Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 05 Shkurt 2020:

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN E BUXHETIT PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË PRONËSISË INDUSTRIALE, PËR VITIN 2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 189/c, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e buxhetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, për vitin 2020, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M
PËR

CAKTIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT (AKSHI) SI NJËSI ZBATUESE PËR NGRITJEN E PORTALIT UNIK QEVERITAR TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT DHE FINANCIMIN E TIJ NGA FONDI I RINDËRTIMIT, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nënndarjes “iii”, të shkronjës “b”, të nenit 13, të pikës 3, të nenit 16, dhe të pikës 1, të nenit 38, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Caktimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) si njësi zbatuese për ngritjen e portalit unik qeveritar të procesit të rindërtimit.
2. Efekti financiar total prej 19 440 360 (nëntëmbëdhjetë milionë e katërqind e dyzet mijë e treqind e gjashtëdhjetë) lekësh të përballohet nga zëri “Fondi për rindërtim”, miratuar në buxhetin e vitit 2020 dhe të përdoret nga AKSHI, përkatësisht:
a) në masën 18 360 360 ( tetëmbëdhjetë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë) lekë në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”; dhe
b) në masën 1 080 000 (një milion e tetëdhjetë mijë) lekë, në zërin “Shpenzime operative dhe mirëmbajtje”.
3. Fondet e mbetura të papërdorura, pas përfundimit të procedurave, në zbatim të këtij vendimi, kthehen në buxhetin e shtetit në zërin “Fondi për rindërtim”.
4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË NDRYSHIMIT NR.1 TË KONTRATËS FINANCIARE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE, PËR PROJEKTIN E NDËRTIMIT TË BYPASS-IT TË FIERIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e dokumentit të ndryshimit nr.1 të kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin e ndërtimit të bypass-it të Fierit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E KALENDARIT TË MENAXHIMIT TË SHPENZIMEVE PUBLIKE PËR VITIN 2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e kalendarit të menaxhimit të shpenzimeve publike për vitin 2020, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, njësia përgjegjëse për planifikimin strategjik dhe zhvillimin, në Kryeministri, dhe të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2020.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE BAZË TË SEKTORËVE QË DO TË MBËSHTETEN DHE TË MASËS SË FINANCIMIT NGA FONDI I PROGRAMIT PËR BUJQËSINË E ZHVILLIMIN RURAL, PËR VITIN 2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2020 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zëri “Transfertë në buxhetet familjare” (llogaria ekonomike 606), do të përdoret për:
a) rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve blegtorale, të prodhimeve bujqësore në mjedise të mbrojtura dhe uljen e kostove të prodhimit, nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara e subvencionimit të çmimit të plastmasës;
b) shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike;
c) certifikimin e produkteve bujqësore dhe fermave organike;
ç) mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.
2. Masat e mbështetjes dhe masa e financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural janë, si më poshtë vijon:
a) Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 70 (shtatëdhjetë) krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1 200 (njëmijë e dyqind) lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 (treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë për subjekt, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 (pesë) krerë lopë, në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt;
b) Mbarështim i bletarisë me 1 000 (një mijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje, por jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë për subjekt;
c) Zëvendësimi i plastmasës termike për serrat diellore ekzistuese për prodhimin e perimeve, rrushit për tavolinë dhe tunelet plastike për prodhimin e luleshtrydhes në vlerën respektive 300 000 (treqind mijë) lekë/ha dhe 100 000 (njëqind mijë) lekë/ha, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt.
Sipërfaqja e serrës apo e tunelit plastik të jetë jo më pak se 0.2 (zero pikë dy) ha. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.
ç) Mbjellje bimësh mjekësore e aromatike në vlerën 200 000 (dyqind mijë) lekë/ha, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë për fermerët individualë dhe për grup fermerësh, ndërsa për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (në vijim, SHBB), jo më shumë se 4 000 000 (katër milionë) lekë.
Sipërfaqja e mbjellë për fermerët individualë duhet të jetë jo më pak se 0.2 (zero pikë dy) ha, për grup fermerësh, jo më pak se 1 ha në një bllok të vetëm, për SHBB-të, jo më pak se 5 (pesë) ha. Madhësia e ngastrës të jetë jo më pak se 0.2 (zero pikë dy) ha, kur nuk është në bllok.
d) Fermat organike, për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë, 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200 000 (dyqind mijë) lekë për fermë të certifikuar.
dh) Implementimi dhe certifikimi Global GAP në masën 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë 175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, në perime, fruta, rrush, ullinj dhe agrume, në sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha.
e) Mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 6 (gjashtë) deri në 10 (dhjetë) dhoma, në 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5 000 000 (pesë milionë) lekë për subjekt. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.
3. Përfitues për masat e mbështetjes nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural do të jenë fermerët, personat fizikë, personat juridikë dhe SHBB-të.
4. Kriteret, procedurat dhe mënyra e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
5. Nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2020, do të përdoret shuma:
a) deri në 10 174 000 (dhjetë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e katër mijë) lekë, për pagesën e vlerës së palikuiduar, për subjektet e shpallura fituese nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, në zbatim të vendimit nr.128, datë 13.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2019”, të ndryshuar;
b) deri në 1 755 000 (një milion e shtatëqind e pesëdhjetë e pesë mijë) lekë detyrime, për pagesat e normës së interesave bankare për kontratat e lidhura.
6. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SUEDISË, NË LIDHJE ME PLANIFIKIMIN E SEKTORIT TË UJIT PËR NEGOCIATAT ME BE-NË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, në lidhje me planifikimin e sektorit të ujit për negociatat me BE-në, me një grant në shumën 20 000 000 (njëzet milionë) SEK, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS SË ZVICRËS, TË PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA ZVICERANE PËR ZHVILLIM DHE BASHKËPUNIM (SDC) E DEPARTAMENTIT FEDERAL TË PUNËVE TË JASHTME TË ZVICRËS, DUKE VEPRUAR NËPËRMJET AMBASADËS ZVICERANE NË SHQIPËRI, PËR PROGRAMIN “SHËNDET PËR TË GJITHË – HAP”, FAZA E DYTË, PRILL 2019 – MARS 2023, NJË PROJEKT DYPALËSH BASHKËPUNIMI DHE ZHVILLIMI, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.4 , DATË 6.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës së Zvicrës, të përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, duke vepruar nëpërmjet Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, për programin “Shëndet për të gjithë – HAP”, faza e dytë, prill 2019 – mars 2023, një projekt dypalësh bashkëpunimi dhe zhvillimi, miratuar me vendimin nr.4, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MBRETËRISË SË ARABISË SAUDITE, PËR HEQJEN RECIPROKE TË VIZAVE PËR QËNDRIM AFATSHKURTËR PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE TË SHËRBIMIT DHE PRIVATE PËR SHTETASIT E TË DYJA VENDEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e memorandumit të bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Arabisë Saudite, për heqjen reciproke të vizave për qëndrim afatshkurtër për mbajtësit e pasaportave diplomatike të shërbimit dhe private për shtetasit e të dyja vendeve, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.276, DATË 16.5.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E MËNYRËS SË ORGANIZIMIT, TË STRUKTURËS, ORGANIKËS DHE STATUTIT TË AUTORITETIT RRUGOR SHQIPTAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 3, të ligjit nr.10164, datë 15.10.2009, “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, dhe të pikës 5, të nenit 21, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.276, datë 16.5.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 9, e kreut IV, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Numri i punonjësve të Autoritetit Rrugor Shqiptar është, gjithsej, 166 veta.”.
2. Në skemën 2, që përmendet në pikën 5, të kreut IV, bëhen këto ndryshime:
a) Pozicionet “Specialist (IT)” në Sektorin e Shërbimeve, në Drejtorinë e Shërbimeve të Brendshme, shfuqizohen;
b) Numri i punonjësve të nënndarjes 5.3, “Sektori i Shërbimeve”, bëhet 14 dhe numri i punonjësve të ndarjes 5, “Drejtoria e Shërbimeve të Brendshme”, bëhet 22;
c) Numri i punonjësve të Zyrës Qendrore të Autoritetit Rrugor Shqiptar bëhet, gjithsej, 112.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.308, DATË 21.5.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PAKETAVE TË SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE QË DO TË FINANCOHEN NGA FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR NË SHËRBIMIN SPITALOR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.308, datë 21.5.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, shtojcat referuar në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç” “d” dhe “e” bashkëlidhur vendimit, ndryshohen me shtojcat që i bashkëlidhen këtij vendimi, si më poshtë vijon:
a) Shtojca nr.1, “Paketa e shërbimit të dializës”, zëvendësohet me shtojcën nr.1, “Paketa e shërbimit të dializës, të vendosjes së fistulës së thjeshtë dhe vendosjes së graftit të thjeshtë”;
b) Shtojca nr.2, “Paketa e shërbimeve të kardiologjisë”, zëvendësohet me shtojcën nr.2, “Paketa e shërbimeve të kardiologjisë”;
c) Shtojca nr.3, “Paketa e shërbimeve të kardiokirurgjisë”, zëvendësohet me shtojcën nr.3, “Paketa e shërbimeve të kardiokirurgjisë”;
ç) Shtojca nr.4, “Paketa e shërbimit të transplantit të veshkës dhe flakjes akute”, zëvendësohet me shtojcën nr.4, “Paketa e shërbimit të transplantit të veshkës dhe flakjes akute”;
d) Shtojca nr.5, “Paketa e shërbimit të implantit koklear”, zëvendësohet me shtojcën nr.5, “Paketa e implantit koklear”;
dh) Shtojca nr.7, “Paketa e shërbimeve të radioterapisë (me akselerator linear)”, zëvendësohet me shtojcën nr.7, “Paketa e shërbimeve të radioterapisë (me akselerator linear)”.
2. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Fondi financon paketat e shërbimeve shëndetësore, bazuar në koston e shërbimeve sipas shtojcave përkatëse, në institucionet shëndetësore publike. Financimi i institucioneve shëndetësore jopublike bazohet në çmimin e përcaktuar në shtojcat e këtij vendimi. Personat e siguruar që përfitojnë nga këto paketa janë të përjashtuar nga bashkëpagesa.”.
3. Pika 9 shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.777, DATË 26.12.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KONTROLLIN ANTIPLAGJIATURË TË DISERTACIONEVE PËR FITIMIN E GRADAVE SHKENCORE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “e”, të nenit 7, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.777, datë 26.12.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Institucionet e arsimit të lartë kryejnë kontrollin digjital antiplagjiaturë të disertacioneve të përdorura për marrjen e gradës shkencore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”.
b) Pika 6 shfuqizohet.
c) Pika 7 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“7. Institucionet e arsimit të lartë njoftojnë ministrinë përgjegjëse për arsimin, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja e vendimit përfundimtar, për rezultatet e gjetjeve nga kontrolli antiplagjiaturë dhe masat e marra pas rivlerësimit përfundimtar për gradën shkencore të dyshuar si plagjiaturë.”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PROGRAMIT TË REFORMAVE EKONOMIKE (ERP) 2020-2022

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e programit të reformave ekonomike (ERP) 2020-2022, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

RISHPËRNDARJEN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ORGANIKË DHE TË FONDEVE BUXHETORE NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE, PËR VITIN 2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12 e 17, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për vitin 2020, reduktohet me 220 (dyqind e njëzet) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të sistemit të ministrisë në 879 (tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë) punonjës.
2. Numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Brendshme, për vitin 2020, shtohet me 220 (dyqind e njëzet) punonjës për Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të sistemit të ministrisë në 14 484 (katërmbëdhjetë mijë e katërqind e tetëdhjetë e katër) punonjës.
3. Në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, për vitin 2020, në programin buxhetor “Programe për mbrojtjen e mjedisit” reduktohet fondi prej 49 300 000 (dyzet e nëntë milionë e treqind mijë) lekësh, në zërin “shpenzime korrente”, dhe në programin buxhetor “Administrimi i pyjeve” reduktohet fondi prej 43 700 000 (dyzet e tre milionë e shtatëqind mijë) lekësh në zërin “shpenzime korrente”.
4. Në programin “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”, për Ministrinë e Brendshme, shtohet fondi prej 93 000 000 (nëntëdhjetë e tre milionë) lekësh në zërin “shpenzime korrente”, për vitin 2020, për Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
5. Numri i përgjithshëm i punonjësve organikë buxhetorë nuk ndryshon.
6. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
7. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare jo më vonë se 30 ditë nga data e hyrjes në fuqi.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI URBAN DHE SISTEMIMI I SHESHIT NË FSHATIN DONOFROSË, NJËSIA ADMINISTRATIVE CUKALAT”, BASHKIA URA VAJGURORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rikualifikimi urban dhe sistemimi i sheshit në fshatin Donofrosë, njësia administrative Cukalat”, Bashkia Ura Vajgurore.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Ura Vajgurore.
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “ndërtesë + truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 51 935 (pesëdhjetë e një mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 51 935 (pesëdhjetë e një mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë) lekësh, do të përballohet nga buxheti i Bashkisë Ura Vajgurore.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, i pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Ura Vajgurore.
8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Ura Vajgurore, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të Bashkisë Ura Vajgurore.
9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit, Bashkia Ura Vajgurore, për pasurinë e shpronësuar.
10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Ura Vajgurore dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I RRUGËS “ISUF BALTA”, TIRANË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i rrugës “Isuf Balta”, Tiranë”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, për pasuritë e llojit “truall”, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë të përgjithshme prej 51 306 408 (pesëdhjetë e një milionë e treqind e gjashtë mijë e katërqind e tetë) lekësh.
4. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasurinë e llojit “truall”, me vlerë 51 306 408 (pesëdhjetë e një milionë e treqind e gjashtë mijë e katërqind e tetë) lekë, do të përballohet nga fondet e Bashkisë Tiranë.
6. Shpenzimet procedurale në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë do të përballohen nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa shpenzimet procedurale në vlerën 1 557 508 (një milion e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e tetë) lekë, për publikim në organet e shtypit, do të përballohen nga subjekti kërkues, Bashkia Tiranë.
7. Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Bashkisë Tiranë.
8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit, mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë edhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.