Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 08 Dhjetor 2017
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E BURSAVE PËR NXËNËSIT E SHKOLLËS SË MESME PROFESIONALE “PETER MAHRINGER”, SHKODËR, PËR VITIN SHKOLLOR 2017 – 2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të neneve 6 dhe 39 të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9522, datë 25.04.2006, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Austrisë për bashkëpunimin në fushat e kulturës, të arsimit dhe shkencës”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, i ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të 84 (tetëdhjetë e katër) bursave të studimit për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, Shkodër, nga të cilat 24 (njëzet e katër) bursa studimi për nxënësit e viteve përgatitore dhe 60 (gjashtëdhjetë) bursa studimi për nxënësit e viteve të para, deri në vitin e katërt të shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, për vitin shkollor 2017-2018.
2. Vlera e bursës do të jetë 99 360 (nëntëdhjetë e nëntëmijë e treqind e gjashtëdhjetë) lekë për nxënës në vit, me qëllim shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe për mbulimin e kostos së teksteve mësimore. Vlera e masës së bursës do të paguhet pranë bankave të nivelit të dytë për çdo nxënës ose prind të nxënësve përfitues.
3. Fondi për mbulimin e këtyre bursave kalon nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Drejtorinë Arsimore Rajonale Shkodër.
4. Miratimi i këtyre bursave bëhet nga bordi i Fondacionit Shkollor Austriak, në mbështetje të kritereve ekonomike, si dhe rezultateve të arritura nga secili nxënës/aplikant.
5. Bordi i Fondacionit Shkollor Austriak, pas miratimit të bursave, dërgon dokumentacionin përkatës në Drejtorinë Arsimore Rajonale Shkodër, e cila, pas konfirmimit të nxënësve që përfitojnë bursë, kalon masën e bursës në llogarinë personale të secilit nxënës.
6. Efektet financiare të mbulohen nga buxheti vjetor i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
7. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET QEVERISË SË HUNGARISË DHE SHTABIT TË KOMANDËS SUPREME ALEATE PËR TRANSFORMIMIN SI DHE SHTABIT SUPREM TË FUQIVE ALEATE NË EVROPË, NË LIDHJE ME DHËNIEN E MBËSHTETJES SË SHTETIT PRITËS PËR KRYERJEN E OPERACIONEVE/STËRVITJEVE E AKTIVITETEVE USHTARAKE TË NGJASHME TË NATO-S DHE NOTËS SË PRANIMIT PËR T’U BËRË PJESË E SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Hungarisë dhe Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin si dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë, në lidhje me dhënien e mbështetjes së shtetit pritës për kryerjen e operacioneve/stërvitjeve e aktiviteteve ushtarake të ngjashme të NATO-s dhe notës së pranimit për t’u bërë pjesë e saj, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KROACISË DHE SHTABIT TË KOMANDËS SUPREME ALEATE PËR TRANSFORMIMIN SI DHE SHTABIT SUPREM TË FUQIVE ALEATE NË EVROPË, NË LIDHJE ME DHËNIEN E MBËSHTETJES SË SHTETIT PRITËS PËR KRYERJEN E AKTIVITETEVE USHTARAKE TË NATO-S DHE NOTËS SË PRANIMIT PËR T’U BËRË PJESË E TIJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Kroacisë dhe Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin si dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë, në lidhje me dhënien e mbështetjes së shtetit pritës për kryerjen e aktiviteteve ushtarake të NATO-s dhe notës së pranimit për t’u bërë pjesë e tij, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.36, DATË 16.1.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR CAKTIMIN E ANËTARËVE TË BORDIT DREJTUES TË ZYRËS SË REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 12, të ligjit nr.33, datë 21.3.2013, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe të pikës 5, të kreut II, të vendimit nr.752, datë 2.11.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurës dhe të kritereve për caktimin e anëtarëve të bordit drejtues të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe të masës së shpërblimit të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 1, e vendimit nr.36, datë 16.1.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Bordi drejtues i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të kryesohet nga z. Artan Lame, përfaqësues i Kryeministrit, dhe në përbërje të ketë këta anëtarë:
a) Znj. Majlinda Dhuka, përfaqësues i Kryeministrit;
b) Znj. Jonida Gaba, përfaqësues i ministrit të Drejtësisë;
c) Z. Artur Metani, përfaqësues i ministrit të Drejtësisë;
ç) Znj. Gelardina Prodani, përfaqësues i ministrit të Financave dhe Ekonomisë.”.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe bordi drejtues i saj për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.728, DATË 20.10.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN E NATO-S “AEGEAN SEA””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, pika 5, e 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.728, datë 20.10.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në pikën 2, pas fjalëve “… në detin Egje …” shtohen “… dhe për personelin në anijen flamurtare, në bazë të kërkesave operacionale të saj, edhe në detin Mesdhe dhe Detin e Zi …”.
b) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Kohëzgjatja e pjesëmarrjes në këtë operacion e anijes së klasit “Iliria” dhe personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është, si më poshtë vijon:
a) Për anijen e klasit “Iliria”, deri më 30 nëntor 2018, me sistem rotacioni. Periudha e rotacionit të anijes është çdo 6 (gjashtë) muaj;
b) Për 21 (njëzet e një) ushtarakë, deri më 30 nëntor 2018, me sistem rotacioni. Periudha e rotacionit është çdo 3 (tre) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës;
c) Për ushtarakun, oficer shtabi, në Grupin Detar të Përhershëm të NATO-s, në anijen flamurtare, deri më 31 dhjetor 2018, me sistem rotacioni. Periudha e rotacionit është çdo 3 (tre) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me përfaqësuesin e radhës.”.
c) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Rajoni i venddislokimit të anijes së klasit “Iliria” dhe i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë do të jetë, si më poshtë vijon:
a) Për anijen e klasit “Iliria” dhe 21 (njëzet e një) ushtarakë, në detin Egje;
b) Për ushtarakun, oficer shtabi, në Grupin Detar të Përhershëm të NATO-s, në anijen flamurtare, në detin Egje dhe në bazë të kërkesave operacionale të anijes flamurtare, në detin Mesdhe dhe Detin e Zi.”.
ç) Në shkronjën “e”, të pikës 5, pas fjalës “… telefon …” shtohen “… instalim të radiove të komunikimit …”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.910, DATË 22.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK NDËRKOMBËTAR “KFOR”, KOSOVË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.910, datë 22.12.2014, të Këshillit të Ministrave, numri “9 (nëntë)” ndryshohet dhe bëhet “10 (dhjetë)”.
2. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 113, DATË 17.2.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN, PËRBËRJEN DHE PËRCAKTIMIN E MASËS SË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KOMITETIT NDËRSEKTORIAL PËR MBROJTJEN NGA PRODUKTET E DUHANIT (KNMSHPD)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.113, datë 17.2.2007, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Ngritjen e Komitetit Ndërsektorial për Mbrojtjen nga Produktet e Duhanit (KNMSHPD), me kryetar ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe me këtë përbërje:
a) Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, anëtar;
b) Zëvendësministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, anëtar;
c) Zëvendësministri i Brendshëm, anëtar;
ç) Zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit, anëtar;
d) Kryetari i Këshillit Kombëtar i Radios dhe Televizionit Publik Shqiptar, anëtar;
dh) Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, anëtar;
e) Kryeinspektori Sanitar Shtetëror, anëtar;
ë) Drejtori i Policisë Bashkiake Tiranë, anëtar;
Funksionet e sekretarit të KNMSHPD-së të kryhen nga Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik.”.
2. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Shpërblimi për pjesëmarrësit, për çdo mbledhje, bëhet sipas vendimit nr.418, datë 27.6.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore”, të ndryshuar.”.
3. Në pikën 7 dhe në të gjithë përmbajtjen e këtij vendimi, emërtimi “Ministri i Shëndetësisë” zëvendësohet me “Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.244, DATË 30.3.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR MIRATIMIN E KUSHTEVE PËR VENDOSJEN E DETYRIMIT TË SHËRBIMIT PUBLIK, QË DO TË ZBATOHEN NDAJ TË LICENCUARVE NË SEKTORIN E ENERGJISË ELEKTRIKE, TË CILËT USHTROJNË AKTIVITETIN E PRODHIMIT, TRANSMETIMIT, SHPËRNDARJES DHE FURNIZIMIT ME ENERGJI ELEKTRIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 47 të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin që i bashkëlidhet vendimit nr.244, datë 30.3.2016, të Këshillit të Ministrave, të bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “c”, e pikës 1, të nenit 2, ndryshohet si më poshtë vijon:
“c) tarifat dhe çmimet për klientët që përfitojnë nga detyrimi i shërbimit publik;”.
2. Pas pikës 5, të nenit 4, shtohet pika 5/1, si më poshtë vijon:
“5/1. Në çdo rast të vendosjes së detyrimit publik ndaj shoqërisë së prodhimit, aksionet e së cilës kontrollohen plotësisht ose pjesërisht nga shteti, Asambleja e Përgjithshme e kësaj shoqërie, pasi merr mendimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, vlerëson rast pas rasti mbi mënyrën e përdorimit të të ardhurave shtesë mbi ato të parashikuara në programin ekonomik, nëse do të shërbejnë si fond rezervë për balancimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të shoqërisë së prodhimit për periudhat e ardhshme, me qëllimin e minimizimit të riskut hidrologjik.”.
3. Në nenin 5 bëhen këto ndryshime e shtesa:
a) Pikat 2 dhe 3 ndryshohen me këtë përmbajtje:
“2. Furnizuesit të Shërbimit Universal, për të përmbushur kërkesat e klientëve që përfitojnë nga Shërbimi Universal i Furnizimit, në përputhje me parashikimet e pikës 1, të nenit 109, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, dhe vendimit nr.449, datë 15.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kushteve dhe procedurave për përcaktimin e furnizuesit të mundësisë së fundit të energjisë elektrike”, i vendoset detyrimi i shërbimit publik për të blerë sasinë e nevojshme të energjisë elektrike të prodhuar nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike, aksionet e së cilës kontrollohen nga shteti.
Sasia e energjisë elektrike, për qëllime të furnizimit të Furnizuesit të Shërbimit Universal, miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e shoqërisë së prodhimit të ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik, duke u bazuar në nivelin historik mesatar vjetor të dhjetë viteve të fundit, sipas informacionit të dhënë nga ERE dhe regjimit racional të shfrytëzimit të kapaciteteve gjeneruese.
Për qëllime të përcaktimit të çmimit të shitjes së energjisë elektrike të prodhuar nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike të ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik, Asambleja e Përgjithshme e kësaj shoqërie do të marrë në konsideratë kostot e arsyeshme të parashikuara në programin ekonomik të miratuar për shoqërinë e prodhimit të ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik, si dhe impaktin në tarifat e klientëve që përfitojnë nga Furnizuesi Universal.
Sasia e energjisë elektrike dhe çmimi i miratuar pasqyrohen nga palët në kontratën tip të miratuar nga ERE, sipas përcaktimeve të shkronjës “h”, të nenit 20, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”.
“3. Në rastet kur Furnizuesi i Shërbimit Universal nuk mund të sigurojë sasinë e nevojshme nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike, në përputhje me parashikimet e kontratës së rregulluar ndërmjet palëve, sipas përcaktimeve të vendosura në pikën 2 të këtij neni, Furnizuesi i Shërbimit Universal ka detyrimin që të sigurojë sasinë e nevojshme të energjisë në tregun e parregulluar. Furnizuesi i Shërbimit Universal kompensohet nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike, për sasinë e pasiguruar nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike sipas vlerës së përcaktuar në kontratë.”.
b) Pas pikës 4, të nenit 5, shtohen pikat 4/1 dhe 4/2 me përmbajtjen, si më poshtë vijon:
“4/1. Shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike, aksionet e së cilës kontrollohen plotësisht ose pjesërisht nga shteti, sasinë e mbetur të energjisë elektrike, pas plotësimit të nevojave në përputhje me pikat 2, 3 dhe 4 të këtij neni, e tregton sipas parimeve të një tregu të lirë dhe konkurrues, në përputhje me kushtet dhe procedurat e përcaktuara, bazuar në udhëzimin për tregtimin e energjisë elektrike, sipas përcaktimeve të pikës 4 të këtij vendimi.
4/2. Bazuar në shkronjën “ë”, të pikës 1, të nenit 47, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, dhe vendimit nr.449, datë 15.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kushteve dhe procedurave për përcaktimin e furnizuesit të mundësisë së fundit të energjisë elektrike”, për qëllime të interesit publik, Furnizuesi i Shërbimit Universal, në kuadër të shërbimit publik, siguron pa ndërprerje furnizimin e klientëve, si më poshtë:
– Subjektet shtetërore që sigurojnë shërbimin e shëndetit publik (spitalet dhe qendrat e urgjencës);
– Shoqëri që sigurojnë furnizimin me ujë të pijshëm të konsumatorëve;
– Institucione shtetërore të ekzekutimit të vendimeve penale dhe institucione shtetërore, të cilat mbulojnë sigurinë kombëtare dhe rendin publik.”.
c) Pika 5, e nenit 5, riformulohet si më poshtë vijon:
“5. Me bërjen funksionale të Bursës Shqiptare të Energjisë, Këshilli i Ministrave përcakton kushtet e reja për furnizimin e klientëve të energjisë elektrike, të cilët përfitojnë nga Furnizuesi i Shërbimit Universal, në kuadër të detyrimit të shërbimit publik.”.
4. Pika 3, e nenit 6, ndryshohet si më poshtë vijon:
“3. Pasqyrimi i kostos bëhet duke përfshirë koston e blerjes së energjisë elektrike nga shoqëria shtetërore e prodhimit, që përmban edhe kostot financiare të TEC Vlora, sh.a., koston përkatëse për blerjen e energjisë elektrike të prodhuar nga burime të rinovueshme, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për burimet e rinovueshme dhe të blerjes së energjisë në tregun e parregulluar, koston për tarifat e transmetimit, shpërndarjes dhe të furnizimit të energjisë elektrike.”.
5. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.513, DATË 13.6.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE E TË DOKUMENTACIONIT PËR HYRJEN, QËNDRIMIN DHE TRAJTIMIN E TË HUAJVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.513, datë 13.6.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në aneksin nr.3, “Lista e vendeve, shtetasit e të cilëve hyjnë pa vizë si rrjedhojë e hyrjes pa vizë në zonën shengen”, që i bashkëlidhet vendimit, shtohen fjalët “Kolumbi” dhe “Peru”, me dokumentin pasaportë.
b) Në aneksin nr.4, “Lista e vendeve, shtetasit e të cilëve hyjnë me vizë në Republikën e Shqipërisë dhe përfaqësitë ku mund të bëhet aplikimi, si dhe tarifa përkatëse e shërbimit me vizë”, që i bashkëlidhet vendimit, të hiqen fjalët “Kolumbi” dhe “Peru”.
2. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E LIQENEVE TË PRESPËS SI ZONË BASHKËMENAXHUESE PESHKIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe nenit 54 të ligjit nr. 64/2012, datë 31.5.2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e liqeneve të Prespës zonë bashkëmenaxhuese peshkimi, si objekte ujore me interes për peshkimin.
2. Plani i bashkëmenaxhimit për liqenet e Prespës miratohet me urdhër të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, brenda 12 muajve nga data e miratimit të kësaj zone.
3. Masat menaxhuese të peshkimit të përputhen me statusin mjedisor të zonës. Veprimtaritë që do të kryhen në liqenet e Prespës të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi për zonat e mbrojtura dhe me objektivat e planit të menaxhimit të parkut kombëtar Prespë, Korçë.
4. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE” TRUALL, TË PASURISË ME NR. 61/6/6, ZONA KADASTRALE 1503, BASHKIA TROPOJË, TË PASURISË ME NR. 886, ZONA KADASTRALE 1402, BASHKIA DIBËR, TË PASURISË ME NR. 792, ZONA KADASTRALE 3509, BASHKIA DIBËR, TË PASURIVE ME NR. 36 DHE 66, ZONA KADASTRALE 2640, BASHKIA DIBËR, TË PASURISË ME NR. 157/13, ZONA KADASTRALE 2302, BASHKIA SHKODËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.03.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndryshimit të statusit nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane” truall, të pasurisë me nr. 61/6/6, zona kadastrale 1503, Bashkia Tropojë, të pasurisë me nr. 886, zona kadastrale 1402, Bashkia Dibër, të pasurisë me nr. 792, zona kadastrale 3509, Bashkia Dibër, të pasurive me nr. 36 dhe 66, zona kadastrale 2640, Bashkia Dibër, të pasurisë me nr. 157/13, zona kadastrale 2302, Bashkia Shkodër, sipas lidhjes nr.1 bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, në qarqet Kukës, Dibër dhe Shkodër, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane” truall, të pasurisë me nr.61/6/6, zona kadastrale 1503, Bashkia Tropojë, të pasurisë me nr.886, zona kadastrale 1402, Bashkia Dibër, të pasurisë me nr.792, zona kadastrale 3509, Bashkia Dibër, të pasurive me nr.36 dhe 66, zona kadastrale 2640, Bashkia Dibër, të pasurisë me nr.157/13, zona kadastrale 2302, Bashkia Shkodër.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Kukës, Këshilli i Qarkut Dibër, Këshilli i Qarkut Shkodër, Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tropojë, Dibër dhe Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E QENDRËS HISTORIKE TË FSHATIT THETH, SHKODËR E TË ZONËS SË MBROJTUR PËRRETH SAJ DHE MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ADMINISTRIMIN E SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 29, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e Qendrës Historike të fshatit Theth, Shkodër e të Zonës së Mbrojtur përreth saj, sipas hartës dhe koordinatave gjeografike, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Miratimin e rregullores “Për administrimin e Qendrës Historike të fshatit Theth, Shkodër e të Zonës së Mbrojtur përreth saj”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Ngarkohet Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN E PRONËS SHTETËRORE SIPAS HARTËS TREGUESE, ME NOMENKLATURË k-34-112-127-D, ME NUMËR PASURIE 402, 403, 404, 405, 406, 410 (NUMËR 19 SIPAS HARTËS SË KADASTRËS DAMT), 411 (NUMËR 20 SIPAS HARTËS SË KADASTRËS DAMT), 412, 413 e 414, ZONA KADASTRALE NR.2443, BASHKIA FIER, NJËSIA ADMINISTRATIVE LIBOFSHË, DHE TË PRONËS SHTETËRORE SIPAS HARTËS TREGUESE, ME NOMENKLATURË k-34-111-(111-D), ME NUMËR PASURIE 220/1, 220/3, 221/1, 221/3, 224/1, 225/1, 226/1, 227/1, 227/3, 228/1, 228/3, 229/1, 229/3, 230/1, 231/1 e 232/1, ZONA KADASTRALE NR.2085, KARAVASTA E RE, NJËSIA ADMINISTRATIVE REMAS, BASHKIA DIVJAKË, NË FONDIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME PËR MBËSHTETJEN E INVESTIMEVE STRATEGJIKE DHE VËNIEN NË DISPOZICION TË PASURISË SË PALUAJTSHME SHTETËRORE PËR ZHVILIMIN DHE REALIZIMIN E PROJEKTIT INVESTUES STRATEGJIK “ALBPANEL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin dhe përfshirjen e pronës së paluajtshme shtetërore, të kategorisë së resursit “arë”, me vendndodhje dhe sipërfaqe sipas aneksit I që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe bazuar në hartën treguese, me nomenklaturë k-34-112-127-D e me regjistrim kadastral: zona kadastrale nr.2443, Bashkia Fier, njësia administrative Libofshë, me numër pasurie: 402, 403, 404, 405, 406, 410 (numër 19 sipas hartës së kadastrës DAMT), 411 (numër 20 sipas hartës së kadastrës DAMT), 412, 413 dhe 414, me institucion administrues Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS).
2. Për pasuritë me numër parcelash 410 (numër 19 sipas hartës së kadastrës DAMT) dhe 411 (numër 20 sipas hartës së kadastrës DAMT) në zonën kadastrale nr.2443, Bashkia Fier, njësia administrative Libofshë, të ndërmerren nga Bashkia Fier dhe ZVRPP-ja Fier procedurat për realizimin e regjistrimit të tyre fillestar pasi këto parcela figurojnë të dubluara në hartën treguese të regjistrimit, por nuk figurojnë në kartelat e pasurive.
3. Transferimin dhe përfshirjen e pronës së paluajtshme shtetërore, të kategorisë së resursit “arë”, me vendndodhje dhe sipërfaqe sipas aneksit II që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe bazuar në hartën treguese, me nomenklaturë k-34-111-(111-D) dhe me regjistrim kadastral: zona kadastrale nr.2085, Karavasta e Re, njësia administrative Remas, Bashkia Divjakë, me numër pasurie 220/1, 220/3, 221/1, 221/3, 224/1, 225/1, 226/1, 227/1, 227/3, 228/1, 228/3, 229/1, 229/3, 230/1, 231/1 e 232/1, me institucion administrues Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS).
4. Vënien në dispozicion të pasurisë së paluajtshme shtetërore, sipas përcaktimit të pikave 1, 2 dhe 3, të këtij vendimi, për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Albpanel”, me subjekt investues “Albpanel NGR, NUIS/NIPT: L61605017K”, për 35 (tridhjetë e pesë) vite, me tarifën 1 euro. Afati i përdorimit fillon nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
5. E drejta e përdorimit të tokës shtetërore të kategorisë së resursit “arë” nga investitori strategjik “Albpanel NGR, NUIS/NIPT: L61605017K”, detyrimet dhe kushtet e përdorimit bazohen në vendimin nr.7/1, datë 5.12.2016, të Komitetit të Investimeve Strategjike dhe marrëveshjen e garancive financiare që do të nënshkruhet, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe subjektit investues “Albpanel NGR, NUIS/NIPT: L61605017K”.
6. Bashkia Fier dhe Bashkia Divjakë të ndërmarrin nisjen e procedurave për vënien, brenda 3 (tre) muajve, në dispozicion të projektit të investimit “Albpanel” të sipërfaqes së nevojshme e të përshtatshme për projektin për ndërtimin e fabrikës e të ambienteve ndihmëse, bazuar në vendimin nr.7/1, datë 5.12.2016, të Komitetit të Investimeve Strategjike.
7. Aplikimi për leje/licenca/autorizime për realizimin e investimit strategjik “Albpanel” realizohet sipas legjislacionit në fuqi për investimet strategjike.
8. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, Bashkia Fier, Bashkia Divjakë, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnjë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.744, DATË 5.11.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, TË OBJEKTIT “FAKULTETI I GJEOLOGJISË DHE MINIERAVE”, TIRANË, NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT/UNIVERSITETI POLITEKNIK I TIRANËS, TE MINISTRIA E DREJTËSISË, PËR GJYKATËN E LARTË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D OS I:
1. Në vendimin nr.744, datë 5.11.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në titull dhe kudo në përmbajtjen e vendimit, pas emërtimit “Gjykatën e Lartë” shtohen fjalët “… dhe Shkollën e Magjistraturës …”.
b) Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Nga sipërfaqja e truallit 12 478 (dymbëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e tetë) m2, e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, sipërfaqja prej 3 205 (tre mijë e dyqind e pesë) m2 i kalon Shkollës së Magjistraturës për ndërtimin e godinës, sipas projektidesë bashkëlidhur këtij vendimi.”.
c) Në pikën 3, fjalët “… pikën 1 …” zëvendësohen me “… pikat 1 dhe 1/1 …”.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Shkolla e Magjistraturës dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.