Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 04 Dhjetor 2019:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PЁR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT, PËR THEMELIMIN E QENDRAVE KULTURORE DHE INFORMATIVE NË REPUBLIKЁN E SHQIPËRISË DHE TË QENDRAVE KULTURORE DHE INFORMATIVE NË REPUBLIKЁN E MAQEDONISЁ SË VERIUT”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për themelimin e qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Shqipërisë dhe të qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT KONTRAKTUES PËR NDJEKJEN E ZBATIMIT TË KONTRATËS KONCESIONARE NR.8618, DATË 14.8.2014, “PËR BURIMIN UJOR “SASAJ, BUNEC””, TË LIDHUR NDËRMJET ISH-MINISTRISË SË MJEDISIT DHE SHOQËRISË “BLUE EYE ONE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 13, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si të vetmin autoritet kontraktues për ndjekjen e zbatimit të kontratës koncesionare nr.8618, datë 14.8.2014, “Për burimin ujor “Sasaj, Bunec’”, të lidhur ndërmjet ish-Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Blue Eye One”.
2. Ndjekja e zbatimit të kontratës koncesionare do të bëhet nëpërmjet Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, e cila do të raportojë në vazhdimësi tek autoriteti kontraktues dhe do t’i propozojë atij kryerjen e veprimeve procedurale, që do të duhet të ndërmerren gjatë zbatimit të kontratës, si dhe marrjen e masave në rast shkeljeje.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia për Menaxhimin e Burimeve Ujore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR POLITIKËN PËR ZHVILLIM PËR AKSESIN E BARABARTË GJINOR NË MUNDËSITË EKONOMIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për politikën për zhvillim për aksesin e barabartë gjinor në mundësitë ekonomike, në shumën prej 9 100 000 (nëntë milionë e njëqind mijë) eurosh, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM TEKNIK 2018 PËR PROJEKTIN “SHËRBIMET E FURNIZIMIT ME UJË DHE KANALIZIMEVE TË ORIENTUARA DREJT KONSUMATORIT DHE PERFORMANCËS (RRITJE FONDESH)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim teknik 2018 për projektin “Shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të orientuara drejt konsumatorit dhe performancës (rritje fondesh)”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.1 TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “HEKURUDHAT SHQIPTARE – REHABILITIMI I LINJËS HEKURUDHORE TIRANË–DURRËS DHE NDËRTIMI I LINJËS HEKURUDHORE PËR NË AEROPORTIN NDËRKOMBËTAR TË TIRANËS”, NË LIDHJE ME NJË GRANT INVESTIMI NGA FONDI I PËRBASHKËT EVROPIAN I BALLKANIT PERËNDIMOR, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.52/2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese nr.1 të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare–Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë–Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, në lidhje me një grant investimi nga Fondi i Përbashkët Evropian i Ballkanit Perëndimor, ratifikuar me ligjin nr.52/2018, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.926, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRITERET E VLERËSIMIT TË PRONËS SHTETËRORE QË PRIVATIZOHET APO TRANSFORMOHET DHE PROCEDURËN E SHITJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 2, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim të shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros të këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shkronja “a”, e pikës 25, të kreut III, “Procedura e shitjes së pronës shtetërore”, të vendimit nr.926, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Për shitjen e objektit (mjete kryesore, mjete xhiroje etj.), 100 (njëqind) për qind e vlerës së shitjes i kalon buxhetit të shtetit.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.128, DATË 13.3.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE BAZË, TË SEKTORËVE QË DO TË MBËSHTETEN DHE TË MASËS SË FINANCIMIT NGA FONDI I PROGRAMIT PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL, PËR VITIN 2019”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, pika 3, dhe 36, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, të nenit 18, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “a”, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.128, datë 13.3.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 1, në shkronjën “a”, vlera “495 000 000 (katërqind e nëntëdhjetë e pesë milionë) lekë” zëvendësohet me “551 992 000 (pesëqind e pesëdhjetë e një milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë”, ndërsa në shkronjën “c”, vlera “84 000 000 (tetëdhjetë e katër milionë) lekë” zëvendësohet me “284 000 000 (dyqind e tetëdhjetë e katër milionë) lekë”.
b) Në pikën 6, në shkronjën “a”, vlera “83 000 000 (tetëdhjetë e tre milionë) lekë” zëvendësohet me “74 243 822 (shtatëdhjetë e katër milionë e dyqind e dyzet e tre mijë e tetëqind e njëzet e dy) lekë”, ndërsa në shkronjën “b”, vlera “2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë” zëvendësohet me “1 779 800 (një milion e shtatëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind) lekë”.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.703, DATË 30.10.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË PASURISË ME NR.316, ZONA KADASTRALE 2281, BASHKIA CËRRIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.703, datë 30.10.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në titull dhe kudo në tekstin e vendimit, fjalët “… të pasurisë me nr.316 …” zëvendësohen me “… të pasurisë me nr.316/1, volum 15, faqe 136 …”.
2. Në lidhjen nr.1, në kolonën me emërtimin “Numri i pasurisë”, rreshti 1, referenca “… 316 …” zëvendësohet me “… 316/1, volum 15, faqe 136 …”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE