Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Dhjetor 2019:

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË DOKUMENTIT TË NDRYSHIMIT NR.1 TË KONTRATËS FINANCIARE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE, PËR PROJEKTIN E NDËRTIMIT TË BYPASS-IT TË FIERIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të dokumentit të ndryshimit nr.1 të kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin e ndërtimit të bypass-it të Fierit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Agron Tare emërohet zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

EMËRIM NË DETYR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Nina Guga emërohet zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Oltion Rrumbullaku emërohet zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRBËRJEN DHE RREGULLAT E DETAJUARA PËR ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN E SHPËRBLIMIN FINANCIAR TË KOMISIONIT QENDROR TË STATUSIT “DËSHMOR I ATDHEUT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 5, të nenit 10, të ligjit nr.109/2018, “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pranë Ministrisë së Mbrojtjes krijohet Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i atdheut”, që kryesohet nga ministri i Mbrojtjes (kryetar), zëvendësministri i Mbrojtjes (nënkryetar) dhe në përbërje ka anëtarë:
– zëvendësministrin e Brendshëm;
– zëvendësministrin e Drejtësisë;
– zëvendësministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
– një përfaqësues të Organizatës së Dëshmorëve të LANÇ-it dhe dëshmorëve të tjerë të atdheut;
– një përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it.
2. Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i atdheut” mbështetet nga një staf teknik, që funksionon pranë Ministrisë së Mbrojtjes, përbërja dhe organizimi i të cilit përcaktohet nga ministri i Mbrojtjes. Përgjegjësi i këtij stafi ushtron funksionet e sekretarit të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i atdheut”.
3. Marrja e vendimeve të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i atdheut” do të kryhet sipas dispozitave të ligjit nr.8480, datë 27.5.1999, “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”.
4. Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i atdheut” mblidhet me kërkesën e kryetarit të komisionit dhe ushtron këto detyra:
a) Shqyrton dhe merr vendime lidhur me propozimin dhe dokumentacionin për shpalljen apo njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”, të dërguar nga subjektet propozuese;
b) Shqyrton dhe merr vendim lidhur me ankesat administrative të subjekteve kërkuese kundër vendimit të këshillit bashkiak, këshillit të qarkut apo prefektit, të cilët kanë refuzuar kërkesën e tyre për statusin e dëshmorit të atdheut ose kur këto organe nuk kanë marrë në shqyrtim kërkesën e tyre për këtë çështje, brenda afateve të parashikuara ligjore;
c) Njofton me shkrim subjektin propozues apo subjektin ankues se propozimi ose ankesa e tij është pranuar për vazhdimin e procedurës administrative nga Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i atdheut” ose për plotësimin e të metave lidhur me kriteret formale, ligjore, të propozimit, duke caktuar një afat prej 10 ditësh pune për plotësimin e këtyre të metave;
ç) Njofton subjektin propozues apo subjektin ankues se janë të nevojshme veprime të mëtejshme administrative, para se të vendosë pranimin ose jo të propozimit apo të kërkesës/ankesës, duke caktuar një afat prej 10 ditësh pune për kryerjen e këtyre veprimeve;
d) Bashkëpunon me organet shtetërore qendrore e vendore dhe me organizatat e dëshmorëve apo organizata të tjera për organizimin e ceremonive të dhënies (shpërndarjes) së certifikatës “Dëshmor i atdheut” dhe të simbolit “Familje e dëshmorit të atdheut”;
dh) Rishqyrton vendimet e tij, të cilët, bazuar në një vendim gjykate të formës së prerë, janë anuluar apo shfuqizuar;
e) Miraton, me vendim, dhënien e shpërblimit financiar mujor për familjen e dëshmorit të atdheut, kur plotësohen kriteret e përcaktuara në pikën 2, të nenit 18, të ligjit nr.109/2018, “Për statusin e dëshmorit të atdheut”;
ë) Bashkëpunon me institucionet e tjera publike gjatë hetimit administrativ të një çështjeje për shpalljen apo njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”;
f) Ngarkon stafin teknik të komisionit qendror me detyra specifike administrative, për çështjen që shqyrton;
g) Njofton, me shkresë zyrtare, subjektin propozues apo subjektin ankues, brenda afateve ligjore, për vendimin përfundimtar të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i atdheut”;
gj) Merr vendim për delegimin e disa kompetencave nënkryetarit, një anëtari apo stafit teknik të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i atdheut”.
5. Propozimi për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut” përmban identitetin e plotë e të saktë të të ndjerit, jetëshkrimin të tij dhe përshkrimin e saktë të rrethanave të ngjarjes ku ka humbur jetën, sipas dokumenteve zyrtare, shtetërore dhe çdo dokumentacion tjetër, të përcaktuar sipas nenit 8, të ligjit nr.109/2018, “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, dhe i paraqitet këshillit të qarkut, këshillit bashkiak ose prefektit.
6. Propozimi për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut” paraqitet pranë stafit teknik të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i atdheut”, në Ministrinë e Mbrojtjes.
7. Komisioni Qendror, për dhënien e statusit “Dëshmor i atdheut”, shqyrton dokumentet e dërguara nga këshilli i qarkut, këshilli bashkiak, prefekti ose ministri përkatës dhe relacionin e stafit teknik. Komisioni Qendror merr vendimin brenda 3 muajve, nga dita e regjistrimit në sekretarinë e këtij komisioni, për shpalljen ose jo “Dëshmor i atdheut” të të ndjerit dhe njofton të interesuarin nëpërmjet këshillit të qarkut, këshillit bashkiak dhe prefektit.
8. Vendimi i Komisionit Qendror për mosdhënien e statusit “Dëshmor i atdheut” duhet të jetë i arsyetuar.
9. Shpërblimi për pjesëmarrje në mbledhje, për çdo anëtar, bëhet sipas përcaktimeve në vendimin normativ të masës së shpërblimit të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore.
10. Vendimi nr.151, datë 25.5.2002, i Këshillit të Ministrave, “Për statusin “Dëshmor i Atdheut””, shfuqizohet.
11. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i atdheut” për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Redi Shtino, zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TЁ MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SЁ SHQIPЁRISЁ DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR KONVERTIMIN E BORXHIT PËR ZHVILLIM, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10473, DATË 27.10.2011

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë për konvertimin e borxhit për zhvillim, ratifikuar me ligjin nr.10473, datë 27.10.2011, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW) DHE REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, (PËRFITUESI), PËR FINANCIMIN SHTESË PËR PROGRAMIN E MENAXHIMIT TË MBETJEVE TË NGURTA, RAJONI VLORË (KËSTI II), RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.75/2017

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 dhe 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së financimit, ndërmjet KfW Frankfurt am Main (KfW) dhe Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Përfituesi), për financimin shtesë për programin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta, rajoni Vlorë (kësti II), ratifikuar me ligjin nr.75/2017, me një grant në shumën 5 424 266.79 (pesë milionë e katërqind e njëzet e katër mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë pikë shtatëdhjetë e nëntë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËR SIGURINË 4G DHE 5G

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për sigurinë 4G dhe 5G, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.46, DATË 30.1.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2019”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shtojca 2, bashkëlidhur vendimit nr.46, datë 30.1.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohet me shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar për spitalet, për vitin 2019.
3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.408, DATË 13.5.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË ZHVILLIMIT TË TERRITORIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në tekstin e rregullores së zhvillimit të territorit, bashkëlidhur vendimit nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhet ndryshimi, si më poshtë vijon:

Neni 1
Pika 1/1, e nenit 24, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1/1. Autoriteti vendor vendos, me procedurë të përshpejtuar, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e paraqitjes së aplikimit në sistemin e-leje, për pajisjen me leje ndërtimi, për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile.
Përjashtimisht, vetëm për këto raste, autoriteti përgjegjës për miratimin e lejeve të ndërtimit për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile, është kryetari i bashkisë brenda territorit administrativ të bashkisë ku kërkohet leja me procedurë të përshpejtuar, dhe:
a) aplikimet paraqiten për shqyrtim dhe miratim nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve nga ana e Institutit të Ndërtimit, bashkisë përkatëse apo projektuesve të licencuar;
b) dokumentacioni i vetëm që duhet të dorëzohet nga aplikuesi është:
i. akti i konstatimit për objektin e dëmtuar, i hartuar nga strukturat përkatëse të ngarkuara nga legjislacioni në fuqi;
ii. projekti teknik/konstruktiv i hartuar nga Instituti i Ndërtimit, bashkia përkatëse apo projektuesit e licencuar.”.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.170, DATË 27.3.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPËRNDARJEN DHE DETAJIMIN E FONDIT 1 000 000 000 (NJË MILIARD) LEKË NË PROGRAMIN “MENAXHIMI I INFRASTRUKTURËS SË UJITJES DHE KULLIMIT””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.170, datë 27.3.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në pikën 1, fondi 1 000 000 000 (një miliard) lekë zëvendësohet me 1 116 424 574 (një miliard e njëqind e gjashtëmbëdhjetë milionë e katërqind e njëzet e katër mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë;
b) Tabela 1, “Lista e projekteve”, ndryshohet sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Shtesa e vlerës së financimit, prej 116 424 574 (njëqind e gjashtëmbëdhjetë milionë e katërqind e njëzet e katër mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e katër) lekësh, për vitin 2019, e përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga rishpërndarja e fondeve të akorduara me aktin normativ nr.2, datë 2.10.2019, “Për disa ndryshime në ligjin nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, për programin “Menaxhimi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit”, dhe diferencat e prokurimeve të këtij programi”.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.187, DATË 8.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 1/3, të vendimit nr.187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në shkronjën “a”, emërtesa “Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit” zëvendësohet me “Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive” dhe shtohet emërtesa “Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë”.
b) Në fund të shkronjës “b” shtohet emërtesa “Agjencia Kombëtare e Pyjeve”.
2. Zbatimi i këtij vendimi dhe efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i tij, për vitin 2019, të përballohen nga fondet e miratuara, përkatësisht për sistemin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, sistemin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe sistemin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë e të fillojnë nga momenti i transferimit apo emërimit të nëpunësve/punonjësve në strukturën dhe organikën e re të secilit institucion.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.237, DATË 6.3.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR HAPJEN DHE MBYLLJEN E SPITALEVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të pikës 2, të nenit 3, të ligjit nr.9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.237, datë 6.3.2009, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 1, e kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Personat juridikë, që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë në fushën e shërbimit spitalor jopublik, përveç kërkesave të përcaktuara në ligjin nr.9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në legjislacionin për lejet dhe licencat në Republikën e Shqipërisë, duhet të plotësojnë kriteret e përgjithshme të mëposhtme si dhe kriteret e përcaktuara në shtojcat I, II e III, që i bashkëlidhen këtij vendimi.”.

2. Pas shtojcës II, shtohet shtojca III, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.400, DATË 1.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK TË BASHKIMIT EVROPIAN, ME MISION TRAJNUES, NË REPUBLIKËN E MALIT, NË AFRIKË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.103/2012, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për krijimin e kuadrit për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në operacionet e menaxhimit të krizave të Bashkimit Evropian”, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.400, datë 1.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në pikat 1, shkronja “b”, dhe 3, data “… 31 dhjetor 2019 …” ndryshohet dhe bëhet “… 31 dhjetor 2021 …”.
2. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.654, DATË 14.9.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË ORGANIKËS SË AGJENCISË SË OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 17, të ligjit nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.654, datë 14.9.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

1. Shtojca I, që përmendet në pikën 1, zëvendësohet me shtojcën I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Shtojca II, që përmendet në pikën 2, zëvendësohet me shtojcën II, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Numri i punonjësve të Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) të jetë, gjithsej, 175 veta.”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1148, DATË 25.11.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “RRUGA HYRËSE FIER””, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.1148, datë 25.11.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Tabelave bashkëlidhur vendimit i shtohet edhe tabela bashkëlidhur këtij vendimi.

b) Në pikën 3, për pasuritë e llojit tokë “truall”, sipërfaqja 1 139.4 (një mijë e njëqind e tridhjetë e nëntë pikë katër) m2, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 13 672 800 (trembëdhjetë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e tetëqind) lekësh, ndryshon dhe bëhet 1 158.8 (një mijë e njëqind e pesëdhjetë e tetë pikë tetë) m2, me vlerë të përgjithshme shpronësimi 13 914 485 (trembëdhjetë milionë e nëntëqind e katërmbëdhjetë mijë e katërqind e tetëdhjetë e pesë) lekë.

c) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 372 500 (treqind e shtatëdhjetë e dy mijë e pesëqind) lekë, të përballohen, përkatësisht:

– 322 500 (treqind e njëzet e dy mijë e pesëqind) lekë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar;
– 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.”.

ç) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 13 914 485 (trembëdhjetë milionë e nëntëqind e katërmbëdhjetë mijë e katërqind e tetëdhjetë e pesë) lekësh, të përballohet nga:

– llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë, shuma 9 488 400 (nëntë milionë e katërqind e tetëdhjetë e tetë mijë e katërqind) lekë;
– buxheti i vitit 2015, zëri “Detyrime të prapambetura”, shuma 4 184 400 (katër milionë e njëqind e tetëdhjetë e katër mijë e katërqind) lekë;
– buxheti i vitit 2019, zëri “Shpronësime”, miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar, në programin buxhetor “Transporti rrugor”, shuma 241 685 (dyqind e dyzet e një mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e pesë) lekë.”.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, si dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR NDËRTIMIN, MIRËMBAJTJEN DHE RUAJTJEN E VARREZAVE TË DËSHMORËVE TË ATDHEUT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 13, të ligjit nr.109/2018, “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në shenjë nderimi, përkujtimi dhe mirënjohjeje kombëtare për dëshmorët e atdheut ndërtohen varreza ku prehen dëshmorët e atdheut.

2. Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut mbajnë statusin e varrezave monumentale dhe, si të tilla, trajtohen e mbrohen si monument kulture, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për shërbimin publik të varrimit dhe për trashëgiminë kulturore e muzetë.

3. Varrezat e reja, të cilat do të shërbejnë si vend prehjeje për personat që gëzojnë statusin “Dëshmor i atdheut”, krijohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Deklarimi pasuri kulturore i varrezave të reja, që gëzojnë statusin “Dëshmor i atdheut”, bëhet sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore e muzetë. Administrimi i vlerave kulturore të varrezave monumentale bëhet nga ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore dhe muzetë.

5. Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore, janë institucionet përgjegjëse për projektimin dhe ndërtimin e varrezave të reja të dëshmorëve të atdheut. Projektimi dhe ndërtimi bëhen kundrejt fondeve buxhetore që do të akordohen rast pas rasti.

6. Mirëmbajtja dhe ruajtja e varrezave të dëshmorëve të atdheut kryhet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

7. Në çdo varrezë të dëshmorëve të atdheut përcaktohen shërbimet e ruajtjes, të kontrollit dhe të kujdestarisë gjatë gjithë kohës së funksionimit të tyre, sipas akteve ligjore në fuqi për administrimin e varrimit dhe për trashëgiminë kulturore.

8. Ndërtimi, zgjerimi, mbyllja apo prishja e varrezës së dëshmorëve të atdheut apo e parcelave ku gjenden varret e dëshmorëve të atdheut bëhet në pajtim me projektin për zhvillimin e varrezave të dëshmorëve dhe planin e përgjithshëm vendor të zhvillimit urban, si dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis. Në çdo rast, projekti kalon për shqyrtim e miratim pranë strukturave kompetente të ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.

9. Në rastet kur normat e radioaktivitetit janë tej normave të lejuara, atëherë mbetjet mortore të personit të shpallur “Dëshmor i atdheut” do të trajtohen sipas rregullave ligjore e teknike për mbrojtjen nga rrezatimet radioaktive, në bashkëpunim me organet kompetente.

10. Materialet e gërmuara dhe mbeturinat e dala gjatë meremetimit dhe ndërtimit të varreve të reja në varrezën e dëshmorëve të atdheut duhet të transportohen jashtë varrezave jo më vonë se një ditë pas datës së përfundimit të punimeve. Materialet për kryerjen e punimeve të ndryshme duhen të jenë të parapërgatitura dhe të vendosen në zona të miratuara nga struktura përkatëse të bashkisë.

11. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Kulturës dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES PËR MBROJTJEN E PUBLIKUT DHE TË PUNËMARRËSVE TË EKSPOZUAR PROFESIONALISHT NDAJ RREZATIMIT JONIZUES, DHE SIGURISË NDAJ EKSPOZIMEVE MJEKËSORE ME BURIMET E RREZATIMIT JONIZUES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 9, të ligjit nr.8025, datë 9.11.1995, “Për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullores për mbrojtjen e publikut dhe të punëmarrësve të ekspozuar profesionalisht ndaj rrezatimit jonizues, dhe sigurisë ndaj ekspozimeve mjekësore me burimet e rrezatimit jonizues, sipas tekstit dhe shtojcave që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

2. Vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.481, datë 25.7.2012, “Për miratimin e rregullores “Për sigurinë e publikut ndaj ekspozimeve që shkaktohen nga burimet e rrezatimeve jonizuese”, nr.590, datë 18.8.2011, “Për miratimin e rregullores “Për mbrojtjen e punëmarrësve të ekspozuar profesionalisht ndaj rrezatimeve jonizuese”, nr.229, datë 20.3.2013, “Për miratimin e rregullores “Për sigurinë ndaj ekspozimeve mjekësore me burime të rrezatimit jonizues”, dhe nr.543, datë 7.7.2010, “Për miratimin e rregullores “Për punë të sigurt me burimet e rrezatimeve jonizuese”, shfuqizohen.

3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Komisioni për Mbrojtjen nga Rrezatimet, Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet, të gjitha institucionet e tjera që janë përgjegjëse për mbrojtjen dhe sigurinë e publikut nga rrezatimi jonizues, punëmarrësve, nxënësve apo praktikantëve ndaj ekspozimit profesional, si dhe pacientëve ose mbështetësve të tyre ndaj ekspozimit mjekësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi në datën 1.1.2021.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË MASËS SË SHPËRBLIMIT FINANCIAR MUJOR TË FAMILJEVE TË DËSHMORËVE TË ATDHEUT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 18, të ligjit nr.109/2018, “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpërblimi financiar mujor për familjen e dëshmorit të atdheut caktohet në masën 7 000 (shtatë mijë) lekë.

2. Kur përfitues të shpërblimit financiar, sipas certifikatës së rrethit familjar të dëshmorit të atdheut në momentin e vdekjes së tij, janë më shumë se një person, atëherë personi që do të tërheqë këtë shpërblim duhet të pajiset me prokurë të lëshuar nga përfituesit e tjerë.

3. Në njoftimin e dhënies së statusit “Dëshmor i atdheut” nga Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmori i atdheut” (KQSDA), përfituesit duhet të informohen, gjithashtu, edhe në lidhje me procedurën dhe dokumentacionin që kërkohet për të përfituar shpërblimin financiar.

4. Në rast se përfituesit, sipas certifikatës së rrethit familjar të dëshmorit të atdheut në momentin e vdekjes së tij, brenda 10 ditëve, nga njoftimi i dhënies së statusit “Dëshmor i atdheut” nga KQSDA, nuk bien dakord për pajisjen me prokurë të njërit prej tyre, atëherë masa e shpërblimit financiar mujor do të pjesëtohet sipas numrit të përgjithshëm të përfituesve.

5. KQSDA-ja i dërgon Institutit të Sigurimeve Shoqërore emrin e familjarit, që, sipas certifikatës së gjendjes familjare të dëshmorit të atdheut në momentin e vdekjes së tij, përfiton shpërblimin financiar, bashkë me një kopje origjinale të vendimit për dhënien e statusit “Dëshmor i atdheut”.

6. Kur familjari i autorizuar, sipas listës dhe vendimit të KQSDA-së për tërheqjen e shpërblimit, vdes, kjo e drejtë i transferohet njërit prej pjesëtarëve të rrethit familjar, sipas procedurës së përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi.

7. Shpërblimi i familjes së dëshmorit të atdheut jepet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas vendimit të KQSDA-së.

8. Trajtimi financiar për rrethin familjar të dëshmorit të atdheut fillon në datën e shpalljes së vendimit të KQSDA-së.

9. Trajtimi financiar për rrethin familjar të dëshmorit të atdheut, i cili e ka fituar të drejtën për t’u njohur si “Dëshmor i atdheut” me vendim gjykate të formës së prerë, fillon nga data e vendimit të komisionit për mosdhënien e statusit “Dëshmor i atdheut”.

10. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe fillojnë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

11. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmori i atdheut” dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “SISTEMIM BLLOQESH BANIMI, RRUGA “SHABAN BUSHATI”, NË BASHKINË SHKODËR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë të paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Sistemim blloqesh banimi, rruga “Shaban Bushati”, në Bashkinë Shkodër”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Shkodër.

3. Pronari i pasurisë të paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë “truall”, me sipërfaqe 500 (pesëqind) m², me vlerë të përgjithshme prej 4 255 500 (katër milionë e dyqind e pesëdhjetë e pesë mijë e pesëqind) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 4 255 500 (katër milionë e dyqind e pesëdhjetë e pesë mijë e pesëqind) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Shkodër, planifikuar në buxhetin e saj, me vendim të këshillit bashkiak.

5. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
6. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Brendshme.

7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur pranë Bashkisë Shkodër certifikatën e pronësisë, hartën treguese të regjistrimit, si dhe kartelën e pasurisë.

8. Afati i përfundimit të punimeve të objektit të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Shkodër.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të Bashkisë Shkodër.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasurinë e shpronësuar.

11. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “RRUGA E ARBRIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rruga e Arbrit”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelat bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “arë” dhe tokë “truall”, me vlerë 1 768 919 (një milion e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 1 768 919 (një milion e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë) lekësh do të përballohet nga buxheti i vitit 2019, zëri “Shpronësime”, miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar, në programin buxhetor “Transporti rrugor”.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit në Autoritetin Rrugor Shqiptar.

8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të shtetit.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR NDËRTIMIN E VENDPREHJEVE TË USHTARAKËVE GREKË TË RËNË GJATË LUFTËS GREKO-ITALIANE TË VITEVE 1940-1941” DHE PËR MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË TOKË URBANE “TRUALL/VARREZA”, TË PASURIVE ME NR.364/20 DHE NR.364/21, ZONA KADASTRALE 2131, NË KËLCYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10256, datë 25.3.2010, “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë””, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.742, datë 13.12.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Për ndërtimin e vendprehjeve të ushtarakëve grekë, të rënë gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941”, në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Ministrisë së Mbrojtjes.

3. Pronari i pasurive të paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “arë”, me vlerë 448 000 (katërqind e dyzet e tetë mijë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 448 000 (katërqind e dyzet e tetë mijë) lekësh dhe shpenzimet procedurale, në vlerën 59 000 (pesëdhjetë e nëntë mijë) lekë do të përballohen nga Ministria e Mbrojtjes.

5. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

6. Pronari, sipas të dhënave të tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur pranë Ministrisë së Mbrojtjes certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit.

7. Ministria e Mbrojtjes të kryejë procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

8. Afatet për kryerjen e punimeve të jenë në përputhje me parashikimet e projektit “Mirëmbajtja, rinovimi dhe zgjerimi i varrezave të grekëve të rënë në luftën e viteve 1940-1941 në Këlcyrë, Shqipëri”.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të shtetit.

10. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në tokë urbane “truall/varreza”, të pasurive me nr.364/20 dhe nr.364/21, zona kadastrale 2131, në Këlcyrë, sipas të dhënave në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi.

11. Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Qarku Gjirokastër, të pasqyrojë ndryshimin e kategorisë së resursit në dokumentacionin kadastral për pasuritë, sipas të dhënave në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi.

12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit.

13. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Qarku Gjirokastër, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.