Vendime të miratuara në mbledhjen e këshillit të ministrave, 8 prill 2015
V E N D I M
PËR
MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË ARSIMIT E FORMIMIT PROFESIONAL DHE TË SEKRETARIATIT TEKNIK
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 21, të ligjit nr.8872, datë 29.3.2002, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional, si organ këshillimor në ushtrim të funksioneve dhe të përgjegjësive të përcaktuara në ligjin nr.8872, datë 29.3.2002, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përbëhet nga 9 (nëntë) anëtarë. Këshilli kryesohet nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe në përbërje ka anëtarë:
a) Një përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit;
b) Një përfaqësues të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë;
c) Një përfaqësues të Ministrisë së Financave;
ç) Një përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes;
d) Dy përfaqësues të organizatave të punëdhënësve;
dh) Dy përfaqësues të organizatave të punëmarrësve.
2. Përcaktimi i anëtarëve të Këshillit, sipas shkronjave “b”, “c”, “ç”, “d” e “dh”, të pikës 1, të këtij vendimi, kryhet nga institucionet përgjegjëse që marrin pjesë në këtë Këshill, me kërkesën e ministrit përgjegjës për çështjet sociale.
3. Ministri përgjegjës për çështjet sociale ka këto detyra kryesore:
a) Thërret mbledhjet dhe i drejton ato;
b) Cakton rendin e ditës, drejton diskutimet, bashkërendon punën, siguron zbatimin e ligjit dhe marrjen e vendimeve të drejta;
c) Merr në konsideratë vendimet e marra gjatë mbledhjeve të Këshillit dhe orientimet programore, kur ato janë marrë në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë vendim, pavarësisht nga vlerësimi i tyre individual.
4. Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional ka këto funksione:
a) Këshilli mblidhet mbi bazën e një kalendari, por jo më pak se një herë në katër muaj;
b) Kryetari vendos për datën dhe kohën e mbledhjes së radhës, përveç rasteve kur vetë Këshilli ka vendosur ndryshe;
c) Çdo ndryshim në datën dhe kohën e vendosur për mbledhjet i njoftohet çdo anëtari, në mënyrë që të njihet me këto ndryshime;
ç) Mbledhjet bëhen nëse në to janë të pranishëm, të paktën, gjysma e anëtarëve të Këshillit.
5. Këshilli jep mendime dhe propozime lidhur me:
a) hartimin e strategjive dhe programeve kombëtare për arsimin dhe formimin profesional, drejtimet e politikave respektive dhe përgatitjen e akteve nënligjore;
b) përmirësimin e sistemit të arsimit dhe formimit profesional, në përputhje me zhvillimet e sektorëve të ekonomisë dhe interesat e tregut të punës;
c) projektbuxhetin e parashikuar për arsimin dhe formimin profesional dhe metodologjinë e shpërndarjes së tij;
ç) standardet për vlerësimin e cilësisë dhe akreditimin e institucioneve të arsimit dhe formimit profesional;
d) zhvillimin e politikave dhe të programeve të veçanta, të kërkuara nga ministrat përgjegjës, dhe rrugët e financimit të tyre;
dh) informimin e palëve për zhvillimet aktuale dhe perspektive të sistemit të arsimit dhe formimit profesional;
e) politikat dhe strategjitë e zhvillimit të sistemit të arsimit dhe formimit profesional;
ë) projektligjet dhe projektvendimet e propozuara për shqyrtim në Këshillin e Ministrave, që kanë lidhje me fushat e veprimtarisë së tij;
f) propozimin e grupeve të përkohshme të punës për çështje të caktuara të zhvillimit të arsimit dhe formimit profesional;
g) anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare të institucioneve të arsimit dhe formimit profesional.
6. Funksionimi i Këshillit mbështetet nga sekretariati teknik, i cili përbëhet nga dy punonjës të Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK).
7. Sekretariati teknik bashkërendon veprimtarinë e Këshillit dhe kryen këto detyra:
a) Organizon mbledhjet e Këshillit dhe krijon kushtet e nevojshme për zhvillimin e tyre;
b) Përpunon informacionet e propozuara në mbledhjen e Këshillit në formën e kërkuar për ekzekutim;
c) Komunikon me kryetarin dhe me anëtarët e Këshillit në lidhje me rendin e ditës, datën, orën dhe vendin e mbledhjes së Këshillit;
ç) Shpërndan dokumentacionin e mbledhjes dhe informacione të tjera tek anëtarët e Këshillit;
d) Mban procesverbalin e mbledhjeve të Këshillit;
dh) Arkivon dokumentacionin e mbledhjeve të Këshillit;
e) Lehtëson funksionimin e grupeve të përkohshme, të ngritura nga Këshilli;
ë) Hap një rubrikë të veçantë, në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale, për veprimtarinë e Këshillit Kombëtar të AFP-së;
f) Përgatit dhe publikon, në mënyrë korrekte dhe të shpejtë, të gjitha informacionet që mund të bëhen publike, pas marrjes së miratimit nga Kryetari i Këshillit.
8. Ngarkohet Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR TË VEPRIMIT 2015-2017, “PËR PARANDALIMIN DHE LUFTËN KUNDËR TRAFIKIMIT TË MJETEVE MOTORIKE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit 2015-2017, “Për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të mjeteve motorike”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I LINJËS 400 KV, VAU I DEJËS-MORINË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i linjës 400 kV, Vau i Dejës-Morinë, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në lekë, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 3 795 (tre mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e pesë) m², ndërtesë, tokë bujqësore, arë, truall dhe kullotë, vlerësuar në shumën prej 10 095 475 (dhjetë milionë e nëntëdhjetë e pesë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e pesë) lekësh.
4. Fondi prej 10 095 475 (dhjetë milionë e nëntëdhjetë e pesë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e pesë) lekësh të përballohet nga fondet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të shpronësimit të përballohet nga OST, sh.a.-ja, si subjekti që garanton shpenzimet për realizimin e këtij procesi.
6. Shpronësimi të fillojë brenda muajit prill 2015.
7. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Shkodër, Pukë dhe Tropojë, të marrin masat për pezullimin e të gjitha transaksioneve mbi këto pasuri, deri në përfundimin e procesit të kalimit të pronësisë së pasurive të shpronësuara në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
8. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, OST, sh.a.-ja, dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare” .
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT NGA BUXHETI I VITIT 2015 PËR BASHKËSITË FETARE TRADICIONALE QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare tradicionale që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.160/2014, datë 27.11.2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Masa e financimit nga buxheti i vitit 2015, prej 109 000 000 (njëqind e nëntë milionë) lekësh, i miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, të përdoret sipas ndarjes së mëposhtme:
a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 31 416 000 (tridhjetë e një milionë e katërqind e gjashtëmbëdhjetë mijë) lekë, të ndarë:
i. 11 748 000 (njëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e dyzet e tetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 89 punonjës të administratës;
ii. 19 668 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 149 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 25 872 000 (njëzet e pesë milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy mijë) lekë, të ndarë:
i. 20 592 000 (njëzet milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 156 punonjës të administratës;
ii. 5 280 000 (pesë milionë e dyqind e tetëdhjetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 25 872 000 (njëzet e pesë milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy mijë) lekë, të ndarë:
i. 5 676 000 (pesë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 43 punonjës të administratës;
ii. 20 196 000 (njëzet milionë e njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 153 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 25 740 000 (njëzet e pesë milionë e shtatëqind e dyzet mijë) lekë, të ndarë:
i. 3 696 000 (tre milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 28 punonjës të administratës;
ii. 15 144 000 (pesëmbëdhjetë milionë e njëqind e dyzet e katër mijë) lekë, përkatësisht,:
· 10 144 000 (dhjetë milionë e njëqind e dyzet e katër mijë) lekë, për ndërtimin e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane (Odeonit);
· 5 000 000 (pesë milionë) lekë, për ndërtimin e Teqesë së Shtufit, Gjirokastër.
iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore me qendër në Tiranë dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesë-preventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2015, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur për kryerjen e veprimtarive të parashtruara.
2. Kalimi i fondit të bëhet brenda muajit prill të vitit 2015.
3. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SERBISË, PËR NJOHJEN E NDËRSJELLË TË LEJEVE TË DREJTIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Serbisë, për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.153, DATË 7.4.2000, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË ZBATIMIT TË KODIT RRUGOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 120/1, të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në rregulloren për zbatimin e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 7, e nenit 25, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Në rastet kur pemët mbillen si elemente të trupit të rrugës, në funksion të rehabilitimit të gjelbërimit të skarpatave të rrugës, pemët mbillen në brezin e përkatësisë, jashtë bankinës, pa cënuar sinjalistikën vertikale rrugore.
Largësia nga kufiri rrugor, jashtë qendrave të banuara, që duhet respektuar nga pronarët e terreneve në kufi me pronësinë rrugore, për të mbjellë pemë anash rrugës, nuk mund të jetë më e vogël se sa lartësia më e madhe e arritshme, për secilin tip, e rritjes, deri në plotësimin e ciklit vegjetativ.”.
b) Neni 312/1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 312/1
Leje drejtimi me pikë (neni 120/1 i Kodit Rrugor)
1. Sasia e pikëve që i zbriten çdo mbajtësi lejedrejtimi mjeti, për rastet e shkeljes së normave të sjelljes, është sipas lidhjes nr.1, “Tabela e pikëve për shkeljet e normave të sjelljes”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Mbajtësi i lejedrejtimit që ka humbur totalin e pikëve dhe mbajtësi i lejedrejtimit, i cili, pas njoftimit të shkeljes së parë, që përfshin një humbje prej, të paktën, pesë pikësh, kryen edhe dy shkelje të tjera, brenda dymbëdhjetë muajve nga data e shkeljes së parë, që kanë të bëjnë me shkurtim prej, të paktën, pesë pikësh secila, duhet t’i nënshtrohet provimit të kualifikimit teorik në Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
3. Në rastet e përmendura në pikën 2, të këtij neni, mbajtësit i tërhiqet lejedrejtimi nga organet e Policisë Rrugore dhe, së bashku me vendimin për heqjen e pikëve, i dërgohen Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Rifitimi i pikëve, me anë të provimit të kualifikimit teorik, është i vlefshëm pas përfundimit të kohës së pezullimit të lejedrejtimit.
4. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor përgatit dhe administron procedurat e regjistrimit dhe të dhënies së provimit të kualifikimit teorik.
5. Tarifa e regjistrimit dhe e provimit të kualifikimit teorik miratohen nga ministri përgjegjës për transportin, në bazë të statutit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
6. Pyetjet e provimit të kualifikimit përzgjidhen nga kapitulli 5, “Normat e sjelljes”, të Kodit Rrugor.
7. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor përgatit strukturën dhe pyetjet e provimit të kualifikimit teorik, të cilat i publikon në faqen e saj të internetit, së bashku me përgjigjet respektive.
8. Mbajtësi i lejedrejtimit fiton provimin e kualifikimit kur përgjigjet saktë, jo më pak se, 90 për qind të sasisë së pyetjeve.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES PËR DHËNIEN E AUTORIZIMIT TË TREGTIMIT TË BARNAVE E TË KLASIFIKIMIT TË TYRE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 5, e 12, pika 3, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e rregullores për dhënien e autorizimit të tregtimit të barnave e të klasifikimit të tyre në Republikën e Shqipërisë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “PLEPA-KAVAJË-RROGOZHINË, LOTET 6-11 (OBJEKTE DHE TOKA)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, lotet 6-11(objekte dhe toka)”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për tokë “truall” dhe “objekte”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 126 660 438 (njëqind e njëzet e gjashtë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë mijë e katërqind e tridhjetë e tetë) lekësh, nga të cilat:
a) Tokë “truall”, me sipërfaqe 1 161 (një mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e një) m2, me vlerë 2 594 752 (dy milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e dy) lekë;
b) Objekte, me vlerë 124 065 686 (njëqind e njëzet e katër milionë e gjashtëdhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e gjashtë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë “truall” dhe “objekte”, prej 126 660 438 (njëqind e njëzet e gjashtë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë mijë e katërqind e tridhjetë e tetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, (zëri “Shpronësime”), planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët janë bërë shënimet “Konfirmim ZVRPP”, “Certifikatë pronësie” e “Leje ndërtimi”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimin e pronarëve, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6, e 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Kavajë e Rrogozhinë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Kavajë e Rrogozhinë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Kavajë e Rrogozhinë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT “NYJA RRUGORE VORË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Nyja rrugore Vorë”.
2.Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
1. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për tokë “arë”, “truall” dhe “objekte”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 9 220 470 (nëntë milionë e dyqind e njëzet mijë e katërqind e shtatëdhjetë) lekësh, nga të cilat:
c) për sipërfaqen 5 849 (pesë mijë e tetëqind e dyzet e nëntë) m2, tokë “arë” dhe “truall”, me vlerë 4 386 787 (katër milionë e treqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e shtatë) lekë;
d) për objekte, me vlerë 4 833 683 (katër milionë e tetëqind e tridhjetë e tre mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e tre) lekë.
2. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasuritë “arë”, “truall” dhe “objekte”, prej 9 220 470 (nëntë milionë e dyqind e njëzet mijë e katërqind e shtatëdhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2015, i miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
3. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
4. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
5. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
6. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimin e pronarëve, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
7. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
8. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
9. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.