Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 06 Nëntor 2017

 

 

 

V E N D I M

PËR

 

KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË PËR DIALOG DHE BASHKËQEVERISJE

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Krijimin e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, si një institucion juridik, publik, në varësi të Kryeministrit. Agjencia ka selinë në Tiranë dhe ka vulën e stemën e saj.

2. Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje ka si mision ofrimin direkt të shërbimeve publike, për të garantuar bashkëqeverisje e gjithëpërfshirje në politikëbërje dhe vendimmarrje, nëpërmjet ndërveprimit në platformën elektronike “Me ty, për Shqipërinë që duam” të qytetarëve, organizatave jofitimprurëse e sipërmarrjes private me administratën shtetërore dhe institucionet qeverisëse, si dhe mbështetjen e projekteve e të programeve për një shoqëri të hapur dhe për institucione më pranë qytetarëve, shoqërisë civile, rinisë dhe aktorëve të tjerë, në fusha të ndryshme si inovacioni, krijimtaria, transparenca, arsimi, rinia, shkenca, arti, kultura, grupet vulnerabël.

3. Agjencia, për të realizuar misionin e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, kryen funksione administrative dhe detyrat e mëposhtme:

a) Siguron përgjegjshmërinë e institucioneve të administratës publike gjatë ndërveprimit me qytetarët, në platformën elektronike “Me ty, për Shqipërinë që duam”, duke garantuar që në bashkëpunim me ministritë e linjës dhe institucionet e varësisë, për të gjitha mesazhet, nismat, ankesat apo kërkesat e dërguara, qytetarët të marrin një trajtim e përgjigje në cilësinë dhe kohën e duhur;

b) Trajton, në bashkëpunim me ministritë e linjës dhe institucionet e varësisë, nismat me interes publik, të ardhura nga qytetarët, apo iniciativa të tilla nga organizatat jofitimprurëse dhe/ose sipërmarrja, të cilat kërkojnë mbështetje;

c) Trajton, në bashkëpunim me ministritë e linjës dhe institucionet e varësisë, propozimet dhe idetë për projekte e reforma të qeverisë;

ç) Trajton dhe organizon kërkesat për interpelancë drejtuar Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit, ministrave specifikë apo një grupi prej tyre;

d) Trajton dhe analizon vlerësimet e qytetarëve për cilësinë e shërbimit të ofruar nga administrata publike;

dh) Trajton e koordinon, në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet e varësisë, iniciativat e qytetarëve në fushën e arsimit, lidhur me projekte në dobi të shkollave publike;

e) Trajton e koordinon, në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet e varësisë, denoncimet për sjelljet abuzive apo korruptive, të ardhura nga qytetarët dhe sipërmarrja;

ë) Bashkëpunon me ministritë e linjës, institucionet e varësisë, shoqërinë civile, institucionet ndërkombëtare, në mbështetjen dhe promovimin e projekteve, aktiviteteve, nismave, bashkëpunimeve për një shoqëri të institucioneve të hapura dhe të dialogut të gjerë;

f) Bashkëpunon me ministritë e linjës, institucionet e varësisë, shoqërinë civile, institucionet ndërkombëtare të shkencës, arsimit, artit, kulturës, në mbështetje dhe për promovimin e një imazhi të ri për vendin tonë e rajonin, si simbole të bashkëjetesës paqësore dhe udhërrëfyes në ndërtimin e saj;

g) Zbaton e kontribuon në strategjitë dhe politikat e qeverisë në mbështetje të studiuesve, artistëve, rinisë, qendrave të ekselencës, të hulumtimit dhe komunikimit;

gj) Zbaton strategjitë qeveritare për krijimin e mjeteve dhe kontribuon për mbështetjen e nismave inovative të dialogut, bashkëpunimit e të bashkëjetesës në rajonin tonë;

h) Zhvillon bashkëpunime dypalëshe dhe shumëpalëshe me sektorin publik e privat, vendas dhe të huaj, në shërbim të misionit të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi;

i) Kontribuon në krijimin e kushteve për bashkëpunimin e intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet politikëbërësve dhe akademikëve, ekspertëve të shquar ndërkombëtarë, personaliteteve në fusha të ndryshme;

j) Kontribuon në zhvillimin e politikave, të legjislacionit, strategjive për inovacionin, krijimtarinë, transparencën, arsimin, rininë, shkencën, artin, kulturën, grupet vulnerable, për institucione më pranë qytetarëve dhe shoqërisë civile;

k) Propozon e inicion nisma dhe menaxhon qendra në përmbushje të misionit të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, brenda dhe jashtë vendit, mbështetur në legjislacionin shqiptar ose në bazë të marrëveshjeve dy-a shumëpalëshe;

l) Realizon dhe financon projekte inovative të studentëve, studiuesve, artistëve, kuratorëve, gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, për sigurimin e mjeteve e të mundësive për ndikimin e politikave publike dhe krijimin e një dialogu të gjerë, që siguron institucione të hapura, transparente e më pranë qytetarëve.

4. Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje është institucion buxhetor dhe financohet nga:

a) buxheti i shtetit;

b) burime të tjera të ligjshme.

5. Organet e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje janë:

a) Drejtori i Përgjithshëm (organ drejtues);

b) Bordi Këshillimor.

6. Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e agjencisë.

7. Drejtori i Përgjithshëm emërohet, shkarkohet dhe lirohet nga detyra me urdhër të Kryeministrit.

8. Bordi Këshillimor është organ kolegjial këshillimor, që drejtohet me rotacion 6-mujor nga anëtarët e tij.

9. Bordi Këshillimor miratohet me urdhër të Kryeministrit dhe përbëhet nga 15 anëtarë, shqiptarë e të huaj, të njohur për veprimtari në lidhje me misionin dhe fushat e veprimit të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

10. Bordi Këshillimor ka në përbërje të tij:

– anëtarë/drejtues të organizatave shqiptare të shoqërisë civile;

–  pjesëtarë të trupit diplomatik, të akredituar në Shqipëri;

– anëtarë/drejtues të dhomave/unioneve të tregtisë shqiptare dhe të huaja;

– ekspertë, akademikë, profesorë të universiteteve prestigjioze, shqiptare dhe të huaja;

– përfaqësues të institucioneve të ngjashme, publike ose private, të vendeve të tjera;

– ekspertë të njohur, të huaj dhe vendas, me kontribut ose potencial për kontribut në misionin e agjencisë.

11. Bordi Këshillimor ka këto funksione:

a) Propozon ndryshime në kalendarin e aktiviteteve të agjencisë dhe miraton raportin e veprimtarisë, i cili i dërgohet Kryeministrit dhe bëhet publik;

b) Propozon aktivitete, programe, projekte për agjencinë;

c) Sugjeron ndryshime në programet, financimet dhe projektet, në të cilat përfshihet agjencia;

ç) Ka të drejtë të japë vlerësime për të gjitha llojet e kontratave, në të cilat përfshihet agjencia.

d) Ka të drejtë të japë sugjerime për përfaqësimin e agjencisë pranë palëve të treta;

dh) I sugjeron agjencisë angazhime në marrëdhënie dypalëshe e shumëpalëshe me palë të treta, brenda dhe jashtë vendit.

12. Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje mbështetet, për çështjet e përmbajtjes e të vlerësimit të programeve e projekteve, në ekspertizën e anëtarëve të Bordit Këshillimor ose në ekspertizën e komisioneve të programeve e të projekteve që propozohen nga drejtori i Përgjithshëm, në konsulencë me bordin dhe në përputhje me rregulloren e funksionimit të kësaj agjencie.

13. Struktura dhe organika e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje miratohet me urdhër të Kryeministrit, sipas legjislacionit në fuqi.

14. Funksionimi i Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje rregullohet në përputhje me rregulloren e funksionimit të kësaj agjencie, e cila përgatitet nga drejtori i Përgjithshëm, në bashkëpunim me bordin, dhe miratohet me urdhër të Kryeministrit.

15.Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të agjencisë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.

16. Buxheti për vitin 2017, projektet në zbatim, dokumentacioni dhe pajisjet e Agjencisë së Menaxhimit të Qendrave për Hapje dhe Dialog (AMQDH), krijuar me vendimin nr.814, datë 7.10.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Menaxhimit të Qendrave për Hapje dhe Dialog (AMQHD)”, i transferohen Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

17. Nëpunësit ekzistues të strukturës aktuale të Agjencisë së Menaxhimit të Qendrave për Hapje dhe Dialog (AMQHD), transferohen pranë Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

18. Vendimi nr.814, datë 7.10.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Menaxhimit të Qendrave për Hapje dhe Dialog (AMQHD)”, shfuqizohet.

19. Ngarkohen Kryeministria, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

EMËRIM NË DETYRË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të  ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Znj. Besa Shahini emërohet zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

EMËRIM NË DETYRË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Znj. Valbona Shujaku emërohet zëvendësministër i Kulturës.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

EMËRIM NË DETYRË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Z. Hajrulla Çeku emërohet zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

PROPOZIMIN KUVENDIT PËR EMËRIMIN E NJË ANËTARI TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE DHE POSTARE

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 114, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin Kuvendit për emërimin e z. Ilir Zela anëtar të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TUNIZISË, PËR HEQJEN E VIZAVE PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Tunizisë, për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

RUAJTJEN DHE MBROJTJEN E ANËTARËVE TË INSTITUCIONEVE TË RIVLERËSIMIT KALIMTAR TË GJYQTARËVE  DHE PROKURORËVE, TË PERSONELIT VENDAS DHE NDËRKOMBËTAR, TË OBJEKTEVE KU USHTROJNË VEPRIMTARINË, SI DHE INSPEKTORIT TË PËRGJITHSHËM   TË INSPEKTORATIT TË LARTË TË DEKLARIMIT DHE KONTROLLIT TË PASURIVE DHE KONFLIKTIT  TË INTERESAVE, NGA GARDA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “c” e “ç”, të  nenit 4, të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Garda e Republikës së Shqipërisë të ruajë dhe të mbrojë, me truprojë/shofer (nënoficer), si më poshtë vijon:

a) Kryetarin dhe komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit;

b) Kryetarin dhe gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit;

c) Komisionerët Publikë;

ç)  Vëzhguesit ndërkombëtarë të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit;

d) Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

2. Garda e Republikës së Shqipërisë të ruajë dhe të mbrojë objektet (mjediset e punës), ku ushtrojnë veprimtarinë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisionerët Publikë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË ORGANIKËS SË AGJENCISË SË AUDITIMIT TË PROGRAMEVE TË ASISTENCËS, AKREDITUAR NGA BASHKIMI EVROPIAN, NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 21, të  ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” dhe të pikës 4, të nenit 6, të ligjit nr.90/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Struktura e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, të jetë sipas skemës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Organika e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, të jetë sipas skemës 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Numri i punonjësve të Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, të jetë gjithsej 21 veta.

4. Vendimi nr.930, datë 28.12.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, në Republikën e Shqipërisë”, shfuqizohet.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2018.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.