Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 09 Tetor 2018: 

V E N D I M

PËR 

PEZULLIMIN E PËRKOHSHËM TË VEPRIMTARISË SË AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES SË LOJËRAVE TË FATIT 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: 

1. Pezullimin e përkohshëm të veprimtarisë, në fushën e lojërave të fatit, të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), deri në ristrukturimin e këtij institucioni.

2. Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë, si organi epror, të nxjerrë aktet e nevojshme për ristrukturimin e AMLF-së, si dhe të ndjekë zbatimin e këtij procesi.

3. Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë, të përcaktojë aktivitetet konkrete që do të vijojë të kryejë AMLF-ja, për mbikëqyrjen e veprimtarisë së lojërave të fatit, gjatë periudhës së përkohshme të pezullimit.

4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

***

V E N D I M

PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2018, MIRATUAR PËR MINISTRINË E BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109, datë 30.12.2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në buxhetin e vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në programin buxhetor “Menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes” 04240, shtohet fondi prej 165 000 000 (njëqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekësh, në zërin “Shpenzime kapitale”, dhe 28 964 000 (njëzet e tetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë) lekësh në “Shpenzime korrente” (art.602), për operimin dhe rehabilitimin e objekteve të infrastrukturës së ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja;
b) Në programin buxhetor “Zhvillimi rural” 04250, pakësohet fondi prej 165 000 000 (njëqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekësh në zërin “Shpenzime kapitale” dhe 864 000 (tetëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë) lekësh në “Shpenzime korrente (art.602);
c) Në programin buxhetor “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit” 04220, pakësohet fondi prej 21 000 000 (njëzet e një milionë) lekësh në zërin “Shpenzime korrente” (art.602);
ç) Në programin buxhetor “Këshillimi dhe informacioni bujqësor”, 04860, pakësohet fondi prej 7 100 000 (shtatë milionë e njëqind mijë) lekësh në zërin “Shpenzime korrente” (art.602).

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M 

PËR

EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË FONDIT SHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN E DIASPORËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.32/2018, “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: 

1. Emërimin e anëtarëve të këshillit drejtues të Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, si më poshtë vijon:

⦁ Z. Elton Haxhi, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat;
⦁ Znj. Teuta Vodo, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për drejtësinë;
⦁ Z. Andris Stastoli, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për punët e jashtme;
⦁ Znj. Besa Shahini, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për arsimin;
⦁ Z. Hajrulla Çeku, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për turizmin;
⦁ Znj. Mimoza Hysa Çuliqi, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për kulturën.

2. Emërimin e z. Elton Haxhi, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat, kryetar të këshillit drejtues të Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Diasporën dhe Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRBËRJEN, FUNKSIONET, DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E KOMITETEVE TË MENAXHIMIT TË ZONAVE TË MBROJTURA MJEDISORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 41, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Komiteti i menaxhimit është një strukturë mbikëqyrëse, me veprimtari jo menaxhuese, që ngrihet për çdo zonë të mbrojtur mjedisore, dhe organizohet në nivel qarku, drejtohet nga prefekti, ose kur zonat e mbrojtura mjedisore (ZMM) përfshijnë disa qarqe nga prefekti që ka sipërfaqen më të madhe të zonave të mbrojtura mjedisore.

2. Komiteti i menaxhimit drejtohet nga prefekti, i cili është kryetar i tij dhe ka në përbërje:

a) përfaqësues nga ministria përgjegjëse për çështjet e mjedisit, anëtar,;
b) përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM), anëtar;
c) përfaqësues nga prefekti i qarkut, qarqeve të tjera (në rastet kur ZMM-ja ndodhet në më shumë se dy qarqe), një anëtar nga secili qark;
ç) përfaqësues nga bashkia/të, anëtar;
d) drejtori/ët e administratës së zonës të mbrojtur, në nivel qarku, një anëtar nga secili qark;
dh) përfaqësues nga institucionet vendore që kanë lidhje direkt me planin e menaxhimit të zonës së mbrojtur mjedisore, konkretisht të:

i. bujqësisë, anëtar;
ii. turizmit, anëtar;
iii. infrastrukturës dhe energjisë, anëtar;
iv. ujërave, anëtar;
v. shkencës dhe arsimit, anëtar;
vi. trashëgimisë kulturore, në rast se ZMM-ja përfshin vlera dhe zona të mbrojtura të trashëgimisë dhe të peizazhit kulturor, anëtar etj.;

e) përfaqësues të shoqërisë civile mjedisore në nivel lokal që kanë lidhje me planin e menaxhimit të një ZMM-je, anëtar;
ë) përfaqësues nga pronarët e pyjeve e kullotave, prona e të cilave përfshihet në sipërfaqen e ZMM-së, anëtar.

3. Në rastet e zonave të mbrojtura mjedisore ndërkufitare, përfaqësues të administratës së zonës të mbrojtur janë anëtarë të sekretariatit teknik të përbashkët ndërkufitar, detyrat dhe përgjegjësitë e të cilit përcaktohen sipas marrëveshjes së përbashkët ndërkufitare përkatëse.

4. Prefekti i qarkut, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për zonat e mbrojtura dhe AKZM-në, brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, u kërkon drejtuesve të institucioneve publike të përmendura në pikën 2, të këtij vendimi, të caktojnë zyrtarisht përfaqësuesit e tyre dhe miraton listën e përbërjes emërore të secilit komitet menaxhimi, sipas zonave të mbrojtura mjedisore.

5. Në rastin e përfaqësuesit të shoqërisë civile, përfaqësuesi do të zgjidhet rast pas rasti, në varësi të problematikës që do të trajtohet në mbledhjet e komitetit të menaxhimit dhe sipas planit të menaxhimit të zonës përkatëse.

6. Komiteti ka funksion mbikëqyrës për zbatimin e planeve të menaxhimit në zonat e mbrojtura mjedisore. Mënyra e funksionimit përcaktohet në rregulloren e miratuar nga komiteti.

7. Administrata rajonale e zonës së mbrojtur luan rolin e sekretariatit teknik dhe administron të gjithë dokumentacionin që pasqyron punën e komitetit.

8. Komiteti i menaxhimit e shtrin veprimtarinë në të gjithë territorin e qarkut/qarqeve, sipas rrjetit të zonave të mbrojtura mjedisore të miratuara, përfshirë këtu edhe parqet natyrore bashkiake. Mbledhjet e komitetit të menaxhimit zhvillohen brenda territorit të zonës së mbrojtur.

9. Komiteti i menaxhimit e ushtron veprimtarinë nëpërmjet mbledhjeve të zakonshme, të cilat janë të vlefshme kur në to marrin pjesë 50%+1 e anëtarëve dhe thirret nga kryetari jo më pak se dy herë në vit.
10. Komiteti i menaxhimit merr vendime me shumicë votash dhe në rastet kur numri i votave është ndarë në mënyrë të barabartë vendimtare është vota e kryetarit të komitetit.

11. Në çdo mbledhje të komitetit ftohen të marrin pjesë ekspertë të fushave sipas problematikës, studiues dhe kërkues shkencorë, organizata jofitimprurëse mjedisore, përfaqësues të biznesit.

12. Komiteti i menaxhimit ka përgjegjësitë dhe detyrat për:

a) mbikëqyrjen e ecurisë së zbatimit të planit të menaxhimit të zonës dhe të programeve që hartohen në mënyrë të hollësishme, sipas kërkesave të tij;
b) përfshirjen në procesin e hartimit të planit të menaxhimit të zonës dhe ndjekjen e zbatimit të elementeve të tij, për të siguruar përputhshmërinë e tij me strategjinë dhe planet vendore e sektoriale të zhvillimit, duke u kujdesur që këto të fundit të respektojnë kërkesat për mbrojtjen e zonës;
c) nxitjen e zhvillimit ekologjik të mjediseve përreth zonës, si rrjedhojë e zbatimit të planit, me qëllim ruajtjen e cilësisë së saj;
ç) analizimin e kryerjes së detyrave dhe të funksioneve të administratës së zonave të mbrojtura, në funksion të zbatimit të planit të menaxhimit, si dhe të raporteve për të ardhurat dhe shpenzimet financiare që lidhen me zbatimin e planit;
d) rekomandimin për përcaktimin e drejtimit të investimeve në zonë;
dh) miratimin e raportit vjetor të gjendjes së zonës së mbrojtur;
e) propozimin te ministri përgjegjës për mjedisin dhe AKZM-ja për ndryshime në planin e menaxhimit të zonës, zgjerimin e kufijve, si dhe masa shtesë për përmirësimin e cilësive të saj, kur këto mbështeten në studime të kryera dhe argumente mbi nevojën e ndryshimit. Në rast se propozimi përfshin një zonë që ka dhe vlera të trashëgimisë dhe peizazhit kulturor, propozimi duhet të marrë edhe miratimin e organeve kolegjiale vendimmarrëse të ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore;
ë) nxitjen e hartimit dhe të zbatimit të projekteve për përmirësimin e cilësive të zonës;
f) ndjekjen e zbatimit të planit të menaxhimit të zonave të mbrojtura.

13. Komiteti i menaxhimit të zonës së mbrojtur mjedisore përkatëse bashkëpunon ngushtë me AdZM-në për zbatimin e detyrave funksionale të saj të përcaktuara në dispozitat e ligjit “Për zonat e mbrojtura”.

14. Administrata rajonale e zonës së mbrojtur (AdZM), në rolin e sekretariatit teknik, kryen këto detyra:
a) Cakton programin dhe datën e mbledhjes në bashkëpunim me prefektin, në cilësinë e kryetarit të komitetit të menaxhimit;
b) Organizon dhe asiston mbarëvajtjen e mbledhjeve të programuara;
c) Kryen njoftimin e anëtarëve 10 (dhjetë) ditë përpara datës së zhvillimit të mbledhjes, përgatit dhe shpërndan materialet përkatëse të mbledhjes në kohë, për secilin anëtar;
ç) Mban procesverbalin/minutat e takimit, ku shënohen data, vendi i mbledhjes, anëtarët e pranishëm, çështjet e diskutuara, diskutimet e pjesëmarrësve dhe përfundimet e rezultatet e arritura;
d) Harton një raport përfundimtar për çështjet e shqyrtuara në mbledhje duke nxjerrë pas çdo mbledhjeje rekomandimet e nevojshme të cilat i përcjell te ministria përgjegjëse për çështjet e mjedisit dhe AKZM-ja .

15. Vendimi nr.86, datë 11.2.2005, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Komiteteve të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura”, shfuqizohet.

16. Ngarkohen ministri përgjegjës për mjedisin, prefekti i qarkut, bashkitë dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR 

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1374, DATË 10.10.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE, QË NDIQEN PËR HEQJEN, SHTIMIN DHE NDRYSHIMIN E DESTINACIONIT TË FONDIT KULLOSOR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 10, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.1374, datë 10.10.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Kudo në vendim, emërtimi “Ministria e Mjedisit” zëvendësohet me “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”.

2. Në pikën 6 bëhen këto ndryshime:

a) Shkronjat “a” dhe ‘b” shfuqizohen.

b) Shkronja “d” ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“d) Miratimin me shkrim për vazhdimin e procedurave të heqjes nga fondi kullosor me vendim të Këshillit Bashkiak, brenda territorit administrativ të të cilit është sipërfaqja kullosore, e cila do t’u nënshtrohet procedurave të heqjes nga fondi kullosor.”.
3. Në pikën 16, shkronja “c” shfuqizohet.

4. Pika 17 shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR 

VENDOSJEN E MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SAINT KITTS DHE NEVIS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Saint Kitts dhe Nevis.

2. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

*** 

 

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.418, DATË 9.7.1998, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT E LIKUIDIMIT TË NDËRMARRJEVE TË FALIMENTUARA NË RRUGË ADMINISTRATIVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 31, të ligjit nr.7582, datë 13.7.1992, “Për ndërmarrjet shtetërore”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.110/2016, “Për falimentimin”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në pikën 1, të vendimit nr.418, datë 9.7.1998, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas ndarjes “- Fabrika e Çorapeve, Korçë”, shtohet ndarja:

“- Ndërmarrja e Ndërtimit të Hidrocentralit Banjë, Elbasan”.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

*** 

 

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.424, DATË 11.7.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SUBVENCIONIMIN E DHOMËS KOMBËTARE TË ZEJTARISË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 45, të ligjit nr.70/2016, “Për zejtarinë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Pika 2, e vendimit nr.424, datë 11.7.2018, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

*** 

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.420, DATË 8.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E CEREMONIALIT SHTETËROR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 1, të ligjit nr.7651, datë 21.12.1992, “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në tekstin e Ceremonialit Shtetëror të Republikës së Shqipërisë, bashkëlidhur vendimit nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në nënpikën 6.2, të pikës 6, në kapitullin VI, nënndarja “19 tetor – Dita e Lumturimit të Nënë Terezës” zëvendësohet me nënndarjen “5 shtator – Dita e Shenjtërimit të Shenjt Terezës”.

2. Në nënpikën 1.3, të pikës 1, në kapitullin VII, emërtimi “…“ID*-2002”…” zëvendësohet me emërtimin “…“ID*-2018” …”

3. Në aneksin 1, formulari ID*-2002 zëvendësohet me formularin ID*-2018, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

*** 

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1353, DATË 10.10.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR PARAQITJEN E KËRKESËS, MBAJTJEN DHE PLOTËSIMIN E DOKUMENTACIONIT TEKNIK, SI DHE TË KRITEREVE E TË PROCEDURAVE TË ZVOGËLIMIT TË SIPËRFAQES E TË VËLLIMIT TË FONDIT PYJOR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: 

Në vendimin nr.1353, datë 10.10.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Kudo në vendim, emërtimi “Ministria e Mjedisit” zëvendësohet me “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”.

2. Në pikën 5 bëhen këto ndryshime:

a) Shkronjat “a” dhe “b” shfuqizohen.

b) Shkronja “ç” ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“ç) Miratimin me shkrim për vazhdimin e procedurave të heqjes nga fondi pyjor me vendim të Këshillit Bashkiak, brenda territorit administrativ të të cilit është sipërfaqja pyjore, e cila do t’u nënshtrohet procedurave të heqjes nga fondi pyjor.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

*** 

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MODELIT TË TREGUT TË GAZIT NATYROR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 58, 88, pika 1, dhe 116, pika 1, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: 

1. Miratimin e modelit të tregut të gazit natyror, sipas tekstit dhe skemës që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Enti Rregullator i Energjisë, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, sigurojnë monitorimin dhe vlerësimin e vazhdueshëm të modelit të tregut të gazit natyror.

3. Modeli i tregut i gazit natyror, i përcaktuar në këtë vendim, do të jetë i aplikueshëm në momentin që do të bëhet efektiv aktiviteti në tregun e gazit natyror i shoqërisë TAP AG ose i shoqërisë “ALBGAZ”, sh.a. si dhe në çdo rast që një shoqëri e gazit natyror do të ketë aktivitet komercial në tregun e gazit.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enti Rregullator i Energjisë dhe “ALBGAZ”, sh.a., e “Albpetrol”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.