31 tetor të çdo viti, deklarojnë me shkresë, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi, në zarf të mbyllur, pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, çmimet “CIF” në euro ose dollarë, për barnat e importit dhe çmimet “EXW” (ex-work) në lekë, për barnat e fabrikuara në vend. Dorëzimi i çdo zarfi të mbyllur me deklarimin e çmimeve bëhet në protokollin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe shoqërohet me nënshkrimin e personit të autorizuar nga kompania për këtë veprim dhe të punonjësit të protokollit, i cili pranon dokumentacionin. Çdo zarf i ardhur në ministri regjistrohet në një regjistër të veçantë, me numrin rendor përkatës dhe datën e marrjes së tij në dorëzim.
4. Deklarimi i çmimit duhet të bëhet sipas formularit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ai duhet të jetë origjinal, i firmosur dhe i vulosur nga mbajtësi i autorizimit për tregtim. Në rast të kundërt, deklarimi do të quhet i pavlefshëm dhe nuk do të merret në shqyrtim nga komisioni.
5. Ministria përgjegjëse për shëndetësinë njofton, nëpërmjet publikimit në faqen zyrtare, të gjithë mbajtësit e autorizimit të tregtimit të barit në Shqipëri, për deklarimin e çmimeve “CIF” në euro ose dollarë, për barnat e importit dhe çmimet “EXW” (ex-work) në lekë, për barnat e fabrikuara në vend, pranë saj, brenda datës 30 shtator.
6. Komisioni i Çmimit të Barnave, brenda datës 5 nëntor të çdo viti, mblidhet, me njoftim të kryetarit, për hapjen e zarfeve të çmimeve të deklaruara, të cilat siglohen nga anëtarët e pranishëm në komision.
7. Mbledhjet e Komisionit të Çmimit të Barnave janë të vlefshme kur në to janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Miratimi i çmimeve të barnave bëhet me votim të hapur dhe vendimi merret me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm. Në rast se ka barazim votash, vota e kryetarit është vendimtare.
8. Komisioni i Çmimit të Barnave, kur është e nevojshme, mblidhet me njoftim të kryetarit për të miratuar çmimet e deklaruara për barnat që regjistrohen gjatë vitit kalendarik pasardhës. Në këto raste, miratimi i çmimit të barnave bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve pas depozitimit të deklarimit të tyre pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.
9. Çmimet “CIF”, të deklaruara në Shqipëri, do të krahasohen me çmimet e tregtimit me shumicë të shteteve referente: Itali, Greqi, Serbi, Maqedoni dhe Kroaci. Në rastet kur mungon informacioni për çmimet e tregtimit me shumicë nga shtetet referente, krahasimi do të bëhet me çmimet e shitjes me pakicë të barit.
10. Komisioni i Çmimit të Barnave verifikon edhe çmimet e deklaruara të tregtimit me pakicë të barit në vendin e origjinës, në formularin e deklarimit të çmimit nga mbajtësi i autorizimit të tregtimit. Në rast se të dhënat e deklaruara nga mbajtësi i autorizimit për tregtim mbi çmimin e shitjes me pakicë të barit në vendin e origjinës janë të ndryshme, komisioni merr vendim që barit të mos i miratohet çmimi për vitin pasardhës.
11. Komisioni i Çmimit të Barnave verifikon edhe dokumentacionin e importeve të barnave, të kryera dhe të depozituara pranë Agjencisë Kombëtare për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore, gjatë 12 muajve të fundit.
12. “Çmimi i referencës për Shqipërinë” do të jetë çmimi më i ulët nga elementet e mëposhtme:
a) çmimi që aplikohet ndër pesë shtetet referente;
b) çmimi i tregtimit me pakicë të barit në vendin e origjinës;
c) çmimi i barnave të importuara në Republikën e Shqipërisë, gjatë 12 muajve të fundit.
13. Çmimi i barit gjenerik duhet të jetë deri në 80% të çmimit të barit origjinator, të regjistruar pranë Agjencisë. Nëse bari origjinator nuk është i regjistruar në Republikën e Shqipërisë, atëherë do të merret për bazë çmimi i tij në vendet e referencës dhe të origjinës.
14. Çmimi i shitjes me pakicë të barit në Republikën e Shqipërisë duhet të jetë më i ulët ose i njëjtë me çmimin e shitjes me pakicë të tij në vendin e origjinës.
15. Barnat, për të cilat nuk është deklaruar çmim, ose të cilat nuk janë regjistruar/riregjistruar deri më 31 tetor të vitit aktual, humbasin të drejtën për t’u futur në listën e barnave të rimbursuara për vitin pasardhës.
16. Informacioni për krahasimin e çmimeve të barnave do të merret nga botimet zyrtare, të publikuara nga institucionet homologe në vendet e referencës.
17. Drejtoria Farmaceutike, në ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, brenda datës 31 dhjetor të çdo viti, bën shpalljen, në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, e listës së përgjithshme me çmimet “CIF/EXW”, të miratuar nga Komisioni. Kjo listë dërgohet zyrtarisht tek Agjencia Kombëtare për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
18. Kundër vendimit të Komisionit të Çmimit të Barnave bëhet ankim sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Administrative.
19. Anëtarët dhe sekretari i komisionit shpërblehen për çdo mbledhje, sipas përcaktimeve të bëra në vendimin nr.418/2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes vendore”, të ndryshuar.
20. Vendimi nr.62, datë 1.2.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e funksionimit të Komisionit të Çmimit të Barnave”, të ndryshuar, shfuqizohet.
21. Ngarkohen ministria përgjegjëse për shëndetësinë, ministria përgjegjëse për financat dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN E PRONËS SË PALUAJTSHME SHTETËRORE, ME EMËRTIMIN “ISH-DREJTORIA E KONVIKTEVE TË SHKOLLAVE TË MESME, TIRANË”, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË DREJTËSISË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.834, DATË 13.12.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË PJESSHME TË INVENTARIT (PJESA E PARË + PJESA E DYTË) TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE NË BASHKINË TIRANË, TË QARKUT TË TIRANËS”, SI DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1292, DATË 24.9.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË DREJTËSISË TË TROJEVE DHE NDËRTESAVE TË GJYKATAVE TË RRETHEVE GJYQËSORE DHE TË GJYKATAVE TË APELIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12, 13, 14 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin e pronës së paluajtshme shtetërore, me emërtimin “Ish-Drejtoria e Konvikteve të Shkollave të Mesme, Tiranë”, ndodhur në zonën kadastrale 8160, me numër pasurie 2/82, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë, në funksion të akomodimit të Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë.
2. Heqjen e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, e cila i bashkëlidhet vendimit nr.834, datë 13.12.2006, të Këshillit të Ministrave, dhe shtimin e kësaj prone në listën e inventarit të pronave shtetërore miratuar me vendimin nr.1292, datë 24.9.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
3. Ministria e Drejtësisë nuk mund ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen ministri i Drejtësisë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.