Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 4 qershor 2014
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.419, DATË 15.5.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË KONKURRUESHMËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4, 6, shkronjat “a”, “b”, “d”, “e”, dhe 7, pika 1, të ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar, dhe të neneve 17 e 18, të ligjit nr.10303, datë 15.7.2010, “Për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA)”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.419, datë 15.5.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë u jep ndihmë financiare të drejtpërdrejtë ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, deri në 1 400 000 (një milion e katërqind mijë) lekë, por në asnjë rast më shumë se 70% të kostove të pranueshme. Në kostot e pranueshme që mund të bashkëfinancohen, përfshihen kostot për:
a) përshtatje produkti, përfshirë ambalazhimin dhe etiketimin, certifikim produkti, vlerësim konformiteti dhe zbatim të sistemeve të menaxhimit të cilësisë;
b) pjesëmarrje në panaire jashtë vendit;
c) krijim faqeje interneti, zhvillim të tregtisë elektronike dhe promovim, publikim dhe hartim materialesh promovuese;
ç) shërbime këshillimore. Në këtë rast kostot që mund të bashkëfinancohen nuk mund të jenë më shumë se 50 % e kostos totale të këtyre shërbimeve.”.
2. Në shkronjën “a”, të pikës 3, hiqen fjalët “… dhe që gjatë procesit i japin një vlerë të shtuar të konsiderueshme produktit përfundimtar …”.
3. Në shkronjën “b”, të pikës 3, hiqen fjalët “… për zgjerimin e eksporteve …”.
4. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë të zbatohet për një periudhë 3-vjeçare, gjatë viteve 2013 dhe 2014, me një vlerë prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh për secilin vit, ndërsa për vitin 2015, me një vlerë prej 28 000 000 (njëzet e tetë milionë) lekësh.”.
5. Kudo në vendim emërtimi “Ministri/a i/e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës” zëvendësohet me “Ministri/a përgjegjës/e për ekonominë”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RAPORTIT VJETOR “PËR NDIHMAT SHTETËRORE TË VITIT 2013”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17, shkronja “dh”, 18, shkronja “e”, dhe 32, pika 2, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin e raportit vjetor “Për ndihmat shtetërore të vitit 2013”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D IM
PËR
HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR TË SIPËRFAQEVE PYJORE E KULLOSORE QË DO TË PËRDOREN NGA SHOQËRIA TAP-AG PËR NDËRTIMIN E RRJETIT RRUGOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, të pikës 4, të nenit 10, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, dhe të ligjit nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe TAP-AG”, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Heqjen nga fondi pyjor dhe kullosor dhe çregjistrimin nga kadastra e pyjeve dhe kullotave të sipërfaqes pyjore e kullosore prej 51,93 (pesëdhjetë e një presje nëntëdhjetë e tre) ha, që do të përdoret nga shoqëria TAP-AG për ndërtimin e rrjetit rrugor në funksion të ndërtimit të gazsjellësit TAP-AG.
Sipërfaqja pyjore e kullosore që hiqet nga fondi pyjor dhe kullosor jepet në lidhjen 1 (një) që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Heqja nga fondi pyjor dhe kullosor për ndërtimin e rrjetit rrugor të gazsjellësit TAP-AG, të bëhet me pjesë sipas territoreve administrative të njësive të qeverisjes vendore, bazuar në grafikun e parashikuar për realizimin e këtij projekti.
3. Shoqëria TAP-AG, pas përfundimit të punimeve për ndërtimin e rrjetit rrugor pjesor, sipas pikës 2, të këtij vendimi, është e detyruar të realizojë rehabilitimin mjedisor të territorit pyjor dhe kullosor.
4. Vlerat përkatëse të pakësimit në volum të lëndës drusore dhe produkteve të tjera pyjore, sipërfaqet dhe investimet e kryera në vite në pyje dhe kullota, objekt i këtij vendimi, paguhen nga shoqëria TAP-AG, sipas lidhjes 4, bashkëlidhur vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar.
5. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria TAP-AG, brenda 5 (pesë) viteve, të pyllëzojë me fondet e veta 50,23 (pesëdhjetë presje njëzet e tre) ha sipërfaqe me drurë pyjorë, në ekonomitë pyjore dhe kullosore të përcaktuara në marrëveshjen e lidhur ndërmjet shoqërisë TAP-AG dhe Ministrisë së Mjedisit.
6. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, bëhen ndryshimet përkatëse në regjistrin e kadastrës pyjore dhe kullosore dhe në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
7. Ministria e Mjedisit dhe shoqëria TAP-AG nënshkruajnë marrëveshje të përbashkët mbi hapat, afatet dhe procedurat për hartimin e projekteve teknike të heqjes së materialit drusor dhe pyllëzimin e sipërfaqeve pyjore sipas pikës 5, të këtij vendimi.
8. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, njësitë e qeverisjes vendore në territoret e të cilave kalon rrjeti rrugor për ndërtimin e gazsjellësit TAP-AG dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1701, DATË 17.12.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR PROCEDURAT E DHËNIES SË AUTORIZIMEVE PËR NDËRTIMIN E OBJEKTEVE TË REJA GJENERUESE TË ENERGJISË, QË NUK JANË OBJEKT KONCESIONI”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 34/1, të ligjit nr.9072, datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në rregulloren “Për procedurat e dhënies së autorizimeve për ndërtimin e objekteve të reja gjeneruese të energjisë, që nuk janë objekt koncesioni”, të miratuar me vendimin nr.1701, datë 17.12.2008, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 1, të nenit 2, fjalët “… dhe që lidhen me rrjetet e transmetimit dhe/ose shpërndarjes …” shfuqizohen.
2. Pika 1, e nenit 4, të rregullores, ndryshohet si më poshtë vijon:
“1. Çdo person që zhvillon veprimtari tregtare sipas legjislacionit shqiptar, duke përfshirë edhe shoqëritë tregtare të kontrolluara nga shteti, mund të aplikojë për marrjen e një autorizimi për ndërtimin e burimeve të reja gjeneruese.”.
3. Pas pikës 1, të nenit 18, shtohet pika 2, me këtë përmbajtje:
“2. Përmbushja e kushtit të përcaktuar në shkronjën “m”, të pikës 1, nuk është e nevojshme, në rastin kur aplikimi për ndërtimin e një burimi gjenerues bëhet nga një shoqëri tregtare e kontrolluar nga shteti, e cila do ta përdorë energjinë e prodhuar për plotësimin e nevojave të veta.”.
4. Në nenin 20 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Shkronja “d” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“d) miratimin e OST –së ose OSSH-së për pikën e lidhjes me rrjetin e transmetimit ose shpërndarjes sipas kërkesave të kodit të transmetimit ose shpërndarjes, për rastet kur burimi parashikohet të lidhet me rrjetin e transmetimit ose shpërndarjes.”.
b) Shkronja “e” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“e) lejet dhe autorizimet mjedisore nga institucionet përgjegjëse vendore ose kombëtare, për rastet kur përmbushja e këtij kushti kërkohet në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.”.
c) Shkronja “f” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“f) dokumentacionin ligjor, në përputhje me dispozitat e Kodit Civil, që provon marrëdhënien afatgjatë mbi truallin që do të përdoret për ndërtimin e burimit gjenerues.”.
5. Në nenin 22 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Shkronja “d” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“d) afatin e ndërtimit të burimit gjenerues.”.
b) Në shkronjën “e”, fjalët “… studimit të …” shfuqizohen.
c) Në fillim të shkronjës “j” shtohen fjalët “Përveç rasteve të parashikuara në pikën 2, të nenit 18 …”.
ç) Pas shkronjës “k” shtohet shkronja “l”, me këtë përmbajtje:
“l) afatin maksimal të shfrytëzimit të burimit gjenerues.”.
II. Ngarkohet ministri i Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUASË DHE PROGRAMIT, NDËRMJET, REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT “FONDI I INVESTIMEVE SOCIALE IV”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5, 7 e 27, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huasë dhe programit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e programit “Fondi i investimeve sociale IV”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM,PËR PROJEKTIN E SHËRBIMEVE MJEDISORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, dhe të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e shërbimeve mjedisore, për shumën 7 300 000 (shtatë milionë e treqind mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI AGJENCI ZBATUESE E FONDIT PËR MJEDISIN GLOBAL, PËR PROJEKTIN E SHËRBIMEVE MJEDISORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si agjenci zbatuese për Fondin Global të Mjedisit, në shumën 2 880 000 (dy milionë e tetëqind e tetëdhjetë mijë) USD, për projektin e shërbimeve mjedisore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR DORËZIMIN E MBETJEVE TË RREZIKSHME DHE TË DOKUMENTIT TË DORËZIMIT TË TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 26, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave për dorëzimin e mbetjeve të rrezikshme dhe të dokumentit të dorëzimit të tyre, në mënyrë profesionale, nga një person tek një tjetër brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Mbetje të rrezikshme klasifikohen mbetjet e shënuara me shenjën yll, “*”, të miratuara me vendimin nr.99, datë 18.2.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Katalogut Shqiptar të Mbetjeve”.
3. Termat e përdorur në këtë vendim kanë kuptimin e dhënë në ligjin nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, në ligjin nr.118/2012, “Për transportin e mallrave të rrezikshme”, në ligjin nr.9108, datë 17.7.2003, “Për substancat dhe preparatet kimike”, në ligjin nr.9272, datë 16.9.2004, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen evropiane “Për transportin ndërkombëtar rrugor të mallrave të rrezikshme (ADR)” dhe protokollin e nënshkrimit”, Gjenevë, më 30 shtator 1957, me pjesët e saj përbërëse, anekset A dhe B, si dhe në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.99, datë 18.2.2005, “Për miratimin e Katalogut Shqiptar të Mbetjeve”, (në vijim “Katalogu i Mbetjeve”), ndërsa termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Dorëzues”, krijuesi i mbetjeve të rrezikshme, grumbulluesi, agjenti ose tregtari.
b) “Marrësi”, personi pritës i mbetjeve të rrezikshme i cili i merr në dorëzim mbetjet e rrezikshme nga transportuesi.
c) “Transportuesi”, subjekti, i cili transferon mbetjen e rrezikshme nga dorëzuesi tek marrësi në dorëzim.
4. Dorëzimi i mbetjeve të rrezikshme nga një person tek një person tjetër bëhet pas plotësimit të dokumentit të dorëzimit, sipas shtojcave 1 dhe 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
5. Dorëzuesi, transportuesi dhe marrësi i mbetjeve të rrezikshme janë persona, fizikë ose juridikë, të pajisur me lejen e mjedisit sipas fushës III.1, të shtojcës së ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, dhe me licencën III.2.B, të fushës III, të vendimit nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga/apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”.
6. Kur transporti i mbetjeve të rrezikshme kryhet nga transportues të licencuar për të tretë ose me qira, ai është i mbështetur mbi kontratën e transportit midis palëve, në të cilën përcaktohet detyrimisht personi përgjegjës për garantimin e mbërritjes në destinacion të mbetjeve të rrezikshme brenda afateve të përcaktuara në pikën 11, të këtij vendimi. Kur transporti i mbetjeve të rrezikshme kryhet me mjetet e vetë dorëzuesit apo të marrësit, kontrata mbi transportin nuk është e nevojshme.
7. Përpara largimit të mbetjes/mbetjeve të rrezikshme nga vendi ku gjenerohet/gjenerohen, dorëzuesi i saj/tyre plotëson dokumentin e dorëzimit në aq kopje sa janë personat që e nënshkruajnë atë.
8. Dokumenti i dorëzimit plotësohet dhe nënshkruhet nga dorëzuesi, transportuesi dhe marrësi i mbetjeve të rrezikshme.
9. Dorëzuesi, për çdo transfertë, u dërgon nga një kopje të dokumenteve të dorëzimit, të plotësuar dhe të nënshkruar nga palët, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave.
10. Dorëzuesi plotëson të dhënat që kërkohen në pjesët “A”, “B” dhe “D”, të dokumentit të dorëzimit; transportuesi plotëson të dhënat që kërkohen në pjesën “C”, të këtij dokumenti, dhe marrësi plotëson ato që kërkohen në pjesën “E”, të dokumentit të dorëzimit.
11. Transportuesi dorëzon mbetjet e rrezikshme tek marrësi brenda 72 orëve nga data e nisjes, sipas përcaktimit në pjesën “C/13”, të dokumentit të dorëzimit.
12. Në rast se transportuesi është në pamundësi të respektimit të këtij afati, për shkaqe teknike të automjetit ose për shkaqe shëndetësore të drejtuesit të mjetit, ai njofton menjëherë dërguesin dhe marrësin e mbetjeve të rrezikshme në numrat e telefonit apo me mënyrat e komunikimit të parashikuara sipas shtojcës 1, bashkëlidhur, dhe merr masat për sigurimin e një transporti alternativ, në përmbushje të afatit kohor të përcaktuar në pikën 11, të këtij vendimi.
13. Marrësi në dorëzim, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së mbetjeve të rrezikshme, i dërgon dorëzuesit konfirmimin me shkrim për marrjen e mbetjeve dhe dokumentin e dorëzimit në dy kopje, të plotësuar dhe të nënshkruar nga personat e përcaktuar në pikën 8, të këtij vendimi.
14. Komunikimi ndërmjet personave që angazhohen në procesin e dorëzimit të mbetjeve të rrezikshme bëhet në formë shkresore ose në formë elektronike. Dokumenti i dorëzimit është i vlefshëm në formë elektronike vetëm nëse është plotësuar dhe nënshkruar nga personat e përcaktuar në pikën 8, të këtij vendimi.
15. Marrësi, në rastin kur refuzon të marrë në dorëzim, plotësisht apo pjesërisht, ngarkesën me mbetje të rrezikshme, informon me shkrim dërguesin për arsyet e refuzimit dhe plotëson pjesën “E/3”, të dokumentit të dorëzimit, duke specifikuar llojin e mbetjes së rrezikshme, kodin sipas Katalogut të Mbetjeve, sasinë dhe formën fizike të mbetjes/mbetjeve të rrezikshme që refuzohet, sipas specifikimeve të dhëna në pjesët “B/3” dhe “B/4”, të dokumentit të dorëzimit.
16. Transportuesi, në rastet kur marrësi refuzon plotësisht apo pjesërisht marrjen në dorëzim të ngarkesës, i kthen mbetjet e rrezikshme tek dorëzuesi brenda 72 orëve nga dita e refuzimit.
17. Dokumenti i dorëzimit të mbetjeve të rrezikshme shoqëron çdo dorëzim të këtyre mbetjeve deri në destinacionin përfundimtar dhe të dhënat regjistrohen në Regjistrin e Transfertave Individuale, që krijohet për këtë qëllim.
18. Agjencia Kombëtare e Mjedisit krijon Regjistrin Kombëtar të Transfertave të Mbetjeve të Rrezikshme.
19. Mënyra e administrimit dhe formati i Regjistrit të Transfertave Individuale dhe ai i Regjistrit Kombëtar të Transfertave miratohen me urdhër të ministrit.
20. Dokumenti i dorëzimit përmban kodin unik, i cili përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë e kodit unik miratohet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, pas paraqitjes së kërkesës me shkrim nga dorëzuesi. Kërkesa shoqërohet me kopje të ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.
21. Agjencia Kombëtare e Mjedisit miraton pjesën e parë të kodit unik brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e paraqitjes së kërkesës.
22. Pjesa e parë e kodit unik është individuale dhe e papërsëritshme për çdo subjekt që transferon mbetje të rrezikshme. Pjesa e dytë e kodit unik vendoset nga vetë dorëzuesi dhe ndryshon për çdo transfertë.
23. Përcaktimi i kodit unik bëhet sipas metodologjisë në shtojcën 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
24. Agjencia Kombëtare e Mjedisit krijon një bazë të dhënash për kodet unike, si pjesë të Regjistrit Kombëtar të Transfertave të Mbetjeve të Rrezikshme.
25. Mospërmbushja e detyrimeve të përcaktuara në këtë vendim përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet sipas përcaktimeve të nenit 62, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar.
26. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.8, DATË 5.1.2002, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E KOMITETIT SHTETËROR TË LUFTËS KUNDËR TRAFIKUT TË QENIEVE NJERËZORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 121 e 124, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar , me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shfuqizimin e vendimit nr.8, datë 5.1.2002, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Komitetit Shtetëror të Luftës Kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore”, të ndryshuar.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, KULTURA BUJQËSORE DHE DRU FRUTORË, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “UNAZA LINDORE SHKODËR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5/1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, date 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private, për interes publik”, si dhe në mbështetje të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, kultura bujqësore dhe drurë frutorë, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Unaza lindore Shkodër”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për kultura bujqësore, dru frutorë, me vlerë 1 303 800 (një milion e treqind e tre mijë e tetëqind) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 925 000 (nëntëqind e njëzet e pesë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 1 303 800 (një milion e treqind e tre mijë e tetëqind) lekë, të përballohet nga buxheti i vitit 2014, zëri “Detyrimet e prapambetura (detyrimet e infrastrukturës)”.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 5, të këtij vendimi.
7. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZRPP-ja”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Pronarët e përmendur në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Proces regjistrimi”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
9. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimin e pronarëve, për efekt shpronësimi, sipas përcaktimeve në pikat 5, 6, 7 dhe 8, të këtij vendimi dhe në bazë të dokumentacionit të pronësisë.
10. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MËNYRËS SË PËRDORIMIT TË FONDEVE KUNDËRPARTI, TË MBLEDHURA NGA GRANTET JAPONEZE PËR SEKTORIN E BUJQËSISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Fondet kundërparti të dhëna nga qeveria japoneze dhe të mbledhura nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), si agjenci e pagesave, në shumën 130 517 500 (njëqind e tridhjetë milionë e pesëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e pesëqind) lekë, të trajtohen si të ardhura jashtë limiti dhe të përdoren nëpërmjet llogarisë së thesarit brenda vitit 2014.
2. Këto fonde të përdoren nga AZHBR-ja në formën e huasë pa interes, me qëllim nxitjen, rritjen e prodhimit bujqësor e blegtoral dhe përpunimin e këtyre produkteve.
3. AZHBR-ja mund të realizojë disa herë, brenda vitit 2014, procedurën e pranimit dhe të vlerësimit të aplikimeve, deri në përdorimin e plotë të fondeve.
4. Vlerat monetare që do të përdoren për mbështetjen e zhvillimit bujqësor dhe blegtoral të jenë në përpjesëtim me masën e investimit të vetë përfituesit.
5. Fondet kundërparti për vitin 2014 të përdoren për:
a) ndërtim/rikonstruksion të stallave, pularive apo modernizim të komplekseve blegtorale dhe instalim të impianteve të tyre ndihmëse;
b) ndërtim/rikonstruksion (përfshirë edhe serra), blerje dhe instalim të linjave për ruajtje, përpunim dhe ambalazhim të produkteve bujqësore, blegtorale.
6. Masa e financimit për këto investime të jetë në varësi të llojit dhe të vlerës së vetë investimit, përkatësisht:
a) Për ndërtim/rikonstruksion të stallave, pularive apo modernizim të komplekseve blegtorale dhe instalim të impianteve të tyre ndihmëse, deri në 70% të vlerës së përllogaritur të investimit, por jo më shumë se 25 000 000 (njëzet e pesë milionë) lekë;
b) Për ndërtim/rikonstruksion (përfshirë edhe serrat), blerje dhe instalim të linjave për ruajtje, përpunim dhe ambalazhim të produkteve bujqësore e blegtorale, deri në 80% të vlerës së përllogaritur të investimit, por jo më shumë se 25 000 000 (njëzet e pesë milionë) lekë.
7. Vlerat monetare të lëvruara për të mbështetur zhvillimin e investimeve të sipërpërmendura në formën e huasë pa interes, të jenë me maturim 7 (shtatë) vjeçar.
8. Procedurat, kriteret e përfitimit të huasë, shlyerjes së detyrimeve dhe mënyra e administrimit të fondit të përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe të ministrit të Financave.
9. Kriteret e vlerësimit dhe pikëzimit përcaktohen në udhëzimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
10. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.904, DATË 12.12.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE DHE DOKUMENTACIONIT TË PËRFITIMIT TË NDIHMËS EKONOMIKE NË ZONAT PILOT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, pikat 1 e 6, 20, pikat 3 e 4, dhe 42 e 42/1, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.904, datë 12.12.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Pas shkronjës “b”, të pikës 5, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) Të drejtën për ta tërhequr dhe marrë në dorëzim ndihmën ekonomike e ka bashkëshortja.”.
b) Në pikën 9, fjalët “…brenda 10 (dhjetë) ditëve të para të çdo muaji, …” zëvendësohen me “ … brenda 20 (njëzet) ditëve të para, në dymujorin e parë, dhe brenda 10 (dhjetë) ditëve të çdo muaji në vazhdim.”.
c) Shtojcat 1, pjesët 1 dhe 1b, 2 dhe 3, zëvendësohen me shtojcat sipas formatit bashkëlidhur këtij vendimi që janë pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.787, DATË 14.12.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE DHE TË MASËS SË NDIHMËS EKONOMIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, 19, pika 3, 20, pika 2, 29, pika 10, dhe 35, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.787, datë 14.12.2005, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 2, fjalët “… duke deklaruar dhe personin madhor, që do të administrojë paratë …” shfuqizohen.
2. Pas shkronjës “dh”, të pikës 2, shtohen shkronjat “e” dhe “ë”, me këtë përmbajtje:
“e) Vërtetimin për ndjekjen e shkollës lëshuar nga shkolla, i cili është i detyrueshëm për t’u dorëzuar dy herë brenda një viti shkollor;
ë) Fotokopje të librezës së vaksinimit që provon vaksinimin sipas kalendarit të detyrueshëm për grup – moshat e fëmijëve.”.
3. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për kushte të veçanta social-ekonomike dhe shëndetësore të familjes, administratorët shoqërorë duhet të kërkojnë dokumente shtesë, si: raportin mjekësor, vërtetimin e gjykatës, i cili të dëshmojë që bashkëshortët janë në proces zgjidhjeje martese.”.
4. Pika 18 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“18. Masa e ndihmës ekonomike të plotë mujore nga fondet e buxhetit të shtetit përcaktohet në bazë të strukturës së familjes, si më poshtë vijon:
a) Për bashkëshortët shuma 3 200 (tre mijë e dyqind) lekë në muaj;
b) Për anëtarët e familjes mbi moshë pune dhe për bashkëshortët e vetëm, shuma 2 600 (dy mijë e gjashtëqind) lekë në muaj;
c) Për çdo anëtar tjetër të familjes, në moshë pune, shuma 600 (gjashtëqind) lekë në muaj;
ç) Për çdo anëtar tjetër të familjes, nën moshë pune (deri 18 vjeç), shuma 700 (shtatëqind) lekë në muaj. Për ata anëtarë të familjes, fëmijë, të cilët vërtetojnë që ndjekin arsimin e detyeshëm 9-vjeçar, deri në moshën 16 vjeç, marrin një shtesë në masën prej 300 (treqind) lekësh gjatë vitit shkollor. Për ata anëtarë të familjes, fëmijë, të cilët vërtetojnë që janë vaksinuar sipas kalendarit të vaksinimit marrin një shtesë në masën prej 100 (njëqind) lekësh, për çdo vaksinë të kryer.”.
5. Pas pikës 23/1 shtohet pika 23/2, me këtë përmbajtje:
“23/2. Të drejtën për ta tërhequr dhe marrë në dorëzim ndihmën ekonomike e ka bashkëshortja.”.
6. Modulet 1 dhe 2 zëvendësohen me modulet sipas formateve që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË SHËRBIMIT KOMBËTAR PËR RININË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. SHËRBIMI KOMBËTAR PËR RININË
1. Krijimin e Shërbimit Kombëtar për Rininë (në vijim “SHKR”), si person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për politikat dhe çështjet rinore.
2. SHKR-ja ka për mision të garantojë mbështetjen dhe përfshirjen e rinisë në të gjitha fushat e veprimtarisë sociale e publike.
3. Funksionet e SHKR-së janë:
a) zbatimi i politikave dhe programeve të hartuara e të miratuara nga ministria përgjegjëse për politikat dhe çështjet rinore;
b) monitorimi dhe bashkërendimi i veprimtarisë së qendrave rajonale rinore.
II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I SHKR-së
1. SHKR-ja organizohet dhe funksionon në nivel qendror nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të SHKR-së.
2. Qendrat rajonale rinore krijohen si njësi të drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve për të rinjtë, në varësi të SHKR-së.
3. Drejtoria e Përgjithshme e SHKR-së ka këto përgjegjësi:
a) zbaton politikat dhe programet për rininë, të hartuara nga ministria përgjegjëse për politikat dhe çështjet rinore;
b) bashkëpunon me institucionet përgjegjëse për hartimin, bashkërendimin dhe zbatimin e projekteve dhe aktiviteteve për rininë;
c) nxit bashkëpunimin me organizma, institucione, donatorë dhe aktorë të tjerë, ndërkombëtarë apo vendas, për realizimin e veprimtarive që synojnë realizimin e politikave dhe programeve për rininë;
ç) bashkërendon dhe monitoron punën për administrimin e qendrave rajonale rinore;
d) miraton planet e propozuara të aktiviteteve dhe veprimtarive të qendrave rajonale rinore, mbështetur në strategjitë dhe programet e miratuara për rininë;
dh) monitoron respektimin e kritereve ligjore për kryerjen e veprimtarive rinore, të cilat zhvillohen në qendrat rajonale rinore;
e) kontribuon në informimin, konsultimin dhe aksesin e publikut gjatë hartimit dhe zbatimit të politikave e strategjive në fushën e rinisë;
ë) menaxhon burimet njerëzore, çështjet ligjore, teknologjinë e informacionit, mirëmbajtjen dhe shërbimet e tjera mbështetëse, përfshirë qendrat rajonale rinore;
f) zbaton dhe administron buxhetin, mban kontabilitetin dhe kryen auditin e brendshëm, përfshirë qendrat rajonale rinore.
4. SHKR-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili është titullari i institucionit dhe ushtron këto detyra:
a) përfaqëson SHKR-në në marrëdhënie me të tretët dhe është përgjegjës për organizimin, koordinimin, funksionimin dhe performancën e veprimtarisë së SHKR-së;
b) zbaton dhe administron buxhetin e miratuar të SHKR-së, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përgatit projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, të cilin ia përcjell ministrit përgjegjës;
c) bashkërendon veprimtarinë e SHKR-së me organet qendrore dhe organet e tjera shtetërore që veprojnë e ndërmarrin nisma në fushën e çështjeve rinore;
ç) siguron kontakte me organe homologe dhe organizata të ndryshme, vendase e të huaja, për zgjidhjen efektive të problemeve në fushën e politikave dhe çështjeve rinore, si dhe veprimtari të tjera për plotësimin e detyrave të përcaktuara nga ministria përgjegjëse dhe legjislacioni në fuqi;
d) siguron zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të akteve ligjore e nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e SHKR-së.
5. Procedura e emërimit, lirimit dhe shkarkimit nga detyra e drejtorit të
Përgjithshëm të SHKR-së bëhet sipas parashikimeve të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”.
6. Rregullorja e brendshme organizative e Shërbimit Kombëtar për Rininë miratohet nga ministri përgjegjës për politikat dhe çështjet e rinisë, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm.
7. Drejtori i Përgjithshëm i SHKR-së i raporton drejtpërdrejt ministrit përgjegjës, përveçse kur ministri ka përcaktuar shprehimisht, me urdhër, një njësi tjetër raportimi në aparatin e ministrisë përgjegjëse për politikat dhe çështjet rinore.
8. Qendrat rajonale rinore ushtrojnë veprimtarinë e tyre në rajonin përkatës dhe janë përgjegjëse për:
a) zhvillimin e veprimtarive rinore, kulturore, artistike, letrare e sportive, në zbatim të politikave dhe programeve të miratuara nga ministria përgjegjëse për politikat dhe çështjet rinore;
b) organizimin e takimeve, konferencave, fushatave sensibilizuese e kurseve trajnuese për përfshirjen e rinisë në jetën sociale, punësim e vendimmarrje.
9. Qendrat rajonale rinore drejtohen nga drejtuesi i qendrës, i cili e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët dhe është përgjegjës për organizimin dhe koordinimin e funksionimit, si dhe për cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarive.
10. Drejtuesi i Qendrës Rajonale Rinore është përgjegjës për:
a) drejtimin dhe administrimin e Qendrës Rajonale Rinore;
b) zbatimin e programeve të miratuara nga Drejtoria e Përgjithshme e SHKR-së.
11. Drejtuesi i Qendrës Rajonale Rinore i raporton dhe i jep llogari drejtpërdrejt drejtorit të Përgjithshëm të SHKR-së, përveçse kur ky i fundit ka përcaktuar shprehimisht, me urdhër, një njësi tjetër raportimi pranë SHKR-së.
III. STEMA DHE VULA ZYRTARE E SHKR-SË
1. SHKR-ja identifikohet me stemën dhe vulën zyrtare.
2. Stema e SHKR-së përbëhet nga stema e Republikës dhe shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Shërbimi Kombëtar për Rininë”.
3. Vula e SHKR-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 2, të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula e SHKR-së në nivel qendror përmban dhe shënimin identifikues “Shërbimi Kombëtar për Rininë”, ndërsa vulat e qendrave rajonale rinore përmbajnë dhe shënimin identifikues “Shërbimi Kombëtar për Rininë – Qendra Rajonale Rinore (emri përkatës i qendrës rajonale)”.
4. Vula e SHKR-së dhe vulat e qendrave rajonale rinore prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me vendimin nr.390 datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit administrimit, kontrollit dhe ruajtjen e vulave zyrtare”, dhe në përputhje me vendimin nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Ngarkohet ministri përgjegjës për politikat dhe çështjet rinore që, brenda 1 (një) muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të marrë masat për përgatitjen e strukturës e të organikës së SHKR-së dhe të qendrave rajonale rinore, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i shtetit, miratuar për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SLLOVENISË, PËR AKTIVITETIN FITIMPRURËS TË PERSONAVE TË VARUR TË ANËTARËVE TË MISIONEVE DIPLOMATIKE DHE ZYRAVE KONSULLORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 6, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë, për aktivitetin fitimprurës të personave të varur të anëtarëve të familjes së misioneve diplomatike dhe zyrave konsullore, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.1, DATË 10.1.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PROKURIMIN PUBLIK”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 75, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit së Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në “Rregullat e prokurimit publik”, që i bashkëlidhen vendimit nr.1, datë 10.1.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, në pikën 3, të kreut III, “Dokumentet e tenderit”, të bëhen këto shtesa:
1. Në nënndarjen “i”, “Për kapacitetet financiare dhe ekonomike”, të shkronjës “a”, “Kontratat e punëve”, pas fjalëve “… një deklaratë për gjendjen financiare nga një ose më shumë banka …” shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Një vërtetim që konfirmon shlyerjen e të gjitha detyrimeve të maturuara të energjisë elektrike të kontratave të energjisë që ka operatori ekonomik që është i regjistruar në Shqipëri. Mosshlyerja e detyrimeve të energjisë elektrike përbën shkak për skualifikimin e operatorit ekonomik, përveç rastit kur rezulton se detyrimet e papaguara të energjisë elektrike, të konfirmuara në vërtetimin e lëshuar nga furnizuesi, janë në proces ankimi në gjykatë. Furnizuesi i energjisë elektrike është i detyruar që ta lëshojë këtë vërtetim jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e depozitimit të kërkesës nga operatori ekonomik.”.
2. Në nënndarjen “i”, “Për kapacitetet financiare dhe ekonomike”, të shkronjës “b”, “Kontratat e mallrave”, pas fjalëve “… një deklaratë për gjendjen financiare nga një ose më shumë banka…” shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Një vërtetim që konfirmon shlyerjen e të gjitha detyrimeve të maturuara të energjisë elektrike të kontratave të energjisë që ka operatori ekonomik që është i regjistruar në Shqipëri. Mosshlyerja e detyrimeve të energjisë elektrike përbën shkak për skualifikimin e operatorit ekonomik, përveç rastit kur rezulton se detyrimet e papaguara të energjisë elektrike, të konfirmuara në vërtetimin e lëshuar nga furnizuesi, janë në proces ankimi në gjykatë. Furnizuesi i energjisë elektrike është i detyruar që ta lëshojë këtë vërtetim jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e depozitimit të kërkesës nga operatori ekonomik.”.
3. Në nëndarjen “i”, “Për kapacitetet financiare dhe ekonomike”, të shkronjës “c”, “Kontratat e shërbimeve”, pas fjalëve “… një deklaratë për gjëndjen financiare nga një ose më shumë banka …” shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Një vërtetim që konfirmon shlyerjen e të gjitha detyrimeve të maturuara të energjisë elektrike të kontratave të energjisë që ka operatori ekonomik që është i regjistruar në Shqipëri. Mosshlyerja e detyrimeve të energjisë elektrike përbën shkak për skualifikimin e operatorit ekonomik, përveç rastit kur rezulton se detyrimet e papaguara të energjisë elektrike, të konfirmuara në vërtetimin e lëshuar nga furnizuesi, janë në proces ankimi në gjykatë. Furnizuesi i energjisë elektrike është i detyruar që ta lëshojë këtë vërtetim jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e depozitimit të kërkesës nga operatori ekonomik.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.942, DATË 17.11.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PROCEDURAVE DHE TË DOKUMENTACIONIT PËR MARRJEN E LEJEVE MINERARE NË ZONAT E HAPURA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 29 e 30, pikat 1 e 11, të ligjit nr.10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 10, të vendimit nr.942, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa:
1. Pas shkronjës “ç”, të shkronjës “A.1”, shtohet shkronja “ç/1”, me këtë përmbajtje:
“ ç/1. Në çdo rast, kërkuesi është i detyruar që, përveç një ose disa vërtetimeve që provojnë kapacitetin financiar, të përcaktuara në shkronjën “ç”, të paraqesë detyrimisht edhe një vërtetim që konfirmon shlyerjen e të gjitha detyrimeve të energjisë elektrike për kontratën/at e energjisë që ka kërkuesi, i regjistruar në Shqipëri. Mosplotësimi i këtij kushti përbën shkak për refuzimin e aplikimit, përveç rasteve kur rezulton se detyrimet e papaguara të energjisë elektrike, të konfirmuara në vërtetimin e lëshuar nga furnizuesi, janë në proces ankimi në gjykatë. Furnizuesi i energjisë elektrike është i detyruar që ta lëshojë këtë vërtetim jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e depozitimit të kërkesës nga operatori ekonomik.”.
2. Pas shkronjës “ç”, të shkronjës “B.1”, shtohet shkronja “ç/1”, me këtë përmbajtje:
“ç/1. Në çdo rast, kërkuesi është i detyruar që, përveç një ose disa vërtetimeve që provojnë kapacitetin financiar, të përcaktuara në shkronjën “ç”, të paraqesë detyrimisht edhe një vërtetim që konfirmon shlyerjen e të gjitha detyrimeve të energjisë elektrike për kontratën/at e energjisë që ka kërkuesi, i regjistruar në Shqipëri. Mosplotësimi i këtij kushti përbën shkak për refuzimin e aplikimit, përveç rasteve kur rezulton se detyrimet e papaguara të energjisë elektrike, të konfirmuara në vërtetimin e lëshuar nga furnizuesi, janë në proces ankimi në gjykatë. Furnizuesi i energjisë elektrike është i detyruar që ta lëshojë këtë vërtetim jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e depozitimit të kërkesës nga operatori ekonomik.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.