Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Korrik 2020:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË INFRASTRUKTURAVE KRITIKE TË INFORMACIONIT DHE TË LISTËS SË INFRASTRUKTURAVE TË RËNDËSISHME TË INFORMACIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.2/2017, “Për sigurinë kibernetike”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së infrastrukturave kritike të informacionit, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Miratimin e listës së infrastrukturave të rëndësishme të informacionit, sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, të cilët identifikohen për herë të parë me këtë vendim, të përcaktojnë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, pikën e kontaktit, person përgjegjës për infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit, dhe t’ia komunikojnë Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike.
4. Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike kontrollon zbatimin e masave të sigurisë nga operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit.
5. Vendimi nr.222, datë 26.4.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së infrastrukturave kritike të informacionit dhe listës së infrastrukturave të rëndësishme të informacionit”, shfuqizohet.
6. Ngarkohen Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike dhe operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR, “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.9632, DATË 30.10.2006, “PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar, “Për një ndryshim në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
TRAJTIMIN ME PAGË DHE SHTESA MBI PAGË PËR PUNONJËSIT, OFICERË DHE NËNOFICERË, TË GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të pikës 5, të nenit 34, të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të pikës 1, të nenit 26, të ligjit nr.9366, datë 31.3.2005, “Për gradat dhe karrierën në Gardën e Republikës së Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit, oficerë dhe nënoficerë, të Gardës së Republikës së Shqipërisë, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Paga bazë mujore për gradë, (kolona 4), e lidhjes nr.1, është niveli i pagës së punonjësit, oficerë dhe nënoficerë, në përputhje me gradën që ka fituar brenda rolit përkatës.
3. Shtesa për natyrë të veçantë shërbimi për punonjësit, oficerë dhe nënoficerë, të Gardës së Republikës së Shqipërisë, është sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Shtesa për punë të vështirë e të dëmshme për shëndetin për punonjësit, oficerë dhe nënoficerë, të Gardës së Republikës së Shqipërisë, është sipas lidhjes nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2020, të përballohen nga fondet e planifikuara për Gardën e Republikës së Shqipërisë për këtë vit dhe të fillojnë nga momenti i pozicionimit të punonjësve në strukturën e re.
6. Vendimi nr.561, datë 16.8.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për pagat sipas gradave për punonjësit, oficerë dhe nënoficerë, të Gardës së Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, shfuqizohet.
7. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË NJË SIPËRFAQEJE TË PASURISË ME NUMËR 195/9, ZONA KADASTRALE 2326, BASHKIA ROSKOVEC
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen prej 620 m2, pjesë e pasurisë me numër 195/9, zona kadastrale 2326, Bashkia Roskovec, sipas certifikatës së pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Fier, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen ndërtimore sipas lidhjes nr.1, të pasurisë me numër 195/9, zona kadastrale 2326, fshati Kuman, Njësia Administrative Kuman, Bashkia Roskovec.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, këshilli i Qarkut Fier dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.325, DATË 23.6.2000, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E QENDRËS KOMBËTARE “PËR MIRËRRITJEN, ZHVILLIMIN DHE REHABILITIMIN E FËMIJËVE”, SI NJËSI BUXHETORE, E VEÇANTË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.325, datë 23.6.2000, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në vendim, emërtimi “Qendra Kombëtare “Për Mirërritjen, Zhvillimin dhe Rehabilitimin e Fëmijëve”” zëvendësohet me “Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët”.
2. Pas pikës 2 shtohen pikat 2.1, 2.2, 2.3 dhe 2.4, me këtë përmbajtje:
“2.1. Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët është institucion që ofron shërbime të shëndetit mendor, në lidhje me diagnostikimin, trajtimin, kujdesin terapeutik dhe rehabilitimin e aftësisë së kufizuar për fëmijët.
2.2. Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët emërohet, lirohet ose shkarkohet nga ministri përgjegjës për shëndetësinë.
2.3. Shërbimet ofrohen nga ekipe multidisiplinare të përbëra nga specialistë të disa fushave, si mjekë, infermierë, psikologë, punonjës socialë, terapistë okupacionalë, logopedistë, terapistë zhvillimi, ergoterapistë, fizioterapistë, terapistë psikomotorë dhe specialistë të tjerë të profilit mjekësor, të cilët veprojnë në mënyrë të koordinuar, sipas roleve dhe përgjegjësive të përshkruara në rregulloren e brendshme të institucionit.
2.4. Rregullorja për organizimin dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët, udhërrëfyesit dhe standardet e kujdesit shëndetësor e social miratohen nga ministri përgjegjës për shëndetësinë.”.
II. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E KONTRIBUTIT FINANCIAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR KËSHILLIN KOMBËTAR SHQIPTAR NË SERBI, PËR BLERJEN E TEKSTEVE SHKOLLORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e kontributit financiar, në shumën 40 000 (dyzet mijë) euro ose kundërvlerën e saj në lekë, për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, për t’u përdorur për blerjen e teksteve shkollore për shkollat shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
2. Kundërvlera në lekë e shumës së sipërpërmendur të transferohet në formën e transfertës në llogari të përfituesit, nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2020, miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në programet buxhetore “Arsimi bazë”, “Arsimi i mesëm i përgjithshëm”, “sporti” dhe “rinia”.
3. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT OSE TË RIPARIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT) SI DHE MJEDISEVE NË BASHKËPRONËSI OSE TË PËRBASHKËTA NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKITË KURBIN, SHIJAK DHE DURRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, në masën 1 349 321 530,38 (një miliard e treqind e dyzet e nëntë milionë e treqind e njëzet e një mijë e pesëqind e tridhjetë presje tridhjetë e tetë) lekë, për financimin e rikonstruksionit ose të riparimit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, dhe rikonstruksionit ose riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat) në bashkitë Kurbin, Shijak dhe Durrës.
2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2020, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Bashkisë Kurbin i transferohet fondi prej 830 944 728,38 (tetëqind e tridhjetë milionë e nëntëqind e dyzet e katër mijë e shtatëqind e njëzet e tetë presje tridhjetë e tetë) lekësh për:
i. financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, në masën 470 750 000 (katërqind e shtatëdhjetë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë mijë) lekë;
ii. financimin për rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në masën 360 194 728,38 (treqind e gjashtëdhjetë milionë e njëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e njëzet e tetë presje tridhjetë e tetë) lekë.
b) Bashkisë Shijak i transferohet fondi prej 127 176 802 (njëqind e njëzet e shtatë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e dy) lekësh për financimin për rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat).
c) Bashkisë Durrës i transferohet fondi prej 391 200 000 (treqind e nëntëdhjetë e një milionë e dyqind mijë) lekësh për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Kurbin, Shijak dhe Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM NË FSHATIN LALËZ, NJËSIA ADMINISTRATIVE ISHËM, BASHKIA DURRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nënndarjes “iv”, të shkronjës “b”, të nenit 13, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e territorit prej 27.500 m2, në fshatin Lalëz, njësia administrative Ishëm, Bashkia Durrës, zonë e re për zhvillim, sipas hartës dhe koordinatave që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË SË SHËRBIMIT PËR ÇËSHTJET E BRENDSHME DHE ANKESAT 2020-2024 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT PËR PERIUDHËN 2020-2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë së Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat 2020-2024 dhe të planit të veprimit për periudhën 2020-2022, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.425, DATË 27.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT E PËRZGJEDHJES SË SUBJEKTEVE TË PAJISURA ME LICENCË PËR PROJEKTIM, ZBATIM, MBIKËQYRJE DHE KOLAUDIM NË PASURITË KULTURORE, PËR KRYERJEN E INVESTIMEVE ME FONDE PUBLIKE NË PASURITË KULTURORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 90, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.425, datë 27.5.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në kreun II bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Institucioni/autoriteti kontraktor, që disponon fondin publik për hartimin e projektit të ndërhyrjes, të zbatimit të punimeve, të mbikëqyrjes dhe të kolaudimit në pasuri kulturore, fillon procedurat e konkurrimit publik, me urdhrin për ngritjen e Komisionit të Konkurrimit (në vijim Komisioni).”.
b) Shkronja “f”, e pikës 14, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“f) të ketë përvojë të mëparshme në kryerjen e ndërhyrjeve ruajtëse të projektimit, të zbatimit, të mbikëqyrjes dhe të kolaudimit në pasuritë kulturore, deri në masën 50% të vlerës së fondit limit të procedurës së konkurrimit.”.
c) Në fund të pikës 22 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Në rastin e procedurave të konkurrimit për përzgjedhjen e subjekteve të pajisura me licencë për projektim, kriteri i përcaktimit të ofertës fituese është oferta ekonomikisht më e favorshme.”.
ç) Pas pikës 22 shtohen pikat 22/1, 22/2 dhe 22/3, me këtë përmbajtje:
“22/1. Pas hapjes së ofertave, Komisioni mund të anulojë procedurën në rastet kur:
a) nuk është paraqitur asnjë ofertë;
b) nuk është kualifikuar asnjë ofertë e vlefshme;
c) ofertuesi/ofertuesit i/e kualifikuar tërhiqen para lidhjes së kontratës ose nuk pranon/jnë të bëj/në sigurimin e kontratës;
ç) për arsye dhe shkaqe që nuk varen nga vullneti i institucionit/autoritetit kontraktor dhe të paparashikueshme në kohën e fillimit të procedurës.
Komisioni nuk mban përgjegjësi për vendimin e marrë, në bazë të kësaj pike, ndaj ofertuesve që kanë paraqitur oferta. Vendimi u komunikohet të gjithë ofertuesve, brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e tij, bashkë me arsyet. Brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e vendimit të anulimit bëhet njoftimi në të njëjtën mënyrë siç është bërë edhe njoftimi i kontratës.
22/2. Ofertat me gabime aritmetike refuzohen kur shumat absolute të të gjitha korrigjimeve janë më shumë se ± 2% e vlerës së ofertës ekonomike të ofruar.
22/3. Pas korrigjimit të gabimeve aritmetike, Komisioni verifikon nëse ofertat e vlefshme janë ose jo me çmim anomalisht të ulët, sipas formulës së përcaktuar në udhëzimin e ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.”.
d) Pas pikës 23 shtohet pika 23/1, me këtë përmbajtje:
“23/1. Procedurat përzgjedhëse të subjekteve të pajisura me licencë për projektim janë procedura konkurrimi me faza.”.
dh) Në pikën 24, pas fjalëve “… të këtij vendimi” shtohen fjalët “… me përjashtim të rasteve kur procedura e konkurrimit zhvillohet nga organi i vetëqeverisjes vendore, në administrimin e të cilit ndodhet pasuria kulturore”.
2. Pas pikës 10, të kreut III, shtohet pika 11, me këtë përmbajtje:
“11. Në rastin e zhvillimit të procedurave të konkurrimit nga organet e vetëqeverisjes vendore, vendimi i marrë nga titullari i institucionit/autoritetit kontraktor, sipas pikës 3, të këtij kreu, është përfundimtar nga ana administrative.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM NOTASH, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR REALIZIMIN E PROGRAMIT TË RISTRUKTURIMIT DHE FUQIZIMIT TË SISTEMIT ELEKTRIK SHQIPTAR PËR INTEGRIMIN NË SISTEMIN BALLKANIK, FUQIZIMI I KAPACITETIT TË TRANSMETIMIT DHE PËRMIRËSIMIT TË KONTROLLIT, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9612, DATË 21.9.2006
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim notash, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e programit të ristrukturimit dhe fuqizimit të sistemit elektrik shqiptar për integrimin në sistemin ballkanik, fuqizimi i kapacitetit të transmetimit dhe përmirësimit të kontrollit, ratifikuar me ligjin nr.9612, datë 21.9.2006, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT, KRITERET DHE PËRPARËSITË PËR AKORDIMIN E GRANTIT TË MENJËHERSHËM PËR BANESAT ME KOSTO TË ULËT NGA BUXHETI I SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 46, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, brenda 30 janarit të çdo viti, paraqesin kërkesat për grante të menjëhershme për banesat me kosto të ulët, pranë ministrisë përgjegjëse për strehimin për t’u planifikuar në buxhetin e vitit pasardhës.
2. Ministria përgjegjëse për strehimin brenda muajit mars planifikon nevojat për fonde për grante të menjëhershme për vitin pasardhës të buxhetit të shtetit, bazuar në kërkesat vjetore të njësive të vetëqeverisjes vendore.
3. Me miratimin e ligjit për buxhetin e shtetit të vitit pasardhës, njësia e vetëqeverisjes vendore i paraqet ministrisë përgjegjëse për strehimin kërkesat për çeljen e fondeve të planifikuara në vitin korrent, shoqëruar me kostot financiare për familje sipas formularit të shtojcës “A”, bashkëlidhur këtij vendimi, pasi ka verifikuar:
a) të dhënat e kontratës me subjektin, me të cilin individi/familja ka lidhur kontratën e kreditimit ose kontratën e shitblerjes së banesës me kosto të ulët;
b) faktin nëse individi/familja ka përfituar më parë nga programe për dhënie granti apo nga zbritje të vlerës së banesës për shkak të statusit të familjes ose të ndonjë prej anëtarëve të saj.
4. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, pas çeljes së fondit nga ministria përgjegjëse për strehimin dhe në varësi të formës së përfitimit të banesës me kosto të ulët nga familja/individi, akordojnë fondet në favor të:
a) kryefamiljarit/es që ka lidhur kontratë shitblerjeje me një subjekt ndërtues publik ose privat;
b) institucionit publik që ka siguruar banesën me kosto të ulët, vlerën e të cilit familja e shlyen me këste mujore;
c) institucionit financiar që ka akorduar kredinë sipas një marrëveshjeje të nënshkruar midis tij dhe subjekteve shtetërore, sipas nenit 47, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me qëllim reduktimin e kësteve mujore që paguan individi/ familja.
5. Nga kategoritë e parashikuara në nenin 46, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, për përfitimin e grantit të menjëhershëm përfitojnë me përparësi:
a) kryefamiljarët me aftësi të kufizuara;
b) familjet me më shumë se një person me aftësi të kufizuara;
c) individët me statusin e jetimit, i cili jeton në banesa të papërshtatshme ose në konvikte;
ç) individët me statusin e jetimit që ka në ngarkim vëllezër dhe motra, të papunësuar;
d) kryefamiljarët e vetëm, viktimë e dhunës në familje;
dh) familjet njëprindërore të minoritetit rom dhe egjiptian;
e) familjet/individët të parashikuar në pikën 1, të nenit 46 të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, që kanë rënë në vështirësi financiare dhe që rrezikojnë të humbasin banesën me kosto të ulët që kanë blerë me kushte kreditimi.
6. Në rastet e parashikuara në shkronjën “e”, të pikës 5, të këtij vendimi, njësia e vetëqeverisjes vendore mbështet familjen/individin që ka rënë në vështirësi financiare, duke siguruar financimin e grantit të menjëhershëm në një kohë sa më të shpejtë dhe gjithmonë jo më vonë se 30 ditë nga paraqitja e kërkesës për grantin e menjëhershëm. Për marrjen e këtij vendimi, njësia e vetëqeverisjes vendore bazohet në:
a) vërtetimin për gjendjen financiare të krijuar për familjen/individin dhe shkaqet që kanë sjellë vështirësinë financiare të krijuar;
b) informacionin e nevojshëm të marrë nga institucioni që ka kredituar familjen/individin për pamundësinë e shlyerjes së kredisë për shkak të gjendjes së vështirë financiare;
c) vërtetimin nga institucioni që ka kredituar familjen/individin se shuma e grantit është e mjaftueshme për të lehtësuar pagesat e kredisë.
7. Përparësitë sipas pikës 5, të këtij vendimi, shërbejnë për përshpejtimin e afatit kohor të lëvrimit të grantit dhe nuk përjashtojnë përfitimin nga granti i menjëhershëm i kategorive të familjeve/individëve, të parashikuara në nenin 46, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, që nuk kanë një nga karakteristikat e pikës 5, të këtij vendimi.
8. Për përfitimin e grantit të menjëhershëm, familja/individi duhet të paraqesë dokumentacionin sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në vendimin nr.384, datë 12.6.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e dokumentacionit për të përfituar strehim sipas çdo programi social të strehimit dhe të afateve e të procedurave të miratimit nga organet e vetëqeverisjes vendore”.
9. Dokumentet sipas pikës 8, të këtij vendimi, si edhe çdo akt apo dokument që vërteton njërën prej situatave të parashikuara në pikën 5, të këtij vendimi, dorëzohen vetëm atëherë kur ato apo njëra prej tyre nuk janë dorëzuar gjatë aplikimit dhe përfitimit të banesës me kosto të ulët.
10. Familjet/individët sipas kategorive të përcaktuara në nenin 46, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, si rregull paraqesin kërkesën për përfitimin e grantit të menjëhershëm pranë njësive të vetëqeverisjes vendore së bashku me kërkesën për t’u trajtuar me banesë me kosto të ulët.
11. Përjashtimisht, kur familja/individi që bën pjesë në kategoritë e përcaktuara në shkronjat “a” e “b”, të pikës 1, të nenit 46, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, që ka përfituar banesë me kosto të ulët në zbatim të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar, si edhe kur ka përfituar banesë me kosto të ulët me fondet e planifikuara për periudhën 2018 dhe 2019 dhe është në një marrëdhënie kontraktore me një institucion publik ose privat për shlyerjen e kredisë apo të vlerës së banesës, por nuk ka mundur të përfitojë grantin e menjëhershëm, apo kur i është krijuar statusi i përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 46, të ligjit nr.22/2018, pasi ka përfituar banesën me kosto të ulët, mund të paraqesë kërkesë për përfitimin e grantit të menjëhershëm pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore në çdo kohë, së bashku me dokumentacionin përkatës që vërteton statusin. Këto familje/individë e përfitojnë grantin e menjëhershëm sipas parashikimeve të pikës 10, të nenit 77, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”.
12. Lista e përfituesve, e cila hartohet nga zyra përkatëse në njësinë e vetëqeverisjes vendore, sipas dokumentacionit përkatës, vlerësohet nga struktura përgjegjëse për strehimin dhe miratohet nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore.
13. Vendimi nr.527, datë 6.8.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e procedurave, kritereve dhe përparësive për përfitimin e grantit të menjëhershëm për banesat me kosto të ulët”, shfuqizohet.
14. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe ministria përgjegjëse për strehimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE