Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Mars 2021:
AKT NORMATIV
PËR
DHËNIEN E AUTORIZIMIT MINISTRIT TË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE DHE MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE ME PRODHUESIT, ME DISTRIBUTORË TË AUTORIZUAR, ME QEVERITË OSE INSTITUCIONET E AUTORIZUARA PREJ TYRE, TË VENDEVE QË PRODHOJNË OSE DISTRIBUOJNË VAKSINA ANTICOVID, PËR TË SIGURUAR KËTO VAKSINA, TË CILAT JANË TË CERTIFIKUARA NGA TRUPA CERTIFIKUESE NË VENDIN E PRODHIMIT TË TYRE
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Dhënie autorizimi për zhvillimin e negociatave
Dhënien e autorizimit ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anticovid, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.8, DATË 6.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË KRITEREVE TË PËRFITIMIT TË SIPËRFAQEVE NDËRTIMORE NË OBJEKTET E REJA PËR BANIM NGA SUBJEKTET QË POSEDOJNË NDËRTIME TË KLASIFIKUARA SI NDËRTIME PA LEJE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 8, e vendimit nr.8, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“8. Sipërfaqja ndërtimore në objektet e reja për banim, që përfitojnë poseduesit e ndërtimeve pa leje, është 100 për qind e sipërfaqes së objektit pa leje.”.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, njësitë e vetëqeverisjes vendore, njësitë zbatuese, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË SHIJAK TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 21, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi të Bashkisë Shijak të 70 (shtatëdhjetë) njësive individuale të banimit, sipas listës së inventarit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Shijak për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË ÇERDHES “VALIAS”, NË ZONËN E RE PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR, NË FSHATIN VALIAS, BASHKIA KAMZË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË KAMZË SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në vlerën 82 267 780 (tetëdhjetë e dy milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë) lekë pa TVSH, për financimin e ndërtimit të çerdhes “Valias”, në zonën e re për zhvillim të detyruar, në fshatin Valias, Bashkia Kamzë.
2. Bashkisë Kamzë, në buxhetin e vitit 2021, i transferohet fondi në formën e transfertës së pakushtëzuar, në masën 16 453 556 (gjashtëmbëdhjetë milionë e katërqind e pesëdhjetë e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekë pa TVSH, për financimin e ndërtimit të çerdhes “Valias”, në zonën e re për zhvillim të detyruar, në fshatin Valias, Bashkia Kamzë.
3. Caktimin e Bashkisë Kamzë si njësi zbatuese, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË GODINËS ADMINISTRATIVE, NË ZONËN E RE PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR , NË FSHATIN VALIAS, BASHKIA KAMZË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË KAMZË SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në vlerën 203 034 301 (dyqind e tre milionë e tridhjetë e katër mijë e treqind e një) lekë pa TVSH, për financimin e ndërtimit të godinës administrative, në zonën e re për zhvillim të detyruar, në fshatin Valias, Bashkia Kamzë.
2. Bashkisë Kamzë, në buxhetin e vitit 2021, i transferohet fondi në formën e transfertës së pakushtëzuar, në masën 40 606 860 (dyzet milionë e gjashtëqind e gjashtë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë) lekë pa TVSH, për financimin e ndërtimit të godinës administrative, në zonën e re për zhvillim të detyruar, në fshatin Valias, Bashkia Kamzë.
3. Caktimin e Bashkisë Kamzë si njësi zbatuese, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKIVE DURRËS DHE RROGOZHINË TË OBJEKTEVE ARSIMORE, SHKOLLA 9-VJEÇARE “NEIM BABAMETO”, BASHKIA DURRËS, DHE SHKOLLA 9-VJEÇARE “GOSË”, BASHKIA RROGOZHINË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 21, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi të bashkive Durrës dhe Rrogozhinë, përkatësisht, të objekteve arsimore shkolla 9-vjeçare “Neim Babameto”, Bashkia Durrës, dhe shkolla 9-vjeçare “Gosë”, Bashkia Rrogozhinë, sipas listës së inventarit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqipar i Zhvillimit dhe bashkitë Durrës e Rrogozhinë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LARGIMIN NGA DETYRA TË NJË ANËTARI TË KOMISIONIT KOMBËTAR RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të pikës 1, të nenit 5, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Elona Kana, anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, largohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË TIRANËS
Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës, dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Toni Gogu, prefekt i Qarkut të Tiranës, lirohet nga kjo detyrë.
2. Z. Mersin Murataj emërohet prefekt i Qarkut të Tiranës.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.62, DATË 29.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE DURRËS, BASHKIA DURRËS, DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI NJËSI ZBATUESE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” e “iv”, dhe 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr. 97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shfuqizimin e vendimit nr.62, datë 29.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim në Njësinë Administrative Durrës, Bashkia Durrës, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese”.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Durrës dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2019 PËR PROJEKTIN “TRANSPORT I QËNDRUESHËM NË TIRANË (DKTI)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2019 për projektin “Transport i qëndrueshëm në Tiranë (DKTI)”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR NJOHJEN E NDËRSJELLË TË LEJEVE TË DREJTIMIT ME QËLLIM KONVERTIMIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit me qëllim konvertimin, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR PËRFITUESIT NGA PROGRAMI PËR ZHVILLIMIN E ZONËS, ME QËLLIM STREHIMIN, MËNYRËN E SIGURIMIT TË STREHIMIT TË TYRE GJATË PERIUDHËS SË NDËRTIMIT, FORMËN E KALIMIT TË PRONËSISË PËR KUOTA TË PËRCAKTUARA PËR BANESA SOCIALE NGA NDËRTUESIT OSE PRONARËT, PËR STREHIMIN E PËRFITUESVE QË JANË ZHVENDOSUR PREJ TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 51, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Dispozita të përgjithshme
1. Ky vendim ka si qëllim përcaktimin e:
a) kritereve për përfituesit e programit për zhvillimin e zonës, me qëllim strehimin;
b) mënyrës së sigurimit të strehimit të përfituesve gjatë periudhës së ndërtimit të banesave sociale;
c) formës së kalimit të pronësisë për kuotat e banimit të përcaktuara për banesat sociale ose pronarët, me qëllim strehimin e përfituesve që janë zhvendosur prej tyre.
Me termin “kuotë banimi” kuptohet sipërfaqja e ndërtimit e njësive të banimit (në vijim dhe për efekt regjistrimi në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës do të përdoret termi “njësi banimi”).
2. Zhvillimi i një zone, me qëllim strehimin, realizohet kur trualli:
a) i zënë me ndërtime pa leje që nuk mund të legalizohen në përputhje me ligjin për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë, me ndërtime pa leje të papërfunduara të identifikuara si të tilla nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, ose me ndërtime të vjetra industriale, jofunksionale, të zëna nga individë pa autorizime përkatëse për strehim, është në pronësi të shtetit;
b) i zënë me ndërtime të rregullta, me intensitet të ulët ndërtimi, është në pronësi të subjekteve private, pronarë të banesave. Me “ndërtime të rregullta”, sipas kësaj shkronje, kuptohen ndërtime të realizuara sipas legjislacionit për planifikimin e territorit që ka qenë në fuqi në kohën kur janë realizuar ndërtime, të cilat kanë përfunduar procesin e legalizimit, ndërtime pa leje që janë në proces legalizimi, si dhe ato që plotësojnë kushtet ligjore për legalizim;
c) është i lirë dhe është në pronësi të shtetit ose të subjekteve private.
3. Trualli që përdoret për zbatimin e programit për zhvillimin e zonës, sipas këtij vendimi, vlerësohet nga vlerësues të licencuar të pasurive të paluajtshme, të cilët kontraktohen nga pronarët e truallit. Kjo vlerë negociohet me investitorin, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi me leverdi ekonomike. Në negociatat me investitorin, çdo subjekt, që ka në bashkëpronësi një sipërfaqe trualli, përfaqësohet individualisht ose sipas rregullave të administrimit të sendit në bashkëpronësi në përputhje me Kodin Civil.
4. Njësia e vetëqeverisjes vendore, si pronare e truallit, zhvillon zonën vetë apo në marrëveshje me investitorë privatë, sipas procedurave të përcaktuara në përputhje me nenin 52, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”.
5. Zhvillimi i zonës me qëllim strehimi për ndërtimin e banesave sociale në truall në pronësi të subjekteve private realizohet në marrëveshje ndërmjet njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe pronarëve të truallit. Marrëdhëniet ndërmjet njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe pronarëve të truallit rregullohen sipas rregullave për zhvillimin e detyrueshëm të tokës të ligjit për planifikimin e zhvillimin e territorit.
6. Kontrata e sipërmarrjes, porosisë apo premtim–shitjes ndërmjet investitorit, pronarëve të truallit dhe njësisë së vetëqeverisjes vendore, që synon kalimin e pronësisë së objektit në ndërtim, regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, në respektim të ligjit “Për kadastrën”.
7. Sipërfaqet e banimit që rezultojnë në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore, sipas këtij vendimi, i shtohen fondit të banesave sociale dhe përdoren për strehimin e individëve/familjeve sipas kritereve të përzgjedhjes të përcaktuara në ligjin për strehimin social.
8. Programi i zhvillimit të zonave për strehim, në rastin kur trualli është pronë e shtetit dhe nuk transferohet në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore, zbatohet në bashkëpunim ndërmjet njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe ministrisë përgjegjëse për strehimin.
9. Trualli pronë shtetërore, që përdoret për programet e zhvillimit të zonës me qëllim strehimi, vlerësohet njëlloj si truall privat. Kur trualli është në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore, ajo zhvillon një procedurë të hapur konkurrimi për të siguruar përqindjen më të lartë të këmbimit të vlerës së truallit me sipërfaqe ndërtimi.
10. Procedura e kalimit të pronësisë së truallit, që ndodhet brenda juridiksionit territorial të njësisë së vetëqeverisjes vendore, realizohet nga kjo njësi. Nëse zona për zhvillim shtrihet në territorin e më shumë se një njësie të vetëqeverisjes vendore, ato lidhin marrëveshje me natyrë koordinimi për realizimin e procedurës për zhvillimin e zonës, ndërtimin e banesave dhe kalimin e pronësisë.
11. Pas përfundimit të procedurës, sipas këtij vendimi, njësia e vetëqeverisjes vendore regjistron marrëveshjen e shkëmbimit në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, në respektim të ligjit “Për kadastrën”.
II. Kriteret për përfituesit e programit për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi
1. Kriteret për përfituesit dhe kushtet për trajtimin e tyre janë, si më poshtë vijon:
a) Në rastet e shkronjës “a”, të pikës 2, të kreut I, të këtij vendimi, fillimisht përfitojnë strehim banorët që ndodhen në zonë. Ndarja e pronësisë mbi sipërfaqen e ndërtimit në objektin që ndërtohet në këtë rast realizohet, si më poshtë vijon:
i. Familjet që banojnë në zonë përfitojnë sipërfaqe ndërtimi sipas normave të strehimit në fuqi;
ii. Kjo sipërfaqe zbritet përpjesëtimisht nga pjesët fituese të sipërfaqes së ndërtimit të ri ndërmjet pronarit të tokës dhe investitorit, të cilët vlerësojnë nëse, pas zbritjes së sipërfaqes së ndërtimit që përfitojnë këto familje, investimi është me leverdi ekonomike për ta ose jo.
b) Në rast zhvillimi të zonës me intensitet të ulët ndërtimi, sipas shkronjës “b”, të pikës 2, të kreut I, të këtij vendimi:
i. fillimisht përfitojnë banorët që banojnë në banesat që ndodhen në zonë dhe janë pronarë të truallit dhe banesës;
ii. sipërfaqja e ndërtimit që i takon investitorit në ndërtimin e ri, edhe kur investitor është njësia e vetëqeverisjes vendore, është e barabartë me diferencën midis sipërfaqes së përgjithshme të ndërtimit dhe sipërfaqes që i takon pronarit sipas marrëveshjes;
iii. në rastet kur investimi realizohet nga subjekte private, njësia e vetëqeverisjes vendore përfiton 3% të sipërfaqes funksionale të ndërtimit mbi 2 000 (dy mijë) m2, sipas parashikimeve të ligjit për strehimin social.
c) Në rastin e shkronjës “c”, të pikës 2, të kreut I, të këtij vendimi, kur trualli është në pronësi private, përparësi në trajtimin me strehim kanë pronarët e truallit, nëse ata janë në nevojë për strehim. Ndarja e pronësisë në objektin që ndërtohet realizohet sipas kritereve të përcaktuara në shkronjën “b”, të kësaj pike. Kur trualli i lirë është në pronësi të shtetit, përparësitë përcaktohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore sipas sistemit të pikëzimit dhe kritereve të përzgjedhjes që përcaktohen në ligjin për strehimin social.
III. Mënyra e sigurimit të strehimit të përfituesve gjatë periudhës së ndërtimit të banesave sociale
1. Gjatë ndërtimit të banesave në zonat që zhvillohen me qëllim strehimi, familjeve/individëve që do të përfitojnë prej tyre, iu sigurohet strehim sipas rregullave të mëposhtme:
a) Nëse investitor është njësia e vetëqeverisjes vendore, kur familjet/individët janë zhvendosur nga ndërtime pa leje të papërfunduara, objekte që nuk mund të legalizohen, si dhe nga objekte të papërshtatshme për banim, njësitë e vetëqeverisjes vendore kujdesen që këto familje, dhe veçanërisht gratë kryefamiljare dhe nëna të vetme, të përfshihen në programin e banesave sociale me qira dhe, kur njësia e vetëqeverisjes vendore nuk disponon banesa sociale me qira, familjet dhe individët e zhvendosur trajtohen me subvencionimin e qirasë në tregun e lirë ose mund të vendosen në strehët e përkohshme;
b) Nëse investitor i zonës që zhvillohet është një subjekt i ndryshëm nga njësia e vetëqeverisjes vendore, familjet, që banojnë në zonat që zhvillohen me qëllim strehimi, sistemohen nga subjekti që investon në banesa të përshtatshme dhe në distanca sa më të afërta me zonën e tyre aktuale të banimit. Shpenzimet për pagesat e qirave ndahen mes investitorit, familjeve dhe njësisë së vetëqeverisjes vendore, sipas marrëveshjes së lidhur. Për familjet pa të ardhura dhe me të ardhura shumë të ulëta, si dhe gratë kryefamiljare e nënat e vetme, qiraja mbulohet tërësisht nga njësia e vetëqeverisjes vendore dhe/ose investitori, sipas marrëveshjes së lidhur;
c) Kur ndërtimi i banesës bëhet mbi truallin nga i cili janë zhvendosur familje/individë që banojnë në ndërtime pa leje të papërfunduara e ndërtime pa leje, që nuk mund të legalizohen, me përparësi trajtohen ato familje, të cilat nuk disponojnë banesë në pronësi, truall për ndërtim apo ndonjë pronë tjetër që mund të përdoret për banim dhe kanë të ardhura jo më të larta se 100% e të ardhurave mesatare familjare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse.
IV. Forma e kalimit të pronësisë për njësitë e përcaktuara për banesat sociale ose pronarët, me qëllim strehimin e përfituesve që janë zhvendosur prej tyre
1. Pas përfundimit të ndërtimit të banesave në zonat që zhvillohen me qëllim strehimi, njësitë e vetëqeverisjes vendore aplikojnë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për regjistrimin e kontratës që kanë bërë me subjektet financuese të ndërtimit, ku përcaktohen përkatësisht njësitë e banimit që kalojnë në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe në pronësi të subjekteve financuese private apo publike.
2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, pas kalimit të banesave në pronësi të tyre, për rastet kur ka familje/individë që përfitojnë sipas parashikimeve të këtij vendimi, lidhin marrëveshjen e përfitimit me akt noterial, për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi banesat dhe trojet me familjet/individët përfitues. Një kopje e marrëveshjes dërgohet për regjistrim pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
3. Në rastin kur ndërtimi i banesës bëhet me të ardhurat e familjes/individit përfitues, njësitë e vetëqeverisjes vendore lidhin me akt noterial kontratën për ofrimin pa shpërblim të truallit të pajisur me infrastrukturë, pjesë e zhvillimit të një zone me qëllim strehimin, sipas planit të detajuar vendor, tipologjisë së banesës, kushteve dhe kritereve të parashikuara me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Kontrata lidhet pas miratimit me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore të listës së familjeve/individëve që mbulojnë vetë shpenzimet e ndërtimit të banesës. Kontrata e lidhur me familjet/individët përfitues regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
4. Në rastin kur ndërtimi i banesës bëhet mbi truallin nga i cili janë zhvendosur familje/individë që banojnë në objekte të papërfunduara e objekte joformale, që nuk mund të legalizohen, njësia e banimit të tyre përcaktohet paraprakisht para se të fillojë ndërtimi, në një kontratë paraprake të lidhur me akt noterial ndërmjet njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe subjektit financues privat ose publik, si dhe palëve përfituese nga zhvendosja. Kjo kontratë regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Me mbarimin e ndërtimit, njësive të vetëqeverisjes vendore i kalon pronësia e njësive të banimit nëpërmjet kontratës së dhurimit, sipas përcaktimeve në kontratën e lidhur.
V. Dispozita të fundit
Ngarkohen ministria përgjegjëse për strehimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, NË BASHKINË LEZHË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 114 502 272 (njëqind e katërmbëdhjetë milionë e pesëqind e dy mijë e dyqind e shtatëdhjetë e dy) lekë, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para, në Bashkinë Lezhë.
2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe i transferohet Bashkisë Lezhë në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN, DHE FUNKSIONIMIN E MUZEUT TË ARSIMIT KORÇË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 214, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Muzeut të Arsimit Korçë.
2. Muzeu i Arsimit Korçë është person juridik publik, buxhetor, i cili ushtron veprimtarinë si një muze qendror i specializuar në fushën muzeore, në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, me seli në Korçë.
3. Muzeu i Arsimit Korçë ka për mision promovimin e trashëgimisë historike dhe kulturore të lidhura me historinë e themelimit të institucionit të parë arsimor në Shqipëri nëpërmjet kontributit të personaliteteve të shquara në Shqipëri e kontributet e diasporës shqiptare të kohës.
4. Burimet e financimit të Muzeut të Arsimit Korçë janë, si më poshtë vijon:
a) Buxheti i shtetit;
b) Burime të tjera sipas legjislacionit në fuqi.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TЁ MUZEUT TË ARSIMIT KORÇË
Muzeu i Arsimit Korçë ka këto përgjegjësi:
a) Të organizojë punën për ekspozimin, pasurimin, propagandimin, studimin dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të lidhura me themelimin e institucionit të parë arsimor në Shqipëri;
b) Të organizojë punën për përmirësimin dhe pasurimin e mëtejshëm të ekspozimit, duke hulumtuar fondin e pasur muzeor të arsimit në vend.
c) Të ofrojë shërbime për publikun në funksion të përmbushjes së përgjegjësive funksionale të tij.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I MUZEUT TË ARSIMIT KORÇË
1. Muzeu i Arsimit Korçë organizohet në nivel qendror.
2. Muzeu i Arsimit Korçë funksionon në bazë të ligjit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, të këtij vendimi, të statutit e të rregullores së tij.
3. Muzeu i Arsimit Korçë e realizon veprimtarinë e tij në bashkëpunim me:
a) organet e administratës shtetërore qendrore dhe organet e vetëqeverisjes vendore;
b) rrjetin muzeor shqiptar;
c) muzetë kombëtarë, muzetë tipologjikë, muzetë vendorë, muzetë privatë, për të tërhequr në fondet e tij objekte me vlera të veçanta, si dhe për ekspozita e aktivitete të tjera të përbashkëta;
ç) institucione shkencore, kulturore, artistike dhe fetare, individë, persona fizikë e juridikë, privatë, për evidentimin, grumbullimin e restaurimin e objekteve, pjesë e fondit të tij, që janë vlera materiale të trashëgimisë kulturore;
d) institucione të huaja simotra nëpërmjet marrëveshjeve ndërkombëtare, duke marrё nё çdo rast miratimin e ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.
4. Struktura dhe organika e Muzeut të Arsimit Korçë miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
5. Statuti dhe rregullorja që përcakton metodat e brendshme të punës së Muzeut të Arsimit Korçë miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.
6. Marrëdhëniet juridike të punës së drejtorit, nëpunësve dhe të punonjësve të Muzeut të Arsimit Korçë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
7. Muzeu i Arsimit Korçë kryen këto detyra:
a) Zbaton politikën e ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore në fushën e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, në fushën e ekspozimit, pasurimit, propagandimit, studimit, mbrojtjes, konservimit dhe restaurimit të vlerave të trashëgimisë kulturore në fushën e arsimit;
b) Ruan dhe studion provat materiale e jomateriale të trashëgimisë historike e kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis që nxit edukimin e argëtimin;
c) Siguron disponueshmërinë e koleksioneve të muzeut për vizitorët dhe studiuesit;
ç) Bashkëpunon me subjektet arsimore, duke u ofruar personave të të gjitha moshave mundësi për të mësuar nëpërmjet kontaktit me materiale origjinale;
d) Organizon aktivitete, të cilat përmbushin vizionin dhe misionin e tij në promovimin historik të institucionit të parë arsimor në Shqipëri;
dh) Organizon brenda dhe jashtë vendit çeljen e ekspozitave me objektet që disponon, në përputhje me legjislacionin nё fuqi;
e) Përgatit pasaportën shkencore të çdo objekti ekzistues apo të ri, që bёhet pjesë e fondit tё tij, dhe ia përcjell për regjistrim Institutit Kombëtar tё Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore;
ë) Kryen hulumtime profesionale e shkencore për mbledhjen, vlerësimin, dhe ekspozimin e objekteve që disponon;
f) Nxit dhe inkurajon, nëpërmjet projekteve, veprimtarinë kërkimore-shkencore lidhur me fondet që administron për studiuesit në fushën e historisë, edukimit dhe punonjësve në fushën e muzeologjisë;
g) Inkurajon dialogun me dhe ndërmjet qytetarëve për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen shqiptare.
8. Muzeu i Arsimit Korçë drejtohet nga drejtori i muzeut, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e institucionit e përgjigjet përpara ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.
9. Drejtori i Muzeut të Arsimit Korçë emërohet nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore për një mandat trevjeçar, sipas kritereve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Muzeve. Procedura e përzgjedhjes së drejtorit kryhet nëpërmjet konkursit publik, të realizuar nga ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe sipas përcaktimeve në rregulloren për metodat e brendshme të punës së muzeut.
10. Drejtori i Muzeut të Arsimit Korçë ka këto kompetenca:
a) Drejton veprimtarinë e Muzeut të Arsimit Korçë në përputhje me legjislacionin në fuqi, statutin e institucionit dhe rregulloren e brendshme të funksionimit të tij;
b) Përfaqëson Muzeun e Arsimit Korçë në marrëdhëniet me të tretët;
c) Ka të drejtë të lidhë marrëveshje për shkëmbimin e fondeve muzeore, pas marrjes sё miratimit nga Këshilli Kombëtar i Muzeve. Procedura e ndjekur në këtë rast bёhet sipas përcaktimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore dhe muzetë;
ç) Merr masa mbrojtëse dhe ruajtjeje lidhur me Fondin Kombëtar të Muzeut;
d) Emëron e liron nga detyra, në përputhje me ligjet që rregullojnë marrëdhëniet e punës, të gjithë punonjësit e muzeut;
dh) Nxjerr urdhra dhe udhëzime me karakter të brendshëm për punonjësit e Muzeut të Arsimit Korçë;
e) Çdo kompetencë tjetër në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
11. Muzeu i Arsimit Korçë ka stemën dhe vulën e tij zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Kulturës, Muzeu i Arsimit Korçë”, sipas legjislacionit në fuqi.
12. Vula e Muzeut të Arsimit Korçë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Deri më 1.1.2022, datë në të cilën fillon funksionimi i plotë i Muzeut të Arsimit Korçë si institucion më vete, misioni, përgjegjësitë dhe detyrat e këtij muzeu do të vijojnë të përmbushen nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar.
2. Vendimi nr.13, datë 13.1.1997, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e Muzeut të Arsimit në Korçë muze kombëtar”, shfuqizohet.
3. Ngarkohem Ministria e Kulturës dhe Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim në fuqi menjëherë dhe botohet ne “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E STATUSIT TË VEÇANTË UNIVERSITETIT TË ARTEVE SI INSTITUCIONI I VETËM PUBLIK I ARSIMIT TË LARTË NË FUSHËN E ARTEVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 17, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e statusit të veçantë Universitetit të Arteve (në vijim, UART), si institucioni i vetëm publik i arsimit të lartë me karakter akademik, artistik dhe shkencor, me veprimtari në fushën e arteve, krijuar me vendimin nr.234, datë 23.3.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Universitetit të Arteve”.
2. Statusi i veçantë i jepet UART-it për trajtimin e veçantë për efekt mësimdhënieje, veprimtarie akademike, të organizimit akademik dhe administrativ, të organizimit të programeve të studimit, të organizimit të aktivitetit kërkimor artistik-shkencor, të njohjes së aktivitetit artistik si pjesë e aktivitetit shkencor, që shërben për të vlerësuar performancën akademike vjetore, sipas përcaktimeve në statutin e UART-it e të legjislacionit në fuqi.
3. UART-i organizohet dhe funksionon si një institucion i arsimit të lartë që ofron programe studimi në fusha me veprimtari akademike-artistike.
4. Për efekt të mësimdhënies në funksion të procesit akademik, për ekuivalentimin e kualifikimit për personelin akademik krijues dhe interpretues, grada shkencore nuk përbën detyrim. Personelit akademik krijues dhe interpretues, me arritje të shquara artistike, i bëhet ekuivalentimi i aktivitetit artistik e krijues me punën kërkimore-shkencore vetëm për efekt të mësimdhënies, në shërbim të vlerësimit të performancës akademike vjetore. Ekuivalentimi bëhet me vendim të Senatit Akademik, sipas përcaktimeve në statutin e UART-it, miratuar nga ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
5. Figurat e shquara me një veprimtari të spikatur artistike, brenda dhe jashtë vendit, vetëm për efekt mësimdhënieje, pa gëzuar të drejta të tjera, thirren në UART të japin kontributin e tyre, sipas përcaktimeve në statutin e UART-it.
6. Procedura për ekuivalentimin e gradës shkencore vetëm për efekt të mësimdhënies të personelit akademik që thirren në UART bëhet, si më poshtë vijon:
a) Pozicionet e lira të punës, për të cilat do të ftohen personel me arritje në veprimtaritë krijuese dhe interpretuese, miratohen me vendim të Senatit Akademik;
b) Kërkesat për ekuivalentim vlerësohen nga një komision ad-hoc, i ngritur me vendim të Senatit Akademik të UART-it;
c) Pas ekuivalentimit, komisioni ad-hoc paraqet listën e kandidatëve që u janë ekuivalentuar arritjet, duke i renditur sipas përcaktimeve në statutin e UART-it;
ç) Rektori i UART-it, në bazë të pozicioneve të lira të miratuara nga Senati Akademik dhe të listës së kandidatëve të renditur nga komisioni ad-hoc, lidh kontratat njëvjeçare të punës.
7. UART-i përfaqëson një strukturë të integruar, e cila përbëhet nga njësi kryesore dhe njësi bazë, me veprimtari kërkimore artistike-shkencore.
8. UART-i gëzon status të veçantë lidhur me:
a) organizimin e programeve të studimeve në tri cikle të njëpasnjëshme që përfundojnë me marrjen e diplomave ose të certifikatave përkatëse. Programet e studimeve në UART hartohen nga njësitë bazë dhe paraqiten për miratim në Senatin Akademik. UART-i ofron edhe studime specializuese afatgjata, programe të formimit të vazhduar për fushat e edukimit artistik, si dhe programe studimi me karakter profesional në fushën e arteve;
b) punësimin e personelit akademik me kohë të plotë, sipas kritereve të përcaktuara nga njësia bazë përkatëse e të miratuara nga rektori, që mbajnë parasysh vlerësimin e karrierës profesionale dhe artistike, sipas përcaktimeve në statutin e UART-it;
c) të drejtën për të realizuar marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbim përvoje dhe mobiliteti në procesin mësimor-artistik dhe shkencor me institucione të arsimit të lartë, institucione të kërkimit shkencor, persona juridikë publikë ose privatë, vendas apo të huaj. Niveli i bashkëpunimit përcaktohet në marrëveshjet përkatëse të lidhura ndërmjet institucioneve;
ç) hartimin e kritereve dhe të testeve artistike të pranimit me konkurrim të kandidatëve për studentë në UART.
9. Statuti i UART-it miratohet me urdhër të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, bazuar edhe në statusin e veçantë të dhënë me këtë vendim.
10. Ngarkohen Universiteti i Arteve dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES “PËR NDRYSHIMIN DHE RIVENDOSJEN E MARRËVESHJES NR.1 NË LIDHJE ME MARRËVESHJEN E BASHKËPUNIMIT TË DATËS 11 JANAR 2016, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL, MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, MINISTRIA E TURIZMIT DHE MJEDISIT, DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR LEHTËSIMIN E MBËSHTETJES SË AGROBIZNESIT DHE SEKTORIT TË TURIZMIT, BERZH – SHQIPËRI, LLOGARI BASHKËPUNIMI””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes “Për ndryshimin dhe rivendosjen e marrëveshjes nr.1 në lidhje me marrëveshjen e bashkëpunimit të datës 11 janar 2016, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për lehtësimin e mbështetjes së agrobiznesit dhe sektorit të turizmit, BERZH – Shqipëri, llogari bashkëpunimi””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA