Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Korrik 2024:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, (ASISTENCA TEKNIKE) SHQIPËRIA: REHABILITIMI I LINJËS HEKURUDHORE VORË-HANI I HOTIT / ZBATIMI I PROJEKTIT DHE MBIKËQYRJA E PUNIMEVE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE HEKURUDHËS SHQIPTARE, SH.A., DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, MBËSHTETUR NGA FONDI I PËRBASHKËT EVROPIAN PËR BALLKANIN PERËNDIMOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë e të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, (asistenca teknike) Shqipëria: Rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit / zbatimi i projektit dhe mbikëqyrja e punimeve, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Hekurudhës Shqiptare, sh.a., dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, mbështetur nga Fondi i Përbashkët Evropian për Ballkanin Perëndimor, me një grant, në shumën 7 500 000 (shtatë milionë e pesëqind mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT (REHABILITIMI I LINJËS HEKURUDHORE VORË – HANI I HOTIT), NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE HEKURUDHËS SHQIPTARE, SH.A., DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, NË LIDHJE ME NJË GRANT INVESTIMI NGA FONDI I PËRBASHKËT EVROPIAN PËR BALLKANIN PERËNDIMOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë e të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit (rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit), ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Hekurudhës Shqiptare, sh.a., dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në lidhje me një grant investimi nga Fondi i Përbashkët Evropian për Ballkanin Perëndimor, me një grant në shumën 125 813 039 (njëqind e njëzet e pesë milionë e tetëqind e trembëdhjetë mijë e tridhjetë e nëntë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.35/2023, “PËR KOMPETENCAT PËR CAKTIMIN E PAGAVE, TRAJTIMEVE TË TJERA FINANCIARE DHE PËRFITIMEVE TË TË PUNËSUARVE NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS PUBLIKE, SI DHE TË PAGËS BAZË MINIMALE NË SHKALLË VENDI””
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për një ndryshim në ligjin nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi””, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1140, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KRIMEVE TË RËNDA, 2021–2025, DHE PLANIN E VEPRIMIT 2023–2025”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shtojca 1, me titull “Plani Kombëtar i Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Personave 2021-2023”, që i bashkëlidhet vendimit nr.1140, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohet me shtojcën 1, me titull “Plani Kombëtar i Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Personave 2024-2025”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË REGJISTRIMIT, ORGANIZIMIT, KLASIFIKIMIT DHE TARIFAVE TË REGJISTRIMIT TË VEPRAVE TË TË DREJTAVE TË AUTORIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 18, të ligjit nr.35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim ka për objekt përcaktimin e procedurës së regjistrimit të veprave të së drejtës së autorit, sipas klasifikimit dhe organizimit të tyre, si dhe të tarifave të regjistrimit, në zbatim të ligjit nr.35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, të ndryshuar.
2. Regjistrimi i së drejtës së autorit është vullnetar dhe u referohet vetëm të drejtave të autorit.
3. Regjistrimi i së drejtës së autorit kryhet nga Drejtoria për të Drejtën e Autorit në ministrinë përgjegjëse për të drejtat e autorit.
4. Aplikimi për regjistrimin e së drejtës së autorit kryhet on-line në portalin “e-Albania”, në shërbimin elektronik “Regjistrimi i së drejtës së autorit”.
5. Aplikimi kryhet nga autori i veprës, trashëgimtari ligjor, përfaqësuesi i autorizuar prej autorit/bashkautorit ose agjencia e administrimit kolektiv.
6. Aplikimi për regjistrimin e të drejtave të autorit shoqërohet me dokumentacionin e domosdoshëm, si më poshtë vijon:
a) Mandatpagesën, e cila është e vlefshme vetëm për një aplikim, nëpërmjet të cilit regjistrohet një numër i caktuar veprash, sipas tarifave të parashikuara në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) Kopjen e veprës on-line në portalin “e-Albania” ose fizikisht, në formë të shkruar ose CD, në protokollin e ministrisë përgjegjëse për të drejtat e autorit;
c) Dokumentin autorizues të përfaqësimit, në rast se kërkesa kryhet nga një përfaqësues;
ç) Dokumentin e dëshmisë së trashëgimisë, në rast se kërkesa kryhet nga trashëgimtari/ët ligjor/ë.
7. Procedura e regjistrimit në Drejtorinë për të Drejtën e Autorit zgjat në një afat maksimal prej 30 (tridhjetë) ditësh. Konkretisht, kjo procedurë përfshin:
a) aplikimin e depozitimin e dokumenteve shoqëruese në portalin “e-Albania”. Përjashtimisht, vetëm dokumentet, të cilat nuk mund të ngarkohen në format elektronik, i dërgohen institucionit në format shkresor (hard copy) brenda 5 (pesë) ditëve nga data e aplikimit;
b) korrigjimin e pasaktësive nga aplikanti, brenda 5 (pesë) ditëve nga kërkesa e Drejtorisë për të Drejtën e Autorit, në rastet kur aplikimi nuk është paraqitur, në përputhje me pikën 6, të këtij vendimi. Në rast të mosplotësimit të pasaktësive brenda këtij afati, aplikimi refuzohet;
c) shqyrtimin e kërkesës në raport me parashikimet e ligjit për të drejtat e autorit brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve. Në rast se vepra që kërkohet të regjistrohet nuk është objekt i mbrojtjes së të drejtës së autorit, aplikimi refuzohet në mënyrë të arsyetuar;
ç) regjistrimin e veprës dhe pajisjen me certifikatë ose refuzimin, sipas shkronjës “c” të kësaj pike, brenda 5 (pesë) ditëve.
8. Në rast të plotësimit të kushteve ligjore për regjistrimin e së drejtës të autorit, Drejtoria për të Drejtën e Autorit lëshon certifikatën e regjistrimit të së drejtës së autorit.
9. Certifikata e regjistrimit të së drejtës së autorit merret nëpërmjet portalit “e-Albania” me nënshkrim ose vulë elektronike.
10. Drejtoria për të Drejtën e Autorit përditëson të dhënat e regjistrimit të së drejtës së autorit në bazën e të dhënave shtetërore “Regjistri i të dhënave të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to”.
11. Data e regjistrimit të të drejtave të autorit është data e aplikimit të kryer në mënyrë të rregullt on-line në portalin “e-Albania”.
12. Organizimi dhe klasifikimi i veprave të së drejtës së autorit do të kryhet sipas vendimit nr.651, datë 22.11.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore “Regjistri i të dhënave të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to” dhe përcaktimin e elementeve të regjistrit të të dhënave të hapura për publikun, dokumentar dhe elektronik”.
13. Formati dhe elementet përbërëse të certifikatës “Regjistrimi i së drejtës së autorit” përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për të drejtat e autorit.
14. Regjistrimi dhe certifikimi nga Drejtoria për të Drejtën e Autorit kanë efekt ligjor derisa me vendim gjyqësor të provohet e kundërta.
15. Vendimi nr.34, datë 18.1.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e regjistrimit, të organizimit dhe klasifikimit të veprave të të drejtave të autorit”, shfuqizohet.
16. Ngarkohet ministria e përgjegjëse për të drejtën e autorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I KOPSHTIT NR.37”, BASHKIA TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Kopshtit nr.37”, Bashkia Tiranë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 25 247 313 (njëzet e pesë milionë e dyqind e dyzet e shtatë mijë e treqind e trembëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 25 247 313 (njëzet e pesë milionë e dyqind e dyzet e shtatë mijë e treqind e trembëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI URBAN I NJË PJESE TË BLLOKUT NR.3, NË QENDËR TË QYTETIT TË ROSKOVECIT (FAZA 1)”, BASHKIA ROSKOVEC
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi urban i një pjese të bllokut nr.3, në qendër të qytetit të Roskovecit (faza 1)”, Bashkia Roskovec.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Roskovec.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 9 431 003 (nëntë milionë e katërqind e tridhjetë e një mijë e tre) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 9 431 003 (nëntë milionë e katërqind e tridhjetë e një mijë e tre) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Roskovec.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Roskovec.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruara në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Roskovec.
8. Bashkia Roskovec kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Roskovec.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Roskovec për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë, në favor të Bashkisë Roskovec, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Roskovec, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.101, DATË 15.2.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KOHËN E PUNËS DHE TË PUSHIMIT NË POLICINË E SHTETIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 63, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 76-108, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në kreun I, të vendimit nr.101, datë 15.2.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për kohën e punës dhe pushimit në Policinë e Shtetit”, bëhen këto shtesa:
a) Pas pikës 12 shtohen pikat 12/1 e 12/2, me këtë përmbajtje:
“12/1. Aktivizimi i punonjësve të policisë në punë/shërbim me zgjatje të kohës normale të punës/shërbimit, 4 (katër) orë për çdo turn/shërbim, bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe realizohet gjatë sezonit turistik veror, për periudhën nga data 16 qershor deri në datën 15 shtator.
12/2. Zgjatja e kohës normale të punës/shërbimit, 4 (katër) orë për çdo turn/shërbim, gjatë sezonit turistik veror, për periudhën nga data 16 qershor deri në datën 15 shtator, kompensohet me pagë dhe pagesa kryhet bashkë me pagën mujore të muajit kur është kryer shërbimi.”.
b) Në pikën 13, pas fjalëve “… mbi kohën normale të punës …” shtohen “… dhe zgjatjes së kohës normale të punës/shërbimit …”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i shtetit për programin buxhetor “Policia e Shtetit”.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË ROSKOVEC, TË PASURIVE ME NUMËR 213/1-ND1, 213/1-ND2 DHE 213/1-ND3, ZONA KADASTRALE 3805, NJËSIA ADMINISTRATIVE KURJAN, SI DHE PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.770, DATË 24.9.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Roskovec të pasurive me numër 213/1-ND1, 213/1-ND2 dhe 213/1-ND3, zona kadastrale 3805, njësia administrative Kurjan, sipas formularit dhe planeve të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur në fushën e zhvillimit ekonomik.
2. Pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohen listës së inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.770, datë 24.9.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Roskovec, të Qarkut të Fierit”, të ndryshuar.
3. Ngarkohen Bashkia Roskovec dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU