Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave 18 Nëntor 2015
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.153, DATË 7.4.2000, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË ZBATIMIT TË KODIT RRUGOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 114, 115, 115/1, 117, 119 e 120, të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, miratuar me vendimin nr.153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Neni 291 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“Neni 291
1. Për drejtimin e motomjeteve të kategorisë A, kandidati duhet të ketë, minimumi, dy vjet eksperiencë në drejtimin e motomjeteve të kategorisë A2.
2. Plotësimi i kërkesave fizike dhe psikike, siç përmenden në pikën 1, të nenit 114, vërtetohet me lëshimin e certifikatave mjekësore, sipas nenit 309, të kësaj rregulloreje.
3. Dëshmia e veçantë, e përmendur në nenet 114, pika 2, shkronja “b”, dhe 117, pika 6, shkronjat “b” deri në “dh”, të Kodit Rrugor, është në përputhje me modelin IV.1, që është pjesë përbërëse e rregullores.”.
2. Pika 1, në nenin 292, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ 1. Lejedrejtimi, sipas modelit të Bashkimit Evropian, është modeli IV2/A, që është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
Kodet, që përmbajnë informacione shtesë ose kufizime, të cilat vihen në krah të numrit 12, në anën e pasme të lejes së drejtimit, do të jenë si më poshtë:
Kodet 01 deri 99 (kodet e harmonizuara të Bashkimit Evropian):
Drejtuesi i mjetit (Arsyet mjekësore)
01. Korrigjim i shikimit dhe/ose mbrojtje
01.01 Syze;
01.02 Lente kontakti;
01.03 Syze mbrojtëse;
01.04 Lente të errëta;
01.05 Mbrojtje syri;
01.06 Syze ose lente kontakti.
02. Ndihma dëgjimore/ndihma komunikuese
02.01 Ndihmë dëgjimore për njërin vesh;
02.02 Ndihmë dëgjimore për të dy veshët.
03. Proteza/ortoza për gjymtyrët
03.01 Proteza/ortoza për gjymtyrët e sipërme;
03.02 Proteza/ ortoza për gjymtyrët e poshtme.
05. Përdorim i kufizuar (përdorimi i nënkodit i detyrueshëm, drejtimi i mjetit i kufizuar për arsye mjekësore)
05.01 I kufizuar në udhëtime gjatë ditës (psh: një orë pas agimit dhe një orë para perëndimit);
05.02 I kufizuar në udhëtime, brenda një rrezeje prej … km nga vendbanimi i zotëruesit ose vetëm brenda qytetit/rajonit;
05.03 Drejtim i mjetit pa pasagjerë;
05.04 I kufizuar në udhëtime me shpejtësi jo më të madhe se … km/h
05.05 Drejtim i autorizuar vetëm kur shoqërohet nga një zotërues i një lejeje drejtimi;
05.06 Pa rimorkio;
05.07 Ndalim drejtimi në autostrada;
05.08 Ndalohet përdorimi i alkoolit.
Modifikimet e mjetit
10. Kutia e shpejtësisë e modifikuar
10.01 Kuti shpejtësie manuale;
10.02 Kuti shpejtësie automatike;
10.03 Kuti shpejtësie që operon me elektronikë;
10.04 Leva e ndërrimit të marsheve e përshtatur;
10.05 Pa kuti shpejtësie dytësore.
15. Friksion i modifikuar
15.01 Leva e ndërrimit të marsheve e modifikuar;
15.02 Friksion manual;
15.03 Friksion automatik;
15.04 Ndarja e pedalit të friksionit përpara/i palosshëm/i shkëputur.
20. Sistemet e frenimit të modifikuara
20.01 Pedali i frenave i modifikuar;
20.02 Pedali i frenave i zmadhuar;
20.03 Pedali i frenave i përshtatur për përdorim nga këmba e majtë;
20.04 Pedali i frenave për përdorim me shputë këmbe;
20.05 Pedali i frenave i pjerrët;
20.06 Shërbimi i frenave manual (të përshtatura);
20.07 Përdorim maksimal i shërbimit të frenave të përforcuara;
20.08 Përdorim maksimal i frenave të emergjencës, të integruara në shërbimin e frenave;
20.09 Frena parkimi të përshtatura;
20.10 Frena parkimi elektronike;
20.11 Frena parkimi me këmbë (të përshtatura);
20.12 Ndarja e pedalit të frenave përpara/i palosshëm/i shkëputur;
20.13 Frena që operojnë me gju;
20.14 Shërbimi i frenave elektronik.
25. Sisteme të modifikuara përshpejtimi
25.01 Pedal i përshpejtimit i përshtatur;
25.02 Pedali i përshpejtimit për përdorim me shputë këmbe;
25.03 Pedali i përshpejtimit i pjerrët;
25.04 Pedali i përshpejtimit manual;
25.05 Pedali i përshpejtimit me gju;
25.06 Pedal përshpejtimi ndihmës (elektronik, pneumatik, etj.);
25.07 Pedali i përshpejtimit në të majtë të pedalit të frenave;
25.08 Pedali i përshpejtimit në të majtë;
25.09 Ndarja e pedalit të përshpejtimit përpara/ i palosshëm/ i shkëputur
30.Sisteme të kombinuara frenimi dhe përshpejtimi të përshtatura
30.01 Pedale paralele;
30.02 Pedale në (ose pothuajse në) të njëjtin nivel;
30.03 Pedal përshpejtimi dhe frena me rrëshqitje;
30.04 Pedal përshpejtimi dhe frena me rrëshqitje dhe me ortozë;
30.05 Pedale përshpejtimi dhe frenimi të palosshëm/të shkëputur;
30.06 Dysheme e ngritur;
30.07 Ndarje në anën e pedalit të frenave;
30.08 Ndarje për protezë në anën e pedalit të frenave;
30.09 Ndarje përpara pedaleve të përshpejtimit dhe frenave;
30.10 Mbështetje thembre/këmbe;
30.11 Pedal përshpejtimi dhe frenash elektrik.
35. Mekanizmat e kontrollit të përshtatura (çelësat e dritave, fshirëse xhami, boria, treguesit e drejtimit, etj.)
35.01 Mekanizmat e kontrollit që veprojnë pa ndikimin negativ në timon dhe manovrim;
35.02 Mekanizmat e kontrollit që veprojnë pa lёshuar timonin dhe aksesorët (dorezë, pirun, etj.);
35.03 Mekanizmat e kontrollit që veprojnë pa timonin dhe aksesorët (dorezë, pirun, etj.) me dorën e majtë;
35.04 Mekanizmat e kontrollit që veprojnë pa timonin dhe aksesorët (dorezë, pirun, etj.) me dorën e djathtë;
35.05 Mekanizmat e kontrollit që veprojnë pa lёshuar timonin dhe aksesorët (dorezë, pirun, etj.) dhe kombinimi i pёrshpejtimit dhe mekanizmit tё frenimit.
40. Timon i përshtatur
40.01 Timon ndihmës standard;
40.02 Timon ndihmës i përforcuar;
40.03 Timon me sistem rezervë;
40.04 Boshti i timonit i zgjatur;
40.05 Timon i përshtatur (zona e timonit më e madhe dhe/ose më e trashë, timon me diametër të zvogëluar, etj.);
40.06 Timon i pjerrët;
40.07 Timon vertikal;
40.08 Timon horizontal;
40.09 Drejtim me këmbë;
40.10 Timon alternativ i përshtatur (levë, etj.);
40.11 Dorezë mbi timon;
40.12 Ortozë dore mbi timon;
40.13 Ortozë dorё dhe kyç.
42. Pasqyra me pamje nga prapa të përshtatura
42.01 Pasqyrë e jashtme, me pamje nga prapa, në anën e djathtë apo të majtë;
42.02 Pasqyrë e jashtme, me pamje nga prapa, e vendosur me krah;
42.03 Pasqyrë e brendshme shtesë, me pamje nga prapa, që lejon pamjen e trafikut;
42.04 Pasqyrë e brendshme panoramike, me pamje nga prapa;
42.05 Pasqyrë për vendet e padukshme, me pamje nga prapa;
42.06 Pasqyra të jashtme elektrike, me pamje nga prapa;
43. Ndenjësja e drejtuesit e përshtatur
43.01 Ndenjësja e drejtuesit në një lartësi me pamje të mirë dhe në distancë normale nga timoni dhe pedali;
43.02 Ndenjësja e drejtuesit e përshtatur sipas formës së trupit;
43.03 Ndenjësja e drejtuesit me mbështetje anësore për qëndrueshmëri të mirë në qëndrimin ulur;
43.04 Ndenjësja e drejtuesit me krahë;
43.05 Zgjatja e ndenjëses së drejtuesit me rrëshqitje;
43.06 Rripi i sigurimit i përshtatur;
43.07 Rrip sigurimi i tipit parzmore.
44. Përshtatje të motorëve (përdorimi i nënkodeve i detyrueshëm)
44.01 Frena të vetme;
44.02 Frena dore (të përshtatura) (në rrotën e parë);
44.03 Frena këmbe (të përshtatura) (në rrotën e prapme);
44.04 Doreza e pedalit të përshpejtimit (e përshtatur);
44.05 Kutia e shpejtësisë manuale dhe friksion manual (të përshtatura);
44.06 Pasqyra me pamje nga prapa (të përshtatura);
44.07 Komanda (treguesit e drejtimit, dritat e frenimit, …) (të përshtatura);
44.08 Lartësia e ndenjëses që lejon drejtuesin në pozicionin ulur t’i ketë të dy këmbët në tokë në të njëjtën kohë.
45. Motorë me kosh
50. E kufizuar në një numër të veçantë mjeti/shasie (numri i identifikimit i mjetit, NIM)
51. E kufizuar në një targë të veçantë mjeti/mjet (numri i regjistrimit të mjetit, NRRM)
Çështjet administrative
70. Shkëmbimi i lejes Nr… lëshuar nga … (shenja dalluese BE/OKB në rast të një vendi të tretë; p.sh.: 70.0123456789.NL).
71.Përsëritja e lejes Nr… (shenja dalluese BE/OKB në rast të një vendi të tretë; p.sh.: 71.987654321.HR).
72. E kufizuar në mjetet e kategorisë A, që kanë një kapacitet maksimal prej 125 cc dhe fuqi maksimale prej 11 KV (A1).
73. E kufizuar në mjetet e kategorisë B, të tipit motomjete me 3 rrota simetrike apo mjete me katër rrota (B1).
74. E kufizuar në mjetet e kategorisë C, masa maksimale e autorizuar e të cilave nuk i kalon 7 500 kg (C1).
75. E kufizuar në mjetet e kategorisë D, me jo më shumë se 16 vende, duke përjashtuar vendin e drejtuesit (D1).
76. E kufizuar në mjetet e kategorisë C, masa maksimale e autorizuar e të cilave nuk i kalon 7 500 kg (C1), shoqëruar me një rimorkio, masa maksimale e autorizuar e së cilës i kalon 750 kg, duke u siguruar që masa maksimale e autorizuar e mjetit të formuar në këtë mënyrë nuk i kalon 12 000 kg dhe që masa maksimale e autorizuar e rimorkios nuk e kalon masën e pangarkuar të mjetit tërheqës (C1E).
77. E kufizuar në mjetet e kategorisë D, me jo më shumë se 16 vende pasagjerësh, duke përjashtuar vendin e drejtuesit (D1), shoqëruar me një rimorkio, masa maksimale e autorizuar e së cilës i kalon 750 kg, duke u siguruar që:
a) masa maksimale e autorizuar e mjetit të formuar në këtë mënyrë nuk i kalon 12 000 kg, dhe masa maksimale e autorizuar e rimorkios nuk e kalon masën e pangarkuar të mjetit tërheqës;
b) rimorkioja nuk përdoret për të transportuar pasagjerë (D1E).
78. E kufizuar për mjete me kuti shpejtësie automatike.
79. (…) E kufizuar për mjete që janë në përputhje me specifikimet e treguara në kllapa, në përmbajtjen e zbatimit të nenit 10(1), të Direktivës 91/439/EEC.
90.01:në të majtë.
90.02:në të djathtë.
90.03:e majta.
90.04:e djathta.
90.05:dorë.
90.06:këmbë.
90.07:e përdorshme.
95. Drejtuesi që zotëron CAP, në përputhje me detyrimin e aftësisë profesionale, të parashikuar nga Direktiva 2003/59/EC deri … [p.sh..: 95.01.01.2012].
96. Drejtuesi që ka përfunduar trajnimin apo që ka kaluar një test të aftësive dhe sjelljes për disa kombinime mjetesh.
Kodet 100 e sipër: kode kombëtare, janë të vlefshme vetëm për drejtimin e mjetit në territorin e Shqipërisë.
Kur kodi aplikohet për të gjitha kategoritë, për të cilat është lëshuar leja, atëherë ai mund të printohet poshtë kreve 9, 10 e 11, sipas modelit të lejes së drejtimit.
Në kuptim të njohjes së ndërsjellë të lejeve të drejtimit, barkodet duhet të përmbajnë ato informacione që mund të lexohen në lejen e drejtimit ose ato që janë kryesore në lëshimin e lejes së drejtimit.”.
3. Neni 293 shfuqizohet.
4. Neni 294 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 294
Tipi i certifikatave të aftësimit profesional
(Neni 115/1 i Kodit Rrugor )
“Certifikata e aftësimit profesional, lëshimi dhe modeli i saj, e përmendur në pikat 7 e 8, të nenin 115/1, lëshohet sipas udhëzimit të ministrit përgjegjës për transportin. Gjithashtu, në të jepen edhe karakteristikat e certifikatës së aftësimit profesional.”.
5. Pas nenit 294 shtohet neni 294/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 294/1
Lejedrejtimi i marrë për mjet me kuti shpejtësie automatike
Lejedrejtimi i marrë nëpërmjet provës praktike, me mjet me kuti shpejtësie automatike, i përmendur në pikën 2, të nenit 115/1, të Kodit Rrugor, lejon vetëm drejtimin e mjeteve të pajisura me kuti shpejtësie automatike.
Me mjet të pajisur me kuti shpejtësie automatike kuptohet një mjet në të cilin mungon pedali i friksionit ose leva manuale e friksionit.
Në lejedrejtimet e lëshuara në këto kushte, në fushën 12, të lejedrejtimit, përbri kategorisë, shënohet kodi 78, sipas kodeve të harmonizuara të BE-së.”.
6. Nenet 295 dhe 297 shfuqizohen.
7. Neni 302 ndryshon, si më poshtë vijon:
a) Pas pikës 1, të nenit 302, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1 Për qëllimin e zbatimit të normave minimale, që lidhen me aftësitë fizike dhe psiqike për drejtimin e automjetit, kandidatët ndahen në dy grupe:
Grupi 1 (kategoritë A, A1, A2, AM, B, B1 dhe BE)
Kandidatët duhet t’i nënshtrohen një kontrolli mjekësor nëse, gjatë plotësimit të formaliteteve të kërkuara ose gjatë provave, të cilave duhet t’u nënshtrohen para marrjes së lejedrejtimit, rezulton të jenë prekur nga një ose më shumë sëmundje, siç përcaktohet në nenin 303.
Grupi 2 (kategoritë C, CE, C1, C1E, D, DE, D1 dhe D1E)
Kandidatët duhet t’i nënshtrohen një kontrolli mjekësor para dhënies së lejedrejtimit dhe, më pas, drejtuesit duhet t’u nënshtrohen kontrolleve periodike.”.
b) Në fund të pikës 2, të nenit 302, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Gjendja shëndetësore e kandidatëve për lejedrejtim kontrollohet me ekzaminime mjekësore. Procedurat e kontrolleve mjekësore përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.”.
c) Pika 6, e nenit 302, shfuqizohet.
8. Shtojca I, e nenit 303, ndryshon me këtë përmbajtje:
“Shtojca I
“ 1. Sëmundjet kardiovaskulare.
Sëmundjet që mund të shfaqë kandidati ose drejtuesi me lëshimin apo rinovimin e një lejedrejtimi të mjetit ose një dëmtim i papritur i sistemit të tij kardiovaskular, i tillë që të provokojë një ndryshim të menjëhershëm të funksioneve të tij qendrore, formojnë një rrezik për sigurinë rrugore.
Leja e drejtimit të mjetit nuk i lëshohet ose i rinovohet kandidatit të prekur nga çrregullime të rënda të ritmit të zemrës.
Leja e drejtimit të mjetit nuk i lëshohet ose i rinovohet kandidatit apo drejtuesit të prekur nga Angina Pectoris, që manifestohet në gjendje qetësie (gjumi) ose emocionale.
Leja e drejtimit të mjetit i lëshohet ose i rinovohet kandidatit apo drejtuesit të grupeve 1 e 2, mbartës të pajisjes për normalizimin e ritmit kardiak, në bazë të mendimit të një mjeku të autorizuar dhe nën kontroll mjekësor, për një periudhë jo më të gjatë se dy vjet.
Leja e drejtimit të mjetit i lëshohet ose i rinovohet kandidatit apo drejtuesit të mjetit të grupeve 1 e 2, prekur nga Hipertensioni Arterial apo Infarkti i Miokardit, pas mendimit të një mjeku specialist të autorizuar, nën kontroll mjekësor, për një periudhë jo më të gjatë se dy vjet.
2. Diabeti
Leja e drejtimit të mjetit i lëshohet ose i rinovohet kandidatit apo drejtuesit të mjetit të Grupit 1, të prekur nga Diabeti Melitus, pas aprovimit të një mjeku specialist të autorizuar, nën kontroll mjekësor, për në periudhë jo më të gjatë se dy vjet.
Leja e drejtimit të mjetit nuk i lëshohet ose i rinovohet kandidatit apo drejtuesit të mjetit të Grupit 2, të prekur nga Diabeti Melitus, që trajtohet me insulinë.
Përjashtim mund të bëjnë raste të jashtëzakonshme, të justifikuara nga mendimi i një mjeku specialist të autorizuar, nën kontroll mjekësor, për një periudhë jo më të gjatë se dy vjet.
3. Sëmundjet neurologjike
Leja e drejtimit të mjetit nuk i lëshohet ose i rinovohet kandidatit apo drejtuesit të prekur nga një sëmundje neurologjike e rëndë, që paraqet çrregullime të ekuilibrit dhe bashkëveprimit, përveçse në rastet e aprovimit, lëshuar me shkrim nga një mjek specialist i autorizuar, pas kontrolleve mjekësore periodike dhe për një periudhë jo më të gjatë se dy vjet.
Kriza e epilepsisë dhe shqetësimet e tjera që shoqërohen me humbje të papritura të vetëdijes, kur shfaqen në momentin e drejtimit të mjetit, paraqesin rrezik të madh për sigurinë rrugore.
Leja e drejtimit të mjetit i lëshohet ose i rinovohet, për një periudhë jo më të gjatë se dy vjet, kandidatit ose drejtuesit të Grupit 1, i cili, pas kontrollit mjekësor periodik, të rregullt, me aprovim të mjekut specialist të autorizuar, nuk ka shfaqur asnjë krizë apo çrregullim të vetëdijes prej dy vjetësh, pavarësisht nga marrja e terapisë kundër epilepsisë.
Leja e drejtimit të mjetit nuk i lëshohet ose i rinovohet kandidatit apo drejtuesit të Grupit 2, i cili shfaq kriza epilepsie ose shqetësime të tjera të papritura, që mund të shoqërohen me humbje të vetëdijes.
4. Shqetësimet psikike
Leja e drejtimit të mjetit nuk i lëshohet ose i rinovohet kandidatit apo drejtuesit të Grupit 1, të prekur rëndë nga:
– shqetësime psikike, të pësuara ose të fituara si pasojë e një sëmundjeje, traume ose ndërhyrjeje neurokirurgjikale;
– prapambetje mendore;
– shqetësime të sjelljes nga plakja ose nga shqetësime të rënda të aftësisë së gjykimit, të sjelljes dhe të përshtatjes, që lidhen me personalitetin, përveç në rastet kur kërkesa është mbështetur nga një mjek specialist i autorizuar dhe nën kontroll mjekësor të rregullt, për afate kohore jo më shumë se dy vjet.
Autoriteti mjekësor kompetent duhet t’i japë rëndësinë e duhur rreziqeve ose dëmeve të tjera që lidhen me drejtimin e mjetit të kandidatit ose drejtuesit të Grupit 2.
5. Alkooli
Leja e drejtimit të mjetit nuk i lëshohet ose i rinovohet kandidatit apo drejtuesit në gjendje të varësisë ndaj alkoolit apo që nuk mund të ndajë drejtimin e mjetit nga konsumi i alkoolit.
Leja e drejtimit të mjetit i lëshohet ose i rinovohet kandidatit apo drejtuesit të Grupit 1, në gjendje varësie ndaj alkoolit, në përfundim të një periudhe gjashtëmujore të asistencës mjekësore, nga një mjek specialist i autorizuar.
Autoriteti mjekësor kompetent duhet t’i japë rëndësinë e duhur rreziqeve ose dëmeve të tjera, që lidhen me drejtimin e mjetit të kandidatit ose drejtuesit të Grupit 2.
6. Drogat dhe substancat medicinale
Leja e drejtimit të mjetit nuk i lëshohet ose i rinovohet kandidatit apo drejtuesit të mjetit në gjendje varësie ndaj substancave psikotrope ose që, edhe pse nuk është i ndërvarur, abuzon rregullisht me to, cilado qoftë kategoria e lejes së drejtimit të kërkuar.
Leja e drejtimit të mjetit nuk i lëshohet ose i rinovohet kandidatit apo drejtuesit të mjetit të Grupit 1, që konsumon rregullisht substanca psikotrope, të çfarëdo forme, të afta të kompromentojnë aftësinë e tij për të drejtuar mjetin pa rrezik, në rastin në të cilin sasia e marrë është e tillë sa të ketë një ndikim fatal mbi aftësinë e drejtimit të mjetit.
Autoriteti mjekësor kompetent duhet t’i japë rëndësinë e duhur rreziqeve ose dëmeve të tjera që lidhen me drejtimin e mjetit të kandidatit ose drejtuesit të Grupit 2.
7. Sëmundjet e aparatit urogjenital
Leja e drejtimit të mjetit nuk i lëshohet ose i rinovohet kandidatit apo drejtuesit të Grupit 1, që vuan nga insuficienca e rëndë renale, pa marrjen e mendimit të një mjeku të autorizuar dhe me kusht që i interesuari t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor periodik.
Leja e drejtimit të mjetit nuk i lëshohet ose i rinovohet kandidatit apo drejtuesit të Grupit 2, që vuan nga insuficienca e rëndë renale e pakthyeshme, përveçse në raste të jashtëzakonshme, të justifikuara nga mendimi i një mjeku të autorizuar dhe me kontroll mjekësor të rregullt.
8. Të tjera
Leja e drejtimit të mjetit i lëshohet ose i rinovohet kandidatit apo drejtuesit të Grupit 1, që ka pësuar një trapiant organi ose transplatim artificial, i cili ndikon në përshtatshmërinë e drejtimit të mjetit, pas marrjes së mendimit të një mjeku të autorizuar dhe, sipas rastit, kontrollit mjekësor të rregullt.
Autoriteti mjekësor kompetent duhet t’i japë rëndësinë e duhur rreziqeve ose dëmeve shtesë që lidhen me drejtimin e mjetit të kandidatëve ose drejtuesve të Grupit 2.
Në përgjithësi, leja e drejtimit të mjetit nuk i lëshohet ose i rinovohet kandidatit apo drejtuesit të prekur nga një sëmundje e papërmendur në paragrafët e mësipërm, e cila mund të formojë ose të përcaktojë një paaftësi funksionale, të tillë sa të kompromentojë sigurinë rrugore, në momentin e drejtimit të mjetit, përveçse në rastin kur kërkesa është e mbështetur nga mendimi i një mjeku të autorizuar dhe, eventualisht, nën kontroll mjekësor të rregullt.”.
9. Neni 304 ndryshon, me këtë përmbajtje:
“Neni 304
1. Leja e drejtimit të mjetit nuk u jepet ose u rinovohet kandidatëve ose drejtuesve, të cilët janë prekur nga sëmundje ose anomali të sistemit lokomotor, që i bëjnë të rrezikshëm për drejtimin e një mjeti me motor.
2. Leja e drejtimit të mjetit u jepet, me kushte kufizuese, kandidatëve ose drejtuesve të Grupit 1, me aftësi të kufizuara, me aprovimin e komisionit mjekësor. Vendimi do të bazohet mbi një vlerësim mjekësor të specialistit të sëmundjes dhe të anomalisë, me shkrim, dhe pas një prove praktike, i plotësuar me tregimin e tipit të përshtatjes me të cilën duhet të pajiset mjeti, por dhe nevojën ose jo të përdorimit të aparatit ortopedik, gjithnjë nëse nga prova e kontrollit të aftësive dhe të sjelljes rezulton se, me këto mjete, drejtimi i tij nuk është i rrezikshëm.
3. Leja e drejtimit u jepet ose u rinovohet kandidatëve të Grupit 1, të prekur nga sëmundje përparuese të aparatit lokomotor, me kushtin që i interesuari t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor periodik, në një periudhë jo më të gjatë se dy vjet, për t’u siguruar se është gjithnjë i aftë të drejtojë mjetin me siguri të plotë.
4. Për Grupin 2, të kandidatëve apo të drejtuesve të mjeteve, sipas nenit 302, autoriteti mjekësor kompetent duhet t’i japë rëndësinë e duhur rreziqeve të tjera shtesë, në lidhje me drejtimin e mjetit për këtë grup.”.
10. Neni 305 ndryshon me këtë përmbajtje:
“Neni 305
1. Kandidati për leje drejtimi të mjetit duhet t’i nënshtrohet kontrolleve përkatëse, për t’u siguruar për përputhshmërinë e mprehtësisë së shikimit në drejtimin e mjetit me motor, fushën pamore, qartësinë e vështrimit dhe evidentimin e sëmundjeve progresive të syve. Lentet intraokulare nuk duhet të konsiderohen si lente korrektive.
2. Mprehtësia e shikimit të dyanshëm të kandidatit të Grupit 1, në momentin e marrjes ose rinovimit të lejes së drejtimit me lente korrektive, nëse është e nevojshme, nuk duhet të jetë më pak se 0,5, duke përdorur të dy sytë njëherazi. Leja për drejtimin e mjetit nuk duhet të jepet dhe as të rinovohet nëse, nga kontrolli mjekësor, rezulton se fusha e shikimit është më e vogël se 1200 në planin horizontal, përveç rasteve të jashtëzakonshme, të justifikuara qartësisht nga mjeku specialist dhe prova pozitive e praktikës. Nëse konstatohet një sëmundje progresive e syve, leja e drejtimit mund të lëshohet ose rinovohet vetëm nga komisioni mjekësor, me kusht që të shoqërohet nga kontrolle mjekësore periodike.
3. Kandidati për marrjen ose rinovimin e lejes së drejtimit, që ka një humbje funksionale, të përgjithshme, të pamjes në njërin sy ose që përdor vetëm një sy, si në rastin e diplopisë, duhet të ketë një mprehtësi shikimi prej, të paktën, 0,6, nëse nevojitet edhe me korrektim optik, me kusht që komisioni mjekësor të vërtetojë se ky kusht viziv monokular është i instaluar prej një periudhe kohe mjaft të gjatë, aq sa kandidati është përshatur dhe mprehtësia e shikimit nga ky sy është normal.
4. Kandidatët e Grupit 2, në momentin e marrjes dhe rinovimit të lejes së drejtimit duhet të zotërojnë një mprehtësi të pamjes të të dy syve, nëse duhet me korrektim optik, prej të paktën 0,8 për syrin më të shëndoshë dhe 0,5 për syrin më pak të shëndoshë. Nëse vlerat prej 0,8 dhe 0,5 janë arritur me korrektim optik, mprehtësia e pakorrektuar e çdo syri duhet të jetë e barabartë me 0,05 ose korrektimi i mprehtësisë minimale (0,8 dhe 0,5) duhet të arrihet me lente, fuqia e të cilave nuk duhet të kalojë, pak a shumë, 8 dioptri, apo me ndihmën e lenteve kontakt (vështrim jo i korrektuar = 0,05). Korrektimi duhet të jetë shumë tolerant.
5. Leja e drejtimit të mjetit nuk lëshohet ose rinovohet nëse kandidati ose drejtuesi i grupeve 1 e 2, edhe pas korrektimit, nuk ka një fushë shikimi normale të të dy syve apo nëse është prekur nga diplopia.
6. Në rastin kur reduktimi i pamjes ose i parametrave të tjerë të syve varet nga një sëmundje e aparatit pamor, certifikata duhet të lëshohet nga komisioni mjekësor, i cili përcakton mundësinë që vlera e dëshmisë të jetë e reduktuar për një periudhë jo më të gjatë se dy vjet.
Në vlerësimin e komisionit mjekësor duhet të jepen, sipas rastit, edhe këto kufizime:
I kufizuar në udhëtime ditore (p.sh. një orë pas lindjes së diellit dhe një orë para perëndimit të diellit);
Drejtimi i mjetit pa pasagjerë;
I kufizuar në udhëtime me një shpejtësi jo më të madhe se … km/orë;
ç) Nuk i lejohet drejtimi i mjetit rrugor në autostradë dhe rrugë interurbane kryesore;
d) Modifikime të pasqyrave të mjetit rrugor ose drejtim i tij pa rimorkio.”.
11. Neni 306 ndryshon, me këtë përmbajtje:
“Neni 306
Leja e drejtimit të mjetit i jepet ose i rinovohet kandidatit ose drejtuesit të grupeve 1 e 2 me aprovimin e autoritetit mjekësor kompetent, i cili duhet të shprehet me shkrim për defektet e dëgjimit, nëpërmjet treguesit të humbjes së kombinuar.”.
12. Në nenin 307, fjalët “… të kategorive C, D dhe E…” zëvendësohen me “… të grupeve 1 dhe 2…” .
13. Neni 308 ndryshon, me këtë përmbajtje:
“Neni 308
Komisionet mjekësore (Neni 117 i Kodit Rrugor)
1. Kryetari i komisionit mjekësor, sipas pikës 6, të nenit 117, të Kodit Rrugor, caktohet nga drejtuesi i subjektit shëndetësor.
2. Komisioni përbëhet nga 4 (katër) anëtarë të përhershëm:
a) Mjek i përgjithshëm;
b) Okulist;
c) Mjek ortoped ose kirurg;
ç) Neurolog.
3. Kur kontrollit të komisionit i nënshtrohen kandidatë për drejtues mjeti sipas shkronjës “a”, të pikës 6, të nenit 117, të Kodit Rrugor, në komision duhet të marrë pjesë edhe një inxhinier mekanik, specialist i Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Me kërkesë të të interesuarit, në komision mund të jetë edhe një mjek i caktuar prej tij.
4. Komisioni mund të përfitojë asistencë nga këshilltarë të veçantë ose nga institute mjekësore të specializuara të strukturave publike.
5. Komisioni vepron në një mjedis pranë subjektit shëndetësor. Dokumentacioni i mbledhjeve dhe dokumentacionet e tjera shëndetësore arkivohen nga subjekti shëndetësor.
6. Certifikata duhet të plotësohet në secilën pjesë që ka lidhje me kërkesat e parashkruara për drejtimin e mjeteve, për të cilën dëshmia është e përshtatshme dhe, nëse është e nevojshme, mund të plotësohet me fletë shtesë.
7. Gjykimet e komisioneve mjekësore janë formuluar sipas mendimit të shumicës së anëtarëve të komisionit. Në rastin e votave të barabarta vlen gjykimi i kryetarit.
8. Brenda muajit shkurt, të çdo viti, drejtuesi i subjektit shëndetësor i dërgon Ministrisë së Transportit dhe asaj të Shëndetësisë një relacion të detajuar mbi funksionimin e subjektit shëndetësor, për vitin paraardhës, duke treguar numrin dhe tipin e vizitave mjekësore të kryera në seancat e ndryshme.
9. Karakteristikat e mjeteve që mund të drejtohen me lejedrejtimi të posaçme, me kodet përkatëse, përcaktohen në nenin 292.”.
14. Në pikën 3, të nenit 309, fjalët “…modeli IV.6…” zëvendësohen me “…modeli IV.5…”.
15. Neni 311 ndryshon, me këtë përmbajtje:
“Neni 311
Kërkesat dhe procedurat për marrjen e lejedrejtimit të mjetit (Nenet 119-120 të Kodit Rrugor )
1. Për marrjen e lejedrejtimit, personi i interesuar duhet të:
a) dorëzojë dokumentet e nevojshme në një autoshkollë të licencuar për kategorinë e lejedrejtimit të kërkuar;
b) të regjistrohet, nga sektori përkatës i DRSHTRR-së, nën juridiksionin e së cilës ndodhet autoshkolla, dhe të pajiset me leje për vazhdimin e kursit teorik të përgatitjes për kategorinë e kërkuar;
c) të marrë njohuritë teorike pranë autoshkollës, për kategorinë e kërkuar, sipas programit mësimor të miratuar nga ministri që mbulon veprimtarinë përkatëse;
ç) të fitojë provën e kontrollit të njohurive teorike me rezultat pozitiv, pranë sektorit përkatës të DRSHTRR-së;
d) të pajiset me autorizim, për vazhdimin e kursit të ushtrimit të drejtimit të mjetit, për kategorinë e kërkuar, nga sektori përkatës i DRSHTRR-së, nën juridiksionin e së cilës ndodhet autoshkolla;
dh) të kryejë programin e ushtrimit të drejtimit të mjetit pranë autoshkollës, për kategorinë e kërkuar, sipas programit mësimor, të miratuar nga ministri që mbulon veprimtarinë përkatëse;
e) të fitojë provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes me rezultat pozitiv, pranë sektorit përkatës të DRSHTRR-së.
Për rastet kur parashikohet marrja e lejedrejtimit pa dhënë provën e njohurive teorike, personi i interesuar duhet të plotësojë kushtet sipas shkronjave “a”, “dh” e “e”, të pikës 1.
Kur kandidati aplikon për një kategori më të lartë se kategoria që ka, ai nuk testohet për njohuritë e dhëna në provimet për kategoritë e marra më parë.
2. Dokumentet që duhen për t’u regjistruar në autoshkollë janë:
a) dokument identifikimi (kartë identiteti dhe, për shtetasit e huaj, pasaportë dhe leje qëndrimi të vlefshme);
b) 2 dy fotografi me ngjyra, me përmasat 4 x 5 cm;
c) certifikatë mjekësore e kandidatit, që vërteton aftësinë shëndetësore për të drejtuar mjetin rrugor, të kategorisë përkatëse, të lëshuar jo më përpara se gjashtë muaj nga data e paraqitjes së kërkesës për t’u regjistruar në autoshkollë;
ç) lejedrejtimi të mëparshme mjeti (në qoftëse ka).
Me dorëzimin e dokumenteve, përpara se të bëhet regjistrimi në autoshkollë, ndërmjet palëve lidhet një kontratë, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrat e secilës palë. Kontrata është pjesë e dokumentacionit që ruhet në autoshkollë.
Pas dorëzimit, nga përfaqësuesi i autoshkollës, të dokumenteve të përmendura në pikën 2, të këtij neni, dhe pas pagesës së tarifave përkatëse, të miratuara nga ministri përgjegjës për transportet, bëhet regjistrimi në sektorin përkatës të DRSHTRR-së. Pas kësaj, DRSHTRR-ja, lëshon lejen për provën e kontrollit të njohurive teorike, me një aftat vlefshmërie prej 6 muajsh.
Për provën e kontrollit të njohurive teorike, pranë komisionit përkatës të marrjes në prova, në DRSHTRR, personi i interesuar duhet të paraqesë:
a) dokumentin, sipas modelit të miratuar nga DRSHTRR-ja, që vërteton kryerjen e kursit të njohurive teorike;
b) dokumentin e identifikimit (kartë identiteti dhe, për shtetasit e huaj, pasaportë).
3. Sektori përkatës i DRSHTRR-së merr në provën e kontrollit të njohurive teorike personat e interesuar, kur kanë kryer programin teorik për kategorinë e kërkuar dhe kanë plotësuar afatet kohore, nga data e pajisjes me leje, në sektorin përkatës të DRSHTRR-së, sipas udhëzimit të ministrit që mbulon veprimtarinë përkatëse.
Nëse personi i interesuar fiton provën e kontrollit të njohurive teorike, sektori përkatës i DRSHTRR-së e pajis atë me autorizimin e ushtrimit të drejtimit të mjetit, për kategorinë e kërkuar. Vlefshmëria e provimit teorik të fituar është 6 muaj. Nëse personi i interesuar nuk e fiton provën, ai duhet të vazhdojë përgatitjen teorike dhe mund të rifutet në provë jo më parë se 5 (pesë) ditë, nga dita e provës së pafituar.
Autorizimi për ushtrimin e drejtimit të mjetit lëshohet jo më vonë se 6 (gjashtë) muaj nga data e fitimit të provës së teorisë.
Në rastet kur humbet vlefshmëria e testimit teorik të fituar, kandidati rifutet në provën e kontrollit të njohurive teorike pa e përsëritur kursin e teorisë, kundrejt pagesave përkatëse.
Pajisja me autorizim për vazhdimin e kursit të drejtimit të mjetit, pas fitimit të provës së teorisë, bëhet nga DRSHTRR-ja.
Për provën e verifikimit të aftësive drejtuese dhe sjelljes, pranë komisionit përkatës të marrjes në prova, në DRSHTRR, personi i interesuar duhet të paraqesë:
a) dokumentin, sipas modelit të miratuar nga DRSHTRR-ja, që vërteton kryerjen e kursit të ushtrimit të drejtimit të mjetit;
b) dokumentin e identifikimit (kartë identiteti dhe, për shtetasit e huaj, pasaportë).
4. Sektori përkatës i DRSHTRR-së merr në provën e verifikimit të aftësive drejtuese dhe të sjelljes personat e interesuar, kur kanë kryer programin e ushtrimit të drejtimit të mjetit, për kategorinë e kërkuar, dhe kanë plotësuar afatet kohore, nga data e marrjes së autorizimit, në sektorin përkatës të DRSHTRR-së, sipas udhëzimit të ministrit që mbulon veprimtarinë përkatëse.
Nëse personi i interesuar fiton provën e verifikimit të aftësive drejtuese dhe të sjelljes dhe dokumentacioni është i plotë, sektori përkatës i DRSHTRR-së e pajis atë me lejedrejtimi, për kategorinë e kërkuar.
Nëse personi i interesuar nuk e fiton provën, ai duhet të vazhdojë përgatitjen e aftësive drejtuese dhe të sjelljes dhe mund të rifutet në provë jo më parë se 5 (pesë) ditë, nga dita e provës së pafituar.
5. Në përfundim të provave, për çdo person të interesuar që fiton lejedrejtimin plotësohet dosja përkatëse. Dosja, me të gjitha dokumentet, ruhet në arkivën e sektorit përkatës të DRSHTRR-së.
6. Pajisja me lejedrejtimi e personit që shpallet fitues në provën e verifikimit të aftësive drejtuese dhe të sjelljes bëhet pas pagesës së tarifës së shërbimit për lejedrejtimin, të miratuar nga ministri përgjegjës për transportet, si dhe tarifës së pajisjes me lejedrejtimi, sipas legjislacionit në fuqi për taksat kombëtare.
7. Personi i interesuar për lejedrejtimi të kategorisë AM (përfshirë mjetet me tre dhe katër rrota, të kësaj kategorie), duhet të kalojë vetëm provën e njohurive teorike. DPSHTRR-ja përgatit dhe administron procedurat e regjistrimit dhe dhënies së provës së njohurive teorike për kategorinë AM.
8. Kategoritë e lejeve të drejtimit që përftohen vetëm me provën e njohurive të aftësive drejtuese dhe të sjelljes caktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për transportin. Përgatitja e të interesuarit për aftësimin e drejtimit dhe të sjelljes bëhet në autoshkollë. DPSHTRR-ja përgatit dhe administron procedurat e regjistrimit dhe dhënies së kësaj prove.
9. Administrimi i provës së njohurive teorike dhe provës së verifikimit të aftësive drejtuese dhe të sjelljes bëhet sipas rregullave të përcaktuara nga ministri përgjegjës për transportet.
10. Komisioni i marrjes në provë për kontrollin e njohurive teorike duhet të ketë dy anëtarë, inxhinierë mekanikë.
Komisioni zbaton parimin e paanësisë, gjatë zhvillimit të provës dhe kontrollit të njohurive.
11. Komisioni i marrjes në provë për verifikimin e aftësive drejtuese dhe të sjelljes duhet të ketë dy anëtarë, inxhinierë mekanikë. Ky komision merr në provë personin e interesuar, në prani të instruktorit të tij të praktikës. Caktimi i kontrollorëve bëhet sipas kritereve të udhëzimit të ministrit përgjegjës për transportin.
12. Komisioni i marrjes në provë për kontrollin e njohurive teorike dhe komisioni i marrjes në provë për verifikimin e aftësive drejtuese dhe të sjelljes kanë për detyrë, respektivisht, të vlerësojnë njohuritë teorike dhe të kontrollojnë njohuritë praktike dhe të sjelljes së personit të interesuar, në drejtim të:
– njohjes së rreziqeve të trafikut dhe të vlerësimit të seriozitetit të tyre;
– zotërimit të mjaftueshëm të mjetit të tyre, për të mos krijuar situata të rrezikshme, dhe të reagimit siç duhet, nëse ndodhin situata të tilla;
– bindjes ndaj rregullave të trafikut rrugor dhe, në veçanti, të atyre që kanë si qëllim të parandalojnë aksidentet rrugore dhe të mbajnë rrjedhjen e trafikut;
– zbulimit të ndonjë gabimi teknik të rëndësishëm në mjetet e tyre, në veçanti ato që përbëjnë një rrezik sigurie, dhe ndreqjen e tyre në mënyrën e duhur, bazuar në programet e marrjes së njohurive;
– marrjes parasysh të gjithë faktorëve që ndikojnë sjelljen e drejtimit të mjetit (p.sh. alkooli, lodhja, shikimi i dobët, etj.), në mënyrë që të ruhet përdorimi i plotë i aftësive që nevojiten për të drejtuar mjetin në mënyrë të sigurtë;
– ndihmesës në krijimin e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugëve e, në veçanti, të më të dobtëve dhe më të ekspozuarve, duke treguar respektin e duhur për të tjerët.
Programet e marrjes së njohurive, sipas kategorive të lejeve të drejtimit, përcaktohen me udhëzimin e ministrit përgjegjës për transportin. Testet e bazuara në programet e sipërpërmendura përgatiten nga DPSHTRR-ja, në bashkëpunim me grupet e interesit. Përmbajtja e testeve ndryshohet në vazhdimësi. DPSHTRR-ja duhet të njoftojë autoshkollat 30 ditë përpara se të zbatojë testet e reja për provën e kontrollit të njohurive teorike të personave të interesuar.”.
16. Në nenin 312/1 bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
1. Pas pikës 3, të nenit 312/1, shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“ 3/1 Përgjatë kohës kur kandidati përgatitet pranë një autoshkolle për t’u pajisur me një lejedrejtimi tjetër, nga ajo që ka, pasi ka humbur totalin e pikëve ose i është hequr lejedrejtimi ekzistues, procesi i përgatitjes dhe i testimit përfundohen pa ndërprerje.
Kandidati pajiset me lejedrejtimi të re vetëm pasi të ketë përfunduar afati i pezullimit dhe pasi të ketë fituar provimin e kualifikimit teorik për rifitimin e pikëve të humbura.”.
2. Pas pikës 8 shtohet pika 9, me këtë përmbajtje:
“ 9. Të gjithë mbajtësit e lejedrejtimit, të cilëve u është hequr lejedrejtimi pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.175/2014, do të trajtohen sipas pikës 4, të nenit 215, të Kodit Rrugor.”.
17. Në nenin 313 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Shkronja “ç” e pikës 3, ndryshohet, me këtë përmbajtjë:
“ç) Dokumentet e pronësisë të subjektit kërkues, për çdo mjet rrugor, të çdo kategorie lejedrejtimi apo dëshmie dhe certifikate profesionale, për të cilat kërkon licencën.”
2. Në pikën 7, fjalët “…dhe jo më pak se 1 (një) orë praktikë në ditë për çdo kursant…” hiqen.
3. Pika 8 ndryshon, me këtë përmbajtje:
“8. Në rastet kur përgatitja e kandidatit bëhet në autoshkollë, juridiksioni i aktivitetit të së cilës nuk është i njëjtë me vendbanimin, dosja e lejes së drejtimit, pas përfundimit të përgatitjes dhe marrjes së testimit, dërgohet në DRSHTRR-në ku ka vendbanimin aplikuesi.
Pagesa e transferimit të dosjes bëhet nga kandidati, përpara pajisjes me lejedrejtimi.”
4. Paragrafi i parë, i pikës 9, shfuqizohet.
5. Pika 10 ndryshon, me këtë përmbajtje:
“10. Mjetet rrugore, që përdoren gjatë përgatitjes praktike dhe provave për lejedrejtimi e certifikata të aftësisë profesionale, duhet të plotësojnë kushtet teknike, si më poshtë vijon:
a) Për kategorinë A1, motor pa kosh, me cilindratë prej, të paktën, 120 cm3 dhe të aftë për një shpejtësi, të paktën 90 km/orë. Për lejedrejtimi të posaçme të kësaj kategorie, prova bëhet me motor me tri dhe katër rrota dhe që arrin shpejtësinë, të paktën 60 km/orë;
b) Për kategorinë A2, motor pa kosh, me cilindratë, të paktën, 400 cm3 dhe një fuqi, të paktën 25 kw;
c) Për kategorinë A, motor pa kosh, me cilindratë, të paktën 600 cm3 dhe një fuqi, të paktën 40 kw;
ç) Për kategorinë B, automjet me katër rrota, i kategorisë B, i aftë të arrijë shpejtësinë, të paktën, prej 100 km/orë;
d) Për kategorinë BE, kombinim i një automjeti të kategorisë B dhe një rimorkioje, me masë maksimale të autorizuar prej, të paktën, 1000 kg, me kapacitet shpejtësie prej, të paktën 100 km/orë, që nuk përfshihet në kategorinë B; pjesa e ngarkesës së rimorkios do të përbëhet nga një trup i mbyllur, i cili është, të paktën, aq i gjerë dhe i lartë sa mjeti motorik; trupi i mbyllur mundet, gjithashtu, të jetë pak më i gjerë sesa mjeti motorik, duke u siguruar që pamja nga prapa është e mundur vetëm nga përdorimi i pasqyrave të jashtme, me pamje nga prapa, të mjetit motorik; rimorkioja duhet të jetë me një masë të përgjithshme minimale reale prej 800 kg;
dh) Për kategorinë B1, motomjet me katër rrota (kategoria L7), që arrin, të paktën, 60 km/orë;
e) Për kategorinë C, një mjet i kategorisë C, me një masë maksimale të autorizuar prej, të paktën, 12 000 kg, me një gjatësi prej, të paktën, 8 m, me një gjërësi prej, të paktën, 2,40 m dhe një kapacitet shpejtësie prej, të paktën, 80 km/orë, i pajisur me frena kundra bllokimit, i pajisur me një kuti shpejtësie që ka, të paktën, tetë shkallë të lëvizjes përpara, dhe pajisjen e regjistrimit, siç është përcaktuar nga legjislacioni në fuqi; karroceria duhet të jetë në formën e një trupi të mbyllur, i cili është, të paktën, aq i gjerë dhe i lartë sa kabina; mjeti, gjatë provës, duhet të ketë një masë të përgjithshme minimale reale prej 10 000 kg;
ë) Për kategorinë CE, mjet i artikuluar ose një kombinim i mjetit të provës së kategorisë C dhe një rimorkio me gjatësi, të paktën, 7,5 m; si mjet i artikuluar dhe i kombinuar duhet të ketë një masë maksimale të autorizuar prej, të paktën, 20 000 kg, një gjatësi prej, të paktën, 14 m dhe një gjërësi prej, të paktën, 2,40 m dhe duhet të arrijë shpejtësinë prej, të paktën, 80 km/orë, e pajisur me frena kundra bllokimit, e pajisur me një kuti shpejtësie që ka, të paktën, tetë shkallë të lëvizjes përpara dhe me pajisje regjistruese, siç është përcaktuar nga legjislacioni në fuqi; karroceria duhet të jetë në formën e një trupi të mbyllur, i cili është, të paktën, aq i gjerë dhe i lartë sa kabina; si mjeti me rimorkio, edhe ai i kombinuari, duhet të jenë me një masë të përgjithshme minimale reale prej 15 000 kg;
f) Për kategorinë C1, një mjet i kategorisë C1, me një masë maksimale të autorizuar prej, të paktën, 4 000 kg, me një gjatësi prej, të paktën, 5 m, dhe duhet të arrijë shpejtësinë prej, të paktën, 80 km/orë; i pajisur me frena kundra bllokimit dhe me pajisje regjistruese, siç është përcaktuar nga legjislacioni në fuqi; karroceria duhet të jetë në formën e një trupi të mbyllur, i cili është, të paktën, aq i gjerë dhe i lartë sa kabina;
g) Për kategorinë C1E, një kombinim i përbërë nga një mjet i kategorisë C1 dhe një rimorkio, me një masë maksimale të autorizuar prej, të paktën, 1 250 kg; ky kombinim duhet të jetë, të paktën, 8 m i gjatë, dhe që arrin shpejtësinë prej, të paktën, 80 km/orë; karroceria duhet të jetë në formën e një trupi të mbyllur, i cili është, të paktën, aq i gjerë dhe i lartë sa kabina; karroceria mundet, gjithashtu, të jetë pak më e gjerë se kabina, duke u siguruar që pamja prapa është e mundur vetëm nga përdorimi i pasqyrave të jashtme, me pamje nga prapa, të mjetit motorik; rimorkioja duhet të jetë me një masë të përgjithshme minimale reale prej 800 kg;
gj) Për kategorinë D, një mjet i kategorisë D, me një gjatësi prej, të paktën, 10 m, një gjërësi prej, të paktën, 2,40 m, dhe që arrin një shpejtësi prej, të paktën, 80 km/orë; i pajisur me frena kundra bllokimit dhe me pajisje regjistruese, siç është përcaktuar në legjislacionin në fuqi;
h) Për kategorinë DE, një kombinim i përbërë nga një mjet i kategorisë D, dhe një rimorkio me një masë maksimale të autorizuar prej, të paktën, 1 250 kg, një gjërësi prej, të paktën, 2,40 m, dhe që arrin një shpejtësi prej, të paktën, 80 km/orë; karroceria duhet të jetë në formën e një trupi të mbyllur, i cili është, të paktën, 2 m i gjerë dhe 2 m i lartë; rimorkioja duhet të jetë me një masë të përgjithshme minimale reale prej 800 kg;
i) Për kategorinë D1, një mjet i kategorisë D1, me një masë maksimale të autorizuar prej, të paktën, 4 000 kg, me një gjatësi prej, të paktën, 5 m, dhe që arrin shpejtësinë prej, të paktën, 80 km/h; i pajisur me frena kundra bllokimit dhe me pajisje regjistruese, siç është përcaktuar nga legjislacioni në fuqi;
j) Për kategorinë D1E, një kombinim i një mjeti të kategorisë D1 dhe një rimorkioje, me një masë maksimale të autorizuar prej, të paktën, 1 250 kg, dhe që arrin shpejtësinë prej, të paktën, 80 km/orë; karroceria duhet të jetë në formën e një trupi të mbyllur, i cili është, të paktën, 2 m i gjerë dhe 2 m i lartë; rimorkioja duhet të jetë me një masë të përgjithshme minimale reale prej 800 kg.”
6. Pika 11 ndryshon, me këtë përmbajtje:
“11. Mjetet rrugore mësimore, përveç atyre të kategorive A1, A2 dhe A, duhet të jenë të pajisura me pedale të dyfishta (gaz, freksion, frena), ndërsa mjetet me kuti shpejtësie automatike vetëm (gaz frena), që përdoren nga vendi ku qëndron instruktori. Në mes të instruktorit dhe drejtuesit të mjetit nuk duhet të ketë pengesa që vështirësojnë ndërhyrjet e instruktorit për të vepruar në drejtimin e mjetit rrugor. Mjetet rrugore mësimore duhet të jenë me pamje të jashtme të rregullt dhe në gjendje të mirë teknike, në të kundërt, nga kontrollorët, që mbulojnë veprimtarinë e transportit rrugor, dhe nga organet e policisë rrugore, duhet të merren masa deri në bllokimin e tyre, pa mbajtur përgjegjësi për vijueshmërinë e autoshkollës.”
7. Pika 12 ndryshon, me këtë përmbajtje:
“12. Mësuesit e teorisë duhet të jenë të pajisur me dëshmi të aftësisë profesionale “Mësues teorie”, e cila është e vlefshme si për përgatitjen e kandidatëve për lejedrejtimi edhe për kandidatët për CAP.
Instruktorët e praktikës duhet të jenë të pajisur me dëshmi të aftësisë profesionale për lejedrejtimi dhe, kur përgatitin kandiditatë për CAP, duhet të kenë edhe certifikatën e aftësimit profesional (CAP), në varësi të kandidatëve që përgatitin.
Dëshmitë e aftësisë profesionale për mësuesit e teorisë dhe instruktorët e praktikës së autoshkollave jepen nga strukturat e DPSHTRR-së, pas testimit përkatës. Përgatitja e tyre bëhet sipas programeve të përcaktuara në aktin nënligjor të nxjerrë nga ministri përgjegjës për transportin.
Dëshmia e aftësisë profesionale e mësuesit të teorisë është pa afat. Rinovimi i saj bëhet për rastet kur ajo dëmtohet, humbet ose kur poseduesi i saj ndryshon vendbanimin. Dëshmia e aftësisë profesionale, e instruktorit të praktikës, lëshohet për një afat 5-vjeçar, me të drejtë rinovimi, nëse poseduesi zotëron aftësitë e kërkuara fizike e psikike, dhe shfrytëzohet vetëm për ato qëllime, për të cilat ajo është lëshuar. Të drejtën e anullimit të dëshmisë së aftësisë profesionale, kur mbajtësi i saj kryen shkelje, në mënyrë të përsëritur, të legjislacionit rrugor ose kur shpërdoron detyrën apo nuk merr pjesë në kurset periodike të formimit profesional, të organizuara nga DPSHTRR-ja, e ka organi që e ka lëshuar atë,
DPSHTRR-ja pajis me autorizim të veçantë instruktorin e praktikës, për përgatitjen e kandidatëve të autoshkollës në të cilën ai është i punësuar. Në asnjë rast, instruktori i praktikës nuk mund të përgatitë kandidatë, të cilët nuk i përkasin autoshkollës për të cilën është autorizuar.
Mësuesit e teorisë dhe instruktorët e praktikës duhet të plotësojnë edhe këto kushte:
– Mësuesit e teorisë duhet të jenë të pajisur me diplomën e fakultetit të Inxhinierisë Mekanike ose të jenë oficerë transporti, diplomuar në Akademinë e Forcave Tokësore, si dhe të jenë të pajisur, të paktën, me lejedrejtimi të kategorisë B;
– Instruktorët e praktikës duhet të plotësojnë kërkesat e pikës 2, të nenit 120, të Kodit Rrugor, si dhe të kenë përfunduar arsimin e mesëm.”
8. Pika 13 ndryshon, me këtë përmbajtje:
“13. Kur mjeti rrugor mësimor drejtohet nga një kandidat, në të lejohet të hipë edhe një kandidat tjetër, përveç instruktorit, ndërsa kur mjeti rrugor është autobus, me të cilin përgatiten persona që do të pajisjen me lejedrejtimi të kategorive D1 dhe D, mund të udhëtojnë vetëm pjesëtarët e të njëjtit grup, por jo më shumë se 8 (tetë) persona.”
9. Pika 16 shfuqizohet.”.
18. Kudo në përmbajtjen e vendimit fjalët “…komisioni mjekësor vendor…” zëvendësohen me “…komisioni mjekësor…”.
19. Për kandidatët për lejedrejtimi, që janë regjistruar në kursin e përgatitjes para fillimit të efekteve të këtij vendimi, do të zbatohen dispozitat ekzistuese.
Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 21 Janar 2016.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.407, DATË 8.5.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NJË REGJIMI KONTROLLI PËR TË GARANTUAR RESPEKTIMIN E RREGULLAVE TË POLITIKAVE MENAXHUESE NË PESHKIM”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 72, pika 8, 74, pika 4, 77, pika 3, 82, pika 2, 101, pika 2, 112, pika 3, 113, pika 1, 116, 118, pika 3, e 135, pika 1, të ligjit nr.64/2012, datë 31.5.2012, “Për peshkimin”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 33, e vendimit nr.407, datë 8.5.2013, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“33. Pajisja për identifikimin dhe lokalizimin nëpërmjet satelitit jepet falas nga ministria deri në përfundimin e numrit të këtyre pajisjeve, të cilat janë gjendje në Drejtorinë e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës. Pas përfundimit të dhënies së këtyre pajisjeve gjendje, anijet e peshkimit përballojnë kostot e blerjes së pajisjes së sipërpërmendur. Pajisja e blerë dhe e instaluar në bordin e anijes së peshkimit duhet të jetë në përputhje me sistemin e instaluar në QNOD e ministri dhe të plotësojë të gjitha specifikimet sipas pikës 24, të këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1081, DATË 18.12.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E KOMISIONIT NDËRINSTITUCIONAL PËR BASHKËRENDIMIN E PUNËS NË ZBATIMIN E PROJEKTIT TË GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIC PIPELINE (TAP)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), dhe të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, në lidhje me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP)”, të ligjit nr.104/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Republikës së Italisë, për projektin për Gazsjellësin Trans Adriatik (projekti TAP)”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.9946, datë 30.6.2008, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Në vendimin nr.1081, datë 18.12.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në projektvendim fjalët “sekretariat teknik” zëvendësohen me “grup teknik i ekspertëve”.
2. Fjalia e parë, e pikës 7, riformulohet, si më poshtë vijon:
“Komisioni Ndërinstitucional për projektin TAP ndihmohet nga grupi teknik i ekspertëve, i cili është përgjegjës për detyrat operative në lidhje me zbatimin e projektit TAP dhe zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri. Grupi teknik i ekspertëve ka këto detyra kryesore:”.
3. Në fund të pikës 8 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Çdo anëtar i grupit teknik të ekspertëve, në varësi të ngarkesës, angazhohet deri në 3 (tri) ditë pune në javë, me qëllim përmbushjen e detyrave të caktuara. Titullarët e institucioneve, që dërgojnë anëtarë në grupin teknik të ekspertëve, marrin të gjitha masat e nevojshme për vënien në dispozicion të këtyre nëpunësve.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH BRENDA PROGRAMEVE BUXHETORE TË MIRATUARA PËR MINISTRINË E PUNËVE TË BRENDSHME, PËR VITIN 2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.1998, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2015 të bëhet rishpërndarja e fondeve brenda programeve buxhetore të miratuara për Ministrinë e Punëve të Brendshme, si më poshtë vijon:
a) Për programin “Policia e Shtetit”, në artikullin 231 “Shpenzime për investime”, të shtohet fondi 27 000 000 (njëzet e shtatë milionë) lekë, për mbulimin e shpenzimeve në investime për projektin “Blerje pajisjesh për Policinë e Rendit”;
b) Për programin “Emergjenca civile”, në artikullin 604 “Transferta korrente të brendshme”, të shtohet fondi 61 584 000 (gjashtëdhjetë e një milionë e pesëqind e tetëdhjetë e katër mijë) lekë, për mbulimin e shpenzimeve për rehabilitimin e infrastrukturës së dëmtuar, dëmshpërblimin e familjeve, banesat e të cilave janë dëmtuar nga fatkeqësi të ndryshme, si dhe fond rezervë për të përballuar emergjencat e pritshme dimërore;
c) Fondi prej 88 584 000 (tetëdhjetë e tetë milionë e pesëqind e tetëdhjetë e katër mijë) lekësh të përballohet nga pakësimi i buxhetit për programin “Planifikim menaxhimi” në zërin “Shpenzime korrente” dhe “Shpenzime për investime”.
2. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Financave dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MBYLLJEN E AGJENCISË SË KËRKIMIT, TEKNOLOGJISË DHE INOVACIONIT (AKTI)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbylljen e Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI).
2. Nëpunësit civilë të AKTI-së të trajtohen sipas përcaktimit të nenit 50, “Transferimi në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit”, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar. Punonjësit administrativë të trajtohen sipas dispozitave të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
3. Asetet e luajtshme, në përdorim nga Agjencia e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, kalojnë në pronësi të Kryeministrisë.
4. Vendimi nr.903, datë 26.8.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI)”, të ndryshuar shfuqizohet.
5. Ngarkohen Kryeministria dhe Agjencia e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2016.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR LUFTËN KUNDËR EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM DHE PLANIT TË VEPRIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Arsimit dhe Sportit, ministrit të Punëve të Brendshme, ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe planit të veprimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministri i Arsimit dhe Sportit, ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Punëve të Jashtme për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËR SHKËMBIMIN E INFORMACIONIT PËR VERIFIKIMIN E TERRORIZMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkëmbimin e informacionit për verifikimin e terrorizmit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MALIT TË ZI, PËR BASHKËPUNIM DHE NDIHMË TË NDËRSJELLË NË EMERGJENCA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në emergjenca, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME TE MINISTRIA E ZHVILLIMIT URBAN, PËR AGJENCINË E LEGALIZIMIT, URBANIZIMIT DHE INTEGRIMIT TË ZONAVE/NDËRTIMEVE INFORMALE, TË DISA MJEDISEVE NË PRONËN, ME EMËRTIMIN “SHTËPIA E USHTARAKËVE”, NË FIER, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.250, DATË 24.4.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10 e 12, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Punëve të Brendshme te Ministria e Zhvillimit Urban, për Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, të katit të dytë teknik të ndërtesës, të pronës me emërtimin “Shtëpia e Ushtarakëve”, me vendndodhje në Fier, sipas formularit 1, planvendosjes dhe planimetrisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Mjediset e përmendura në pikën 1 të hiqen nga prona, me emërtimin “Shtëpia e Ushtarakëve”, me vendndodhje në Fier, e përcaktuar në listën e inventarit që i bashkëlidhet vendimit nr.250, datë 24.4.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Rendit Publik”, të ndryshuar.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Zhvillimit Urban, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM, TË RISHIKUAR, 2016 –2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e programit buxhetor afatmesëm, të rishikuar, për periudhën 2016 – 2018, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR PLANIFIKIMIN DHE REALIZIMIN E FOTOGRAFIMIT AJROR TË TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 16, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për planifikimin dhe realizimin e fotografimit ajror të territorit të Republikës së Shqipërisë”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse sipas nenit 12, të ligjit nr.72/2012, që marrin nisma për fotografim ajror të territorit, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.