Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave 16 dhjetor 2015
V E N D I M
PËR
LEJIMIN E LËVIZJES JASHTË TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË 122 VEPRAVE ARTISTIKE, PJESË E FONDIT TË GALERISË KOMBËTARE TË ARTEVE, PËR REALIZIMIN E EKSPOZITËS “REALIZMI SOCIALIST SHQIPTAR NË GKK”, QË DO TË ZHVILLOHET PËRGJATË MUAJVE DHJETOR 2015-JANAR 2016, NË GALERINË KOMBËTARE TË KOSOVËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 19, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lejimin e lëvizjes jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të 122 (njëqind e njëzet e dy) veprave artistike, objekte të rralla me vlera unikale, pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve, për realizimin e ekspozitës “Realizmi Socialist Shqiptar në GKK”, që do të zhvillohet përgjatë muajve dhjetor 2015-janar 2016 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Lejimi i lëvizjes së veprave bëhet për periudhën 15 dhjetor 2015 deri më 1 shkurt 2016.
3. Ekspozimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të bëhet në përputhje me udhëzimin nr.2, datë 18.3.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për lëvizjen e objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme, me vlera të veçanta kombëtare dhe unikale, për restaurimin, studimin dhe ekspozimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
4. Ngarkohen Galeria Kombëtare e Arteve të kryejë shoqërimin dhe kthimin e veprave në vendin e origjinës, pas mbarimit të veprimtarisë, dhe Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore të kryejë regjistrimin e lëvizjes së objekteve.
5. Ngarkohet ministri i Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NËNSEKTORËT STRATEGJIKË DHE ZONAT ME PËRPARËSI ZHVILLIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2 e 7, të nenit 8, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I
I. NËNSEKTORËT STRATEGJIKË
1. Në zbatim të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, sektorë strategjikë janë sektorët ekonomikë, të cilët konsiderohen, nga shteti shqiptar, me potencial të lartë për zhvillimin e ekonomisë së vendit.
2. Sektorë strategjikë të investimeve konsiderohen:
a) Sektori energjetik dhe minerar;
b) Sektori “Transport, infrastrukturë e komunikimeve elektronike dhe mbetjet urbane”;
c) Sektori “Turizëm (strukturat turistike)”;
ç)  Sektori “Bujqësi  (Ferma e madhe bujqësore) dhe peshkim”;
d) Sektori “Zonë e  teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”;
dh)  Zonat me përparësi zhvillimi.
3. Brenda sektorëve strategjikë, të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, përcaktohen dhe identifikohen nënsektorët specifikë, si më poshtë vijon:
a) Sektori strategjik energjetik dhe minerar, në të cilin:
i. nënsektori energjetik përfshin investimet strategjike në fushat e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike;
ii. nënsektori i hidrokarbureve përfshin investimet strategjike në fushat e kërkimit, zhvillimit, nxjerrjes, prodhimit, ndarjes, përpunimit, grumbullimit, transportimit e shpërndarjes së naftës bruto e nënprodukteve hidrokarbure, veprimtaritë në fushën e transmetimit, shpërndarjes, tregtimit, depozitimit, furnizimit, si dhe të atyre për ndërtimin e operimin e infrastrukturës së gazit natyror;
iii. nënsektori minerar përfshin investimet strategjike në fushat e kërkimit, zbulimit dhe shfrytëzimit të mjedisit minerar.
b) Sektori strategjik transport, infrastrukturë e komunikimeve elektronike dhe mbetjet urbane, në të cilin:
i. nënsektori i transportit detar përfshin investimet strategjike në lidhje me ndërtimin, mirëmbajtjen, administrimin e porteve detare, zonave portuale dhe marinave, si dhe ofrimin e shërbimeve të transportit detar të mallrave dhe pasagjerëve;
ii. nënsektori i transportit ajror përfshin investimet strategjike në lidhje me ndërtimin, mirëmbajtjen, administrimin e aeroporteve, si dhe ofrimin e shërbimeve të transportit ajror të mallrave dhe pasagjerëve;
iii. nënsektori i transportit hekurudhor përfshin investimet strategjike në lidhje me ndërtimin, mirëmbajtjen, administrimin e infrastrukturës hekurudhore, si dhe ofrimin e shërbimeve të transportit hekurudhor të mallrave dhe pasagjerëve;
iv. nënsektori i transportit rrugor përfshin investimet strategjike në lidhje me ndërtimin, mirëmbajtjen, administrimin e rrugëve rajonale dhe kombëtare, si dhe ofrimin e shërbimeve të transportit rrugor të mallrave dhe pasagjerëve;
v. nënsektori i rrjeteve të transportit përfshin investimet strategjike në lidhje me ndërtimin, mirëmbajtjen, administrimin e rrjeteve alternative të transportit, të tilla si tram, metro apo transporte alternative të ngjashme, si dhe ofrimin e shërbimeve të transportit të pasagjerëve në to;
vi. nënsektori i komunikimeve elektronike, përfshin investimet strategjike në lidhje me ndërtimin, mirëmbajtjen, administrimin e infrastrukturës së komunikimeve elektronike, si dhe ofrimin e shërbimeve të aksesit të këtyre rrjeteve për përdoruesit;
vii. nënsektori i mbetjeve urbane përfshin investimet strategjike në veprimtaritë në lidhje me menaxhimin e integruar të mbetjeve, përfshirë grumbullimin, transportin, rikuperimin, asgjësimin e mbetjeve, ndërtimin, rikualifikimin, administrimin dhe kujdesin për mbylljen e landfilleve;
viii. nënsektori i ujësjellës-kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura përfshin investimet strategjike në lidhje me ndërtimin, rehabilitimin dhe/ose mirëmbajtjen e sistemit të furnizimit me ujë, sistemit të kanalizimeve si dhe të impianteve të ujërave të ndotura.
c) Sektori strategjik i turizmit, në të cilin nënsektori i strukturave turistike përfshin investimet strategjike në lidhje me ndërtimin, mirëmbajtjen dhe administrimin e strukturave turistike akomoduese, të konsideruara si sipërmarrje turistike, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit për turizmin.
ç) Sektori strategjik i bujqësisë dhe peshkimit, në të cilin:
i. nënsektori i prodhimit bujqësor përfshin investimet strategjike që kanë si model fermat e mëdha bujqësore;
ii. nënsektori i infrastrukturës së blegtorisë përfshin investimet strategjike që krijojnë dhe administrojnë infrastrukturën e nevojshme për blegtorinë dhe ofrojnë shërbimet e lidhura me shpërndarjen e produkteve blegtorale;
iii. nënsektori i infrastrukturës së peshkimit përfshin investimet strategjike që kanë si objekt ndërtimin dhe administrimin e infrastrukturave të peshkimit dhe akuakulturës si edhe ofrimin e shërbimeve për shpërndarjen e produkteve të peshkimit.
d) Sektori strategjik i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, në të cilin nënsektori i parqeve industriale/teknologjike përfshin investimet strategjike në lidhje me ndërtimin, mirëmbajtjen dhe administrimin e parqeve industriale/teknologjike e të inovacionit, si dhe pajisjen me infrastrukturën e nevojshme për prodhim, zhvillim industrial, tregtimin dhe ofrimin e shërbimeve të lidhura me veprimtaritë që ushtrohen brenda tyre.
II. ZONAT ME PËRPARËSI ZHVILLIMI
1. Në zbatim të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, zona me përparësi zhvillimi janë zonat rajonale dhe/ose lokale të qeverisjes vendore, që konsiderohen si zona të një rëndësie të veçantë, të cilat kanë nevojë për mbështetje të posaçme, me qëllim zhvillimin ekonomik, nxitjen e punësimit, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe shfrytëzimin me efiçencë të burimeve e infrastrukturave publike.
2. Zhvillimi i zonave me përparësi zhvillimi fokusohet, kryesisht, në:
a) orientimin e investimeve në zona të caktuara territoriale, me qëllim nxitjen e përqendrimit të llojeve të njëjta apo të ngjashme të industrive apo veprimtarive tregtare, në mënyrë që të përfitohet nga specializimi i punëkërkuesve, ekonomitë e shkallës dhe ndarja e kostove infrastrukturore. Për këtë qëllim do të përdoren mekanizma nxitës, të cilët synojnë rritjen e  efiçencës së infrastrukturave ekzistuese apo në zhvillim, si edhe do të ndërmerren masa për mbrojtjen e mjedisit nga ndikimet industriale;
b) orientimin e investimeve në zona të caktuara territoriale, në të cilat ka nivele të larta papunësie dhe ku zhvillimi ekonomik është në nivele të pakënaqshme, krahasuar me rajone të tjera të vendit. Për këtë qëllim do të përdoren mekanizma nxitës, të cilët synojnë zhvillimin ekonomik, rritjen e mirëqenies së popullatës, rritjen e punësimit dhe formimin profesional si dhe përmirësimin e infrastrukturave.
3. Kriteret ndihmëse për identifikimin e zonave me përparësi zhvillimi do të jenë:
a) studimi i vendndodhjes, përqendrimit, numrit dhe rëndësisë ekonomike të veprimtarive industriale dhe tregtare ekzistuese, me qëllim krijimin e sinergjive ekonomike ndërmjet tyre;
b) analiza e gjendjes së infrastrukturave ekzistuese apo në zhvillim;
c) niveli i papunësisë së zonës;
ç) të ardhurat ekonomike për banor si edhe kritere të tjera ndihmëse, sipas nevojave dhe strategjive publike;
d) realizimi i objektivave të mbrojtjes efektive mjedisore;
dh) shfrytëzimi me efektivitet i aftësive e kualifikimeve të veçanta të punëkërkuesve aktivë të zonës;
e) statistikat e zhvillimit ekonomik të zonës përkatëse, sipas studimeve të INSTAT-it apo enteve të tjera publike;
4. Propozimi për shpalljen e zonave me përparësi zhvillimi mund të bëhet nga ministrat e linjës, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe Komiteti i Investimeve Strategjike.
5. Identifikimi, shpallja dhe përcaktimi i mënyrës dhe rregullave të funksionimit të zonave, të cilat do të konsiderohen me përparësi zhvillimi, kryhet rast pas rasti, nga Këshilli i Ministrave, me vendim të posaçëm.
III. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe ministritë përgjegjëse për verifikimin e përputhshmërisë së projekteve të investimeve me nënsektorët strategjikë si dhe për hartimin e propozimeve për shpalljen e zonave me përparësi zhvillimi, në zbatim të këtij vendimi.
  Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROJEKTEVE ME STATUSIN “PROJEKT ME POTENCIAL STRATEGJIK”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ç”, të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. STATUSI I PROJEKTEVE ME POTENCIAL STRATEGJIK
4. Në zbatim të dispozitave të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, “projekt me potencial strategjik” konsiderohet një projekt i mundshëm i investimit me ndikim strategjik për zhvillimin e vendit dhe me interes publik, i cili klasifikohet si i tillë që nga momenti i nismës për të hartuar projektin nga promovuesi i projektit deri në momentin e përfitimit të statusit “Investim/investitor strategjik”.
5. Projektet, të cilat përfitojnë statusin “projekt me potencial strategjik”, mbështeten nëpërmjet zbatimit të procedurave të posaçme administrative favorizuese, lehtësuese apo përshpejtuese, si dhe dhënies së asistencës e ofrimit të shërbimeve ndaj investitorëve.
6. Projektet me statusin “projekt me potencial strategjik” miratohen nga Komiteti i Investimeve Strategjike, pasi të jenë kryer procedurat dhe vlerësimet paraprake nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.
II. PROCEDURAT ADMINISTRATIVE PËR PËRFITIMIN E STATUSIT “PROJEKT ME POTENCIAL STRATEGJIK”
1. Aplikimi për përfitimin e statusit “projekt me potencial strategjik” është hapi fillestar i procedurave administrative për vlerësimin e investimeve strategjike. Ky status propozohet nga momenti i nismës për të hartuar projektin dhe, në rast se miratohet, zgjat deri në momentin kur përfitohet statusi “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar” apo “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
2. Komiteti i Investimeve Strategjike mund të vendosë, rast pas rasti, afate maksimale kohore për kohëzgjatjen e statusit “projekt me potencial strategjik” në favor të propozuesit, si mekanizëm nxitës për mbylljen në kohë të shkurtër të procedurave administrative dhe shmangien e vonesave nga investitori.
3. Projekti me statusin potencial strategjik propozohet nga ministrat e linjës, përgjegjës për projektin ose nga  investitori propozues i projektit.
4. Ministrat e linjës, përgjegjës për një projekt me status potencial strategjik, propozojnë dhënien e statusit për ato projekte të konsideruara me interes publik, të propozuara e të organizuara nga organet shtetërore të qeverisjes qendrore apo vendore, për të cilat legjislacioni në fuqi parashikon kryerjen e procedurave konkurruese, koncesionare, të partneritetit publik, të prokurimeve publike, nëpërmjet garave, konkurseve apo tenderave publikë.
5. Në rastet e parashikuara në pikën 4, të këtij kreu, statusi “projekt me potencial strategjik” dhe asistenca përkatëse u ofrohet në mënyrë transparente dhe pa asnjë diskriminim të gjithë personave juridikë privatë, vendas dhe të huaj, të cilët, në cilësinë e subjekteve investuese të interesuara, marrin pjesë në garën, konkursin apo tenderin e shpallur nga organet shtetërore, paraqesin kërkesën për përfitimin e statusit “projekt me potencial strategjik” dhe  plotësojnë kushtet ligjore, të përcaktuara në këtë vendim.
6. Subjekti investues i interesuar, i cili rezulton fitues në përfundim të procedurave konkurruese, në përputhje me pikën 4, të këtij kreu, mund të aplikojë më tej për përfitimin e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar” apo “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
7. Në rastet kur propozimi për përfitimin e statusit “projekt me potencial strategjik” paraqitet nga ministrat e linjës, përgjegjës për projektin, atëherë kërkesa i përcillet Agjencisë, e cila duhet të shoqërohet me një relacion shpjegues për rëndësinë strategjike të projektit dhe duhet të përmbajë përshkrimin e detajuar të elementeve të mëposhtme:
a) Vlerës së përgjithshme të parashikuar të investimit;
b) Kohës së nevojshme për realizimin e investimit;
c) Produktivitetit dhe vlerës së shtuar që do të sjellë investimi;
ç) Mundësive të punësimit dhe të hapjes së vendeve të reja të punës që parashikohen si pasojë e investimit;
d) Përputhshmërisë së projektit me politikat dhe prioritetet ekonomike sektoriale;
dh) Mundësive të zhvillimit ekonomik rajonal dhe lokal që paraqet investimi;
e) Mundësive të zhvillimit e të përmirësimit të kushteve e standardeve për prodhimin e mallrave dhe ofrimin e shërbimeve që paraqet investimi;
ë) Teknologjive të reja që sjell investimi, të cilat rritin konkurrencën dhe efektivitetin;
f) Rritjes së nivelit të përgjithshëm të sigurisë e të cilësisë së jetës së qytetarëve, si rezultat i realizimit të investimit;
g) Mbrojtjes së mjedisit dhe të konsumatorit, që garanton projekti.
8. Në rastet kur propozimi për përfitimin e statusit “projekt me potencial strategjik” paraqitet nga investitori propozues i projektit, kërkesa duhet të shoqërohet me planin e biznesit të investimit, në të cilin duhet të përfshihet informacioni i mëposhtëm:
a) Identiteti i investitorit dhe i partnerëve të tij;
b) Përshkrimi i detajuar i projektit të investimit;
c) Përshkrimi i detajuar i punëve që do të realizohen dhe i shërbimeve që do të ofrohen sipas projektit investues;
ç) Analiza e detajuar e afateve kohore që do të duhen për të realizuar projektin investues, si dhe fazat e realizimit të tij;
d) Përshkrimi i karakteristikave të investimit që i referohen specifikisht zhvillimit të teknologjive të reja dhe mbrojtjes së mjedisit;
dh) Aanaliza financiare e të gjithë projektit investues, si dhe analiza e shpenzimeve financiare që do të nevojiten për realizimin e çdo faze të projektit;
e) Analiza e detajuar për ndikimin që mund të kenë mbi mjedisin dhe në planet urbanistike punët dhe shërbimet e projektit;
ë) Analiza e detajuar e ndikimit ekonomik dhe social, të pritshëm nga realizimi i projektit investues;
f) Analiza e përfitimeve me interes publik që parashikohet të ketë shteti shqiptar nga realizimi i projektit.
9. Agjencia regjistron çdo kërkesë për marrjen e statusit “projekt me potencial strategjik”, në bazën e të dhënave të Regjistrit të Investimeve Strategjike, si dhe regjistron çdo ndryshim apo hap procedural të mëtejshëm.
10. Agjencia është struktura administrative kompetente për dhënien e shërbimeve në një “dritare unike” për investitorët dhe projektet me potencial strategjik. Për këtë qëllim, Agjencia organizon grupe operacionale specifike, të cilat kanë në përbërje ekspertë të ministrive të linjës, të fushave në të cilat kërkohet të realizohet investimi strategjik, për të asistuar dhe mbështetur profesionalisht në ndjekjen e të gjitha procedurave dhe përgatitjen e të gjitha akteve e dokumenteve ligjore, me qëllim përgatitjen, zbatimin, zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik të veçantë.
11. Grupi operacional i krijuar pranë Agjencisë, në ushtrimin e detyrave të përcaktuara sipas këtij vendimi:
a) përcakton procedurat për përgatitjen dhe zbatimin e çdo projekti potencial strategjik;
b) kryen të gjitha veprimet e nevojshme për të ndihmuar dhe mbështetur realizimin e projekteve;
c) harton listën përkatëse të dokumenteve të projektit;
ç) përgatit masat dhe planin e veprimit për realizimin e projektit;
d) kryen vlerësimin teknik, financiar e strategjik të projektit, të potencialit strategjik dhe të riskut operacional si dhe të planit të veprimit për realizimin e projektit.
12. Nëse Agjencia, në bashkëpunim me institucionet/entet përgjegjëse për investimin strategjik, sipas fushave të përgjegjësisë, konstaton se dokumentacioni është i paplotë, i kërkon me shkrim propozuesit të projektit plotësimin e të gjitha dokumenteve dhe të dhënave të kërkuara. Agjencia ka të drejtë t’i kërkojë propozuesit të projektit informacione shtesë në lidhje me detajet e projektit, si dhe me aftësinë e tij për realizimin e suksesshëm të tij. Propozuesi i projektit duhet të plotësojë dokumentacionin brenda një afati prej 10 ditësh pune nga dita e marrjes së njoftimit.
13. Agjencia kryen të gjitha veprimet përgatitore, si dhe ofron shërbimet e nevojshme ndaj projektit potencial strategjik, përfshirë shërbime analize, vlerësimi, koordinimi informacioni, të konsolidimit të tokës, si dhe shërbime përfaqësimi të investitorit tek institucionet/entet/autoritetet publike në lidhje me përgatitjen, zbatimin dhe realizimin e një projekti investues strategjik.
14. Për kryerjen e vlerësimit të projekteve dhe të investitorëve strategjikë Agjencia ka të drejtë të kërkojë mendime dhe opinione nga Autoriteti i Konkurrencës, njësitë përkatëse të qeverisjes vendore apo agjenci ose institucione të tjera.
15. Agjencia kryen verifikimin e dokumentacionit të projektit, brenda një afati prej 30 ditësh pune nga data e paraqitjes së dosjes së plotë të informacionit nga investitori.
16. Agjencia informon Komitetin e Investimeve Strategjike për të gjitha projektet e paraqitura, procedurat e kryera, analizën e kryer dhe rekomandimet e hartuara prej saj. Pavarësisht nga vlerësimi pozitiv apo negativ i Agjencisë, çdo aplikim i paraqitet për shqyrtim Komitetit të Investimeve Strategjike, i shoqëruar me propozimin pozitiv apo negativ të Agjencisë si dhe miratimin e ministrisë përgjegjëse për ekonominë për përfitimin e statusit “projekt me potencial strategjik”.
17. Komiteti i Investimeve Strategjike, pas shqyrtimit të projektit dhe të analizës përfundimtare të paraqitur nga Agjencia, merr një vendim për pranimin apo refuzimin e kërkesës brenda një afati prej 30 ditësh pune nga data e dorëzimit të propozimit nga Agjencia.
18. Nëse Komiteti i Investimeve Strategjike konstaton se dokumentacioni është i paplotë apo ka nevojë për informacione shtesë, nëpërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, i kërkon propozuesit të projektit, vetëm një herë, me shkrim, brenda 10 ditëve pune nga data e marrjes së dosjes, plotësimin e të gjithë dokumentacionit dhe të dhënave të kërkuara, duke listuar kërkesat në mënyrë specifike. Propozuesi i projektit duhet të plotësojë dokumentacionin brenda 10 ditësh pune nga data e marrjes së njoftimit. Në këto raste, afati  30-ditor i vendimmarrjes zgjatet deri në plotësimin e dokumentacionit dhe shqyrtimin përfundimtar nga ana e Komitetit të Investimeve Strategjike.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Me marrjen e statusit “projekt me potencial strategjik” investitori ka të drejtë të përfitojë asistencën e mëtejshme të Agjencisë për përfitimin e statusit përfundimtar “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar” apo “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
2. Investitori dhe organet kompetente mund të nënshkruajnë që në fazën e shprehjes së interesit paraprak dhe të veprimeve përgatitore, që zhvillojnë projektin potencial strategjik, një marrëveshje mirëkuptimi, në përputhje me përcaktimet e nenit 15, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”. Marrëveshja e mirëkuptimit përmban angazhimet e palëve për realizimin e projektit, duke përfshirë nga njëra anë shërbimet që organet kompetente do të ofrojnë në favor të projektit strategjik, si dhe angazhimet që do të ndërmarrë investitori potencial për përgatitjen dhe zbatimin e projektit investues strategjik.
3. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe ministritë përgjegjëse për projektet e investimeve strategjike për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHËRBIMET E PROMOVIMIT DHE PËRFAQËSIMIT TË INVESTIMEVE STRATEGJIKE 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. SHËRBIMET E PROMOVIMIT TË INVESTIMEVE STRATEGJIKE
1. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve zhvillon dhe blen shërbime të promovimit, nxitjes dhe tërheqjes së investimeve strategjike, duke promovuar klimën e biznesit, procedurat lehtësuese, masat mbështetëse dhe kuadrin ligjor favorizues për investimet strategjike, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Në shërbimet e promovimit përfshihen, por pa u kufizuar, kryerja e veprimtarive të tilla, si marketing, reklama, publicitete, veprimtari dhe materiale informuese, përfshirë publikime në media të shkruara, audio/televizive, si dhe shërbime promovimi në takime, seminare, konferenca, panaire, evente dhe veprimtari kombëtare e ndërkombëtare, ku mund të realizohen më së miri qëllimet e promovimit.
3. Shërbimet e promovimit mund të kryhen nga vetë Agjencia, nëpërmjet stafit të saj, duke përdorur burimet, fondet dhe kapacitetet e saj.
4. Agjencia ka të drejtë të kontraktojë subjekte të specializuara, vendase ose të huaja, për kryerjen e veprimtarive të promovimit të kuadrit ligjor favorizues për investimet strategjike në tregjet ndërkombëtare.
5. Agjencia kontrakton shërbimet e promovimit me palët e treta, sipas kontratave të lidhura në përputhje me parimet dhe rregullat e legjislacionit për prokurimet publike.
II. SHËRBIMET E PËRFAQËSIMIT TË INVESTIMEVE STRATEGJIKE
1. Agjencia, në emër dhe për llogari të shtetit, mund të kontraktojë në tregjet ndërkombëtare shërbime të përfaqësimit për investimet strategjike, nëpërmjet agjentëve ndërkombëtarë të investimeve.
2. Agjentët ndërkombëtarë mund të kontaktohen nga vetë Agjencia ose mund të dorëzojnë aplikimet e tyre pranë Agjencisë, me qëllim njohjen e statusit të agjentit ndërkombëtar që gëzon të drejtën e ofrimit të shërbimeve të përfaqësimit.
3. Agjentët ndërkombëtarë, për kryerjen e shërbimeve të përfaqësimit, identifikohen, vlerësohen dhe përzgjidhen nga Agjencia duke u bazuar në kriteret e mëposhtme:
a) Të provojnë eksperiencën e tyre për kryerjen e shërbimeve të përfaqësimit;
b) Të gëzojnë një reputacion të mirë në tregjet ku operojnë;
c) Të dëshmojnë mungesën e dënimeve penale;
ç) Të kenë një nivel të lartë morali, etike dhe profesionaliteti.
4. Me qëllim verifikimin e plotësimit të këtyre kritereve, Agjencia u kërkon agjentëve ndërkombëtarë paraqitjen e dokumentacionit, i cili, sipas vlerësimit të Agjencisë, dëshmon përmbushjen e kritereve të sipërpërmendura.
5. Në rast se Agjencia merr dijeni për mospërmbushjen apo shkeljen e këtyre kritereve nga agjentët ndërkombëtarë, ajo i revokon menjëherë tagrat dhe titullin e përfaqësimit të dhënë në emër të shtetit shqiptar dhe publikon këtë fakt në mënyrë të përshtatshme duke njoftuar, sipas rastit, edhe investitorët potencialë strategjikë të prekur. Agjentët mbajnë përgjegjësi penale për deklarimet e rreme, fshehjen e të dhënave ose prodhimin e dokumenteve provuese të parregullta.
6. Për përcaktimin e rregullave dhe të mënyrës së kryerjes së shërbimeve të përfaqësimit, Agjencia nënshkruan marrëveshje të posaçme me agjentët ndërkombëtarë të investimeve, në të cilat përcaktohen të drejtat, detyrimet dhe angazhimet e palëve, si dhe afati kohor i mandatit të përfaqësimit.
7. Në marrëveshjet e lidhura për shërbimet e përfaqësimit përcaktohen, midis të tjerash, rregullat e përdorimit të titullit të përfaqësimit, shërbimet e veprimtaritë që do të ndërmerren si dhe rregullat e etikës e të standardeve profesionale që duhet të zbatojnë agjentët ndërkombëtarë gjatë kryerjes së shërbimeve të përfaqësimit të shtetit.
8. Shërbimet e përfaqësimit të kryera nga agjentë ndërkombëtarë nuk do të kenë kosto në ngarkim të shtetit shqiptar, por mund të përballohen nga vetë investitorët strategjikë, sipas marrëveshjeve të lidhura nga vetë agjentët ndërkombëtarë me investitorët strategjikë. Në asnjë rast, Agjencia nuk merr pjesë si palë dhe nuk merr përsipër detyrime kontraktore në marrëveshjet e lidhura midis agjentëve ndërkombëtarë dhe investitorëve strategjikë.
9. Ngarkohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
VLERËSIMIN E DOKUMENTACIONIT TË INVESTIMEVE STRATEGJIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 13, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DOKUMENTACIONI I NEVOJSHËM PËR PËRFSHIRJEN NË PROCEDURAT ADMINISTRATIVE TË INVESTIMEVE STRATEGJIKE
1. Çdo subjekt investues i interesuar, person juridik privat, vendas ose i huaj, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, ka të drejtën për të kërkuar përfshirjen e një projekti investues në procedurat administrative të investimeve strategjike, me qëllim marrjen e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar” apo “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
2. Subjektet e interesuara, të cilat kërkojnë përfshirjen e projekteve të tyre investuese në procedurat administrative të investimeve strategjike, paraqesin, për këtë qëllim, një kërkesë me shkrim pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, së bashku me dokumentacionin përkatës.
3. Agjencia vlerëson, fillimisht, nëse projekti i paraqitur u përket sektorëve e nënsektorëve strategjikë, si dhe vlerat minimale të investimit, të parashikuara nga ligji nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”. Gjithashtu, agjencia verifikon nëse projekti mbivendoset me projekte apo aktivitete të tjera, të miratuara më parë.
4. Dokumentacioni që paraqitet nga subjektet investuese, për realizimin e projektit/investimit strategjik, duhet të përfshijë, detyrimisht,:
a) planin e biznesit;
b) planin dhe burimet e financimit;
c) programin e punës dhe afatet e parashikuara, të detajuara me fazat dhe veprimet përkatëse;
ç) vlerësimin e ndikimit social, ekonomik dhe strategjik të projektit;
d) studimin e fizibilitetit;
dh) përfitimet ekonomike, sociale dhe operacionale, si dhe nivelin e punësimit, që parashikohen të realizohen;
e) listën me të gjitha masat, incentivat dhe shërbimet mbështetëse që subjekti investues kërkon nga shteti shqiptar, për realizimin e projektit investues;
ë) dokumentacionin që provon kapacitetet financiare për realizimin e projektit investues, si mënyrë garancie për zbatimin dhe zhvillimin e tij, sipas kërkesave të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore përkatëse;
f) deklaratën e subjektit investues të interesuar, me anë të së cilës subjekti merr përsipër dhe garanton vërtetësinë e të dhënave dhe dokumenteve të paraqitura në dosje;
g) autorizimin me shkrim, nga ana e investitorit, me të cilin autorizohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për të kryer të gjitha verifikimet e nevojshme të të dhënave të paraqitura në dosje;
gj) pranimin e shprehur të investitorit për publikimin e detajeve të përgjithshme të investimit të propozuar, përveç të dhënave që konsiderohen prej tij si konfidenciale, të cilat nuk mund të bëhen publike apo t’u shfaqen personave të tretë, të përcaktuara,  shprehimisht, nga subjekti i interesuar;
h) mandatpagesën për tarifat e aplikueshme.
5. Subjektet e interesuara paraqesin dokumentacionin përkatës, i cili vërteton se subjekti:
a) nuk është në proces falimentimi dhe/ose likuidimi;
b) nuk është dënuar, me vendim gjykate të formës së prerë, për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale;
c) kapitalet dhe asetet nuk janë objekt i procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm, nga ana e shërbimit përmbarimor;
ç) i ka përmbushur, rregullisht, detyrimet në lidhje me pagesat e taksave dhe tatimeve;
d) i ka përmbushur detyrimet për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore.
6. Dokumentacioni i kërkuar paraqitet në format dhe në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës.
7. Në çdo rast, agjencia ka detyrimin që të këshillojë, informojë dhe të komunikojë, në mënyrë të vazhdueshme, me subjektet investuese të interesuara, në lidhje me formën, modalitetet dhe procedurat specifike të dokumentacionit që duhet të paraqitet për një projekt specifik. Për këtë qëllim, agjencia duhet t’u japë subjekteve të interesuara, në mënyrë të qartë, transparente dhe brenda afateve të arsyeshme, listën e dokumentacionit të kërkuar për projektin përkatës, së bashku me udhëzimet dhe shpjegimet përkatëse, dhe duhet t’u përgjigjet kërkesave të tyre për informacion brenda 5 ditëve pune, nga data e paraqitjes së kërkesës.
II.  VLERËSIMI I DOKUMENTACIONIT 
1. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, pas marrjes së kërkesës dhe të dokumentacionit përkatës, kryen një vlerësim paraprak teknik, financiar e strategjik të potencialit strategjik të projektit, duke u bazuar në interesin publik të projektit.
2. Vlerësimi paraprak i projektit, nga ana e agjencisë, bazohet në:
a) vlerën totale të parashikuar të investimit;
b) kohën e nevojshme të realizimit të investimit të propozuar;
c) produktivitetin dhe vlerën e shtuar, që vlerësohet se do të sjellë investimi;
ç) mundësitë e punësimit dhe hapjen e vendeve të reja të punës, që parashikohen si pasojë e investimit;
d) përputhshmërinë e projektit me politikat dhe prioritetet ekonomike sektoriale;
dh) mundësitë e zhvillimit ekonomik, rajonal dhe lokal, që paraqet investimi;
e) mundësitë e zhvillimit apo përmirësimit të kushteve dhe standardeve për prodhimin e mallrave dhe ofrimin e shërbimeve, që paraqet investimi;
ë) ofrimin e teknologjive të reja që sjell investimi dhe mundësitë për të rritur konkurrencën dhe efektivitetin e tregut;
f) ndikimin që ka projekti për rritjen e nivelit të përgjithshëm të sigurisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve;
g) nivelin e mbrojtjes së mjedisit dhe të konsumatorit, që garanton investimi.
3. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve verifikon dokumentacionin e depozituar nga subjekti i interesuar dhe kryen vlerësimin e projektit me potencial strategjik, brenda 30 ditëve pune nga data e paraqitjes së dosjes së plotë të projektit.
4. Vlerësimi i potencialit të projektit, nga agjencia, kryhet nëpërmjet grupeve operacionale, të posaçme për çdo projekt, të përbërë nga ekspertë të ministrive të linjës, të fushave në të cilat kërkohet të realizohet investimi strategjik.
5. Në rastet kur dokumentacioni i paraqitur rezulton të jetë i paplotë ose i paqartë, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe/ose organet e tjera shtetërore, të përfshira në procedurat administrative të investimeve strategjike, nëpërmjet agjencisë, i kërkojnë subjektit investues, vetëm një herë, me shkrim, brenda 10 ditëve pune, nga data e marrjes së dosjes, plotësimin e të gjithë dokumentacionit dhe të dhënat e kërkuara, duke listuar kërkesat në mënyrë specifike. Subjekti investues duhet të plotësojë dokumentacionin brenda 10 ditëve pune, nga data e marrjes së njoftimit.
6. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, kur arrin në përfundimin se projekti paraqet potencial strategjik dhe, si i tillë, duhet mbështetur, si në fazën e shprehjes së interesit paraprak, ashtu edhe gjatë fazës së vlerësimit paraprak apo të kryerjes së veprimeve përgatitore, dhe pas miratimit nga ministri përgjegjës për ekonominë, mund t’i propozojë Komitetit të Investimeve Strategjike që të autorizojë agjencinë apo ministrin përgjegjës të linjës, sipas projektit specifik, për negocimin, lidhjen dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje mirëkuptimi, në të cilën parashikohen shërbimet, zotimet dhe premtimet e ndërsjella të qeverisë dhe të investitorit për hartimin, përgatitjen dhe zbatimin e projektit investues strategjik. Kjo marrëveshje do të kushtëzohet nga vendimi përfundimtar i Komitetit të Investimeve Strategjike, në lidhje me miratimin apo refuzimin e projektit.
7. Agjencia informon Komitetin e Investimeve Strategjike për të gjitha projektet e paraqitura, procedurat e kryera, analizën dhe rekomandimet e hartuara prej saj. Pavarësisht vlerësimit pozitiv apo negativ të agjencisë, çdo aplikim i paraqitet për shqyrtim Komitetit të Investimeve Strategjike, i shoqëruar me propozimin, pozitiv apo negativ, të agjencisë, për përfitimin e statusit “projekt me potencial strategjik”, brenda 10 ditëve nga plotësimi i afatit të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi.
8. Komiteti i Investimeve Strategjike, pas shqyrtimit të projektit dhe të analizës përfundimtare të paraqitur nga agjencia, merr një vendim, në lidhje me pranimin apo refuzimin e kërkesës, brenda një afati 30-ditor, nga data e dorëzimit të propozimit prej agjencisë.
9. Komiteti i Investimeve Strategjike, nëse konstaton se dokumentacioni është i paplotë apo ka nevojë për informacione shtesë, nëpërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, i kërkon propozuesit të projektit, vetëm një herë, me shkrim, brenda 10 ditëve pune, nga data e marrjes së dosjes, plotësimin e të gjithë dokumentacionit dhe të dhënat e kërkuara, duke listuar kërkesat në mënyrë specifike. Propozuesi i projektit duhet të plotësojë dokumentacionin brenda 10 ditëve pune, nga data e marrjes së njoftimit. Në këto raste, afati  30-ditor i vendimmarrjes zgjatet deri në plotësimin e dokumentacionit dhe shqyrtimin përfundimtar nga ana e Komitetit të Investimeve Strategjike.
10. Vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike, në lidhje me miratimin, refuzimin apo revokimin e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”, i njoftohet, me shkrim, kërkuesit, nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, në rolin e saj të Sekretariatit të Komitetit të Investimeve Strategjike.
III.  DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M 
PËR
TARIFAT E SHËRBIMEVE PËR INVESTIMET STRATEGJIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 16, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shërbimet në favor të projekteve dhe investitorëve strategjikë ofrohen nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, e cila kryen rolin e “dritares unike” dhe është përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve me një ndalesë për projektet dhe investimet strategjike, kundrejt aplikimit të tarifave përkatëse.
2. Tarifat që aplikohen për shërbimet ndaj investitorëve dhe investimeve strategjike janë:
a) tarifa e kostove dhe e shërbimeve administrative;
b) tarifa e menaxhimit të procedurave të investimeve strategjike.
3. Tarifa e kostove dhe e shërbimeve administrative mbulon kostot e shpenzimet për të gjitha shërbimet e kryera nga agjencia, që nga momenti i paraqitjes së aplikimit deri në momentin e marrjes së vendimit, në lidhje me miratimin ose jo të statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”, apo “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”, nga Komiteti i Investimeve Strategjike.
Këto shërbime përfshijnë, por pa u kufizuar,:
a) shkëmbimet e informacionit;
b) komunikimet postare;
c) kopjet e akteve shkresore dhe/ose elektronike, të cilat agjencia ua merr ose transmeton investitorit dhe organeve shtetërore të përfshira në procedurat e investimeve strategjike;
ç) shqyrtimin dhe verifikimin e dokumentacionit të paraqitur nga subjekti investues i interesuar;
d) analizën paraprake të profilit të investitorit, përfshirë studimin e deklaratave financiare, të strukturës menaxheriale, pronësisë, pozicionimit në treg, eksperiencave të mëparshme;
dh) vlerësimin teknik, financiar dhe strategjik të projektit të investimit strategjik, të potencialit të tij strategjik, të riskut operacional dhe të planit të veprimit për realizimin e tij;
e) shërbime analize, vlerësimi, koordinimi informacioni, të konsolidimit të tokës dhe shërbime përfaqësimi të investitorit tek organet shtetërore;
ë)  mbështetjen paraprake të një projekti me potencial strategjik, përfshirë asistencën ndaj subjektit investues për mbledhjen e informacionit me të dhënat e karakterit teknik, ligjor, administrativ etj., të nevojshme për hartimin, përgatitjen dhe zbatimin e investimit;
f) shërbimet në lidhje me negocimin, lidhjen dhe nënshkrimin e marrëveshjeve me investitorin.
4. Tarifa e kostove dhe e shërbimeve administrative ka një vlerë fikse prej 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekësh. Pagesa e kësaj tarife kryhet nga subjektet e interesuar, në momentin e aplikimit për kryerjen e veprimeve dhe procedurave të investimeve strategjike, pranë Agjencisë.
5. Tarifa e menaxhimit të procedurave të investimeve strategjike përfshin të gjitha shërbimet mbështetëse që kryen agjencia pas përfitimit të statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”, apo “Investim/ investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
Këto shërbime përfshijnë, por pa u kufizuar,:
a) kryerjen e veprimeve përgatitore, përgatitjen e dokumenteve dhe aplikimin administrativ me procedurë të përshpejtuar, përfshirë dokumentet e nevojshme që shoqërojnë aplikimin;
b) trajtimin me prioritet të përgatitjes së dokumentacionit, dhënien e mendimeve dhe ndjekjen e procedurave;
c) veprimet për konsolidimin e tokës, të cilat kanë si qëllim ripërshtatjen dhe ristrukturimin e planifikuar të parcelave të tokës dhe të pronësisë së tyre. Këto veprime mund të përfshijnë ndryshimin e formës, pronësisë, të regjimit juridik dhe shfrytëzimit të tokës, ose kombinime të tyre;
ç)  përgatitjen dhe ofrimin e programeve mbështetëse;
d) veprimet në lidhje me realizimin e procedurave për mbështetjen me infrastrukturë ndihmëse;
dh) vënien në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore, për zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike;
e) dërgimin e dosjes së subjektit investues për marrjen e licencave/lejeve/autorizimeve, pranë organeve publike kompetente;
ë) veprimet mbështetëse në lidhje me shpronësimin e pasurive të paluajtshme, pronë private, për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike;
f) veprimet për përgatitjen dhe përcjelljen për miratim, nga ana e Kuvendit, të kontratave përkatëse të investimit strategjik, në përputhje me rastet dhe procedurat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
6. Tarifa e menaxhimit të procedurave të investimeve strategjike ka një kosto fikse prej 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekësh. Pagesa e kësaj tarife kryhet nga subjektet e interesuara dhe dorëzohet së bashku me dokumentacionin e kërkuar për miratimin e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”, apo “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
7. Tarifat e përcaktuara në këtë vendim nuk përfshijnë tarifat dhe shpenzimet e tjera, të cilat aplikohen nga legjislacioni në fuqi për marrjen e lejeve, licencave apo autorizimeve, ose për veprime të tjera, në lidhje me projektin apo investimin strategjik. Kostot përkatëse për përballimin e tyre përballohen nga investitori dhe paguhen së bashku me tarifat e përcaktuara nga ky vendim.
8. Tarifat e përcaktuara në këtë vendim nuk aplikohen për shërbimet e kryera nga agjencia për mbështetjen paraprake të një projekti strategjik, në rastet kur propozuesi është një organ shtetëror.
9. Të ardhurat që realizohen nga arkëtimi i pagesës së këtyre tarifave derdhen, tërësisht, në buxhetin e shtetit.
10. Ngarkohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MARZHEVE, RREGULLAVE DHE DOKUMENTACIONIT TË GARANCIVE FINANCIARE TË INVESTIMEVE STRATEGJIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 8, të  ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
7. Personat juridikë privatë, vendas e të huaj, të cilët, në cilësinë e subjekteve investuese të interesuara për zhvillimin dhe realizimin e një investimi strategjik, kërkojnë përfshirjen e projektit investues në procedurat administrative të investimeve strategjike, me qëllim marrjen e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”, apo “Investim/ investitor strategjik, procedurë e veçantë”, përveç dokumentacionit të kërkuar, në lidhje me projektin, duhet të paraqesin, pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, dokumentacionin që provon kapacitetet financiare për realizimin e projektit investues, si mënyrë garancie për zbatimin dhe zhvillimin e projektit.
8. Dokumentacioni që provon kapacitetet financiare për realizimin e projektit investues duhet të përmbajë të dhëna financiare që dëshmojnë aftësinë e investitorit për realizimin e investimit, në masën jo më pak se 10 % të vlerës totale të tij.
9. Garancitë financiare për marrjen e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar” apo “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë” paraqiten në momentin e aplikimit dhe/ose të nënshkrimit të kontratës, në rastet kur, sipas ligjit të aplikueshëm, nënshkruhet një kontratë e tillë me shtetin.
10. Kufiri minimal i garancive financiare të jetë në masën, jo më pak se, 10 % të vlerës totale të investimit. Komiteti i Investimeve Strategjike, në varësi të karakteristikave, përmasave dhe kompleksitetit të projektit, eksperiencës e kapaciteteve të investitorit, si dhe në varësi të interesit publik, mund të kërkojë nivele më të larta të përqindjes së kapaciteteve financiare të kërkuara, por jo më tepër se 20 %  të vlerës totale të investimit.
11. Vlera e kapaciteteve financiare të kërkuara për realizimin e investimit mund të dëshmohet nëpërmjet:
a) kapaciteteve financiare të vetë investitorit, të provuara dhe siç rezultojnë nga pasqyrat financiare të audituara e të depozituara pranë administratës tatimore, të 3 viteve të fundit, kur kjo është e mundur, ose, nëse është themeluar pas këtij afati, të viteve/it të fundit;
b) financimit dhe kreditimit të përshtatshëm, nga ana e instituteve bankare ose financiare, vendase ose të huaja, me reputacion të mirënjohur dhe besueshmëri të lartë;
c) ofrimit të garancive financiare nga ana e instituteve bankare ose financiare, vendase apo të huaja, me reputacion të mirënjohur dhe besueshmëri të lartë.
12. Në rastet kur realizimi i investimit do të kryhet nëpërmjet një shoqërie të krijuar posaçërisht, të themeluar nga investitori, dokumentacioni, në lidhje me kapacitetet financiare, do të paraqitet nga investitori/shoqëria/shoqëritë zotëruese të Subjektit për Qëllime të Veçanta (SPV).
13. Në rastet kur investitori dëshmon aftësinë për realizimin e investimit me anë të kapaciteteve të tij, Komiteti i Investimeve Strategjike mund t’i kërkojë investitorit marrjen përsipër të detyrimit për ruajtjen dhe moszvogëlimin e kapitalit e të kapaciteteve financiare të tij përtej një niveli minimal garancie, përgjatë kohëzgjatjes së realizimit të investimit strategjik, si dhe detyrimin për të kërkuar miratimin paraprak, për çdo rast të transferimit të kuotave/aksioneve të shoqërisë. Gjithashtu, Komiteti i Investimeve Strategjike ka të drejtë t’i kërkojë investitorit dokumente për garanci apo mbështetje të mëtejshme financiare nga partnerë apo institucione të besueshme financiare, të cilat mbështetin projektin, nëse nga informacioni dhe dokumentet e paraqitura nuk provohet, në mënyrë bindëse dhe të qartë, kapaciteti financiar për të mbuluar me aktivet e tij pjesën e kërkuar prej 10 % të vlerës së investimit.
14. Në rastet kur investitori dëshmon aftësinë për realizimin e investimit, nëpërmjet financimit, kreditimit apo ofrimit të garancive nga ana e instituteve bankare ose financiare, Komiteti i Investimeve Strategjike autorizon Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve për vlerësimin e formës së përshtatshme të dokumenteve dhe verifikimin periodik të vlefshmërisë së instrumenteve të financimit dhe garancisë. Komiteti i Investimeve Strategjike duhet të informohet nga investitori për çdo ndryshim të këtyre dokumenteve, i cili duhet të miratohet nga Komiteti i Investimeve Strategjike, me qëllim ruajtjen e statusit të “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar”, apo “Investim/ investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
15. Në të gjitha rastet, Komiteti i Investimeve Strategjike ka të drejtë t’i kërkojë investitorit informacion në lidhje me kapacitetin financiar dhe aftësinë e tij për të gjeneruar fonde të mjaftueshme për financimin e gjithë investimit. Këto informacione përfshijnë, por pa u kufizuar, dokumente mbi situatën financiare, strukturën e administrimit, pronësinë e pasurive dhe aseteve, pozicionimin në treg, eksperiencat e mëparshme, mbështetjen financiare të partnerëve apo investitorëve të jashtëm si dhe informacion tjetër të nevojshëm, për të provuar aftësitë e tij investuese dhe potencialin për të qenë investitor strategjik për projektet e investimeve strategjike.
16. Forma e dokumentacionit, vlera dhe kushtet thelbësore të garancive financiare të çdo projekti vendosen, rast pas rasti, nga Komiteti i Investimeve Strategjike, në përputhje me nivelet e marzheve dhe me përcaktimet e këtij vendimi. Për vlerësimin e elementeve të garancive financiare të kërkuara, Komiteti i Investimeve Strategjike merr në konsideratë balancimin e interesave publike me ato të investitorëve dhe vlerëson karakteristikat specifike të çdo projekti.
17. Të drejtat dhe detyrimet e palëve përcaktohen nëpërmjet nënshkrimit të një marrëveshjeje të posaçme për kushtet, mënyrën e realizimit të investimit dhe ofrimit të garancive financiare. Në veçanti, marrëveshjet e posaçme duhet të përmbajnë detyrimet financiare për ruajtjen e gjendjes financiare të investitorit, në përputhje me pikat 6 e 7, të këtij vendimi, si dhe duhet të parashikojnë sanksione të përshtatshme ndaj atij që kryen deklarime të rreme për gjendjen financiare, që ndryshon dokumentet e financimit, kreditimit apo garancive, pa miratimin e Komitetit të Investimeve Strategjike, nuk realizon investimin në vlerat e përcaktuara dhe nuk respekton kushtet e projektit të investimit apo kryen veprime në shkelje të lejeve, licencave apo autorizimeve të nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi. Marrëveshjet e posaçme mund të nënshkruhen nga Komiteti i Investimeve Strategjike, nga një organ tjetër i autorizuar prej tij ose nga organi përgjegjës, i përcaktuar sipas legjislacionit specifik të veprimtarisë përkatëse.
18. Në rastin e investimeve që kërkojnë të përfitojnë statusin e investimeve strategjike, për të cilat është nënshkruar një kontratë para hyrjes në fuqi të këtij ligji, dhe për të cilin investitori ka realizuar mbi 10 % të vlerës së investimit, Komiteti i Investimeve Strategjike mund të konsiderojë të arsyeshme mosparaqitjen e garancisë financiare, me kusht që të paraqitet një certifikim i investimit të kryer, i hartuar nga vlerësues të licencuar, sipas legjislacionit në fuqi, dhe konfirmimit nga autoriteti kontraktues.
19. Garancitë dhe informacionet financiare, për qëllimet e investimeve strategjike, nuk kërkohen në rastet e projekteve publike, të konsideruara si investime strategjike, të iniciuara dhe të financuara nga shteti, nëpërmjet fondeve buxhetore, granteve apo financimeve të ndryshme. Ky përcaktim nuk përjashton paraqitjen e garancive të tjera, të kërkuara nga legjislacioni shqiptar në fuqi.
20. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
BASHKËPUNIMIN NDËRINSTITUCIONAL NË PROCEDURAT E INVESTIMEVE STRATEGJIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 12, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. PROCEDURAT DHE AFATET PËR SHKËMBIMIN E INFORMACIONIT
1. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, në rastet kur, për qëllim të realizimit të funksioneve të saj në lidhje me investimet strategjike, i nevojiten të dhëna apo informacione që disponohen nga një institucion tjetër, ka të drejtë që, nëpërmjet procedurës së përshpejtuar, të kërkojë nga organet e qeverisjes qendrore dhe vendore sigurimin e të dhënave, informacioneve apo çdo lloj ndihme tjetër të nevojshme për realizimin e detyrave funksionale.
2. Kërkesa për informacion ose të dhëna e agjencisë, drejtuar organeve të tjera, duhet të përmbajë:
a) llojin e të dhënave apo informacionit që kërkohet për një investim strategjik;
b) argumentimin e trajtimit të procedurës me prioritet, si rrjedhojë e parashikimeve të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”;
c) afatin, brenda të cilit duhen dërguar të dhënat apo informacioni i kërkuar;
ç) nënshkrimin e titullarit të institucionit apo personit përgjegjës.
3. Organet publike shtetërore, të cilat marrin një kërkesë për informacion nga agjencia, duhet të kthejnë përgjigje për kërkesën për bashkëpunim, bashkë me informacionin dhe të dhënat e kërkuara, brenda një afati maksimal prej 7 ditësh pune.
4. Afati për kthimin e përgjigjeve fillon nga e nesërmja e protokollimit të tyre në institucionin përkatës dhe mbaron në ditën e fundit të afatit të përcaktuar, brenda orarit zyrtar të asaj dite.
5. Institucioni pritës, për shkaqe me rëndësi dhe duke dhënë një përgjigje të arsyetuar, mund të shtyjë përgjigjen e tij, sipas rastit, deri në 3 ditë pune të tjera.
6. Në rastin kur kërkohen të dhëna apo informacione, për të cilat kërkohen njohuri dhe ekzaminime të posaçme, afati për kthimin e përgjigjes është jo më shumë se 20 ditë pune.
7. Në rast se përgjigjja, informacioni apo të dhënat e kërkuara nuk janë të plota, agjencia ka të drejtë të kërkojë plotësimin e tyre, brenda 3 ditëve pune, nga marrja e kërkesës për plotësim informacioni.
II. PROCEDURA DHE AFATET PËR MIRATIMIN E LEJEVE, LICENCAVE  DHE AUTORIZIMEVE
1. Me qëllim realizimin e projekteve të investimeve strategjike, të cilat kanë përfituar statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar  e veçantë”, dhe kanë nevojë, sipas legjislacionit shqiptar në fuqi, për pajisjen me leje, licenca, autorizime apo miratime të ngjashme, agjencia asiston investitorët strategjike gjatë këtyre procedurave, duke ndërmjetësuar në marrëdhëniet me organet shtetërore kompetente. Agjencia, brenda 5 ditëve pune, nga data e paraqitjes së dosjes së plotë, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që kërkohet nga legjislacioni sektorial për miratimin e lejeve, licencave dhe autorizimeve, së bashku me mandatpagesat e tarifave përkatëse, ia përcjell dosjen e investitorit strategjik organit kompetent për lëshimin e tyre.
2. Organi kompetent për lëshimin e lejeve, licencave dhe autorizimeve, me marrjen e dokumentacionit nga agjencia, brenda 15 ditëve pune, lëshon këto dokumente, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Përjashtimisht dhe vetëm për shkaqe të arsyeshme, që lidhen me kompleksitetin e lejeve, licencave dhe autorizimeve, afati mund të shtyhet vetëm një herë, për një periudhë kohe prej 15 ditësh pune.
4. Në rastet kur dokumentacioni i paraqitur rezulton të jetë i paplotë ose i paqartë, organet kompetente, nëpërmjet agjencisë, i kërkojnë investitorit strategjik, vetëm një herë, me shkrim, brenda 10 ditëve pune, nga data e marrjes së dosjes, plotësimin e të gjithë dokumentacionit dhe të dhënat e kërkuara, duke listuar kërkesat në mënyrë specifike.
III. GRUPET OPERACIONALE
1. Asistenca dhe mbështetja ndaj investimeve dhe projekteve strategjike kryhet nga agjencia, nëpërmjet grupeve operacionale të krijuara pranë saj, të ngritura posaçërisht, për çdo projekt të investimeve strategjike. Grupet operacionale përbëhen nga ekspertë, teknikë dhe profesionistë të ministrive të linjës, në fushat në të cilat kërkohet të realizohet investimi strategjik. Grupi operacional ka si objekt të veprimtarisë së tij ndjekjen e të gjitha procedurave dhe përgatitjen e të gjitha akteve e dokumenteve ligjore, me qëllim përgatitjen, zbatimin, zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik të veçantë.
2. Grupet operacionale ngrihen me propozimin e agjencisë dhe me nismën e ministrit përgjegjës për ekonominë, me anë të një urdhri të përbashkët të ministrave të përfshirë në projektin e investimeve strategjike. Me qëllim respektimin e afateve të përshpejtuara të procedurave administrative, për investimet strategjike, ministrat përgjegjës për projektin strategjik, brenda 10 ditëve, nga marrja e kërkesës së ministrit përgjegjës për ekonominë, përcaktojnë personat pjesëmarrës në grupin operacional si dhe personat/strukturat e kontaktit, të cilët do të jenë përgjegjës për komunikimet me agjencinë, në lidhje me investimet strategjike.
3. Urdhri i përbashkët për ngritjen e grupit operacional të punës, për realizimin e një projekti ose investimi strategjik, përcakton:
a) qëllimin e ngritjes së grupit:
b) objektin e tij;
c) funksionimin e grupit në strukturën e agjencisë;
ç) numrin e punonjësve që do të përfshihen dhe ndarjen e detyrave përkatëse;
d) rregullat për vendimmarrjen e grupit;
dh)  përcaktimin e infrastrukturës, nëse është e nevojshme;
e) mjetet financiare, nëse është e nevojshme;
ë)  afatet, brenda të cilit grupi i punës duhet të realizojë detyrat e tij, sipas përcaktimeve të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”.
4. Grupi operacional i punës kryesohet nga drejtori ekzekutiv i agjencisë, i cili përfaqëson grupin në marrëdhëniet me organet shtetërore dhe investitorët strategjikë.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Për sa nuk është parashikuar shprehimisht në këtë vendim dhe që nuk bie në kundërshtim me të, zbatohen rregullat e përcaktuara me vendimin nr.867, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e bashkëpunimit në institucionet e administratës shtetërore”.
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe organet e qeverisjes qendrore e vendore, të përfshira në procedurat për investimet strategjike, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN DHE FORMËN E PJESËMARRJES SË SHTETIT NË INVESTIMET STRATEGJIKE DHE RREGULLAT PËR KRIJIMIN, FUNKSIONIMIN E ADMINISTRIMIN E FONDIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME PËR MBËSHTETJEN E INVESTIMEVE STRATEGJIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 30 e 31, pika 2, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. RREGULLAT DHE FORMAT E PJESËMARRJES SË SHTETIT NË INVESTIMET STRATEGJIKE
1. Në këto rregulla përcaktohen procedurat, dokumentet dhe hapat që duhet të ndiqen nga investitorët strategjikë dhe organet kompetente shtetërore, në lidhje me mundësinë e pjesëmarrjes së shtetit, si bashkëpjesëmarrës në investim, së bashku me subjektet private të cilat kanë përfituar statusin e investitorëve strategjikë, me qëllim realizimin e investimeve strategjike.
2. Pjesëmarrja e shtetit në investimet strategjike mund të realizohet në format e mëposhtme:
a) Shteti vepron si bashkëzhvillues i investimit strategjik;
b) Shteti vepron si bashkëzhvillues i një zone territoriale të caktuar, në të cilën realizohen investime strategjike;
c) Shteti vepron si bashkëpjesëmarrës në investim në forma të tjera, në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi.
3. Shteti mund të veprojë si bashkëzhvillues i një investimi strategjik duke marrë pjesë si ortak/aksionar në shoqërinë tregtare që do të realizojë investimin strategjik, nëpërmjet kontributit në kapital, me para dhe/ose në natyrë. Pjesëmarrja e shtetit në shoqëri kryhet sipas mënyrave, formave dhe rregullave të përcaktuara nga legjislacioni tregtar shqiptar.
4. Shteti mund të jetë bashkëpjesëmarrës për realizimin e një investimi strategjik, duke vepruar në rolin e zhvilluesit të një zone territoriale të caktuar, në të cilën realizohen investime strategjike. Në këtë rast, shteti mund të mbështetë investimin strategjik, duke marrë masa për zhvillimin e zonës, të tilla si: përmirësimi dhe zhvillimi i objekteve dhe i infrastrukturave ekzistuese, ndërtimi i infrastrukturave të reja ose marrja e masave të tjera mbështetëse.
5. Përveç këtyre formave, shteti mund të veprojë si bashkëpjesëmarrës në investim në çdo formë tjetër të parashikuar nga legjislacioni shqiptar në fuqi. Në këto forma bashkëpjesëmarrjeje mund të përfshihen, por pa u kufizuar, vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme apo të luajtshme, e aseteve, makinerive, të drejtave apo lehtësive të ndryshme, dhënia e së drejtës për përdorimin e brigjeve, si dhe kombinime të tyre apo forma të tjera mbështetjeje.
    Bashkëpjesëmarrja e shtetit në një investim strategjik shpërblehet nëpërmjet pagesës së tarifave, produkteve apo fitimeve të realizuara nga investimi strategjik apo nëpërmjet formave të tjera të përcaktuara në kontratën me investitorin strategjik.
    Pjesëmarrja e shtetit në investimet strategjike dhe përfitimet përkatëse në favor të shtetit përcaktohen në kontratat përkatëse që nënshkruhen nga shteti me investitorin strategjik, sipas mënyrave, formave dhe rregullave të përcaktuara nga legjislacioni sektorial.
6. Pjesëmarrja e shtetit në investimet strategjike realizohet në përputhje me interesin publik, duke respektuar parimet e transparencës, të paanshmërisë, të barazisë e të mbrojtjes së konkurrencës dhe tregut të lirë.
    Pjesëmarrja, mbështetja dhe nxitja shtetërore për një investim strategjik nuk duhet të sjellin, si pasojë, pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg.
    Pjesëmarrja shtetërore duhet të jetë në nivele të tilla, të cilat nuk shuajnë ose e reduktojnë ndjeshëm riskun operacional në ngarkim të investitorit strategjik, si dhe në nivel të drejtë proporcionaliteti me vlerën dhe rëndësinë e investimit.
    Për këtë qëllim, përpara se të propozohet pjesëmarrja e shtetit në një investim strategjik, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve u kërkon mendim paraprak Autoritetit të Konkurrencës, Komisionit të Ndihmës Shtetërore dhe organeve të tjera të specializuara, të cilat ia përcjell Komitetit të Investimeve Strategjike (në vijim KIS).
7. Bashkëpjesëmarrja në një investim strategjik mund të propozohet nga vetë shteti, në rastin e një projekti strategjik të përgatitur nga organet shtetërore, me qëllim mbështetjen e investitorëve për realizimin e një investimi strategjik. Pjesëmarrja e shtetit në investimet strategjike, për të cilat nevojitet kryerja e procedurave konkurruese, shpallet që në fazën fillestare të tenderave ose garave që zhvillohen në këto raste.
8. Bashkëpjesëmarrja e shtetit mund të kërkohet edhe nga vetë investitorët strategjikë të cilët propozojnë realizimin e një investimi strategjik, me qëllim rritjen e nivelit të mbështetjes së projektit, uljen e riskut operacional dhe rritjen e garancive për realizimin e tij.
9. Çdo investitor, i cili kërkon pjesëmarrjen shtetërore në një investim strategjik, përveç dokumentacionit, për përfshirjen në procedurat administrative të investimeve strategjike dhe atë mbi garancitë financiare, duhet të paraqesë pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve edhe dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Planin e plotë të biznesit, në të cilin përcaktohen edhe detyrimet përkatëse të propozuara në ngarkim të investitorit strategjik e të shtetit, si dhe kostot përkatëse;
b) Studimin e plotë të fizibilitetit, i cili përfshin në mënyrë të detajuar analizën dhe vlerësimin teknik, ekonomik dhe tregtar të projektit, si dhe provon se projekti është i përshtatshëm, i nevojshëm dhe i realizueshëm;
c) Një relacion shpjegues, ku jepen arsyet e kërkesës për përfshirje shtetërore, mënyra e pjesëmarrjes apo mbështetjes direkte të shtetit në investim dhe një shpjegim i detajuar i vlerësimit të pjesëmarrjes  shtetërore si e nevojshme nga ana e investitorit për suksesin e projektit;
ç) Përshkrimin e detajuar të formës e të nivelit të pjesëmarrjes shtetërore të kërkuar, të shoqëruar me informacione konkrete për aspektet e pjesëmarrjes shtetërore;
d) Identifikimin e asetit publik të luajtshëm ose të paluajtshëm dhe të organit administrues përgjegjës, në rastin kur kërkohet vënia në dispozicion e një aseti publik në pronësi të shtetit;
     dh) Projektin e plotë zhvillimor të infrastrukturës së brendshme dhe mënyrën e lidhjes së saj me infrastrukturën e jashtme, në rastin kur kërkohet mbështetja me infrastrukturë mbështetëse;
e) Të drejta të posaçme që i ofrohen shtetit nga ana e investitorit në kuadër të pjesëmarrjes shtetërore në investim, të tilla si, por pa u kufizuar në:
i. vendimmarrje me të drejtë vetoje apo me shumicë të kualifikuar  në shoqërinë apo partneritetin që propozohet të krijohet;
ii. të drejta të posaçme, përtej atyre të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për të emëruar anëtarë të organeve drejtuese, auditorë apo për të marrë informacion për mbarëvajtjen e investimit;
iii. të drejta të posaçme në ndarjen e dividendit, të të ardhurave të realizuara apo të çdo përfitimi të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë në favor të shtetit;
             iv.  opsionin e daljes së shtetit nga investimi me kushte të paracaktuara apo lehtësisht të vlerësueshme pas një periudhe kohe nga data e pjesëmarrjes së shtetit në investimin strategjik të propozuar;
v.  kufizimet e zbatueshme në lidhje me transferimin e pjesëmarrjeve apo pjesëmarrjen e palëve të treta në investim;
vi. propozim për zgjidhjen e situatave të bllokimit të vendimmarrjes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
10. Agjencia, nëpërmjet grupit operacional, verifikon propozimin e investitorit për përfshirjen e shtetit në investimin strategjik, si dhe të gjitha hipotezat, supozimet, zgjidhjet, treguesit, analizat dhe rezultatet e përcaktuara në dokumentet e paraqitura, në mënyrë që të përcaktojë nëse informacioni është i saktë, i zbatueshëm dhe i përshtatshëm për realizimin e investimit.
11. Për verifikimin e saktësisë së informacionit e të analizave të paraqitura si dhe në rastet kur për propozimin e investitorit kërkohen njohuri të posaçme, që tejkalojnë njohuritë dhe ekspertizën e Agjencisë e të anëtarëve të grupit operacional, Agjencia mund t’i kërkojë investitorit propozues që të përballojë kostot për angazhimin nga ana e Agjencisë të ekspertëve të jashtëm të pavarur. Procedura e përzgjedhjes dhe e angazhimit të ekspertëve të jashtëm kryhet nga vetë Agjencia, sipas një procedure të hapur dhe transparente, pasi investitori propozues të ketë dhënë pëlqimin me shkrim për mbulimin e kostos përkatëse.
12. Agjencia negocion me investitorin propozues një projekt të dokumenteve që do të nënshkruhen nga palët në rast miratimi të pjesëmarrjes së shtetit në investim, që, sipas rastit dhe formës së pjesëmarrjes, përfshijnë por pa u kufizuar në:
a) aktin e themelimit dhe statutin e shoqërisë, ku shteti do të marrë pjesë si ortak/aksionar, në të cilën duhet të përfshihen të gjitha kushtet, të drejtat dhe detyrimet e secilës palë;
b) marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet palëve, në rastet kur shteti merr pjesë në investim, nëpërmjet formave të ndryshme nga ajo e pjesëmarrjes në shoqëri.
Në përmbajtjen e secilit prej dokumenteve të sipërpërmendura duhet të reflektohen në mënyrë të qartë e të detajuar të drejtat dhe detyrimet e secilës palë pjesëmarrëse në investim, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, si dhe propozimi i investitorit.
13. Në çdo rast të shqyrtimit të një propozimi për pjesëmarrje të shtetit në një investim strategjik, Agjencia kërkon me shkrim mendimin paraprak të Ministrisë së Financave, si dhe ministrisë së linjës, që mbulon sektorin e investimit strategjik.
14. Procesi i vlerësimit i kryer nga Agjencia nuk mund të zgjatë më shumë se 30 ditë nga data e marrjes së dokumentacionit të plotësuar nga investitori propozues. Në përfundim të procesit të vlerësimit, pas miratimit nga ministri përgjegjës për ekonominë, Agjencia i përcjell KIS-së propozimin e paraqitur, dokumentacionin përkatës, mendimet e organeve të tjera shtetërore të përfshira si dhe vlerësimin e saj për propozimin.
15. Brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga data e përcjelljes së kërkesës nga Agjencia, KIS-ja vendos në lidhje me propozimin për pjesëmarrjen shtetërore në investimin strategjik. KIS-ja mund të vendosë të pranojë propozimin e paraqitur, ta pranojë me kushte apo ta refuzojë atë. Në çdo rast, vendimi i KIS-së i njoftohet investitorit propozues brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së tij.
16. Refuzimi i pjesëmarrjes së shtetit në investim nuk cenon përfitimin e statusit “Investim strategjik, procedurë e veçantë/e asistuar” në rast se investitori deklaron se dëshiron të vazhdojë me kryerjen e investimit pavarësisht nga mospjesëmarrja shtetërore.
17. KIS-ja mund të vendosë që pranimi i propozimit të kushtëzohet me plotësimin e informacionit, të të dhënave apo garancive të investitorit për realizimin e investimit si dhe me kërkesën për ndryshimin e kushteve të bashkëpunimit të propozuara, të tilla si; vlera apo lloji i kontributit, forma e pjesëmarrjes apo të drejtat dhe detyrimet kryesore të palëve në shoqërinë e përbashkët apo në marrëveshjen e propozuar të investimit. Në këto raste, KIS-ja i kthen dokumentacionin Agjencisë e cila komunikon me investitorin propozues në lidhje me kërkesat e parashtruara nga KIS-ja. Në rast se brenda një afati prej 30 ditësh nga data e njoftimit investitori propozues pranon kushtet e vendosura nga KIS-ja, Agjencia paraqet përsëri pranë KIS-së për vendimmarrje dokumentacionin e ndryshuar, ku reflektohen sugjerimet e KIS-së.
18. Në rastin kur KIS-ja vendos të pranojë propozimin, ia përcjell atë për miratim Këshillit të Ministrave.
19. Në propozimin e KIS-së duhet të tregohen forma, niveli dhe mënyrat e pjesëmarrjes shtetërore në investimin strategjik dhe ky propozim duhet të shoqërohet me një relacion në të cilin trajtohen në mënyrë të detajuar:
a) interesi publik dhe jepen arsyet për të cilat konsiderohet e nevojshme pjesëmarrja shtetërore në investim;
b) analiza ekonomike e investimit strategjik dhe e pjesëmarrjes shtetërore;
c) vlerësimi i avantazheve dhe rreziqeve të pjesëmarrjes shtetërore në investimin strategjik;
ç) niveli i pjesëmarrjes shtetërore në raport me vlerën totale të investimit;
d) shkalla e ndarjes së riskut operacional midis shtetit dhe investitorit strategjik;
dh) ndikimet mbi tregun e lirë dhe konkurrencën që sjell pjesëmarrja e shtetit në investim;
e) projekti i marrëveshjes që do të nënshkruhet ndërmjet investitorit dhe shtetit shqiptar, të përfaqësuar nga Agjencia në lidhje me kushtet, të drejtat dhe detyrimet e palëve në realizimin e pjesëmarrjes shtetërore në investimin strategjik.
20. Këshilli i Ministrave, bazuar në propozimin e KIS-së, si më sipër, përcakton me vendim, rast pas rasti, formën, nivelin dhe mënyrat e pjesëmarrjes shtetërore në një investim strategjik. Në vendimin e Këshillit të Ministrave përcaktohet edhe organi shtetëror, i cili autorizohet për lidhjen e kontratës me investitorin strategjik dhe për ndjekjen, zbatimin e monitorimin e saj.
II. KRIJIMI, FUNKSIONIMI DHE ADMINISTRIMI I FONDIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME PËR MBËSHTETJEN E INVESTIMEVE STRATEGJIKE
6. Fondi i Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS) krijohet nga pasuritë e paluajtshme shtetërore, objekte, truall, tokë bujqësore, pyll, livadhe dhe kullota, në pronësi të institucioneve qendrore apo të njësive të qeverisjes vendore.
7. FPPMIS-ja krijohet, inventarizohet dhe administrohet nga ministria përgjegjëse për ekonominë.
8. Procedurat dhe rregullat për transferimin dhe administrimin e pronave shtetërore, pjesë të FPPMIS-së, kryhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për pronat e paluajtshme të shtetit. Transferimi dhe përfshirja e pronave në FPPMIS përcaktohen, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në propozimin e ministrit përgjegjës për ekonominë.
9. Propozimi për përfshirjen e një pasurie të paluajtshme shtetërore, si pjesë e FPPMIS-së, mund të paraqitet nga organet qendrore apo vendore përgjegjëse si dhe nga investitorët propozues të një investimi strategjik, nëpërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve.
10. Ministri përgjegjës për ekonominë konsultohet dhe u kërkon mendim paraprak organeve të qeverisjes qendrore dhe vendore, të cilat administrojnë pronat e paluajtshme shtetërore, të propozuara për t’u përfshirë në FPPMIS. Për këtë qëllim, u kërkon organeve të qeverisjes qendrore dhe vendore të japin informacion në lidhje me pasuritë e paluajtshme të propozuara, përdorimin aktual ose të planifikuar të tyre si dhe të shprehin mendimin e tyre vlerësues në lidhje me përfshirjen e tyre ose jo në FPPMIS. Në rastet kur këto organe shprehin një mendim negativ për pronat e propozuara, si pasojë e përdorimit të tyre për funksione ose shërbime thelbësore për publikun, ato mund të propozojnë prona alternative të administruara prej tyre për realizimin e investimeve strategjike.
11. Në çdo rast, organet e qeverisjes qendrore dhe vendore, të cilat administrojnë pronat e paluajtshme shtetërore të propozuara për t’u përfshirë në FPPMIS, i përcjellin ministrit përgjegjës për ekonominë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh nga data e marrjes së kërkesës, dosjen e plotë në të cilën përfshihet i gjithë dokumentacioni kadastral i pronave, i vërtetuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
12. Ministri përgjegjës për ekonominë shqyrton dokumentacionin e dosjes së pasurive të paluajtshme dhe verifikon nëse këto prona janë:
a) objekt i procedurave administrative të kthimit ose kompensimit të pronës;
b) objekt i një procesi gjyqësor për titullin e pronësisë;
c) objekt i procedurave administrative të legalizimit.
Për këtë qëllim, ministri përgjegjës për ekonominë bashkëpunon dhe u kërkon informacion vërtetues organeve shtetërore përkatëse, përfshirë por pa u kufizuar, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale,  zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme si dhe gjykatave kompetente.
13. Vënia në dispozicion e pronave të paluajtshme shtetërore kryhet pasi të jetë verifikuar përputhshmëria e investimeve strategjike me dokumentet e planifikimit të territorit si dhe me planet, politikat e strategjitë sektoriale shtetërore. Në rastet kur investimet strategjike nuk përputhen me këto plane, KIS-ja, nëpërmjet Agjencisë, propozon përshtatjen e tyre me qëllim realizimin e investimit strategjik.
14. Ministri përgjegjës për ekonominë, pas kryerjes së verifikimit të dosjeve të pasurive të paluajtshme dhe pas shqyrtimit të mendimit vlerësues të shprehur nga organi shtetëror që administron pasuritë e paluajtshme, kryen një vlerësim përfundimtar oportuniteti nëse këto pasuri duhet t’i propozohen Këshillit të Ministrave për t’u përfshirë në FPPMIS.
    Në rastet kur pronat e propozuara janë objekt i procedurave të përcaktuara në pikën 7, të kreut II, të këtij vendimi, ose përdoren për funksione apo shërbime thelbësore për publikun, ministri përgjegjës për ekonominë vlerëson mundësinë e identifikimit dhe propozimit të pronave alternative për realizimin e investimeve strategjike.
    Vetëm në rastet kur interesi publik për realizimin e investimeve strategjike mbizotëron mbi interesin e përdorimit aktual të këtyre pasurive, ministri përgjegjës për ekonominë i propozon Këshillit të Ministrave përfshirjen e tyre në FPPMIS, në përputhje dhe në respektim të legjislacionit përkatës në fuqi, i cili disiplinon këto raste.
15. Këshilli i Ministrave, rast pas rasti, miraton me vendim të veçantë transferimin dhe administrimin e pasurive të paluajtshme shtetërore të cilat përfshihen në FPPMIS, në përputhje me legjislacionin mbi pronat e paluajtshme të shtetit si dhe përcakton rregullat për përballimin e shpenzimeve për krijimin, mirëmbajtjen dhe administrimin e pasurive të paluajtshme, pjesë e FPPMIS-së.
16. Ngarkohet ministria përgjegjëse për ekonominë, që, brenda 3 (tre) muajsh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të identifikojë pronat e paluajtshme shtetërore të cilat do të përfshihen paraprakisht në FPPMIS, si dhe të përgatitë propozimet përkatëse për shqyrtim në Këshillin e Ministrave.
17. Ministria përgjegjëse për ekonominë inventarizon pronat e përfshira në FPPMIS, ia ofron ato investitorëve strategjikë si dhe i publikon ato me qëllim informimin, mbështetjen dhe nxitjen e realizimit të investimeve strategjike.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe organet e qeverisjes qendrore dhe vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR FUNKSIONIMIN, KRIJIMIN, ADMINISTRIMIN DHE PËR FORMATIN, PËRMBAJTJEN E PROCEDURAT PËR SIGURINË E REGJISTRIT TË INVESTIMEVE STRATEGJIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Regjistri i Investimeve Strategjike, në vijim “Regjistri”, është inventari publik, i cili përmban informacionin dhe bazën e të dhënave mbi investimet strategjike të cilat kryhen në territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Regjistri krijohet, ruhet, administrohet, mirëmbahet dhe përditësohet nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, në vijim “Agjencia”. Agjencia administron bazën e të dhënave në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë vendim dhe në legjislacionin për administrimin e bazës të të dhënave shtetërore.
3. Agjencia administron regjistrin nëpërmjet një portali, rrjeti të publikuar në faqen e saj zyrtare ose në një faqe të posaçme interneti.
4. Regjistri mbahet në format elektronik dhe shkresor, në gjuhën shqipe dhe angleze. Dokumentet në formë shkresore ruhen dhe publikohen edhe në format elektronik të përshtatshëm. Të dhënat e regjistrit duhet të mbahen dhe të publikohen në formate të përshtatshme e të njohura për një përdorues të zakonshëm. Këto formate duhet të përshtaten me intervale të arsyeshme kohore, sipas zhvillimeve dhe programeve të reja teknologjike e informatike.
5. Regjistri përmban të dhënat parësore dhe të dhënat dytësore. Në të dhënat parësore të regjistrit përfshihen të dhënat dhe informacionet specifike, të mbledhura nga Agjencia, në funksion të investimeve strategjike. Në të dhënat dytësore përfshihen të dhënat dhe informacionet që merren nga baza të tjera të dhënash, ku ato janë parësore. Ndërveprimi ndërmjet bazave të të dhënave të regjistrit lejohet vetëm për të dhënat parësore, ndërsa ndalohet ndërveprimi për të dhënat dytësore.
6. Dhënësit e informacionit janë subjektet e interesuara, të cilat përfshihen në procedurat e investimeve strategjike si dhe organet e qeverisjes qendrore e vendore që kanë kompetenca në këtë proces, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Gjatë fazës së mbledhjes së informacionit për qëllime të përfshirjes në regjistër, Agjencia u bën të ditur subjekteve informacionin i cili do të jetë i hapur për publikun, duke i informuar për bazën ligjore, qëllimin e mbledhjes, bërjes publike si dhe për pasojat e parashikuara nëse ky informacion nuk mblidhet.
7. Regjistri është publik dhe i aksesueshëm nga organet e qeverisjes qendrore dhe vendore, investitorët strategjikë dhe nga publiku, sipas niveleve të aksesit dhe klasave të sigurisë të përcaktuara nga Agjencia.
8. Aksesi në informacionin e përmbajtur në regjistër mund të kufizohet për disa informacione, duke garantuar ruajtjen dhe mospublikimin e të dhënave të tilla si: informacion konfidencial, të dhëna personale, sekret tregtar apo të dhëna që rrezikojnë konkurrencën e ndershme të subjekteve tregtare. Për këtë qëllim, investitorët duhet të përcaktojnë që në fillim në dokumentacionin e paraqitur prej tyre të dhënat për të cilat kërkojnë kufizimin e publikimit të tyre në regjistër. Në çdo rast, në interes të transparencës dhe interesit publik, në regjistër publikohen informacionet e përgjithshme për projektet dhe investimet strategjike, të cilat do të përfshijnë:
a) identifikimin e projekteve dhe investitorëve strategjikë të miratuar;
b) përshkrimin e përgjithshëm të projekteve e të investimeve strategjike;
c) garancitë financiare të ofruara për realizimin e tyre;
 ç) statusin favorizues që u është njohur projekteve dhe investitorëve;
d) masat mbështetëse të garantuara nga shteti.
9. Agjencia merr masat për diferencimin e nivelit të aksesit në të dhënat e regjistrit duke u mundësuar organeve të qeverisjes qendrore e vendore dhe investitorëve instrumente të përshtatshme, të cilat mundësojnë nga njëra anë aksesin në regjistër dhe nga ana tjetër garantojnë ruajtjen e të dhënave.
10. Agjencia merr masat e nevojshme për garantimin e sigurisë të të dhënave të përmbajtura në regjistër, nëpërmjet përdorimit të instrumenteve mbrojtëse të përshtatshme.
11. Regjistri përmban të gjitha të dhënat që lidhen me procedurat e investimeve strategjike, duke filluar që nga momenti i propozimit të tyre deri në fazën përfundimtare, kur një investim strategjik do të ketë përfunduar.
12. Në veçanti, regjistri përmban informacione dhe të dhëna për:
a) projektet e identifikuara dhe të miratuara si projekte/investitorë potencialë strategjikë dhe/ose investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë;
b) statusin asistencial të projektit;
c) vendimet e Komitetit Strategjik të Investimit për projektet strategjike;
ç) marrëveshjet e mirëkuptimit ose marrëveshjet e tjera të lidhura me  investitorët;
d) fazat e procedurave e të veprimeve të kryera për çdo projekt si dhe detajimin e procedurave që duhet të përfundohen;
dh) komunikimet, kërkesat dhe përgjigjet e organeve shtetërore;
e) listën e lejeve, licencave dhe autorizimeve për secilin projekt, së bashku me statusin e pajisjes së tyre, duke identifikuar ato që janë miratuar dhe ato të cilat duhet të miratohen, identifikimin e organeve përgjegjëse, afatet përkatëse si edhe dokumentacionin e nevojshëm për secilën prej tyre;
ë) shërbimet që ofron Agjencia ndaj projekteve strategjike;
f) masat dhe programet mbështetëse që i janë garantuar një projekti;
g) vendimet, aktet dhe veprimet e organeve shtetërore të marra për një projekt strategjik;
 gj) pasuritë e paluajtshme të përfshira në Fondin e Pasurive të       Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike;
h) gjendjen dhe konsolidimin e tokës;
i) procedurat e shpronësimit;
j) sektorët dhe nënsektorët strategjikë;
k) zonat e përcaktuara si zona me përparësi zhvillimin;
l) të dhëna të tjera të konsideruara si të nevojshme nga Agjencia.
13. Regjistri elektronik përditësohet në mënyrë sa më të shpejtë me informacionet dhe procedurat që kryhen hap pas hapi, në çdo fazë të projektit strategjik. Për këtë qëllim Agjencia merr masat dhe garanton regjistrimin dhe hedhjen në sistem të të dhënave të reja, brenda një afati  5-ditor, me qëllim përshpejtimin dhe mirëkoordinimin e procedurave të posaçme administrative favorizuese, lehtësuese apo përshpejtuese, të mbështetjes e të shërbimeve ndaj investitorëve.
14. Agjencia përcakton adresat dhe personat e kontaktit të cilët do të jenë përgjegjës për marrjen, transmetimin dhe regjistrimin në regjistër të çdo të dhëne apo procedure të kryer mbi projektet strategjike. Këto adresa dhe personat e kontaktit do t’u bëhen të njohur investitorëve strategjikë dhe organeve të tjera shtetërore të përfshira në procedurat për investimet strategjike. Investitorët strategjikë dhe  organet shtetërore kanë detyrimin t’i transmetojnë Agjencisë informacionin për veprimet e kryera prej tyre, si edhe të përcaktojnë gjithashtu adresat dhe personat e kontaktit të cilët do të jenë përgjegjës për komunikimet me Agjencinë në lidhje me investimet strategjike.
15. Personeli i Agjencisë, i cili ka akses në informacionin e përmbajtur në regjistër, ka detyrimin për ruajtjen e konfidencialitetit të informacionit, edhe në rastet e përfundimit të ushtrimit të funksionit të tij. Për këtë qëllim personeli nënshkruan një deklaratë konfidencialiteti, sipas formatit të miratuar nga titullari i Agjencisë dhe në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
16. Agjencia merr masa për ngritjen dhe funksionimin e Regjistrit të Investimeve Strategjike, brenda 3 (tre) muajsh nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
17. Shpenzimet e nevojshme për krijimin, mirëmbajtjen dhe administrimin e Regjistrit të Investimeve Strategjike përballohen nga buxheti i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për Agjencinë.
18. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe organet e qeverisjes qendrore e vendore, të përfshira në procedurat për investimet strategjike, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
MIRATIMIN E METODOLOGJISË SË PËRCAKTIMIT  TË TARIFAVE FIKSE TË ENERGJISË, QË DO T’U PAGUHEN PRODHUESVE TË ENERGJISE ELEKTRIKE NGA HIDROCENTRALET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 15, pika 1, e 27, pika 2, të ligjit nr.138/2013, “Për burimet e energjisë së rinovueshme”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Metodologjia e përcaktimit të tarifave fikse të energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve të energjisë elektrike nga hidrocentralet, është, si më poshtë vijon:
“Çmimi i shitjes (lekë/kWh) = Çmimi mesatar i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent /kWh X koeficientin 1.24 X normën mesatare të këmbimit në euro/lekë për vitin e fundit.
-Me çmim mesatar të vitit përkatës të bursës hungareze HUPX të energjisë elektrike kuptohet:
Çmimi vjetor mesatar i ponderuar, final i shlyerjes (final settlement price) së energjisë elektrike në bazë (baseload), i produkteve të livruara në segmentin e kontratave fizike të së ardhmes (Physical Futures – PhF) të bursës së Hungarisë HUPX, ashtu siç publikohet në raportin vjetor (Physical Futures Annual Report) të këtij segmenti, për vitin përkatës.
-Koeficienti 1.24 do të llogaritet për përcaktimin e çmimit të energjisë së prodhuar nga hidrocentralet dhe merr në konsideratë:
i. reduktimin e humbjeve teknike në rrjetin e transmetimit dhe të shpërndarjes, si pasojë e furnizimit të energjisë elektrike në pikat e lidhjes së këtyre hidrocentraleve me rrjetin energjetik të tensionit të lartë dhe/ose të mesëm;
ii. kostot e shmangura të transmetimit të energjisë nga importi;
iii.kostot e alokimit të kapaciteteve të interkoneksionit;
iv.nxitjen e shfrytëzimit të burimeve të rinovueshme deri në arritjen e objektivave të detyrueshëm kombëtarë për pjesën e energjisë së përdorur nga burime të rinovueshme të energjisë në konsumin përfundimtar bruto të energjisë, në përputhje me Planin Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë.
– Me normë mesatare të shkëmbimit euro/lekë të vitit të fundit kuptohet kursi mesatar vjetor i këmbimit nga euro/lekë, i publikuar nga Banka e Shqipërisë për vitin përkatës.”.
2. Deri në miratimin e çmimit të shitjes së energjisë së prodhuar nga prodhuesit e vegjël të energjisë elektrike sipas këtij vendimi për vitin 2016, ERE merr masa që të përcaktojë një çmim që do të aplikohet për një periudhë të ndërmjetme, në zbatim të vendimit nr.125, datë 11.2.2015, të Këshillit të Ministrave. Diferencat që mund të rezultojnë, ndërmjet çmimit të miratuar për vitin 2016 dhe çmimit të miratuar për periudhën e ndërmjetme, do të sistemohen nëpërmjet korrigjimit të faturimeve përkatëse.
3. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.658, DATË 26.9.2012,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN  E METODOLOGJISË PËR VLERËSIMIN E PRONAVE TË PALUAJTSHME NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 13, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në nenin 6, të aneksit 1, të vendimit nr.658, datë 26.9.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Pika 1 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“1. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, brenda datës 31 mars të çdo viti, përpunon të dhënat e vitit paraardhës, të dërguara zyrtarisht nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke i grupuar ato sipas zonave kadastrale, nënndarjes brenda zonës apo bashkimeve të dy apo më shumë zonave kadastrale, për qëllim të përllogaritjes së vlerës së pasurive të paluajtshme, sipas llojit të pasurisë, ndarjes dhe nënndarjeve të saj, dhe i propozon ministrit të Drejtësisë vijimin e procedurave për miratimin e tyre nga Këshilli i Ministrave.”.
2. Pika 4 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“4. a) Në rast se për një zonë kadastrale, nënndarje apo bashkim të tyre, mungojnë transaksionet për një ndarje apo nënndarje të llojit të pasurisë së paluajtshme, atëherë përcaktimi i vlerës për këto zona do të bëhet mbi bazën e metodës indirekte, duke i grupuar kontratat e shitjes në një nivel më të afërt, sipas kësaj radhe: fshat, qytet, bashki, qark, për atë grup të llojit të pronës.
b) Në rast se për një zonë kadastrale, nënndarje apo bashkim të tyre nuk arrihet të përcaktohet vlerë, edhe pas përpunimit të të dhënave mbi bazën e metodës indirekte, sipas përcaktimit të bërë në shkronjën “a”, atëherë vlera e pasurisë së paluajtshme për atë zonë kadastrale do të jetë vlera përkatëse, e përcaktuar në vendimin paraardhës të Këshillit të Ministrave.”.
3. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROGRAMIT TË BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E ARSIMIT, SHKENCËS, KULTURËS, RINISË DHE SPORTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË IZRAELIT, PËR VITET 2015-2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të programit të bashkëpunimit në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, rinisë dhe sportit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Izraelit, për vitet 2015-2018, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË  REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË IZRAELIT, PËR BASHKËPUNIM NË FUSHAT E SHËNDETIT E MJEKËSISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të  ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Izraelit, për bashkëpunim në fushat e shëndetit e mjekësisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I LINJËS SË RE TË UJËSJELLËSIT TË DURRËSIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Ndërtimi i linjës së re të ujësjellësit të Durrësit”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Ujësjellës-Kanalizimeve, Durrës, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “arë”, “kultura bujqësore” dhe “drurë frutorë”, në vlerën e përgjithshme të shpronësimit prej 4 405 228 (katër milionë e katërqind e pesë mijë e dyqind e njëzet e tetë) lekësh, nga të cilat:
a) tokë “arë”, me vlerë 3 123 000 (tre milionë e njëqind e njëzet e tre mijë) lekë;
b) “kultura bujqësore”, me vlerë 44 879 (dyzet e katër mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekë;
c) “drurë frutorë”, me vlerë 1 237 349 (një milion e dyqind e tridhjetë e shtatë mijë e treqind e dyzet e nëntë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 4 405 228 (katër milionë e katërqind e pesë mijë e dyqind e njëzet e tetë) lekësh, përballohet nga zëri “Kosto lokale”, me kod “M063149”, parashikuar në buxhetin e vitit 2015 për Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës – Kanalizimeve.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga njësia e zbatimit të projektit të Bankës Botërore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës – Kanalizimeve.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga  ZVRPP-ja”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës –  Kanalizimeve.
8. Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës – Kanalizimeve kryen likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kurbin, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës – Kanalizimeve dhe Ujësjellës – Kanalizime Durrës, sh.a., të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës –  Kanalizimeve, dhe  me fillimin e procesit të likuidimit të fillojë dhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kurbin të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës – Kanalizimeve, Ujësjellës – Kanalizime Durrës, sh.a., Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kurbin për zbatimin e këtij  vendimi.
      Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROFILIT KOMBËTAR TË ZGJERUAR TË MIGRACIONIT, PËR VITIN 2014
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 141, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Profilit Kombëtar të Zgjeruar të Migracionit, për vitin 2014, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Instituti i Statistikave për botimin e këtij profili në faqet zyrtare të institucioneve në internet.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
      
PËR
LEJIMIN E PËRDORIMIT TË FONDIT TË PAGAVE PËR SHPËRBLIMIN E DISA PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 143, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, dhe të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lejimin e Policisë së Shtetit për përdorimin e fondit prej 98 400 000 (nëntëdhjetë e tetë milionë e katërqind mijë) lekësh, nga fondi i pagave, të planifikuar për vitin 2015, në programin buxhetor “Policia e Shtetit”, për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, që kanë arritur rezultate të larta në kryerjen e detyrës.
2. Masa e shpërblimit të jetë deri në 2 paga mujore.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE PËR EMETIMIN, PRODHIMIN, PËRDORIMIN DHE TREGTIMIN E PULLËS POSTARE SHQIPTARE 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 43, të ligjit nr.46/2015, “Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e procedurave për emetimin, prodhimin, përdorimin dhe tregtimin e pullës postare shqiptare sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vendimi nr.405, datë 27.7.2000, i Këshillit të Ministrave, “Për kushtet e nxjerrjes së pullës postare shqiptare”, i ndryshuar, shfuqizohet.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe Posta Shqiptare, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
 EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR 
PROCEDURAT E VLERËSIMIT TË NËPUNËSVE CIVILË, PËR PËRFITIMIN DHE PËRDITËSIMIN E NJOHURIVE SHTESË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 1/1, të nenit 62, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
PARIME TË PËRGJITHSHME
1. Procesi i përfitimit dhe përditësimit të njohurive shtesë synon aftësimin e nëpunësve civilë dhe pajisjen e tyre me njohuritë shtesë të nevojshme, sipas funksioneve dhe fushës ku ata veprojnë, me qëllim ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe të punës në institucionet e administratës publike, pjesë e shërbimit civil.
2. Ky proces përfshin testimin paraprak dhe, kur është e nevojshme, trajnimin e nëpunësve civilë për njohuritë e reja që prekin fushën e tyre. Në përfundim të trajnimit bëhet testimi me shkrim dhe intervistimi i tyre me gojë, në lidhje me njohuritë e përfituara gjatë trajnimit.
3. Objektivat kryesorë të këtij procesi janë:
a) Përcaktimi i përshtatshmërisë së nëpunësit civil me pozicionin e punës që ai mban;
b) Zbulimi i aftësive të tij/saj për zhvillimin profesional;
c) Përcaktimi i nevojave për trajnime shtesë.
KREU II
KATEGORIZIMI/GRUPIMI I NËPUNËSVE CIVILË
1. Çdo nëpunës civil është i detyruar t’i nështrohet, periodikisht, testimit paraprak dhe, kur është e nevojshme, procedurës së trajnimit, sipas këtij vendimi, çdo 4 vjet, dhe, kur nuk është e mundur, ky vlerësim mund të shtyhet deri në 6 vjet.
2. Departamenti i Administratës Publike, në bashkëpunim me njësitë e burimeve njerëzore të institucioneve të administratës shtetërore dhe me njësitë përgjegjëse të institucioneve të pavaruara, brenda muajit prill, të çdo viti, harton listat e nëpunësve që do t’i nënshtrohen, çdo vit, kësaj procedure.
3. Nuk i nënshtrohen kësaj procedure:
a) nëpunësit civilë në periudhë prove;
b) nëpunësit civilë, të cilët janë të pezulluar;
c) nëpunësit civilë, të cilët janë me leje lindjeje.
4. Nëpunësit civilë, sipas shkronjave “b” e “c”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi, i nënshtrohen kësaj procedure 1 vit pas sistemimit të tyre në një pozicion pune apo përfundimit të lejes së lindjes.
5. Njësitë përgjegjëse të institucioneve të pavaruara, për nëpunësit civilë që do t’i nështrohen kësaj procedure, duhet të vënë në dispozicion të DAP-it edhe dosjet personale të nëpunësve, me përshkrimet e pozicioneve të tyre të punës.
6. Brenda muajit maj, të çdo viti, DAP-i, pasi ka përfunduar hartimin e listave, sipas pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi, bazuar në dosjet e nëpunësve dhe në përshkrimet e pozicioneve të tyre të punës, bën ndarjen e tyre në kategori dhe grupe të përbashkëta. Në këto kategori/grupe marrin pjesë nëpunësit që kanë përshkrime të pozicioneve të punës të njëjta/përafërta.
KREU III
TESTIMI PARAPRAK
1. Nëpunësit civilë, të grupuar sipas kreut II, të këtij vendimi, i nënshtrohen procedurës së testimit paraprak.
2. Testimi paraprak duhet të përfshijë të gjitha ndryshimet dhe të rejat që i përkasin fushës përkatëse, sipas kategorisë/grupimit që i përket nëpunësi civil. Ndryshimet dhe të rejat, që do të jenë pjesë e testimit për secilën kategori/grupin, përcaktohen nga DAP-i, në bashkëpunim me institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e pavarura, në përputhje me profilin përkatës.
3. DAP-i, në bashkëpunim me ASPA-n përcakton datën e testimit paraprak për çdo kategori/grupim dhe njofton njësitë e burimeve njerëzore të institucioneve, të paktën, një muaj përpara datës së zhvillimit të testimit.
4. Nëpunësit, që do t’i nënshtrohen testimit paraprak, njoftohen nga njësia e burimeve njerëzore të institucionit ku ata janë të punësuar, të paktën, një muaj përpara datës së përcaktuar për zhvillimin e testimit.
5. Nëpunësit civil i vihet në dispozicion, nëpërmjet publikimit në faqen e internetit të ASPA-s, fusha e njohurive, mbi bazën e së cilës do të zhvillohet testimi, dhe materialet ose referencat përkatëse, të paktën, 20 (njëzet) ditë përpara zhvillimit të testimit.
6. Testimi paraprak i nëpunësve civilë realizohet nga një komision vlerësimi paraprak (KVP), i cili përbëhet nga pesë anëtarë, si më poshtë vijon:
a) një përfaqësues nga DAP-i, për institucionet e administratës shtetërore, ose njësia përgjegjëse, për institucionet e pavarura, i cili kryeson komisionin;
b) një përfaqësues nga ASPA;
c) një anëtar nga TND-ja, i cili zgjidhet nga DAP-i;
ç) dy ekspertë të fushës.
7. Ekspertët zgjidhen nga DAP-i/njësia përgjegjëse për institucionet e pavarura, për secilin KVP, duke patur në konsideratë karakteristikat e secilit grup nëpunësish për të cilët do të zhvillohet procedura e vlerësimit.
8. Ekspertët zgjidhen nga pedagogët e universiteteve apo institucioneve të tjera të arsimit të lartë, ekspertët e licencuar të fushave të ndryshme, ekspertët që vijnë nga profesionet e rregulluara apo profesionistë të shquar. Ekspertët duhet të kenë, të paktën, 5 (pesë) vjet eksperiencë në atë pozicion pune/profesion.
9. Në rast mospranimi apo largimi të parakohshëm të një eksperti, ai zëvendësohet nga DAP-i/njësia përgjegjëse për institucionet e pavarura, me një ekspert tjetër të së njëjtës fushë.
10. Ekspertët pjesëmarrës në KVP shpërblehen me shumën prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh për çdo procedurë. Të gjitha shpenzimet përballohen, respektivisht, nga buxheti i DAP-it, për institucionet e administratës shtetërore, dhe nga buxheti i institucioneve të pavarura, për personelin e tyre.
11.  Në rast se anëtarët e përcaktuar në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 6, të kreut III, të këtij vendimi, janë në kushtet e pamundësisë ligjore për të qenë anëtarë të KVP-së ose, në mënyrë të pajustifikuar, nuk marrin pjesë në KVP, ata zëvendësohen me nëpunës të tjerë të të njëjtit institucion, nga organet e emërtesës.
12. Sistemi i vlerësimit bazohet në:
a) testimin me shkrim, i cili ka 70 pikë;
b) intervistën me gojë, e cila ka 30 pikë.
13. KVP-ja, bazuar në fushën e njohurive për të cilat do të zhvillohet testimi, përgatit pyetjet për testimin me shkrim dhe për intervistën me gojë.
14. Për vlerësimin e rezultateve për secilin nëpunës, secili prej anëtarëve jep pikët e tij. Në përfundim, pikët mblidhen dhe më pas nxirret mesatarja e përgjithshme, e cila përbën edhe vlerësimin përfundimtar të kandidatit.
15. KVP-ja, brenda 2 ditëve nga përfundimi i procedurës së vlerësimit, duhet të shpallë rezultatet, sipas kësaj skeme:
a) 90 – 100 pikë, “shumë mirë”;
b) 70 – 89 pikë, “mirë”;
c) 51 – 69 pikë, “kënaqshëm”
ç) 0 – 50 pikë, “jo kënaqshëm”.
16. Nëpunësit që janë vlerësuar “shumë mirë” konsiderohen të përshtatshëm për pozicionin e punës që kanë dhe rekomandohen për ngritje në detyrë, në rast se aplikojnë në një procedurë të tillë konkurrimi. Ata nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen procedurës së trajnimit.
17. Nëpunësit që janë vlerësuar “mirë” konsiderohen të përshtatshëm për pozicionin e punës ku janë caktuar. Ata nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen procedurës së trajnimit.
18. Nëpunësit që janë vlerësuar “kënaqshëm” konsiderohen të përshtatshëm për pozicionin e punës ku janë caktuar, me kushtin që të ndjekin programe trajnimi të vazhdueshme, të cilat synojnë plotësimin e dobësive që kanë shfaqur gjatë kësaj procedure.
19. Përcaktimi i fushave ku duhet të trajnohen nëpunësit e përcaktuar sipas pikës 18, të kreut III, të këtij vendimi, bëhet nga eprori direkt, në bashkëpunim me njësinë përgjegjëse. Ndjekja e programeve vazhduese duhet të realizohet brenda një viti, nga përfundimi i procedurës së testimit paraprak.
20. Programi i trajnimit, për këta nëpunës, hartohet nga ASPA, bazuar në raportin e KVP-së dhe në rekomandimet e DAP-it. Ky program miratohet nga bordi i ASPA-s.
21. Në përfundim të këtyre trajnimeve nëpunësit nuk u nënshtrohen testimeve të reja.
22. Nëpunësit që janë vlerësuar “jokënaqshëm” konsiderohen jo të përshtatshëm për pozicionin e punës ku janë caktuar. Ata janë të detyruar të ndjekin trajnimin pranë ASPA-s për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë, sipas kreut IV, të këtij vendimi.
KREU IV
ORGANIZIMI I TRAJNIMEVE
1. Nëpunësit e vlerësuar “jokënaqshëm”, në procedurën e parë të vlerësimit, i nënshtrohen një periudhe vlerësimi 3-mujore, nga eprori direkt, si dhe procedurës së trajnimit për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë, pranë ASPA-s.
2. Procedura e vlerësimit 3-mujor bëhet sipas rregullave dhe formave që parashikon vendimi i Këshillit të Ministrave për vlerësimin e rezultateve në punë. Në përfundim të kësaj procedure, nëpunësi duhet të jetë vlerësuar, të paktën, “kënaqshëm”.
3. Në varësi të kategorive/grupeve, ASPA, në bashkëpunim dhe bazuar në rekomandimet e DAP-it, harton programet e trajnimit për nëpunësit e vlerësuar “jokënaqshëm” në përfundim të procedurës së testimit, të përcaktuar në kreun III, të këtij vendimi.
4. Këto programe duhet të përfshijnë të gjitha ndryshimet dhe të rejat që u përkasin fushave përkatëse, sipas kategorisë/grupimit që do t’i nënshtrohet trajnimit. Programet dhe mënyra e zhvillimit të tyre miratohen nga bordi i ASPA-s dhe duhet të zgjatin nga 10 deri në 20 ditë. ASPA njofton njësitë e burimeve njerëzore të institucioneve për datat e zhvillimit të trajnimit, të paktën, një muaj përpara datës së fillimit të trajnimit.
5. Nëpunësit që do t’i nënshtrohen trajnimit njoftohen nga njësia e burimeve njerëzore të institucionit ku janë të punësuar, të paktën, një muaj përpara datës së përcaktuar për fillimin e trajnimit.
6. Nëpunësit civil i vihet në dispozicion programi i trajnimit dhe materialet përkatëse, një javë përpara fillimit të trajnimit.
7. Trajnimi organizohet sipas programit e afatit të miratuar dhe prezantohet nga lektorët e përzgjedhur nga ASPA. Pagesa për hartimin e programeve dhe orët e mësimdhënies përcaktohen sipas akteve që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike dhe trajnimeve të realizuara prej saj.
8. Pjesëmarrja e nëpunësve civilë në trajnim është e detyrueshme, në masën 75 (shtatëdhjetë e pesë) për qind. Mosrespektimi i kësaj dispozite sjell skualifikimin e nëpunësit nga trajnimi.
9. Në rast skualifikimi, nëpunësi civil është i detyruar të ndjekë nga fillimi trajnimin përkatës, por brenda periudhës së përcaktuar në pikën 1, të kreut II, të këtij vendimi.
10. Me përfundimin e trajnimit, nëpunësi i nënshtrohet testimit nga komisioni i vlerësimit.
11. Testimi i nëpunësve civilë që kanë përfunduar trajnimin realizohet nga komisioni i vlerësimit (KV), i cili përbëhet nga pesë anëtarë, si më poshtë vijon:
a) një përfaqësues nga DAP-i, për institucionet e administratës shtetërore, ose njësia përgjegjëse për institucionet e pavarura, i cili kryeson komisionin;
b) një përfaqësues nga ASPA;
c) një anëtar nga TND-ja, që zgjidhet nga DAP-i;
ç) dy ekspertë të fushës.
12.  Procedurat e përcaktimit të ekspertëve të KV-së, zëvendësimit e pagesës së tyre si dhe procedurat e zëvendësimit të anëtarëve të tjerë të KV-së, janë të njëjta me ato të përcaktuara në pikat 7, 8, 9, 10 e 11, të kreut III, të këtij vendimi.
13. Sistemi i vlerësimit bazohet në:
a) testimin me shkrim, i cili ka 70 pikë;
b) intervistën me gojë, e cila ka 30 pikë.
14. Komisioni i vlerësimit, bazuar në programin e trajnimit që ka zhvilluara kategoria/grupi, përgatit pyetjet, për testimin me shkrim dhe për intervistën me gojë, të cilave do t’u nështrohen nëpunësit civilë.
15. Për vlerësimin e rezultateve për secilin nëpunës, secili prej anëtarëve jep pikët e tij. Në përfundim, pikët mblidhen dhe më pas nxirret mesatarja e përgjithshme, e cila përbën edhe vlerësimin përfundimtar të kandidatit.
16. Komisioni i vlerësimit, brenda 2 ditëve, nga përfundimi i procedurës së vlerësimit, duhet të shpallë rezultatet, sipas kësaj skeme:
a) 90 – 100 pikë, “shumë mirë”;
b) 70 – 89 pikë, “mirë”;
c) 51 – 69 pikë, “kënaqshëm”
ç) 0 – 50 pikë, “jo kënaqshëm”.
17. Nëpunësit që janë vlerësuar “shumë mirë” dhe “mirë” konsiderohen të përshtatshëm për pozicionin e punës që kanë.
18. Nëpunësit që janë vlerësuar “kënaqshëm” konsiderohen të përshtatshëm për pozicionin e punës ku janë caktuar, me kushtin që të ndjekin programe trajnimi të tjera, të cilat synojnë plotësimin e dobësive që kanë shfaqur gjatë kësaj procedure.
19. Përcaktimi i fushave ku duhet të trajnohen nëpunësit e përcaktuar sipas pikës 18, të kreut IV, të këtij vendimi, bëhet nga KV-ja. Programi i trajnimit për këta nëpunës hartohet nga ASPA, bazuar në raportin e KV-së dhe në rekomandimet e DAP-i. Ky program miratohet nga bordi i ASPA-s.
20. Në përfundim të këtyre trajnimeve nëpunësit nuk i nështrohen testimeve të reja.
21. Nëpunësit që janë vlerësuar “jokënaqshëm” konsiderohen se nuk e kanë kaluar testimin pranë KV-së.
22. Në përfundim të procedurave të mësipërme, bazuar në rezultatet e testimit të realizuar nga KV-ja dhe në rezultatet e vlerësimit 3-mujor, eprori direkt vendos përshtatshmërinë ose jopërshtatshmërinë e nëpunësit civil në pozicionin e punës.
23. Në rast se nëpunësi vlerësohet jo i përshtatshëm, atëherë njësia e burimeve njerëzore deklaron përfundimin e marrëdhënieve në Shërbimin Civil.
KREU V
VLERËSIMI I NËPUNËSVE CIVILË SIPAS TESTEVE TË NJOHURA NDËRKOMBËTARISHT
1. Vlerësimi i nëpunësve civilë për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë mund të bëhet edhe nga shoqëri private, mbi bazën e programeve dhe testimeve të njohura ndërkombëtarisht.
2. Për këtë qëllim, ASPA, pasi ka marrë miratimin e DAP-it, lidh marrëveshje me shoqëritë private, të cilat ofrojnë trajnime dhe testime të njohura ndërkombëtarisht dhe që mbulojnë fushën e veprimtarisë së nëpunësit.
6. Hapja e procedurës dhe vlerësimi i ofertave për këtë procedurë bëhet sipas legjislacionit për prokurimin publik.
KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT
1. Ky vendim i shtrin efektet nga data 1 janar 2016.
2. Shkolla Shqiptare e Administratës Publike dhe Departamenti i Administratës Publike, brenda vitit 2015, detyrohen të krijojnë infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T  R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZBATIMI I MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS POPULLORE TË KINËS, “MBI RECIPROCITETIN E GODINAVE KU AKOMODOHEN PËRFAQËSIA DIPLOMATIKE E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, NË PEKIN, DHE PËRFAQËSIA DIPLOMATIKE E REPUBLIKËS POPULLORE TË KINËS, NË TIRANË”, NËNSHKRUAR MË 10.4.1960
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 8, shkronja “a”, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të ligjin nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës, “Mbi reciprocitetin e godinave ku akomodohen përfaqësia diplomatike e Republikës së Shqipërisë, në Pekin, dhe përfaqësia diplomatike e Republikës Popullore të Kinës, në Tiranë”, nënshkruar më 10.4.1960.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur  këtij vendimi, për pasurinë tokë “truall”, me sipërfaqe 8 223.8 (tetë mijë e dyqind e njëzet e tre pikë tetë) m2, dhe vlerë 197 001 129.5  (njëqind e nëntëdhjetë e shtatë milionë e një mijë e njëqind e njëzet e nëntë pikë pesë) lekë.
4. Vlera e shpronësimit, prej 197 001 129.5  (njëqind e nëntëdhjetë e shtatë milionë e një mijë e njëqind e njëzet e nëntë pikë pesë) lekësh, të përballohet nga llogaria e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë, zëri “Fondi i shpronësimeve”, për vitin 2016.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 800 000 (tetëqind mijë) lekë, të përballohen nga Ministria e Punëve të Jashtme.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Brenda 30 (tridhjetë) ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, të kryejnë regjistrimin e pasurisë së cituar në pikën 1, në favor të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
8. Pronarët e pasurive, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga  ZVRPP-ja”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Financave, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë për zbatimin e këtij  vendimi.
       Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË  PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I INFRASTRUKTURËS SË BLLOKUT 61, QË KUFIZOHET NGA RRUGA “QEMAL STAFA” DHE RRUGA E “PLANIT RREGULLUES”, SI DHE “NDËRTIMI DHE MOBILIMI URBAN I SIPËRFAQEVE TË ZONËS 61/1”, NË BASHKINË  E TIRANËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21 të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes public”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i infrastrukturës së bllokut 61, që kufizohet nga rruga “Qemal Stafa” dhe rruga e “Planit rregullues”, si dhe “Ndërtimi dhe mobilimi urban i sipërfaqeve të zonës 61/1”, në Bashkinë e Tiranës, sipas listës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen sipas vlerave përkatëse të listës bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen “truall”, prej 10 447.46 (dhjetë mijë e katërqind e dyzet e shtatë pikë dyzet e gjashtë) m², në vlerën 222 520 451 (dyqind e njëzet e dy milionë e pesëqind e njëzet mijë e katërqind e pesëdhjetë e një) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 222 520 451 (dyqind e njëzet e dy milionë e pesëqind e njëzet mijë e katërqind e pesëdhjetë e një) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia e Tiranës.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit, në Bashkinë e Tiranës, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë truall, prej 10 447.46 (dhjetë mijë e katërqind e dyzet e shtatë pikë dyzet e gjashtë) m², për projektin “Leje ndërtimi për infrastrukturën e bllokut 61, që kufizohen nga rruga “Qemal Stafa” dhe rruga e “Planit rregullues”, si dhe “Ndërtimi dhe mobilimi urban i sipërfaqeve të zonës 61/1”, në Bashkinë e Tiranës, të bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia e Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA RIKONSTRUKSIONI I RRUGËVE TË BLLOKUT 59  QË KUFIZOHET NGA BULEVARDI “BAJRAM CURRI, RRUGA  “ALI DEMI” DHE RRUGA E “PLANIT RREGULLUES”,  NË BASHKINË E TIRANËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga rikonstruksioni i rrugëve të bllokut 59 që kufizohet nga bulevardi “Bajram Curri, rruga “Ali Demi” dhe rruga e “Planit rregullues”, në Bashkinë e Tiranës, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen, sipas vlerës përkatëse për sipërfaqen prej 1 080.2 (një mijë e tetëdhjetë pikë dy) m² truall, në vlerën e përgjithshme të shpronësimit 44 059 821.2 (dyzet e katër milionë e pesëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e njëzet e një pikë dy) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 44 059 821.2 (dyzet e katër milionë e pesëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e njëzet e një pikë dy) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia e Tiranës.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit, në Bashkinë e Tiranës, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë 1 080.2 (një mijë e tetëdhjetë pikë dy) m² truall, për rikonstruksionin e rrugëve të bllokut 59, që kufizohet nga bulevardi “Bajram Curri, rruga “Ali Demi” dhe rruga e “Planit rregullues”, bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit te Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia e Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.408,  DATË 13.5.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË ZHVILLIMIT TË TERRITORIT”,  TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.107/2014, datë 31.7.2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin e rregullores së zhvillimit të territorit, miratuar me vendimin nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 9, të nenit 25, pas fjalëve “… dokumenti i lejes …” shtohen  “… sipas shtojcës C të këtij vendimi …”.
2. Në tekstin e shtojcës C të rregullores, fjalët “Kryetari i bashkisë/KKT” zëvendësohen me “Kryetari i bashkisë/Sekretari i KKT-së”.
3. Në nenin 45, shkronja “c” zëvendësohet me fjalitë, si më poshtë vijon:
“Për objektet mbi 6 kate, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të këtij neni, leja e ndërtimit jepet nga autoriteti vendor përgjegjës pas kontrollit paraprak pa vërejtje të Këshillit Kombëtar të Territorit, brenda 10 (dhjetë) ditëve, lidhur me përputhshmërinë me instrumentet kombëtare dhe/ose vendore të planifikimit në proces. Me kalimin e afatit 10-ditor, pa vërejtje nga Këshilli Kombëtar i Territorit, kontrolli i përputhshmërisë konsiderohet i përfunduar pozitivisht dhe kërkesa për leje shqyrtohet nga autoriteti vendor përgjegjës.
Ngarkohen ZVRPP-të përkatëse për të pasqyruar/regjistruar në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme ndryshimet e ndodhura në kategoritë e resurseve, që vijnë si pasojë e miratimit të dokumenteve të planifikimit të territorit sipas këtij neni dhe vendimit nr.5, datë 29.12.2014, të Këshillit Kombëtar të Territorit për miratimin e zonave të urbanizuara të territorit. Certifikata e pronësisë e përditësuar si më sipër i lëshohet pronarit të pasurisë së paluajtshme, me kërkesë të këtij të fundit”.”
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.