Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 07 Nëntor 2018:

 

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.511, DATË 10.6.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “NYJA LIDHËSE MILOT – LEZHË, MILOT – RRËSHEN DHE MILOT – THUMANË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.511, datë 10.6.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat, si më poshtë vijon:

a) Pas tabelës së përmendur në pikën 3 shtohet tabela 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

b) Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:

“3/1. Vlerës totale të shpronësimit për pasuritë e llojit “objekte”, “tokë arë” dhe “kultura bujqësore e drufrutorë” i shtohet shuma prej 4 430 550 (katër milionë e katërqind e tridhjetë mijë e pesëqind e pesëdhjetë) lekësh, e cila ndahet, si më poshtë vijon:
a) Vlera prej 3 212 434 (tre milionë e dyqind e dymbëdhjetë mijë e katërqind e tridhjetë e katër) lekësh, për pasurinë e llojit “objekte”;
b) Vlera prej 228 516 (dyqind e njëzet e tetë mijë e pesëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekësh, për pasurinë e llojit “tokë arë”, me sipërfaqe 822 (tetëqind e njëzet e dy) m2;
c) Vlera prej 989 600 (nëntëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind) lekësh, për pasurinë e llojit “kultura bujqësore e drufrutorë”.”.

c) Pas pikës 4 shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:

“4/1. Vlera totale e shpronësimit, prej 4 430 550 (katër milionë e katërqind e tridhjetë mijë e pesëqind e pesëdhjetë) lekësh, do të përballohet nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.”.

ç) Pas pikës 5 shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:

“5/1. Vlera e shpenzimeve procedurale, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, do të përballohet nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.”.

d) Pas pikës 6 shtohet pika 6/1, me këtë përmbajtje:

“6/1. Shpronësimi të fillojë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.”.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT TË GJASHTË SHTESË TË MARRËVESHJES PËR FORCËN SHUMËKOMBËSHE TË PAQES NË EVROPËN JUGLINDORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të protokollit të gjashtë shtesë të marrëveshjes për Forcën Shumëkombëshe të Paqes në Evropën Juglindore, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË MBRETËRISË SË SUEDISË DHE SHTABIT TË KOMANDËS SUPREME ALEATE PËR TRANSFORMIMIN, SI DHE SHTABIT SUPREM TË FUQIVE ALEATE NË EVROPË, NË LIDHJE ME DHËNIEN E MBËSHTETJES SË SHTETIT PRITËS PËR EKZEKUTIMIN E OPERACIONEVE/STËRVITJEVE DHE AKTIVITETEVE USHTARAKE TË NGJASHME TË NATO-S DHE NOTËS SË PRANIMIT PËR T’U BËRË PJESË E TIJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet qeverisë së Mbretërisë së Suedisë dhe Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin, si dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë, në lidhje me dhënien e mbështetjes së shtetit pritës për ekzekutimin e operacioneve/stërvitjeve dhe aktiviteteve ushtarake të ngjashme të NATO-s dhe notës së pranimit për t’u bërë pjesë e tij, sipas tekstit të memorandumit dhe notës bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1128, DATË 5.8.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE ADMINISTRIMIN E MALLRAVE REZERVË MATERIALE SHTETËRORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 5, të ligjit nr.9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

1. Në lidhjen nr.1, “Lista e mallrave rezervë materiale shtetërore, sipas grupeve, e ndarë në lloje dhe sasi”, bashkëlidhur vendimit nr.1128, datë 5.8.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhet shtesa, si më poshtë vijon:

Në tabelën e grupit C, pas numrit rendor 20 shtohen numrat rendorë 21 e 22, me këtë përmbajtje:

21. Ushqim i koncentruar (koncentrat) për kafshët ton 120 60
22. Ushqim voluminoz (bar i thatë dhe kashtë) për kafshët ton 180 90

2. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE” (TRUALL), TË PASURIVE ME NUMËR 265/40, ZONA KADASTRALE 2702, BASHKIA VAU I DEJËS, NUMËR 121/12, ZONA KADASTRALE 2375, BASHKIA DURRËS, DHE NUMËR 355/47 E 355/51, ZONA KADASTRALE 3196, BASHKIA ROSKOVEC

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e ndryshimit të statusit nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane” (truall), të pasurive me numër 265/40, zona kadastrale 2702, Bashkia Vau i Dejës, numër 121/12, zona kadastrale 2375, Bashkia Durrës, dhe numër 355/47 e 355/51, zona kadastrale 3196, Bashkia Roskovec, sipas lidhjes nr.1, certifikatave të pasurisë dhe hartave treguese, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, përkatësisht në qarqet Shkodër, Durrës dhe Fier, të pasqyrojnë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane” (truall), të pasurive me numër 265/40, zona kadastrale 2702, Bashkia Vau i Dejës, numër 121/12, zona kadastrale 2375, Bashkia Durrës, dhe numër 355/47 e 355/51, zona kadastrale 3196, Bashkia Roskovec.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Shkodër, Këshilli i Qarkut Durrës, Këshilli i Qarkut Fier, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NGRITJEN, FUNKSIONIMIN DHE DETYRAT E KOMISIONIT KOMBËTAR PËR NOMENKLATURËN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 24, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ngritjen e Komisionit Kombëtar për Nomenklaturën për kryerjen e përditësimit, përshtatjen dhe zbatimin e klasifikimeve zyrtare ekonomike e sociale, në përputhje me nomenklaturat evropiane dhe ndërkombëtare.

2. Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën kryesohet nga drejtori i Përgjithshëm i INSTAT-it dhe në përbërje ka përfaqësues nga:

a) Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme 1;
b) Ministria e Brendshme 1;
c) Ministria e Financave dhe Ekonomisë 1;
ç) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë 1;
d) Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë 1;
dh) Ministria e Drejtësisë 1;
e) Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural 1;
ë) Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale 1;
f) Ministria e Turizmit dhe Mjedisit 1;
g) Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes 1;
gj) Banka e Shqipërisë 1;
h) Shërbimi Kombëtar i Punësimit 1;
i) Drejtoria e Përgjithshme e Doganave 1;
j) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve 1;
k) Instituti i Sigurimeve Shoqërore 1;
l) Qendra Kombëtare e Biznesit 1;
ll) INSTAT-i 2.

3. Përfaqësuesit e institucioneve, anëtarë të Komisionit, caktohen nga titullarët e institucioneve, sipas kritereve e kërkesave të paraqitura nga Instituti i Statistikave, dhe brenda 10 (dhjetë) ditëve njoftojnë INSTAT-in.

4. Për përgatitjen e mbledhjeve dhe koordinimin e çështjeve të Komisionit Kombëtar për Nomenklaturën krijohet sekretariati i Komisionit, i cili përbëhet nga specialistë të Institutit të Statistikave. Rregullat për funksionimin e sekretariatit përcaktohen në rregulloren e miratuar nga Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën.

5. Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën mblidhet me thirrjen e kryetarit. Mbledhjet e Komisionit zhvillohen sipas rregullave të përcaktuara në ligjin nr.8480, datë 25.8.1999, “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”.

6. Masa e shpërblimit të anëtarëve të Komisionit Kombëtar për Nomenklaturën, për çdo mbledhje, është sipas përcaktimit të bërë në vendimin nr.656, datë 31.10.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore”.

7. Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën mund të ngrejë grupe pune, sipas fushave dhe nevojave të tij, me përbërje nga të gjitha institucionet e përfshira në Komision ose një pjesë të tyre. Rregullat për funksionimin e këtyre grupeve dhe për shkallën e tyre të përgjegjësisë përcaktohen me vendim të veçantë të këtij Komisioni.

8. Nomenklaturat e miratuara paraprakisht nga Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën miratohen me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave.

9. Vendimi nr.426, datë 15.5.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen, funksionimin dhe detyrat e Komisionit Kombëtar për Nomenklaturën”, të ndryshuar, shfuqizohet.

10. Ngarkohen Instituti i Statistikave dhe institucionet e përmendura në pikën 2, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PROCEDURAVE, TË KRITEREVE TË VLERËSIMIT DHE AFATEVE TË NJOFTIMIT PËR PËRZGJEDHJEN E KANDIDATURAVE PËR T’U EMËRUAR NË POZICIONIN “DREJTOR I PËRGJITHSHËM I INSTITUTIT TË STATISTIKAVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 16, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e procedurave të përzgjedhjes së kandidaturave për t’u emëruar në pozicionin “Drejtor i Përgjithshëm i INSTAT-it”, duke u mbështetur në kritere tërësisht profesionale, me qëllim sigurimin e drejtimit të Institutit të Statistikave në mënyrë profesionale, të pavarur dhe me integritet.

2. Përzgjedhja e kandidaturave për Drejtorin e Përgjithshëm kryhet nëpërmjet zbatimit të procedurave të hapura dhe publike të konkurrimit, nga Këshilli i Ministrave, bazuar në pikën 3, të nenit 16, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”.

3. Për kryerjen e procedurës së përzgjedhjes, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ngre komisionin ad-hoc, “Komisioni i Posaçëm i Vlerësimit të Kandidaturave (KPVK)”, i cili përbëhet nga tre anëtarë, si më poshtë vijon:

a) 1 përfaqësues nga Kryeministria, i cili është edhe kryetar i KPVK-së;
b) 1 përfaqësues nga Banka e Shqipërisë;
c) 1 përfaqësues nga personeli akademik i Fakultetit të Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës.

4. Anëtarët e KPVK-së caktohen nga titullarët e institucioneve të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, sipas kërkesës së paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe në përputhje me pikën 5, të këtij vendimi, të paktën 10 (dhjetë) ditë përpara publikimit të shpalljes për konkurrim nga Kryeministria, sipas pikës 6, të këtij vendimi.

5. Anëtarët e KPVK-së duhet të plotësojnë këto kritere:

a) Të kenë mbaruar arsimin e lartë dhe të zotërojnë një diplomë të nivelit, të paktën, “Master shkencor”;
b) Për anëtarët përfaqësues të Kryeministrisë dhe Bankës së Shqipërisë, të kenë punuar për jo më pak se 5 (pesë) vjet, të paktën, në nivel të mesëm drejtues dhe të kenë njohuri në fushën e statistikave;
c) Për anëtarin përfaqësues të Fakultetit të Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës, të ketë jo më pak se 5 (pesë) vjet përvojë pune dhe të ketë gradë shkencore;
ç) Të mos kenë masë disiplinore në fuqi;
d) Të mos kenë qenë anëtarë të partive politike për 3 (tri) vitet pararendëse, nga data e caktimit si anëtar i KPVK-së;
dh) Të mos kenë qenë të dënuar penalisht me vendim gjyqësor të formës së prerë;
e) Të mos jenë larguar nga detyra si rrjedhojë e masave disiplinore.

6. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave shpall vendin e lirë për pozicionin “Drejtor i Përgjithshëm i INSTAT-it” jo më vonë se 6 (gjashtë) muaj, nga data e përfundimit të mandatit të tij në detyrë, në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në faqet zyrtare elektronike të Kryeministrisë dhe INSTAT-t, deri në përfundimin e afatit të dorëzimit të dokumenteve nga aplikantët.

Në rastet e lirimit nga detyra për një nga shkaqet e parashikuara në pikën 6, të nenit 16, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave shpall vendin e lirë për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të INSTAT-it brenda 5 (pesë) ditëve, nga data e krijimit të vendit të lirë.

7. Shpallja e konkurrimit për vendin e lirë përmban të dhënat, si më poshtë vijon:

a) Një përshkrim të shkurtër të natyrës së punës dhe funksionit që do të mbulojë;
b) Listën e kritereve të pranimit;
c) Listën e dokumenteve, që duhet të paraqiten;
ç) Vendin ku duhet të paraqiten dhe afatin deri kur do të paraqiten dokumentet;
d) Datën kur do të shpallet lista e kandidatëve, që do të kualifikohen për fazën e testimit;
dh) Datën dhe vendin e zhvillimit të testimit;
e) Mënyrën e njoftimit e të komunikimit me palët;
ë) Fushat e njohurive, për të cilat do të intervistohen kandidatët, dhe bibliografitë përkatëse.

8. Kandidati për Drejtorin e Përgjithshëm të INSTAT-it duhet të plotësojë kriteret e parashikuara në pikën 5, të nenit 16, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”.

9. KPVK-ja bën vlerësimin e kandidaturave të paraqitura brenda 35 (tridhjetë e pesë) ditëve kalendarike, nga data e mbylljes së aplikimeve. Nëse numri i aplikimeve të paraqitura është i lartë, atëherë vlerësimi i tyre nga komisioni mund të zgjatet, por jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike.

10. Procedura e vlerësimit të aplikantëve kryhet në dy faza. Në fazën e parë, KPVK-ja bën vlerësimin e dosjeve të tyre, për të verifikuar nëse ata plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 5, të nenit 16, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”. Në përfundim të procesit të verifikimit KPVK-ja harton listën me emrat e aplikantëve që plotësojnë kriteret dhe listën me emrat e aplikantëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u emëruar.

Aplikantët, që plotësojnë kriteret, njoftohen individualisht për kualifikimin e tyre, brenda 2 (dy) ditëve kalendarike nga vendimi i KPVK-së. Lista e kandidatëve të kualifikuar publikohet në faqen elektronike zyrtare të Kryeministrisë.

Aplikantët, që nuk plotësojnë kriteret, njoftohen individualisht për skualifikimin dhe arsyet e skualifikimit, brenda 2 (dy) ditëve kalendarike nga vendimi i KPVK-së.

Në rast se janë më pak se 3 (tre) aplikantë, që përmbushin kriteret ligjore, procedura rishpallet nga e para.

11. Personat e skualifikuar, sipas pikës 10, të këtij vendimi, mund të paraqesin ankesë pranë KPVK-së brenda 5 (pesë) ditëve, nga marrja e njoftimit të skualifikimit. Ankesat shqyrtohen nga KPVK-ja brenda 3 (tri) ditëve, nga depozitimi i tyre. Dokumentacioni i shqyrtimit të ankesave dhe mënyrës së trajtimit të tyre është pjesë e dokumentacionit të testimit, që i dorëzohet, fillimisht, Këshillit të Ministrave, për përzgjedhjen e kandidaturave, dhe më pas Kuvendit, për caktimin e kandidatit fitues.

12. Në fazën e dytë, KPVK-ja kryen vlerësimin e kandidatëve të kualifikuar në fazën e parë. Vlerësimi maksimal është 100 pikë. Vlerësimi i kandidatëve bëhet sipas një procedure që përfshin pikët maksimale për secilën nga fazat e mëposhtme:

a) Vlerësimin e jetëshkrimit të kandidatëve, që përfshin vlerësimin e arsimimit, të përvojës dhe trajnimeve të lidhura me fushën, deri në 40 pikë, sipas pikës 14, të këtij vendimi;
b) Intervistën e strukturuar me gojë, deri në 60 pikë.

13. Çdo anëtar i KPVK-së jep vlerësimin e tij individual për secilin kandidat. Vlerësimi përfundimtar për kandidatin llogaritet si mesatare e pikëve të vendosura nga secili prej anëtarëve.

14. Vlerësimi i jetëshkrimit të kandidatëve për pozicionin “Drejtor i Përgjithshëm i INSTAT –it” do të kryhet në bazë të:

a) vlerësimit të certifikatave apo kualifikimeve të tjera, veç gradës shkencore “Doktor”: deri në 10 pikë;
b) përvojës në punë në pozicione drejtuese: deri në 10 pikë;
c) përvojës në fushën e prodhimit dhe/ose përdorimit të statistikave: deri në 10 pikë;
ç) zotërimit të gjuhëve të huaja, veç asaj angleze: deri në 5 pikë;
d) prezantimeve të punimeve në konferenca/simpoziume shkencore: deri në 5 pikë.

15. Intervista e strukturuar me gojë kryhet për të vlerësuar kandidatët për njohuritë që zotërojnë në fushën e statistikave, filozofinë drejtuese të tyre, strategjitë dhe risitë që mund të sjellin si drejtues të një institucioni publik.

16. Intervista e strukturuar me gojë kryhet, si më poshtë vijon:

a) Intervista zhvillohet në ditën dhe në vendin e caktuar në shpalljen e konkursit;
b) Komisioni përcakton temat e intervistës dhe pikët përkatëse, maksimale, në këto fusha:

i. Njohuri në fushën e statistikave, përmbajtjen e programit pesëvjeçar të statistikave zyrtare;
ii. Njohuri për Kushtetutën, Kodin e Procedurave Administrative dhe për legjislacionin e funksionimin e administratës publike;
iii. Njohuri për legjislacionin mbi të cilin mbështetet funksionimi i Sistemit Kombëtar Statistikor;
iv. Filozofia drejtuese;
v. Strategjitë dhe risitë që mund të sjellë gjatë kryerjes së funksionit drejtues.

c) Lidhur me përcaktimet e nënndarjeve “iv” e “v”, të shkronjës “b”, të kësaj pike, kandidatët i paraqesin komisionit një prezantim të shkurtër në format power point.

17. Në përfundim të procesit të vlerësimit KPVK-ja përgatit listën me emrat e kandidatëve, shumën e pikëve të secilit, dhe i njofton individualisht, brenda 2 (dy) ditëve nga kryerja e vlerësimit, për rezultatin përkatës. Lista e kandidatëve dhe pikët e secilit publikohen në faqen elektronike zyrtare të Kryeministrisë.

18. Personat e interesuar mund të paraqesin ankesat në KPVK brenda 5 (pesë) ditëve, nga njoftimi i vlerësimit. Ankesat shqyrtohen nga KPVK-ja brenda 3 (tri) ditëve nga depozitimi i tyre.

19. Dokumentacioni i shqyrtimit të ankesave, sipas pikës 18, të këtij vendimi, dhe mënyrës së zgjidhjes së tyre është pjesë e dokumentacionit të testimit, që i dorëzohet Këshillit të Ministrave për përzgjedhjen e kandidaturave dhe, më pas, Kuvendit, për caktimin e kandidatit fitues.

20. Në fund të vlerësimit të kandidatëve KPVK-ja harton procesverbalin përmbledhës, ku pasqyrohet i gjithë informacioni për procedurën e ndjekur dhe vlerësimin e kandidatëve.

21. Në përfundim, KPVK-ja rendit kandidatët në bazë të pikëve të marra dhe ia dërgon listën Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave për vendimmarrje të mëtejshme nga Këshilli i Ministrave.

22. Këshilli i Ministrave, pas shqyrtimit të listës së kandidatëve të kualifikuar, i propozon Kuvendit jo më pak se 3 (tri) kandidatura, të cilat plotësojnë kërkesat e mësipërme dhe krijojnë bindjen e Këshillit të Ministrave për aftësinë e tyre profesionale në fushën e prodhimit statistikor e të drejtimit të një institucioni.

23. Propozimi i kandidaturave Kuvendit shoqërohet me dokumentacionin e plotë administrativ të përzgjedhjes së kandidatëve dhe me procesverbalin e nënshkruar nga KPVK-ja, sipas pikës 17, të këtij vendimi.

24. Në rast se asnjë nga kandidaturat e propozuara nuk miratohen nga Kuvendi, procedura për përzgjedhjen e kandidaturave fillon nga e para, sipas rregullave të këtij vendimi.

25. KPVK-ja e ushtron veprimtarinë e saj në ambientet e Kryeministrisë ose të ASPA-s deri në emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të INSTAT-it nga Kuvendi.

26. Ngarkohen Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe anëtarët e Komisionit të Posaçëm të Vlerësimit të Kandidaturave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KRITERET DHE PROCEDURAT E PËRZGJEDHJES, TË PËRFAQËSIMIT, EMËRIMIT E SHKARKIMIT, RREGULLAT E FUNKSIONIMIT DHE MASËN E SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT TË STATISTIKAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 10, të nenit 22, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e rregullave për kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes, të përfaqësimit, emërimit e shkarkimit, të funksionimit dhe masës së shpërblimit të anëtarëve të Këshillit të Statistikave, me qëllim funksionimin korrekt të këtij këshilli, për garantimin e profesionalizmit, të pavarësisë dhe integritetit të lartë moral, nëpërmjet kryerjes së procedurave transparente përzgjedhëse, duke u mbështetur në kritere profesionale, për të përmbushur detyrat e përcaktuara në ligjin për statistikat zyrtare.

2. Anëtarët e Këshillit të Statistikave, sipas shkronjave “a”, “ç”, “d”, “dh” e “ë”, të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, propozohen nga Këshilli i Ministrave. Procedurat përzgjedhëse të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Statistikave, për këtë rast, kryhen nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, nëpërmjet zbatimit të procedurave të hapura, të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 e 2.4, të këtij vendimi.

2.1 Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për anëtarë të Këshillit të Statistikave, që propozohen nga Këshilli i Ministrave, janë, si më poshtë vijon:

a) Kandidati për anëtar, përfaqësues i organeve të vetëqeverisjes vendore:

i. Të jetë nga radhët e nëpunësve të këtyre organeve;
ii. Të ketë për natyrë pune përdorimin e statistikave;
iii. Të ketë punuar në fushën e përdorimit të statistikave, për shkak të detyrës, për jo më pak se 3 (tre) vjet.

b) Kandidatët për anëtarë, përfaqësues të përdoruesve kryesorë të statistikave zyrtare:

i. Të jenë nga radhët e nëpunësve civilë të Kryeministrisë, të cilët merren, kryesisht, me hartimin e strategjive zhvillimore dhe monitorimin e zbatimit të tyre;
ii. Të jenë nëpunës civilë, të paktën, të nivelit të mesëm drejtues;
iii. Të kenë lidhje me përdorimin e të dhënave statistikore në natyrën e punës së tyre;
iv. Të kenë jo më pak se 3 (tre) vjet përvojë pune në përdorimin e statistikave.

c) Kandidatët për anëtarë, përfaqësues të botës akademike:

i. Të jenë nga radhët e personelit akademik, të punësuar me kohë të plotë, të institucioneve të arsimit të lartë, publik ose privat, të licencuar e akredituar sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë;
ii. Të kenë përvojë në punë jo më pak se 10 (dhjetë) vjet në fushën e statistikave ose të ekonomisë apo shkencave të natyrës;
iii. Të zotërojnë tituj akademikë.

ç) Kandidati për anëtar, përfaqësues i shoqërisë civile:

i. Të jetë nga radhët e organizatave jofitimprurëse, që përdorin tregues statistikorë për kryerjen e veprimtarisë së tyre;
ii. Të jetë i punësuar në organizatë për jo më pak se 3 (tre) vjet;
iii. Të jetë i angazhuar në përdorimin e statistikave në fushat e ekonomisë, të shkencave të natyrës apo shkencave sociale.

d) Kandidati për anëtar, përfaqësues i medias:

i. Të jetë nga radhët e medias kombëtare;
ii. Të jetë i punësuar me kohë të plotë;
iii. Të ketë përvojë në punë jo më pak se 10 (dhjetë) vite në fushën e gazetarisë ekonomike.

2.2 Për kryerjen e procedurës së përzgjedhjes, sipas kritereve të përcaktuara në nënpikat e pikës 2, të këtij vendimi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ngre një komision ad-hoc, i cili përbëhet nga dy përfaqësues të Kryeministrisë dhe një përfaqësues të INSTAT-it, sipas propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm të INSTAT-it.

2.3 Shpallja për vendin e lirë për anëtar të Këshillit të Statistikave publikohet në Buletinin e Njoftimeve Publike, në faqet zyrtare elektronike të Kryeministrisë dhe INSTAT-it, deri në përfundimin e afatit të aplikimit, dhe përmban:

a) listën e kritereve të pranimit;
b) listën e dokumenteve, që duhet të paraqiten;
c) vendin ku duhet të paraqiten dhe afatin deri kur do të paraqiten dokumentet;
ç) mënyrën e njoftimit e të komunikimit me palët.

2.4 Komisioni ad-hoc bën vlerësimin e dosjeve të kandidatëve, për të verifikuar nëse ata plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë vendim, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike, nga data e mbylljes së aplikimeve. Në përfundim të procesit të verifikimit, komisioni harton listën me emrat e aplikantëve që plotësojnë kriteret për anëtar të Këshillit të Statistikave dhe ia paraqet Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave për propozim në Këshillin e Ministrave.

3. Anëtarët e Këshillit të Statistikave, sipas shkronjave “b”, “c” dhe “e”, të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, propozohen nga titullarët e institucioneve përkatëse.

3.1 Kandidatura e propozuar nga Banka e Shqipërisë duhet të përmbushë kriteret, si më poshtë vijon:

a) Të jetë nëpunës i nivelit drejtues të një departamenti;
b) Të gëzojë reputacion të lartë profesional;
c) Të ketë njohuri për metodat statistikore;
ç) Të ketë jo më pak se 5 (pesë) vjet përvojë pune në institucionet financiare.

3.2 Kandidatura e propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë duhet të përmbushë kriteret, si më poshtë vijon:

a) Të jetë nëpunës civil, të paktën, i nivelit të mesëm drejtues;
b) Të ketë njohuri në metodat statistikore;
c) Të ketë jo më pak se 3 (tre) vjet përvojë pune në përdorimin e statistikave.

3.3 Kandidatura e propozuar nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë duhet të përmbushë kriteret, si më poshtë vijon:

a) Të jetë nga radhët e këtij institucioni ose nga radhët e anëtarëve të tij;
b) Të ketë përvojë të spikatur në fushën ekonomike;
c) Të ketë përvojë të mëparshme në fushën e përdorimit të statistikave.

4. Institucionet që propozojnë anëtarët e Këshillit të Statistikave, sipas pikave 3 dhe 4, të nenit 22, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, jo më vonë se 1 muaj, para mbarimit të mandatit të anëtarit, duhet të dërgojnë, zyrtarisht, pranë Kuvendit, propozimin për kandidaturën për pozicionin e anëtarit në Këshillin e Statistikave. Propozimi për kandidaturën përfaqësuese shoqërohet me një relacion shpjegues dhe dokumentacionin shoqërues për plotësimin e kritereve të përcaktuara në këtë vendim.

5. Në rastet e vendeve vakante për anëtarë në Këshillin e Statistikave, INSTAT-i njofton, menjëherë, institucionet propozuese për fillimin e procedurave të plotësimit të vendeve vakante.

6. Anëtarët e Këshillit të Statistikave shkarkohen nga Kuvendi, sipas përcaktimeve të pikës 6, të nenit 22, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”. Propozimi i shkarkimit të tyre kryhet nga institucioni që ka të drejtën e propozimit të emërimit, sipas përkatësisë.

7. Këshilli i Statistikave mblidhet, të paktën, 3 (tri) herë në një vit kalendarik. Mbledhja thirret nga kryetari i Këshillit të Statistikave. Në mungesë të tij, mbledhja thirret nga zëvendëskryetari dhe, në mungesë të këtij të fundit, nga anëtari më i vjetër në detyrë.

8. Kryetari vendos për datën, kohën e mbledhjes së radhës, dhe njofton anëtarët e këshillit, të paktën, 5 (pesë) ditë para mbledhjes. Rendi i ditës u njoftohet anëtarëve jo më vonë se 2 (dy) ditë, para organizimit të mbledhjes. Çdo ndryshim për datën dhe kohën e vendosur për mbledhje u njoftohet anëtarëve të Këshillit të Statistikave jo më vonë se 2 (dy) ditë para mbledhjes.

9. Kryetari është i detyruar të thërrasë mbledhjen kur atë e kërkon, me shkrim, të paktën 1/3 e anëtarëve të Këshillit të Statistikave ose Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT-it. Në këto raste, mbledhja organizohet jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas kërkesës së paraqitur prej tyre.

10. Mbledhja është e vlefshme kur në të janë të pranishëm, të paktën, 7 (shtatë) anëtarë të këshillit. Mbledhja mbahet në përputhje me rendin e ditës. Diskutimet dhe vendimet për çdo pikë të rendit të ditës mbahen në procesverbal, nga sekretariati i Këshillit të Statistikave.

11. Vendimet e Këshillit të Statistikave janë të vlefshme kur miratohen nga, të paktën, 7 (shtatë) anëtarë të këtij këshilli. Ato zbardhen brenda 3 (tre) ditëve, nga data e mbledhjes.

12. Këshilli i Statistikave thërret mbledhjen e parë brenda 1 (një) muaji, nga konstituimi i mandateve të anëtarëve të tij.

13. Sekretariati i Këshillit të Statistikave sigurohet nga INSTAT-i. Sekretariati organizon mbledhjet, mban dokumentacionin përkatës, procesverbalin, e nënshkruan atë, pasi ua ka kaluar të gjithë anëtarëve për të konfirmuar saktësinë e tij, dhe zbardh të gjitha vendimet e Këshillit të Statistikave.

14. Anëtarët e Këshillit të Statistikave, gjatë ushtrimit të detyrës, janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave, informacionin që sigurohet prej tyre dhe të mos i përdorin ato për interesa personale.

15. Masa e shpërblimit të anëtarëve të Këshillit të Statistikave është sipas përcaktimit të bërë në vendimin nr.656, datë 31.10.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore”.

16. Vendimi nr.999, datë 25.10.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe procedurat e përfaqësimit, të përzgjedhjes, të emërimit e të shkarkimit, rregullat e funksionimit dhe masën e shpërblimit të anëtarëve të këshillit të statistikave”, shfuqizohet.

17. Dispozitë kalimtare

Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, që, brenda 5 (pesë) ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të fillojë procedurat për plotësimin e vendeve vakante në Këshillin e Statistikave, sipas këtij vendimi, për:
a) 1 anëtar, përfaqësues nga organet e vetëqeverisjes vendore;
b) 1 anëtar, përfaqësues nga bota akademike;
c) 1 anëtar, përfaqësues të medias.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.