Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 26 nëntor 2014
V E N D I M
PËR
HEQJEN NGA FONDI PYJOR TË SIPËRFAQES DHE VOLUMIT TË EKONOMIVE PYJORE “KASTRIOT SLLOVË” DHE “DESHAT MAQELLARË”, DIBËR, QË DO TË PËRDOREN NGA SHOQËRIA “HEIDORN & BINJAKU”, SH.P.K., PËR SHFRYTËZIMIN E MINERALIT TË GIPS ALABASTERIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Sipërfaqja pyjore prej 94.8 ha, në ngastrat nr.238b, 238c, 238d, 239c, 239d e 239e, të ekonomisë pyjore “Kastriot Sllovë” dhe ngastra nr.1a, e ekonomisë pyjore “Deshat Maqellarë”, në objektin “Vrejt Radomirë”, Dibër, që do të përdoret nga shoqëria “Heidorn & Binjaku”, sh.p.k., për shfrytëzimin e mineralit të gips alabasterit, të hiqet nga fondi pyjor publik dhe të çregjistrohet nga Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave. Të dhënat për ngastrat pyjore jepen në lidhjen nr.1 dhe hartën topografike bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Vlerat përkatëse të pakësimit të sipërfaqes së hequr dhe të volumit të lëndës drusore paguhen nga shoqëria “Heidorn & Binjaku”, sh.p.k., në bazë të vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar.
3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “Heidorn & Binjaku”, sh.p.k. detyrohet të rehabilitojë sipërfaqen e marrë në përdorim, sipas kushteve të lejes mjedisore dhe, brenda 2 viteve të para, të pyllëzojë, me fondet e veta, një sipërfaqe prej 6.8 ha fond pyjor, në ngastrat e përcaktuara në marrëveshjen me Ministrinë e Mjedisit.
4. Ministria e Mjedisit dhe shoqëria “Heidorn & Binjaku”, sh.p.k. të nënshkruajnë marrëveshje të përbashkët për hapat, afatet dhe procedurat për hartimin e projekteve teknike lidhur me detyrimet, sipas pikës 3, të këtij vendimi.
5. Sipërfaqet pyjore, sipas pikës 1, të këtij vendimi, mbeten pronë publike e shtetit dhe regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
6. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të bëjë çregjistrimin e sipërfaqes pyjore, të identifikuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, nga kategoria “Tokë e zënë pyjore/kullosoret etj” dhe ta regjistrojë atë në kategorinë “Tokë e zënë, objekt shfrytëzimi për aktivitet minerar”.
7. Me përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në planin e rehabilitimit, sipas lejes mjedisore, nga shoqëria “Heidorn & Binjaku”, sh.p.k., sipërfaqja e rehabilituar të regjistrohet fond pyjor publik.
8. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe shoqëria “Heidorn & Binjaku”, sh.p.k. për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.663, DATË 17.7.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE TË LUFTËS KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR, TRAFIQEVE TË PALIGJSHME DHE TERRORIZMIT, 2013-2020, DHE PLANIT TË VEPRIMIT PËR VITET 2013-2016”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.663, datë 17.7.2013, të Këshillit të Ministrave, shtohet shtojca 1, me titull “Strategjia e Luftës kundër Trafikimit të Personave e plani i veprimit, 2014-2017”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Shërbimi Informativ i Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E KRITEREVE PËR PËRZGJEDHJEN E PËRGJEGJËSIT TË SHËRBIMIT NË QENDRAT SPITALORE UNIVERSITARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 12, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shërbimi në Qendrën Spitalore Universitare drejtohet nga përgjegjësi i shërbimit, i cili përzgjidhet në bazë konkurrimi.
2. Përgjegjësi i shërbimit duhet:
a) të ketë kontribut të veçantë në fushën e shërbimit për të cilën kandidon;
b) të ketë, të paktën, gradën shkencore “Doktor” në fushën përkatëse;
c) të ketë eksperiencë në fushën e mësimdhënies, jo më pak se 5 vjet, dhe eksperiencë në punë klinike, pa ndërprerje, jo më pak se 10 vjet;
ç)  të ketë kryer kërkime dhe botime shkencore, brenda dhe jashtë vendit;
d) të jetë mbi moshën 40 vjeç dhe brenda moshës që lejon mosndërprerjen e mandatit për arsye të daljes në pension pleqërie;
dh) të ketë nënshkruar letrën e angazhimit në detyrë;
e) të mos ketë masa disiplinore në fuqi dhe të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.
3. Qendra Spitalore Universitare, përpara fillimit të procesit të përzgjedhjes së përgjegjësit të shërbimit, bën publikimin për vendin vakant në faqen zyrtare të internetit. Përzgjedhja e tij/saj bëhet me bazë konkurrimi me dosje.
Në dosje duhet të jenë të përfshira: kërkesa për aplikim, letra e angazhimit, CV-ja e kandidatit, dokumenti që provon gradën shkencore të fituar, dokumenti që provon eksperiencën në punë, ku të vendoset shkalla e njohjes së një gjuhe të huaj të një vendi evropian, materialet që provojnë publikimin e pesë botimeve shkencore jashtë vendit, brenda fushës së shërbimit që do të mbulojë kandidati, mundësisht në revista me faktor impakti, dokumente që tregojnë angazhimin e tij në projekte ndërkombëtare, që kanë sjellë përfitime në specialitetin e shërbimit përkatës dhe një strategji zhvillimi të shërbimit për një periudhë 5-vjeçare.
4. Për vlerësimin e kandidatëve që konkurrojnë për përgjegjës shërbimi ngrihet një komision ad hoc me pesë anëtarë, personalitete të vendit e të huaja, të njohur për kontributin akademik dhe shkencor në fushën e mjekësisë, dhe veçanërisht të shërbimit përkatës, ose në fushat e klasifikuara nga këshilli i profesorëve të fakultetit si të afërta me të (shërbimin).
Kriteret e vlerësimit, afatet e procedurave të përzgjedhjes së kandidatëve, dokumentacioni dhe përbërja e komisionit propozohen nga këshilli i profesorëve të fakultetit dhe miratohen nga bordi i Qendrës Spitalore Universitare. Rektori duhet të shpallë, brenda 10 ditëve nga data e miratimit nga bordi, përbërjen e komisionit ad hoc.
5. Komisioni, pas vlerësimit të dosjes së kandidatëve, kryen një intervistë me gojë, bën renditjen e tyre, përzgjedh dy nga kandidaturat më të mira dhe ia përcjell bordit të Qendrës Spitalore Universitare për të përzgjedhur njërën prej tyre. Kandidaturën e përzgjedhur bordi ia paraqet për emërim drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës Spitalore Universitare.
6. Në rastet kur paraqitet një kandidaturë e vetme, e vlefshme, komisioni ad hoc rihap procesin e konkurrimit, sipas të njëjtave rregullave. Në rast se edhe në përpjekjen e dytë paraqitet një kandidaturë e vetme, e vlefshme, komisioni ad hoc ia paraqet atë për miratim bordit të Qendrës Spitalore Universitare. Bordi, pas miratimit, ia dërgon për emërim drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës Spitalore Universitare.
7. Përgjegjësi i shërbimit drejton shërbimin për 3 vjet. Ai ka të drejtë të rikandidojë për një mandat tjetër.
8. Mandati i përgjegjësit të shërbimit përfundon përpara afatit, në rastet kur ai:
a) jep dorëheqjen nga detyra;
b) dënohet me vendim të formës së prerë, në rastet e kryerjes së një vepre penale;
c) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor, sipas ligjit;
ç) nuk realizon treguesit e performancës së kërkuar për shërbimin që përfaqëson;
d) gjendet në një situatë të konfliktit të interesit;
dh)  përfshihet në organet drejtuese të një partie politike;
e)  në çdo rast tjetër të parashikuar nga ligji.
9. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Universiteti i Mjekësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR TIRANË-VORË                (SEKSIONI II, KRAHU I MAJTË)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Tiranë -Vorë (seksioni II, krahu i majtë).
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë tokë “truall”, tokë “arë” dhe “pemëtore”, me sipërfaqe të përgjithshme 58 516 (pesëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e gjashtëmbëdhjetë) m2 dhe vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 32 957 260 (tridhjetë e dy milionë e nëntëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë) lekësh.
4. Vlera totale e shpronësimit prej 32 957 260 (tridhjetë e dy milionë e nëntëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë) lekësh të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2014, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar, zëri “Shpronësimet”.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP”,  të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar  dhe,  me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë dhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë për zbatimin e këtij  vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2014, MIRATUAR PËR PRESIDENCËN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Presidencës, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, t’i shtohet fondi prej 3 000 000 (tre milionë) lekësh, për shpenzime korrente.
2. Ky fond të përballohet nga fondi i kontingjencës, miratuar për vitin 2014.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Presidenca për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
  
V E N D I M
PËR
 DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.35, DATË 29.1.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR VITIN 2014 NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, dhe të nenit 11, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.35, datë 29.1.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2014, në njësitë e qeverisjes qendrore është 911 veta, sipas lidhjeve nr.1, nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6, nr.7 dhe nr.8 që i bashkëlidhen këtij vendimi.”.
b) Pas lidhjes nr.7, bashkëlidhur vendimit në fuqi, shtohet lidhja nr.8, që i  bashkëlidhet këtij vendimi, e cila detajon ndarjen e shtesës prej 4 punonjësish, të miratuar me këtë vendim, për Ministrinë e Financave.
2. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përballohen nga shpenzimet korrente të miratuara në buxhetin përkatës të ministrisë për vitin 2014.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1148, DATË 25.11.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE                             TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT  RRUGOR  “RRUGA HYRËSE FIER””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.1148, datë 25.11.2009, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pikat 3, 4 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 1 139.4 (një mijë e njëqind e tridhjetë e nëntë pikë katër) m2, tokë “truall”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 13 672 800 (trembëdhjetë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e tetëqind) lekësh.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 322 500 (treqind e njëzet e dy mijë e pesëqind) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
 5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, sipas pikës 3, të këtij vendimi, të përballohet, përkatësisht,:
–   9 488 400 (nëntë milionë e katërqind e tetëdhjetë e tetë mijë e katërqind) lekë, nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”;
–  4 184 400 (katër milionë e njëqind e tetëdhjetë e katër mijë e katërqind) lekë, nga buxheti i vitit 2015, zëri “Detyrimet e prapambetura”.”
2. Në tabelën e të shpronësuarve, bashkëlidhur vendimit, të shtohet edhe tabela që i bashkëlidhet këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.27, DATË 19.1.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË VLERËSIMIT DHE TË DHËNIES SË KONCESIONEVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 48, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.27, datë 19.1.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Paragrafi i tretë dhe të tjerët në vijim të pikës 2, të kreut IV, “Dokumentet standarde të procedurës konkurruese”, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“Për koncesionet e hidrocentraleve deri në 15 MW, në kontratë përfshihen kushtet e përgjithshme apo të veçanta për shitblerjen e energjisë. Kur e kërkon koncesionari, operatori i energjisë elektrike që është ngarkuar me këtë detyrim detyrohet ta blejë energjinë elektrike të prodhuar nga këto hidrocentrale nëpërmjet një kontrate afatgjatë. Çmimi i shitjes së energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet e lidhura në sistemin e shpërndarjes dhe çmimi i shitjes së energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet e lidhura në sistemin e transmetimit të energjisë elektrike do të llogaritet çdo vit nga Enti Rregullator i Energjisë e do të shpallet prej tij në fillim të çdo viti, në bazë të formulës së mëposhtme:
 Çmimi shitjes (lekë/kWh) = Çmimi mesatar i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent /kWh X koeficientin 1.1 (kur është i aplikueshëm) X normën mesatare të këmbimit në euro/lekë për vitin e fundit.
– Me çmim mesatar të vitit përkatës të bursës hungareze HUPX të energjisë elektrike kuptohet çmimi mesatar vjetor, i ponderuar për produktin në bandë për vitin, për të cilin ERE do të miratojë tarifën përkatëse, siç publikohet nga bursa e Hungarisë HUPX në faqen e internetit:www.hupx.hu), më 1 dhjetor të vitit kur ERE merr vendimin për miratimin e çmimit.
– Koeficienti 1.1 llogaritet dhe përfshihet vetëm për përcaktimin e çmimit të energjisë së prodhuar nga hidrocentralet e lidhura në sistemin e shpërndarjes dhe merr në konsideratë reduktimin e humbjeve teknike në këtë rrjet si pasojë e furnizimit të energjisë elektrike në pikat e lidhjes së këtyre hidrocentraleve në rrjetin energjetik të tensionit të mesëm dhe/ose të ulët.
– Me normë mesatare të shkëmbimit euro/lekë të vitit të fundit kuptohet kursi mesatar vjetor i këmbimit nga euro/lekë, i publikuar nga Banka e Shqipërisë për vitin në të cilin ERE merr vendimin.”.
b) Paragrafët e katërt, të pestë dhe të gjashtë, të shkronjës “a”, të pikës 2, të kreut V, “Udhëzime për mënyrën e zbatimit të procedurave konkurruese”, shfuqizohen.
2. Vendimi nr.907, datë 12.12.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për nxitjen e investimeve private në sektorin e energjisë e prodhimit të energjisë elektrike dhe për disa ndryshime në vendimin nr.27, datë 19.1.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve””, shfuqizohet.
3. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR TË SIPËRFAQEVE PYJORE NË EKONOMINË PYJORE “DRIN-GJADËR-KIR”, NË QARKUN E SHKODRËS, PËR NDËRTIMIN E HIDROCENTRALIT TË ASHTËS 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 17, të  ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Sipërfaqja pyjore prej 98.62 (nëntëdhjetë e tetë pikë gjashtëdhjetë e dy) ha në ngastrat pyjore 4, 10, 11, 12, 13, 14, të ekonomisë pyjore “Drin-Gjadër-Kir”, pjesë e Fondit Pyjor Publik në Qarkun e Shkodrës, që do të përdoret për ndërtimin dhe shfrytëzimin e hidrocentralit të Ashtës, hiqet nga Fondi Pyjor Publik dhe çregjistrohet nga Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave. Të dhënat për ngastrat pyjore dhe sipërfaqet e tyre jepen në tabelën 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Sipërfaqet pyjore sipas pikës 1, të këtij vendimi, mbeten pronë publike e shtetit dhe regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, në funksion të lidhjes së marrëveshjes me shoqërinë “Energji Ashta”, sh.p.k.
3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, bëhen ndryshimet përkatëse në regjistrin e Kadastrës Kombëtare të Pyjeve dhe Kullotave dhe në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
4. Vlerat përkatëse të pakësimit në volum të lëndës drusore dhe produkteve të tjera pyjore, sipërfaqet dhe investimet e kryera në vite në pyje, objekt i këtij vendimi, paguhen nga shoqëria “Energji Ashta”, sh.p.k., në bazë të vendimit nr.391 datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar.
5. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “Energji Ashta”, sh.p.k., brenda 5 (pesë) viteve, duhet të pyllëzojë me fondet e saj 295.86 (dyqind e nëntëdhjetë e pesë pikë tetëdhjetë e gjashtë) ha, sipërfaqe me drurë pyjorë në ekonomitë pyjore të përcaktuara në marrëveshjen e lidhur ndërmjet shoqërisë “Energji Ashta”, sh.p.k., dhe Ministrisë së Mjedisit.
6. Ministria e Mjedisit dhe shoqëria “Energji Ashta”, sh.p.k., nënshkruajnë marrëveshje të përbashkët për hapat, afatet dhe procedurat për hartimin e projekteve teknike të heqjes së materialit drusor.
7. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Mjedisit dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
               Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
  
V E N D I M
PËR
HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR TË SIPËRFAQES NË EKONOMINË PYJORE “QESHIBËS-LIQETH”, TË RRETHIT SKRAPAR, QË DO TË PËRDORET NGA SHOQËRIA “DOBRUSHI 2010”, SH.P.K., PËR USHTRIMIN E AKTIVITETIT MINERAR NË SHFRYTËZIMIN E MINERALIT TË RANORIT SILICOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Sipërfaqja pyjore prej 6.8 (gjashtë pikë tetë) ha në ngastrat 192a dhe 193a të ekonomisë pyjore “Qeshibës-Liqeth”, objekt i aktivitetit minerar për shfrytëzimin e mineralit të ranorit silicor nga shoqëria “Dobrushi 2010”, sh.p.k., të hiqet nga Fondi Pyjor dhe Kullosor Publik dhe të çregjistrohet nga Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave. Sipërfaqja, sipas ngastrave pyjore dhe kullosore, jepet në tabelën 1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Vlerat përkatëse të pakësimit të volumit të lëndës drusore, produkteve të tjera pyjore e jopyjore, sipërfaqes së hequr dhe e infrastrukturës së saj paguhen nga subjekti “Dobrushi 2010”, sh.p.k., në bazë të vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar.
3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “Dobrushi 2010”, sh.p.k., detyrohet të rehabilitojë sipërfaqen e marrë në shfrytëzim sipas kushteve të lejes mjedisore dhe, brenda 3 (tri) viteve të para, të pyllëzojë me fondet e veta një sipërfaqe prej 14.14 (katërmbëdhjetë pikë katërmbëdhjetë) ha në ngastrat e përcaktuara në marrëveshjen me Ministrinë e Mjedisit.
4.  Ministria e Mjedisit dhe shoqëria “Dobrushi 2010”, sh.p.k., nënshkruajnë marrëveshje të përbashkët për hapat, afatet dhe procedurat për hartimin dhe realizimin e projekteve teknike lidhur me detyrimet sipas pikës 3, të këtij vendimi.
5.  Sipërfaqja pyjore sipas pikës 1, të këtij vendimi, mbetet pronë publike e shtetit dhe regjistrohet në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
6. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bën çregjistrimin e sipërfaqes pyjore të identifikuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, nga kategoria “Tokë pyjore/kullosore” dhe e regjistron në kategorinë “Tokë e zënë, objekt shfrytëzimi për aktivitet minerar”.
7.  Me përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në planin e rehabilitimit të sipërfaqes sipas lejes mjedisore nga shoqëria “Dobrushi 2010”, sh.p.k., sipërfaqja e rehabilituar të regjistrohet si fond pyjor dhe kullosor.
8. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe shoqëria “Dobrushi 2010”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
                Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
                                  ***                                 
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.545, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE, NË KRYEMINISTRI, APARATET E MINISTRIVE TË LINJËS, ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT, KUVENDIT,  KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PROKURORINË E PËRGJITHSHME, DISA INSTITUCIONE TË PAVARURA, INSTITUCIONET NË VARËSI TË KRYEMINISTRIT, INSTITUCIONET NË VARËSI TË MINISTRAVE TË LINJËS DHE ADMINISTRATËN E PREFEKTIT”, TË NDRYSHUAR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4/2, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.545, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 1/1, emërtesat “Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” dhe “Komisioni i Shërbimit Civil” zëvendësohen, përkatësisht, me “Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale” dhe “Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil”.
b) Në fund të pikës 1/2 shtohet emërtesa “Qendra e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA)”.
c) Në fund të lidhjes nr.3, që përmendet në pikën 3, shtohen dy ndarje, me këtë përmbajtje:
   “- Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, – inspektorë të ankesave dhe hetimit administrativ, kategoria III-a;
– Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil – inspektorë, kategoria III-b.”.
 ç)  Në lidhjen nr.9, që përmendet në pikën 13, emërtesat “Kryeinspektor në inspektoratet e mbrojtjes së tokës në qarqe” dhe “Inspektor në inspektoratet e mbrojtjes së tokës në qarqe” shfuqizohen.
d)  Në lidhjen nr.9/4, që përmendet në pikën 13/4, në ndarjen me
     kategorinë e pagës III-a/1, pas fjalëve “…Tiranë 3 …” shtohen “… Tiranë 4 (zona turistike) …”.
2. Efektet financiare të këtij vendimi për:
– Qendrën e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) dhe Drejtorinë e ALUIZNI-t, Tiranë 4 (zona turistike), të fillojnë nga momenti i emërimit në detyrë të nëpunësve të kësaj qendre.
    –  Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, të fillojnë nga momenti i miratimit nga Kuvendi i strukturës dhe organikës së secilit institucion.
–   Parashikimet e tjera të fillojnë nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3. Efektet financiare të këtij vendimi, për vitin 2014, të përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion për vitin 2014.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M 
       
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE ORGANIZATËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR USHQIMIN DHE BUJQËSINË (FAO), PËR KRIJIMIN E NJË PËRFAQËSIE TË FAO-S NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), për krijimin e një përfaqësie të FAO-s në Republikën e Shqipërisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 MIRATIMIN E RAPORTIT TË KATËRT PERIODIK KOMBËTAR MBI ZBATIMIN E KONVENTËS “PËR ELIMINIMIN E TË GJITHA FORMAVE TË DISKRIMINIMIT NDAJ GRAVE”
Në mbështetje të neneve 100 e 122, të Kushtetutës dhe të nenit 1, të ligjit nr.7767, datë 9.11.1993, “Për aderimin në konventën “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave””, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e Raportit të Katërt Periodik Kombëtar mbi zbatimin e konventës “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR INVESTIMIN, NGA LLOGARIA EU/IPA E BY-PASSIT VLORË, PËR BYPASS-IN E VLORËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për investimin, nga llogaria e EU/IPA e by-pass-it të Vlorës, për by-pass-in e Vlorës, në shumën 17 000 000 euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.628, DATË 29.9.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MEDALJEVE QË DO TË JEPEN ME RASTIN E 70-VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË VENDIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në vijim të vendimit nr.541, datë 7.8.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2014, miratuar për disa institucione, për festimet e 70-Vjetorit të Çlirimit të Vendit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 4, të vendimit nr.628,  datë 29.9.2014, të Këshillit të Ministrave, shtohet një fjali, me këtë përmbajtje:
     “Personelit, që do të marrë këtë medalje, do t’i jepet një shpërblim prej 100 000 (njëqind mijë) lekësh për secilin.”.
2. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR PUNËSIM DHE AFTËSI 2014 – 2020 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT PËR ZBATIMIN E SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995,  “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, dhe të neneve 22 e 23, të ligjit nr.8872, datë 29.3.2002, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014 – 2020 dhe planit të veprimit për zbatimin e saj, sipas teksteve që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES KUADËR TË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS PËR ZHVILLIM TË KËSHILLIT TË EVROPËS, PËR PROGRAMIN E REFORMIMIT TË QENDRËS SPITALORE UNIVERSITARE TË TIRANËS “NËNË TEREZA” – FAZA II
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes kuadër të financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për programin e reformimit të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës “Nënë Tereza” – faza II, nëpërmjet një huaje prej 15 930 000 eurosh dhe një granti prej 1 500 000 eurosh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN Nr.639, DATË 7.9.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR RIORGANIZIMIN E ZYRËS KOMBËTARE TEMPUS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin “Erasmus+”, programi i BE-së për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin, të ratifikuar me ligjin nr.117/2014,                            datë 11.9.2014, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.639, datë 7.9.2011, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në titullin e vendimit, emërtimi “Zyrës Kombëtare Tempus” ndryshohet dhe zëvendësohet me “Zyrës Kombëtare Erasmus+”.
b) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Zyra Kombëtare Erasmus+ (ZKE) është person juridik, jobuxhetor, i cili funksionon në përputhje me termat e referencës për funksionimin e Zyrës Kombëtare Erasmus+ (ZKE), të përgatitura nga Komisioni Evropian, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ajo ushtron veprimtarinë nën mbikëqyrjen e ministrisë përgjegjëse për çështjet e arsimit, e cila ndjek dhe garanton zbatimin e programit “Erasmus+” në Shqipëri. ZKE-ja ka këto funksione kryesore:
a) Ndihmon ministrinë përgjegjëse për çështjet e arsimit dhe Komisionin Evropian në promovimin dhe zbatimin e programit “Erasmus+” në Shqipëri;
b) Përpunon, promovon dhe shpërndan në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë informacionin dhe dokumentacionin e programit “Erasmus+”, të përgatitur nga Agjencia Ekzekutive e Arsimit, Kulturës dhe Veprimtarive Audiovizuale të Bashkimit Evropian (EACEA), organ publik i Komisionit Evropian, si dhe asiston institucionet e arsimit të lartë në aplikimet për projekte “Erasmus+”, duke vënë në dijeni ministrinë përgjegjëse për çështjet e arsimit për sa më sipër;
c) Këshillon, informon dhe ndihmon të gjithë kandidatët, institucionet publike të arsimit të lartë, organizatat dhe institucionet e përfshira ose që mund të përfshihen në projektet “Erasmus+” për çështjet për zbatimin dhe përmbushjen e detyrimeve që lindin nga kontratat me EACEA-në (Komisioni Evropian);
ç) Kryen mbikëqyrjen e zbatimit të projekteve “Erasmus+” dhe raporton pranë EACEA-së (Komisionit Evropian) dhe ministrisë përgjegjëse për çështjet e arsimit, si dhe jep rekomandimet përkatëse;
d) Ndihmon EACEA-në (Komisionin Evropian) në vlerësimin e projekteve që paraqiten në kuadër të programit “Erasmus+” në përputhje me strategjitë dhe prioritetet kombëtare dhe ia paraqet këtë vlerësim EACEA-së (Komisionit Evropian);
dh) Mbështet dhe bashkërendon aktivitetet e Grupit Kombëtar të Ekspertëve për Reformën e Arsimit të Lartë (Higher Education Reform Experts – HERE), të cilat kanë rol këshillues dhe mbështetës për arritjen e objektivave të programit “Erasmus+”;
e) Mbështet ministrinë përgjegjëse për çështjet e arsimit dhe Komisionin Evropian në realizimin e studimeve dhe raporteve për fusha që mbulon programi “Erasmus+”;
ë)  Raporton një herë në vit pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet e arsimit lidhur me veprimtarinë e zyrës.”.
c) Pikat 5, 6 e 7 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“5. Zyra Kombëtare Erasmus+ (ZKE) drejtohet nga Koordinatori Kombëtar, i cili është përfaqësuesi ligjor i Zyrës dhe nënshkruan kontratën me Agjencinë Ekzekutive të Arsimit, Kulturës dhe Veprimtarive Audiovizuale të Bashkimit Evropian (EACEA), organ i Komisionit Evropian, si dhe zbaton detyrimet që rrjedhin prej saj.”.
6. Punonjësit e Zyrës Kombëtare Erasmus+ (ZKE) përzgjidhen nga EACEA (Komisioni Evropian), nëpërmjet procedurave të saj të brendshme.
7. Paga mujore e drejtorit të Zyrës Kombëtare Erasmus+ (ZKE) deri më 31.12.2014 përballohet nga fondet e rialokuara, si kosto lokale nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, zëri “Shpenzime personeli”.
Duke filluar që nga 1 janari 2015 e në vijim, të gjitha shpenzimet financiare për funksionimin e Zyrës Kombëtare Erasmus+ (ZKE), përfshirë kostot për Koordinatorin Kombëtar, stafin, si dhe kostot që lidhen me aktivitetet e ekipit të ekspertëve për reformimin e arsimit të lartë të mbulohen nga fondet e programit “Erasmus+”.”.
ç) Pas pikës 7 shtohet pika 7/1, me këtë përmbajtje:
“7/1. Zyra Kombëtare Erasmus+ (ZKE) vijon mbikëqyrjen e zbatimit të projekteve të programit “Tempus IV” deri në përfundimin e tyre.”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Zyra Kombëtare Erasmus+ (ZKE)  në Shqipëri për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
RISHPËRNDARJE FONDESH, NDËRMJET PROGRAMEVE NË BUXHETIN E VITIT 2014, MIRATUAR PËR MINISTRINË E ARSIMIT DHE SPORTIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit  nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, bëhet rishpërndarja e fondeve ndërmjet programeve, si më poshtë vijon:
a) Në programin buxhetor 09120 “Arsimi bazë”, shpenzime  kapitale, shtohet fondi prej 149 000 000 (njëqind e dyzet e nëntë milionë) lekësh.
b) Në programin buxhetor 09230 “Arsimi i mesëm i përgjithshëm”, shpenzime kapitale, zbritet fondi prej 115 000 000 (njëqind e pesëmbëdhjetë milionë) lekësh.
c) Në programin  buxhetor 09240 “Arsimi i mesëm profesional”, shpenzime kapitale, zbritet fondi prej 27 100 000 (njëzet e shtatë milionë e njëqind mijë) lekësh.
ç) Në programin buxhetor 01110 “Planifikim menaxhimi”, shpenzime kapitale, zbritet fondi prej 4 900 000 (katër milionë e nëntëqind mijë) lekësh.
d) Në programin buxhetor 08140 “Programi për sportin”, shpenzime kapitale, zbritet fondi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.175, DATË 6.3.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË LUSHNJË, TË QARKUT TË FIERIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “k”, 5 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën përfundimtare të pronave që transferohen në pronësi ose në përdorim të bashkisë Lushnjë, të qarkut të Fierit, miratuar me vendimin nr.175, datë 6.3.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhet ndryshimi i destinacionit të sipërfaqes 1 300 (një mijë e treqind) m2, truall, pjesë e pronës me numër rendor 175 e me numër pasurie 13/4, sipas planimetrisë bashkëlidhur, nga fusha e përdorimit “Zhvillim ekonomik” për t’u përdorur për ndërtimin e banesave me kosto të ulët në bashkinë e Lushnjës.
2. Bashkisë së Lushnjës i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe bashkia e Lushnjës për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***

V E N D I M

PËR 

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NGA/ NË DETYRË TË DISA ANËTARËVE TË KOMISIONIT TË PROKURIMIT PUBLIK 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 19/2, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe të neneve 116 e 117, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Lirimin nga detyra të anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik, si më poshtë vijon:

–    Znj.Vilma Kruja Kadesha                                        anëtar;
–    Z. Denis Martopulla                                                anëtar.

2.    Emërimin në detyrë të anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik, si më poshtë vijon:

–    Znj. Juliana Hoxha                                                 anëtar;
–    Z. Spiro Kuro                                                         anëtar.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.