Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave 11 Nëntor 2015
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KATEGORIVE TË PËRFITUESVE, TË MASAVE  E TË KRITEREVE PËR SIGURIMIN E JETËS SË PUNONJËSIT TË POLICISË USHTARAKE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 40, të ligjit nr.13/2015, “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Ministria e Mbrojtjes të bëjë sigurimin e jetës në masën deri në 2% të personelit, sipas tabelës së organizimit dhe pajisjeve të punonjësve të Policisë Ushtarake.
2. Kategoritë që përfitojnë sigurim jete janë:
a) punonjësit, të cilëve, për shkak të detyrës funksionale, u rrezikohet jeta, si më poshtë vijon:
  • Oficerë të Policisë Gjyqësore;
  • Inspektorë dhe agjentë të Policisë Kriminale;
  • Inspektorë të qarkullimit rrugor;
  • Inspektorë të rendit ushtarak.
b) punonjësit e tjerë, të cilët vënë jetën në rrezik dhe që përcaktohen në urdhrin e Komandantit të Policisë Ushtarake për kryerjen e detyrave operacionale.
3. Kriteret për të përfituar sigurim të jetës janë, si më poshtë vijon:
a) Humbja e jetës të ketë ndodhur gjatë kryerjes së detyrës ose për shkak të saj;
b) Punonjësi i Policisë Ushtarake duhet të jetë deklaruar i vdekur nga organet kompetente mjekësore ose të jetë shpallur i vdekur me vendim gjykate.
4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.
5. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR KONVERTIMIN E BORXHIT PËR ZHVILLIM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për konvertimin e borxhit për zhvillim, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS  SË SHQIPËRISË, QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR SHQIPËRI – KOSOVË 2014-2020, SHPËRNDARJET E FONDEVE PËR VITET 2014 E 2015, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARAADERIMIT (IPA II)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri – Kosovë 2014-2020, shpërndarjet e fondeve për vitet 2014 e 2015, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraaderimit (IPA II), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF014999, NDËRMJET SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE TË GRANTIT TË AKORDUAR NGA FONDI I MIRËBESIMIT ME SHUMË DONATORË, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT  TË ZBATIMIT TË NISMËS PËR TRANSPARENCË NË INDUSTRINË NXJERRËSE NË SHQIPËRI (EITI)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së grantit nr.TF014999, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të akorduar nga Fondi i Mirëbesimit me Shumë Donatorë, për financimin e projektit të zbatimit të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri (EITI), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D O I M
PËR
MIRATIMIN E METODOLOGJISË KOMBËTARE TË PROCESIT TË VLERËSIMIT TË NDIKIMIT NË MJEDIS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 7, të ligjit nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit,  Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e metodologjisë kombëtare të procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, ku përcaktohen metodikat dhe kërkesat për hartimin e raporteve të vlerësimit të ndikimit në mjedis, sipas dokumentit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 shtator 2016.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LEJIMIN E LËVIZJES, JASHTË TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË 43 VIZATIMEVE TË AUTORËVE TË NDRYSHËM SHQIPTARË, PJESË E FONDIT TË GALERISË KOMBËTARE TË ARTEVE, PËR REALIZIMIN E EKSPOZITËS “RRUGËTIM SHQIPTAR: KOLEKSIONI I GKA-SË DHE ARTISTË BASHKËKOHËS”, NË KUADËR TË PROJEKTIT “NËNTORI SHQIPTAR”, QË DO TË ZHVILLOHET PËRGJATË MUAJVE NËNTOR-DHJETOR 2015, NË DUSSELDORF-GJERMANI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 19, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lejimin e lëvizjes, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të 43 (dyzet e tre) vizatimeve të autorëve të ndryshëm shqiptarë, objekte të rralla me vlera unikale, pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve, për realizimin e ekspozitës “Rrugëtim shqiptar: koleksioni i GKA-së dhe artistë bashkëkohës”, në kuadër të projektit “Nëntori shqiptar”, që do të zhvillohet përgjatë muajve nëntor – dhjetor 2015, në Dusseldorf-Gjermani, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Lejimi i lëvizjes së veprave bëhet për periudhën 19 nëntor – 8 dhjetor 2015.
3. Ekspozimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të bëhet në përputhje me udhëzimin nr.2, datë 18.3.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për lëvizjen e objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme, me vlera të veçanta kombëtare dhe unikale, për restaurimin, studimin dhe ekspozimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
4. Ngarkohen Galeria Kombëtare e Arteve të kryejë shoqërimin dhe kthimin e veprave në vendin e origjinës, pas mbarimit të veprimtarisë, dhe Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore të kryejë regjistrimin e lëvizjes së objekteve.
5. Ngarkohet ministri i Kulturës për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 661, DATË 7.8.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I LINJAVE 110 DHE 220 KV QË LIDHIN KASKADËN E DEVOLLIT ME SISTEMIN E TRANSMETIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.661, datë 7.8.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në tabelën bashkëlidhur vendimit shtohet pasuria e paluajtshme, me të dhënat sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi;
b) Në pikat 3 e 4, shuma 2 153 923.80 (dy milionë e njëqind e pesëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e njëzet e tre pikë tetëdhjetë) lekë zëvendësohet me 3 610 343.8 (tre milionë e gjashtëqind e dhjetë mijë e treqind e dyzet e tre pikë tetë) lekë;
c) Pika 5 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“5. Shpenzimet procedurale të shpronësimit të përballohen nga shoqëria “Devoll Hydropower”, sh.a.”.
ç) Kudo në përmbajtjen e vendimit, emërtimi “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës” zëvendësohet me “Ministra e Energjisë dhe Industrisë”.
d) Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe shoqëria “Devoll Hydropower”, sh.a. për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI, NGA KËSHILLAT E QARQEVE TE BASHKITË, TË RRJETIT TË RRUGËVE RURALE DHE TË ASETEVE TË LUAJTSHME E TË PALUAJTSHME TË NDËRMARRJEVE TË MIRËMBAJTJES SË KËTYRE RRUGËVE  
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “c”, të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, shkronja “f”, e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit te njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Rrjeti i rrugëve rurale, i cili është administruar nga këshillat e qarqeve, në bazë të vendimit nr.667, datë 15.12.2000, të Këshillit të Ministrave, t’i kalojë në pronësi bashkive, sipas tabelës 1 bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Transferimin në pronësi, nga ndërmarrjet e mirëmbajtjes së rrugëve rurale, aktualisht në varësi të këshillave të qarqeve, te bashkitë, të:
a) aseteve të paluajtshme të këtyre ndërmarrjeve te bashkitë në territorin e të cilave është vendndodhja e tyre, sipas tabelës 2 bashkëlidhur këtij vendimi;
b) mjeteve motorike, sipas tabelës 3 bashkëlidhur këtij vendimi;
c) mjeteve e pajisjeve të këtyre ndërmarrjeve, në përputhje me shkronjën “a”, të kësaj pike.
3. Transferimi të kryhet nën mbikëqyrjen e prefektit të qarkut.
4. Ngarkohen bashkitë për të kryer evidentimin e inventarit të rrugëve rurale dhe komunale, si dhe në bashkëpunim me Institutin e Transportit, të përditësojnë këtë rrjet rrugor në hartën digjitale duke iu referuar hartave bashkëlidhur këtij vendimi, brenda datës 31 dhjetor 2015. Harta digjitale e përditësuar publikohet në Gjeoportalin Kombëtar që administrohet nga ASIG.
5. Autoriteti Rrugor Shqiptar rakordon inventarin e rrugëve në administrim të tij me atë në pronësi të bashkive dhe paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave projektvendimin për saktësimin e klasifikimit e të ndarjes së rrjetit rrugor midis këtij autoriteti dhe bashkive, brenda datës 31 dhjetor 2015.
6. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, ndërmarrjet e mirëmbajtjes së rrugëve rurale, në varësi të këshillave të qarqeve, shkrihen. Kryetari i qarkut, brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, merr masa për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës për punonjësit e këtyre ndërmarrjeve, duke respektuar afatet, procedurat dhe mënyrat e përcaktuara në Kodin e Punës. Efekti financiar për largimin e punonjësve përballohet nga buxheti i këshillave të qarqeve.
7. Transferimi i inventarit të rrugëve dhe aseteve të ndërmarrjeve sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, nga këshillat e qarqeve te bashkitë, të shoqërohet me transferimin edhe të financave përkatëse te bashkitë, duke filluar nga viti 2016.
8. Vendimi nr.667, datë 15.12.2000, i Këshillit të Ministrave, “Për kalimin e rrugëve rurale në administrimin e këshillave të qarqeve”, shfuqizohet.
9. Ngarkohen ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Ministria e Financave, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Instituti i Transportit, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale, prefektët e qarqeve, ASIG, këshillat e qarqeve dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KORESË, PËR BASHKËPUNIMIN EKONOMIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Koresë, për bashkëpunimin ekonomik, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K  R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPËRBLIMIN E PRONARËVE PËR SIPËRFAQET TAKUESE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të neneve 3, shkronja “c”, e 5, pika 2, të  ligjit nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Elbasanit, Tiranës, Vlorës, Durrësit dhe Shkodrës.
2. Vlera e përgjithshme e kompensimit të jetë 450 233 706,6 (katërqind e pesëdhjetë milionë e dyqind e tridhjetë e tre mijë e shtatëqind e gjashtë presje gjashtë) lekë dhe sipërfaqja që shpronësohet të jetë 232 252,7 (dyqind e tridhjetë e dy mijë e dyqind e pesëdhjetë e dy presje shtatë) m², sipas tabelës 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të kryejë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
4. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
            Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 MIRATIMIN E RAPORTIT KOMBËTAR, PËR ZBATIMIN E KONVENTËS NDËRKOMBËTARE TË OKB-SË, “PËR MBROJTJEN E TË GJITHË PERSONAVE NGA ZHDUKJET ME FORCË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të Konventës Ndërkombëtare të OKB-së “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë”, ratifikuar me ligjin nr.9802, datë 13.9.2007, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e Raportit Kombëtar, për zbatimin e Konventës Ndërkombëtare të OKB-së, “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
***

V E N D I M 

PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR PËRFITIMIN E BURSAVE E PAGESAVE DHE PËR KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE, PËR NXËNËSIT E STUDENTËT NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE, PËR VITIN SHKOLLOR 2015 – 2016

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, 19 e 28, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 112, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të nenit 29, të ligjit nr.8872, datë 29.3.2002, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të ligjit nr.7748, datë 29.7.1993, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, të ndryshuar, të nenit 32, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët që ndjekin një program studimi të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara në këtë vendim, nga buxheti vjetor, i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR).

2.    Përfitojnë bursë nxënësit dhe studentët brenda kuotave dhe kritereve, si më poshtë vijon:

2.1 Sipas kriterit ekonomik (nxënës/studentë):
a)    Nxënësit që vazhdojnë studimet në largësinë mbi 5 km dhe studentët që vazhdojnë studimet në largësinë mbi 10 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre e që plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b)    Nxënësit që banojnë në fshat, që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km, që akomodohen në konvikte publike dhe plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
c)    Secili nga studentët bashkëshort me fëmijë, që akomodohet në konvikte publike dhe plotëson kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2.2    Sipas rezultateve të arritura (nxënës/studentë):

a)    Nxënësit e arsimit profesional që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10 (dhjetë);
b)    Nxënësit që vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në drejtimet mësimore: Bujqësi, Veterinari, Pyje, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, në vitet e treta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8 (tetë);
c)    Studentët e regjistruar në vitin e parë të shkollës së lartë, që janë shpallur nga MAS-i më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit, të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Për vitin akademik 2015-2016, numri i tyre do të jetë 30 (tridhjetë) studentë. Kjo kategori studentësh përfiton bursë kur ata vazhdojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë publik dhe vetëm për vitin akademik 2015-2016;
ç) Studentët që ndjekin një program studimi të ciklit të parë, me kohë të plotë, që kanë përfunduar vitin akademik pararendës me të gjitha notat 10 (dhjetë);
d)    Studentët që ndjekin një program studimi të ciklit të parë, me kohë të plotë, në degët Matematikë dhe Fizikë, në vitin e dytë e lart, dhe kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8 (tetë).

2.3    Jashtë kriterit ekonomik (nxënës/studentë):

a)    Nxënës dhe studentë që kanë përfituar statusin e jetimit;
b)    Nxënës dhe studentë që kanë humbur kujdestarinë prindërore, me vendim gjykate të formës së prerë;
c)    Nxënës dhe studentë që gëzojnë statusin ligjor të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik;
ç) Nxënës dhe studentë që gëzojnë statusin ligjor që nuk shikojnë apo nuk dëgjojnë;
d)    Nxënës dhe studentë, fëmijë të personave që gëzojnë statusin e invalidit e përfitojnë pension invaliditeti dhe nuk kanë të ardhura të tjera;
dh) Nxënës të komunitetit rom dhe egjiptian, që regjistrohen dhe ndjekin arsimin e mesëm profesional;
e)    Nxënës dhe studentë që janë identifikuar dhe trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror;
ë) Fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës;
Në fillim të çdo viti akademik, por jo më vonë se data 15 dhjetor 2015, për këto kategori nxënësish/studentësh, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ Shtetëror si dhe institucionet e përkujdesit social rezidencial publik duhet të dërgojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë listën e nxënësve/studentëve përfitues, sipas pikës 2.3, të këtij vendimi.
2.4 Sipas degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit:
a)    Nxënësit e shkollave profesionale që ndjekin drejtimet mësimore: Bujqësi, Veterinari, Pyje, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit;
b)    Nxënësit e shkollave profesionale, që ndjekin drejtimet mësimore profesionale, me vendbanim të përhershëm në zonat verilindore dhe juglindore të vendit: Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Pogradec, Skrapar dhe Tepelenë.

3.    Nxënësit dhe studentët e të gjitha kategorive të mësipërme nuk përfitojnë bursë ose humbasin të drejtën e përfitimit të saj, kur:

a)    janë ndarë nga trungu familjar;
b)    familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;
c)    vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi;
ç)  shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese.
4.    Ministria e Arsimit dhe Sportit, mbështetur në kuotat e miratuara në këtë vendim, për studentët që regjistrohen dhe ndjekin vitin e parë akademik 2015-2016 harton planin e shpërndarjes së bursave, sipas njësive arsimore vendore (DAR) dhe zyrave arsimore (ZA). Njësitë arsimore vendore, mbështetur në numrin e studentëve që ndjekin vitin e parë akademik 2015-2016 si dhe kërkesave zyrtare të njësive bazë të qeverisjes vendore, hartojnë planin e shpërndarjes së bursave për kategoritë sipas pikave 2.1 e 2.3, të këtij vendimi, dhe e dërgojnë atë në njësitë bazë të qeverisjes vendore, jo më vonë se data 15.11.2015.

5.    Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, pas këshillimit me njësitë bazë të qeverisjes vendore ku ndodhen shkollat profesionale, harton planin e shpërndarjes së bursave për nxënësit e shkollave profesionale që regjistrohen dhe ndjekin vitin e parë akademik 2015-2016 dhe ua dërgon, për miratim, njësive bazë të qeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale të shkollave profesionale, jo më vonë se data 15.11.2015.

6.    Njësitë bazë të qeverisjes vendore, bazuar në planin e përcaktuar për to, vendosin/miratojnë, me vendim të këshillit të bashkisë, dhënien e bursave, sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 dhe 2.4, të këtij vendimi, duke u dhënë përparësi nxënësve/studentëve nga shtresat/kategoritë sociale në nevojë, për trajtimin me bursë të plotë dhe për kushte të barabarta në trajtimin me bursë. Prioritet kanë nxënëset vajza. Njësitë bazë të qeverisjes vendore, në pamundësi trajtimi me bursë të plotë, brenda planit të miratuar, mund të trajtojnë/miratojnë për nxënësit/studentët edhe 1/2 (gjysmë) burse.

6.1    Njësitë bazë të qeverisjes vendore, detyrimisht, duhet t’u dërgojnë zyrtarisht, jo më vonë se data 31.12.2015, institucioneve publike të arsimit të lartë, njësive bazë të qeverisjes vendore, drejtorive arsimore rajonale apo zyrave arsimore përkatëse vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës.

6.2    Njësitë arsimore vendore dhe drejtoritë e shkollave profesionale duhet të dërgojnë pranë institucioneve të arsimit të lartë dhe bashkive që, sipas ndarjes territoriale, menaxhojnë konviktet, listën emërore të nxënësve dhe të studentëve përfitues të bursës, së bashku me vendimet origjinale të këshillave të bashkive dhe të këshillave të komunave. Një kopje e listës emërore të nxënësve dhe studentëve të trajtuar me bursë dërgohet edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, jo më vonë se data 15 Janar 2016.

6.3    Drejtoritë e Shkollave Profesionale, për nxënësit që regjistrohen dhe vazhdojnë studimet në vitin e parë shkollor 2015-2016, në degët: Bujqësi, Veterinari, Pyjore, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, u dërgojnë informacion Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe njësive bazë të qeverisjes vendore, jo më vonë se data 15.11.2015.

6.4    Nxënësit e shkollave profesionale, që ndjekin vitin e dytë në drejtimet mësimore: Bujqësi, Veterinari, Pyje, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, që kanë përfituar bursë në vitin e parë, 2014-2015, dhe nuk rezultojnë mbetës, përfitojnë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit.

6.5    Njësitë bazë të qeverisjes vendore, brenda numrit të përgjithshëm të bursave të dhëna për vitin akademik 2015-2016, vendosin për dhënien e bursave sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale dhe konvikteve, në të cilat janë vendosur nxënësit, mbështetur në numrin e nxënësve të regjistruar në këto degë. Drejtoritë e shkollave profesionale, menjëherë, me mbarimin e regjistrimit në këto degë, dërgojnë informacion në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR) dhe në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS).

7.    Bursat e nxënësve për vitin e dytë e lart rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit, nga këshilli i bashkisë, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale apo konvikteve ku janë vendosur nxënësit, përfitues të bursës/kuotës ushqimore. Të gjithë nxënësit/prindërit dhe drejtoritë e shkollave profesionale dërgojnë/paraqesin, zyrtarisht, në njësitë e qeverisjes vendore, kërkesat për miratimin e bursës, për nxënësit që përfitojnë bursë, sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 e 2.4, të këtij vendimi.

Nxënësit që kanë përfituar bursë vitin e parë, me vendim të këshillit të bashkisë/komunës ku ata kanë vendbanimin e përhershëm, dhe nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike e nuk rezultojnë mbetës, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit. Nxënësit e viteve të III-ta të shkollave të mesme “Nazmi Rushiti”, Dibër, dhe “Havzi Nela”, Kukës, të cilët transferojnë programet e nivelit të dytë në shkollat e mesme profesionale në Shkodër, pra nga njësitë vendore “Bashkia Peshkopi” dhe “Bashkia Kukës”, në njësinë vendore “Bashkia Shkodër”, transferojnë, njëkohësisht, zyrtarisht, në Bashkinë Shkodër, numrin e bursave që kanë përfituar nxënësit për vitin shkollor 2014-2015, sipas vendimeve të këshillit të njësive vendore “Bashkia Peshkopi” dhe “Bashkia Kukës”.
Për nxënësit e tjerë të viteve të III-ta, të shkollave të mesme “Nazmi Rushiti”, Dibër, dhe “Havzi Nela”, Kukës, që plotësojnë kriteret ekonomike dhe kriterin e largësisë nga vendbanimi, sipas pikës 2.1, kërkesat e tyre shqyrtohen dhe trajtohen me bursë nga njësia e qeverisjes vendore “Bashkia Shkodër”.
7.1    Nxënësit që kanë përfituar bursë e përfitojnë atë edhe gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës profesionale. Bursa jepet në formën e kuotës ushqimore, nga njësia bazë e qeverisjes vendore, gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës mësimore.

7.2    Nxënësve të klasës së 13-të, të shkollave profesionale, të drejtimit Termohidraulikë, që nuk kanë përfituar bursë me vendim të këshillave të njësive të qeverisjes vendore, për periudhën e zhvillimit të praktikës profesionale, të miratuar për vitin akademik 2015-2016, u akordohet/miratohet bursë nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, mbështetur në kërkesën e drejtorëve të shkollave profesionale.

7.3    Bursat e akorduara/miratuara nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë u dërgohen, zyrtarisht, njësive bazë të qeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit që zhvillojnë praktikën profesionale. Nxënësit që përfitojnë bursë, kur nuk kanë mundësi akomodimi në konvikte dhe ofrimi të saj në formën e kuotës ushqimore, e përfitojnë bursën mujore në lekë, drejtpërdrejt në llogarinë bankare të nxënësit/ prindit.

7.4      Drejtorët e shkollave profesionale e social-kulturore dërgojnë, zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësive bazë të qeverisjes vendore, informacion për frekuentimin e shkollës/praktikës profesionale, për nxënësit që përfitojnë bursë.

8.    Bursat e studentëve, për vitin e II-të e lart, rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit nga institucionet publike të arsimit të lartë. Studentët e vitit të II-të e lart, që nuk kanë përfituar bursë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund të përfitojnë bursë brenda numrit të planit të bursave, të përcaktuara sipas këtij vendimi.

8.1      Numri i bursave për këtë kategori studentësh dhe për studentët që përfitojnë bursë, sipas pikave 2.2 e 2.3, është deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë), në shkallë vendi, brenda numrit të përgjithshëm të bursave, të dhëna për vitin akademik 2015-2016. Institucionet publike të arsimit të lartë paraqesin në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit kërkesat për studentët që përfitojnë bursë, sipas pikës 2.2, të këtij vendimi.

8.2      MAS-i harton planin e shpërndarjes dhe e dërgon për ekzekutim në institucionet publike të arsimit të lartë. Studentët, të cilë kanë përfituar bursë vitin e parë, me vendim të këshillit të bashkisë ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës.

9.    Nga plani i bursave të miratuara për vitin akademik 2015-2016, Bashkisë së Tiranës i jepen deri në 15 (pesëmbëdhjetë) bursa për studentët, të cilët, pavarësisht nga kriteri i vendbanimit apo kritereve ekonomike, kanë statusin ligjor të jetimit, të invalidit paraplegjik/tetraplegjik, që nuk shikojnë/nuk dëgjojnë si dhe të kategorive të tjera, të përcaktuara në pikën 2.3, të këtij vendimi; ndërsa bashkive Durrës, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Kamëz, Shkodër dhe Vlorë, të cilat, në territorin e tyre kanë institucione publike të arsimit të lartë, për këtë kategori studentësh u jepen deri në 5 (pesë) bursa.

Nxënësit dhe studentët që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përfitojnë, falas, veshmbathje, libra dhe fletore, sipas pasqyrës nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përjashtohen nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme që ofrojnë shkollat.
9.1    Nxënësve dhe studentëve që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, të invalid paraplegjik/tetraplegjik, statusin ligjor që nuk shikojnë/që nuk dëgjojnë u sigurohen, falas, akomodimi/fjetja si dhe u mbulohen, nga fondet e institucioneve arsimore përkatëse, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës, të kartës shëndetësore si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit.

9.2    Nxënësit jetimë, që vazhdojnë shkollat e mesme ose institucionet publike të arsimit të lartë, trajtohen me pagesë suplementare edhe për periudhën e pushimeve verore, që përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, si dhe vetëm një vit, kur humbasin vitin shkollor, për arsye të rezultateve jokaluese, nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale.

9.3    Nxënësit e komunitetit rom dhe egjiptian, që vazhdojnë studimet në shkollat e mesme profesionale, përfitojnë, falas, veshmbathje, libra dhe fletore, sipas pasqyrës nr.6.

9.4    Fëmijët/nxënësit dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, me nevoja të veçanta psiko-sociale, pa konvikt, trajtohen falas, nga shteti, me një kuotë ushqimore (drekë), me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë.

10.    Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat si dhe numri i bursave për studentët administrohen nga institucionet publike të arsimit të lartë. Bursa përllogaritet si shpenzim mesatar, lekë në ditë, dhe paguhet çdo muaj, me kalim në numrin e llogarisë bankare të çdo studenti. Drejtuesit e fakulteteve dërgojnë zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësive/departamentit të financës, frekuentimin e shkollës për studentët që përfitojnë bursë.

10.1    Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat si dhe numri i bursave për nxënësit administrohen nga bashkia/komuna, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Masa mujore e bursës u jepet nxënësve në formën e kuotës ushqimore, në konvikt.

10.2    Nxënësve që përfitojnë bursë sipas kriterit ekonomik, sipas rezultateve të arritura e sipas degëve parësore për zhvillimin e ekonomisë, si dhe nxënësve që përfitojnë bursë jashtë kriterit ekonomik, të cilët nuk janë akomoduar në konvikte, masa e miratuar e bursës mujore u paguhet, çdo muaj, nga bashkia, pranë bankave të nivelit të dytë, në llogarinë bankare të nxënësit/prindit përfitues.

10.3    Drejtorët e shkollave profesionale e social-kulturore dërgojnë zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësive bazë të qeverisjes vendore, informacion për ndjekjen/frekuentimin e shkollës për nxënësit që përfitojnë bursë.

11.    Niveli/masa e bursës për nxënësit dhe studentët jepet sipas pasqyrave nr.2 e nr.3, ndërsa kuota financiare ushqimore ditore jepet sipas pasqyrave nr.4 e nr.5, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

12.    Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për hyrjet e reja në vitin e parë, në sistemin arsimor publik, për të gjitha kategoritë e parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, për vitin e ri mësimor 2015-2016 të japë 1950 (një mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) bursa për nxënësit dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, për të gjitha kategoritë e parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, për vitin e ri akademik 2015-2016 të japë 1800 (një mijë e tetëqind) bursa për studentët.

13.    Efektet financiare të vitit akademik 2015-2016 të përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për vitin 2015, për pjesën e vitit 2015, dhe nga fondet e buxhetit të shtetit, që do të miratohet për vitin 2016, për pjesën e vitit 2016.

14.    Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave, për vitet e para, është data 31 dhjetor 2015, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa, për vitin e dytë e lart, është data 30 nëntor 2015. Vendimet e miratuara nga këshillat e bashkive apo institucionet publike të arsimit të lartë jashtë këtij afati janë të pavlefshme.

15.    Ministri i Arsimit dhe Sportit dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për raste të veçanta, kur vendimet e këshillave të njësive bazë të qeverisjes vendore janë miratuar brenda afatit të përcaktuar në pikën 14, të këtij vendimi, por dërgohen jashtë afatit të përcaktuar, kanë të drejtë të shqyrtojë dhe të rivendosin në afat përfitimin e bursës për nxënësin/studentin.

16.    Vendimet e njësive bazë të qeverisjes vendore dhe vendimet e institucioneve publike të arsimit të lartë bëhen publike për studentët, komunitetin, median dhe institucionet e tjera vendore apo qendrore, në faqen elektronike.

17.    Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, njësitë arsimore vendore (DAR/ZA-të), institucionet publike të arsimit të lartë dhe njësitë bazë të qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I 

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.