Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 25 Mars 2015
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.142, DATË 12.3.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRSHKRIMIN DHE KLASIFIKIMIN E POZICIONEVE TË PUNËS NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE DHE INSTITUCIONET E PAVARURA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 69, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
Në vendimin nr.142, datë 12.3.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 5, e kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Klasat e zbatueshme për secilën kategori, si dhe emërtesat e pozicioneve të punës që i përkasin secilës klasë të jenë, si më poshtë vijon:
Kategoria I – Nëpunës civilë të nivelit të lartë drejtues
Klasa                                                     Emërtimi i pozicionit 
1                                                    Sekretar i Përgjithshëm në Këshillin e Ministrave,  Presidencë,                                                           Kuvend dhe institucione të pavarura kushtetuese.
2                                                    Sekretar i Përgjithshëm në ministritë e linjës, institucionet e                                                                 pavarura të krijuara me ligj, njësitë e qeverisjes vendore/ drejtor                                                           departamenti/titullarë të institucioneve në varësi të Kryeministrit                                                           apo ministrave të linjës.
3                                                    Sekretar i Përgjithshëm në njësitë e qeverisjes vendore, drejtor i                                                         Drejtorisë së Përgjithshme në Kryeministri, ministritë e linjës,                                                             institucionet e pavarura të krijuara me ligj, njësitë e qeverisjes                                                             vendore/titullarë të institucioneve në varësi të Kryeministrit apo                                                           ministrave të linjës.
Kategoria II  – Nëpunës civilë të nivelit të mesëm drejtues 
Klasa                                                                       Emërtimi i pozicionit
1                                                          Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme në njësitë e qeverisjes                                                                   vendore, drejtor drejtorie në Kryeministri, ministritë e linjës,                                                                 institucione të pavarura të krijuara me ligj, titullarë të                                                                           institucioneve në varësi të ministrave të linjës, drejtor drejtorie                                                             në institucionet në varësi të Kryeministrit apo ministrave të                                                                 linjës.
2                                                         Drejtor drejtorie në institucionet në varësi të Këshillit të                                                                        Ministrave, ministrave të linjës, njësi të qeverisjes vendore.
Kategoria III – Nëpunës civilë të nivelit të ulët drejtues
Klasa                                                                         Emërtimi i pozicionit
1                                                                                Shef sektori i nivelit A.
2                                                                                Shef sektori i nivelit B.
Katgeoria IV – Nëpunës civilë të kategorisë ekzekutive 
Klasa                                                                           Emërtimi i pozicionit
1                                                                                     Specialist i nivelit A.
2                                                                                     Specialist i nivelit B.
3                                                                                     Specialist i nivelit C.
4                                                                                     Specialist i nivelit D.
2. Lidhja nr.2, që përmendet në pikën 8, të kreut II, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Lidhja nr.3, që përmendet në pikën 12, të kreut III, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Kudo në vendim fjalët “… qarqet, bashkitë, komunat …” zëvendësohen me “… njësitë e qeverisjes vendore …”.
                  Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE,  QË PREKEN NGA RISTRUKTURIMI I UJËSJELLËSIT TË QYTETIT  SI DHE ÇELJA E RRUGËVE “NAIM FRASHËRI”, “ANDON BULLACI”, “NEVRUZ GJOZA” DHE “ILIRIA”, TË BASHKISË SË BILISHTIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ristrukturimi i ujësjellësit të qytetit si dhe çelja e rrugëve “Naim Frashëri”, “Andon Bullaci”, “Nevruz Gjoza” dhe “Iliria”, të bashkisë së Bilishtit, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të bashkisë së Bilishtit.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen, për sipërfaqen prej  2 754 m² tokë “arë”, në vlerën 1 176 699 (një milion e njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 176 699 (një milion e njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e bashkisë së Bilishtit, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve proceduriale të përballohet nga bashkia e Bilishtit.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit, në bashkinë e Bilishtit, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë, prej 2 754 m² tokë “arë”, për ristrukturimin e ujësjellësit të qytetit dhe çeljen e rrugëve, të bëhet në favor të bashkisë së Bilishtit.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkia e Bilishtit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZGJERIMI I VARREZAVE KATOLIKE, FSHATI GURËZ,          KOMUNA FUSHË – KUQE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zgjerimi i varrezave katolike, fshati Gurëz, komuna Fushë – Kuqe.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të komunës Fushë – Kuqe.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen sipas masës përkatëse për sipërfaqen 4 000 (katër mijë) m², tokë arë, në vlerën e përgjithshme të shpronësimit 1 112 000 (një milion e njëqind e dymbëdhjetë mijë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 1 112 000 (një milion e njëqind e dymbëdhjetë mijë) lekësh të përballohet nga të ardhurat e komunës Fushë – Kuqe, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Shpenzimet procedurale të përballohen nga komuna Fushë – Kuqe.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në komunën Fushë – Kuqe të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo komunë.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 4 000 (katër mijë) m², tokë arë, për zgjerimin e varrezave katolike, të fshatit Gurëz, të bëhet në favor të komunës Fushë – Kuqe.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe komuna Fushë – Kuqe për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPËRBLIMIN E PRONARËVE PËR SIPËRFAQET TAKUESE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “c”, të nenit 3, dhe pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Vlorës, Shkodrës dhe Kukësit.
2. Vlera e përgjithshme e kompensimit, për sipërfaqen prej 25 242.55 (njëzet e pesë mijë e dyqind e dyzet e dy pikë pesëdhjetë e pesë) m², që shpronësohet, të jetë 253 184 771.36 (dyqind e pesëdhjetë e tre milionë e njëqind e tetëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e një pikë tridhjetë e gjashtë) lekë, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Zyra përkatëse e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të kryejë ndryshimet, për këto pasuri, në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
4. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, PËRFITUESI, E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT, AGJENCIA ZBATUESE E PROJEKTIT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR PËRGATITJEN E PROJEKTIT DHE STUDIMEVE TË FIZIBILITETIT PËR NDËRTIMIN/RINDËRTIMIN E SISTEMEVE TË FURNIZIMIT ME UJË NË ZONAT RURALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, përfituesi, e Fondit Shqiptar për Zhvillim, agjencia zbatuese e projektit, dhe KfW Frankfurt am Main, për përgatitjen e projektit dhe studimeve të fizibilitetit për ndërtimin/rindërtimin e sistemeve të furnizimit me ujë të zonave rurale, me një grant në shumën 670 000 (gjashtëqind e shtatëdhjetë mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M  
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, BOSNJËS DHE HERCEGOVINËS, REPUBLIKËS SË KROACISË DHE MALIT TË ZI, NË LIDHJE ME MBËSHTETJEN DHE BASHKËPUNIMIN NË REALIZIMIN E AUTOSTRADËS ADRIATIKO – JONIANE 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Republikës së Kroacisë dhe Malit të Zi, në lidhje me mbështetjen dhe bashkëpunimin në realizimin e Autostradës Adriatiko – Joniane, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
KOMPENSIMIN PËR PRIVACIONET DHE HUMBJET QË I SHKAKTOHEN PUNONJËSIT TË POLICISË SË SHTETIT, PËR SHKAK TË NEVOJAVE TË PUNËS DHE TË SHËRBIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1, shkronjat “b” e “ç” dhe 2, të nenit 67, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Punonjësi i Policisë së Shtetit, kur caktohet në punë jashtë vendbanimit të vet, përfiton pagesë për kompensim udhëtimi.
Masa e pagesës për kompensim udhëtimi është, si më poshtë vijon:
a) Nga 36 km deri 60 km, në masën                                        3 000 lekë/muaj;
b) Nga 61 km deri 100 km, në masën                                      5 000 lekë/muaj;
c) Nga 101 km deri 150 km, në masën                                    8 000 lekë/muaj;
ç) Nga 151 km deri 200 km, në masën                                   10 000 lekë/muaj;
d) Mbi 200 km, në masën                                                      15 000 lekë/muaj.
2. Përfitimi i kësaj pagese vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit të policisë, që nënkupton sistemimin me banesë në territorin e juridiksionit të komisariatit të policisë apo drejtorisë së policisë së qarkut ku ai bën pjesë.
3. Për përfitimin e pagesës, sipas pikës 1, të këtij vendimi, punonjësi i policisë paraqet në organin, ku është transferuar, dokumentacionin e poshtëshënuar:
a) Kërkesë me shkrim, pranë njësisë buxhetore ku është i punësuar punonjësi i policisë.
b) Fotokopje të kartës së identitetit, certifikatën e gjendjes civile familjare.
c) Vërtetim nga organi qeverisjes vendore, ku të vërtetohet vendbanimi i familjes dhe i vetë punonjësit të policisë, pavarësisht nga gjendja civile.
ç) Vërtetim pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme nëse punonjësi i policisë ka banesë në juridiksionin ku është transferuar.
d)  Vërtetim  pranë drejtorive të ALUIZNI-t nëse punonjësi i policisë ka aplikuar për legalizim banese në juridiksionin ku është transferuar.
4. Titullari i njësive shpenzuese të verifikojë nëpërmjet strukturave të tyre vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga punonjësi i policisë.
5. Kur punonjësi i policisë transferohet për nevoja pune dhe, për këtë shkak, bashkëshortja/i humbet marrëdhëniet e punës, në rast të pamundësisë së punësimit, i jepet një pagesë, deri në çastin e punësimit, në masën:
a) 50% të pagës mujore minimale në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshortja/i ka vjetërsi pune mbi 1 vit dhe shtesë në masën 5%, të pagës mujore minimale në shkallë vendi, për çdo vit mbi 1 vit, por jo më shumë se paga minimale në shkallë vendi.
b) 100% të pagës mesatare mujore të vitit të fundit të punës, por jo më shumë se 150 % të pagës minimale në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshortja/i ka vjetërsi në punë mbi 10 vjet.
6. Paga mesatare mujore e bashkëshortes/it të rritet sipas indeksit të pagës minimale, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
7. Vjetërsia në punë e bashkëshortes/it do të konsiderohet vjetërsia e përgjithshme në punë, e dokumentuar në librezën e punës së çdo punonjësi/e, me përjashtim të viteve të sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, shërbimit ushtarak për meshkujt, viteve të shkollimit në institucionet e arsimit të lartë dhe periudhave të trajtimit me pagesë papunësie.
8. Përfitimi i pagesës, sipas pikës 5, të këtij vendimi, mund të përfitohet për një periudhë deri në 7 vjet.
9. Bashkëshortja/i, që ka përfituar sipas pikës 3, të vendimit nr.183, datë 9.2.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin për privacionet dhe humbjet që i shkaktohen punonjësit të Policisë së Shtetit, për shkak të nevojave të punës dhe të shërbimit”, do të vazhdojë të përfitojë pagesën, sipas përcaktimeve të bëra në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij vendimi, por jo më shumë se 15 vjet.
10. Koha e qëndrimit pa punë e bashkëshortes/it të punonjësit të policisë llogaritet në vjetërsinë e përgjithshme të punës për efekt pensioni. Kontributi i sigurimeve derdhet nga institucioni dhe përfituesi sipas skemës së sigurimeve shoqërore për punonjësit civilë.
11. Për përfitimin e pagesës, sipas pikës 5, të këtij vendimi, punonjësi i policisë paraqet në organin, ku është transferuar, dokumentacionin e poshtëshënuar:
a) Kërkesë me shkrim, me gjenealitetet e plota, ku përshkruhet:
– organi ku ka punuar;
– data e transferimit,
– arsyeja e transferimit;
– adresa ku ka banuar;
– adresa aktuale ku banon pas transferimit;
– qendra e punës ku ka punuar bashkëshortja/i, data dhe shkaku i largimit nga puna.
b) Vërtetim të pagës mesatare mujore të vitit të fundit kalendarik të punës për pagesën e marrë nga bashkëshortja/bashkëshorti.
c) Vërtetim nga sigurimet shoqërore për kontributet e derdhura nga bashkëshorti/bashkëshortja për periudhën e punësimit.
ç)  Librezën e punës së bashkëshortes/it, ku të jetë cilësuar largimi nga puna për arsye të transferimit të bashkëshortes/it.
d) Vërtetim nga zyra përkatëse e punësimit, ku të vërtetohet se bashkëshortja/i është regjistruar si punëkërkues i papunë dhe nuk i është ofruar punë në profesionin e saj/tij. Këtë vërtetim punonjësi e paraqet çdo tre muaj në zyrën e personelit.
dh)  Kontratën e qirasë së banesës ku punonjësi është i transferuar.
12. Në çdo 6 muaj, njësitë administrative buxhetore të Policisë së Shtetit të   dërgojnë në zyrat rajonale të punësimit listën emërore të bashkëshortëve/eve, për trajtimin me përparësi nga këto zyra të punësimit të tyre, në rastet e hapjes së vendeve të lira.
13. Punonjësit e policisë me gradën “inspekor” përfitojnë sipas pikave 1 dhe 5, vetëm në rastet kur iu kërcënohet jeta dhe familja dhe në raste të veçanta ristrukturimi, por, në çdo rast, pagesat për këtë kategori punonjësish do të propozohen nga njësia shpenzuese dhe do të miratohen nga drejtori i Policisë së Shtetit.
14. Punonjësi i policisë, në përpjesëtim me kohën e shpenzuar gjatë ushtrimit të detyrës shtesë të trajnuesit në terren të punonjësve të policisë që kanë përfunduar periudhën e shkollimit në shkollën bazë të policisë, përfiton shtesë mbi pagën mujore në masën 40 lekë/orë, por jo më shumë se 7 000 (shtatë mijë) lekë.
15. Punonjësve të Policisë së Shtetit iu jepet ndihmë e menjëhershme financiare, në masën e një page mujore, në rastet e fatkeqësive në familje.
16. Pagesa i jepet punonjësit të policisë për rastet e vdekjes së një anëtari të familjes së tij (bashkëshorti/ja, prindërit apo fëmijët). Pagesa jepet me urdhër nga titullari i institucionit.
17. Masa e ndihmës financiare do të përballohet nga fondi i veçantë i institucionit.
18. Vendimi nr.183, datë 9.2.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin për privacionet dhe humbjet që i shkaktohen punonjësit të Policisë së Shtetit, për shkak të nevojave të punës dhe të shërbimit”, shfuqizohet.
19. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Policisë së Shtetit.
20. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË VENDIMIT TË KËSHILLIT  TË STABILIZIM – ASOCIIMIT, BASHKIMI EVROPIAN – SHQIPËRI, PËR ZËVENDËSIMIN E PROTOKOLLIT 4 TË MARRËVESHJES SË STABILIZIM – ASOCIIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, NGA NJËRA ANË, DHE KOMUNITETEVE EVROPIANE E SHTETEVE TË TYRE ANËTARE, NGA ANA TJETËR, NË LIDHJE ME PËRKUFIZIMIN E KONCEPTIT “PRODUKTE ORIGJINUESE” DHE METODAT E BASHKËPUNIMIT ADMINISTRATIV
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të vendimit të Këshillit të Stabilizim – Asociimit, Bashkimi Evropian – Shqipëri, për zëvendësimin e protokollit 4 të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, nga njëra anë, dhe Komuniteteve Evropiane e shteteve të tyre anëtare, nga ana tjetër, në lidhje me përkufizimin e konceptit “produkte origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PER
MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË KUVAJTIT, PËR BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E ZHVILLIMIT TË EKSPORTEVE INDUSTRIALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e memorandumit të bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Kuvajtit, për bashkëpunimin në fushën e zhvillimit të eksporteve industriale, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS  SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ARABE TË EGJIPTIT, PËR BASHKËPUNIMIN DOGANOR DHE NDIHMËN E NDËRSJELLË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Arabe të Egjiptit, për bashkëpunimin doganor dhe ndihmën e ndërsjellë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K  R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SERBISË, PËR NDIHMËN E NDËRSJELLË PËR PARANDALIMIN, HETIMIN DHE DËNIMIN E SHKELJEVE DOGANORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Serbisë, për ndihmën e ndërsjellë për parandalimin, hetimin dhe dënimin e shkeljeve doganore, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.