Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Qershor 2020:
A K T N O R M A T I V
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8952, DATË 10.10.2002, “PËR LETËRNJOFTIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE SHQIPTARË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Pas nenit 9/1, të ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, shtohet neni 9/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 9/2
Dispozitë kalimtare
Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të shtetasve shqiptarë, që përfundon brenda vitit 2020, zgjatet deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19.”.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.72/2019, “PËR MASAT SHTRËNGUESE NDËRKOMBËTARE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, të neneve 6, pika 8, 10, pika 6, 15, pika 5, të ligjit nr.72/2019, “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën së Shqipërisë”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. PROCEDURAT PËR BLLOKIMIN E PËRKOHSHËM
1. Ministria përgjegjëse për punët e jashtme, në vijim Ministria, me marrjen e njoftimit për vendosjen, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese të vendosura, sipas shkronjave “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 3, të ligjit nr.72/2019, “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, në vijim ligji nr.72/2019, njofton menjëherë organet përgjegjëse.
2. Njoftimi i bëhet pikave të kontaktit, të caktuara nga organet përgjegjëse, nëpërmjet postës zyrtare elektronike.
3. Me marrjen e njoftimit, organet përgjegjëse marrin menjëherë masat për bllokimin e përkohshëm të aseteve që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, deri në miratimin e vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave.
4. Me marrjen e njoftimit për vendosjen, zbatimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare, organet përgjegjëse, organet publike, si dhe çdo person, fizik ose juridik, në Republikën e Shqipërisë, janë të detyruara që të zbatojnë menjëherë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa e kushtëzuar procesin me miratimin e akteve të mëtejshme nënligjore brenda vendit, bllokimin e përkohshëm të çdo veprimi, ndërmjetësimi, transaksioni, transferte, shërbimi financiar apo të tjera të lidhura, fonde dhe pasuri të tjera.
5. Ministri përgjegjës për punët e jashtme, brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja dijeni e vendosjes, ndryshimit apo shfuqizimit të masës shtrënguese në rastet e akteve të detyrueshme të miratuara nga organizata ndërkombëtare dhe rekomandimit të Komitetit të Masave Shtrënguese Ndërkombëtare për aktet të Bashkimit Evropian, i propozon Këshillit të Ministrave masën shtrënguese ndërkombëtare dhe subjektin ndaj të cilit vendoset kjo masë.
II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I KOMITETIT TË MASAVE SHTRËNGUESE NDËRKOMBËTARE
1. Komiteti i Masave Shtrënguese Ndërkombëtare, në vijim Komiteti, drejtohet nga ministri përgjegjës për punët e jashtme dhe, në mungesë të tij, nga zëvendësministri i deleguar prej tij.
2. Komiteti mblidhet, si më poshtë vijon:
2.1 . Me kërkesë të ministrisë për të shqyrtuar:
a) kërkesën e organit përgjegjës drejtuar ministrisë, për rastet kur ky i fundit do të propozojë ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare me karakter të brendshëm. Kërkesa e organit përgjegjës drejtuar ministrisë duhet të jetë në përputhje me parashikimet e nenit 9, të ligjit nr.72/2019.
b) njoftimet për masat shtrënguese të vendosura në bazë të:
i. akteve të detyrueshme, të miratuara nga organizatat ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është shtet anëtar, duke përjashtuar masat shtrënguese të vendosura nga OKB-ja;
ii. akteve të Bashkimit Evropian.
2.2 Me iniciativën e tij, për të përmbushur detyrat e përcaktuara në shkronjat “b”, “c”, “ç” dhe “d”, të pikës 2, të nenit 10, të ligjit nr.72/2019.
3. Komiteti mblidhet pas marrjes së njoftimit, me shkrim, nga ministria. Njoftimi përmban rendin e ditës së mbledhjes, orën dhe datën, e cila duhet të jetë brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e njoftimit.
4. Përveç rasteve kur mbledhja e Komitetit nuk ka objekt dhënien e rekomandimeve, Komiteti merr vendim për të dalë me një rekomandim, i cili do të nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e tij.
5. Titullari i ministrisë ngarkon një nëpunës të strukturës përkatëse për organizatat ndërkombëtare si “pikë kontakti” për zbatimin e masave shtrënguese, sipas ligjit nr.72/2019, i cili do të marrë pjesë në çdo mbledhje të Komitetit.
6. Me autorizim të ministrit përgjegjës për punët e jashtme, Komiteti mund të asistohet edhe nga një nëpunës i strukturës përkatëse që mbulon organizatën, e cila ka njoftuar për vendosjen ndryshimin dhe shfuqizimin e masës shtrënguese ndërkombëtare, si dhe një nëpunës nga struktura që do të përgatisë paketën ligjore për miratim në Këshillin e Ministrave të vendimit për vendosjen, ndryshimin ose shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare.
7. Dokumentacioni dhe materialet e përdoruara për mbledhjet e Komitetit arkivohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për arkivat.
III. KRIJIMI, PËRMBAJTJA, RREGULLAT E ADMINISTRIMIT E TË FUNKSIONIMIT, TË PËRDORIMIT DHE TË AKSESIMIT TË REGJISTRIT TË TË DHËNAVE PËR MASAT SHTRËNGUESE NDËRKOMBËTARE
1. Në ministri krijohet regjistri elektronik i bazës Të të dhënave për masat shtrënguese ndërkombëtare.
2. Regjistri mbahet, ruhet, administrohet dhe përditësohet në formë elektronike nëpërmjet një sistemi kompjuterik nga nëpunësi i ngarkuar me autorizim të titullarit të ministrisë.
3. Regjistri përmban të dhëna të mbledhura nga burime autentike të krijimit të të dhënave nga ministria, si dhe të dhënat e ofruara nga organet përgjegjëse për:
a) subjektet të cilave u vendosen masa shtrënguese ndërkombëtare;
b) subjektet që shkelin zbatimin e masave shtrënguese, të vendosura sipas ligjit nr.72/2019.
c) vendimet e gjykatës, nëse ka të tilla;
ç) kuadrin e masave shtrënguese ndërkombëtare.
4. Regjistrohen si të dhëna parësore në këtë bazë të dhënash elementet, si më poshtë vijon:
a) Autoriteti, i cili ka vendosur masën shtrënguese ndërkombëtare;
b) Parashtrimi i përmbledhur i rrethanave të faktit;
c) Arsyet për shkak të të cilave është vendosur masa shtrënguese ndërkombëtare;
ç) Dispozitivi i vendimit;
d) Data dhe vendi i marrjes së vendimit.
5. Regjistrohen si të dhëna dytësore në këtë bazë të dhënash:
a) të dhënat në lidhje me vendndodhjen e personit/subjektit;
b) të dhënat/gjenealitetet e subjektit ndajt të cilit është vendosur masa shtrënguese ndërkombëtare.
6. Regjistri aksesohet nga:
a) ministria, si administratore dhe përdoruese e regjistrit;
b) organet përgjegjëse zbatuese, si lexuese të regjistrit;
c) publiku, si lexues nëpërmjet ndërfaqes së ministrisë në internet dhe portalit qeveritar e-Albania.
6.1 Aksesi në këto të dhëna rregullohet sipas legjislacionit për të drejtën e informimit dhe legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Organet përgjegjëse, të përcaktuara në pikën 4, të nenit 10, të ligjit nr.72/2019, i dërgojnë ministrisë pikat e kontaktit dhe funksionet e përfaqësuesve të Komitetit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
2. Ngarkohen organet përgjegjëse të përcaktuara në nenin 11, të ligjit nr.72/2019, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRITERET DHE MASËN E KOMPENSIMIT TË QIRASË SË BANESËS DHE TË USHQIMIT TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 21, të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura që, për shkak të detyrës, emërohet ose transferohet larg vendbanimit dhe nuk është trajtuar me banesë ose me kredi nga Ministria e Mbrojtjes dhe kur ai ose ndonjë pjesëtar i familjes nuk ka banesë në pronësi në vendin e punës, përfiton kompensim për qira banese deri në 3 (tre) vjet.
2. Masa e kompensimit të qirasë së banesës të jetë:
a) 70 për qind të çmimit mesatar mujor të tregut, për qira banese, të tipit garsoniere, kur është beqar ose i martuar dhe pa fëmijë;
b) 70 për qind të çmimit mesatar mujor të tregut, për qira banese, të tipit 1+1, kur është i martuar dhe ka një fëmijë;
c) 80 për qind të çmimit mesatar mujor të tregut, për qira banese, të tipit 2+1, kur është i martuar dhe ka më shumë se një fëmijë.
3. Çmimi mesatar i qirasë së banesës përcaktohet çdo vit, me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për financat dhe të ministrit të Mbrojtjes.
4. Ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura, që përfiton kompensim për qira banese, duhet të paraqesë pranë strukturës ushtarake përkatëse këto dokumente:
a) Kërkesën për kompensimin e qirasë së banesës;
b) Certifikatën personale, nëse nuk gjenerohet nga vetë struktura ushtarake;
c) Certifikatën familjare, nëse nuk gjenerohet nga vetë struktura ushtarake;
ç) Kontratën e qirasë së banesës, të noterizuar;
d) Vërtetimin përkatës se nuk është trajtuar me banesë apo me kredi nga Ministria e Mbrojtjes;
dh) Vërtetimin përkatës se ai/ajo ose pjesëtarët e familjes nuk kanë banesë në pronësi.
Këto dokumente rifreskohen çdo vit.
5. Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura gëzojnë të drejtën e kompensimit financiar në vlerë në lekë, për trajtimin me ushqim vetëm për vaktin e drekës, sipas vendimit nr.88, datë 28.1.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e normave të trajtimit me ushqim të efektivave ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, për ditët efektive të punës.
6. Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura, në rastet kur thirren në repart për nevoja shërbimi, ruajtjeje, gatishmërie, stërvitjeje ose fushimi mbi 8 orë, trajtohen me ushqim të gatuar ose kompensohen në vlerën në lekë të këtij ushqimi, aty ku nuk është i mundur ofrimi i këtij shërbimi, sipas normës së përcaktuar në vendimin nr.88, datë 28.1.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e normave të trajtimit me ushqim të efektivave ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.
7. Përzgjedhja e formës së trajtimit me ushqim ose e kompensimit në vlerë në lekë për ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura, sipas pikës 6, të këtij vendimi, përcaktohet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.
8. Masa e vlerës për kompensimin e ushqimit përcaktohet çdo vit me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, në bazë të kostos së ushqimit të gatuar dhe të vlerës kalorike të përcaktuar në vendimin nr.88, datë 28.1.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e normave të trajtimit me ushqim të efektivave ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.
9. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.524, datë 30.7.2004, “Për masën dhe mënyrën e kompensimit të qirasë së banesës dhe të ushqimit të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nr.668, datë 7.8.2013, “Për trajtimin me ushqim të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe për disa ndryshime në vendimin nr.524, datë 30.7.2004 të Këshillit të Ministrave “Për masën dhe mënyrën e kompensimit të qirasë së banesës dhe të ushqimit të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, shfuqizohen.
10. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe ministria përgjegjëse për financat për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË PARANDALIMIT TË PASTRIMIT TË PARAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 21, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim parashikon mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (në vijim DPPPP), si person juridik, publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për financat (në vijim ministri), me seli në Tiranë. DPPPP-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Misioni i DPPPP-së është të sigurojë parandalimin e pastrimit të parave dhe të produkteve që burojnë nga veprat penale, si dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, duke bashkëpunuar me institucionet/organet kompetente kombëtare e ndërkombëtare për të zbuluar dhe luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
3. DPPP-ja ka si fushë përgjegjësie:
a) parandalimin e pastrimit të parave dhe produkteve që burojnë nga veprat penale;
b) parandalimin e financimit të terrorizimit.
4. DPPP-ja ushtron funksionet e autoritetit përgjegjës, sipas legjislacionit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe shërben si njësi e specializuar financiare për parandalimin dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË PARANDALIMIT TË PASTRIMIT TË PARAVE
DPPP-ja ka përgjegjësi të organizojë punën për:
a) ushtrimin e funksionit për parandalimin e pastrimit të parave dhe produkteve që burojnë nga veprat penale;
b) ushtrimin e funksionit për parandalimin e financimit të terrorizmit;
c) mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen tek agjencitë e zbatimit të ligjit të të dhënave për veprimtaritë e mundshme të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË PARANDALIMIT TË PASTRIMIT TË PARAVE
1. DPPPP-ja e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.
2. Struktura dhe organika e DPPPP-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
3. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të DPPPP-së miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm.
4. DPPP-ja bashkëpunon me institucionet shtetërore dhe autoritetet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit apo të inteligjencës, për çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale, veprat penale ose veprimtaritë kriminale, që gjenerojnë produktet e veprës penale dhe të financimit të terrorizimit. DPPP-ja mund të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi, dy ose shumëpalëshe, me këto institucione apo autoritete.
5. DPPPP-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Drejton aktivitetin e DPPPP-së mbi bazën e legjislacionit në fuqi dhe të akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij;
b) Informon në mënyrë periodike, me shkrim, për aktivitetin e DPPPP-së, Komitetin e Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave;
c) Organizon dhe drejton analiza periodike të aktivitetit të DPPPP-së;
ç) Krijon grupe pune për çështje specifike të punës së DPPPP-së dhe monitoron ecurinë e përmbushjes së qëllimit të tyre;
d) Përfaqëson DPPPP-në në marrëdhënie me të tretët, brenda dhe jashtë vendit;
dh) Miraton programe të kualifikimit profesional të punonjësve të DPPPP-së;
e) Drejton dhe orienton punën e grupit teknik ndërinstitucional për parandalimin e pastrimit të parave, në kuadrin e Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave;
ë) Merr vendim për kundërvajtjet administrative të kryera nga subjektet e legjislacionit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit;
f) Raporton me shkrim te ministri përgjegjës dhe Kryeministri, sa herë që i kërkohet, por jo më pak se dy herë në vit;
g) Është përgjegjës për ngritjen dhe zhvillimin e sistemit të kontrollit të brendshëm në institucion, në mbështetje të dispozitave ligjore në fuqi;
gj) Kryen çdo funksion tjetër si titullar institucioni, sipas legjislacionit në fuqi.
6. Drejtori i Përgjithshëm i DPPP-së emërohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të DPPP-së, përfshirë strukturën e teknologjisë së informacionit, rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
7. DPPPP-ja ka stemën, logon dhe vulën zyrtare. Stema e drejtorisë ka shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e (emri i ministrisë përgjegjëse), “Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave”, në përputhje me përcaktimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
8. Vula e DPPPP-së ka elementet dhe formën e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, të kontrollit dhe të ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Vendimi nr.922, datë 21.12.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave”, shfuqizohet.
2. Ngarkohet drejtori i Përgjithshëm i DPPPP-së që, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të marrë masat për hartimin dhe paraqitjen e propozimit për miratimin e rregullores për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Albert Nikolla emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2020, MIRATUAR PËR MINISTRINË E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në programin buxhetor “Transporti rrugor” 04520, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm” i shtohet fondi prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për projektin “Rishikimi i studimit të fizibilitetit dhe hartimi i projektit të detajuar inxhinierik “Ndërtimi i tunelit të Llogorasë””, me vlerë të plotë të parashikuar 750 000 000 (shtatëqind e pesëdhjetë milionë) lekë.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2020.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.231, DATË 17.4.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I SEGMENTIT RRUGOR “PALLATI ME SHIGJETA – RRETHRROTULLIMI “SHQIPONJA””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.231, datë 17.4.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 637 923 893.36 (një miliard e gjashtëqind e tridhjetë e shtatë milionë e nëntëqind e njëzet e tre mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e tre pikë tridhjetë e gjashtë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 637 923 893.36 (një miliard e gjashtëqind e tridhjetë e shtatë milionë e nëntëqind e njëzet e tre mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e tre pikë tridhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet, si më poshtë vijon:
• 1 224 874 430.42 (një miliard e dyqind e njëzet e katër milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër mijë e katërqind e tridhjetë pikë dyzet e dy) lekë, nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë;
• 158 067 603.10 (njëqind e pesëdhjetë e tetë milionë e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e tre pikë dhjetë) lekë, nga buxheti i miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar;
• 200 000 000 (dyqind milionë) lekë, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2020;
• 54 981 859.84 (pesëdhjetë e katër milionë e nëntëqind e tetëdhjetë e një mijë e tetëqind e pesëdhjetë e nëntë pikë tetëdhjetë e katër) lekë, nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2021.”.
b) Vlera e shpenzimeve procedurale, prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, të përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
c) Tabelës bashkëlidhur vendimit nr.231, datë 17.4.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, i shtohet tabela bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria Vendore Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.599, DATË 31.8.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I RRUGËS “DHIMITËR KONOMI”, NË ZONËN E UJIT TË FTOHTË, VLORË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.599, datë 31.8.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në pikën 3, shifra “27 776 834 (njëzet e shtatë milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e tridhjetë e katër) lekë” ndryshon dhe bëhet “28 267 469 (njëzet e tetë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë”.
b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 28 267 469 (njëzet e tetë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekësh, të përballohet, si më poshtë vijon:
– 27 776 834 (njëzet e shtatë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e tridhjetë e katër) lekë, nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë;
– 490 635 (katërqind e nëntëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e pesë) lekë, nga buxheti i miratuar për Bashkinë Vlorë.”.
c) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Shpenzimet procedurale të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.”.
ç) Tabelës bashkëlidhur vendimit i shtohet tabela që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.661, DATË 7.8.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I LINJAVE 110 KV DHE 220 KV QË LIDHIN KASKADËN E DEVOLLIT ME SISTEMIN E TRANSMETIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.661, datë 7.8.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 3, shifra “3 610 343.8 (tre milionë e gjashtëqind e dhjetë mijë e treqind e dyzet e tre pikë tetë) lekë” ndryshon dhe bëhet “3 908 239.5 (tre milionë e nëntëqind e tetë mijë e dyqind e tridhjetë e nëntë pikë pesë) lekë”.
b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 3 908 239.5 (tre milionë e nëntëqind e tetë mijë e dyqind e tridhjetë e nëntë pikë pesë) lekësh, të përballohet nga shoqëria “Devoll Hydropower”, sh.a.”.
c) Tabelës bashkëlidhur vendimit i shtohet tabela bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, zyra vendore Gramsh dhe shoqëria “Devoll Hydropower”, sh.a. për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA SEKRETARIATI I SHTETIT PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE, LIDHUR ME OFRIMIN E NDIHMËS TEKNIKE DHE FINANCIARE PËR PROJEKTIN “MENAXHIMI I MBETJEVE TË NGURTA NË QARKUN E BERATIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike, lidhur me ofrimin e ndihmës teknike dhe financiare për projektin “Menaxhimi i mbetjeve të ngurta në Qarkun e Beratit”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE TË EKSPERTIT PËR PËRGATITJEN E PROGRAMIT TË MENAXHIMIT TË QËNDRUESHËM DHE MIQËSOR ME KLIMËN PËR MBETJET E NGURTA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Marrësi), dhe KFW, Frankfurt am Main (KfW), për financimin e shërbimeve të ekspertit për përgatitjen e programit të menaxhimit të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën për mbetjet e ngurta, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.910, DATË 21.12.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ÇËSHTJET, OBJEKT KONSULTIMI, DHE STRUKTURËN, PROCEDURËN, FORMËN, MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË KËSHILLIT KONSULTATIV TË QEVERISJES QENDRORE ME VETËQEVERISJEN VENDORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 12, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.910, datë 21.12.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në shkronjën “c”, të pikës 4, pas nënndarjes “viii” “mbrojtjen e konsumatorëve” shtohet nënndarja “ix”, me këtë përmbajtje:
“ix) diaspora dhe migracioni;”.
2. Në pikën 7, të kreut III, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në fjalinë e parë, numri “9 (nëntë)” zëvendësohet me numrin “11 (njëmbëdhjetë)”;
b) Pas nënndarjes “zëvendësministri përgjegjës për arsimin” shtohen nënndarjet, me këtë përmbajtje:
“ – Përfaqësuesi i ministrit përgjegjës për marrëdhëniet me diasporën;
– Përfaqësuesi i ministrit përgjegjës për mbrojtjen e sipërmarrjes.”.
c) Fjalët “… 2 kryetarë bashkie …” zëvendësohen me “… 3 (tre) kryetarë bashkie …”.
II. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe ministri i Shtetit për Diasporën për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E FAKTORËVE DHE TË SITUATAVE QË MERREN PARASYSH NË VLERËSIMIN E RREZIQEVE TË PASTRIMIT TË PARAVE DHE FINANCIMIT TË TERRORIZMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4/2, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim përcakton faktorët tregues të situatave me risk të ulët të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, për të cilat mund të zbatohet vigjilenca e thjeshtuar.
2. Ky vendim zbatohet për vlerësimin e rreziqeve të pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit, që lidhen me llojin e klientëve, të zonës gjeografike, të produkteve, të shërbimeve, të transaksioneve apo të kanaleve të veçanta të shpërndarjes, në rastet e zbatimit të vigjilencës së thjeshtuar.
3. Faktorët tregues të riskut të ulët përfshijnë, si më poshtë vijon:
a) Faktorët e riskut që lidhen me klientin:
i. Kompanitë publike të listuara në tregje titujsh dhe që i nënshtrohen rregullave të transparencës (sipas rregullave të tregut të titujve apo nëpërmjet ligjit apo të mjeteve të tjera të detyrueshme), që vendosin rregulla për transparencën e pronarëve përfitues;
ii. Ndërmarrjet apo administratat publike.
b) Faktorët e riskut që lidhen me produktet, transaksionet, shërbimet apo kanalet e shpërndarjes janë:
i. policat e sigurimit të jetës me prim të ulët;
ii. policat e sigurimit në skemat e pensionit pa mundësi përfitimi të parakohshëm dhe polica nuk mund të përdoret si kolateral;
iii. skemat e pensionit të zakonshëm, të pensionit suplementar apo të përfitimeve të tjera të ngjashme, të cilat sigurojnë përfitime për punonjësit pas daljes në pension, kur kontributet zbriten nga paga dhe rregullat e skemës së pensionit nuk lejojnë transferimin e së drejtës;
iv. shërbime apo produkte financiare, të cilat sigurojnë shërbime të kufizuara dhe të përcaktuara shprehimisht për kategori të caktuara klientësh, me qëllim përfshirjeje financiare;
v. produkte ku risqet e pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit menaxhohen nga faktorë të tjerë.
c) Faktorët gjeografikë të riskut janë:
i. vendet e vlerësuara si vende me sisteme efektive kundër pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit;
ii. vende të identifikuara, nga burime të besueshme, si vende me nivele të ulëta të korrupsionit apo të veprimtarive të tjera kriminale;
iii. vende, të cilat, sipas burimeve të besueshme, si raporte të përbashkëta të vlerësimit, raporte të hollësishme të vlerësimit apo raporte të publikuara të vëzhgimit, kanë kërkesa për luftimin e pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit, në përputhje me rekomandimet e rishikuara të grupit të posaçëm të veprimit financiar dhe i zbatojnë efektivisht ato kërkesa.
4. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, autoritetet mbikëqyrëse e licencuese si dhe subjektet raportuese për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE PËR HAPJEN DHE MBYLLJEN E INSTITUCIONEVE PRIVATE TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR, NË TË CILAT ZHVILLOHEN EDHE LËNDË FETARE APO KU MËSIMI ZHVILLOHET EDHE NË GJUHË TË HUAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 4 e 5, të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për hapjen dhe mbylljen e institucioneve arsimore private të arsimit parauniversitar, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj.
2. Institucione të arsimit parauniversitar privat, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj, janë institucionet për nivelet, si më poshtë vijon:
a) Kopsht (arsimi parashkollor);
b) Shkollë e arsimit fillor;
c) Shkollë e arsimit të mesëm të ulët;
ç) Shkollë e arsimit bazë;
d) Shkollë e arsimit të mesëm të lartë, që është në fushën e përgjegjësisë shtetërore së ministrisë përgjegjëse për arsimin.
3. Aplikimet për hapjen dhe mbylljen e institucioneve private të arsimit parauniversitar, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj kryhen në portalin qeveritar e-Albania, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
4. Për çdo institucion arsimor, të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, paraqitet aplikimi dhe dokumentacion më vete, për çdo nivel arsimor.
KREU II
KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR HAPJEN E KËTYRE INSTITUCIONEVE ARSIMORE PRIVATE
1. Institucionet private të arsimit parauniversitar, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj, hapen kur subjekti kërkues plotëson kriteret e parashikuara në këtë vendim. Në fazën e parë subjekti aplikon në portalin qeveritar e-Albania, duke plotësuar të gjitha të dhënat, sipas rubrikave të shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Në rast vlerësimi pozitiv të aplikimit të fazës së parë, nga ministria përgjegjëse për arsimin, subjekti ngarkon elektronikisht dokumentacionin sipas rubrikave të shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Dokumentacioni në gjuhë të huaj ngarkohet i përkthyer në gjuhën shqipe. Kur ky dokumentacion lëshohet në gjuhë të huaj, nga një institucion i huaj, ai duhet të legalizohet, në bazë të legjislacionit në fuqi.
KREU III
PROCEDURAT E APLIKIMIT DHE TË SHQYRTIMIT TË DOKUMENTACIONIT
1. Subjekti aplikon në portalin qeveritar e-Albania deri në datën 15 mars, për vitin shkollor pasardhës, duke plotësuar të dhënat për hapjen e institucionit arsimor privat, sipas rubrikave të parashikuara në shtojcën nr.1, për fazën e parë të aplikimit.
2. Ministria përgjegjëse për arsimin shqyrton aplikimin, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e aplikimit dhe njofton subjektin në formë elektronike për vlerësimin e aplikimit.
3. Në rast vlerësimi pozitiv nga ministria përgjegjëse për arsimin, subjekti ngarkon elektronikisht, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, dokumentacionin e parashikuar në shtojcën nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për fazën e dytë të aplikimit.
4. Ministria përgjegjëse për arsimin shqyrton, brenda 30 (tridhjetë) ditëve dokumentacionin, duke kërkuar raport ekspertimi nga institucionet e varësisë të specializuara për vlerësimin e kurrikulave dhe nga Komiteti Shtetëror për Kultet, kur institucioni arsimor privat do të zhvillojë edhe lëndë fetare.
5. Verifikimi i përmbushjes së standardeve të infrastrukturës së institucionit arsimor privat, parashikuar në shtojcën nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, kryhet me kërkesë të ministrisë përgjegjëse për arsimin, nga një grup pune (një prej të cilëve specialist inxhinier) të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, nën juridiksionin e të cilit ndodhet vendndodhja e objektit. Grupi i punës përgatit një raport të detajuar vlerësimi, shoqëruar me rekomandimin përkatës për miratimin ose refuzimin e aplikimit.
6. Në përfundim të shqyrtimit, ministria përgjegjëse për arsimin pranon ose refuzon aplikimin. Nëse kërkesa refuzohet, subjekti nuk mund të aplikojë përsëri për atë vit shkollor, për hapjen e një institucioni arsimor privat të arsimit parauniversitar, në të cilin zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj.
7. Në rast të vlerësimit pozitiv, ministri përgjegjës për arsimin i propozon Këshillit të Ministrave projektvendimin për hapjen e institucionit arsimor privat. Propozimi për hapjen e institucionit arsimor privat të arsimit parauniversitar, në të cilin zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj, për miratim nga Këshilli i Ministrave duhet të jetë jo më vonë se 3 (tre) muaj para fillimit të vitit shkollor.
KREU IV
TARIFAT E SHËRBIMIT
1. Tarifat e aplikimit për hapje të institucioneve arsimore parauniversitare private, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj, janë sipas shtojcës nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Tarifa paguhet në numrin e llogarisë së ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe është e pakthyeshme. Të ardhurat e realizuara nga tarifa derdhen 100% në buxhetin e shtetit.
KREU V
NDRYSHIMI I TË DHËNAVE TË INSTITUCIONIT
1. Subjekti, pas miratimit të hapjes së institucionit arsimor privat të arsimit parauniversitar, në të cilin zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj, jo më vonë se 3 (tre) muaj para fillimit të vitit shkollor, aplikon sipas shtojcës nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Subjekti, plotëson dhe ngarkon dokumentacionin përkatës sipas rubrikave të shtojcës nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, ministria përgjegjëse për arsimin njofton subjektin, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, për:
a) plotësime ose ndryshime të tjera të mundshme në dokumentacion;
b) miratimin e plotësimeve ose të ndryshimeve të mësipërme;
c) ndjekjen e procedurave të mbylljes, sipas pikës 3, të kreut VI, të këtij vendimi.
KREU VI
MBYLLJA E INSTITUCIONIT TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR PRIVAT
1. Mbyllja e institucionit të arsimit privat në të cilin zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga data e aplikimit.
2. Vendimi për hapjen e institucionit arsimor privat në të cilin zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj shfuqizohet në rastet kur ky i fundit nuk fillon veprimtarinë në 2 (dy) vitet shkollore pasardhëse.
3. Subjekti, që kërkon mbylljen e institucionit arsimor privat, në të cilin zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj, aplikon jo më vonë se 3 (tre) muaj përpara përfundimit të vitit shkollor përkatës, nëpërmjet sistemit elektronik, duke ngarkuar dokumentacionin që përmban të dhënat dhe deklarimet, sipas shtojcës nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Mbyllja e institucionit të arsimit privat bëhet në çdo kohë me nismën e ministrit përgjegjës për arsimin, kur:
a) ministria përgjegjëse për arsimin ose institucionet e saj të varësisë konstatojnë shkelje të kritereve ose të standardeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi;
b) në rast mosplotësimi të dokumentacionit dhe/ose ndjekjes së procedurës të përcaktuar në kreun V, të këtij vendimi.
5. Nuk kanë të drejtë të kërkojnë hapjen e një institucioni arsimor privat, për 5 (pesë) vite shkollore pasuese, subjektet dhe themeluesit e tyre, që kanë mbyllur një institucion arsimor privat në të cilin zhvillohen lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj, me nismën e ministrisë përgjegjëse për arsimin apo kërkesën e tyre.
6. Institucioni arsimor privat që mbyllet dorëzon dokumentacionin arsimor pranë arkivit shtetëror vendor, sipas legjislacionit në fuqi për arkivat. Një kopje e procesverbalit të dorëzimit dhe e dokumentacionit depozitohet në njësinë vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar, nën juridiksionin e të cilës ndodhej institucioni i mbyllur. Në rast se subjekti nuk e dorëzon dokumentacionin, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e mbylljes së institucionit arsimor privat, administratori i tij mban përgjegjësi administrative, në bazë të legjislacionit në fuqi dhe dënohet me gjobë.
KREU VII
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Aplikimet për hapjen dhe mbylljen e institucioneve private të arsimit parauniversitar, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj, do të kryhen në formë shkresore, deri në datë 30 qershor 2020, në përputhje me vendimin nr.825, datë 7.10.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
2. Vendimi nr.825, datë 7.10.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve e të procedurave për dhënien e lejes për hapjen, mbylljen dhe funksionimin e institucioneve private të arsimit parauniversitar, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj”, i ndryshuar, shfuqizohet.
3. Ngarkohen ministria përgjegjëse për arsimin dhe institucionet arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE RRËSHEN, BASHKIA MIRDITË, DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” dhe “iv”, e 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen zonë e re për zhvillim të territorit, me sipërfaqe prej 36 387 (tridhjetë e gjashtë mijë e treqind e tetëdhjetë e shtatë) m2, si zonë e përshtatshme për zhvillimin e detyruar, sipas hartës dhe koordinatave bashkëlidhur këtij vendimi, në njësinë administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë.
2. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për këtë zonë, si njësi zbatuese, për:
a) ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara;
b) ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike e kritike;
c) realizimin e ndërtimeve në këtë zonë;
ç) çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të kësaj zone.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Mirditë dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NË FSHATIN VALIAS, BASHKIA KAMZË, DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” dhe “iv”, e 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen zonë e re për zhvillim të territorit, me sipërfaqe prej 86 710 (tetëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e dhjetë) m2, si zonë e përshtatshme për zhvillimin e detyruar, sipas hartës dhe koordinatave bashkëlidhur këtij vendimi, në fshatin Valias, Bashkia Kamzë.
2. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për këtë zonë, si njësi zbatuese, për:
a) ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara;
b) ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike e kritike;
c) realizimin e ndërtimeve në këtë zonë;
ç) çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të kësaj zone.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Kamzë dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E BURSAVE PËR NXËNËSIT E SHKOLLËS SË MESME PROFESIONALE “PETER MAHRINGER”, SHKODËR, PËR VITIN SHKOLLOR 2020-2021
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 39, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9522, datë 25.4.2006, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Austrisë, për bashkëpunimin në fushat e kulturës, të arsimit dhe shkencës”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të 84 (tetëdhjetë e katër) bursave të studimit për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, Shkodër, nga të cilat 24 (njëzet e katër) bursa studimi për nxënësit e viteve përgatitore dhe 60 (gjashtëdhjetë) bursa studimi për nxënësit nga viti i parë, deri në vitin e katërt të shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, për vitin shkollor 2020-2021.
2. Vlera vjetore e bursës do të jetë 95 600 (nëntëdhjetë e pesë mijë e gjashtëqind) lekë, me qëllim shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe për mbulimin e kostos së teksteve mësimore. Vlera e masës së bursës do të paguhet pranë bankave të nivelit të dytë për çdo nxënës/prind/përfaqësues ligjor të nxënësve përfitues.
3. Fondi për mbulimin e këtyre bursave kalon nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar në Shkodër.
4. Miratimi i këtyre bursave bëhet nga bordi i Fondacionit Shkollor Austriak, pas përzgjedhjes mbi bazën e kritereve ekonomike, si dhe rezultateve të arritura nga secili nxënës/aplikant.
5. Bordi i Fondacionit Shkollor Austriak, pas miratimit të bursave, dërgon dokumentacionin përkatës në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar në Shkodër, i cili, pas konfirmimit të nxënësve që përfitojnë bursë, kalon masën e bursës në llogarinë personale të secilit nxënës.
6. Efektet financiare të mbulohen nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, pa efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit.
7. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
VENDIM
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË MENAXHIMIT TË BASENIT UJOR SEMAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “d”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e planit të menaxhimit të basenit ujor Seman, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Zbatimi i planit të menaxhimit të basenit ujor Seman fillon në vitin 2021.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA