Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 05 Prill 2017
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË PRONËS SHTETËRORE ME EMËRTIMIN “KLUBI SPORTIV DINAMO”, TIRANË, MINISTRISË SË ARSIMIT DHE SPORTIT, PËR DHËNIEN NË PËRDORIM FEDERATËS SHQIPTARE TË FUTBOLLIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të pronës shtetërore me emërtimin “Klubi Sportiv Dinamo”, Tiranë, aktualisht në pronësi të Bashkisë Tiranë, me numër pasurie 832, të komponentëve të saj me numrat rendorë 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 e 9, sipas formularit 3, bashkëlidhur këtij vendimi, për tia dhënë në përdorim Federatës Shqiptare të Futbollit, me qëllim ndërtimin e kompleksit të zyrave të Federatës Shqiptare të Futbollit, për ushtrimin e funksioneve të veta kulturore e sportive.
2. Komponenti me numër rendor 2, godina kryesore dhe trualli i saj, aktualisht në përdorim të Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, (ASSH), së bashku me komponentët e tjerë, sipas pikës 1, të këtij vendimi, i kalon në përdorim Federatës Shqiptare të Futbollit.
3. Të gjitha të drejtat dhe detyrimet, përfshirë dhe ato të krijuara nga marrëdhëniet kontraktuale të lidhura për pronën me numër pasurie 832, me emërtimin “Klubi Sportiv Dinamo”, Tiranë, për komponentët e saj nr.1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 e 9, bashkë me fondet e miratuara për këtë qëllim, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, i transferohen Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
4. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e pronave të Bashkisë Tiranë, miratuar me vendimin nr.834, datë 13.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së pjesshme të inventarit (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme shtetërore në Bashkinë Tiranë, të qarkut të Tiranës”.
5. Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, apo t’i tjetërsojnë ato.
6. Ngarkohen ministri i Arsimit dhe Sportit, ministri i Financave, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, (PËRFITUESI) DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN E MENAXHIMIT TË MBETJEVE TË NGURTA, RAJONI VLORË (KËSTI II)”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, (Përfituesi) dhe KfW Frankfurt am Main, (KfW), për financimin e programit të menaxhimit të mbetjeve të ngurta, rajoni Vlorë (Kësti II)”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN, KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË KANDIDATURËS PËR ANËTAR TË BORDIT TË AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES FINANCIARE, QË DO TË MBAJË FUNKSIONIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM EKZEKUTIV TË AUTORITETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6, 7 e 8, të ligjit nr.9572, datë 3.7.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të kandidaturës së z.Ervin Koçi, për anëtar të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, i cili do të mbajë funksionin e drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit, për periudhën e mbetur të mandatit, të anëtarit të liruar nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E AUTORITETEVE PËRGJEGJËSE PËR RISHIKIMIN E LEGJISLACIONIT DHE MIRATIMIN E METODOLOGJISË SË SHQYRTIMIT TË PËRPUTHSHMËRISË SË KRITEREVE EKZISTUESE QË GARANTOJNË TË DREJTËN E THEMELIMIT DHE TË DREJTËN E USHTRIMIT TË AKTIVITETIT PËR OFRUESIT E SHËRBIMEVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË ME LIGJIN NR.66/2016, “PËR SHËRBIMET NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 16, të ligjit nr.66/2016, “Për shërbimet në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e autoriteteve përgjegjëse për rishikimin e legjislacionit dhe shqyrtimin e përputhshmërisë së kritereve ekzistuese për ushtrimin e së drejtës së themelimit dhe skemat e autorizimit me ligjin nr.66/2016, “Për shërbimet në Republikën e Shqipërisë”, sipas aneksit nr.1 që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij.
2. Miratimin e metodologjisë së shqyrtimit të përputhshmërisë së kritereve ekzistuese të përcaktuara në pikën 1, me ligjin nr.66/2016, “Për shërbimet në Republikën e Shqipërisë”, sipas aneksit nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Ngarkimin e autoriteteve përgjegjëse për hartimin e planit të rishikimit të legjislacionit ekzistues për sektorët në kompetencën e tyre për shqyrtimin e përputhshmërisë me ligjin nr.66/2016, “Për shërbimet në Republikën e Shqipërisë”, brenda 4 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
4. Ngarkimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për hartimin e planit të integruar për rishikimin e legjislacionit ekzistues sektorial, për shqyrtimin e përputhshmërisë me ligjin nr.66/2016, “Për shërbimet në Republikën e Shqipërisë”, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
5. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, miraton udhëzuesin praktik për zbatimin e këtij vendimi.
6. Autoritetet përgjegjëse raportojnë çdo 6 muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, për ecurinë e procesit të rishikimit e të shqyrtimit të përputhshmërisë.
7. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes raporton, periodikisht, pranë Ministrisë së Integrimit Evropian për ecurinë e procesit të rishikimit dhe shqyrtimit të legjislacionit ekzistues sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi.
8. Vendimi nr.264, datë 3.4.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin e punës për përafrimin e legjislacionit në fushën e së drejtës së vendosjes dhe lëvizjes së lirë të shërbimeve”, shfuqizohet.
9. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe autoritetet përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË BASHKIVE TË CILAT DO TË NGRENË STACIONE TË SHËRBIMIT TË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIN
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 53, të ligjit nr.152/2015, “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së stacioneve të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, të cilat do të ngrihen në bashkitë që nuk kanë shërbim të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin (MZSH), për vitet 2017 dhe 2018, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Efektet financiare për ngritjen e 12 stacioneve të reja për vitin 2017, në vlerën 111 360 000 (njëqind e njëmbëdhjetë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i shtetit, nëpërmjet transfertës specifike për njësitë e vetëqeverisjes vendore për vitin 2017.
3. Efektet financiare për ngritjen e 10 stacioneve të reja për vitin 2018, do të përballohen nga buxheti i shtetit, nëpërmjet transfertës specifike për njësitë e vetëqeverisjes vendore.
4. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkitë përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT 2 TЁ MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS SË ZVICRËS, PËR DHËNIEN E ASISTENCËS FINANCIARE PËR PROJEKTIN E REHABILITIMIT TË KASKADËS SË LUMIT DRIN, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.508, DATË 24.10.1994, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJEVE TË GRANTIT TË NDËRTIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS SË ZVICRËS, PËR PROJEKTET E REHABILITIMIT TË HIDROCENTRALEVE DHE ZVOGËLIMIN E HUMBJEVE JOTEKNIKE NË ENERGJINË ELEKTRIKE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, datë 21.4.2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e ndryshimit 2 të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës së Zvicrës, për dhënien e asistencës financiare për projektin e rehabilitimit të kaskadës së lumit Drin, miratuar me vendimin nr.508, datë 24.10.1994, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e marrëveshjeve të grantit të ndërtimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës së Zvicrës, për projektet e rehabilitimit të hidrocentraleve dhe zvogëlimin e humbjeve joteknike në energjinë elektrike”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.142, DATË 12.3.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRSHKRIMIN DHE KLASIFIKIMIN E POZICIONEVE TË PUNËS NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE DHE INSTITUCIONET E PAVARURA”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 69, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozim e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.142, datë 12.3.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
a) Pas pikës 12, të kreut III, shtohet pika 12/1, si më poshtë vijon:
“12/1. Përshkrimi i përgjithshëm dhe kërkesat minimale të cilat do të përdoren si kritere edhe për efekt rekrutimi, për grupet e pozicioneve pjesë të strukturave horizontale:
– Specialistë të financës;
– Specialistë të buxhetit;
– Specialistë të prokurimeve;
– Specialistë të burimeve njerëzore;
– Specialistë arkiv/protokolli;
– Specialistë të marrëdhënieve me publikun;
– Specialistë jurist;
– Specialistë të teknologjisë së informacionit;
janë sipas lidhjes 3/1, bashkëlidhur këtij vendimi.”.
b) Pas lidhjes 3 bashkëlidhur vendimit, shtohet lidhja 3/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Kërkesat minimale të pranimit, të përcaktuara në lidhjen 3/1, bashkëlidhur këtij vendimi, janë të aplikueshme dhe të detyrueshme për zbatim për të gjitha pozicionet, aktualisht vakante, si dhe për pozicionet të cilat do të krijohen vakante pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3. Ngarkohen njësitë përgjegjëse dhe njësitë e burimeve njerëzore në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.484, DATË 10.6.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME DHE DREJTORIA E PËRGJITHSHME E DOGANAVE TE KOMISIONERI PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT DHE MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE, KOMISIONERI PËR MBIKËQYRJEN E SHËRBIMIT CIVIL DHE AVOKATURA E SHTETIT, TË MJEDISEVE NË GODINËN E ISH – HOTEL “DRINIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në fund të pikës 2, të vendimit nr.484, datë 10.6.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Kati i parë në pjesën e godinës 5-katëshe, sipas planimetrisë që i bashkëlidhet këtij vendimi, kalon në përgjegjësi administrimi të përbashkët të institucioneve të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, për t’u përdorur si qendër/sallë multifunksionale.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.538, DATË 26.5.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LICENCAT DHE LEJET QË TRAJTOHEN NGA APO NËPËRMJET QENDRËS KOMBËTARE TË LICENCIMIT (QKL) DHE DISA RREGULLIME TË TJERA NËNLIGJORE TË PËRBASHKËTA”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 15 e 36, të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 32, të ligjit nr.8872, datë 29.3.2002, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 2, pika 22, dhe 24, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.75/2014, “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ministrit të Arsimit dhe Sportit, ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, ministrit të Punëve të Brendshme, ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në aneksin 1, fusha I “Siguria kombëtare, rendi publik dhe mbrojtja civile”, kategoria I.3, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
a) Emërtimi i kategorisë I.3 “Shërbimi i ruajtjes dhe/ose sigurisë fizike” zëvendësohet me “Shërbimi Privat i Sigurisë Fizike”.
b) Pas shkronjës “b”, të pikës 2, të kreut I, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) “Qendra të trajnimit privat të punonjësve të SHPSF”, me kodin I.3.C.”.
c) Pika 3, e kreut I, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Licencat për të tri nënkategoritë janë pa afat.”.
ç) Emërtimi i kreut II, “Licencimi i veprimtarive të nënkategorisë I.3.A dhe I.3.B” zëvendësohet me “Licencimi i veprimtarive të nënkategorive I.3.A , I.3.B dhe I.3.C.”.
d) Pika 4, e kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Kriteret e posaçme të licencimit, si dhe llojet e dokumenteve provuese e shoqëruese përkatëse për nënkategoritë A, B dhe C jepen në tabelën 1 më poshtë.”.
dh) Pika 5 e kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Licencimi i veprimtarisë për të tria nënkategoritë bëhet sipas grupit III.”.
2. Në aneksin I, fusha III, “Mjedisi dhe burimet mjedisore bazë”, pika 2, e kategorisë III.1 “Për ndikimin në mjedis”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Lejet e ndikimit në mjedis ndahen në tri nënkategori, si vijon:
a) “Leje mjedisi e tipit C”, me kodin III.1.A;
b) “Leje mjedisi e tipit B”, me kodin III.1.B;
c) “Leje mjedisi e tipit A”, me kodin III.1.C.”.
3. Në aneksin I, fusha VII, “Transporti”, shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 3, të nënkategorisë VII.3 “Autoshkollë”, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“a) “Autoshkollë për dhënien e lejes së drejtimit”, me kodin VII.3.A.1, ku përfshihen kategoritë e mëposhtme:
i) kategoria AM;
ii) kategoria A1;
iii) kategoria A2;
iv) kategoria A;
v) kategoria B1;
vi) kategoria B;
vii) kategoriaBE;
viii) kategoria C1;
ix) kategoria C1E;
x) kategoria C;
xi) kategoria CE;
xii) kategoria D1;
xiii) kategoriaD1E;
xiv) kategoria D;
xv) kategoria DE.”.
“b) “Autoshkollë për përgatitjen e aplikantëve që kërkojnë të pajisen me Certifikatë të Aftësimit Profesional (CAP)”, me kodin VII.3.A.2, ku përfshihen kategoritë e mëposhtme:
i) CAP për transportin e mallrave;
ii) CAP për transportin e udhëtarëve.”.
4. Në aneksin I, fusha IX “Arsimi dhe shkenca”, nënkategoria IX.1.A, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
a) Pika 4, e kreut I, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Veprimtaritë e nënkategorisë A specifikohen sipas niveleve dhe/ose profilit arsimor:
a) “Arsimi parashkollor (kopsht)”, me kodin IX.1.A.1;
b) “Arsimi fillor”, me kodin IX.1.A.2;
c) “Arsim i mesëm i ulët”, me kodin IX.1.A.3;
ç) “Arsim i mesëm i lartë (gjimnaz)”, me kodin IX.1.A.4;
d) “Arsim i mesëm i orientuar”, me kodin IX.1.A.5;
dh) “Arsim i mesëm profesionale”, me kodin IX.1.A.6;
e) “Arsim i mesëm teknik”, me kodin IX.1.A.7;
ë) “Arsim special”, me kodin IX.1.A.8.”.
b) Pika 7, e kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Licencimi i veprimtarive “Arsimi parashkollor (kopsht)”, me kodin IX.1.A.1; “Arsimi fillor”, me kodin IX.1.A.2; “Arsim i mesëm i ulët”, me kodin IX.1.A.3; “Arsim i mesëm i lartë (gjimnaz)”, me kodin IX.1.A.4; “Arsim i mesëm i orientuar”, me kodin IX.1.A.5 dhe “Arsim special”, me kodin IX.1.A.8, bëhet sipas grupit III.
a) Institucioni tjetër është Ministria e Arsimit dhe Sportit, vendimin në emër të së cilës e merr Komisioni i Shqyrtimit të Kërkesave për Licenca dhe/ose Certifikim për Shërbimet Arsimore, i cili ngrihet dhe funksionon sipas urdhrit të ministrit. Vendimi bazohet në dokumentet provuese të licencimit si dhe në inspektimin në vend dhe vlerësimin faktik të plotësimit të kritereve përkatëse të licencimit.
b) Afati i marrjes së vendimit është 2 javë.
c) Kërkesa në QKB pranohet kur ajo bëhet jo më pranë se 3 muaj nga fillimi i vitit shkollor.”.
c) Pas pikës 7, të kreut II, shtohet pika 7/1, me këtë përmbajtje:
“7/1. Licencimi i veprimtarive “Arsim i mesëm profesional”, me kodin IX.1.A.6, dhe “Arsim i mesëm teknik”, me kodin IX.1.A.7, bëhet sipas grupit III.
a) Institucioni tjetër është Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, vendimin në emër të së cilës e merr Komisioni i Shqyrtimit të Kërkesave për Licenca dhe/ose Certifikim për Shërbimet Arsimore, i cili ngrihet dhe funksionon sipas urdhrit të ministrit. Vendimi bazohet në dokumentet provuese të licencimit si dhe në inspektimin në vend dhe vlerësimin faktik të plotësimit të kritereve përkatëse të licencimit.
b) Afati i marrjes së vendimit është 2 javë.
c) Kërkesa në QKB pranohet kur ajo bëhet jo më pranë se 3 muaj nga fillimi i vitit shkollor.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.654, DATË 14.9.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË ORGANIKËS SË AGJENCISË SË OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 17, të ligjit nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.654, datë 14.9.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Shtojca I, që përmendet në pikën 1, zëvendësohet me shtojcën I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Shtojca II, që përmendet në pikën 2, zëvendësohet me shtojcën II, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Numri i punonjësve të Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) të jetë, gjithsej, 160 veta.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.788, DATË 22.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, STANDARDEVE DHE PROCEDURAVE TË AKREDITIMIT TË AKTIVITETEVE TË EDUKIMIT NË VAZHDIM PËR PROFESIONISTËT E SHËNDETËSISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 33/1, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Nënndarja 1.1.4, e vendimit nr.788, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1.1.4 Procedurat e akreditimit për aktivitetet që institucionet publike kryejnë për punonjësit e vet dhe aktivitetet e organizuara nga urdhrat e profesionistëve të shëndetësisë janë pa pagesë.”.
2. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.842, DATË 6.12.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E VLERËS SË KOMPENSIMIT TË DËMEVE TË SHKAKTUARA NË KULTURAT BUJQËSORE E NË BIZNESE NGA RESHJET E SHIUT DHE PËRMBYTJET, NË QARKUN E SHKODRËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001, “Për emergjencat civile”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.10355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pikat 3, 4 dhe 5, të vendimit nr.842, datë 6.12.2011, të Këshillit të Ministrave, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Diferenca e palikuiduar nga vlera e kompensimit, prej 1 112 303 342 (një miliard e njëqind e dymbëdhjetë milionë e treqind e tre mijë e treqind dyzet e dy) lekësh, që do të rezultojë pas rakordimit të shumave të paekzekutuara ndaj familjeve dhe subjekteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, të paguhet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH, sh.a.)
Për këtë qëllim, KESH, sh.a-ja., të realizojë rakordimin e shumave të mbetura të paekzekutuara ndaj familjeve dhe subjekteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi. Rakordimi i detyrimit të mbetur pa u ekzekutuar të bëhet nga KESH, sh.a-ja., bazuar në:
– të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme për listën e plotë të familjeve dhe subjekteve të cilat përfitojnë kompensim, në të cilën duhet të evidentohen vlerat fillestare, vlerat e shlyera dhe vlerat e mbetura të detyrimit;
– të dhënat e shoqërisë OSHEE, sh.a., për listën e plotë të familjeve dhe subjekteve të dëmtuara, për të cilat, në zbatim të parashikimeve të vendimit nr.482, datë 6.5.2015, të Këshillit të Ministrave, janë shuar detyrimet e energjisë elektrike që kishin ndaj OSHEE, sh.a-së., me të drejtën për kompensim, përfituar sipas parashikimeve të vendimit nr.842, datë 6.12.2011, të Këshillit të Ministrave.
Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe OSHEE, sh.a.-ja, të sigurojnë të dhënat e përcaktuara në pikën 3, brenda 20 (njëzet) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
4. KESH, sh.a-ja., pasi të rakordojë detyrimet e pashlyera, të fillojë menjëherë kryerjen e drejtpërdrejtë të pagesave ndaj subjekteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, të cilave nuk u është përmbushur detyrimi i dhënies së kompensimit për dëmet në kulturat bujqësore dhe në biznese.
Kryerja e pagesave të bëhet drejtpërdrejt nga KESH, sh.a-ja., nëpërmjet bankave të nivelit të dytë, me të cilat KESH, sh.a-ja., do të bashkëpunojë për dhënien e këtij shërbimi. Procedurat e pagesës përcaktohen me urdhër të ministrit të Energjisë dhe Industrisë.
KESH, sh.a-ja., ngarkohet të informojë, me shkrim, pranë Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Këshillit të Qarkut Shkodër dhe Prefektit të Qarkut Shkodër në përfundim të procesit.
5. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Punëve të Brendshme, KESH, sh.a-ja., dhe OSHEE, sh.a-ja., për zbatimin e këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.926, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRITERET E VLERËSIMIT TË PRONËS SHTETËRORE, QË PRIVATIZOHET APO TRANSFORMOHET, DHE PROCEDURËN E SHITJES”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 2, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.926, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 1, të kreut I, fjalët “…dhe mjetet e xhiros…” zëvendësohen me “…mjetet e xhiros dhe aktivet biologjike…”.
2. Në kreun II bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në fund të pikës 4 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Nëse, pas hartimit të genplanit nga eksperti vlerësues, rezultojnë sipërfaqe trualli të lira (më shumë se sipërfaqja nën objekt dhe ajo funksionale), institucioni administrues, në zbatim të procedurave ligjore përkatëse, ia kalon ato Agjencisë së Trajtimit të Pronave, për përdorimin për fond kompensimi për ish-pronarët ose për kthim fizik.”.
b) Në pikën 18, fjalia e parë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Në rastet kur në përbërje të pronës që privatizohet nuk ka objekte ndërtimore sipërfaqësore, por vetëm objekte ndërtimore nëntokësore (tunele), atëherë vlerësimi, për efekt privatizimi, do të bëhet vetëm për objektin (strukturën ndërtimore), pa truall, sipas dokumentacionit ligjor përkatës (listë inventari, vendim i Këshillit të Ministrave, etj) të institucionit administrues/pronar.”.
3. Në kreun III bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Fjalët “…gazetë me qarkullim kombëtar…” zëvendësohen me “… Buletinin e Njoftimeve Zyrtare…”;
b) Në fund të paragrafit të parë, të pikës 16, shtohen fjalët “…dhe në faqen e internetit të Ministrisë së Financave…”;
c) Në fund të paragrafit të parë, të pikës 24, shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Në rastet kur nuk respektohet afati 30 (tridhjetë) ditor i pagesës së vlerës së plotë të objektit bashkë me truallin, për arsye objektive të justifikuara, me autorizim të drejtorit të Drejtimit të Pronës Publike afati zgjatet, por jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga përfundimi i afatit tridhjetë ditor.”;
ç) Në pikën 26, në fund të fjalëve “… brenda 30 (tridhjetë) ditëve pjesën e mbetur të çmimit të arritur në ankand…” shtohen “…(përveç rasteve të parashikuara ndryshe në këtë vendim)…”.
4. Kudo në vendim, emërtesa “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave” zëvendësohet me “Agjencia e Trajtimit të Pronës”.
5. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
FINANCIMIN E PISTËS SË ATLETIKËS NË STADIUMIN “LORO BORIÇI”, SHKODËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 27, të ligjit nr.9376, datë 21.5.2005, “Për sportin”, të ndryshuar, të neneve 30 e 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Financimin në masën 75 498 727.92 (shtatëdhjetë e pesë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e njëzet e shtatë pikë nëntëdhjetë e dy) lekë nga fondet e buxhetit të shtetit, për projektin “Ristrukturimi i pistës së atletikës, pjesë e stadiumit “Loro Boriçi”, Shkodër.
2. Fondi i miratuar në masën 75 498 727.92 (shtatëdhjetë e pesë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e njëzet e shtatë pikë nëntëdhjetë e dy) lekë nga fondet e buxhetit të shtetit, për projektin “Ristrukturimi i pistës së atletikës, pjesë e stadiumit “Loro Boriçi”, Shkodër, të transferohet në formë granti nga llogaria ekonomike 604, programi buxhetor 08140 “Zhvillimi i sportit”, me përfitues Federatën Shqiptare të Futbollit në llogarinë bankare, në bankë të nivelit të dytë.
3. Fondi prej 75 498 727.92 (shtatëdhjetë e pesë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e njëzet e shtatë pikë nëntëdhjetë e dy) lekë për financimin e projektit “Ristrukturimi i pistës së atletikës, pjesë e stadiumit “Loro Boriçi”, Shkodër, të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
4. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURËN E NJOFTIMIT DHE FORMËN E VLERËSIMIT TË PËRPUTHSHMËRISË SË PROJEKTAKTEVE TË REJA SEKTORIALE ME LIGJIN NR.66/2016, “PËR SHËRBIMET NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.66/2016, “Për shërbimet në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Çdo autoritet përgjegjës, në kuptim të neneve 3, pika 3, dhe 6, pika 3, të ligjit nr.66/2016, “Për shërbimet në Republikën e Shqipërisë”, është i detyruar të njoftojë pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes projektaktet ligjore e nënligjore të reja sektoriale, që rregullojnë ofrimin e shërbimeve nga operatorët privatë në Republikën e Shqipërisë.
2. Njoftimi të bëhet sipas formularëve në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, i shoqëruar me tekstin përkatës të projektaktit të ri sektorial.
3. Procedura e njoftimit, sipas pikave 1 e 2, të këtij vendimi, është e njëjtë me procedurën e parashikuar për marrjen e mendimeve të projektakteve, sipas vendimit nr.584 datë 28.8.2003, të Këshillit të Ministrave, “ Për miratimin e rregullores së Këshillit të Ministrave”. Detyrimit për njoftimin e akteve i nënshtrohen edhe projektaktet, miratimi i të cilave është kompetencë e titullarit të autoritetit përgjegjës.
4. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes vlerëson përputhshmërinë e projektaktit të ri sektorial me ligjin nr.66/2016, “Për shërbimet në Republikën e Shqipërisë”, jo më vonë se 7 ditë pune nga data e marrjes së tij. Vlerësimi i përputhshmërisë të bëhet sipas formularëve të aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, pjesë përbërëse e tij.
5. Në çdo rast, rezultatet e vlerësimit të përputhshmërisë, të bëra nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, sipas pikës 4, të këtij vendimi, i rekomandohen autoritetit përgjegjës.
6. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe autoritetet përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJEN E NUMRIT TË PUNONJËSVE NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i punonjësve të Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, për vitin 2017, shtohet me 2 veta, duke e çuar numrin e përgjithshëm të këtij institucioni në 17 punonjës.
2. Numri i punonjësve të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), për vitin 2017, reduktohet me 2 veta, duke e çuar numrin e përgjithshëm të këtij institucioni në 49 punonjës.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe institucionet e përmendura më sipër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLlKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLlKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR PROJEKTIN “RUAJTJA E AGROBIODIVERSITETIT NË SHQIPËRINË RURALE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të
Gjermanisë, për projektin “Ruajtja e agrobiodiversitetit në Shqipërinë rurale””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.