Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 25 shkurt 2015
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.944, DATË 9.10.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË ZHVILLIMIT URBAN DHE TURIZMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.944, datë 9.10.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Në titull dhe kudo në vendim, emërtimi “Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit” zëvendësohet me “Ministria e Zhvillimit Urban”.
2. Në fund të kreut II, fjalët “… dhe turizmit.” hiqen.
3. Kreu III ndryshohet, si më poshtë vijon:
“III. Ministria e Zhvillimit Urban ushtron, në përputhje me legjislacionin përkatës, veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie shtetërore:
1. Fushën e planifikimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm urban, administrimit të tokës dhe kontrollit të zhvillimit të territorit;
2. Fushën e legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të zonave e ndërtimeve informale;
3. Fushën e standardeve urbane në ndërtim;
4. Fushën e strehimit;
5. Fushën e mbetjeve urbane në lidhje me planifikimin territorial;
6. Fushën e menaxhimit të projekteve të zhvillimit urban.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.835,  DATË 18.9.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE  TË MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.835, datë 18.9.2013, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në titullin e vendimit dhe kudo në vendim emërtimi  “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohet me “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes”.
2. Kreu II ndryshohet, si më poshtë vijon:
“II. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes përgatit dhe zbaton politikat e qeverisë në sferën ekonomike, të turizmit, të tregtisë dhe të sipërmarrjes për ndërtimin e një modeli të ri ekonomik, me synim rritjen ekonomike, të lartë e të qëndrueshme në Shqipëri. Ajo harton dhe zbaton politika të integruara ekonomike në sektorët parësorë të ekonomisë, turizmit, konvergjimit ekonomiko-social të rajoneve të vendit, përmirësimit të klimës dhe shërbimeve për biznesin dhe sipërmarrjen.”.
3. Pas pikës 34, të kreut III, shtohen pikat 35, 36, 37, 38, 39 dhe 40, si më poshtë vijon:
“35. Të hartojë dhe të zbatojë politika për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit, nëpërmjet nxitjes së investimeve në fushën e turizmit, ngritjes dhe monitorimit të sistemit të standardeve në turizëm dhe edukimit në vazhdim të biznesit në fushën e turizmit, promovimit të produktit dhe destinacioneve turistike, koordinimit dhe bashkëpunimit me strukturat shtetërore, pushtetin vendor, dhe funksione të tjera, të cilat do të mbulohen nga institucionet e varësisë, aparati i ministrisë dhe degët territoriale.
36. Të kontrollojë ndryshimet e regjimit tregtar mbi eksport-importet.
37. Të ndjekë në vazhdimësi procesin e krijimit dhe monitorimit të zonave ekonomike.
38. Të sigurojë në kohë dhe në mënyrë profesionale informacionet e nevojshme dhe të kërkuara lidhur me zbatimin e politikave dhe objektivave të sektorit; të kontribojë dhe monitorojë në bashkëpunimin edhe me institucionet e tjera për realizimin e kushteve të domosdoshme infrastrukturore për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike.
39. Mbulimi i çështjeve të standardizimit të shpronësimeve është emergjencë dhe domosdoshmëri, për shkak të përfshirjes edhe të zonave ekonomike dhe detyrimit për zbatimin e legjislacionit për këto zona, si dhe të  unifikimit të  trajtimit të praktikave dhe zgjidhjes së problemeve që dalin gjatë implementimit të projekteve në zbatim.
40. Verifikimi i efiçencës së përdorimit të burimeve ekonomike, që nga trajtimi i tyre nga autoritetet kontraktuese deri në pagesën e detyrimeve që dalin nga procesi i shpronësimit.”.
4.  Pas pikës 8, të kreut V, shtohen pikat 9 dhe 10, si më poshtë vijon:
“9. Agjencinë Kombëtare të Turizmit (AKT);
 10. Inspektoratin e Mbikëqyrjes në fushën e turizmit.”.
5. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KORESË, PËR BASHKËPUNIMIN EKONOMIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Koresë, për bashkëpunimin ekonomik, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM,                           PËR “PROJEKT I MIRËMBAJTJES DHE SIGURISË RRUGORE BAZUAR NË REZULTATE” 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, dhe të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për “Projekt i mirëmbajtjes dhe sigurisë rrugore bazuar në rezultate”, me një hua në shumën 65 900 000 euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR 
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.54, DATË 21.1.2015,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I OBJEKTIT “STUDIM, PROJEKTIM, LIDHJA E RRUGËS TRANSBALLKANIKE ME SUPERSTRADËN FIER-VLORË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik” dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.54, datë 21.1.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Në pikat 3 dhe 4, vlera 516 898 914.92 (pesëqind e gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e nëntëqind e katërmbëdhjetë pikë nëntëdhjetë e dy) lekë ndryshon dhe bëhet 582 942 635.82 (pesëqind e tetëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e dyzet e dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë e pesë pikë tetëdhjetë e dy) lekë.
2. Tabela bashkëlidhur vendimit zëvendësohet me tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M 
PËR
PLANIN VJETOR TË PRANIMIT NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESË TË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i vendeve vakante, të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2015, është, gjithsej, 760, ndarë sipas kategorive të mëposhtme:
a- Për trupën e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues (TND)                30;
b- Për kategorinë e mesme drejtuese                                                       40;
c- Për kategorinë e ulët drejtuese                                                           180;
ç-  Për kategorinë ekzekutive                                                                510.
2. Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm, në kategorinë ekzekutive, janë si më poshtë:
– Shkenca Juridike;
– Shkenca Kompjuterike;
– Audit i Brendshëm;
– Shkenca Ekonomike;
– Shkenca Shoqërore;
– Shkenca Sociale;
– Histori-Filologji;
– Teologji;
– Shkenca Mjedisore ose të tjera të përshtatshme;
– Inxhinieri;
– Arkitekturë;
– Arkeologji dhe restaurime;
– Artet e Bukura;
– Gjeodezi;
– Shkenca Ekzakte;
– Shkenca Edukimi;
– Mësuesi;
– Arsim i Lartë Ushtarak/policor.
3. Institucionet e administratës shtetërore, ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2015, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
4. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË PROJEKTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, PËR GRANTIN E ASISTENCËS FINANCIARE, PËR PROJEKTIN “NGRITJA E KAPACITETEVE PËR ZHVILLIMET NË PËRMASA TË MËDHA TË INFRASTRUKTURËS SË GAZIT NË SHQIPËRI, II”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së projektit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, për grantin e asistencës financiare për projektin “Ngritja e kapaciteteve për zhvillimet në përmasa të mëdha të infrastrukturës së gazit në Shqipëri, II”, në shumën prej 6 600 000 (gjashtë milionë e gjashtëqind mijë) eurosh, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË RIMËKËMBJES FINANCIARE TË SEKTORIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “E”, të Seksionit IV, dhe pikës 22, të shtojcës, që i bashkëlidhen marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike, të ratifikuar me ligjin nr.170/2014, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e planit të rimëkëmbjes financiare të sektorit të energjisë elektrike, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I LINJËS 110 KV KORÇË – ZËMBLAK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i linjës 110 kV Korçë-Zëmblak, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të “Operatorit të Sistemit të Transmetimit”, sh.a., (OST).
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në lekë, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen 3 204 (tre mijë e dyqind e katër) m², tokë bujqësore “arë” dhe “truall”, vlerësuar me shumën 535 724 (pesëqind e tridhjetë e pesë mijë e shtatëqind e njëzet e katër) lekë.
4. Fondi prej 535 724 (pesëqind e tridhjetë e pesë mijë e shtatëqind e njëzet e katër) lekësh të përballohet nga fondet e OST, sh.a.-së.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të shpronësimit të përballohet nga OST, sh.a.-ja, si subjekti që garanton edhe shpenzimet për realizimin e këtij procesi.
6. Shpronësimi të fillojë brenda muajit shkurt 2015.
7. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë të pezullojnë të gjitha transaksionet mbi këto pasuri, deri në përfundimin e procesit të kalimit të pronësisë të pasurive të shpronësuara në favor të OST, sh.a-së.
8. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë, OST, sh.a.-ja, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I LINJËS 110 KV ERSEKË-KORÇË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i linjës 110 kV Ersekë-Korçë, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., (OST).
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në lekë, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen 1 969.17 (një mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë pikë shtatëmbëdhjetë) m², tokë bujqësore “arë’ dhe ‘truall”, vlerësuar në shumën 276 006.24 (dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtë pikë njëzet e katër) lekë.
4. Fondi prej 276 006.24 (dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtë pikë njëzet e katër) lekësh të përballohet nga fondet e OST, sh.a.-së.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të shpronësimit të përballohet nga OST, sh.a, si subjekti që garanton shpenzimet për realizimin këtij procesi.
6. Shpronësimi të fillojë brenda muajit shkurt 2015.
7. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Ersekë dhe Korçë të marrin masat për pezullimin e të gjitha transaksioneve mbi këto pasuri, deri në përfundimin e procesit të kalimit të pronësisë së pasurive të shpronësuara në favor të OST, sh.a.-së.
8. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, OST, sh.a.-ja, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Ersekë dhe Korçë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “TIRANË-ELBASAN, LOTI III, RRËSHQITJET” 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Tiranë – Elbasan, Loti III, Rrëshqitjet”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur, për pasurinë “arë”, me sipërfaqe të përgjithshme 15 606 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtë) m2, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 3 990 362 (tre milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e dy) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 3 990 362 (tre milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e dy) lekësh të përballohet nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, “Proces konfirmimi”, e “Kufizim  pasurie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të  Paluajtshme Elbasan, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË  PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMETIT RRUGOR  “PORTO ROMANO-DURRËS, LOTI I”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Porto Romano-Durrës, loti I”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 4 478 606 (katër milionë e katërqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e gjashtë) lekësh, nga të cilat:
a) për pasurinë “truall”, me sipërfaqe 868 (tetëqind e gjashtëdhjetë e tetë) m2 me vlerën 2 867 004 (dy milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e katër) lekë;
b) për objekte, me vlerë shpronësimi 1 611 602 (një milion e gjashtëqind e njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e dy) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 4 478 606 (katër milionë e katërqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e gjashtë) lekë të përballohet nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës të pezullojnë të gjitha transaksionet  me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të  Paluajtshme Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.28, DATË 14.1.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGARKIMIN E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME PËR KRYERJEN E PROCEDURAVE TË PROKURIMIT PUBLIK, NË EMËR DHE PËR LLOGARI TË KRYEMINISTRISË, MINISTRIVE DHE INSTITUCIONEVE TË VARËSISË, PËR DISA MALLRA E SHËRBIME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 11, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas nënpikës 1.2., të vendimit nr.28, datë 14.1.2015, të Këshillit të Ministrave, shtohet nënpika 1.3., me këtë përmbajtje:
 “1.3. Përjashtimisht, lejohen përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të RSH-së, të akredituara jashtë vendit, që procedurat për blerje automjetesh t’i realizojnë vetë, sipas rregullave të tyre të brendshme.”.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe përfaqësitë diplomatike e konsullore të Republikës së Shqipërisë, të akredituara jashtë vendit, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.