Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Korrik 2018:

V E N D I M
PËR

KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË UJËSJELLËS-KANALIZIMEVE DHE INFRASTRUKTURËS SË MBETJEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90, datë 27.9.2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM).
2. AKUM-i është person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për infrastrukturën (ministri).
3. AKUM-i është organ shtetëror i specializuar në fushën e ujësjellës-kanalizimeve, të trajtimit të ujërave të ndotura dhe mbetjeve, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në këtë vendim. AKUM-i mbështet teknikisht politikat e ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën, në përputhje me legjislacionin dhe politikat e përcaktuara në strategjitë sektoriale. Përgjegjësia e AKUM-it në fushën e mbetjeve urbane lidhet me planifikimin territorial dhe infrastrukturën e mbetjeve, sipas fushës së përgjegjësisë të ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën, e përcaktuar me vendimin nr.504/2017, të Këshillit të Ministrave.
4. AKUM-i ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema e AKUM-it përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
5. Vula e AKUM-it ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
6. AKUM-i ka statusin e agjencisë kombëtare në nivel qendror, me seli në Tiranë.
7. AKUM-i drejtohet nga drejtori i përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj agjencie dhe përgjigjet para ministrit. Drejtori i përgjithshëm mbështetet në veprimtarinë e tij nga një zëvendësdrejtor i përgjithshëm.
8. Drejtori i përgjithshëm emërohet nga ministri përgjegjës për çështjet e infrastrukturës. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm emërohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të përgjithshëm. Marrëdhëniet e punës të drejtorit të përgjithshëm, zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, nëpunësve, punonjësve, që zbatojnë projekte me financim të huaj, si dhe punonjësve të tjerë, rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.
9. Struktura dhe organika e AKUM-it miratohet me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të AKUM-it miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të përgjithshëm të agjencisë.
10. AKUM-i ka si mision zbatimin e politikës specifike shtetërore në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, trajtimin e ujërave të ndotura dhe planifikimin territorial dhe infrastrukturën e mbetjeve, sipas pikës 3, të këtij vendimi, deri sa ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve dhe ndërmarrjet e menaxhimit të infrastrukturës së mbetjeve të jenë të afta për të kryer këto funksione.
11. AKUM-i e ushtron veprimtarinë e vet në këto fusha përgjegjësie shtetërore derisa ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve të jenë të afta për të kryer funksionet, si më poshtë vijon:
a) Shërbimin e furnizimit me ujë dhe ujësjellës kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura urbane;
b) Fushën e mbetjeve urbane, në lidhje me planifikimin territorial, infrastrukturën e mbetjeve dhe implementimin e tyre, sipas përcaktimeve të pikës 3, të këtij vendimi.
12. AKUM-i, nëpërmjet autoritetit të tij ligjor e teknik, koordinon dhe monitoron të gjitha aktivitetet sektoriale të ujësjellës-kanalizimeve, trajtimin e ujërave të ndotura, planifikimin territorial dhe infrastrukturën e mbetjeve, në bashkëpunim me të gjitha institucionet e vendit, në nivel qendror e vendor. AKUM-i mbështet teknikisht zbatimin e politikave dhe strategjive në fushën e ujësjellës-kanalizimeve, të trajtimit të ujërave të ndotura, planifikimit territorial dhe infrastrukturës së mbetjeve.
13. AKUM-i ushtron këto kompetenca specifike:
a) Propozon ndryshimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor e nënligjor për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, të trajtimit të ujërave të ndotura, planifikimit territorial dhe infrastrukturës së mbetjeve dhe është pjesë e hartimit të politikave e strategjive kombëtare të tyre;
b) Monitoron zbatimin e strategjive sektoriale të ujësjellës-kanalizimeve, trajtimit të ujërave të ndotura, planifikimin territorial e infrastrukturën e mbetjeve dhe të implementimit të tyre;
c) Përgatit planifikimin e nevojave për investime për ndërtimin/ rehabilitimin/zgjerimin e sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve, të impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura (ITUN) edhe për sa i përket planifikimit territorial dhe infrastrukturës së mbetjeve, si dhe për implementimin e tyre, bazuar në programet e qeverisë dhe në masterplanet kombëtare sektoriale;
ç) Orienton nga pikëpamja teknike e menaxheriale dhe bashkëpunon për të gjitha projektet e ujësjellës-kanalizimeve, të ITUN-eve, planifikimit territorial dhe infrastrukturës së mbetjeve, të financuara nga buxheti i shtetit, buxheti i bashkisë, buxheti i shoqërisë “Ujësjellës – Kanalizime”, sh.a., apo institucione financiare ndërkombëtare, me qëllim garantimin dhe zbatimin e rregullave teknike të projektimit, zbatimit e shfrytëzimit dhe monitoron ecurinë e tyre;
d) Koordinon, nxit dhe bashkëpunon me institucionet shtetërore, institucionet financiare ndërkombëtare, investitorët dhe palët e interesuara për zbatimin e strategjive të sektorit për shërbimet e ujësjellës-kanalizimeve, të trajtimit të ujërave të ndotura dhe planifikimin territorial dhe infrastrukturën e mbetjeve;
dh) Përgatit metodologjinë dhe realizon shpërndarjen e subvencioneve të planifikuara në buxhetin e shtetit në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi;
e) Është institucioni përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e procedurave e të programit të monitorimit për shërbimet e furnizimit me ujë, të kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura e infrastrukturën e mbetjeve;
ë) Ka të drejtë të ushtrojë kontrolle, me karakter teknik, në çdo subjekt që është ofrues i shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve, trajtimit të ujërave të ndotura dhe infrastrukturës së mbetjeve;
f) Propozon treguesit dhe kriteret që duhet të arrijë çdo ofrues i shërbimeve në sektorin e ujësjellës-kanalizime në kontratën e performancës, e cila firmoset nga palët. Këto kritere miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e ujësjellës-kanalizimeve dhe mbetjeve;
g) Mbështet politikëbërësit për hartimin dhe zbatimin e akteve nënligjore e të procedurave për procesin e kalimit të administrimit të shërbimeve të furnizimit me ujë, kanalizime dhe trajtimin e ujërave të ndotura nga pushteti vendor në atë qendror, në rastet e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale, sipas kontratës së performancës, të lidhur ndërmjet palëve;
gj) Planifikon nevojat për trajnime dhe koordinon punën për realizimin e tyre;
h) Menaxhon dhe monitoron zbatimin e masterplanit kombëtar të ujësjellës-kanalizimeve dhe krijon e menaxhon platformën kombëtare të aseteve të ujësjellës-kanalizime, bazuar në sistemin GIS (Geographical Information System);
i) Është institucioni përgjegjës për zbatimin e masterplanit kombëtar të mbetjeve për sa i përket planifikimit territorial dhe infrastrukturës së mbetjeve urbane;
j) Ushtron çdo të drejtë tjetër, të përcaktuar në akte ligjore e nënligjore;
k) Shërben si koordinues dhe asistues i qeverisë, kur kërkohet, dhe i njësive të qeverisjes vendore për nismat për investime në fushën e ujësjellës-kanalizimeve, të trajtimit të ujërave të ndotura dhe në planifikimin territorial dhe infrastrukturën e mbetjeve, si dhe ofron këshillime gjatë procesit të hartimit të projekteve në këto fusha. Asistenca e AKUM-it në fushën e planifikimit territorial dhe të infrastrukturës së mbetjeve jepet, ndërmjet të tjerave, por pa u kufizuar në, për qendrat e transferimit, investimet në impiantet e incenerimit, në përcaktimin e venddepozitimeve (urbane dhe inerte), për impiantet e ricklimit, të kompostimit dhe të trajtimit të ujërave të ndotura të lendfillit, për impiantet e trajtimit të gazit, për rehabilitimin dhe mbylljen e venddepozitimeve ekzistuese, etj.;
l) Ka të drejtë të jetë pjesë e subjektit të kompetencave të përbashkëta, sipas përcaktimeve të ligjit të vetëqeverisjes vendore.
14. Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), me hyrjen në fuqi të këtij vendimi ristrukturohet në Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve. Të gjitha të drejtat, detyrimet dhe funksionet e AKUK-ut do të vazhdojnë të ushtrohen prej tij deri në fillimin e veprimtarisë së organeve të AKUM-it. Për nëpunësit civilë aktualë të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve zbatohen dispozitat e përcaktuara në legjislacionin për nëpunësit civilë në rastin e mbylljes dhe të ristrukturimit të institucionit. Për punonjësit administrativë zbatohen dispozitat e Kodit të Punës.
15. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i shtetit, nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
16.Vendimi nr.504, datë 6.7.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve”, i ndryshuar, shfuqizohet.
17. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI

***

V E N D I M
PËR

KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE PËR SISTEMIN ELEKTRONIK TË LEJEVE (E-LEJE)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, dhe të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin e bazës të të dhënave shtetërore për sistemin elektronik të lejeve (sistemi e-Leje), për të gjitha kërkesat dhe lejet, sipas legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit.
2. Institucioni që administron informacionin në sistemin elektronik të lejeve është Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), në cilësinë e sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit, që ka akses në sistemin e elektronik të lejeve (e-Leje), në drejtim të verifikimit të të dhënave parësore dhe dytësore që kjo bazë të dhënash grumbullon, si dhe të përmirësimit të procedurave që kryhen nëpërmjet sistemit elektronik.
3. Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka këto kompetenca:
a) Ofron asistencë ligjore dhe procedurale ndaj bashkive dhe institucioneve të përfshira në sistemin e-Leje;
b) Trajnon, kur është e nevojshme, me kërkesë të autoriteteve publike, stafin e bashkive dhe institucioneve;
c) Miraton listat dhe formularët TIP të dokumentacionit që do të kërkohen nga autoritetet vendore, për aplikimet on-line, për çdo shërbim që ofrojnë, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, dhe vendimin nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zhillimit të terrritorit”, të ndryshuar;
ç) Harton protokolle pune mbi bazën e marrëveshjeve të shërbimit, për informacionin që do të ofrohet nga autoritetet vendore të zhvillimit të territorit apo/dhe institucionet e përfshira në sistemin e-Leje, për aplikimet on-line, për çdo shërbim që ofrojnë, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, dhe vendimin nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zhillimit të terrritorit”, të ndryshuar;
d) Shërben, në bashkëpunim me AKSHI-n, si burim informacioni dhe suporti (Help Desk) për shërbimet që ofrohen nëpërmjet sistemit. Niveli i këtij bashkëpunimi rregullohet me marrëveshje të përbashkët ndërmjet dy institucioneve.
dh) Merr në shqyrtim reklamimet e aplikuesve ndaj procedurave nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, që autoritetet vendore të zhvillimit kryejnë, në procesin e aplikimeve për leje zhvillimi/ndërtimi dhe çdo aplikimi tjetë në sistemin e-Leje.
4. Të dhënat e sistemit e-Leje janë, si më poshtë vijon:
4.1. Të dhënat parësore të sistemit e-Leje përfshijnë tipologjitë e lejeve/shërbimeve:
a) Deklaratë paraprake për kryerje punimesh;
b) Leje zhvillimi;
c) Leje ndërtimi për ndërtime të reja me sipërfaqe deri në 250 m² për bashki dhe KKT;
ç) Leje ndërtimi për ndërtime të reja me sipërfaqe më të madhe se 250 m² për bashki dhe KKT;
d) Leje ndërtimi infrastrukture për bashki dhe KKT;
dh) Leje ndërtimi për shtesë në ndërtim ekzistues me sipërfaqe deri në 250 m² për bashki dhe KKT;
e) Leje ndërtimi për shtesë në ndërtim ekzistues me sipërfaqe më të madhe se 250 m² për bashki dhe KKT;
ë) Leje ndërtimi për rikonstruksion pa ndryshim funksioni për bashki dhe KKT;
f) Leje ndërtimi për rikonstruksion me ndryshim funksioni për bashki dhe KKT;
g) Leje për ndryshimin e projektit gjatë ndërtimit për bashki dhe KKT;
gj) Leje ndërtimi për prishje të ndërtimit ekzistues për bashki dhe KKT;
h) Leje për shtyrjen e afatit të lejes së ndërtimit për bashki dhe KKT;
i) Leje për ndryshimin e funksionit për bashki dhe KKT;
j) Leje për ndryshimin e subjektit zhvillues për bashki dhe KKT;
k) Njoftim për fillimin e punimeve;
l) Njoftim për raportin e mbikëqyrjes;
ll) Njoftim për raportin e kolaudimit;
m) Njoftim për ndryshimin e sujektit zbatues;
n) Certifikatë përdorimi për bashki dhe KKT.
4.2 Të dhënat dytësore të aplikimit që merren nga ndërveprimi:
a) Të dhënat e aplikantit si subjekt tregtar:
 NUIS;
 Emri i subjektit.
b) Të dhënat e aplikantit si individ:
 Emri;
 Mbiemri;
c) Të dhënat e aplikantit si institucion:
 NUIS;
 Emri i institucionit.
ç) Të dhënat e licencës së projektuesit:
 NUIS;
 Nr. licence.
4.3. Të dhëna të tjera si data dhe numri i aplikimit.
4.4. Të dhënat e marra nga formati i aplikimit:
a) Të dhëna të aplikantit marrë nga formati i aplikimit:
– Prefektura/qarku, njësia administrative, bashkia;
– Kodi postar;
– Nr. banese;
– Cel, e-mail (Individ, institucion, subjekt).
b) Të dhëna të zhvilluesit marrë nga formati i aplikimit:
– Prefektura/qarku, njësia administrative, bashkia;
– Kodi postar;
– Nr. banese;
– Cel, e-mail.
c) Të dhëna të pronës marrë nga formati i aplikimit:
– Numri i zonës kadastrale;
– Numri i pasurisë/vërtetimit hipotekor;
– Lloji i pronësisë;
– Adresa.
ç) Përshkrimi i punimeve marrë nga formati i aplikimit:
– Emërtimi i objektit;
– Përshkrimi i punimeve;
– Vlera e investimit;
– Sipërfaqja totale e ndërtimit mbi nivelin e tokës;
– Sipërfaqja e tokës e zënë nga struktura;
– Lartësia maksimale nga niveli 0 i ndërtimit;
– Numri i kateve mbi nivelin e tokës;
– Numri i kateve nën nivelin e tokës;
– Përdorimi i propozuar.
d) Grupi i projektimit marrë nga formati i aplikimit:
– Prefektura/qarku, njësia administrative, bashkia;
– Kodi postar;
– Kategoria;
– Cel. e-mail.
dh) Dokumentacioni i detyrueshëm i përcaktuar në ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, dhe vendimin nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zhillimit të terrritorit”, të ndryshuar.
5. Dhënësi i informacionit, sipas rolit/nivelit të aksesit, për subjektet e interesuara në sistemin e-Leje, është:
a) “Administrator”, rol në sistemin e-Leje i cili realizon konfigurimet e përdoruesve për autoritetin përgjegjës;
b) “Aplikues”, person fizik apo juridik dhe institucione të cilat regjistrohen në portalin e-albania, për të kryer një aplikim në sistemin e-Leje;
c) “Protokollues”, rol në sistemin e-Leje i cili merr aplikimin, vendos numrin e protokollit dhe kalon aplikimin tek roli pasardhës;
ç) “Nëpunësi”, rol në sistemin e-Leje i cili shqyrton aplikimin sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit dhe e dërgon për konfirmim te roli i “Kontrolluesit”;
d) “Kontrollues”, rol në sistemin e-Leje i cili rishikon aplikimin që i dërgon “Nëpunësi” dhe e dërgon te “Drejtuesi” për konfirmim;
dh) “Drejtuesi”, rol në sistemin e-Leje, i cili shpërndan aplikimin te nëpunësi përkatës, shqyrton dhe rishikon aplikimin, si dhe e dërgon tek institucionet përkatëse për mendim;
e) “Llogaritar”, rol në sistemin e-leje i cili përllogarit vlerën e taksës së ndikimit në infrastrukturë për aplikimin;
ë) “Konfirmues i pagesës”, rol në sistemin e-Leje, i cili verifikon nëse është realizuar pagesa e taksës nga ana e aplikuesit;
f) “Kryetari”, rol në sistemin e-Leje për aplikimet pranë bashkive që, merr vendim për miratimin apo refuzimin e aplikimit;
g) “Drejtor i Përgjithshëm”, rol në sistemin e-Leje i cili për aplikimet pranë AZHT-së lëshon apo refuzon aplikimin, në përputhje me legjislacionin në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit;
gj) “Admininstratori i raporteve”, rol në sistem i cili gjeneron raporte/statistika lidhur me lejet përkatëse.
6. Institucionet që japin mendim në sistemin e-Leje, por pa u kufizuar, janë:
 Agjencia e Shërbimit Arkeologjik;
 Agjencia e Zhvillimit të Territorit;
 Agjencia Kombëtare e Mjedisit;
 Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura;
 Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit;
 Autoriteti Rrugor Shqiptar;
 Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore;
 Drejtoritë e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Kamzë-Vorë, Kavajë, Korçë, Krujë, Kukës, Lezhë, Lushnjë, Sarandë, Shkodër, Tirana 2 (Shtesat), Tirana Jug, Tirana Rurale, Tirana Veri, Vlorë, Zonat Turistike);
 Inspektor në Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit, pranë bashkisë përkatëse;
 Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit;
 Instituti i Monumenteve të Kulturës;
 Instituti i Ndërtimit;
 Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
 Ministria e Drejtësisë;
 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë;
 Ministria e Kulturës;
 Ministria e Mbrojtjes;
 Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
 Ministria e Turizmit dhe Mjedisit;
 Ministria e Brendshme;
 Ministria e Financave dhe Ekonomisë;
 Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
 “Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike”, sh.a. (Berat, Burrel, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Shkodër, Tiranë, Vlorë);
 Shërbimi për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi në nivel qendror;
 Shërbimi për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi në nivel vendor (Belsh, Berat, Bulqizë, Cërrik, Delvinë, Devoll, Dibër, Divjakë, Dropull, Durrës, Elbasan, Fier, Finiq, Fushë-Arrës, Gjirokastër, Gramsh, Has, Himarë, Kamzë, Kavajë, Këlcyrë, Klos, Kolonjë, Konispol, Korçë, Krujë, Kuçovë, Kukës, Kurbin, Lezhë, Libohovë, Librazhd, Lushnjë, Malësi e Madhe, Maliq, Mallakastër, Mat, Memaliaj, Mirditë, Patos, Peqin, Përmet, Poliçan, Progradec, Përrenjas, Pukë, Pustec, Rrogozhinë, Roskovec, Sarandë, Selenicë, Shijak, Shkodër, Skrapar, Tepelenë, Tiranë, Tropojë, Ura Vajgurore, Vau i Dejës, Vlorë, Vorë);
 “Ujësjellës-Kanalizime”, sh.a. (Belsh, Berat, Sarandë, Bulqizë, Cërrik, Delvinë, Devoll, Dibër, Divjakë, Dropull, Durrës, Elbasan, Fier, Finiq, Fushë-Arrës, Gjirokastër, Gramsh, Has, Himarë, Kamzë, Kavajë, Këlcyrë, Klos, Kolonjë, Konispol, Korçë, Krujë, Kuçovë, Kukës, Kurbin, Lezhë, Libohovë, Librazhd, Lushnjë, Malësi e Madhe, Maliq, Mallakastër, Mat, Mirditë, Patos, Peqin, Përmet, Pogradec, Poliçan, Pukë, Pustec, Rrogozhinë, Roskovec, Selenicë, Shijak, Shkodër, Skrapar, Tepelenë, Tiranë, Tropojë, Ura Vajgurore, Vau i Dejës, Vlorë, Vorë);
 Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme (Berat, Bulqizë, Devoll, Durrës, Elbasan, Ersekë, Fier, Gjirokastër, Gramsh, Has, Kavajë, Korçë, Krujë, Kuçovë, Kukës, Laç, Lezhë, Librazhd, Lushnjë, Malësi e Madhe, Mallakastër, Mat, Mirditë, Peqin, Përmet, Peshkopi, Pogradec, Pukë, Sarandë, Shkodër, Skrapar, Tepelenë, Tiranë, Tropojë, Vlorë).
7. Sistemi e-Leje ndërvepron me bazat e të dhënave shtetërore, si më poshtë:
a) Regjistrin Tregtar, administruar nga QKB-ja;
b) Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve, administruar nga QKB-ja;
c) Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;
ç) Regjistrin Elektronik të Tatimeve, administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vetëm për informacionin e përgjithshëm.
8. Dhënësi i informacionit të tretëve, për këtë sistem, është Drejtoria e Asistencës së Njësive të Qeverisjes Vendore, pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.
9. Sistemi e-Leje garanton përdorimin e sistemit elektronik të lejeve nga të gjithë aplikuesit dhe institucionet e përfshira, me qëllim thjeshtimin e procedurave dhe ofrimin e shërbimit me një ndalesë, në kuadër të ushtrimit të funksionit të kontrollit të zhvillimit të territorit, në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
10. Të gjitha aplikimet për leje në Republikën e Shqipërisë, sipas ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij kryhen nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, në portalin e-albania.
11. Korrigjimi i të dhënave të hedhura gabim në sistemin elektronik do të kryhet, si më poshtë:
a) Bashkitë apo institucionet, për të dhënat e hedhura gabim nga ana e tyre, i drejtohen me kërkesë zyrtare për korrigjimin Agjencisë së Zhvillimit të Terrritorit,
b) Agjencia e Zhvillimit të Territorit, pas një verifikimi paraprak, vlerëson nëse duhet të kryhet apo jo ndërhyrja përkatëse në sistemin e-Leje dhe i drejtohet zyrtarisht AKSHI-t.
c) AKSHI, pas kërkesës së AZHT-së, kryen korrigjimin/ ndërhyrjen në sistem dhe njofton AZHT-në.
12. Në të gjitha rastet kur në sistem janë hedhur disa aplikime identike, me subjekt, kërkesë apo të dhëna të tjera të njëjta, atëherë do të procedohet me aplikimin fillestar.
13. Afati ligjor për kryerjen e korrigjimit do të jetë 3 (tre) ditë pune. Ky afat pezullon afatet në sistemin elektronik për subjektin që ka kërkuar ndreqjen e gabimit.
14. Për punonjësit e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, niveli i aksesit përcaktohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AZHT-së.
15. Të gjitha ndryshimet në arkitekturën software dhe hardware të sistemit elektronik të lejeve (e-Leje) të cilat mund të ndodhin në varësi të nevojave të institucionit dhe praktikave evropiane dhe ndërkombëtare, në fushën e standardizimit, do të kryhen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vendimin nr.673, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për riorganizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, të ndryshuar, dhe vendimit nr.945, datë 2.11.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Administrimi i sistemit të bazave të të dhënave shtetërore””.
16. Ngarkohen Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në cilësinë e sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, autoritetet vendore të zhvillimit të territorit, ministritë, si dhe të gjitha institucionet e tjera publike të përfshira në procesin e miratimit të akteve që lëshohen nëpërmjet sistemit elektronik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E BONUSIT NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET BASHKIMIT TË SHOQËRIVE, PËR DHËNIEN ME KONCESION/PARTNERITET PUBLIK PRIVAT PËR REHABILITIMIN, OPERIMIN, TRANSFERIMIN E AEROPORTIT TË KUKËSIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe në vijim të nenit 15 të rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat, miratuar me vendimin nr.575, datë 10.7.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, e të vendimit nr.504, datë 13.9.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e bonusit prej 8% (tetë për qind) të pikëve, që i jepet bashkimit të shoqërive “Kastrati”, sh.a. & “T.M.D Systems LTD”, për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pakërkuar, të paraqitur për procedurën për dhënien me koncesion/partneritet publik privat për projektin e rehabilitimit, të operimit, transferimit të Aeroportit të Kukësit.
2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI

***

V E N D I M
PËR

HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR PUBLIK DHE ZVOGËLIMIN NË VOLUM TË SIPËRFAQES PREJ 3.1 HA, QË DO TË PËRDORET NGA SHOQËRIA “PIETRA NESLI”, SH.P.K., PËR SHFRYTËZIMIN E MINERALIT RANOR SILICOR NË OBJEKTIN “ZOGASI”, BASHKIA SKRAPAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Sipërfaqja pyjore publike prej 3.1 ha, që do të përdoret nga shoqëria “Pietra Nesli”, sh.p.k. për shfrytëzimin e mineralit ranor silicor në objektin “Zogasi”, Bashkia Skrapar, të hiqet nga fondi pyjor dhe kullosor publik i bashkisë, të zvogëlohet në volum dhe të çregjistrohet nga Regjistri i Kadastrës së Pyjeve dhe Kullotave. Lidhja nr.1, me të dhënat për sipërfaqen pyjore që zvogëlohet në volum dhe hiqet nga fondi pyjor dhe kullosor publik si dhe harta topografike, me koordinatat e poligonit të sipërfaqes, objekt minerar, i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Vlerat përkatëse të volumit të materialit drusor, të produkteve të tjera pyjore e kullosore dhe të investimeve të kryera në vite në sipërfaqen, objekt minerar, të paguhen nga shoqëria “Pietra Nesli”, sh.p.k., në llogarinë rrjedhëse të Bashkisë Skrapar, në bazë të lidhjes 4, të vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe të kullotave”, të ndryshuar.
3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “Pietra Nesli”, sh.p.k., detyrohet të rehabilitojë sipërfaqet sipas kushteve të lejes mjedisore dhe të pyllëzojë, me fondet e veta, një sipërfaqe pyjore prej 3.1 ha në ngastrat e përcaktuara në marrëveshjen me Bashkinë Skrapar.
4. Bashkia Skrapar dhe shoqëria “Pietra Nesli”, sh.p.k., të nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Një kopje e marrëveshjes, së bashku me projektin e miratuar për pyllëzimin, të dërgohet në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga data e nënshkrimit të saj.
5. Sipërfaqet pyjore sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, mbeten pronë publike e shtetit dhe regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të bëjë çregjistrimin e sipërfaqes pyjore të identifikuar sipas lidhjes 1, të këtij vendimi nga kategoria “Tokë e zënë pyjore” dhe ta regjistrojë në kategorinë “Tokë e zënë, objekt i aktivitetit minerar”.
7. Me përmbushjen e detyrimeve nga shoqëria “Pietra Nesli”, sh.p.k., të përcaktuara në planin e rehabilitimit sipas lejes mjedisore, sipërfaqja e rehabilituar të regjistrohet në fondin pyjor dhe kullosor publik të Bashkisë Skrapar.
8. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Bashkia Skrapar dhe shoqëria “Pietra Nesli”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË MBI PARCELAT E OBJEKTEVE TË LEGALIZUARA DHE KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN PREJ TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, e të neneve 17, pika 1, e 15/1, pikat 1 e 3, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, si dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë në favor të subjekteve përfituese për 563 (pesëqind e gjashtëdhjetë e tre) parcela ndërtimore të objekteve të legalizuara dhe kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken prej tyre, sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Numri i parcelave ndërtimore për të cilat miratohet kalimi i pronësisë sipas qarqeve është, si më poshtë vijon:
a) Për Qarkun Berat (ZVRPP-të Berat, Ura Vajgurore dhe Kuçovë) numri i parcelave ndërtimore është 34 (tridhjetë e katër), me sipërfaqe të përgjithshme 7 051 (shtatë mijë e pesëdhjetë e një) m².
b) Për Qarkun Dibër (ZVRPP-ja Dibër) numri i parcelave ndërtimore është 1 (një), me sipërfaqe të përgjithshme 500 (pesëqind) m².
c) Për Qarkun Elbasan (ZVRPP-ja Elbasan) numri i parcelave ndërtimore është 33 (tridhjetë e tre), me sipërfaqe të përgjithshme 12 295 (dymbëdhjetë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e pesë) m².
ç) Për Qarkun Korçë (ZVRPP-të Korçë, Devoll dhe Pogradec) numri i parcelave ndërtimore është 21 (njëzet e një), me sipërfaqe të përgjithshme 5 386 (pesë mijë e treqind e tetëdhjetë e gjashtë) m².
d) Për Qarkun Fier (ZVRPP-të Lushnjë dhe Fier) numri i parcelave ndërtimore është 28 (njëzet e tetë), me sipërfaqe të përgjithshme 9 172 (nëntë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e dy) m².
dh) Për Qarkun Shkodër (ZVRPP-të Shkodër dhe Malësi e Madhe) numri i parcelave ndërtimore është 15 (pesëmbëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 5 201 (pesë mijë e dyqind e një) m².
e) Për Qarkun Lezhë (ZVRPP-ja Lezhë) numri i parcelave ndërtimore është 1 (një), me sipërfaqe të përgjithshme 71 (shtatëdhjetë e një) m².
ë) Për Qarkun Vlorë (ZVRPP-të Vlorë dhe Sarandë) numri i parcelave ndërtimore është 68 (gjashtëdhjetë e tetë), me sipërfaqe të përgjithshme 21 471 (njëzet e një mijë e katërqind e shtatëdhjetë e një) m².
f) Për Qarkun Tiranë (ZVRPP-të Tiranë dhe Kavajë) numri i parcelave ndërtimore është 190 (njëqind e nëntëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 52 035 (pesëdhjetë e dy mijë e tridhjetë e pesë) m².
g) Për Qarkun Gjirokastër (ZVRPP-të Gjirokastër dhe Tepelenë) numri i parcelave ndërtimore është 102 (njëqind e dy), me sipërfaqe të përgjithshme 22 107 (njëzet e dy mijë e njëqind e shtatë) m².
3. Masa e kompensimit financiar për pronarët e pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, referuar kartelave të pasurive sipas ZVRPP-së, është 12 665,87 (dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e pesë presje tetëdhjetë e shtatë) m² dhe vlera totale e kompensimit financiar është 74 212 100,69 (shtatëdhjetë e katër milionë e dyqind e dymbëdhjetë mijë e njëqind presje gjashtëdhjetë e nëntë) lekë.
4. Vlera e miratuar e kompensimit financiar për numrat rendorë dhe pasuritë e mëposhtme vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas kushteve vijuese:
a) Për numrin rendor nr.92, pasuria nr.20/106, në zonën kadastrale 8591, dhe për numrin rendor nr.353, pasuria nr.1/545, në zonën kadastrale 8350, pas miratimit nga kreditori të vënies në dispozicion të shumës, sipas pikës 12, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”.
b) Për numrin rendor nr.65, pasuria nr.303/1, në zonën kadastrale 8527, për numrin rendor nr.66, pasuria nr.327/1, në zonën kadastrale 8526, për numrin rendor nr.81, pasuria nr.7/1167, në zonën kadastrale 8564, për numrin rendor nr.82, pasuria nr.7/1347, në zonën kadastrale 8564, për numrin rendor nr.163, pasuria nr.8/398, në zonën kadastrale 8632, për numrin rendor nr.167 dhe 168, pasuria nr.119/8, në zonën kadastrale 1986 dhe për numrin rendor nr.185, pasuria nr.465, në zonën kadastrale 2529, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit, sipas pikës 15, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”.
c) Për numrin rendor nr.564, pasuria nr.7/161, në zonën kadastrale 8518, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të mosmarrveshjes mbi të drejtat për këtë shumë (mes zotëruesve të titujve që krijonin mbivendosje), sipas pikës 16, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”.
5. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Berat, Ura Vajgurore, Kuçovë, Dibër, Elbasan, Korçë, Pogradec, Lushnjë, Shkodër, Malësi e Madhe, Lezhë, Vlorë, Sarandë, Tiranë, Fier, Gjirokastër, Kavajë, Tepelenë dhe Durrës, të regjistrojnë, brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, kalimin e së drejtës së pronësisë së parcelave ndërtimore dhe hipotekën ligjore mbi to, në përputhje me përcaktimet e pikave 15 dhe 16, të vendimit nr.1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, si dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”.
6. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Agjencia e Trajtimit të Pronave, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS DHE PROGRAMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT “FONDI I INVESTIMEVE SOCIALE IV”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas dhe programit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e programit “Fondi i investimeve sociale IV”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT PËR STUDIME FIZIBILITETI, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE TË EKSPERTIT NDAJ MARRËSIT, NË KUADËR TË STUDIMEVE TË FIZIBILITETIT PËR PROGRAMIN E INFRASTRUKTURËS BASHKIAKE V / PROGRAMI I INVESTIMIT DHE PERFORMANCËS NË SEKTORIN E UJIT QË FINANCOHEN NGA NJË FOND I VEÇANTË NR.13078, I SIGURUAR NGA QEVERIA FEDERALE GJERMANE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së financimit për studime fizibiliteti, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Marrësi), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për financimin e shërbimeve të ekspertit ndaj marrësit, në kuadër të studimeve të fizibilitetit për programin e infrastrukturës bashkiake V/ programi i investimit dhe performancës në sektorin e ujit, që financohen nga një fond i veçantë nr.13078, i siguruar nga qeveria Federale Gjermane, me një grant në shumën prej 1 950 000.00 (një milion e nëntëqind e pesëdhjetë mijë) eurosh, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.107,DATË 10.2.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR BOTIMIN, SHTYPJEN, SHPËRNDARJEN DHE SHITJEN E TEKSTEVE SHKOLLORE TË SISTEMIT TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës të nenit 47, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.107, datë 10.2.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Kudo në vendim, emërtimet “Ministria e Arsimit dhe Shkencës” dhe “Ministria e Arsimit dhe Sportit” zëvendësohen me fjalët “ministria përgjegjëse për arsimin”, “Ministria e Financave” zëvendësohet me fjalët “ministria përgjegjëse për financat” dhe “Ministria e Punëve të Jashtme” zëvendësohet me fjalët “ministria përgjegjëse për punët e jashtme”.
2. Pas pikës 6.11 shtohet pika 6.12, me këtë përmbajtje:
“6.12. Nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt u jepen tekstet shkollore në përdorim falas. Çmimi i blerjes së teksteve shkollore mbulohet 100% nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për arsimin. Institucionet arsimore si dhe njësitë arsimore vendore, brenda muajit korrik të çdo viti, përgatisin listën e parashikuar të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt.
Blerja e teksteve shkollore të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt, në emër të prindërve ose përfaqësuesve ligjorë, për llogari të nxënësve, realizohet nga institucioni arsimor, për llogari të njësisë arsimore vendore.
Likuidimi i faturës tatimore ndaj subjekteve, shtëpive botuese, realizohet nga njësia arsimore vendore, me fondet e miratuara si “Transfertë tek individët”, në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin, në llogarinë bankare të shitësit.
Mënyra e shpërndarjes dhe e administrimit të teksteve për këtë kategori nxënësish përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.”.
II. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, parashikohen në shumën prej 270 000 000 (dyqind e shtatëdhjetë milionë) lekësh. Këto fonde janë parashikuar në buxhetin e miratuar për vitin 2018, në programin e arsimit bazë 09120, kapitulli 01, në artikullin 606, “Transfertë tek individët”.
III. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.712, DATË 31.7.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË KONKURRIMIT PUBLIK PËR TË DREJTËN E PESHKIMIT NË UJËRAT E BRENDSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 52, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.712, datë 31.7.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pas pikës 5 shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:
“5/1. Procedura e konkurrimit publik realizohet on-line, nëpërmjet portalit unik qeveritar e-albania. Në konkurrim nuk do të pranohet asnjë dokumentacion shkresor përveç dokumentacionit të kërkuar në format elektronik gjatë procesit të aplikimit në portalin unik qeveritar e-albania.”.
2. Në pikën 10, fjalët “… paraqesin në ministri …” zëvendësohen me “… depozitojnë nëpërmjet portalit unik qeveritar e-albania …”.
3. Në pikën 14 bëhen këto ndryshime:
a) Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Shkarkon dokumentacionin e depozituar në format elektronik gjatë procesit të aplikimit nëpërmjet portalit unik qeveritar e-albania dhe ruan një kopje elektronike të tij;”.
b) Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) Harton procesverbalin e zhvillimit të konkurrimit, ku përshkruhen pjesëmarrësit, konkurrentët e skualifikuar dhe arsyet e skualifikimit si dhe renditja e subjekteve të kualifikuara sipas vlerësimit me pikë.”.
4. Pas pikës 16 shtohet pika 16/1, me këtë përmbajtje:
“16/1. Për monitorimin e vazhdueshëm të kontratave ngarkohet struktura përgjegjëse për peshkimin në ministri. Procesi i monitorimit të kontratave përcaktohet me udhëzim të ministrit.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” (ARË) NË “TOKË URBANE” (TRUALL), TË PASURIVE NR.241/12, ME NR. KADASTRAL 237 E 238, DHE NR.241/14, ME NR. KADASTRAL 239, NJËSIA ADMINISTRATIVE MOLLAJ, FSHATI KAMENICË, BASHKIA KORÇË, PËR NDËRTIMIN E OBJEKTEVE TË HIDROCENTRALIT “KAMENICË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” (arë) në “tokë urbane” (truall), të pasurive nr.241/12, me nr. kadastral 237 e 238, dhe nr.241/14, me nr. kadastral 239, Njësia Administrative Mollaj, fshati Kamenicë, Bashkia Korçë, për ndërtimin e objekteve të hidrocentralit “Kamenicë”.
2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Qarku Korçë, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral përkatës ndryshimin e kategorisë të resursit, nga “tokë bujqësore” (arë) në “tokë urbane” (truall).
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI

***

V E N D I M
PËR

SUBVENCIONIMIN E DHOMËS KOMBËTARE TË ZEJTARISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 45, të ligjit nr.70/2016, “Për zejtarinë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Mbështetjen e Dhomës Kombëtare të Zejtarisë për një periudhë njëvjeçare, në masën 35 552 000 (tridhjetë e pesë milionë e pesëqind e pesëdhjetë e dy mijë) lekë.
2. Ky fond të përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2018, nga programi buxhetor “Arsimi profesional”, artikulli 604, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
3. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI  

 

 

ETIKETIMI I USHQIMEVE

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.