Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 06 Shkurt 2019:

 

V E N D I M

PËR

KRITERET DHE MËNYRËN E ZONIMIT TË TERRITORIT TË NJË ZONE TË MBROJTUR MJEDISORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 47, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. TË PËRGJITHSHME PËR ZONIMIN E TERRITORIT TË ZONËS SË MBROJTUR MJEDISORE (ZMM)

1. Qëllimi i përgjithshëm i sistemit të zonave të mbrojtura mjedisore është rritja e efektivitetit të ruajtjes in-situ të biodiversitetit, nëpërmjet qasjes dhe të kuptuarit të rolit të Zonës së Mbrojtur Mjedisore (ZMM) në përmbushjen e angazhimeve kombëtare të konservimit të biodiversitetit, në përputhje me objektivat e menaxhimit, të caktuar në dokumentet strategjike të mjedisit dhe biodiversitetit.

2. Sistemi i nënzonimit të territorit të zonës së mbrojtur mjedisore krijohet për të bërë sa më të qarta e të sakta rregullat dhe kufizimet për këtë zonë të mbrojtur mjedisore, për të rregulluar/harmonizuar menaxhimin e vlerave të zonës me intensitetin e ndryshëm të aktiviteteve njerëzore, në kuadrin e një standardi të pranuar për nënzonimin e territorit, duke marrë në konsideratë vendndodhjen, karakteristikat tipike të rajoneve biogjeografike si dhe statusin e mbrojtjes së territorit.

3. Sipërfaqja e zonës së mbrojtur mjedisore për kategoritë “Park Kombëtar”, “Rezervat natyror i menaxhuar/Park natyror” dhe “Peizazh i mbrojtur” ndahet në nënzona, administrimi i të cilave mbështetet në gjendjen, rëndësinë e biodiversitetit, të ekosistemeve, habitateve, llojeve floristike e faunistike, të peizazhit, veprimtarive ekonomike, sociale, argëtuese, sportive, historiko-kulturore dhe ekoturistike.

4. Për zonat e mbrojtura të kategorive “Rezervë strikte natyrore/rezervat shkencor” dhe “Monument natyror” nuk do ketë zonim të brendshëm, por vetëm lejim të aktiviteteve të përkohshme turistike, me miratimin e ministrit, nëpërmjet planit të menaxhimit. Me qëllim parandalimin ose zbutjen e ndikimeve ekologjikisht të dëmshme në mjediset dhe elementet e rëndësishme të tyre, krijohet një zonë buferike, me gjerësi deri në 200 metra, nga perimetri jashtëm i zonës së mbrojtur, ku lejohen vetëm aktivitetet konservuese të përshtatshme.

5. Procesi i zonimit është një formë e rregullimit të përdorimit të territorit të zonës së mbrojtur mjedisore (bujqësore, pyjore, kullosore, ujore, lagunore, liqenore, bregdetare, detare, malore, joprodhuese, urbane/troje, etj.), që përfshin ndarjen në nënzona me status mbrojtjeje të ndryshëm, duke marrë parasysh kriteret e Unionit Botëror për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), përcaktimin e objektivave të menaxhimit të ZMM-së, rregullimin publik e privat të karakterit dhe intensitetit të përdorimit të tyre, në përputhje me ruajtjen e vlerave ekologjike, të biodiversitetit, peizazhit dhe zhvillimin e qëndrueshëm e të balancuar të territorit e të burimeve natyrore.

6. Ndarja në nënzona e territorit të ZMM-së duhet të konsiderohet si zgjidhje e pranueshme nga komuniteti, privatët, OJF-të mjedisore dhe institucionet shtetërore e kërkimore-shkencore, subjektet ekonomike për ruajtjen e natyrës, të biodiversitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, të prodhimeve e veprimtarive tradicionale e të turizmit.

II. OBJEKTIVAT KRYESORË TË ZONIMIT

1. Procesi i zonimit të një sipërfaqejeje të ZMM-së është kompleks, delikat dhe kërkon mirëcaktimin e veprimeve, mbështetje shkencore, teknike, materiale dhe integrimin e përvojave më të mira në kushte konkrete të zhvillimeve social-ekonomike, planit të përgjithshëm të planifikimit të territorit, politikave, programeve për ruajtjen e natyrës e të përparësive përkatëse rajonale.

2. Në zhvillimin e këtij procesi merren në konsideratë këta objektiva kryesorë:

a) Sigurimi i mbrojtjes për habitatet dhe llojet kritike apo tipike e simbolike të ekosistemeve, proceset ekologjike si dhe për rastet unike gjeomorfologjike nga shqetësimi e keqpërdorimi për interesa publike e private;
b) Realizimi i ndarjes së përdorimeve të papajtueshme me njëri-tjetrin dhe të aktiviteteve konfliktuale të njerëzve;
c) Dhënia prioritet përdorimeve apo qëllimeve specifike në nënzona të ndryshme dhe ruajtja e zonave të përshtatshme për përdorime të veçanta nga njeriu, duke minimizuar dukuritë e këtyre përdorimeve në zonën e mbrojtur;
ç) Ruajtja e cilësisë peizazhore dhe/ose kulturore/arkeologjike e ZMM-së, duke lejuar një spektër përdorues të qëndrueshëm nga njeriu;
d) Ruajtja e zonave të përshtatshme për përdorime të veçanta nga njeriu, duke minimizuar dukuritë e këtyre përdorimeve në ZMM;
dh) Ruajtja e disa pjesëve të ZMM-së në gjendjen e tyre natyrore apo gjysmënatyrore, të pashqetësuara nga njeriu, vetëm për qëllime të hulumtimit shkencor apo edukimit.

III. KRITERET E ZONIMIT TË ZMM-së

1. Menaxhimi i zonave të mbrojtura mjedisore në mënyrë të efektshme arrihet duke përshtatur modele të administrimit nënzonues si metodat më të mira për ZMM-të në vendin tonë, të cilat janë edhe të banuara, me shumëllojshmëri veprimtarish sociale, ekonomike e turistike, etj., dhe si një mënyrë e sigurimit të mbrojtjes së zonave vitale natyrore dhe arritjes së standardeve të dëshiruara.

2. Në përcaktimin e nënzonave të ZMM-ve mbahen parasysh këto kritere:

a) Vlerat biologjike të peizazhit dhe gjendja e natyrës së ZMM-së;
b) Ndjeshmëritë ekologjike, hasja e llojeve dhe habitateve të rralla apo të kërcënuara;
c) Gjendja e natyralitetit, diversiteti, aftësia për t’u konservuar, paraqitja estetike, arritshmëria dhe qartësia;
ç) Vlerat kërkimore-shkencore dhe didaktike;
d) Përmasat, pazëvendësueshmëria, rreziku i dëmtimit dhe faktorët brenda dhe jashtë zonës, që ndikojnë në menaxhimin e ZMM-së;
dh) Menaxhimi ekzistues dhe gjendja e infrastrukturës, intensiteti dhe lloji i përdorimit të saj;
e) Banuesit ekzistues, të drejtat dhe pronësia;
ë) Presioni i aktiviteteve njerëzore, shërbimet mbështetëse ekzistuese të biznesit dhe turizmit;
f) Koncepti i përdorimit të qëndrueshëm;
g) Mundësitë për të arritur marrëveshje me përdoruesit dhe komunitetin;
gj) Vlerat e trashëgimisë kulturore, kombëtare, të shpallura.

IV. MËNYRA DHE METODOLOGJIA E ZONIMIT TË SIPËRFAQES SË ZMM-së

IV. 1. Mënyra e zonimit të sipërfaqes së ZMM-së

1. Procesi i nënzonimit të territorit të ZMM-së ndjek këta hapa:

a) Kryerja e një pune paraprake për zgjedhjen/përcaktimin e nënzonave dhe hedhjen e tyre në harta bazë të territorit;
b) Mbledhja e informacionit të plotë e të nevojshëm mbi natyrën, biodiversitetin, përdorimin e zonës, nevojat e komunitetit dhe jetesën e tyre;
c) Hartimi i një liste të faktorëve dëmtues e kërcënues për ZMM-në, nëpërmjet analizës SWOT (strength, weakness, opportunities and threats);
ç) Grumbullimi i informacionit nëpërmjet kontaktit me institucionet përkatëse (faza e hulumtimit), studimeve të kryera, literaturës, raporteve zyrtare të publikuara si dhe vëzhgimeve në terren;
d) Përgatitja e projektplanit të nënzonimit (përgatitja e hartave digjitale) konsultimi me aktorët e interesuar, komunitetin, për saktësinë dhe përshtatshmërinë e përmbajtjes së planit të nënzonimit të propozuar;
dh) Shqyrtimi i projektplanit të nënzonimit me aktorët e interesuar dhe komunitetin;
e) Reflektimi i komenteve në projektplanin e nënzonimit dhe materialet shpjeguese përkatëse;
ë) Finalizimi i projektplanit të nënzonimit dhe paraqitja e zonimit të brendshëm të zonës së mbrojtur mjedisore që do të përcillet në Këshillin e Ministrave për t’u miratuar.

2. Krijimi i inventarit mjedisor përbën hapin e parë drejt njohjes së përbërësve natyrorë, në të cilin përfshihen ajri, toka, ujërat, klima, flora, fauna, infrastruktura, qendrat e banuara dhe industriale, tërësia e ndërveprimeve me njëra-tjetrën si dhe trashëgimia historike, kulturore, arkeologjike e shpirtërore, si pjesë e mjedisit të krijuar nga njeriu.

Inventari mjedisor merr parasysh kufijtë e zonifikimit të qendrave historike, ansambleve historike, zonave dhe parqeve arkeologjike, monumenteve të kulturës, peizazhit kulturor dhe zonave të mbrojtura të tyre, të shpallura si të tilla, si dhe rregullat për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre.

3. Analizimi i gjendjes aktuale të mjedisit në ZMM merr në konsideratë një sërë komponentësh, përbërës të ZMM-së, të kategorizuar në fiziko-topografik, natyror, urban, rural, industrial, të trashëgimisë dhe peizazhit kulturor etj.

4. Qasja e analizës së peizazhit të zonës së mbrojtur mjedisore duhet të jetë ekologjiko-mjedisore dhe në procesin e zonimit duhet të përmblidhen, si më poshtë vijon:

a) Njohja me funksionet e peizazhit, të cilat janë jo vetëm estetike, por, mbi të gjitha, jetësore dhe ekonomike;
b) Formulimi i strategjive peizazhiste, të cilat, ndërsa rrisin cilësinë e ekosistemeve estetike të hapësirës, garantojnë që funksionet jetësore, biologjike dhe ekonomike të peizazhit të ruhen, në funksion të aftësisë vetëripërtëritëse të një territori;
c) Garantimi i shumëllojshmërive biologjike e peizazhiste, nëpërmjet bimësisë, biodiversitetit dhe gjeomorfologjisë lokale me mirëmbajtje të ulët dhe që ndjell peizazhin autokton;
ç) Ruajtja e karakteristikave vizuale të hapësirave natyrore e bujqësore, pyjore, kullosore, liqenore, ujore, bregdetare, fushore-malore, urbane dhe rurale, me karakter mesdhetar;
d) Rritja e mundësisë së përdorimit të aseteve biologjike e peizazhistë, nëpërmjet prezantimit të funksioneve që tërheqin njerëzit dhe turistët, si përdorues të tyre;
dh) Sigurimi i zonave “tampon”/zonave mbrojtëse për uljen e dëmtimeve, të ndotjes, shkarkimeve, zhurmës, zjarreve, erës dhe faktorëve të tjerë njerëzorë e natyrorë;
e) Formulimi i rregullave të zhvillimit të tokës, përfshirë ato arkitektonike, në mënyrë të tillë që të mos ndikohen negativisht funksionet e ZMM-ve, të biodiversitetit dhe peizazhit.

5. Në procesin e studimit të zonimit duhet të merren parasysh edhe:

a) zonat në rrezik: nga urbanizimi, transporti, ndotja, erozioni, rrëshqitjet, përmbytjet etj.;
b) funksionet natyrore të peizazhit: ekosisteme, habitate, lloje, burime, monumente natyrore, estetik/kulturor, arkeologjik etj;
c) cilësia natyrore: e dëmtuar ose jo, mosha, ndotja, biodiversiteti në rrezik, funksione të dëmtuara të ekosistemit etj;
ç) madhësia dhe forma e elementeve;
d) struktura: diversiteti i specieve, forma dhe orientimi, mundësitë për lëvizje, konfigurimi etj.;
dh) identifikimi i trupave ujorë si zona të ndjeshme: liqenet natyrore me ujë të ëmbël, ujëra të tjera të ëmbla, estuaret, lagunat, rezervuaret dhe ujërat detare-bregdetare, të cilat janë eutrofike ose të cilat mund të kthehen në të ardhmen e afërt në të tilla, nëse nuk ndërmerren masa për mbrojtjen e tyre; ujërat e ëmbla nën/dhe sipërfaqësore, të destinuara për ujë të pijshëm, sanitar etj.

6. Përbërës i procesit të nënzonimit është edhe vëzhgimi në terren, i cili:

a) duhet të konsiderohet si një metodë që ndihmon dhe ballafaqon një numër të madh analizash të thelluara, në kuadër të hartimit të planit dhe procesit të nënzonimit;
b) ka, kryesisht, si bazë të informacionit studimet shkencore mbi mjedisin, të publikuara nga institucione publike apo shkencore, nga organizata kombëtare e ndërkombëtare, organizata profesionale dhe joqeveritare të ndryshme etj.;
c) pason fazën e hulumtimeve të dokumentacionit dhe ka si qëllim të verifikojë nëse njohja e karakteristikave të territorit nëpërmjet literaturës përkon me atë aktuale si dhe çështje të tjera mjedisore, që nuk janë hasur në dokumente dhe literaturë.

7. Përcaktimi i nënzonave të territorit të ZMM-së duhet të përgatitet në mënyrë të digjitalizuar, duke përdorur ortofotot e Republikës së Shqipërisë, burime të tjera zyrtare apo edhe studime pjesore në terren, si:

a) harta fizike dhe përshkrimi i qartë i kufirit topografik të territorit të ZMM-së (maja, kurrize, lugina, rrugët dhe shenja të tjera topografike, duke përdorur koordinatat UTM-GPS);
b) harta e ndarjes administrative;
c) harta e shpërndarjes së sipërfaqes të ZMM-së sipas pjerrësisë dhe lartësisë;
ç) harta e përdorimit të territorit;
d) harta e mbulesës vegjetative;
dh) harta e habitateve të ZMM-së sipas rëndësisë së zonave me interes për komunitetin, duke identifikuar dukuritë e tipave të habitateve, llojet dhe habitatet parësore sipas kodit, të shoqëruar me listën e florës e të faunës së egër në përbërje të tyre, vëzhgimin e listës së kuqe dhe të statusit të kërcënimit;
e) harta e pasurive të trashëgimisë kulturore (qendrave historike, ansambleve historike, zonave dhe parqeve arkeologjike, monumenteve të kulturës dhe zonave të mbrojtura të tyre), të shpallura si të tilla, duke marrë parasysh në përcaktimin e nënzonave të territorit të ZMM-së kufijtë e zonifikimit të këtyre qendrave;
ë) harta e pasurisë dhe objekteve shpirtërore e ekoturistike;
f) harta e rrugicave, shtigjet për kalimin e banorëve, të vizitorëve, turistëve, rrugët detare, të lejuara për kalimin e mjeteve lundruese, dhe ato sportive e argëtuese; rrugët për shtegtimin e bagëtive, burimet ujore etj.
8. Procesi i nënzonimit të zonës së mbrojtur mjedisore drejtohet nga ministria përgjegjëse për mjedisin dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim me specialistë të fushës, institucione lokale ose qendrore, të gjithë aktorët e interesuar dhe organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal ose kombëtar.

9. Ndarja, rregullimi i përdorimit të nënzonave të administrimit dhe caktimi i kufijve të tyre fizikë përcaktohet nëpërmjet një procesi analitik të studimeve të kryera dhe të vlerësimit të shtresave të hartave të prodhuara, të digjitalizuara, të cilat bazohen në objektivat kombëtarë, rajonalë e vendorë të zhvillimit të rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura.

IV. 2. Procesi i shënimit dhe hartografimit të nënzonave

1. Koncepti i nënzonimit për një zonë të mbrojtur mjedisore paraqitet në dy forma të detyrueshme, që janë:

a) pjesa përshkruese;
b) pjesa hartografike.

2. Në nënzonat e administrimit, krahas emërtimit të plotë, përdoren edhe shkurtime, si më poshtë vijon:

a) Nënzona qendrore (ZQ);
b) Nënzona e përdorimit tradicional dhe të qëndrueshëm (ZPTQ), ose të ndara:

i. nënzona e përdorimit tradicional (PT);
ii. nënzona e përdorimit të qëndrueshëm (PQ).

c) Nënzona e rekreacionit (ZR);
ç) Nënzona buferike (ZB);
d) Nënzona e trashëgimisë dhe peizazhit kulturor (ZTPK).

3. Shënimi i nënzonave është krijuar si i tillë që të jetë i pagabueshëm në harta me ngjyra dhe bardhëezi apo dhe në kopjet bardhëezi të hartave me ngjyra, duke ndjekur kodin e ngjyrave dhe shenjat grafike, sipas paraqitjes në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

IV. 3. Metodologjia dhe zhvillimi i planit për nënzonimin e zonave të mbrojtura mjedisore
Të gjitha çështjet, të cilat përfshihen në metodologjinë e punës që do ndiqet për nënzonimin e zonës së mbrojtur mjedisore, janë paraqitur në shtojcën 1, që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.

V. TË FUNDIT

Ngarkohen ministria përgjegjëse për zonat e mbrojtura dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AUTORITETIT KOMBËTAR TË USHQIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 65, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Z. Agim Ismaili, drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Agron Hetoja emërohet drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË MBI PARCELAT E OBJEKTEVE TË LEGALIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë, në favor të subjekteve përfituese, për 200 (dyqind) parcela ndërtimore të objekteve të legalizuara, që preken prej tyre, sipas shtojcës që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Numri i parcelave ndërtimore për të cilat miratohet kalimi i pronësisë sipas qarqeve është, si më poshtë vijon:

a) Për Qarkun Dibër (ZVRPP Dibër, Bulqizë, Mat), numri i parcelave ndërtimore është 63 (gjashtëdhjetë e tre), me sipërfaqe të përgjithshme 15 278 (pesëmbëdhjetë mijë e dyqind e shtatëdhjetë e tetë) m²;
b) Për Qarkun Lezhë (ZVRPP Lezhë, Kurbin), numri i parcelave ndërtimore është 15 (pesëmbëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 4 781 (katër mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e një) m²;
c) Për Qarkun Shkodër (ZVRPP Shkodër), numri i parcelave ndërtimore është 3 (tre), me sipërfaqe të përgjithshme 614 (gjashtëqind e katërmbëdhjetë) m²;
ç) Për Qarkun Tiranë (ZVRPP Tiranë), numri i parcelave ndërtimore është 61 (gjashtëdhjetë e një), me sipërfaqe të përgjithshme 17 639 (shtatëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e nëntë) m²;
d) Për Qarkun Durrës (ZVRPP Durrës), numri i parcelave ndërtimore është 58 (pesëdhjetë e tetë), me sipërfaqe të përgjithshme 21 767 (njëzet e një mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e shtatë) m².

3. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Dibër, Bulqizë, Mat, Lezhë, Kurbin, Shkodër, Tiranë, Durrës, të regjistrojnë, brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, kalimin e së drejtës së pronësisë së parcelave ndërtimore dhe hipotekën ligjore mbi to, në përputhje me përcaktimet e pikave 15 e 16, të vendimit nr.1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, si dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”.

4. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të përmendura në pikën 3, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.325, DATË 19.3.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PRANIMIN NË VEPRIMTARINË E OPERATORIT TË TRANSPORTIT RRUGOR TË MALLRAVE DHE TË UDHËTARËVE, SI DHE PËR NJOHJEN E DOKUMENTEVE ZYRTARE TË CAKTUARA PËR KËTA OPERATORË” , TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në rregulloren që i bashkëlidhet vendimit nr.325, datë 19.3.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

I. Kudo në tekst, emërtimi “Qendra Kombëtare e Licencimit” dhe termi “QKL” zëvendësohen përkatësisht me “Qendra Kombëtare e Biznesit” dhe “QKB”.

II. Në kapitullin II bëhen këto ndryshime:

1. Shkronja “a”, e pikës 5.2, riformulohet, si më poshtë vijon:

“a) Jo më pak se 9 000 (nëntë mijë) euro, për mjetin e parë, dhe 5 000 (pesë mijë) euro, për çdo mjet shtesë të autorizuar për t’u përdorur në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe udhëtarëve;”.

2. Pika 5.4 riformulohet, si më poshtë vijon:
“5.4. Kushti në lidhje me kapitalin minimal të vlefshëm dhe rezervë të qëndrueshmërisë financiare të veprimtarisë së ndërmarrjes në transportin rrugor ndërkombëtar të mallrave dhe udhëtarëve, i përcaktuar sipas shkronjës “a”, të pikës 5.2, do të zbatohet nga data 1 mars 2019.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E KALENDARIT TË MENAXHIMIT TË SHPENZIMEVE PUBLIKE PËR VITIN 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e kalendarit të menaxhimit të shpenzimeve publike për vitin 2019, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Departamenti i Zhvillimit dhe Mirëqeverisjes në Kryeministri si dhe të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2019.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M 

PËR

MIRATIMIN E PROGRAMIT TË REFORMAVE EKONOMIKE (ERP) 2019-2021

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e Programit të Reformave Ekonomike (ERP) 2019-2021, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M 

PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË PËR KONTROLLIN E ARMËVE TË VOGLA, TË LEHTA, MUNICIONEVE DHE EKSPLOZIVËVE 2019-2024 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT 2019-2021

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta, Municioneve dhe Eksplozivëve 2019-2024 dhe të planit të veprimit 2019-2021, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore, për të cilat në Strategji dhe në planin e veprimit janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE DOKUMENTACIONIT PËR AUTORIZIMIN E ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE, QË OFROJNË NDIHMË JURIDIKE PARËSORE TË GARANTUAR NGA SHTETI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 15, të ligjit nr.111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Përcaktimin e procedurave dhe dokumentacionit për autorizimin e organizatave jofitimprurëse, që ofrojnë ndihmë juridike parësore të garantuar nga shteti, sipas parashikimeve të këtij vendimi.

2. Organizatat jofitimprurëse japin shërbime të ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti, në përputhje me autorizimin e miratuar nga ministri i Drejtësisë.

3. Kriteret ligjore, që duhet të përmbushin organizatat jofitimprurëse që autorizohen për dhënien e shërbimeve të ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti, janë ato të përcaktuara në nenin 15, të ligjit nr.111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”.

4. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas bën publik njoftimin për aplikim, i cili përmban adresat e komunikimit, dokumentacionin që duhet të depozitohet, afatin, i cili duhet të jetë jo më pak se 30 (tridhjetë) ditë nga data e njoftimit, dhe vendin e dorëzimit të tyre, si dhe të dhëna të tjera të nevojshme për aplikimin për autorizim. Ky njoftim publikohet në faqen zyrtare të këtij institucioni, të Ministrisë së Drejtësisë dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare.
5. Dokumentacioni që duhet të depozitojnë organizatat jofitimprurëse, që aplikojnë për marrjen e autorizimit që lëshohet nga ministri i Drejtësisë, për të ofruar shërbime të ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti, përmban:
a) aktin e regjistrimit në gjykatë;
b) kopjen e statutit, ku specifikohet si pjesë e veprimtarisë ofrimi i ndihmës juridike;
c) dokumentacionin që provon përvojë në ofrimin e ndihmës juridike parësore, të paktën në 3 (tri) vite të veprimtarisë së tyre, duke përfshirë, si më poshtë vijon:

i. listën e plotë të projekteve të ndihmës juridike parësore të zhvilluara nga organizata gjatë 3 (tri) viteve dhe të dhëna statistikore për përfituesit e ndihmës parësore;
ii. raportet përfundimtare për secilin nga projektet e listuara, si dhe pasqyrat financiare;
iii. buxhetin total të secilit projekt, donatorët përkatës, si dhe listën e ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm të përfshirë në këto projekte;
iv. letra vlerësimi nga të paktën 2 (dy) subjekte përfituese;

ç) vërtetimin nga organet tatimore që i ka përmbushur në mënyrë të rregullt detyrimet;
d) vërtetim nga gjykata se nuk është në procedurë falimenti dhe/ose likuidimi;
dh) vërtetim nga prokuroria dhe gjykata se anëtarët e organit më të lartë vendimmarrës dhe të organit ekzekutiv nuk janë në proces hetimi apo gjykimi për çështje që cenojnë besimin e publikut dhe ofrimin e përshtatshëm të ndihmës juridike;
e) formularin e gjendjes gjyqësore të anëtarëve të organit më të lartë vendimmarrës dhe të organit ekzekutiv.

6. Aplikimi për autorizim i shoqëruar me dokumentacionin e përcaktuar në pikën 5 të këtij vendimi dorëzohet pranë Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, e cila vlerëson nëse aplikimi është kryer brenda afatit të caktuar në njoftim, shqyrton përmbushjen e kritereve ligjore dhe verifikon dokumentacionin e dorëzuar.

7. Aplikimet e paraqitura jashtë afatit nuk kualifikohen. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas njofton aplikuesit nëpërmjet postës elektronike lidhur me këtë disponim.
8. Në rast të konstatimit të mungesës së dokumentacionit, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas njofton aplikuesin për dorëzimin e dokumentacionit plotësues brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e njoftimit. Mossjellja e dokumentacionit plotësues brenda këtij afati passjell shkualifikimin.
9. Procedura e verifikimit të kritereve ligjore dhe e vlerësimit të aplikimit për autorizim bëhet në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative. Procedura e shqyrtimit të aplikimit zhvillohet brenda një afati të arsyeshëm, por, në çdo rast, jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga data e përfundimit të afatit të njoftimit, sipas pikës 4 të këtij vendimi.

10. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas verifikon dokumentacionin e paraqitur nga aplikuesit për marrjen e autorizimit dhe, në përfundim, përgatit një relacion vlerësues për secilën organizatë jofitimprurëse që ka aplikuar. Relacioni përmban të dhënat e dokumentacionit të paraqitur, vlerësimin mbi përmbushjen ose jo të kritereve ligjore dhe propozimin përkatës.

11. Propozimi i shoqëruar me relacionin vlerësues i paraqitet ministrit të Drejtësisë, i cili, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e përfundimit të procedurës së verifikimit dhe vlerësimit të aplikimit, miraton ose jo dhënien e autorizimit.

12. Aplikimi për autorizim nuk miratohet kur organizata jofitimprurëse nuk plotëson kriteret ligjore të përcaktuara në nenin 15, të ligjit nr.111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”. Me kërkesën e saj, organizatës jofitimprurëse i njoftohen shkaqet e shkualifikimit.

13. Organizata jofitimprurëse që ngre pretendime për plotësimin e kritereve ligjore ka të drejtën e ankimit pranë ministrit të Drejtësisë, duke paraqitur arsyet dhe dokumentacionin mbështetës brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e njoftimit. Ky afat mund të zgjatet për rrethana të arsyeshme, të cilat nuk lidhen me disponueshmërinë e organizatës jofitimprurëse. Ministri i Drejtësisë shqyrton ankesat dhe njofton organizatën jofitimprurëse lidhur me to brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e regjistrimit të ankimit pranë Ministrisë së Drejtësisë. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në gjykatën administrative kompetente.

14. Autorizimi i dhënë nga ministri i Drejtësisë është i vlefshëm për një periudhë dyvjeçare.

15. Ministria e Drejtësisë publikon listën e organizatave jofitimprurëse të autorizuara që ofrojnë shërbime të ndihmës juridike parësore në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, listë e cila hartohet dhe përditësohet nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas mbi bazën e të dhënave të regjistrit që mban kjo drejtori.

16. Ministri i Drejtësisë, me propozimin e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, mund të revokojë autorizimin e dhënë një organizate jofitimprurëse në rast se vërteton, kryesisht, apo bazuar në faktet e parashtruara në ankesat e paraqitura pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe informacionet e Drejtorisë së Ndihmës Juridike:

a) mospërmbushjen në mënyrë të përsëritur të ofrimit të shërbimeve të ndihmës juridike parësore;
b) paraqitjen me qëllim të të dhënave të pasakta gjatë procesit të verifikimit të cilësisë së ofrimit të shërbimit të ndihmës juridike parësore;
c) mungesën e respektimit të standardeve dhe cilësisë së shërbimit të ndihmës juridike të ofruar;
ç) se anëtarët e organit më të lartë vendimmarrës dhe të organit ekzekutiv të organizatës jofitimprurëse nuk janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale me dashje dhe që do të cenonte besimin e publikut dhe ofrimin e përshtatshëm të ndihmës juridike.

17. Revokimi i autorizimit i njoftohet organizatës jofitimprurëse, si dhe publikohet në faqen zyrtare të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në gjykatën administrative kompetente.

18. Çdo e dhënë lidhur me miratimin apo revokimin e autorizimit të organizatës jofitimprurëse regjistrohet në regjistrin e organizatave jofitimprurëse, të cilat ofrojnë ndihmë juridike parësore që administron Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas.

19. Organizata jofitimprurëse e autorizuar për dhënien e shërbimeve të ndihmës juridike parësore njofton menjëherë Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas për ekzistencën e rrethanave dhe fakteve, të cilat e bëjnë të pamundur ose e vështirësojnë ofrimin e shërbimit të ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti, me qëllim që kjo e fundit të marrë masa për të siguruar një ofrim të pandërprerë të shërbimit të ndihmës juridike parësore.

20. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ERION BRAÇE 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.