Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 03 Qershor 2020:

 

A K T N O R M A T I V
PËR

NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8668, DATË 23.10.2000, “PËR PAJISJEN E SHTETASVE SHQIPTARË ME PASAPORTË PËR JASHTË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 2

Në ligjin nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar, pas nenit 14/2 shtohet neni 14/3, me këtë përmbajtje:

“Neni 14/3
Dispozitë kalimtare

Afati i vlefshmërisë së pasaportave të shtetasve shqiptarë, që përfundon brenda vitit 2020, zgjatet deri në datën 31 dhjetor 2020.”.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.780, DATË 6.11.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR CAKTIMIN E OFICERËVE KOORDINUES PËR ÇËSHTJET E DIASPORËS SHQIPTARE NË KONSULLATAT SHQIPTARE NË ITALI DHE GREQI”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 31, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pas pikës 4, të vendimit nr.780, datë 6.11.2019, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:
“4/1. Përjashtimisht, për vitin 2020, efektet financiare, për zbatimin e këtij vendimi, do të përballohen nga buxheti i miratuar për Agjencinë Kombëtare të Diasporës.”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Diasporën dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, PËR BASHKËPUNIM NË FUSHËN E NDËRTIMIT TË BANESAVE PAS FATKEQËSISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për bashkëpunim në fushën e ndërtimit të banesave pas fatkeqësisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË BANESAVE INDIVIDUALE DHE NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKINË SHIJAK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitin 2020, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, në Bashkinë Shijak.
2. Përdorimi i fondit, sipas pikës 1, të këtij vendimi, është në masën 512 967 289 (pesëqind e dymbëdhjetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e tetëdhjetë e nëntë) lekë dhe i shtohet Bashkisë Shijak, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Shijak për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE DURRËS, BASHKIA DURRËS, DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI NJËSI ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” dhe “iv”, dhe 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen si zonë e përshtatshme për zhvillimin e detyruar, sipas hartës dhe koordinatave bashkëlidhur këtij vendimi, të zonës 5, njësia administrative Durrës, Bashkia Durrës, zonë e re për zhvillim.
2. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për këtë zonë, si njësi zbatuese, për:
a) ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara;
b) ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike e kritike;
c) realizimin e ndërtimeve në këtë zonë;
ç) çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të kësaj zone.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Durrës dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E HARTIMIT TË PROJEKTEVE PËR MIRATIMIN E LEJEVE TË NDËRTIMIT, PËR NDËRTIMIN E NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË ZONAT E SHPALLURA PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR, NË BASHKITË DURRËS, KAVAJË, KRUJË, KURBIN, LEZHË, SHIJAK DHE VORË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, për financimin e hartimit të projektit për miratimin e lejeve të ndërtimit, përfshirë kostot për shërbime të rilevimeve topografike, vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe të shërbimeve gjeologjike që i takojnë nëntokës e punimeve në themel, për ndërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar, në bashkitë Durrës, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Shijak dhe Vorë, gjithsej në masën 202 644 869 (dyqind e dy milionë e gjashtëqind e dyzet e katër mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë pa TVSH.

2. Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”, i kalohet fondi në masën 202 644 869 (dyqind e dy milionë e gjashtëqind e dyzet e katër mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë pa TVSH, për financimin e hartimit të projekteve sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi.

3. Fondet e mbetura të papërdorura, pas përfundimit të procedurave të prokurimit në zbatim të këtij vendimi, kthehen në zërin “Fondi për rindërtim”, të buxhetit të shtetit.

4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.410, DATË 27.6.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE TË NDRYSHIMIT TË KATEGORIVE TË RESURSEVE TË TOKËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.410, datë 27.6.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Kudo në përmbajtje të vendimit:
a) emërtimi “Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit” zëvendësohet me fjalët “… ministria përgjegjëse për bujqësinë …”;
b) emërtimi “Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave” zëvendësohet me fjalët “… ministria përgjegjëse për mjedisin …”;
c) fjala “… komunë …” hiqet;
ç) fjalët “… specialisti i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë …” zëvendësohen me “… specialisti i Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor …”.

2. Kreu IV ndryshohet, si më poshtë vijon:

“IV. NDRYSHIM I TOKËS SË PAFRYTSHME DHE TOKË URBANE, TRUALL NË KATEGORINË E RESURSIT TOKË BUJQËSORE

1. Subjekti i interesuar për ndryshim të kategorisë së resursit, nga tokë e pafrytshme ose tokë urbane, truall në kategorinë e resursit “tokë bujqësore”, paraqet kërkesë në Qendrën se Transferimit të Teknologjive Bujqësore Fushë-Krujë. Kërkesa përmban:

a) dokumentin e pronësisë, kartelën e pasurisë së paluajtshme, shoqëruar me hartën kadastrale ose planin e rilevimit të përgatitur sipas standardit të miratuar nga një ekspert topograf i licencuar, ku të përcaktohen qartë kufijtë e pronës. Kur subjekti është institucion shtetëror dhe e ka tokën në administrim, paraqet aktin mbi të cilin e ka marrë në përgjegjësi administrimi ose në përdorim;
b) vërtetimin për gjendjen e resursit, lëshuar nga Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës e qarkut.

2. Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore Fushë-Krujë merr mostra në terren për profilin dhe numrin e tyre për çdo parcelë, sipas rregullave të miratuara nga ministri me udhëzim. Pagesa për kryerjen e analizave dhe shpenzimet për marrjen e mostrave, sipas tarifave të miratuara, kryhet nga subjekti i interesuar.

3. Qendra e Transferimit të Tokës Bujqësore Fushë-Krujë përgatit rezultatin e analizave dhe raportin teknik dhe, në përputhje me konkluzionet, propozon kalimin e sipërfaqes së tokës në tokë bujqësore ose refuzimin e kërkesës. Raporti i analizave, raporti teknik dhe dokumentacioni i paraqitur nga subjekti përcillet në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë, shoqëruar me propozimin për pranimin ose refuzimin e kërkesës.

4. Dokumentacioni shqyrtohet nga struktura/sektori i administrimit të tokave në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë, i cili përgatit raport përmbledhës për ministrin, bashkë me projekturdhrin përkatës.

5. Ministri përgjegjës për bujqësinë, në bazë të procedurës së kryer nga Qendra e Transferimit të Tokës Bujqësore Fushë-Krujë dhe raportit të strukturës/sektorit të administrimit të tokave në ministri, miraton me urdhër ndryshimin në resursin tokë bujqësore.

6. Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës ku ndodhet toka bën ndryshimin në bazë të përcaktimeve të urdhrit të ministrit.

7. Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës bën ndryshimin e llojit të pasurisë sipas procedures më sipër, me kërkesën e subjektit të interesuar dhe pas kryerjes së pagesës së tarifave nga ky i fundit ose personi i autorizuar prej tij.”.

3. Pika 1, e kreut VI, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Subjektet e interesuara për ndryshim të kategorisë së resursit të tokës bujqësore, nga V deri në X të bonitetit, për kalimin e tyre në tokë urbane, truall, në tokë për veprimtari minerare e gjeologjike, për gurore dhe karriera, në bashkitë ku nuk janë miratuar planet e përgjithshme vendore, paraqesin kërkesë në ministrinë përkatëse që mbulon këtë veprimtari. Kërkesa paraqitet sipas dispozitave të legjislacionit për planifikimin e territorit dhe përmban edhe vërtetimin për kategorinë e tokës sipas bonitetit, për sipërfaqen objekt kërkese, të lëshuar nga Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës e qarkut.”.

4. Pika 1, e kreut VII, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Subjektet e interesuara për të ushtruar veprimtari në tokat bujqësore të kategorive nga I deri në IV të bonitetit, vetëm për rastet e domosdoshme, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, në bashkitë ku nuk janë miratuar planet e përgjithshme vendore, paraqesin kërkesë në ministrinë që mbulon veprimtarinë përkatëse, sipas dispozitave që rregullojnë veprimtaritë për planifikimin e territorit. Kërkesa duhet të përmbajë edhe vërtetimin për kategorinë e tokës sipas bonitetit, të lëshuar nga Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës e qarkut.”.

5. Pas kreut VII shtohet kreu VII/1, me këtë përmbajtje:

“VII/1. KALIMI I TOKAVE TË RESURSEVE TË NDRYSHME NË KATEGORINË E RESURSIT TOKË URBANE, TRUALL, SIPAS PLANEVE TË DETAJUARA DHE PLANEVE TË PËRGJITHSHME VENDORE

Në rastet kur planet e detajuara për zona të rëndësisë kombëtare, planet e përgjithshme vendore dhe planet e detajuara vendore janë miratuar dhe botuar në regjistrin e planifikimit të territorit, subjektet e interesuara për ndryshimin e kategorive të resurseve paraqesin për regjistrim në Drejtorinë e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës të qarkut lejen e zhvillimit ose lejen e ndërtimit. Në këto raste, resursi i tokës ndryshohet sipas lejes së zhvillimit ose lejes së ndërtimit, konform planit të përgjithshëm vendor dhe planit të detajuar vendor. Leja e zhvillimit paraqitet për çdo parcelë.”.

6. Pika 1, e kreut VIII, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Për kalimet dhe ndryshimet e kategorive të resurseve, të miratuara sipas rastit me akte ligjore apo nënligjore, me planet e detajuara për zona të rëndësisë kombëtare, planet e përgjithshme vendore dhe planet e detajuara vendore dhe mbështetur në to, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës e qarkut, ZMMT-ja në bashki, si dhe Drejtoria Rajonale Pyjore bëjnë përditësimin në dokumentacionin kadastral përkatës.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË NJË SIPËRFAQEJE TË PASURISË ME NUMËR 85/2, ZONA KADASTRALE 1553, BASHKIA MALIQ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen prej 1 326 (një mijë e treqind e njëzet e gjashtë) m2, pjesë e pasurisë me numër 85/2, zona kadastrale 1553, Bashkia Maliq, sipas certifikatës së pronësisë të pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Korçë, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen ndërtimore prej 1 326 (një mijë e treqind e njëzet e gjashtë) m2, sipas lidhjes nr.1, të pasurisë me numër 85/2, zona kadastrale 1553, Bashkia Maliq.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Korçë dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Korçë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË NJË SIPËRFAQEJE TË PASURISË ME NUMËR 35, ZONA KADASTRALE 1903, BASHKIA POGRADEC

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen prej 498.3 (katërqind e nëntëdhjetë e tetë pikë tre) m2, pjesë të pasurisë me numër 35, zona kadastrale 1903, fshati Gurras, njësia administrative Buçimas, Bashkia Pogradec, sipas certifikatës së pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Korçë, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga kategoria “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të sipërfaqes prej 498.3 (katërqind e nëntëdhjetë e tetë pikë tre) m2, pjesë e pasurisë me numër 35, zona kadastrale 1903, Bashkia Pogradec.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Korçë dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Pogradec për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2020, MIRATUAR PËR MINISTRINË E ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në buxhetin e vitit 2020, në programin buxhetor “Arsimi bazë” 09120, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, i shtohet fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh, për pagesën e TVSH-së së dhurimit të pajisjeve tablet nga fondacioni “Vodafone Albania”.

2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.

3. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KRITERIT TË NOTËS MESATARE PËR PRANIMIN E KANDIDATËVE NË PROGRAMET E STUDIMEVE TË CIKLIT TË PARË DHE NË PROGRAMET E INTEGRUARA TË STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË OSE TRANSFERIMIN E STUDIMEVE NË VITET E NDËRMJETME TË KËTYRE PROGRAMEVE, NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË, PËR VITIN AKADEMIK 2020–2021 DHE 2021-2022 E NË VIJIM

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 74, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2020-2021, përkatësisht, si më poshtë:

a) Në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, kandidatët, që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë minimalisht me notë mesatare 6.5 (gjashtë pikë pesë);
b) Në programet e studimit të gjuhëve të huaja, të përcaktuara në shtojcën nr.1, të këtij vendimi, minimalisht me notë mesatare 7 (shtatë);
c) Në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë “Master” në fushën e mësuesisë, të përcaktuara në shtojcën nr.2, të këtij vendimi, minimalisht me notë mesatare 7.5 (shtatë pikë pesë).

2. Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2021-2022 dhe në vijim, përkatësisht, si më poshtë:

a) Në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë minimalisht me notë mesatare 7 (shtatë);
b) Në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë “Master” në fushën e mësuesisë, të përcaktuara në shtojcën nr.2, të këtij vendimi, minimalisht me notë mesatare 8 (tetë).

3. Përjashtohen nga detyrimi i plotësimit të kriterit të notës mesatare kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve në fushën e artit dhe të sportit, si dhe kandidatët me origjinë shqiptare nga Republika e Kosovës, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci.

4. Në rastet e transferimit të studimeve nga brenda apo jashtë vendit, në vitet e ndërmjetme të programeve të studimit, brenda të njëjtit cikël, studentët duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave të vitit akademik që studenti është pranuar në institucionin e arsimit të lartë, duke filluar nga viti akademik 2016–2017 dhe në vijim.

5. Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, si më poshtë vijon:

a) mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë;
b) mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.

6. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore.

7. Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, si dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, sipas përcaktimeve të pikës 5, të këtij vendimi. Në rastet kur nuk aplikohen provimet e Maturës Shtetërore, komisioni përkatës përcakton mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës dërgon të dhënat tek institucioni arsimor vendor përkatës, përgjegjës për arsimin parauniversitar.
8. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, institucionet e arsimit të mesëm të lartë, institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

HAPJEN E INSTITUCIONIT ARSIMOR PRIVAT, PARAUNIVERSITAR, TË ARSIMIT BAZË DHE TË ARSIMIT TË MESËM TË LARTË “WOODROW WILSON INTERNATIONAL”, KU MËSIMI ZHVILLOHET EDHE NË GJUHËN ANGLEZE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e lejes shoqatës “Woodrow Wilson” për hapjen e institucionit arsimor privat, parauniversitar, të arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm të lartë “Woodrow Wilson International”, ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën angleze dhe forma e arsimimit do të jetë arsim me kohë të plotë.

2. Institucioni arsimor privat, parauniversitar, i arsimit bazë dhe i arsimit të mesëm të lartë, “Woodrow Wilson International”, duhet të vendosë në dispozicion të institucionit arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar në zbatim të akteve rregullatore në fuqi.

3. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar, Durrës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë dhe institucioni arsimor privat, parauniversitar, i arsimit bazë dhe arsimit të mesëm të lartë, “Woodrow Wilson International” për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR ZHVILLIMIN E QËNDRUESHËM TË INFRASTRUKTURËS DIGJITALE BROADBAND 2020-2025

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 5, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Planit Kombëtar për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Infrastrukturës Digjitale Broadband 2020-2025, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Vendimi nr.468, datë 30.5.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar të Broadbandit”, i ndryshuar, shfuqizohet.

3. Ngarkohet ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë që të bashkëpunojë me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe institucionet e tjera, të përcaktuara në plan, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I PROJEKTIT “STUDIM PROJEKTIM BY-PASS TEPELENË, LOTI 1”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i projektit “Studim projektim By-Pass Tepelenë, loti 1”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën, bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë të përgjithshme prej 23 946 990.99 (njëzet e tre milionë e nëntëqind e dyzet e gjashtë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë pikë nëntëdhjetë e nëntë) lekësh, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë jo banimi”.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 23 946 990.99 (njëzet e tre milionë e nëntëqind e dyzet e gjashtë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë pikë nëntëdhjetë e nëntë) lekësh, të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2020, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tepelenë, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tepelenë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tepelenë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË TË PRONËS ME EMËRTIMIN “TOKË ARË ”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të pronës me emërtimin “Tokë arë”, me sipërfaqe 37 300 m2, sipas kartelës së pasurisë dhe planit të rilevimit bashkëlidhur, me institucion përdorues Qendrën Shumëfunksionale Kamzë.

2. Qëllimi i përdorimit të pronës nga institucioni përdorues është ofrimi i arsimit dhe formimi profesional.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Qendra Shumëfunksionale Kamzë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PLATFORMËN QENDRORE TË FATURAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 26, të ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim përcakton të drejtat dhe detyrimet e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (në vijim AKSHI) mbi lidhjen dhe paraqitjen e informacionit të lëshuesve dhe marrësve të faturave elektronike në platformën qendrore të faturave.

II. PËRKUFIZIME

Në kuptim të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:

2. “Platforma qendrore e faturave”, sipas përcaktimit në shkronjën “i”, të nenit 3, të ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.

3. “SOAP web services”, protokoll i bazuar në XML, që ka për qëllim shkëmbimin e informacionit të strukturuar, ndërmjet tatimpaguesit dhe administratës tatimore, nëpërmjet sistemeve kompjuterike.

4. “Portali Self-Care”, ndërfaqja e standardizuar për komunikim, ndërmjet tatimpaguesit dhe administratës tatimore, nëpërmjet rrjetit të sigurt për transferimin elektronik të të dhënave nëpërmjet internetit.

III. AUTORIZIMET DHE DETYRIMET GJATË PËRDORIMIT TË PLATFORMËS QENDRORE TË FATURAVE

5. AKSHI është i ngarkuar për krijimin, zhvillimin, mirëmbajtjen, administrimin dhe menaxhimin e platformës qendrore të faturave.

6. Lëshuesit dhe marrësit e faturave elektronike janë të detyruar të lidhen dhe të regjistrohen në platformën qendrore të faturave.

7. AKSHI, lëshuesit dhe marrësit e faturave elektronike, për qëllime të përdorimit të platformës qendrore të faturave, janë të detyruar të sigurojnë ofrimin dhe mirëmbajtjen e shërbimeve thelbësore për rolin e tyre, në një mënyrë të besueshme dhe profesionale, në përputhje me dokumentacionin dhe specifikimet teknike të shkëmbimit të të dhënave, të publikuara në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

8. AKSHI, lëshuesit dhe marrësit e faturave elektronike, për qëllime të përdorimit të platformës qendrore të faturave, janë të detyruar që, në ofrimin e shërbimeve dhe në komunikim ndërmjet tyre, të vënë në dispozicion të njëri-tjetrit informacionin përkatës që disponojnë, të respektojnë rregullat e zbatueshme për mbrojtjen e të dhënave, veçanërisht ato që mbrojnë të dhënat personale dhe përdorin procedurat dhe pajisjet e duhura teknologjike.

IV. ZBATIMI TEKNIK

9. AKSHI, lëshuesit dhe marrësit e faturave elektronike janë të detyruar të sigurojnë zbatimin e legjislacionit në fuqi për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit dhe mirëmbajtjen e sistemeve të tyre të të dhënave.

10. AKSHI është i detyruar të sigurojë që shërbimet në fushën e platformës qendrore të faturave të jenë në përputhje me specifikimet e rregulluara teknike të shkëmbimit të të dhënave, të publikuara në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

11. AKSHI, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, të hartojë dhe të publikojë në faqet e tyre zyrtare të internetit specifikimet teknike të shkëmbimit të të dhënave, specifikimin bazë të përdorimit të faturave e dokumentacionet e tjera, si dhe çdo ndryshim të tyre.

V. LIDHJA ME PLATFORMËN QENDRORE TË FATURAVE

12. Aksesimi i platformës qendrore të faturave dhe shkëmbimi i informacionit ndërmjet AKSHI-t, lëshuesit dhe marrësit të faturave elektronike përmes platformës qendrore të faturave, do të jetë përmes shërbimeve të internetit të SOAP, duke përdorur mesazhe ose përmes portalit Self-Care.

13. Për qëllim të vendosjes së një lidhjeje me platformën qendrore të faturave, lëshuesit dhe marrësit e faturave elektronike janë të detyruar të përdorin dy mjedise të ndryshme, ku instalohen dhe shërbehen versione identike të platformës qendrore të faturave:

a) mjedisi provë/test – për qëllimet e trajnimit dhe të verifikimit të programeve; dhe
b) mjedisi i punës – për shkëmbimin zyrtar të të dhënave elektronike dhe informacionit.

AKSHI i siguron lëshuesve dhe marrësve të faturave elektronike mjediset e provës/testit dhe punës për platformën qendrore të faturave.

14. Kushtet për lidhjen e lëshuesve dhe të marrësve të faturave elektronike me mjedisin e punës të platformës qendrore të faturave janë:

a) kalimi me sukses i skenarëve të testit të detyrueshëm në mjedisin e provës/testit në platformën qendrore të faturave;
b) verifikimi i zgjidhjes software-ike.

Vetëm një version i verifikuar dhe i certifikuar i zgjidhjes software-ike mund të përdoret në mjedisin e punës. Zgjidhja software-ike e certifikuar një herë e lëshuesve dhe marrësve të faturave elektronike në mjedisin e provës/testit mund të përdoret për çdo lidhje të mëtejshme me platformën qendrore të faturave në mjedisin e punës.

c) regjistrimi i lëshuesve dhe marrësve të faturave elektronike në platformën qendrore të faturave.

15. Lëshuesit dhe marrësit e faturave elektronike janë të detyruar të përdorin certifikata elektronike të lëshuara nga AKSHI për t’u lidhur me platformën qendrore të faturave.

16. Certifikatat elektronike përdoren për të krijuar një lidhje të sigurt me platformën qendrore të faturave, për të identifikuar lëshuesit dhe marrësit e faturave elektronike kur shkëmbehen të dhënat në mënyrë elektronike, si dhe për nënshkrimin elektronik të mesazheve në komunikim, ndërmjet AKSHI-t, lëshuesit dhe marrësit të faturave elektronike. Certifikatat elektronike sigurojnë nëse lidhja është vendosur dhe është në përputhje me specifikimet teknike të shkëmbimit të të dhënave, të përmendura në pikën 11, të këtij vendimi.

17. Lëshuesit dhe marrësit e një fature elektronike që krijojnë lidhje me platformën qendrore të faturave në një mjedis provë/test dhe/ose pune janë të detyruar të zbatojnë specifikimet e duhura, në përputhje me specifikimet teknike të shkëmbimit të të dhënave, të përmendura në pikën 11, të këtij vendimi, të cilat rregullojnë mënyrën dhe kushtet e aksesimit (hyrjes) dhe të përdorimit të mjedisit të provës/testit dhe punës.

VI. ORGANET QË NGARKOHEN PËR ZBATIM

18. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.445, DATË 22.5.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS, TË LIMITIT ORGANIK DHE PËRCAKTIMIN E FUNKSIONEVE KORRESPONDUESE PËR ÇDO GRADË NË GARDËN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të pikës 1, të nenit 26, të ligjit nr.9366, datë 31.3.2005, “Për gradat dhe karrierën në Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.445, datë 22.5.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) Në pikën 4, shifra “1408” zëvendësohet me shifrën “1435”.

b) Lidhjet nr.1, nr.2, dhe nr.3, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me lidhjet me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.187, DATË 8.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në shkronjën “a”, të pikës 1/3, shtohet emërtesa “Agjencia Shtetërore për Shpronësim”.

b) Lidhja nr.6/8, që përmendet në pikën 9/8, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

c) Lidhja nr.9/1, që përmendet në pikën 12/1, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2020, të përballohen nga fondet e miratuara, përkatësisht, për administratën tatimore qendrore, sistemin e arsimit parauniversitar dhe Agjencinë Shtetërore për Shpronësim, për këtë vit.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.