Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Prill 2019:

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KRYETARIT DHE EMËRIMIN E ANËTARËVE, PËRFAQËSUES TË PUSHTETIT QENDROR, NË KËSHILLIN DREJTUES TË FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.10130, datë 11.5.2009, “Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e Zëvendëskryeministrit, z. Erion Braçe, kryetar të këshillit drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
2. Emërimin e anëtarëve, përfaqësues të pushtetit qendror, në këshillin drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si më poshtë vijon:
– Znj. Elva Margariti, ministër i Kulturës;
– Znj. Belinda Ikonomi, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë;
– Znj. Ornela Çuçi, zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit;
– Z. Artan Shkreli, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
3. Vendimi nr.982, datë 25.10.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kryetarit dhe emërimin e anëtarëve, përfaqësues të pushtetit qendror, në këshillin drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E BUXHETIT PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË PRONËSISË INDUSTRIALE, PËR VITIN 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 189/c, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e buxhetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, për vitin 2019, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRBËRJEN, MËNYRËN E FUNKSIONIMIT, KOMPETENCAT DHE SHPËRBLIMIN E ANËTARËVE TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË TRASHËGIMISË KULTURORE JOMATERIALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 37, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Dispozita të Përgjithshme

Ky vendim ka për qëllim të rregullojë përbërjen, mënyrën e funksionimit, ushtrimin e kompetencave dhe shpërblimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.

II. Përbërja e Këshillit

1. Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale (KKTKJ) është organ kolegjial vendimmarrës pranë ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.
2. KKTKJ-ja përbëhet nga 11 anëtarë: nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore, që e kryeson, dhe 10 anëtarë që emërohen prej tij.
3. Anëtarë të KKTKJ-së janë:
a) Ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore;
b) Drejtori i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale (QKVT);
c) Përfaqësues nga drejtoritë përgjegjëse për çështjet e trashëgimisë kulturore jomateriale në ministrinë përgjegjëse për kulturën 2;
ç) Përfaqësues i Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) 1;
d) Jurist i ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore 1;
dh) Përfaqësues i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit 1;
e) Personalitete të fushës së trashëgimisë kulturore jomateriale, të cilët kanë një eksperiencë të pasur profesionale ose akademike në disiplinat e etnografisë, etnomuzikologjisë, organologjisë, etnokoreologjisë, folklorit apo menaxhimit të trashëgimisë kulturore jomateriale 4.
4. Anëtarët e KKTKJ-së përmbushin detyrën e përgjegjësitë e tyre dhe deklarojnë çdo rast të konfliktit të mundshëm të interesit, në përputhje me ligjin nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar.
5. Mandati i anëtarit të KKTKJ-së është 2 vjet, me të drejtë riemërimi. Anëtari qëndron në detyrë dhe përmbush funksionet deri në emërimin e anëtarit të ri.
6. Anëtari i KKTKJ-së, i parashikuar në shkronjat “c”, “ç” dhe “d”, të pikës 3, të këtij kreu, propozohet nga titullari përkatës, duke u bazuar në kriteret, si më poshtë:
a) Të jetë nëpunës/punonjës i nivelit drejtues të një drejtorie ose sektori;
b) Të gëzojë reputacion të lartë profesional;
c) Të ketë njohuri për trashëgiminë kulturore jomateriale;
d) Të ketë jo më pak se 5 (pesë) vjet përvojë pune në institucionet e trashëgimisë kulturore;
e) Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e ndonjë vepre penale;
7. Anëtari i KKTKM-së, i parashikuar në shkronjat “dh” dhe “e”, të pikës 3, të këtij kreu, propozohet nga titullari përkatës, duke u bazuar në kriteret, si më poshtë:
a) Të jetë nga radhët e personelit akademik, të punësuar me kohë të plotë ose të pjesshme, të institucioneve të arsimit të lartë, publik ose privat, të licencuar e akredituar sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë;
b) Të ketë përvojë në punë jo më pak se 10 (dhjetë) vjet në fushën e trashëgimisë kulturore materiale;
c) Të zotërojë tituj akademikë.
8. Mandati i anëtarit të KKTKJ-së mbaron kur:
a) përfundon afati 2-vjeçar, nga emërimi;
b) lirohet nga funksioni zyrtar, përveç personaliteteve nga fusha e trashëgimisë kulturore jomateriale;
c) jep dorëheqjen.
9. Anëtari i KKTKJ-së lirohet nga detyra para mandatit, nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore,:
a) kur nuk merr pjesë, pa arsye, në 2 mbledhje të njëpasnjëshme të KKTKJ-së.
b) për shkaqe objektive, që e bëjnë të paaftë për të kryer funksionet e ngarkuara;
c) kur nuk përmbush detyrimet si anëtar i KKTKJ-së;
ç) kur dënohet me vendim penal të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
d) kur veprimet apo mosveprimet e tij kanë dëmtuar rëndë veprimtarinë dhe emrin e KKTKJ-së.

III. Organizimi dhe funksionimi i këshillit

1. KKTKJ-ja mblidhet jo më pak se një herë në 6 muaj. Mbledhjet e këshillit thirren nga kryetari dhe njoftimi përcillet nga sekretaria teknike, të paktën, 3 ditë përpara datës së caktuar për mbledhjen. Në raste të veçanta, mbledhja zhvillohet edhe në një ditë të ndryshme nga ai i njoftimit, kur janë të pranishëm të gjithë anëtarët, të cilët miratojnë, paraprakisht, zhvillimin e mbledhjes. Vendimi reflektohet në procesverbalin e mbledhjes.
2. Njoftimi për thirrjen e mbledhjes përmban vendin, datën, orën e mbledhjes dhe rendin e ditës. Njoftimit i bashkëlidhen edhe materiale të tjera, lidhur me çështjet e rendit të ditës. Rendi i ditës miratohet nga kryetari.
3. Mbledhja e këshillit mund të kërkohet edhe nga 1/3 e anëtareve, duke i drejtuar kërkesë ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore. Zhvillimi i mbledhjes, në këtë rast, miratohet nga kryetari dhe u njoftohet të gjithë anëtareve.
4. Mbledhja e KKTKJ-së është e vlefshme kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Në rast të mosarritjes së kuorumit të kërkuar, kryetari thërret mbledhjen pasardhëse.
5. KKTKJ-ja vendos me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të pranishëm.
6. Vendimet e KKTKJ-së merren me votim të hapur.
7. Anëtarët e KKTKJ-së, që janë të pranishëm në mbledhje, nuk mund të abstenojnë.
8. Kryetari i KKTKJ -së voton i fundit. Në rastet kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, vota e kryetarit është përcaktuese.
9. KKTKJ-ja asistohet në veprimtarinë e saj nga sekretaria teknike pranë QKVT-së.

IV. Kompetencat e këshillit

1. Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, përfshirë edhe ato të përcaktuara në nenin 39, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, ka këto kompetenca:
a) Mbikëqyr veprimtarinë në fushën e pasurive kulturore jomateriale;
b) Miraton, në parim, kërkesën për deklarimin e interesit kulturor;
c) Harton dhe miraton strategjinë dhe programe të zhvillimit në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale;
ç) Ndjek dhe mbikëqyr veprimtaritë që zhvillohen në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale;
d) Propozon programe pune për edukimin nëpërmjet trashëgimisë kulturore jomateriale;
dh) Miraton planin vjetor të aktiviteteve kombëtare që zhvillon Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale;
e) Propozon projekte dhe masat që duhen ndërmarrë për ruajtjen e mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore jomateriale, sidomos atyre që janë në rrezik;
ë) Propozon e miraton programin e katalogimit dhe digjitalizimit të trashëgimisë kulturore jomateriale, që realizohet në Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore;
f) Propozon dhe miraton vlerat e trashëgimisë jomateriale kombëtare për regjistrim në listën përfaqësuese të dukurive jomateriale të UNESCO-s;
g) Miraton propozimet e QKVT-së për “Kryevlerat Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”;
gj) Shqyrton propozimet e subjekteve të ndryshme për regjistrim në listën përfaqësuese të dukurive jomateriale të UNESCO-s.
2. Me qëllim ushtrimin e kompetencave mbikëqyrëse, KKTKJ-ja mund të kërkojë sqarime për çështje të caktuara ose raportime nga QKVT-ja apo institucione të tjera të specializuara. KKTKJ-ja mund të ngarkojë këto institucione edhe me detyrimin e kryerjes së raportimeve periodike për çështjet që janë kompetencë e këtij organi. Për raste të veçanta, KKTKJ-ja fton si pjesëmarrës të jashtëm në mbledhje edhe specialistë të fushave të ndryshme të trashëgimisë kulturore jomateriale.
3. KKTKJ-ja shqyrton kërkesën për deklarimin e interesit kulturor mbi bazën e vendimit të komisionit këshillimor përkatës për vlerësimin dhe identifikimin e vlerave kulturore, të ngritur sipas nenit 59, të ligjit nr.27/2018. Institucioni i specializuar përkatës përcjell për miratim, në parim, pranë KKTKJ-së vendimin e komisionit dhe dokumentacionin shoqërues.

V. Shpërblimi i anëtarëve të këshillit

Shpërblimi për pjesëmarrje në mbledhje, për çdo anëtar, bëhet sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e masës së shpërblimit të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore.

VI. Dispozitat e fundit

Ngarkohen Ministria e Kulturës, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe institucionet e tjera në fushën e trashëgimisë kulturore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRBËRJEN, MËNYRËN E FUNKSIONIMIT, KOMPETENCAT DHE SHPËRBLIMIN E ANËTARËVE TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË TRASHËGIMISË KULTURORE MATERIALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 37, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Dispozita të përgjithshme

Ky vendim ka për qëllim të rregullojë përbërjen, mënyrën e funksionimit, ushtrimin e kompetencave dhe shpërblimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale.

II. Përbërja dhe organizimi i këshillit

1. Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) është organ kolegjial vendimmarrës pranë ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.
2. KKTKJ-ja përbëhet nga 15 anëtarë: nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore, që e kryeson, dhe 14 anëtarë që emërohen prej tij.
3. Anëtarë të KKTKM-së janë:
a) ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore;
b) Përfaqësues të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) 3;
c) Përfaqësues nga drejtoritë përgjegjëse për çështjet e trashëgimisë kulturore në Ministrinë përgjegjëse për kulturën 2;
ç) Përfaqësues të Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) 1;
d) Jurist i ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore 1;
dh) Personalitete të fushës së Arkeologjisë 2;
e) Përfaqësues nga Universiteti i Tiranës 2;
ë) Personalitete të fushës së trashëgimisë kulturore materiale, të cilët kanë një eksperiencë të pasur profesionale ose akademike në disiplinat e arkeologjisë, restaurimit dhe konservimit të pasurive kulturore materiale, trashëgimisë arkitektonike apo menaxhimit të trashëgimisë kulturore materiale 3.
4. Anëtarët e KKTKM-së përmbushin detyrën e përgjegjësitë e tyre dhe deklarojnë çdo rast të konfliktit të mundshëm të interesit, në përputhje me ligjin nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar.
5. Mandati i anëtarit të KKTKM-së është 2 vjet, me të drejtë riemërimi. Anëtari qëndron në detyrë dhe përmbush funksionet deri në emërimin e anëtarit të ri.
6. Anëtari i KKTKM-së, i parashikuar në shkronjat “b”, “c”, “ç” dhe “d”, të pikës 3, të këtij kreu, propozohet nga titullari përkatës, duke u bazuar në kriteret, si më poshtë:
a) Të jetë nëpunës/punonjës i nivelit drejtues të një drejtorie ose sektori;
b) Të gëzojë reputacion të lartë profesional;
c) Të ketë njohuri për trashëgiminë kulturore materiale;
ç) Të ketë jo më pak se 5 (pesë) vjet përvojë pune në institucionet e trashëgimisë kulturore;
d) Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e ndonjë vepre penale;
7. Anëtari i KKTKM-së, i parashikuar në shkronjat “dh”, “e” dhe “ë”, të pikës 3, të këtij kreu, propozohet nga titullari përkatës, duke u bazuar në kriteret, si më poshtë:

a) Të jetë nga radhët e personelit akademik, i punësuar me kohë të plotë ose të pjesshme në institucionet e arsimit të lartë, publik ose privat, të licencuar dhe akredituar sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë;
b) Të kenë përvojë në punë jo më pak se 10 (dhjetë) vjet në fushën e trashëgimisë kulturore materiale;
c) Të zotërojnë tituj akademikë.
8. Mandati i anëtarit të KKTKM-së mbaron kur:
a) përfundon afati 2-vjeçar, nga emërimi;
b) lirohet nga funksioni zyrtar, përveç personaliteteve nga fushat e trashëgimisë kulturore dhe arkeologjisë;
c) jep dorëheqjen.
9. Anëtari i KKTKM-së lirohet nga detyra para mandatit, nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore,:
a) kur nuk paraqitet, pa shkak të justifikuar, në 5 mbledhje të njëpasnjëshme të KKTKM-së;
b) për shkaqe objektive, që e bëjnë të paaftë për të kryer funksionet e ngarkuara;
c) kur nuk përmbush detyrimet si anëtar i KKTKM-së;
ç) kur dënohet me vendim penal të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.
d) kur veprimet apo mosveprimet e tij kanë dëmtuar rëndë veprimtarinë dhe emrin e KKTKM-së.
10. Pranë KKTKM-së funksionojnë këto struktura administrative:
a) Këshilli teknik;
b) Sporteli unik;
c) Sekretaria teknike.
11. Këshilli teknik është organ kolegjial seleksionues, vlerësues e vendimmarrës, që ka në përbërje 7 anëtarë, të cilët janë pjesë e 15 anëtarëve të KKTKM-së.
12. Këshilli teknik kryesohet nga drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe vepron si trupë shqyrtuese dhe seleksionuese e përputhshmërisë së kërkesave të paraqitura pranë KKTKM-së. Vendimi ose relacioni që i dërgohet KKTKM-së nga ana e Këshillit teknik firmoset nga kryetari.
13. Këshilli teknik ka kompetencë të miratojë kërkesa që lidhen me ndërhyrjet me karakter mirëmbajtje të pasurive kulturore, sipas listës së ndërhyrjeve të miratuara nga KKTKM-ja.
14. Për çështje të tjera, që, sipas parashikimeve të ligjit nr.27/2018 janë kompetencë e KKTKM-së, këshilli teknik, pasi shqyrton përputhshmërinë e kërkesave të paraqitura, miraton relacionin përkatës, të hartuar nga sekretaria teknike, dhe ia përcjell për vendim Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale.
15. Sporteli unik është pjesë e strukturës administrative pranë IKTK-së, ku depozitohen të gjitha kërkesat për aplikim, për të cilat është kompetente KKTKM-ja. Detyrat, funksionet dhe mënyra e ushtrimit të tyre përcaktohen në rregulloren për veprimtarinë e KKTKM-së.
16. Sekretaria teknike është pjesë e strukturës administrative të IKTK-së, në funksion të KKTKM-së, e cila administron kërkesat dhe përgatit dokumentacionin për vendimmarrje të KKTKM-së. Detyrat, funksionet dhe mënyra e ushtrimit të tyre përcaktohen në rregulloren për veprimtarinë e KKTKM-së.

III. Funksionimi i këshillit

1. KKTKM-ja mblidhet jo më pak se një herë në 2 muaj. Mbledhjet e këshillit thirren nga kryetari dhe njoftimi përcillet nga sekretaria teknike, të paktën, 3 ditë përpara datës së caktuar për mbledhjen. Në raste të veçanta, mbledhja mbahet edhe në një ditë të ndryshme nga ai i njoftimit, kur janë të pranishëm të gjithë anëtarët dhe miratojnë, paraprakisht, zhvillimin e mbledhjes. Vendimi reflektohet në procesverbalin e mbledhjes.
2. Njoftimi për thirrjen e mbledhjes përmban vendin, datën, orën e mbledhjes dhe rendin e ditës. Njoftimit i bashkëlidhet edhe relacioni i këshillit teknik si dhe materiale të tjera, lidhur me çështjet e rendit të ditës. Rendi i ditës miratohet nga kryetari.
3. Mbledhja e këshillit mund të kërkohet edhe nga 1/3 e anëtarëve, duke i drejtuar kërkesë ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore. Zhvillimi i mbledhjes, në këtë rast, miratohet nga kryetari dhe u njoftohet të gjithë anëtarëve.
4. Mbledhjet e KKTKM-së zhvillohen gjithmonë në prani të kryetarit dhe janë të vlefshme kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Në rast të mosarritjes së kuorumit të kërkuar, kryetari thërret mbledhjen pasardhëse.
5. KKTKM-ja vendos me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të pranishëm, me përjashtim të vendimeve për miratimin e lejes për ndërhyrje, sipas nenit 80, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, për të cilën vendos me shumicë absolute.
6. Vendimet e KKTKM-së merren me votim të hapur. Anëtarët e KKTKM-së, që janë të pranishëm në mbledhje, nuk mund të abstenojnë.
7. Kryetari i KKTKM-së voton i fundit. Në rastet kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, vota e kryetarit është përcaktuese.
8. Vendimet e KKTKM-së nënshkruhen nga kryetari dhe siglohen nga sekretari i KKTKM-së.

IV. Kompetencat e këshillit

1. Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, përfshirë edhe ato të përcaktuara në nenin 38, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, ka këto kompetenca:
a) Licencon dhe u revokon licencën subjekteve, personave fizikë apo juridikë në fushën e trashëgimisë kulturore, në projektim, zbatim, mbikëqyrje, kolaudim, vlerësim, veprimtari arkeologjike, të arkeologjisë së shpëtimit dhe arkeologjisë nënujore;
b) Miraton projektet e mirëmbajtjes, të ruajtjes dhe restaurimit të pasurive kulturore materiale, të hartuara nga institucionet e trashëgimisë kulturore që mbulojnë veprimtarinë përkatëse, si dhe subjektet e licencuara për këtë qëllim;
c) Mbikëqyr veprimtarinë në fushën e pasurive kulturore materiale dhe të pasurive të peizazhit;
ç) Miraton lejet për ndërhyrjet me karakter ruajtës e mbrojtës të pasurive kulturore të paluajtshme, sipas parashikimeve të këtij ligji, si dhe lejet e parashikuara në këtë ligj;
d) Miraton, në parim, kërkesën për deklarimin e interesit kulturor;
dh) Miraton, në parim, shpalljen e qendrave historike, të parqeve e zonave arkeologjike dhe zonat mbrojtëse të pasurive kulturore;
e) Harton akte të karakterit të përgjithshëm, me qëllim sigurimin e uniformitetit të vlerësimit të interesit kulturor;
ë) Miraton, vlerëson, në parim, planet e përgjithshme dhe të detajuara vendore, në rastet e përfshirjes në këto plane të zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore;
f) Këshillon ministrin përgjegjës për trashëgiminë kulturore gjatë shqyrtimit prej tij të kërkesave të subjekteve të veçanta për ushtrimin e aktiviteteve tregtare në zona me pasuri kulturore;
g) Autorizon institucionet e specializuara dhe/ose subjektet e licencuara për përdorimin e aparaturave metalkërkuese për kryerjen e gërmimeve me karakter arkeologjik;
gj) Miraton dhe revokon lejet për kryerjen e hulumtimeve arkeologjike në territore të njohura ose jo si zona me vlera arkeologjike;
h) Miraton planet e zhvillimit, të projekteve restauruese e konservuese dhe projektet kërkimore-shkencore të njësive të administrimit dhe koordinimit të parqeve arkeologjike;
i) Miraton hulumtimet arkeologjike sistematike, me karakter kërkimor-shkencor, dhe hulumtimet arkeologjike parandaluese e të shpëtimit;
j) Miraton dhe revokon lejet për kryerjen e hulumtimeve arkeologjike nënujore;
k) Vendos për vijueshmërinë e punimeve në rastin e gjetjeve rastësore, sipas neneve 145 e 146, të ligjit nr.27/2018;
l) Këshillon ministrin përgjegjës për trashëgiminë kulturore lidhur me hapjen e procedurës së konkurrimit për dhënien në rijetëzim;
ll) Shprehet me vendim për kërkesat për ndryshimin e destinacionit të përdorimit të pasurive kulturore, në përputhje me kompetencat e saj;
m) Shprehet lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit dy ose shumëpalëshe ndërmjet institucioneve vendase dhe të huaja apo subjekteve të licencuara për kryerjen e veprimtarive hulumtuese;
n) Miraton projektet e zhvillimeve transformuese në territor, sipas nenit 134, të ligjit nr.27/2018;
nj) Miraton dhënien në përdorim, në formën e rijetëzimit, të pasurive kulturore të regjistruara si pasuri kulturore “me rëndësi kombëtare”, sipas nenit 183, të ligjit nr.27/2018;
o) Shprehet me vendim për verifikimin e interesit të veçantë publik të pasurive të peizazhit kulturor;
p) Miraton projektet për ndërhyrje në pasuritë e peizazhit kulturor, sipas nenit 251, të ligjit nr.27/2018;
q) Merr vendim për përcaktimin e distancave, të masave/hapësirave dhe varianteve të projektit në fazë ekzekutimi, të nevojshme për të siguruar ruajtjen e vlerave të pasurive të peizazhit kulturor;
r) Çdo kompetencë tjetër, të parashikuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fushën e trashëgimisë kulturore.
2. Këshilli teknik shprehet me vendim përfundimtar lidhur me kërkesat për ndërhyrjet me karakter mirëmbajtjeje. Llojet e ndërhyrjeve, sipas kësaj pike, përcaktohen me vendim të KKTKM-së.
3. KKTKM-ja shqyrton kërkesën për deklarimin e interesit kulturor ose për miratim, në parim, të vendimit për shpalljen e qendrave historike, të parqeve dhe zonave arkeologjike, mbi bazën e vendimit të komisionit këshillimor, përkatës, për vlerësimin dhe identifikimin e vlerave kulturore, të ngritur sipas nenit 59, të ligjit nr.27/2018. Institucioni i specializuar, përkatës, përcjell për miratim, në parim, pranë KKTKM-së vendimin e komisionit dhe dokumentacionin shoqërues.
4. KKTKM-ja miraton dhe vlerëson, në parim, planet e përgjithshme e të detajuara vendore, në rastet e përfshirjes në këto plane të zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore, si dhe lejet zhvillimore përpara miratimit të tyre nga organet kompetente, në bazë të ligjit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

V. Shpërblimi i anëtarëve të këshillit

Shpërblimi për pjesëmarrje në mbledhje, për çdo anëtar, bëhet sipas përcaktimeve të bëra në vendimin normativ të masës së shpërblimit të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore.

VI. Dispozitat të fundit dhe tranzitore

1. Aplikimet e nisura për shqyrtim dhe vendimmarrje nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (KKR) dhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA) trajtohen sipas akteve të krijimit të KKR-së dhe KKA-së, deri në ngritjen e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK).
2. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale dhe institucionet e tjera në fushën e trashëgimisë kulturore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN KUVENDIT PËR LIRIMIN E NJË ANËTARI DHE EMËRIMIN E DISA ANËTARËVE TË KËSHILLIT TË STATISTIKAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Propozimin Kuvendit për lirimin e z. Adrian Kamenica nga detyra e anëtarit të Këshillit të Statistikave.
2. Propozimin Kuvendit për emërimin e disa anëtarëve të Këshillit të Statistikave, si më poshtë vijon:
a) Z. Arbjan Mazniku, përfaqësues i organeve të vetëqeverisjes vendore;
b) Znj. Majlinda Dhuka, përfaqësuese e përdoruesve kryesorë të statistikave zyrtare;
c) Znj. Oriana Arapi, përfaqësuese e përdoruesve kryesorë të statistikave zyrtare;
ç) Znj. Albana Çami, përfaqësuese e botës akademike;
d) Znj. Eni Vasili, përfaqësuese e medias.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.3, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT SUEDEZ NR.TF014255, NDËRMJET SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD), QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA SUEDIA, E PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA SUEDEZE PËR BASHKËPUNIM DHE ZHVILLIM NDËRKOMBËTAR (SIDA), PËR BASHKËFINANCIMIN E PROJEKTIT TË BURIMEVE UJORE DHE UJITJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.3, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së grantit suedez nr.TF014255, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga Suedia, e përfaqësuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), për bashkëfinancimin e projektit të burimeve ujore dhe ujitjes, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË MASËS SË PËRFITIMIT DHE LLOJEVE TË PUSHIMEVE TË TJERA, ME APO PA PAGESË, NË SHËRBIMIN E MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 30, të ligjit nr.152/2015, “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. KOHËZGJATJA E PUNËS/SHËRBIMIT

1. Koha normale e punës/shërbimit për punonjësin e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin me gradë (në vijim shërbimi i MZSH-së) është 40 orë në javë.

2. Për efekt të llogaritjes së pagës orare, muaji konsiderohet, mesatarisht, me 174 orë pune.

3. Shërbimi i gatishmërisë për punonjësin operacional të shërbimit të MZSH-së, si rregull, organizohet sipas një planifikimi mujor, me turne 24-orëshe ose 12-orëshe, pa ndërprerje.
4. Punonjësi me gradë i shërbimit të MZSH-së, për orët shtesë të punës/shërbimit, që nuk janë kompensuar me pushim, përfiton një shtesë mbi pagë në masën:
a) 25 % për çdo orë pune/shërbimi shtesë në ditë të zakonshme pune;
b) 50 % për çdo orë pune/shërbimi shtesë të kryer gjatë pushimit javor;
c) 25% për çdo orë pune në ditët e festave zyrtare;
ç) 50% për çdo orë pune në ndërhyrje operacionale të kryer nga ora 22:00 deri në orën 06:00.
5. Për nevoja pune/shërbimi, me urdhër të titullarit të strukturës vendore të shërbimit të MZSH-së, pas kërkesës së drejtuesit të strukturës përkatëse, punonjësit të shërbimit të MZSH-së mund t’i ndërpritet koha e pushimit ditor/vjetor, duke urdhëruar zgjatjen e kohës së punës/shërbimit.
6. Në rrethana të jashtëzakonshme, titullari i strukturës përkatëse mund të urdhërojë zgjatjen e kohës së punës/shërbimit, pas konfirmimit nga kryetari i bashkisë.
7. Urdhri për zgjatjen e kohës së punës/shërbimit mbi kohën normale, sipas përcaktimit të pikës 5, të këtij kreu, përcakton:
a) arsyen e zgjatjes së orëve të punës/shërbimit;
b) kohën e fillimit dhe të përfundimit;
c) numrin e punonjësve;
ç) koston financiare.
8. Paga për orët jashtë orarit, që i shtohet pagës mujore, paguhet vetëm kur është parashikuar për këtë qëllim, brenda 3 muajve, nga dita kur është kryer shërbimi.
9. Procedurat standarde për mënyrën e pagesës së orëve shtesë të punës/shërbimit mbi kohën normale të punës të punonjësve të shërbimit vendorë të MZSH-së miratohen me urdhër të kryetarit të bashkisë.

II. PUSHIMET VJETORE

1. Punonjësi me gradë i shërbimit të MZSH-së gëzon të drejtën e pushimeve vjetore të paguara, si më poshtë vijon:
a) 40 ditë kalendarike për punonjësit me gradë “Drejtues i Parë Zjarrfikës”, “Drejtues i Lartë Zjarrfikës”;
b) 35 ditë kalendarike për punonjësit me gradën “Drejtues Zjarrfikës”, “Komisar Zjarrfikës;
c) 30 ditë kalendarike për punonjësit me gradën “Kryeinspektor Zjarrfikës”, “Inspektor Zjarrfikës”;
ç) 28 ditë kalendarike për punonjësit me gradë “Kryezjarrfikës”, “Zjarrfikës”, “Asistent Zjarrfikës”.
2. Planifikimi dhe koha e kryerjes së pushimeve vjetore miratohet nga ministri përgjegjës, për punonjësit e drejtorisë së shërbimit të MZSH-së pranë kësaj ministrie, dhe nga kryetari i bashkisë përkatëse, për punonjësit e shërbimit vendor të MZSH-së, pas konsultimit me punonjësin, pa cenuar vijueshmërinë e punës, brenda muajit shkurt të çdo viti.
3. Punonjësi i shërbimit të MZSH-së ka të drejtë të kërkojë kryerjen e pushimit vjetor në periudha të ndryshme e të ndara, në përputhje me pikën 1, të këtij kreu.
4. Gjatë kryerjes së pushimeve vjetore punonjësi trajtohet financiarisht në të njëjtën masë me pagën që ai merr kur është në punë/shërbim.
5. Kur, për arsye pune apo shërbimi, pushimi vjetor nuk mund të jepet brenda vitit, ai duhet të jepet jo më vonë se në muajin mars të vitit pasardhës.
6. Shkëputja e marrëdhënieve financiare për punonjësin, i cili ndërpret marrëdhëniet e punës me strukturat e shërbimit të MZSH-së, bëhet pas përfundimit të pushimeve vjetore të kryera.
7. Kur punonjësi nuk ka kryer një vit të plotë kalendarik pune, kohëzgjatja e pushimit vjetor të paguar përcaktohet në përpjesëtim të drejtë me kohëzgjatjen e marrëdhënieve të punës së kryer brenda vitit kalendarik.

III. LEJET E PAGUESHME DHE PA TË DREJTË PAGE

1. Punonjësit të shërbimit të MZSH-së i jepet leje e pagueshme për rastet, si më poshtë vijon:
a) Martesën e tij, 5 ditë;
b) Martesën e fëmijës, 3 ditë;
c) Lindjen e fëmijës, për baballarët, 3 ditë;
ç) Vdekjen e familjarëve të afërt, 5 ditë;
d) Ndërrimin e banesës, 2 ditë;
dh) Sëmundje të rënda të fëmijëve, prindërve, 5 ditë;
2. Punonjësit e MZSH-së, për arsye personale apo familjare, gëzojnë të drejtën e lejes pa të drejtë page për një periudhë deri në 30 ditë.
3. Lejet pa të drejtë page për një periudhë deri në 30 ditë jepen nga ministri përgjegjës, për punonjësit e drejtorisë së MZSH-së pranë Ministrisë së Brendshme, dhe nga kryetari i bashkisë përkatëse, për punonjësit e strukturave vendore, sipas kërkesës së argumentuar nga punonjësi dhe të miratuar nga drejtuesi i strukturës.
4. Leje pa të drejtë page për një periudhë më të gjatë se 2 muaj jepet vetëm për studime dhe kualifikime (brenda ose jashtë shtetit) për punonjësit e nivelit të mesëm dhe të lartë të shërbimit të MZSH-së. Kjo leje nuk mund të zgjasë më shumë se 1 vit dhe jepet nga drejtori i përgjithshëm i shërbimit të MZSH-së, për punonjësit e strukturave vendore, me propozimin e kryetarit të bashkisë, dhe nga ministri përgjegjës, për punonjësit e drejtorisë së MZSH-së pranë ministrisë përgjegjëse, me propozimin e drejtuesit të kësaj strukture.
5. Periudha e lejes pa të drejtë page nuk llogaritet në vjetërsi pune të shërbimit dhe as për efekt të ecurisë në karrierë. Pas përfundimit të saj punonjësi i MZSH-së kthehet në të njëjtën detyrë.

IV. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Pushimet vjetore, lejet e pagueshme, lejet pa të drejtë page si dhe koha e kryerjes së tyre shënohen në dosjen e personelit të punonjësit.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PJESËMARRJEN E SHQIPËRISË NË PANAIRIN NDËRKOMBËTAR “EXPO 2020 DUBAI”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pjesëmarrjen e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar “EXPO 2020 DUBAI”.
2. Shqipëria të përfaqësohet nga Komisari i Përgjithshëm i Shqipërisë, i cili nënshkruan kontratën e pjesëmarrjes në panairin ndërkombëtar “EXPO 2020 DUBAI”, i udhëhequr nga tema kryesore e panairit “Bashkojmë idetë, krijojmë të ardhmen”.
3. Ngritjen e grupit të punës për organizimin dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar “EXPO 2020 DUBAI”, i cili do të kryesohet nga drejtori i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe ka në përbërje anëtarë, përfaqësues nga:
– Ministria e Financave dhe Ekonomisë;
– Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme;
– Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë;
– Ministria e Turizmit dhe Mjedisit;
– Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
– Ministria e Kulturës;
– Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
– Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.
4. Objekti i veprimtarisë së grupit të punës të jetë, si më poshtë vijon:
– Përcaktimi i tematikës së pavijonit të Shqipërisë;
– Përzgjedhja e Ditës Kombëtare të Shqipërisë;
– Përcaktimi i kalendarit të aktiviteteve sipas çdo institucioni;
– Përcaktimi i listës së pjesëmarrësve sipas kalendarit të aktiviteteve;
– Përllogaritja e kostove administrative për pjesëmarrjen e çdo institucioni në panair.
5. Autorizohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) për menaxhimin dhe administrimin e pavijonit shqiptar në panairin ndërkombëtar “EXPO 2020 DUBAI”, si dhe të veprimeve financiare nën mbikëqyrjen e grupit të punës, kryesuar nga Komisari i Përgjithshëm i Shqipërisë.
6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe Komisari i Përgjithshëm i Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR INTEGRIMIN EVROPIAN 2019 – 2021

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2019–2021 (PKIE 2019–2021), sipas tekstit dhe aneksit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ngarkohet të bashkërendojë dhe të monitorojë zbatimin e PKIE-së 2019–2021, me grupet ndërinstitucionale të punës (GNPIE), për çdo kapitull.
3. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ngarkohet të raportojë, çdo 3 (tre) muaj, në Këshillin e Ministrave, për ecurinë e zbatimit të PKIE-së 2019 – 2021.
4. Ministritë dhe institucionet e tjera koordinuese të GNPIE-ve, raportojnë çdo muaj pranë Kryeministrit dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për ecurinë e zbatimit të PKIE-së 2019 – 2021.
5. Vendimi nr.246, datë 9.5.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, 2018 – 2020”, shfuqizohet.
6. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të monitorojë përfshirjen, nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, në programin buxhetor afatmesëm, të nevojave financiare për zbatimin e përparësive afatshkurtra dhe afatmesme të parashikuara në PKIE-në 2019 – 2021.
7. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore në varësi të Këshillit të Ministrave, për të cilat në PKIE-në 2019 – 2021 janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” (ARË) NË “TOKË URBANE” (TRUALL), TË PASURISË ME NR.1/27, ZONA KADASTRALE 3339, BASHKIA DURRËS, PËR NDËRTIMIN E NJË KAPANONI NJËKATËSH, FABRIKË PRODHIMI TË BOJËRAVE, NGA ANA E “ZEUS-AL”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 3, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” (arë) në “tokë urbane” (truall), të pasurisë me nr.1/27, zona kadastrale 3339, Bashkia Durrës, me sipërfaqe prej 4 870 (katërmijë e tetëqind e shtatëdhjetë) m², sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi, për ndërtimin e një kapanoni njëkatësh, fabrikë prodhimi të bojërave, nga ana e “ZEUS-AL”, sh.p.k.
2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës të Qarkut Durrës të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral përkatës ndryshimet e kategorisë së resursit, nga “tokë bujqësore” (arë) në “tokë urbane” (truall), për sipërfaqen prej 4 870 (katërmijë e tetëqind e shtatëdhjetë) m², sipas pikës 1, të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës të Qarkut Durrës, Këshilli i Qarkut Durrës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës) dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E TARIFAVE PËR LËSHIMIN E DOKUMENTEVE LIGJORE PËR TRANSFERIMIN NDËRKOMBËTAR TË MALLRAVE USHTARAKE DHE TË ARTIKUJVE E TEKNOLOGJIVE ME PËRDORIM TË DYFISHTË, QË LËSHOHEN NGA AUTORITETI I KONTROLLIT SHTETËROR TË EKSPORTEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 46, të ligjit nr.46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e tarifave për lëshimin e dokumenteve ligjore për transferimin ndërkombëtar të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë, që lëshohen nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, sipas lidhjes nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Vendimi nr.341, datë 8.4.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave për lëshimin e dokumenteve ligjore nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve subjekteve të përfshira në transferimet ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, shfuqizohet.
3. Ngarkohet Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.