Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROGRAMIT TË PËRGJITHSHËM, ANALITIK, TË PROJEKTAKTEVE, QË DO TË PARAQITEN PËR SHQYRTIM NË KËSHILLIN E MINISTRAVE GJATË VITIT 2016
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e programit të përgjithshëm, analitik, të projektakteve, që do të paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave gjatë vitit 2016, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PROCEDURAT E SIGURISË   PËR SHKËMBIMIN DHE MBROJTJEN E INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për procedurat e sigurisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR 
PLANIN VJETOR TË PRANIMIT PËR VITIN 2016, NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESË TË SHËRBIMIT CIVIL 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2016 në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, është gjithsej 1 121, i ndarë sipas kategorive të mëposhtme:
a) Për trupën e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues
12;
b) Për kategorinë e mesme drejtuese
 90;
c) Për kategorinë e ulët drejtuese
273;
ç) Për kategorinë ekzekutive
746.
2. Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm në kategorinë ekzekutive janë, si më poshtë vijon:
– Shkenca juridike;
– Shkenca kompjuterike;
– Audit i brendshëm;
– Shkenca ekonomike;
– Shkenca ekonomike/juridike;
– Shkenca shoqërore;
– Shkenca sociale;
– Histori-filologji;
– Veterinari;
– Agronomi;
– Shkenca biologjike dhe të ngjashme me to;
– Kimi;
– Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme;
– Shkenca inxhinierike;
– Arkitekturë;
– Arkeologji dhe restaurime;
– Artet e bukura;
– Gjeodezi;
– Shkenca ekzakte;
– Shkenca edukimi;
– Mësuesi;
– Arsim i lartë ushtarak/policor;
– Arsim i lartë.
3. Institucionet e administratës shtetërore ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2016 janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË DOKUMENTIT NDRYSHUES TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHOQATËS NDËRKOMBËTARE PËR ZHVILLIM (IDA), PËR PROJEKTIN “SIGURIA E DIGAVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 27, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin, në parim, të dokumentit ndryshues të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin “Siguria e digave”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË SHËRBIMEVE TË SPORTIT (ASHS)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të neneve 6, 18 e 30, pika 1, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Agjencia e Shërbimeve të Sportit është person juridik publik, buxhetor, në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
2. Agjencia e Shërbimeve të Sportit ofron shërbime për federatat shqiptare të sportit, shoqatat dhe klubet sportive që kërkojnë mbështetjen e saj, sipas kapacitetit infrastrukturor dhe financiar. Realizimi i këtyre shërbimeve bëhet sipas akteve nënligjore në fuqi dhe në bazë të marrëveshjeve paraprake ndërmjet palëve.
3. Agjencia e Shërbimeve të Sportit asiston dhe mbështet me personel të specializuar dhe infrastukturë federatat sportive në Republikën e Shqipërisë për zhvillimin e aktiviteteve kombëtare e ndërkombëtare.
4. Agjencia e Shërbimeve të Sportit ofron shërbimet e mëposhtme për ekipet kombëtare dhe federatat sportive.
a) Akomodimin, kontrollin dhe trajtimin mjekësor për çdo kategori moshash të ekipeve kombëtare;
b) Administrimin dhe menaxhimin e ambienteve e të terreneve sportive, në zbatim të akteve ligjore e nënligjore në fuqi;
c) Administrimin dhe menaxhimin e bazës materiale sportive, në dispozicion të ekipeve kombëtare;
ç)  Ofrimin e mjediseve e të infrastrukturës tjetër të nevojshme për periudhën e grumbullimit të ekipeve kombëtare, sipas kalendarit të përcaktuar me parë;
d) Dhënien me qira të aseteve (zyra dhe mjedise sportive), sipas kuadrit ligjor në fuqi.
5. Agjencia e Shërbimeve të Sportit drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili përfaqëson agjencinë, si dhe organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e saj. Drejtori i Përgjithshëm asistohet nga një zëvendësdrejtor.
6. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Shërbimeve të Sportit emërohet, lirohet ose shkarkohet nga ministri i Arsimit dhe Sportit.
7. Rregullat dhe procedurat e funksionimit të brendshëm të Agjencisë së Shërbimeve të Sportit përcaktohen me rregullore të ministrit të Arsimit dhe Sportit.
8. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të Agjencisë së Shërbimeve të Sportit, rregullohen në bazë të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë.
9. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KABINETIT TË MINISTRAVE TË UKRAINËS, PËR HEQJEN E NDËRSJELLË TË KËRKESAVE PËR VIZË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I : 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kabinetit të Ministrave të Ukrainës, për heqjen e ndërsjellë të kërkesave për vizë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR 
KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË DEVOLL, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE QENDËR BILISHT, TË PRONËS NR.783, NË ZONËN KADASTRALE 1202, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1056, DATË 16.7.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, NË KOMUNËN QENDËR BILISHT, TË QARKUT TË KORÇËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar dhe të neneve 3, shkronja “e”, 5, 7, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi të Bashkisë Devoll, për njësinë administrative Qendër Bilisht, të pronës me numër pasurie 783, e ndodhur në zonën kadastrale 1202, me sipërfaqe 14 000 (katërmbëdhjetë mijë) m2, sipas planimetrisë dhe formularit bashkëlidhur këtij vendimi, për ndërtimin e stacionit të transferimit të mbetjeve të ngurta.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.1056, datë 16.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në komunën Qendër Bilisht, të qarkut të Korçës”, të shtohet prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi.
3. Bashkisë Devoll i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, kryetari i Bashkisë Devoll dhe kryeregjistruesi i Zyrës Qendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
***
V E N D I M
                                         
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË, ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISËSË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “THE STAR”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË “SALLA S4, ME AMBIENTET E SAJ NDIHMËSE”, TË SHOQËRISË “NPV”, SH.A., DURRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë, me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “THE STAR”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë “Salla S4, me ambientet e saj ndihmëse”, në katin e tretë teknik (kati i katërt, nga toka, i godinës), në administrim të shoqërisë “NPV”, sh.a., Durrës, me sipërfaqe të përgjithshme 550 (pesëqind e pesëdhjetë) m2, përkatësisht, sipërfaqe nën objekt 550 (pesëqind e pesëdhjetë) m2, sipas genplanit dhe tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
  K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA TOKË BUJQËSORE NË TOKË TRUALL, PËR NDËRTIMIN E NJË FABRIKE NGA SHOQËRIA “DEUTSCH COLOR” 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga tokë bujqësore në tokë truall, të sipërfaqes prej 17 525 (shtatëmbëdhjetë mijë e pesëqind e njëzet e pesë) m², me vendndodhje sipas të dhënave në lidhjen 1, të këtij vendimi, për ndërtimin e një fabrike nga shoqëria “Deutsch Color”.
2. Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, në qarkun Durrës, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral përkatës ndryshimet e kategorisë së resursit, nga tokë bujqësore në tokë truall, për sipërfaqen prej 17 525 (shtatëmbëdhjetë mijë e pesëqind e njëzet e pesë) m², sipas pikës 1, të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Qarkut Durrës, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia Shijak për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË BUJQËSISË, ZHVILLIMIT RURAL DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE TË SIPËRFAQES SË TOKËS BUJQËSORE, NË PRONËSI SHTETËRORE, NË FSHATIN VOJNIK, NJËSIA ADMINISTRATIVE MAQELLARË, BASHKIA DIBËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit” të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 31.4 (tridhjetë e një pikë katër) ha, në pronësi shtetërore, në fshatin Vojnik, njësia administrative Maqellarë, Bashkia Dibër, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Punëve të Brendshme, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe Këshilli i Qarkut Dibër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
                                         
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.460, DATË 22.5.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, RREGULLAVE DHE PROCEDURAVE TË DHËNIES ME QIRA TË TOKAVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË SHTETIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9, 10 e 15, të ligjit nr.8318, datë 1.4.1998, “Për dhënien me qira të tokës bujqësore e pyjore, të livadheve dhe kullotave, që janë pasuri shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.460, datë 22.5.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Pika 1, e kreut I, ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“1. “Tokë”, në kuptim të këtij vendimi, nënkupton tokën që është pasuri shtetërore, klasifikuar në fondin e tokës bujqësore, sipërfaqet që, në dokumentacionin kadastral, figurojnë në kategorinë e resursit tokë bujqësore.”.
2. Kudo në vendim, fjalët “…tokë bujqësore në pronësi të shtetit…” zëvendësohen me fjalën “…tokë…”, sipas përkufizimit të dhënë në pikën 1, të këtij vendimi.
3. Në kreun II, “Objekti i qiradhënies”, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 1ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“1. Objekt i qiradhënies, sipas këtij vendimi, janë të gjitha sipërfaqet e tokës në pronësi të shtetit.”.
b) Pika 3 shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE”, NË BASHKINË E PEQINIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Zgjerimi i varrezave publike”, në Bashkinë e Peqinit, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Peqin.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, të kompensohen, sipas vlerave përkatëse, për sipërfaqen 4 000 (katër mijë) m², tokë bujqësore, në vlerën e përgjithshme të shpronësimit 1 204 000 (një milion e dyqind e katër mijë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 1 204 000 (një milion e dyqind e katër mijë) lekësh përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Peqin, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale përballohet nga Bashkia e Peqinit.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tri muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë e Peqinit të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë 4 000 (katër mijë) m², tokë bujqësore, për projektin “Zgjerim i varrezave publike”, bëhet në favor të Bashkisë së Peqinit.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia e Peqinit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NGRITJEN DHE FUNKSIONIMIN E SISTEMIT TË INTEGRUAR TË INFORMACIONIT DHE STATISTIKËS TË KËSHILLIT  TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2, shkronja “a”, e 5, të nenit 24, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen e Sistemit të Integruar të Informacionit dhe Statistikës të Këshillit të Ministrave, në vijim SIISKM, i cili organizohet dhe funksionon me qendër në Kryeministri dhe njësitë përbërëse në çdo ministri të linjës.
2. SIISKM-ja ka për qëllim administrimin dhe menaxhimin e fluksit të informacionit në funksion të vendimmarrjeve politike e strategjike të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit e të ministrave, si dhe në funksion të komunikimit e bashkëveprimit ndërinstitucional e të mirëmbajtjes të të dhënave thelbësore statistikore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. SIISKM-ja përbëhet nga Zyra Operacionale e Situatës në Kryeministri, në vijim ZOS, dhe nga zyrat e informacionit dhe menaxhimit të emergjencave civile dhe krizave, pranë ministrive, në vijim ZIMEK. ZOS-i dhe ZIMEK-u kryejnë edhe funksionet e parashikuara në vendimin nr.965, datë 2.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për bashkërendimin ndërinstitucional të strukturave të drejtimit, në rastet e emergjencave civile dhe krizave”.
4. Detyrat kryesore të SIISKM-së janë, si më poshtë:
a) Mbledhja, përpunimi dhe analiza e informacionit në interes të planifikimit, të komunikimit publik, të statistikës dhe të vendimmarrjes së rëndësishme, në nivel të ministrit, Kryeministrit dhe të Këshillit të Ministrave;
b) Hartimi i raporteve periodike ditore, javore, mujore dhe vjetore për ministrat, Kryeministrin dhe instanca të tjera të përcaktuara me urdhër të tyre, në të cilat pasyrohen gjendja e përgjithshme sipas fushave të përgjegjësisë së ministrive, si dhe gjendja e përgjithshme e vendit në rastin e raporteve që përgatiten për Kryeministrin. Përveç raporteve të përgjithshme, SIISKM-ja përgatit edhe raporte tematike për çështje të caktuara me rëndësi;
c) Mbledhja, përpunimi dhe publikimi i informacionit statistikor në nivel ministrie dhe Kryeministrie.
5. Raportet e SIISKM-së janë dokumente përfundimtare dhe referencë e detyrueshme zyrtare si në komunikimin ndërinstitucional ashtu dhe në komunikimin publik. Në përmbushje të detyrave të përcaktuara në pikën 4, të këtij vendimi, çdo komunikim ndërinstitucional, ndërmjet Kryeministrisë e ministrive e strukturave të tjera të varësisë dhe ndërmjet ministrive kryhet nëpërmjet strukturave të SIISKM-së.
6. Strukturat përbërëse të SIISKM-së janë përgjegjëse për sistemimin, administrimin dhe ruajtjen e informacionit që qarkullon përmes tyre në të gjitha trajtat teknike në përdorim, si letra, mbartësit analogë dhe digjitalë të shkrimit, zërit dhe figurës.
7. Zyra Operacionale e Situatës është qendra e koordinimit të SIISKM-së. Objekti i punës së ZOS-it është të bashkërendojë gjithë veprimtarinë e SIISKM-së dhe të përmbushë detyrat e përcaktuara në pikat 4, 5 dhe 6, të këtij vendimi, në funksion të Kryeministrit dhe të Këshillit të Ministrave.
8. ZOS-i menaxhon dhe mban në funksion të përhershëm sallën qendrore të situatës në Kryeministri si dhe organizon prezantimet periodike për gjendjen e sektorëve të veçantë dhe gjendjen e përgjithshme të vendit për Kryeministrin dhe për Këshillin e Ministrave.
9. ZOS-i mbështetet nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) si dhe nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit përkatësisht (AKSHI) me informacion gjeohapësinor, informatik si dhe produkte të tjera të nevojshme për përgatitjen e raporteve e të prezantimeve për Kryeministrin dhe Këshillin e Ministrave.
10. Objekti i punës së ZIMEK-ut në çdo ministri është përmbushja e detyrave të përcaktuara në pikat 4, 5 dhe 6, të këtij vendimi, në funksion të ministrit, dhe nëpërmjet ZOS-it, në funksion të Kryeministrit.
11. ZOS-i ka në përbërje punonjës organikë të Kryeministrisë dhe përfaqësues, koordinatorë ndërlidhës të dërguar nga ministritë. Koordinatorët ndërlidhës të ministrive pranë ZOS-it janë pjesë e strukturave të ZIMEK-eve të ministrive përkatëse.
12. Për hartimin e raporteve tematike për çështje të caktuara, kur kërkohet ekspertizë e lartë e cila nuk disponohet në ZOS apo në ZIMEK, autorizohet angazhimi i ekspertëve nga brenda administratës shtetërore ose kontraktimi i tyre nga jashtë saj, në bazë të kontratave dypalëshe, të cilat nënshkruhen nga sekretarët e përgjithshëm të çdo institucioni dhe ekspertëve përkatës që nuk janë pjesë e administratës shtetërore.
13. Në strukturat e SIISKM-së angazhohen punonjës me kualifikim të përshtatshëm dhe të aftë për kryerjen e detyrave të mëposhtme:
– Kryeanalistit;
– Analistit të lartë;
– Koordinatorit;
– Editorit;
– Përpunuesit të të dhënave;
– Ndihmësit.
14. Protokollet e mbledhjes, përpunimit, analizës dhe publikimit të informacionit si dhe procedurat standarde të punës rregullohen me akte të veçanta, që miratohen nga Kryeministri për ZOS-in dhe nga ministrat përkatës për ZIMEK-un. Aktet që miratohen nga ministrat duhet të jenë të harmonizuara me parimet, standardet dhe kërkesat e parashikuara në aktet e miratuara nga Kryeministri për ZOS-in.
15. Ngarkohen Kryeministria dhe ministritë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS “KINEMAJA   E VJETËR””, NË BASHKINË PATOS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Rikonstruksioni i rrugës “Kinemaja e vjetër””, në Bashkinë e Patosit, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Patos.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, të kompensohen, sipas vlerave përkatëse, për sipërfaqen prej 50.7 (pesëdhjetë pikë shtatë) m², truall, në vlerën e përgjithshme të shpronësimit 50 294 prej (pesëdhjetë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e katër) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 50 294 (pesëdhjetë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e katër) lekësh përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Patos, të planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale përballohet nga Bashkia Patos.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tri muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë e Patosit të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë 50.7 (pesëdhjetë pikë shtatë) m², truall, për projektin “Rikonstruksioni i rrugës “Kinemaja e vjetër””, bëhet në favor të Bashkisë së Patosit.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia Patos për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE”, NË BASHKINË E SKRAPARIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të         ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Zgjerimi i varrezave publike”, në Bashkinë e Skraparit, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Skrapar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen për sipërfaqen e përgjithshme, prej 2 000 (dy mijë) m² truall, në vlerën                     1 592 000 (një milion e pesëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 592 000 (një milion e pesëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekësh, përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Skrapar, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale përballohet nga Bashkia e Skraparit.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tri muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit, në Bashkinë e Skraparit, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë, prej 2 000 (dy mijë) m² truall, për projektin “Zgjerim i varrezave publike”, bëhet në favor të Bashkisë së Skraparit.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia e Skraparit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.