Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 27 gusht 2014
V E N D I M 
PËR
NDRYSHIMIN NGA TOKË BUJQËSORE TË KATEGORISË V NË TOKË URBANE (TRUALL) TË DISA SIPËRFAQEVE NË MBËSHTETJE TË SKEMAVE QË PËRFITOJNË NGA FONDI I PROGRAMIT PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 71, të ligjit nr.10119, datë 23.4.2009,  “Për planifikimin e  territorit”, të ndryshuar, dhe të pikës 3, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin nga tokë bujqësore të kategorisë V në tokë urbane (truall) të disa sipërfaqeve, në mbështetje të skemave që përfitojnë nga Fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural për:
a) subjektin “2A Manxhari 2011”, zona kadastrale 1773, sipërfaqja 5 100 (pesë mijë e njëqind) m2, Fier;
b) subjektin “A&Kristi”, sh.p.k., zona kadastrale 1841, sipërfaqja 2 940 (dy mijë e nëntëqind e dyzet) m2, qarku Fier.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, drejtoritë e administrimit dhe mbrojtjes së tokave në Fier, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, si dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M 
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.332, DATË 17.3.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FORMËS, ELEMENTEVE PËRBËRËSE, MËNYRËS SË MBAJTJES E AFATIT  TË PËRDORIMIT TË DOKUMENTEVE BAZË, QË MBAHEN DHE LËSHOHEN NGA SHËRBIMI I GJENDJES CIVILE”, TË NDRYSHUAR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 25, të ligjit nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.332, datë 17.3.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
a) Në pikën 1 dhe në lidhjen nr.1, bashkëlidhur vendimit, shtohen emërtimet dhe modelet e mëposhtme:
“s. Modeli nr.15, “Certifikatë vdekjeje”, për përdorim nga autoritetet e huaja;
sh. Modeli nr.16, “Certifikatë familjare”, për përdorim nga autoritetet e huaja.”.
b) Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Në të gjitha modelet e certifikatave për përdorim nga autoritetet e huaja, që lëshojnë zyrat e gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore, informacioni në rubrikën “vendlindja” të plotësohet, i shkruar sipas rasteve:
a) Për shtetet, të cilat kanë depozituar pranë OKB-së katalogët zyrtarë të emrave gjeografikë të romanizuar (toponimet), sipas listës së vënë në dispozicion nga Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe kodin 3-karakterësh të shtetit përkatës, sipas standardit ICAO;
b) Për shtetet, të cilat nuk kanë depozituar pranë OKB-së këta katalogë, sipas shkrimit në dokumentin e hartuar nga vendi i origjinës, por me simbole, germa latine/romane, si dhe kodin 3-karakterësh të shtetit përkatës, sipas standardit ICAO;
c) Rubrikat e tjera të certifikatave, për përdorim nga autoritetet e huaja, të plotësohen në gjuhën zyrtare shqipe.”.
2. Ngarkohet ministri i Punëve të Brendshme për nxjerrjen e akteve për rregullat e plotësimit të rubrikës “vendlindja”, në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M 
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I IMPIANTIT TË TRAJTIMIT TË UJËRAVE TË PËRDORURA NË QYTETIN E KORÇËS 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të përdorura në qytetin e Korçës.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Ujësjellës – Kanalizime, sh.a., Korçë.
3.  Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen tokë truall, me vlerë të përgjithshme 12 025 090 (dymbëdhjetë milionë e njëzet e pesë mijë e nëntëdhjetë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 12 025 090 (dymbëdhjetë milionë e njëzet e pesë mijë e nëntëdhjetë) lekësh të përballohet nga buxheti i shtetit, zëri “Detyrimet e prapambetura” (detyrimet e infrastrukturës).
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Ujësjellës – Kanalizime, sh.a., Korçë.
6.  Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Ujësjellës – Kanalizime, sh.a., Korçë të kryejë likuidimin e pronarëve në bazë të dokumentacionit të pronësisë, konfirmuar nga ZVRPP-ja Korçë, në bazë të pikave 3, 4 dhe 6, të këtij vendimi.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Korçë, në bashkëpunim me Ujësjellës – Kanalizime, sh.a., Korçë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e sipërfaqes së shpronësuar mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’i vihet në dispozicion nga Ujësjellës – Kanalizime, sh.a., Korçë. Me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së sipërfaqes së objektit mbi hartën kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e   Financave, Ujësjellës – Kanalizime, sh.a., Korçë dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë për zbatimin e këtij  vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR MBROJTJEN E SIGURISË DHE SHËNDETIT TË PUNËMARRËSVE NGA RISQET E LIDHURA ME EKSPOZIMIN NDAJ AGJENTËVE BIOLOGJIKË NË PUNË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 39, të ligjit nr.10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve nga risqet e lidhura me ekspozimin ndaj agjentëve biologjikë në punë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet në varësi të tyre për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 
RISHPËRNDARJE FONDESH, NDËRMJET PROGRAMEVE TË MIRATUARA NË BUXHETIN E VITIT 2014 PËR MINISTRINË E ENERGJISË DHE INDUSTRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 17, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë të bëhet rishpërndarja e fondeve ndërmjet programeve, si më poshtë vijon:
a) Në programin “Planifikim, menaxhim, administrim”, zëri “Shpenzime kapitale të brendshme”, shtohet fondi prej 3 600 000 (tre milionë e gjashtëqind mijë) lekësh.
b) Në programin “Mbështetje për mbikëqyrjen e standardeve teknike të hidrokarbureve dhe minierave”, zëri “Shpenzime kapitale të brendshme”, pakësohet fondi prej 3 600 000 (tre milionë e gjashtëqind mijë) lekësh.
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E GARANCISË QEVERITARE, TË LËSHUAR NË FAVOR TË BANKËS TREGTARE, RAIFFEISEN BANK ALBANIA, NË KUADËR TË KUSHTEVE TË KONTRATËS SË KREDISË QË DO TË NËNSHKRUHET NDËRMJET KËSAJ BANKE DHE KESH, SH.A.-SË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 3, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e garancisë qeveritare, të lëshuar në favor të bankës tregtare, Raiffeisen Bank Albania, në kuadër të kushteve të kontratës të kredisë që do të nënshkruhet ndërmjet kësaj banke dhe KESH, sh.a.-së, për shumën ekuivalente në lekë të shumës 35 000 000 (tridhjetë e pesë milionë) euro.
2. Ngarkohen ministri i Financave dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
      Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË BIBLIOTEKËS KOMBËTARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27, të ligjit nr.8576, datë 3.2.2000, “Për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, lirohet nga kjo detyrë.
2. Znj. Persida Asllani emërohet drejtor i Bibliotekës Kombëtare.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në  “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.