Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 04 Mars 2020:

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E DOKUMENTEVE STANDARDE TË PROCEDURËS SË PROKURIMIT, TË KRITEREVE TË VLERËSIMIT TË OFERTËS FITUESE, KUSHTEVE TË MARRËVESHJES KUADËR DHE TË KONTRATËS PËR PROCESIN E RINDËRTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 42, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e dokumenteve standarde të procedurës së prokurimit për punët, shërbimet dhe mallrat, të kritereve të vlerësimit të ofertës fituese, kushteve të marrëveshjes kuadër dhe të kontratës për rindërtimin, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Agjencia e Prokurimit Publik, brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, publikon dokumentet standarde të tenderit, në kuadër të procesit të rindërtimit.

3. Ngarkohen njësitë zbatuese të caktuara për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

EMËRIMIN E AVOKATIT TË PËRGJITHSHËM TË SHTETIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 21, të ligjit nr.10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Znj. Enkelejda Muçaj emërohet Avokat i Përgjithshëm i Shtetit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.277, DATË 1.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E BUJQËSISË, ZHVILLIMIT RURAL DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE, TË DISA OBJEKTEVE DHE TË SIPËRFAQES TRUALL FUNKSIONAL, ME SIPËRFAQE TË PËRGJITHSHME 3 035.6 M2 BRENDA TERRITORIT TË PRONËS ME NUMËR RENDOR 90, ME EMËRTIMIN “REPARTI USHTARAK NR.4400 (ISH-SHTABI I KML-SË)”, ME VENDNDODHJE NË BRAR, TIRANË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.277, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Kudo në vendim, emërtesa “Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave” zëvendësohet me “Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”.

2. Në fjalinë e parë, të pikës 1, fjalët “… për sistemimin e administratës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, në nivel qendror, dhe AKU-së Tiranë me ambiente pune, në funksion të këtij institucioni …” zëvendësohen me “… për përdorimin për zyra për administratën e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe për institucionet e varësisë …”.

3. Ngarkohen ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF0B1063, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM/SHOQATËS NDËRKOMBËTARE PËR ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT, TË SIGURUARA NGA QEVERIA E KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA SEKRETARIATI SHTETËROR ZVICERAN PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE (SECO), NË KUADËR TË FONDIT TË BESIMIT ME DONATOR TË VETËM SECO, PËR FUQIZIMIN E KAPACITETEVE MBIKËQYRËSE TË AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES FINANCIARE NË SHQIPËRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes së grantit nr.TF0B1063, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim/Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant, të siguruara nga qeveria e Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), në kuadër të fondit të besimit me donator të vetëm SECO, për fuqizimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në Shqipëri, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.245, DATË 29.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN ME QIRA, ME TARIFË TË REDUKTUAR, TË SALLËS SË KONCERTEVE TË PALLATIT TË KONGRESEVE, TEATRIT KOMBËTAR TË OPERAS, BALETIT DHE ANSAMBLIT POPULLOR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 784 e 801, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 8, të kreut III, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës së mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në pikën 3, të vendimit nr.245, datë 29.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, viti “2019” zëvendësohet me “2020”.

2. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1056, DATË 14.12.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR ‘BY PASS FIER’”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.1056, datë 14.12.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) Pikat 3, 4 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës së kompensimit përkatës që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për tokë bujqësore me sipërfaqe 699 608.33 (gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e tetë pikë tridhjetë e tre) m², me vlerë 342 434 216.43 (treqind e dyzet e dy milionë e katërqind e tridhjetë e katër mijë e dyqind e gjashtëmbëdhjetë pikë dyzet e tre) lekë, si dhe objekte me vlerë 16 282 001 (gjashtëmbëdhjetë milionë e dyqind e tetëdhjetë e dy mijë e një) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 358 716 217.43 (treqind e pesëdhjetë e tetë milionë e shtatëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e dyqind e shtatëmbëdhjetë pikë dyzet e tre) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 2 914 000 (dy milionë e nëntëqind e katërmbëdhjetë mijë) lekë, të përballohen, si më poshtë vijon:

⦁ 2 864 000 (dy milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë) lekë, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar;
⦁ 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

5. Vlera totale e shpronësimit, në shumën 358 716 217.43 (treqind e pesëdhjetë e tetë milionë e shtatëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e dyqind e shtatëmbëdhjetë pikë dyzet e tre) lekë, të përballohet nga fondet e planifikuara për Autoritetin Rrugor Shqiptar.”.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA PROJEKTI “SISTEMIMI I SHESHIT PAS PALLATIT NR.23”, LUSHNJË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga projekti “Sistemimi i sheshit pas pallatit nr.23”, Lushnjë.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Lushnjë.

3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “tokë truall”, me një vlerë të përgjithshme 626 780 (gjashtëqind e njëzet e gjashtë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 626 780 (gjashtëqind e njëzet e gjashtë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë) lekësh, të mbulohet nga buxheti i Bashkisë Lushnjë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa shpenzimet procedurale, në vlerën 189 000 (njëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë) lekë, për botimin në organet e shtypit, të përballohen nga subjekti kërkues, Bashkia Lushnjë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronari, i pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Lushnjë.

8. Bashkia Lushnjë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Lushnjë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të shtetit.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasurinë e shpronësuar.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, dhe Bashkia Lushnjë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË NDRYSHIMIT NR.1 TË KONTRATËS FINANCIARE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE, PËR BY-PASS-IN E VLORËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e dokumentit të ndryshimit nr.1 të kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për by-pass-in e Vlorës, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.660, DATË 4.8.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME, SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARKIVAVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.660, datë 4.8.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, përmasat e pronave zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularët dhe hartat kadastrale (fragment) që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
Lista përbëhet nga 6 (gjashtë) fletë inventari dhe 6 (gjashtë) fletë harta kadastrale (fragment).

2. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.177, DATË 25.2.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN “RSM”, NË SHTABIN E TRAJNIM-KËSHILLIMIT DHE NDIHMËS, NË KUADËR TË INICIATIVËS SË KARTËS SË ADRIATIKUT, NË AFGANISTAN”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Fjalia e parë e pikës 3, të vendimit nr.177, datë 25.2.2015, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 1 mars 2025.”.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS BASHKËPUNUESE TË GUAJANËS, PËR PËRJASHTIMIN NGA KËRKESAT PËR VIZË PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE, PASAPORTAVE TË SHËRBIMIT DHE PASAPORTAVE TË ZAKONSHME

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Bashkëpunuese të Guajanës, për përjashtimin nga kërkesat për vizë për mbajtësit e pasaportave diplomatike, pasaportave të shërbimit dhe pasaportave të zakonshme, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.