V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SUEDISË, PËR FORCIMIN E KAPACITETEVE TË AGJENCISË SË MENAXHIMIT TË BURIMEVE UJORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, për forcimin e kapaciteteve të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS SË ZVICRËS, TË PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA ZVICERANE PËR ZHVILLIM DHE BASHKËPUNIM (SDC) E DEPARTAMENTIT FEDERAL TË PUNËVE TË JASHTME TË ZVICRËS, DUKE VEPRUAR NËPËRMJET AMBASADËS ZVICERANE NË SHQIPËRI, PËR PROGRAMIN “SHËNDET PËR TË GJITHË – HAP”, FAZA E DYTË, PRILL 2019 – MARS 2023, NJË PROJEKT DYPALËSH BASHKËPUNIMI DHE ZHVILLIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës së Zvicrës, të përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, duke vepruar nëpërmjet Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, për programin “Shëndet për të gjithë – HAP”, faza e dytë, prill 2019 – mars 2023, një projekt dypalësh bashkëpunimi dhe zhvillimi, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KOHËN E NEVOJSHME, QË I DUHET NDIHMËSIT PËR KUALIFIKIMIN ME NJOHURITË PRAKTIKE PRANË NJË MJESHTRI DHE ME NJOHURITË TEORIKE NË NJË INSTITUCION ARSIMOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 12, të ligjit nr.70/2016, “Për zejtarinë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.10247, datë 4.3.2010, “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kohëzgjatja e kualifikimit të ndihmësit me aftësitë praktike, pranë një mjeshtri në një subjekt zejtar të licencuar, deri në fitimin e titullit të ndihmësmjeshtrit, është 2 (dy) deri në 3 (tri) vite kalendarike, në varësi të llojit të zejes.
2. Kohëzgjatja e kualifikimit të ndihmësit me njohuritë teorike, në një institucion arsimor, me kohë të pjesshme, deri në fitimin e titullit të ndihmësmjeshtrit, është 2 (dy) deri në 3 (tri) vite mësimore (akademike), në varësi të llojit të zejes.
3. Ndihmësi kualifikohet me njohuri teorike në një institucion arsimor, sipas një programi teorik me kohë të pjesshme, me kohëzgjatje 10 (dhjetë) orë mësimore në javë, për 35 (tridhjetë e pesë) javë mësimore në vit.
4. Gjatë javëve të zbatimit të programit teorik, ndihmësi kualifikohet edhe me aftësitë praktike pranë mjeshtrit, në një subjekt zejtar të licencuar për këtë qëllim, për 6 (gjashtë) orë në ditë, në 5 (pesë) ditë të javës.
5. Gjatë javëve që nuk zbatohet programi teorik, ndihmësi, që ka mbushur moshën 18 vjeç, kualifikohet me aftësitë praktike pranë mjeshtrit në një subjekt zejtar të licencuar për këtë qëllim për 8 (tetë) orë në ditë, në 5 (pesë) ditë të javës.
6. Për zeje të veçanta, me propozim të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë dhe në konsultim me Agjencinë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, ministri përgjegjës për arsimin dhe formimin profesional miraton kohëzgjatje të ndryshme nga ato të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të këtij vendimi, për kualifikimin e ndihmësit.
7. Ngarkohen ministria përgjegjëse për arsimin dhe formimin profesional, Dhoma Kombëtare e Zejtarisë dhe Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA