Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 28 maj 2014
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NOMENKLATURËS SË VEPRIMTARIVE EKONOMIKE TË REVIZIONUARA (REV.2)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 12/2, të ligjit nr.9180, datë 5.2.2004, “Për statistikat zyrtare”, të ndryshuar, dhe të pikës 7, të  vendimit nr.426, datë 15.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen, funksionimin dhe detyrat e Komisionit Kombëtar për Nomenklaturën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e zbatimit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (Rev.2), të miratuar paraprakisht nga Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Nomenklatura e Veprimtarive Ekonomike (Rev.2), e njohur shkurtimisht “NVE Rev.2”, zbatohet për mbledhjen, klasifikimin dhe publikimin e të dhënave statistikore zyrtare.
3. Nomenklatura e Veprimtarive Ekonomike (Rev.2) zbatohet nga agjencitë statistikore, ministritë e linjës, institucionet qendrore dhe vendore, personat fizikë dhe juridikë, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
4. Kodet statistikore të veprimtarive ekonomike, të përdorura deri para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, zëvendësohen me kodet e parashikuara në Nomenklaturën e Veprimtarive Ekonomike (Rev.2), bashkëlidhur këtij vendimi.
5. Instituti i Statistikave kryen përditësimin e informacionit statistikor zyrtar, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
6. Ngarkohen institucionet dhe subjektet e përmendura në pikën 3 për marrjen e masave përgatitore për zbatimin e Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (Rev.2), deri në datën 1.1.2015.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE, FAZA III, TË BASHKISË SË FIERIT 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zgjerimi i varrezave publike, faza III, të bashkisë së Fierit.
2.  Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Fierit.
3.  Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen sipas masës së dhënë në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 9 532 (nëntë mijë e pesëqind e tridhjetë e dy) m²,tokë arë, në vlerën 9 532 000(nëntë milionë e pesëqind e tridhjetë e dy mijë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 9 532 000(nëntë milionë e pesëqind e tridhjetë e dy mijë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e bashkisë së Fierit, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga bashkia e Fierit.
6.  Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas miratimit të projektit.
7. Regjistrimi i ri i pasurisë, për sipërfaqen 9 532(nëntë mijë e pesëqind e tridhjetë e dy) m²,tokë arë, bëhet në favor të bashkisë së Fierit.
8. Afati i përfundimit të punimeve të objektit të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga bashkia e Fierit.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkia e Fierit për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
SIGURINË NË DET, PLAZHE, NË UJËRAT E BRENDSHME NË THELLËSI TË TERRITORIT DHE GJATË USHTRIMIT TË SPORTEVE UJORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ligjit nr.9861, datë 24.1.2008,  “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”, të ndryshuar, të nenit 4/a, të ligjit nr.8663, datë 18.9.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor me tonazh nën 20 NT”, të ndryshuar, të ligjit nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, të nenit 3, të ligjit nr.8905, datë 6.6.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit detar nga ndotja dhe dëmtimi”, të ndryshuar, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, dhe të ligjit nr.9734, datë 14.5.2007,  “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Qëllimi i këtij vendimi është përmirësimi i kushteve të sigurisë në plazhe, në zonat çlodhëse në bregdet dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit, si liqene, rezervuarë, lumenj e përrenj.
2. Kriteret e parashikuara në këtë vendim janë të vlefshme për të gjitha zonat bregdetare dhe ujërat e brendshme në thellësi të territorit, në të cilat plazhet përdoren si zona çlodhëse dhe janë të autorizuara për përdorim publik.
3. Në kuptim të këtij vendimi, me termat e përdorur nënkuptohet:
a) “Plazh”,zona me rërë, zhavorr apo shkëmb që shtrihet në buzë të ujit të detit apo liqenit.
b) “Zonat e ujërave të brendshme (në thellësi të territorit)”, zonat ujore larg detit apo zonave bregdetare. Zakonisht kjo u referohet liqeneve, rezervuarëve, lumenjve dhe përrenjve.
c) “Plazh publik”, ato zona të plazheve, që janë të autorizuara e të hapura për përdorim publik dhe që ofrojnë mjete minimale për përdorim me kushtet e sigurisë dhe higjienës.
ç)  “Stacione plazhi”,veprimtaria turistike e ushtruar nga personat fizikë ose juridikë në strukturat e pozicionuara në breg të detit, të liqeneve, lumenjve, rezervuarëve dhe përrenjve, të pajisura për plazh me kabina, dhoma zhveshjeje, shërbime higjienike dhe dushe. Strukturat mund të jenë të pajisura me impiante të tjera dhe pajisje për përgatitjen e pijeve e të ushqimeve dhe për ushtrimin e veprimtarive të tjera të lidhura me plazhin, si: banjo dielli, kurat termale, veprimtaritë sportive dhe argëtuese.
d) “Leje”, leja që u jepet personave privatë për të ofruar shërbime dhe mjete në plazhin publik.
dh)  “Varkë”, një nga llojet e mjeteve lundruese.
e) “Mjet ujor privat”, mjeti lundrues me motor, që arrin shpejtësi të madhe dhe që përdoret në zonat afër bregut të detit apo në ujërat në brendësi të territorit. Në këtë term përfshihen të gjitha mjetet lundruese të shpejta, si: jet ski, varka, gomone, motoskafë, motorët e ujit etj.
ë)  “Motovarkë”, mjet lundrues motorik për argëtim dhe qëllime të tjera, me gjatësi deri në 24 metra.
f) “Përdorues”, personi që përdor apo është i ngarkuar për drejtimin e mjetit lundrues për argëtim, i cili mund të jetë ose nuk mund të jetë pronari i mjetit.
g) “Mjet lundrues për argëtim”, çdo varkë e çdo lloji, e destinuar për qëllime sportive, argëtuese apo peshkim çlodhës argëtues, me gjatësi deri në 24 metra, e matur sipas standardit evropian, pavarësisht nëse ka motor apo jo. Ky përkufizim përmbledh edhe mjetet lundruese për argëtim dhe mjetet e tjera lundruese personale.
gj) “Varkë me vela”, mjeti lundrues për argëtim, i pajisur ose jo me një motor ndihmës, që lëviz si rezultat i efektit të erës mbi vela dhe që mund të ketë një motor të jashtëm apo çdolloj motori tjetër ose pajisjeje mekanike të aftë për të lëvizur mjetin.
h) “I miratuar”, do të thotë që është miratuar sipas një standardi të BE-së, standardit ISO apo një standardi kombëtar të pranuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare.
i) “Institucion përgjegjës”, një institucion qendror apo vendor i administratës publike, që ushtron një pushtet publik në fushën e zbatimit të këtij vendimi.
j) “Kushtet e sigurisë”, masat dhe pajisjet të cilat duhen vendosur për uljen e rrezikut ndaj jetës së personave të cilët ushtrojnë aktivitete çlodhëse në zona bregdetare të autorizuara.
k)  “Kushtet higjienike”, masat që mundësojnë shmangien apo pakësimin e ndikimit dëmtues ndaj shëndetit të personave që ushtrojnë veprimtari çlodhëse në zona bregdetare apo në ujëra të brendshme në thellësi të territorit.
II.    DETYRIMET E INSTITUCIONEVE PËRGJEGJËSE
1. Për planifikimin, zbatimin dhe kontrollin e sigurisë në plazhe, në përputhje me legjislacionin në fuqi, janë përgjegjëse institucionet e mëposhtme:
a) Ministria e Transportit  dhe Infrastrukturës (Drejtoria e Përgjithshme Detare);
b) Ministria e Punëve të Brendshme (Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit);
c) Ministria e Mbrojtjes (Roja Bregdetare);
ç)   Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave;
d)   Ministria e Kulturës;
dh)   Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit;
e)   Ministria e Mjedisit;
ë)   Ministria e Shëndetësisë (Inspektorati në fushën e shëndetit);
f)   Njësitë e qeverisjes vendore.
2. Njësitë e qeverisjes vendore kanë këto detyrime:
a) Identifikimin e zonave të përshtatshme si zona çlodhëse, të konsideruara të sigurta dhe të shëndetshme për njerëzit. Për evidentimin e tyre këto njësi bashkëpunojnë edhe me Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes (Shërbimin Hidrografik Shqiptar).
b) Dhënien e autorizimit për plazhe, për argëtim e sporte ujore, të përshtatshme për përdorim publik, nëse ato nuk paraqesin rrezik për njerëzit nga pikëpamja shëndetësore/higjienike apo e sigurisë.
c) Dhënien e lejeve për individë ose persona juridikë bashkë me autorizimin e përdorimit të plazheve, zonave çlodhëse për përdorim publik, për argëtim e sporte ujore. Poseduesit e lejeve janë të detyruar të marrin dhe të zbatojnë me korrektësi të gjitha masat e parashikuara për sigurinë dhe shëndetin. Inspektimi i këtyre zonave do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme Detare në bashkëpunim me institucionet e tjera që ngarkon me përgjegjësi ky vendim, sipas shtojcës A-1.
ç)  Kontrollin dhe verifikimin e zbatimit të kushteve të sigurisë, të mirëmbajtjes dhe atyre shëndetësore/higjienike, të mbrojtjes mjedisore sipas kritereve të përcaktuara në shtojcën B;
d) Heqjen e lejeve, në rastet kur qiramarrësi nuk përmbush kushtet e sigurisë dhe ato shëndetësore/higjienike;
dh)  Vënien e gjobave në zbatim të akteve ligjore në fuqi, në rastet kur ka shkelje të kushteve të sigurisë gjatë përdorimit të mjeteve lundruese motorike dhe atyre shëndetësore/higjienike.
e) Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare përcaktojnë:
i. zonat (vendet) e përdorimit të mjeteve lundruese çlodhëse, të cilat të jenë të shënuara në mënyrë të dukshme me shënues të veçantë, ku të tregohen edhe korridoret e hyrjes dhe të daljes nga uji (det, liqen, rezervuar, lumë, përrua);
ii. distancat e ushtrimit të aktivitetit të lundrimit nga këto mjete;
iii. oraret e përdorimit të tyre;
iv. vendosjen në vende të dukshme të shenjave sinjalizuese të tilla si:
  “KUJDES – ZONË KU NDALOHET PËRDORIMI I MJETEVE LUNDRUESE”; “KUJDES – ZONË E NDALUAR PËR TË NOTUAR” etj., të cilat të jenë në gjuhën shqipe dhe anglisht.
3. Policia e Shtetit dhe Roja Bregdetare janë përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të këtij vendimi në det. Policia e Shtetit përgjigjet për ujërat e brendshme dhe për ujërat në brendësi të territorit dhe Roja Bregdetare për detin territorial.
4. Drejtoria e Përgjithshme Detare, njësitë e qeverisjes vendore dhe Policia e Shtetit, në bashkëpunim midis tyre, përgjigjen për zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të detyrave të mëposhtme:
a) Verifikimin e zbatimit të ligjshmërisë dhe patrullimin periodik (nga Policia e Shtetit dhe policia bashkiake/komunale) përgjatë vijës bregdetare publike dhe në zonat çlodhëse të ujërave të brendshme në thellësi të territorit.
b) Kryerjen e kontrolleve dhe marrjen e masave për të siguruar zbatimin e të gjitha kushteve të sigurisë, të higjienës dhe atyre të mirëmbajtjes.
5. Subjektet e pajisura me leje për përdorimin e një plazhi në bregdet apo në ujëra të brendshme në thellësi të territorit kanë detyrimin e vendosjes, mirëmbajtjes dhe ruajtjes së kushteve higjienike dhe të sigurisë të caktuara në këtë vendim, si dhe kanë detyrë të ruajnë pastërtinë e mjedisit detar, si dhe ta mbrojnë atë nga ndotjet e dëmtimet me shpenzimet e tyre. Në rast të kundërt, leja hiqet nga njësitë e qeverisjes vendore apo organet e tjera shtetërore sipas kompetencave, në bazë të konstatimit të bërë nga organet e kontrollit.
6. Inspektorati në fushën e shëndetit është përgjegjës për:
a) inspektimin higjieno – sanitar për dhënien e autorizimit sipas shkronjës “b”, të pikës 5;
b) verifikimin e plotësimit të kushteve higjieno – sanitare sipas shkronjave “c” dhe “ç”, të pikës 5;
c) marrjen e masave administrative sipas shkronjës “dh”, të pikës 5.
7. Drejtoria e Përgjithshme Detare duhet të hartojë dhe të zbatojë rregulla për regjistrimin, për përdorimin e sigurt të mjeteve lundruese që përdoren për argëtim, kontrollin periodik vjetor, përdorimin e sigurt të varkave të vogla me motor dhe lundrimin e sigurt në ujërat e brendshme në thellësi të territorit.
8. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare janë përgjegjëse për hartimin, zbatimin dhe kontrollin e rregullave për autorizimin e qendrave e të shkollave të trajnimit për zhytje sportive në përputhje me praktikat ndërkombëtare të sporteve ujore, duke siguruar që këto qendra të kenë pajisje të mjaftueshme, të jenë të organizuara dhe të kenë instruktorë të certifikuar.
9. Njësitë e qeverisjes vendore duhet të përgatitin dhe të mbajnë një inventar për  lejet e dhëna, datat e inspektimit për kontrollin e përmbushjes së kushteve dhe përcaktimin e qartë të vendndodhjes së veprimtarive të lejuara sipas këtij vendimi.
10. Policia e Shtetit, në bashkërendim me institucionet e tjera qendrore të treguara në këtë vendim dhe njësitë e qeverisjes vendore, harton një plan të qëndrueshëm mbi sigurinë në plazhe, i cili duhet të rishikohet në muajin prill të çdo viti dhe të jetë i gatshëm për zbatim çdo sezon turistik, duke filluar nga data 15 maj dhe duke përfunduar në datën 15 tetor.
11. Të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, objekt i ligjit nr.8663, datë 18.9.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 NT”, të ndryshuar, detyrohen të kompletojnë mjetet e tyre me pajisjet e nevojshme të komunikimit, sinjalizimit dhe të shpëtimit, sipas përcaktimeve të shtojcës “F”, jo më vonë se 45 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
III.   SHTOJCAT E VENDIMIT
Këtij vendimi i bashkëlidhen këto shtojca, si pjesë përbërëse e tij:
· Shtojca A-1: Zonat e identifikuara për t’u autorizuar për përdorim publik në bregdetin shqiptar dhe ujërat në brendësi të territorit.
· Shtojca A-2: Zonat e identifikuara për t’u autorizuar për veprimtari zhytjeje.
· Shtojca A-3: Zonat e identifikuara për t’u autorizuar për parashutizëm detar (parasailing dhe surfing).
· Shtojca A-4: Zonat e identifikuara për t’u autorizuar për veprimtari rafting.
· Shtojca B: Kërkesat për sigurinë në plazhe.
· Shtojca B-1: Rregullat e arta (të afishuara në çdo plazh).
· Shtojca B-2: Rregullat e arta (për drejtuesit e mjeteve lundruese).
· Shtojca B-3: Kriteret për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit.
· Shtojca C: Kushtet e sigurisë për përdorimin e varkave me motor dhe mjeteve lundruese me motor për përdorim personal në plazhe.
· Shtojca D: Kërkesat për regjistrimin, certifikimin dhe licencimin e varkave me motor dhe mjeteve lundruese me motor për përdorim personal.
· Shtojca E: Kërkesa për sigurinë në praktikimin e sporteve të aventurës, si “rafting”, “kayake” dhe “kanoe” në lumenj dhe në ujërat e brendshme.
· Shtojca F: Kërkesat për pajisjen e mjeteve lundruese me mjete komunikimi, sinjalizimi e shpëtimi.
IV.    DISPOZITA TË FUNDIT
1.  Çdo njësi e qeverisjes vendore, që ka në përgjegjësi administrimi dhe që është subjekt autorizimi për përdorim, të lërë në dispozicion për “Plazh publik” 20% të territorit të përgjithshëm të plazhit. Plazhi publik të menaxhohet dhe të jetë në administrim të njësive të qeverisjes vendore. Shpërndarja për stacionet e plazhit publik dhe privat të bëhet në mënyrë proporcionale.
2. Për shkeljet e kryera gjatë përdorimit të mjeteve lundruese me motor zbatohen sanksionet e parashikuara në ligjin nr.8663, datë 18.9.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 NT”, të ndryshuar.
3. Ministritë e linjës nxjerrin aktet e nevojshme nënligjore në zbatim të këtij vendimi.
4. Vendimi nr.358, datë 1.6.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për sigurinë në det, plazhe dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit”, të ndryshuar, shfuqizohet.
5. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Kulturës, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
         Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, SI ADMINISTRATORE E FONDEVE TË GRANTIT TË SIGURUARA NGA QEVERI TË NDRYSHME, NËN FONDIN E PËRBASHKËT EVROPIAN TË BALLKANIT PERËNDIMOR, DHE BERZH, NËN FONDIN E AKSIONARËVE TË VEÇANTË TË BERZH, PËR MBIKËQYRJEN E PROJEKTIT TË RRUGËVE DYTËSORE DHE LOKALE NË SHQIPËRI 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si administratore e fondeve grant të siguruara nga qeveri të ndryshme, nën Fondin e Përbashkët Evropian të Ballkanit Perëndimor, dhe BERZH, nën Fondin e Aksionarëve të Veçantë të BERZH, për mbikëqyrjen e projektit të rrugëve dytësore dhe lokale në Shqipëri, me një shumë 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M 
PËR
HAPJEN E PIKËS SË PËRKOHSHME TË KALIMIT KUFITAR NË MOLIN E POGRADECIT, NË KUFIRIN SHTETËROR LIQENOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË ME REPUBLIKËN E MAQEDONISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të pikës 1, të      nenit 16, të ligjit nr.9861, datë 24.1.2008, “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe të ministrit të Punëve të Brendshme,  Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen e pikës së përkohshme të kalimit kufitar në Molin e Pogradecit, në kufirin shtetëror liqenor të Republikës së Shqipërisë me Republikën e Maqedonisë, për komunikacion ndërkombëtar të shtetasve gjatë periudhës 15 qershor – 15 shtator, nga ora 9.00 – 19.00.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Financave dhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.687, DATË 5.10.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN, KOMPETENCAT DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË ADMINISTRIMIT TË PASURIVE TË SEKUESTRUARA E TË KONFISKUARA, SI DHE MËNYRAT E ADMINISTRIMIT TË PASURIVE TË SEKUESTRUARA E TË KONFISKUARA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 15, pika 2, e 34, pika 2, të ligjit nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të nenit 22, të ligjit nr.157, datë 10.10.2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 2, e kreut III, të vendimit nr.687, datë 5.10.2011, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Administrimin e pasurive të bllokuara dhe të sekuestruara, në zbatim të ligjit nr.157/2013, datë 10.10.2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR 
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.149, DATË 29.2.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE PËR PUNONJËSIT E DREJTORISË SË SHËRBIMEVE QEVERITARE”
Në mbështetje tënenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve“, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.149, datë 29.2.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhet shtesa, si më poshtë vijon:
1. Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 1, të vendimit, pas emërtesës “Drejtues institucioni” shtohet “Zëvendësdrejtues”. Kategoria e pagës për këtë funksion është II-b, ndërsa elementet e tjera përbërëse të pagës janë të njëjta me ato të funksionit “Drejtues institucioni”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i vitit 2014, miratuar për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.843, DATË 27.9.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË ARSIMIT DHE SPORTIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.843, datë 27.9.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Ndarja II ndryshohet, si më poshtë vijon:
   “II. Ministria e Arsimit dhe Sportit harton dhe zbaton politika që synojnë sigurimin e një sistemi arsimor cilësor, zhvillimin perspektiv të arsimit, respektimin e interesave të individit, të komunitetit e të shoqërisë dhe pajisjen me njohuritë e nevojshme për t’u përballur me kërkesat e ekonomisë së tregut, në përputhje me përparësitë kombëtare dhe evropiane; krijimin, transmetimin, zhvillimin dhe mbrojtjen e dijeve me anë të mësimdhënies, kërkimit shkencor e shërbimeve.
    Ministria e Arsimit dhe Sportit harton dhe zbaton politikat për zhvillimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit, në mbështetje të politikave të zhvillimit të vendit.
    Ministria e Arsimit dhe e Sportit harton, programon, zhvillon dhe bashkërendon punën për politikat kombëtare në fushën e sportit, integrimit kulturor, harton politikat mbrojtëse dhe promovuese, si dhe krijon hapësirat e nevojshme për zhvillimin dhe përmirësimin e sportit shqiptar.”.
2. Në ndarjen III bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Në pikën 1,  fjala “… edukimit …” zëvendësohet me “… arsimit …”.
b) Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Sektorin e kërkimit shkencor.”.
3. Në ndarjen IV bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Fjala “… edukimi …” zëvendësohet me “… arsimimi …”.
b) Pas fjalëve “… arsimi i lartë …” shtohen “… dhe në kërkimin               shkencor …”.
4. Në ndarjen V, pas fjalëve “… ato të larta, …” shtohen “… në legjislacionin për kërkimin shkencor dhe inovacionin, …”.
5. Pika 6, e ndarjes VI, hiqet.
II. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.672, DATË 7.8.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE, BURSAT E SHTETIT DHE PAGESAT E NXËNËSVE E TË STUDENTËVE  NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE, PËR VITIN SHKOLLOR 2013 – 2014”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, 19 e 28, të ligjit nr.69/2012, datë 21.6.2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 57, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të nenit 29, të ligjit nr.8872, datë 29.3.2002, “Për arsimim dhe formim profesional në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.185/2013, datë 27.12.2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
Pika 14, e vendimit nr.672, datë 7.8.2013, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“14. Afati përfundimtar për paraqitjen e kërkesave për bursa pranë këshillave bashkiakë apo të komunës do të jetë data 15 dhjetor 2013, për të gjitha kategoritë e shkollave/institucioneve të arsimit të lartë, ndërsa për vitin e dytë e lart do të jetë data 15 nëntor 2013. Miratimi i bursave nga këshillat bashkiakë apo të komunës për këtë vit shkollor për të gjitha kategoritë e shkollave/institucioneve të arsimit të lartë duhet të përfundojë deri në datën 30 maj 2014.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E UDHËRRËFYESIT PËR 5 PRIORITETET E REKOMANDUARA NGA KOMISIONI EVROPIAN, 2013
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e udhërrëfyesit për 5 prioritetet e rekomanduara nga Komisioni Evropian (më poshtë udhërrëfyesi), që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ministria e Integrimit Evropian është përgjegjëse për bashkërendimin dhe monitorimin e zbatimit të udhërrëfyesit dhe raporton në Këshillin e Ministrave dhe Komitetin Ndërministror për Integrimin Evropian për ecurinë e procesit.
3. Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore raportojnë çdo javë pranë Ministrisë së Integrimit Evropian për realizimin e detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi.
4. Vendimi nr.988, datë 8.11.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit të Veprimit për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shfuqizohet.
5. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore, për të cilat në udhërrëfyes përcaktohen detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E FORMATIT DHE MËNYRËS SË MBLEDHJES E TË RAPORTIMIT TË TË DHËNAVE NGA OFRUESIT E SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR, PUBLIK OSE PRIVAT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 30, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 3, të nenit 59, të ligjit nr.10138, datë 11.5.2009, “Për shëndetin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Ofruesit e kujdesit shëndetësor, publikë dhe privatë, që ushtrojnë veprimtarinë në fushën e shëndetësisë në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me tipin e veprimtarisë dhe licencën për ushtrimin e veprimtarisë, me qëllim formulimin e politikave shëndetësore dhe të mbështetjes së kërkimit shkencor, raportojnë të dhëna në sistemin e informacionit shëndetësor, sipas përcaktimit në nenin 30, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Informacioni shëndetësor ndahet në tri kategori kryesore, si më poshtë vijon:
a) Regjistrat e sëmundjeve;
b) Survejanca e sëmundjeve me rëndësi të veçantë në shëndetin publik;
c) Të dhëna për aktivitetin e institucioneve shëndetësore.
2. Raportimi kryhet sipas emërtimeve të mëposhtme:
2.1. Regjistri i kancerit;
2.2. Regjistri i diabetit;
2.3. Regjistri spitalor për sëmundjet e arterieve koronare (SAK);
2.4. Regjistri spitalor për aksidentet cerebro-vaskulare (ACV);
2.5. Regjistri i sëmundjeve të rralla;
2.6. Regjistri i kontrollit mjekësor bazë, për 40-65 vjeç;
2.7. Regjistri i defekteve të lindura;
2.8. Regjistri i abortit;
2.9. Regjistri i shërbimeve të trajtimit të problemeve të varësive toksikologjike dhe adiktologjike (drogat);
2.10. Regjistri i sindromit të imunodeficiencës së fituar (AIDS);
2.11. Regjistri për personat që testohen për HIV;
2.12. Planifikimi familjar;
2.13. Raportimi javor i sindromaveinfeksioze;
2.14. Raportimi dhe denoncimi specifik i sëmundshmërisë infektive;
2.15. Survejancasindromike e infeksioneve seksualisht të transmetueshme (IST);
2.16. Survejanca e gripit;
2.17. Vaksinimi;
2.18. Farmakovigjilenca: raportimi i reaksioneve pasvaksinore;
2.19. Hemovigjilenca;
2.20. Survejanca e meningo – encefaliteve;
2.21. Survejanca e poliomielitit: paralizat flakside akute (PFA);
2.22. Survejanca e rubeolës kongenitale;
2.23. Survejanca e rashitmakulo – papular me temperaturë;
2.24. Survejanca e etheve hemoragjike;
2.25. Survejanca e sigurisë së gjakut;
2.26. Evidentimi dhe raportimi i shpërthimeve epidemike;
2.27. Sëmundshmëria në shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor;
2.28. Sëmundshmëria spitalore;
2.29. Vdekshmëria spitalore;
2.30. Vdekshmëria nën 5 vjeç;
2.31. Raportimi i dhunës në familje;
2.32. Veprimtaria e shërbimeve të kujdesit parësor;
2.33. Veprimtaria e shërbimit stomatologjik;
2.34. Veprimtaria e institucioneve me shtretër;
2.35. Veprimtaria obstetrikale në institucionet shëndetësore ose banesë;
2.36. Veprimtaria e qendrave shëndetësore të specializuara ose poliklinikave;
2.37. Veprimtaria e shërbimit të urgjencës;
2.38. Veprimtaria e konsultorit të gruas;
2.39. Veprimtaria e konsultorit të fëmijëve;
2.40. Veprimtaria e laboratorit mikrobiologjik;
2.41. Veprimtaria e laboratorit kimik – fizik (Shëndetit Publik);
2.42. Veprimtaria e dispanserive antituberkulare;
2.43. Veprimtaria e laboratorit klinik biokimik;
2.44. Veprimtaria e Shërbimit Kombëtar të Transfuzionit të Gjakut;
2.45. Veprimtaria e qendrave komunitare të shëndetit mendor;
2.46. Veprimtaria e shtëpive të mbështetura të shëndetit mendor;
2.47. Veprimtaria e institucioneve të shëndetit mendor me shtretër;
2.48. Veprimtaria e  transplantimit;
2.49. Burimet njerëzore.
3. Tipi dhe periodiciteti i të dhënave, subjekt i raportimit nga ofruesit e kujdesit shëndetësor, përcaktohen në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi.
4. Fushat përbërëse të raporteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, dhe formati i raportimit të tëdhënave përcaktohen në shtojcën 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
5. Institucioni shëndetësor, publik ose privat, është përgjegjës për informacionin e raportuar. Institucioni, nëpërmjet rregulloreve të brendshme, përcakton përgjegjësitë individuale për saktësinë e informacionit të raportuar si dhe përgjegjësitë individuale në zbatim të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
6. Ofruesit e shërbimeve të kujdesit shëndetësor mbledhin dhe raportojnë të dhënat, sipas pikave 2 dhe 3, jo më vonë se katër javë pas përfundimit të periudhës për të cilën raportohet.
7. Drejtoritë rajonale të shëndetësisë janë përgjegjëse për monitorimin e raportimit të saktë dhe në kohë të ofruesve të shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe për të siguruar transferimin e të dhënave në Institutin e Shëndetit Publik, jo më vonë se gjashtë javë pas përfundimit të periudhës për të cilën raportohet. Drejtorive rajonale të shëndetësisë u sigurohet akses në të dhënat e raportuara nga ofruesit e shërbimeve të kujdesit shëndetësor.
8. Instituti i Shëndetit Publik përgjigjet për organizimin e “regjistrave kombëtarë”, mbështetur në të dhënat e raportuara sipas pikës 2, të këtij vendimi, për mbledhjen, ruajtjen, analizën dhe interpretimin e të dhënave, brenda strukturës së tij. Për çdo “Regjistër Kombëtar” të sigurohet ekspertiza e nevojshme sipas profileve: epidemiolog, analist të dhënash, menaxher i teknologjisë dhe informacionit, kontrollor i cilësisë, operatorë.
9. Regjistrat kombëtarë të jenë funksionalë brenda 3 (tri) viteve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
10. Deri në ngritjen e sistemit të informacionit shëndetësor, raportimi të kryhet duke përdorur formularët standardë të raportimit të të dhënave, të përcaktuar në shtojcën 3, bashkëlidhur këtij vendimi, ose me kalim elektronik në infrastrukturën ekzistuese të teknologjisë së informacionit, që disponon Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik, në formate elektronike standarde të raportimit (xml, csv, txt.). Ministria e Shëndetësisë merr masa teknike dhe organizative për transmetimin e sigurt dhe të garantuar të këtij informacioni, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
11. Të gjithë ofruesit e kujdesit shëndetësor, publikë dhe privatë, janë të detyruar të mbledhin dhe të raportojnë çdo të dhënë tjetër, sipas përcaktimeve në ligje të veçanta.
12. Të dhënat e raportuara, të cilat e bëjnë personin të identifikueshëm, të kodohen/të anonimizohen menjëherë si dhe të informohen paraprakisht personat e përfshirë në këtë përdorim. Këto të dhëna nuk përhapen, përveç rasteve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
13. Ofruesit e kujdesit shëndetësor, publik dhe privat, përfshirë dhe institucionet e ngarkuara për zbatimin e këtij vendimi që vihen në dijeni për të dhënat personale gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, detyrohen të ruajnë konfidencialitetin dhe besueshmërinë edhe pas përfundimit të funksionit.
14. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë.
15. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik për zbatimin e këtij vendimi.
         Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.