Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 4 shkurt 2015
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.939, DATË 9.10.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË BUJQËSISË, ZHVILLIMIT RURAL DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.939, datë 9.10.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa:
1. Në paragrafin II, pas fjalëve “…peshkimit dhe akuakulturës…” shtohen fjalët “… si dhe mbrojtjen e cilësisë së ujërave dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve ujore…”.
2. Në paragrafin III, pas pikës 16 shtohet pika 17, me këtë përmbajtje:
“17. Harton dhe zbaton politika në sektorin e burimeve ujore, përfshirë ujërat e brendshëm, ujërat nëntokësorë dhe ujërat detarë.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.945, DATË 9.10.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË MJEDISIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.945, datë 9.10.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Paragrafi II ndryshohet, si më poshtë vijon:
 “II. Ministria e Mjedisit harton dhe zbaton politika që synojnë mbrojtjen e mjedisit, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, nxitjen dhe promovimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, mbrojtjen e natyrës dhe të biodiversitetit, zhvillimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve e kullotave si dhe monitorimin e cilësisë së ujërave.”.
2. Në pikën 1, të paragrafit III, pas fjalëve “…monitorimin e treguesve të mjedisit” shtohen fjalët “…dhe të cilësisë së ujërave…”.
3. Pika 3, e paragrafit III, shfuqizohet.
4. Pika 4, e paragrafit III, numërtohet pika 3.
5. Ngarkohet Ministria e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË GJEORGJISË, PËR BASHKËPUNIM NË LUFTËN KUNDËR KRIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Gjeorgjisë, për bashkëpunim në luftën kundër krimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT PËR ARMËT, NË RASTET E DEKLARIMIT TË VDEKJES, DEKLARIMIT TË MBYLLJES LIGJORE TË AKTIVITETIT, PËR QËLLIME STUDIMORE, TË HUMBJES SË ARMËS, VJEDHJES SË SAJ APO DOKUMENTIT/AUTORIZIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 44, të ligjit nr.74/2014, datë 10.7.2014, “Për armët”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I.  DISPONIMI I ARMËS ME VDEKJEN E PRONARIT TË SAJ
1. Në rast vdekjeje të personit mbajtës ose koleksionues të çdo arme, pjesëtarët e familjes ose të afërmit, njoftojnë njësinë e policisë vendore ku janë regjistruar armët, nëse dihet, ose njësinë e policisë më të afërt, brenda 10 (dhjetë) ditëve.
2. Armët tërhiqen nga punonjësi i policisë së njësisë ku janë regjistruar dhe merren në ruajtje, në pritje të trashëgimtarit legjitim për t’i marrë e regjistruar në pronësi.
3. Trashëgimtari i vetëm dhe legjitim i armëve ose ai i përcaktuar si i tillë nga të gjithë bashkëtrashëgimtarët e tjerë të të vdekurit, mund të kërkojë t’i blejë ato, nëse është i autorizuar nga policia për blerje arme, ose të vendosë shitjen e tyre subjekteve (qofshin persona fizikë ose juridikë) të autorizuar për blerjen e armëve.
4. Nëse kalojnë 6 (gjashtë) muaj nga vdekja e personit, pronar të armës, dhe trashëgimtarët nuk kanë vendosur për destinacionin e armës, struktura përgjegjëse e Policisë së Shtetit i dërgon titullin ekzekutiv të revokimit të autorizimit të mbajtjes së armës strukturës së përmbarimit të ekzekutimit të vendimit, e cila realizon tjetërsimin e armës, nëpërmjet procedurave të ankandit publik.
II. DISPONIMI PËR ARMËT PAS MBYLLJES SË AKTIVITETIT
5. Struktura e Policisë së Shtetit, me marrjen dijeni për mbylljen ligjore të aktivitetit, në prezencë të subjektit, bën menjëherë bllokimin e armëve të lejuara, së bashku me municionet e tyre, kundrejt procesverbalit përkatës, ku një kopje e tij i jepet të interesuarit.
6. Komisioni i dhënies së licencës, në rastin  e mbylljes ligjore të aktivitetit për veprimtaritë e lejuara me armë, me vendim, bën heqjen e licencës.
7. Në bazë të vendimit të komisionit qendror për heqjen e licencës, komisariati i policisë ka të drejtë t’i japë subjektit një afat, deri në 6 (gjashtë) muaj, për tjetërsimin e armëve, sipas ligjit në fuqi për armët.
8. Me mbarimin e këtij afati, struktura përgjegjëse e Policisë së Shtetit i dërgon titullin ekzekutiv të revokimit të autorizimit të mbajtjes së armës strukturës së përmbarimit të ekzekutimit të vendimit, e cila realizon tjetërsimin e armës, nëpërmjet procedurave të ankandit publik.
9. Rregullat e caktuara më sipër kanë të njëjtën vlerë edhe në rastin kur subjektit i hiqet licenca për shkelje të ligjit, nga komisioni përkatës.
III.  DISPONIMI PËR ARMËT PËR QËLLIME STUDIMORE
10.Armët dhe municionet e sekuestruara e të konfiskuara si provë materiale, pas mbarimit të gjykimit, me vendim të formës së prerë të gjykatës, mund të merren në administrim, për qëllime studimore, nga policia shkencore, pas miratimit nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
11.Armët, pjesët dhe municioni i tyre, të marra për qëllime studimore, nuk lejohet të përdoren jashtë këtij qëllimi. Në armët, objekt studimi shkencor, nuk lejohet të bëhen ndryshime, shënime, zëvendësime e modifikime të pjesëve të tyre.
12.Armët, pjesët e tyre dhe municionet, të marra për qëllime studimi, pas përfundimit të studimit dorëzohen në magazinat qendrore të Policisë së Shtetit.
13.Kur armët kërkohen të mbahen në Policinë Shkencore, si ekzemplarë, përgjithmonë, më parë duhet të paaftësohen. Miratimi për sasinë, llojin dhe kalibrin e armëve, për t’i paaftësuar, bëhet nga ministri i Punëve të Brendshme. Armët e paaftësuara vulosen me inicialin “LB”.
IV. PROCEDURA E ARMËVE TË DEKLARUARA TË HUMBURA, TË VJEDHURA
14. Personi fizik e juridik, në rast të humbjes apo vjedhjes së armës, pjesëve të saj apo municionit, duhet të njoftojë, në afatin brenda 24 orëve nga momenti i konstatimit, në komisariatin e policisë ku ka ndodhur ngjarja dhe atje ku arma është e regjistruar.
15. Komisariati i policisë, për armën e humbur apo të vjedhur, adreson kallëzimin për ngjarjen në prokurori, për hetimin e rrethanave.
16. Komisioni vendor, në rastet e humbjes apo vjedhjes së armës, shqyrton  rrethanat dhe merr vendim për revokimin e autorizimit për mbajtje të armës. Për pronësinë e armës veprohet sipas përcaktimeve të ligjit nr.74/2014, “Për armët”, dhe këtij vendimi.
17. Në rast të humbjes apo vjedhjes së autorizimit për blerje/mbajtje armë zjarri apo autorizimit si koleksionist, dhe çdo autorizimi tjetër, qoftë ai i përkohshëm, personi fizik a juridik njofton komisariatin e policisë ku ka ndodhur ngjarja.
18. Pas kryerjes së procedurës së kallëzimit, arma e zjarrit, e humbur apo e vjedhur, hiqet nga regjistri i armëve dhe regjistrohet në armët e humbura.
19.  Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT PËR VLERËSIMIN E KËRCËNIMIT TË RREZIKUT PËR JETËN DHE PAJISJEN ME AUTORIZIM TË POSAÇËM PËR MBAJTJE ARME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 30, pika 2, të ligjit nr.74/2014, datë 10.7.2014, “Për armët”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Policia e Shtetit ka përgjegjësinë për vlerësimin e kërcënimit të rrezikut për jetën për persona që, për shkak të aktivitetit shtetëror ose të rrethanave personale të veçanta, janë të ekspozuar ndaj rrezikut për jetën dhe u njihet e drejta e mbrojtjes së veçantë.
2. Vlerësimi i rrezikut për jetën dhe lëshimi i autorizimit përkatës për mbajtje arme bëhet për dy kategori personash:
a) Persona në rrezik për shkak të aktivitetit shtetëror;
b) Persona në rrezik për shkak të rrethanave personale të veçanta.
3. Policia e Shtetit të krijojë komision për vlerësimin e rrezikut të personave, për shkak të aktivitetit shtetëror që kanë pasur ose kanë aktualisht, si dhe për ata për shkak të rrethanave personale të veçanta, të përbërë nga 5 veta, me këtë përbërje:
a) Drejtori i Sigurisë Publike                                    Kryetar;
b) Drejtori për krimet e rënda                                    anëtar;
c) Drejtori për krimet                                               anëtar;
ç) Jurist i drejtorisë                                                 anëtar;
d) Shefi i sektorit për shërbimet ndaj të tretëve         anëtar.
4. Për vlerësimin e kërcënimit për jetën, brenda 72 orëve nga paraqitja e kërkesës, të administrohet dokumentacioni, si më poshtë vijon:
a) Kërkesa individuale e personit që kërcënohet për shkak të aktivitetit shtetëror ose rrethanave personale të veçanta;
b) Relacion nga komisariati ku banon personi, lidhur me ekzistencën e kërcënimit të jetës së personit, që kryen apo ka kryer më parë aktivitet shtetëror, ose të rrethanave personale të veçanta;
c) Ekstrakte nga informacionet, materiale të dala nga hetimi, materiale të dala nga  kryerja e operacioneve apo teknikave speciale të hetimit etj., që i disponon policia ose institucione të tjera shtetërore, për ekzistencën e kërcënimit ose rrezikut të jetës së personit që ka bërë kërkesën;
ç)   Kopje e dokumentit identifikues të personit të kërcënuar;
d) Vërtetim besueshmërie për personin e kërcënuar, hartuar nga komisariati ku ka vendbanimin.
5. Këto dokumente, të administruara në komisiariatin e policisë, brenda 3 (tri) ditëve pune dërgohen për t’u regjistruar në drejtorinë vendore të policisë dhe nga kjo drejtori përcillen, për miratim, në Komisionin Qendror, pranë Drejtorisë së Policisë.
6. Rrethanat personale të veçanta përfshijnë:
a) rrethanat që krijohen si rezultat i ekzistencës reale të kërcënimit për jetën, për persona që ndihmojnë policinë apo struktura të tjera shtetërore, në lidhje me identifikimin e veprave penale, autorëve të tyre si dhe sigurimin e provave të tjera;
b) rrethanat që krijohen për shkak të aktivitetit shtetëror që ka pasur ose ka personi që kërcënohet;
c) rrethanat që krijohen si rezultat i kallëzimeve për vepra penale në një mjedis ku reagimi për këtë veprim është kërcënues për jetën e kallëzuesit.
7. Komisoni mblidhet brenda 5 (pesë) ditëve nga ardhja e kërkesës dhe shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga drejtoria vendore/rajonale e policisë ku ka vendbanimin personi i kërcënuar për shkak të aktivitetit shtetëror ose rrethanave personale të veçanta.
8. Komisioni merr vendim paraprak, me shumicë, për vlerësimin e rrezikut dhe për lëshimin e autorizimit për mbajtje arme, me qëllim ruajtjen e jetës.
9. Autorizimin për mbajtjen e armës e firmos Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, brenda 24 orëve nga vendimmarrja e komisionit.
10. Afati i shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje të veçantë dhe lëshimi/refuzimi i autorizimit për mbajtje arme është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë.
11. Afati i vlefshmërisë së autorizimit të posaçëm për mbajtje arme varion sipas ekzistencës së kërcënimit dhe rrezikut për jetën.
12. Pas lëshimit të autorizimit për mbajtje arme, për rastet e rrezikut për shkak të aktivitetit shtetëror apo për shkak të rrethanave të veçanta, dokumentacioni, së bashku me vendimet e komisionit dhe kopjen e autorizimit, regjistrohet në një regjistër të veçantë dhe mbahet në kartotekë.
13. Për dokumentacionin, kur nuk miratohet lëshimi i autorizimit për mbajtje arme, afati i mbajtjes në kartotekë është 2 (dy) vjet dhe, më pas, asgjësohet, me procesverbal, sipas rregullave të përcaktuara për çdo dokumentacion tjetër.
14. Mbledhjet e komisioneve zhvillohen me protokoll, i cili mbahet së bashku me regjistrin dhe dokumentacionin e shqyrtuar.
15. Dispozitat e këtij vendimi nuk zbatohen për personat të cilëve ligji ua njeh të drejtën për të mbajtur armë.
16. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE PROCEDURAVE TË DEKLARIMIT, RUAJTJES, REGJISTRIMIT DHE PAAFTËSIMIT PËR ARMËT E KOLEKSIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 45, të ligjit nr.74/2014, datë 10.7.2014, “Për armët”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Në strukturën përgjegjëse të policisë, armët e koleksionit të kategorive “A”, “B”, “C” e “D”, që plotësojnë kriteret për t’u quajtur armë zjarri, regjistrohen njëlloj si armët e tjera, me të dhënat e numrit të serisë, tipit, kalibrit dhe fabrikën e prodhimit.
2. Armët e koleksionit ndahen në tri kategori dhe, që të quhen të tilla, duhet të plotësojnë njërën nga këto kushte:
a) Të jenë armë të prodhuara, së paku, 50 vjet para datës së kërkesës për pajisje me autorizim;
b) Të jenë armë të regjistruara nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore;
c) Çdo armë tjetër që ka vlera të rralla, ose që lidhet me ndonjë figurë, periudhë apo ngjarje historike.
3. Personi fizik dhe juridik, për regjistrimin e armëve të koleksionit, ose muzeut, që nuk janë paaftësuar, pajiset me autorizim për koleksionim armësh nga komisioni qendror i ngritur në Drejtorinë Qendrore të Policisë së Shtetit, pasi ka plotësuar të gjitha kriteret e neneve 34 e 35, të ligjit nr.74/2014, “Për armët”, si dhe  kushtet e sigurisë së objektit, kriteret e sigurisë së armëve në vendin e koleksionimit, ose muzeut, sipas përcaktimit të akteve nënligjore.
4. Për armët e paaftësuara, personi fizik ose juridik paraqet dokumentin e lëshuar nga subjekti i licencuar për paaftësimin e armëve, të cilat janë vulosur me shkronjën “D”.
5. Personi fizik dhe juridik, bashkë me kërkesën dhe dokumentacionin që paraqet në komision, për të marrë autorizimin si koleksionist, ose person i autorizuar për administrimin e armëve në muze, sjell edhe listën me armët që zotëron.
6. Lista e armëve të jetë e ndarë në armë që janë të paaftësuara dhe armë që nuk janë paaftësuar. Për armët që nuk janë paaftësuar jepen të dhënat e armëve, ku përshkruhet tipi, kalibri, modeli dhe numri i serisë së armës.
7. Komisioni, para se të pajisë me autorizim për koleksionim armësh subjektin fizik a juridik, për armët e paraqitura, ushtron kontroll për saktësinë e të dhënave dhe, më pas, lëshon autorizimin për koleksionist armësh, ose si person i autorizuar për administrimin e armëve në muze.
8. Regjistrimi i armëve të koleksionit dhe atyre të muzeut bëhet nga sektori përkatës i policisë vendore, në regjistrin e armëve, sipas akteve nënligjore.
9. Tjetërsimi i pronësisë së armëve të koleksionit bëhet duke zbatuar kërkesat e ligjit për trashëgiminë kulturore dhe në përputhje me rregullat e ndryshimit të pronësisë së armëve.
10. Në rastet kur koleksionisti kërkon të blejë armë, më parë ai paraqet armën që kërkon të blejë, të dhënat për armën, subjektin ku do të blihet dhe arsyen e vlerat e armës. Blerja dhe shitja e armëve të koleksionit jashtë vendit bëhet me autorizim të policisë.
11. Lëvizja dhe transportimi i armëve të koleksionit bëhet me kërkesë të motivuar.
12. Titullari i policisë vendore autorizon transportin e armëve të koleksionit, me qëllim riparimi, provash në poligon ose ekspozimi.
13. Autorizimi i mësipërm nuk mund të lëshohet për më shumë se 6 (gjashtë) armë njëherësh.
14. Paaftësimi i armëve të koleksionit kryhet me të njëjtën procedurë dhe kriter si edhe për armët e tjera. Paaftësimi bëhet nga subjekte shtetërore të licencuara për riparimin e armëve.
15. Paaftësimi i përhershëm /çaktivizimi i armës së zjarrit bëhet sipas njërës prej procedurave teknike të mëposhtme:
a) Foleja e fishekut të ketë tri vrima, të vendosura në kënd 120 gradë, me diametër të barabartë me kalibrin e tytës së armës së zjarrit, ose foleja e fishekut të jetë e mbyllur me sferë metalike dhe me saldim;
b) Tyta e armës së zjarrit të jetë e mbyllur (me metal të shkrirë) nëpër tërë gjatësinë e tytës;
c) Tyta e armës të jetë e prerë për së gjati, nëpër tërë gjatësinë e saj, me prerje të gjerë, së paku 5 (pesë) milimetra, e cila fillon nga foleja e fishekut;
ç) Për armët me mulli (revolver) paaftësimi i tytës bëhet njëlloj si armët e shkronjës “a”, “b”, dhe “c”, ndërsa mulliri mbyllet me saldim.
16. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1086, DATË 28.10.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË LIBRAZHD, TË QARKUT TË ELBASANIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “k”, 5, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme publike shtetërore, brenda juridiksionit territorial dhe administrativ të Bashkisë Librazhd, të qarkut Elbasan, bashkëlidhur vendimit nr.1086, datë 28.10.2009, të Këshillit të Ministrave, shtohen pronat me nr.426 dhe 427 (katërqind e njëzet e gjashtë dhe katërqind e njëzet e shtatë), gjithsej 2 (dy) prona.
2. Kalimin në pronësi të Bashkisë Librazhd të pronave me nr.426 dhe 427, të llojit “truall”, sipas formularit dhe planimetrisë që i bashkëlidhen këtij vendimi, për t’u përdorur për ndërtimin e banesave me kosto të ulët në Bashkinë Librazhd.
3. Bashkisë Librazhd i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Bashkia Librazhd dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren  zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES KUADËR, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR RREGULLAT E ZBATIMIT TË ASISTENCËS FINANCIARE TË BE-SË PËR SHQIPËRINË, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT PËR ASISTENCËN E PARAANËTARËSIMIT (IPA II)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes kuadër, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për rregullat e zbatimit të asistencës financiare të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË SHPENZIMEVE, PËR VITIN 2015, TË ENTIT RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 11, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e planit të shpenzimeve të Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe të Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, për vitin 2015, për shumën 39 043 500 (tridhjetë e nëntë milionë e dyzet e tre mijë e pesëqind) lekë, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura për zbatimin e këtij vendimi.
      Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletore zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E RREGULLORES PËR KRITERET DHE PROCEDURAT E LICENCIMIT TË SUBJEKTEVE PËR USHTRIMIN E AKTIVITETIT NË FUSHËN E VLERËSIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores për kriteret dhe procedurat e licencimit të subjekteve për ushtrimin e aktivitetit në fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.953, datë 12.12.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për kriteret dhe procedurat e licencimit të subjekteve për ushtrimin e aktivitetit në fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme”, shfuqizohet.
3. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Urban për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PAKETËS SË SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE, NË KUJDESIN SHËNDETËSOR PARËSOR PUBLIK, QË FINANCOHET NGA FONDI  I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e paketës së shërbimeve shëndetësore, në kujdesin shëndetësor parësor publik, që financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për programin e shërbimit të kujdesit shëndetësor parësor.
3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË KOMBËTARE TË ZONAVE TË MBROJTURA DHE TË ADMINISTRATAVE RAJONALE TË ZONAVE TË MBROJTURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, datë 27.9.2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të nenit 23, të ligjit nr.8906, datë 6.6.2002, “Për zonat e mbrojtura”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME 
1. Krijimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, në vijim AKZM, si person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit të Mjedisit, me seli në Tiranë.
2. AKZM-ja ka për qëllim ruajtjen dhe kujdesin ndaj natyrës e biodiversitetit, nëpërmjet menaxhimit të rrjetit të zonave të mbrojtura me interes kombëtar e ndërkombëtar, mbledhjes dhe shpërndarjes së informacionit, edukimit mjedisor dhe ndërgjegjësimit të publikut për zonat e mbrojtura dhe mbështetjes së aktiviteteve të qëndrueshme ekonomike brenda këtyre zonave.
3. AKZM-ja ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare, të cilat miratohen me urdhër nga titullari. Stema përbëhet nga Stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të Stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”.
4. Vula zyrtare e AKZM-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në   pikën 2, të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula e AKZM-së prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KREU II
ORGANIZIMI I AKZM-së
1. AKZM-ja ka statusin e Drejtorisë së Përgjithshme, në nivel qendror, ndërsa në nivel vendor organizohet sipas administratave të zonave të mbrojtura.
2. AKZM-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj agjencie dhe përgjigjet para ministrit përgjegjës për zonat e mbrojtura.
3. Drejtori i Përgjithshëm i AKZM-së emërohet, lirohet nga detyra sipas përcaktimeve të legjislacionit të shërbimit civil.
4. Funksionimi i brendshëm i AKZM-së bëhet sipas rregullores përkatëse, të miratuar nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të kësaj agjencie.
5. Administratat e zonave të mbrojtura (AdZM) drejtohen nga drejtuesit përkatës të tyre.
6. Rregullorja e organizimit dhe funksionimit të administratave të zonave të mbrojtura miratohet nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm.
7. Struktura dhe organika e punonjësve të AKZM-së dhe të AdZM-ve miratohen me urdhër të Kryeministrit.
KREU III
BUXHETI
1. AKZM-ja është institucion buxhetor, që financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme. Buxheti i AKZM-së përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për zonat e mbrojtura.
2. AKZM-ja siguron të ardhura edhe nga shërbimet e kryera prej saj ndaj palëve të tjera. Tarifat e këtyre shërbimeve përcaktohen sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
3. AKZM-ja administron të ardhurat nga buxheti i shtetit dhe ato të siguruara nga donacionet dhe shërbimet ndaj palëve të tjera, sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
4. AKZM-ja harton projektbuxhetin vjetor në bazë të projektprogramit vjetor të saj dhe ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të cilin ia përcjell ministrisë përgjegjëse për zonat e mbrojtura.
KREU IV
PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT E AKZM-SË 
DHE AdZM-ve
1. AKZM-ja e shtrin veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas rrjetit të zonave të mbrojtura të miratuara dhe atyre që parashikohen të miratohen në të ardhmen.
2. AKZM-ja dhe AdZM-të kanë detyra dhe përgjegjësi të ngarkuara nga legjislacioni mjedisor në fuqi dhe nga ministria përgjegjëse për zonat e mbrojtura, por ndër më kryesoret janë:
a) Menaxhojnë rrjetin e zonave të mbrojtura, habitateve dhe llojeve natyrore e gjysmënatyrore me interes të ruajtjes, sipas ligjeve kombëtare dhe konventave e marrëveshjeve ndërkombëtare, nëpërmjet:
· mbështetjes së ministrisë përgjegjëse për zonat e mbrojtura për hartimin dhe zbatimin e politikave, strategjive e programeve të qeverisë në fushën e zonave të mbrojtura dhe ruajtjes së natyrës;
· hartimit dhe zbatimit të planeve të menaxhimit për zonat e mbrojtura;
· hartimit dhe zbatimit të planeve të veprimit për habitatet dhe llojet me interes ruajtjeje;
· mbikëqyrjes së veprimtarive në zonat e mbrojtura dhe sigurimit të pajtueshmërisë së tyre në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe aktet të e tjera ligjore e nënligjore në fuqi;
· propozimit të ndryshimeve dhe përmirësimit të kuadrit ligjor e nënligjor për menaxhimin e integruar të rrjetit të zonave të mbrojtura;
· përcaktimit të rregullave të brendshme të veprimit për administratat e zonave të mbrojtura;
· monitorimit të zbatimit me përpikëri të instrumenteve të planifikimit e zhvillimit të territorit, të miratuara nga autoritetet qendrore dhe vendore në zonat e mbrojtura;
· kontrollit të aktiviteteve që përdorin burimet natyrore brenda rrjetit të zonave të mbrojtura;
· bashkëpunimit me organet përkatëse për zbatimin e aktiviteteve ndërkufitare që lidhen me ruajtjen, zhvillimin dhe monitorimin e rrjetit të zonave të mbrojtura.
b) Promovojnë dhe mbështetin grumbullimin dhe shpërndarjen e informacionit, edukimin mjedisor dhe ndërgjegjësimin e publikut për zonat e mbrojtura, nëpërmjet:
· krijimit dhe përditësimit të bazës së të dhënave për zonat e mbrojtura dhe të rrjetit ekologjik të vendit;
· bashkërendimit të punës për hartimin e programeve dhe ngritjen e rrjetit të monitorimit për biodiversitetin dhe rrjetin e zonave të mbrojtura bashkë me strukturat e Ministrisë së Mjedisit;
· grumbullimit të informacioneve dhe kryerjes së monitorimit në zonat e mbrojtura për gjendjen e biodiversitetit, habitateve, popullatave të llojeve të florës e faunës së egër dhe ekosistemeve natyrore, në bashkëpunim me institucionet e specializuara;
· promovimit të vlerave të zonave të mbrojtura dhe administrimit e funksionimit të qendrave të pritjes dhe informimit të vizitorëve;
· krijimit dhe mirëmbajtjes së shërbimeve e informacioneve për vizitorët në zonat e mbrojtura;
· kontributit në informimin, konsultimin dhe sigurimin e aksesit të publikut gjatë hartimit dhe zbatimit të politikave e strategjive të lidhura me menaxhimin e integruar të rrjetit të zonave të mbrojtura e të biodiversitetit.
c) Mbështetin zhvillimin e aktiviteteve të qëndrueshme ekonomike brenda zonave të mbrojtura, nëpërmjet:
· promovimit të pjesëmarrjes aktive të aktorëve në menaxhimin e zonave të mbrojtura;
· kontrollit për zbatimin e rregulloreve dhe kritereve për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore në zonat e mbrojtura;
· kryerjes së aktiviteteve të tjera me interes publik në bazë të dispozitave ligjore dhe akteve të tjera ligjore në fuqi;
· monitorimit e respektimit të kritereve ligjore për kryerjen e veprimtarive ekonomike që zhvillohen brenda territorit të zonave të mbrojtura;
· lajmërimit të organeve shtetërore kompetente në rastet kur vërehen shkelje administrative, veprime a mosveprime në kundërshtim me ligjin, duke u propozuar organeve përkatëse  marrjen e masave ndaj personave përgjegjës, sipas legjislacionit në fuqi;
· administrimit të pasurive të paluajtshme shtetërore dhe publike, të cilat i kalohen në përgjegjësi administrimi, në përputhje me rregullat e përcaktuara nga legjislacioni shqiptar në fuqi.
KREU V
PROCEDURAT E REKRUTIMIT
1. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të AKZM-së rregullohen sipas procedurave të parashikuara në ligjin nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”.
2. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të administratave të zonave të mbrojtura rregullohen sipas Kodit të Punës.
3. Kriteret dhe përshkrimi i vendeve të punës për punonjësit e administratave të zonave të mbrojtura miratohen nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm.
KREU VI
DISPOZITA KALIMTARE E TË FUNDIT
1. Ngarkohet ministri i Mjedisit që, brenda 2 (dy) javëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, të marrë masat për paraqitjen e propozimit te Kryeministri për:
i. emërimin e drejtorit  të Përgjithshëm të AKZM-së;
ii. strukturën dhe organikën e AKZM dhe AdZM-ve.
2. Drejtori i Përgjithshëm i AKZM-së, mbështetur nga njësitë përgjegjëse për shërbimet mbështetëse të Ministrisë së Mjedisit dhe në përputhje me kërkesat specifike për arsimin e punonjësve, miraton kërkesat specifike për çdo vend pune në AKZM dhe AdZM.
3. Nëpunësit që do të transferohen nga drejtoritë e shërbimit pyjor në varësi të Ministrisë së Mjedisit dhe që plotësojnë kërkesat e përgjithshme për pranimin në shërbimin civil, transferohen në detyra të reja, pranë AKZM-së dhe AdZM-ve, brenda numrit dhe pozicioneve të organikës së miratuar sipas urdhrit përkatës të Kryeministrit.
4. Nëpunësit ekzistues, që nuk mund të transferohen në Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave (ISHMPU), mbeten në institucionet përkatëse, të cilat riorganizohen brenda një periudhe           2-mujore nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
5. Ministri i Mjedisit, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përcakton edhe rishpërndarjen e mjediseve e mjeteve të punës, si dhe merr masat e duhura për financimin me fonde buxhetore të AKZM-së dhe AdZM-ve për vitin buxhetor 2015.
6. Dispozitat e krerëve II dhe V, për mënyrën e rekrutimit të punonjësve të AKZM-së dhe AdZM-ve, i shtrijnë efektet e tyre tre muaj pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i shtetit, nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit.
8. Ngarkohet Ministria e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
KRIJIMIN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË INSPEKTORATIT SHTETËROR TË MJEDISIT DHE PYJEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11 e 51, pika 3, të ligjit nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. KRIJIMI I INSPEKTORATIT SHTETËROR TË MJEDISIT DHE PYJEVE 
1. Krijohet Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve (në vijim “ISHMP”) si institucion qendror publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për mjedisin.
 2. Ministria përgjegjëse për mjedisin mbështet funksionimin efektiv të ISHMP-së. Në këtë përgjegjësi nuk përfshihet drejtimi operacional i veprimtarisë së inspektimit.
II. MISIONI DHE FUNKSIONET E ISHMP-së 
1. ISHMP-ja ka për mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe pyjeve.
2. ISHMP-ja është përgjegjëse për të gjitha funksionet e inspektimit në fushën përkatëse, në përputhje me përgjegjësitë e ministrisë përgjegjëse për mjedisin.
3. Përveç sa parashikohet në pikën 2, të këtij kreu, ISHMP-ja është përgjegjëse për çdo funksion apo kompetencë tjetër, të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi për inspektoratin shtetëror, që mbulon fushën e mjedisit.
4. ISHMP-ja ushtron juridiksionin e vet territorial në të gjithë territorin e vendit.
III. MËNYRA E ORGANIZIMIT DHE E FUNKSIONIMIT TË ISHMP-së
1. ISHMP-ja organizohet në dy nivele: në nivelin qendror dhe atë rajonal, ku këto të fundit ngrihen për çdo rajon të vendit.
2. ISHMP-ja drejtohet nga kryeinspektori, i cili është titullari i institucionit.
3. Në kuadër të funksioneve dhe detyrave të ISHMP-së, kryeinspektori ushtron këto kompetenca:
a) përfaqëson inspektoratin në marrëdhënie me të tretët dhe është përgjegjës për organizimin dhe bashkërendimin e punës për funksionimin, cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së këtij inspektorati;
b) zbaton dhe administron buxhetin e miratuar të ISHMP-së, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe përgatit projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, të cilin ia përcjell ministrit përgjegjës;
c) nxjerr urdhra për mbarëvajtjen e vazhdueshme të punës, për përcaktimin e procedurave, kompetencave, detyrave dhe funksioneve për kryerjen e veprimtarive inspektuese të strukturave të ISHMP-së, në nivel qendror dhe rajonal, në fushën e inspektimit të mjedisit dhe pyjeve;
ç) bashkërendon veprimtarinë e ISHMP-së me organet qendrore dhe organet e tjera shtetërore në fushën e inspektimit të mjedisit dhe pyjeve;
  d) siguron kontakte me organe homologe dhe organizata të ndryshme të huaja për zgjidhjen efektive të problemeve në fushën e inspektimit të mjedisit dhe pyjeve si dhe kryen veprimtari të tjera për plotësimin e detyrave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për inspektimin në këtë fushë;
dh) siguron zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të akteve ligjore e nënligjore që rregullojnë veprimtarinë në fushën e inspektimit të mjedisit dhe pyjeve;
e) ushtron çdo funksion tjetër, të përcaktuar në ligje të tjera të posaçme, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit.
4. Kryeinspektori i ISHMP-së i raporton drejtpërdrejt ministrit përgjegjës
për mjedisin, përveçse kur ministri ka përcaktuar shprehimisht, me urdhër, një njësi tjetër raportimi në aparatin e ministrisë përgjegjëse.
5. ISHMP-ja në nivel qendror ka këto funksione:
a) planifikon dhe bashkërendon veprimtarinë e inspektimit;
b) siguron unifikimin e praktikave të inspektimit në shkallë vendi;
c) bashkërendon veprimtarinë e laboratorëve të vet dhe siguron kryerjen e analizave nga laboratorë të tjerë të akredituar, në rastin e pamundësisë së kryerjes së tyre nga laboratorët e vet;
ç)  informon publikun për veprimtarinë e inspektimit;
d)  jep mbështetje teknike, administrative dhe shkencore për veprimtarinë e inspektimit;
dh)   përgatit programin dhe raportin vjetor të inspektimit.
6. Përveç sa parashikohet në pikën 5, të këtij kreu, ISHMP-ja në nivel qendror është përgjegjëse për të gjithë institucionin, përfshirë edhe degët në nivel rajonal, për kryerjen e këtyre funksioneve të brendshme:
a) menaxhimin e burimeve njerëzore si dhe ndjekjen e çështjeve ligjore, të teknologjisë së informacionit, të mirëmbajtjes dhe shërbimeve të tjera mbështetëse;
b) përgatitjen dhe zbatimin e buxhetit, mbajtjen e kontabilitetit dhe kryerjen e auditimit të brendshëm.
7.Pranë ISHMP-së në nivel qendror krijohet “Komisioni i ankimit të ISHMP-së”, i cili drejtohet nga kryeinspektori dhe ka në përbërje të tij:
– drejtorin përgjegjës për inspektimin e mjedisit;
– drejtorin përgjegjës për inspektimin e pyjeve;
– drejtorin përgjegjës për shërbimet mbështetëse;
– juristin e institucionit.
8. Komisioni i ankimit të ISHMP-së kryen këto detyra:
a) Mblidhet për të shqyrtuar ligjshmërinë e aktit ndaj të cilit është bërë ankim/kërkesë administrative dhe merr vendimin, në respektim të procedurës dhe afateve të përcaktuara në ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në ligjin nr.10279,                datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative;
b) Në të gjitha rastet kur komisioni vlerëson pranimin e ankesës/kërkesës për shfuqizimin e vendimit administrativ, me kërkesë të komisionit, në mbledhje duhet të jetë i pranishëm autoriteti përkatës, i cili ka marrë vendimin;
c) Për çdo vendim, komisioni njofton me shkrim, zyrtarisht, subjektin ankues/kërkues;
ç) Ushtron funksionet, në përputhje me afatet dhe procedurat e ankimeve, të parashikuara në ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, në Kodin e Procedurave Administrative, në ligjin nr.10279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”, dhe rregulloren përkatëse të funksionimit, të miratuar nga komisioni.
9. Degët rajonale të ISHMP-së ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e qarkut përkatës dhe janë përgjegjëse për inspektimin në atë qark. Me urdhër të kryeinspektorit, inspektorët e një dege rajonale mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe në territorin e një qarku tjetër, në bashkëpunim me degën rajonale përkatëse.
10.  Degët rajonale, të cilat kanë në territorin e tyre pika të kalimit të kufirit, bashkëpunojnë me organet doganore dhe organet e tjera përkatëse për parandalimin e dëmtimit të cilësisë së mjedisit apo të përbërësve të tij të veçantë.
11. Degët rajonale të ISHMP-së drejtohen nga drejtuesi i degës rajonale. Drejtuesi i degës rajonale përfaqëson degën rajonale në marrëdhënie me të tretët, në nivelin e qarkut përkatës, dhe është përgjegjës për organizimin dhe bashkërendimin e punës për funksionimin, cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së degës së tij.
12. Përveç sa parashikohet në pikën 11, të këtij kreu, drejtuesi i degës rajonale:
a) jep autorizimin e inspektimit, në përputhje dhe në bazë të programit të miratuar të inspektimit;
b) vendos për shtyrjen e kohëzgjatjes së autorizimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për inspektimin, dhe për zëvendësimin e inspektorëve gjatë inspektimit, me përjashtim të rasteve kur urdhërohet nga kryeinspektori qendror.
13. Drejtuesi i degës rajonale i përgjigjet dhe raporton drejtpërsëdrejti te  kryeinspektori i ISHMP-së, përveçse kur kryeinspektori ka caktuar shprehimisht, me urdhër, një njësi tjetër raportimi pranë ISHMP-së në nivel qendror.
IV. STEMA DHE VULA ZYRTARE E ISHMP-së
1. ISHMP-ja identifikohet me stemën dhe vulën zyrtare.
2. Stema e ISHMP-së përbëhet nga stema e Republikës dhe emërtimet:  “Republika e Shqipërisë, Ministria e Mjedisit, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve”.
3. Vula e ISHMP-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 2, të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula e ISHMP-së në nivel qendror përmban edhe shënimin identifikues “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve”, ndërsa vulat e degëve rajonale përmbajnë shënimin identifikues “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve, Dega Rajonale e Qarkut (emri i qarkut përkatës)”.
4.Vula e ISHMP-së dhe vulat e degëve rajonale prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
V. DISPOZITA TRANSITORE DHE TË FUNDIT
1. Ngarkohet ministri i Mjedisit që, brenda 1 (një) muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të marrë masat për paraqitjen e propozimit për miratimin e strukturës e të organikës së ISHMP-së, sipas ligjit, te Kryeministri.
2. Kryeinspektori i ISHMP-së, mbështetur nga njësitë përgjegjëse për shërbimet mbështetëse të Ministrisë së Mjedisit dhe në përputhje me kërkesat specifike për arsimin e inspektorëve, të miratuara nga Inspektorati Qendror, miraton kërkesat specifike për çdo vend pune në ISHMP.
3. Nëpunësit që kryejnë funksionet e inspektimit të mjedisit dhe pyjeve, të cilët janë aktualisht të emëruar pranë Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave dhe që plotësojnë kërkesat e përgjithshme për pranimin në shërbimin civil, mbeten në të njëjtat detyra pranë ISHMP-së, brenda numrit dhe pozicioneve të organikës së miratuar sipas urdhrit përkatës të Kryeministrit, ndërsa nëpunësit që kryejnë funksionet e inspektimit të ujërave, aktualisht të emëruar pranë Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, transferohen pranë Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
4. Në çdo rast, kryerja e procedurave, sipas pikave 1, 2 dhe 3, të këtij kreu, kryhet duke respektuar kërkesat e ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij.
5. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, vendimi nr.46, datë 29.1.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave”, të ndryshuar, si dhe çdo dispozitë apo akt nënligjor, që vjen në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen.
6. Ngarkohet ministri i Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TEKNIKE E TË KRITEREVE TË SIGURISË, PJESA E DYTË, PËR KËRKESAT MINIMALE TË PROJEKTIMIT TEKNIK, NDËRTIMIT DHE OPERIMIT TË SISTEMEVE TË TRANSMETIMIT E TË SHPËRNDARJES SË GAZIT NATYROR, TË INSTALIMEVE TË GNL-SË, HAPËSIRAVE TË DEPOZITIMIT DHE TË LINJAVE DIREKTE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9946, datë 30.6.2008, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave teknike e të kritereve të sigurisë, pjesa e dytë, për kërkesat minimale të projektimit teknik, ndërtimit dhe operimit të sistemeve të transmetimit e të shpërndarjes së gazit natyror, të instalimeve të GNL-së, hapësirave të depozitimit dhe të linjave direkte, për operimin e sigurt të sistemeve të gazit natyror, sipas teksteve bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Në pjesën e dytë të rregullave teknike për industrinë e gazit të përfshihen rregulla për sistemin e transmetimit, referuar kodeve të praktikave dhe udhëzimeve teknike në vazhdim, si më poshtë vijon:
– Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 260, “Cilësia e gazit”;
– Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 280-1, “Aromatizimi i gazeve”;
– Rregullat teknike për industrinë e gazit, udhëzimi teknik G 280-3, “Gazet testuese për kalibrimin e aparateve matës të lëndës aromatizuese”;
– Rregullat teknike për industrinë e gazit, udhëzimi teknik G 494, “Masat për mbrojtjen akustike në pajisjet dhe në stacionet e rregullimit të presionit e të matjes së gazit”;
– Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 495, “Impiantet e gazit – Mirëmbajtja”;
– Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 1000, “Kërkesat teknike për kualifikimin dhe organizimin e shoqërive për operimin e impianteve të furnizimit të publikut me gaz, nëpërmjet rrjetit të tubacioneve (Impiantet e furnizimit me gaz)”;
– Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 1010, “Kërkesat teknike për kualifikimin dhe organizimin e operatorëve të stacioneve të gazit natyror në zonën industriale”;
– Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave GW 12, “Projektimi dhe ndërtimi i mbrojtjes katodike nga korrozioni (MKK) për enët depozituese nëntokësore dhe linjat e tubacioneve prej çeliku”;
– Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave GW 16, “Mbrojtja katodike nga korrozioni (MKK) e enëve depozituese nëntokësore dhe linjave të tubacioneve prej çeliku – Kontrolli në distancë”;
– Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave GW 350, “Lidhjet me saldim në linjat e tubacioneve prej çeliku në furnizimin me gaz dhe me ujë – prodhimi, testimi dhe vlerësimi”;
– Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave GW 1200, “Parime të përgjithshme dhe organizimi i shërbimit të gatishmërisë për shoqëritë e furnizimit të gazit dhe ato të furnizimit të ujit”;
– Rregullat teknike për industrinë e gazit, udhëzimi teknik GW 14, “Riparimi i pikave me defekte, në mbështjelljet mbrojtëse, nga korrozioni i tubacioneve dhe pjesëve të linjave të tyre prej çeliku”;
– Rregullat teknike për industrinë e gazit, rregullorja mbi linjat e gazit me presion të lartë.
3. Çdo dispozitë e akteve nënligjore, që bie ndesh me rregullat teknike dhe kriteret e sigurisë, të miratuara në këtë vendim dhe në vendimin nr.1030, datë 27.11.2013, “Për miratimin e rregullave teknike e të kritereve të sigurisë, pjesa e parë, për kërkesat minimale të projektimit teknik, të ndërtimit dhe operimit të sistemeve të transmetimit e të shpërndarjes së gazit natyror, të instalimeve të GNL-së, hapësirave të depozitimit dhe të linjave direkte”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Financave dhe Ministria e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA TOKË BUJQËSORE NË TOKË TRUALL PËR NDËRTIM, PËR PARCELAT QË DO TË NDIKOHEN NGA NDËRTIMI PREJ SHOQËRISË TAP AG TË RRUGËVE TË KALIMIT (NDIHMËSE) TË PROJEKTIT TAP  
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, si dhe të ligjit nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), dhe të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave dhe Trans Adriatik Pipeline AG, në lidhje me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP)”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin për ndryshimin e statusit të tokës bujqësore dhe kalimin në tokë truall për parcelat me sipërfaqe prej 153 566 (njëqind e pesëdhjetë e tre mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) m2, që do të ndikohen nga ndërtimi prej shoqërisë TAP-AG të rrjetit të rrugëve të kalimit (ndihmëse), në funksion të ndërtimit të Gazsjellësit TAP. Parcelat që ndryshojnë statusin nga tokë bujqësore dhe kalojnë në tokë truall jepen në lidhjen l, që i  bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, drejtoritë e administrimit dhe mbrojtjes së tokës të qarqeve Korçë, Berat dhe Fier të pasqyrojnë në dokumentacionin kadastral përkatës ndryshimet e kategorisë së resursit nga tokë bujqësore në tokë urbane (truall) për sipërfaqen prej 153 566 ha, sipas lidhjes 1, bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Procedurat për zgjidhjen e marrëdhënieve të pronësisë, ndërmjet, kompanisë TAP AG dhe pronarëve aktualë të këtyre parcelave, me qëllim marrjen e lejeve të nevojshme për të ndërtuar dhe operuar rrjetin e rrugëve të kalimit (ndihmëse) për projektin TAP sipas kërkesave të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të bëhen në zbatim të dispozitave të ligjit nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), dhe të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar  nga Këshilli i Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, në lidhje me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP)”, si dhe gjithë legjislacionit tjetër në fuqi.
4. Shoqëria TAP AG dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në zbatim të kërkesave të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, si dhe të vendimit nr.245, datë 30.4.2014, të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kushteve dhe të procedurave për përmirësimin e përditësimin e të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme”, të bëjnë ndryshimet në regjistrat dhe kartelat e pasurisë/pasurive përkatëse, për sa iu përket marrëdhënieve të pronësisë për parcelat që do të ndikohen nga ndërtimi i rrjetit të rrugëve të kalimit (ndihmëse), të cilave do t’u ndryshohet statusi, nga tokë bujqësore në tokë truall.
5. Shoqëria TAP-AG, pas përfundimit të punimeve për ndërtimin e rrjetit rrugor, është e detyruar të realizojë rehabilitimin mjedisor të territorit në ato pjesë të parcelave që janë ndikuar nga ndërtimi i rrjetit të rrugëve të kalimit (ndihmëse) për Projektin TAP, por që nuk do të përfshihen si pjesë e këtij rrjeti rrugor.
6. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe njësitë e qeverisjes vendore nga kalon rrjeti i rrugëve të kalimit (ndihmëse) për ndërtimin e Gazsjellësit TAP për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I LINJËS 110 KV PËRMET – KËLCYRË – MEMALIAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i linjës 110 kV Përmet – Këlcyrë -Memaliaj, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, të kompensohen në lekë, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen totale prej 2 365.13 (dy mijë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë pikë trembëdhjetë) m² tokë bujqësore arë, truall, pyll dhe kullotë, vlerësuar në shumën 704 771.18 (shtatëqind e katër mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e një pikë tetëmbëdhjetë)  lekë.
4. Fondi prej 704 771.18 (shtatëqind e katër mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e një pikë tetëmbëdhjetë) lekësh të përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të shpronesimit të përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., si subjekti që garanton të gjitha shpenzimet për realizimin e këtij procesi.
6. Shpronësimi të fillojë brenda muajit shkurt 2015.
7. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Përmet  dhe Tepelenë të marrin masat për pezullimin e të gjitha transaksioneve mbi këto pasuri, deri në përfundim të procesit të kalimit të pronësisë së pasurive të shpronësuara në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sha.
8. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare” .
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I LINJËS 110 KV BABICË-SARANDË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i linjës 110 kV Babicë-Sarandë, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, të kompensohen në lekë, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen totale prej 7 972.9 (shtatë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e dy pikë nëntë) m², tokë bujqësore arë, truall dhe kullotë, vlerësuar në shumën 1 499 601 (një milion e katërqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e një) lekë.
4. Fondi prej 1 499 601 (një milion e katërqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e një) lekësh të përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të shpronësimit të përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., si subjekti që garanton të gjitha shpenzimet për realizimin e këtij procesi.
6. Shpronësimi të fillojë brenda muajit shkurt 2015.
7. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Vlorë dhe Sarandë të marrin masat për pezullimin e të gjitha transaksioneve mbi këto pasuri, deri në përfundim të procesit të kalimit të pronësisë të pasurive të shpronësuara në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
8. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare” .
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.