Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 2 korrik 2014
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË KANDIDATURËS PËR KOMISIONER TË MBROJTJES TË TË DHËNAVE PERSONALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33, të ligjit nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të kandidaturës së  z. Besnik Dervishi për Komisioner të Mbrojtjes të të Dhënave Personale.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI UNIVERSITETIT TË TIRANËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Universitetit të Tiranës.
Lista me 3 (tre) fletë, që i bashkëlidhet këtij vendimi, përfundon me numrin rendor 18 (tetëmbëdhjetë).
2. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, Universiteti i Tiranës dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 
DHËNIEN NË PËRDORIM TË DISA MJEDISEVE TË OBJEKTIT ME EMËRTIMIN “ISH-INTERKLUBI”, NGA AUTORITETI PORTUAL DURRËS, SH.A., TE MINISTRIA E MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË, PËR SHËRBIMIN KOMBËTAR TË PUNËSIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, 13, 14 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Dhënien në përdorim të disa mjediseve të katit përdhes të godinës administrative nr.3, pjesë e pronës me numër rendor 27, me emërtimin “Ish-Interklubi”, me sipërfaqe 291,6 (dyqind e nëntëdhjetë e një presje gjashtë) m2, nga Autoriteti Portual Durrës, sh.a., te Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Durrës, sipas formularit, planimetrisë dhe planvendosjes që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Durrës, i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Autoriteti Portual Durrës, sh.a., dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA HAPJA DHE SISTEMIMI I DISA SEGMENTEVE TË RRUGËS “11 NËNTORI” (SOT RRUGA “QEMAL STAFA”) NË QYTETIN E ELBASANIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga hapja dhe sistemimi i rrugës “11 Nëntori” (sot rruga “Qemal Stafa”), segmenti nga shkolla “Jorgji Dilo” deri tek “Rotonda tek Posta” (ana veriore e rrugës), si dhe segmenti nga kthesa e stadiumit deri në bashkim me Unazën Jugore në lindje të qytetit të Elbasanit, sipas tabelave, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Elbasanit dhe pasuritë prej: 2 455.84 (dy mijë e katërqind e pesëdhjetë e pesë pikë tetëdhjetë e katër) m² truall, 527.45 (pesëqind e njëzet e shtatë pikë dyzet e pesë) m2 banesë dhe 296.95 (dyqind e nëntëdhjetë e gjashtë pikë nëntëdhjetë e pesë) m² njësi, për segmentin e parë, si dhe 1 970.99 (një mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë pikë nëntëdhjetë e nëntë) m² truall dhe 641.21 (gjashtëqind e dyzet e një pikë njëzet e një) m2 banesë, për segmentin e dytë, regjistrohen në emër të kësaj bashkie.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, sipas vlerave të mëposhtme:
a) për segmentin e parë, nga shkolla “Jorgji Dilo” deri tek “Rotonda tek Posta” (ana veriore), 54 523 356.6 (pesëdhjetë e katër milionë e pesëqind e njëzet e tre mijë e treqind e pesëdhjetë e gjashtë pikë gjashtë) lekë;
b) për segmentin e dytë, nga kthesa e stadiumit deri në bashkim me Unazën Jugore në lindje të qytetit, 84 447 000 (tetëdhjetë e katër milionë e katërqind e dyzet e shtatë mijë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 138 970 360.6 (njëqind e tridhjetë e tetë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë pikë gjashtë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e bashkisë Elbasan, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Shpenzimet procedurale të përballohen nga bashkia e Elbasanit.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas miratimit të projektit.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objekteve, në bashkinë e Elbasanit, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Ngarkohen ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkia e Elbasanit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SULLTANATIT TË OMANIT, PËR SHMANGIEN E TATIMIT TË DYFISHTË DHE PARANDALIMIN E EVAZIONIT FISKAL NË LIDHJE ME TATIMET MBI TË ARDHURAT DHE  KAPITALIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Sulltanatit të Omanit, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
     
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.826, DATË 13.10.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KUOTAT E PRANIMEVE NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË DHE TARIFAT E SHKOLLIMIT PËR STUDIMET E CIKLIT TË PARË ME KOHË TË PJESSHME E TË EDUKIMIT NË DISTANCË, NË VITIN AKADEMIK 2010 – 2011”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 33, 35, 36 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7748, datë 29.7.1993, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.826, datë 13.10.2010 të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Në tabelën nr.2/1, bashkëlidhur vendimit, tarifat në nënndarjen “Universiteti i Sporteve Tiranë”, programi i studimit “Shkenca të Lëvizjes”, ndryshohen si më poshtë vijon:
Universiteti i Sporteve Tiranë Tarifa për kredit për program të parë, në lekë Tarifa totale për program të parë për 180 kredite (ECTS), në lekë
Shkenca të Lëvizjes 1 396 2 510
b) Në tabelën nr.3/1, bashkëlidhur vendimit, tarifat në nënndarjen “Universiteti i Sporteve Tiranë”, programi i studimit “Shkenca të Lëvizjes”, ndryshohen si më poshtë vijon:
Universiteti i Sporteve Tiranë Tarifa për kredit për program të dytë, në lekë Tarifa totale për program të dytë studimi për 180 kredite (ECTS), në lekë
Shkenca të Lëvizjes 1 595 2 870
2. Rimbursimi i diferencës nga ndryshimi i tarifave të mësipërme të paguara nga studentët, për vitin akademik 2010-2011, bëhet nëpërmjet zbritjes nga tarifa e programeve të studimit për vitin akademik 2013-2014, për studentët vijues, dhe për studentët e larguar, rimbursimi bëhet në vlerë monetare nga institucioni i arsimit të lartë.
3. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Universiteti i Sporteve Tiranë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PËRBËRJES STRUKTURORE E TË SHPËRBLIMIT TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË SPORTIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 9, të ligjit nr.9376, datë 21.4.2005, “Për sportin”, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.843, datë 27.9.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e përbërjes strukturore të Këshillit Kombëtar të Sportit, i cili kryesohet nga zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit dhe ka në përbërje 14 (katërmbëdhjetë) anëtarë dhe 1 (një) sekretar, si më poshtë vijon:
a) Drejtorin e Sportit, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit,                                       anëtar;
b) Sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Olimpik Shqiptar                                    anëtar;
c) Dy gazetarë sportivë (një me aftësi të kufizuara)                                                anëtar;
ç)  Një jurist (me kontribut në legjislacionin për sportin)                                          anëtar;
d) Nëntë personalitete sportive nga disiplina të ndryshme të sportit                         anëtarë;
dh)  Një specialist nga Drejtoria e Sportit, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit,          sekretar.
2. Përbërja nominative e Këshillit Kombëtar të Sportit caktohet me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe këshilli thirret si rregull prej tij jo më shumë se 3 (tre) herë në vit.
3. Ministri i Arsimit dhe Sportit miraton rregulloren e organizimit dhe të funksionimit të Këshillit Kombëtar të Sportit.
4. Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Sportit përfitojnë për pjesëmarrje në çdo mbledhje një shpërblim prej 5 000 (pesë mijë) lekësh. Pagesat për shpërblimet përballohen nga “Programi i sportit”, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
5. Vendimi nr.88, datë 15.2.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e përbërjes strukturore dhe shpërblimin e Këshillit Kombëtar të Sportit”, i ndryshuar, shfuqizohet.
6. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR INTEGRIMIN EVROPIAN, 2014 – 2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, 2014 – 2020, (PKIE, 2014 – 2020), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ministria e Integrimit Evropian orienton, bashkërendon dhe monitoron zbatimin e PKIE-së, 2014 – 2020, për çdo kapitull, nga grupet ndërinstitucionale të punës (GNP), të ngritura me urdhrin nr.107, datë 28.2.2014, të Kryeministrit, “Për ngritjen, përbërjen dhe funksionimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian”.
3. Ministria e Integrimit Evropian raporton çdo 3 (tre) muaj në Këshillin e Ministrave për ecurinë e zbatimit të PKIE-së, 2014 – 2020.
4. Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore në varësi të Këshillit të Ministrave raportojnë pranë Ministrisë së Integrimit Evropian, çdo 3 (tre) muaj (java e tretë e muajit të fundit), për realizimin e detyrimeve, që rrjedhin nga PKIE-ja, 2014 – 2020.
5. Ngarkohet Ministria e Integrimit Evropian, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, të monitorojë përfshirjen, nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, në programin buxhetor afatmesëm, të nevojave financiare për zbatimin e përparësive afatshkurtra dhe afatmesme, të parashikuara në PKIE, 2014 – 2020.
6. Plani Kombëtar për Integrimin Evropian është përpiluar në të njëjtën linjë me Planin Legjislativ Vjetor të qeverisë si dhe me Strategjinë për Zhvillim dhe Integrim. PKIE-ja është hartuar në gjuhën shqipe dhe anglisht.
7. Vendimi nr.486, datë 25.7.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, 2012 – 2015, dhe përcaktimin e përgjegjësisë institucionale për përafrimin në legjislacionin shqiptar të çdo akti të legjislacionit të Bashkimit Evropian”, shfuqizohet.
8. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore në varësi të Kryeministrit, për të cilat në PKIE, 2014 – 2020, janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.
         Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË LEGALIZIMIT TË NDËRTIMEVE PA LEJE, SHTESAVE ANËSORE APO NË LARTËSI, TË NDËRTUARA NGA SHOQËRIA “HAWAI-ALB”, SH.P.K. 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 43/1, të ligjit nr.9482 datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Procedurat e legalizimit të ndërtimeve pa leje, shtesave anësore apo në lartësi, të ndërtuara nga shoqëria “Hawai-Alb”, sh.p.k., kryhen në favor të poseduesve të apartamenteve dhe ambienteve me funksion social – ekonomik. Ndërtimet pa leje, shtesat anësore apo ndërtimet në lartësi, u nënshtrohen procedurave të legalizimit edhe nëse për to nuk është kryer procedura e vetëdeklarimit apo nuk është paraqitur kërkesa për legalizim sipas afateve të parashikuara në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.
2. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, evidenton, harton dhe publikon listën e ndërtimeve pa leje,  shtesave anësore apo në lartësi, të ngritura nga shoqëria “Hawai-Alb”, sh.p.k., si dhe listën emërore të poseduesve të apartamenteve të banimit dhe ambienteve me funksion social – ekonomik.
3. Listat e hartuara sipas pikës 2, të këtij vendimi, publikohen në faqen zyrtare të ALUIZNI-t dhe afishohen në godinën qendrore dhe atë lokale të ALUIZNI-t, pranë njësive përkatëse të qeverisjes vendore, si dhe në ambientet e objekteve që do t’i nënshtrohen procesit të legalizimit. Poseduesit e këtyre ndërtimeve njoftohen në adresën ku ato banojnë për të kryer procedurat e legalizimit.
4. Procedurat e legalizimit të ndërtimeve pa leje, shtesave anësore apo në lartësi, në tejkalim të projektit të miratuar, do të kryhen në dy faza:
a) Legalizimi dhe regjistrimi pranë ZVRPP-së i objektit bazë, së bashku me shtesat eventuale anësore dhe/ose në lartësi të kryera nga vetë shoqëria “Hawai-Alb”, sh.p.k.
b) Legalizimi i shtesës anësore dhe/ose në lartësi si ndërtim i  bashkëngjitur ndaj objektit bazë, të kryera nga vetë subjektet poseduese.
“Objekt bazë” konsiderohet pjesa e objektit e parashikuar në projektin e miratuar në lejen e ndërtimit, pa shtesat e realizuara në tejkalim të tij.
5. Kur për të njëjtin apartament apo ambient me funksion social – ekonomik ka pretendime për posedimin nga dy apo më shumë persona, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata.
6. Në rast se çështja është në proces gjyqësor sipas pikës 5, të këtij vendimi, procedurat e legalizimit për apartamentin ose ambientin me funksion social – ekonomik pezullohen, me paraqitjen e vërtetimit gjyqësor nga pala e interesuar apo me vendim gjyqësor të lejimit të masës së sigurimit.
7. Procedurat e legalizimit rinisin në përputhje me dispozitivin e vendimit gjyqësor të formës së prerë, të dorëzuar nga subjekti i interesuar.
8. Detyrimet financiare të lidhura me tarifën e shërbimit shlyhen nga poseduesit e ambienteve me funksion social – ekonomik, sipas paragrafit të fundit, të nenit 27, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar.
9. Vlerësimi i qëndrueshmërisë konstruktive për ndërtimet pa leje, shtesat anësore apo në lartësi, të ndërtuara nga shoqëria “Hawai-Alb”, sh.p.k., bëhet nga Instituti i Ndërtimit, pa pagesë, dhe i bashkëngjitet praktikës dokumentare të legalizimit.
10. Regjistrimi në ZRPP i objekteve bazë të subjektit “Hawai-Alb”, sh.p.k., kryhet në emër dhe për llogari të ALUIZNI-it dhe përjashtohet nga taksat dhe tarifat e shërbimit.
Regjistrimi i njësive individuale, apartamenteve dhe ambienteve me funksion social – ekonomik, si dhe i pjesës takuese të bashkëpronësisë do të kryhet nga poseduesit e tyre me anë të lejes së legalizimit.
11. Subjekti “Hawai-Alb”, sh.p.k., ka detyrimin e pagesës së penaliteteve të parashikuara nga neni 43, i ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar, të cilat do t’i njoftohen personit të ngarkuar me zbatimin e procedurave të likuidimit të shoqërisë tregtare, përfaqësuesit të saj, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit.
12. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia e Mbikëqyrjes së Falimentit dhe Instituti i Ndërtimit për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E KOMISIONIT SHTETËROR PËR BASHKËRENDIMIN E PUNËS PËR ORGANIZIMIN E AKTIVITETEVE LIDHUR ME VIZITËN E PAPA FRANÇESKUT NË SHQIPËRI, NË DATËN 21 SHTATOR 2014
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e Komisionit Shtetëror për bashkërendimin e punës për organizimin e aktiviteteve lidhur me vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, në datën 21 shtator 2014.
2. Komisioni Shtetëror kryesohet nga ministri i Kulturës dhe në përbërje ka anëtarë:
a) Nga institucionet shtetërore:
– Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë;
– Përfaqësuesin e kabinetit të Kryeministrit;
– Prefektin e Tiranës;
– Zëvendësministrin e Financave;
– Komandantin e Gardës së Republikës së Shqipërisë;
– Drejtorin e Protokollit të Shtetit.
b) Me pëlqimin paraprak të tyre, nga një përfaqësues të:
– kabinetit të Presidentit;
– Kryetarit të Kuvendit;
– Bashkisë së Tiranës;
– komunitetit katolik në Shqipëri.
3. Komisioni Shtetëror, në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, në datën 21 shtator 2014, ka këto përgjegjësi dhe detyra:
a) Bashkërendon punën për organizimin e aktiviteteve lidhur me këtë vizitë;
b)  Përcakton detyrat për ministritë dhe institucionet e varësisë e të çdo subjekti të përfshirë në aktivitetet që do të realizohen për vizitën dhe kontrollon zbatimin e tyre;
c) Bashkërendon punën për aktivizimin e fondeve, koordinimin e aspekteve financiare dhe përgatit projektaktin e përballimit të shpenzimeve për realizimin e veprimtarive të parashikuara në kalendarin e aktiviteteve për këtë vizitë;
ç) Përzgjedh sekretariatin teknik në mbledhjen e tij të parë.
4.  Komisioni Shtetëror mblidhet me kërkesë të kryetarit.
5. Në mbledhjet e Komisionit ftohen të marrin pjesë dhe përfaqësues të grupeve parlamentare, të organeve të qeverisjes qendrore, vendore apo institucioneve të tjera, pjesëmarrja e të cilëve çmohet e vlefshme për përmbushjen e misionit të tij.
6. Komisioni Shtetëror ndihmohet nga sekretariati teknik, i cili ka këto detyra kryesore:
a) Përgatit takimet e Komisionit;
b) Raporton periodikisht pranë Komisionit për realizimin e detyrave të përcaktuara në mbledhjet e mëparshme të tij;
c) Bashkërendon punën ndërmjet institucioneve të përfshira për zbatimin dhe monitorimin e detyrave të lëna prej Komisionit;
ç)  Mban procesverbalet dhe harton vendimet e marra nga Komisioni;
d)  Kryen detyra të tjera që përcaktohen nga kryetari i Komisionit.
7.  Përbërja, mënyra e funksionimit dhe detyrat e hollësishme të sekretariatit teknik përcaktohen me vendim të Komisionit.
8.  Kryetari i Komisionit i raporton periodikisht Këshillit të Ministrave për ecurinë e punës së Komisionit.
9.  Ngarkohen të gjithë përfaqësuesit e institucioneve, anëtarë të Komisionit, për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.