Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Qershor 2025:
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E ARKIVIT QENDROR NË VEPRIM PËR DOKUMENTACIONIN TEKNIK TË TIPOLOGJISË SË VEÇANTË TË ARMATIMIT, PAJISJEVE TEKNOLOGJIKE USHTARAKE TË FORCAVE TË ARMATOSURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 24, të ligjit nr.9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Krijimi i Arkivit Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura
1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Arkivit Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura, si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit të Mbrojtjes, me seli në Tiranë.
2. Arkivi Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi. Buxheti i arkivit përbën zë të veçantë në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Arkivi Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura organizohet në nivel qendror dhe e ushtron veprimtarinë e tij në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, brenda fushës së përgjegjësisë së Ministrisë së Mbrojtjes.
4. Arkivi Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura ka stemën, vulën e vet zyrtare dhe logon.
5. Vula ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjen e vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
6. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Mbrojtjes, Arkivi Qendror në Veprim i FA-së”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
Neni 2
Misioni
Arkivi Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura ka për mision ruajtjen, përpunimin, administrimin, digjitalizimin dhe shërbimin e dokumentacionit teknik të municioneve, të prodhimit të armëve dhe çdo dokument që i shërben kësaj industrie.
Neni 3
Detyrat dhe përgjegjësitë
1. Arkivi Qendror në Veprim i Dokumentacionit Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura ka për detyrë të tërheqë për ruajtje, administrim, digjitalizim, deklasifikim dhe shërbim të gjithë dokumentacionin e tipologjisë së veçantë të industrisë së prodhimit të armëve, të përshkruar në nenin 2, të këtij vendimi, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi për arkivat.
2. Arkivi Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura kryen digjitalizimin e dokumentacionit tipologjik që ka në administrim, si dhe kujdeset për ruajtjen, menaxhimin dhe shfrytëzimin e tyre.
3. Arkivi Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura verifikon zbatimin e standardeve për mënyrën e mirëmbajtjes, ruajtjes dhe përpunimit të dokumentacionit tipologjik nga institucionet fondkrijuese, deri në plotësimin e afatit kohor për dorëzim pranë Arkivit Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura.
4. Arkivi Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura ofron shërbim arkivor për qytetarët dhe subjektet e interesuara, për dokumentet e tipologjisë së veçantë të armatimit, pajisjeve teknologjike ushtarake të Forcave të Armatosura, që ka në ruajtje dhe administrim, nëpërmjet:
a) shërbimit të dokumenteve të tipologjisë së veçantë, të njësuara me origjinalin;
b) shfrytëzimit të tyre.
5. Shërbimi dhe shfrytëzimi i dokumenteve bëhet kundrejt pagesës, sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.
6. Shërbimi i dokumenteve, nëpërmjet shfrytëzimit apo riprodhimit të tyre, kryhet në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi për arkivat, si dhe legjislacionit në fuqi për të drejtën e informimit.
7. Shërbimi i dokumenteve të klasifikuara kryhet në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar.
8. Dorëzimi i dokumentacionit me afat ruajtjeje të përhershme të tipologjisë, të parashikuar në pikën 1, bëhet sipas rregullave të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.
Neni 4
Afati i ruajtjes dhe dorëzimit të dokumentacionit
1. Institucionet fondkrijuese të Forcave të Armatosura, të cilat ruajnë, përpunojnë, administrojnë dhe shërbejnë dokumentacionin e një tipologjie të veçantë, të përshkruar në nenin 2, të këtij vendimi, dorëzojnë dokumentacionin pranë Arkivit Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura, jo më vonë se 5 (pesë) vjet nga data e mbylljes së operativitetit të dokumentit te fondkrijuesi.
2. Arkivi Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura ruan, përpunon, administron, digjitalizon dhe shërben dokumentacionin e tipologjisë së veçantë për një afat prej 115 (njëqind e pesëmbëdhjetë) vjetësh nga momenti i dorëzimit pranë këtij arkivi nga institucionet fondkrijuese.
3. Me mbarimin e afatit të përcaktuar në pikën 2, të këtij neni, Arkivi Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura dorëzon pranë arkivit të përhershëm përkatës dokumentacionin e tipologjisë së veçantë të përpunuar dhe të inventarizuar, sipas rregullave të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.
4. Përjashtimisht, dokumentet, që përmbajnë informacion të klasifikuar, dorëzohen pas deklasifikimit në përputhje me legjislacionin në fuqi për informacionin e klasifikuar. Këto dokumente dorëzohen në arkivin e përhershëm pas deklasifikimit të tyre, jo më vonë se 120 (njëqind e njëzet) vjet.
Neni 5
Organizimi dhe funksionimi
1. Arkivi Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura përfaqësohet dhe drejtohet nga drejtori.
2. Drejtori i Arkivit Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura ka këto detyra:
a) Drejton veprimtarinë e institucionit;
b) Përfaqëson institucionin në marrëdhënie me të tretët;
c) Miraton kërkesat për shfrytëzim apo riprodhim të dokumenteve;
ç) Kryeson veprimtarinë e Komisionit të Ekspertizës;
d) I raporton ministrit të Mbrojtjes për veprimtarinë e institucionit;
dh) I propozon ministrit projektstrukturën organizative dhe përshkrimet e punës së stafit të arkivit.
3. Marrëdhëniet e punës të punonjësve të Arkivit Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura rregullohen sipas Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë.
4. Struktura dhe organika e arkivit miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
5. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të Arkivit Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura miratohet nga ministri i Mbrojtjes, me propozimin e drejtorit të Arkivit.
6. Arkivi Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura bashkëpunon me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për zbatimin e metodologjisë profesionale, të rregullave dhe të kërkesave të ligjit për arkivat.
Neni 6
Funksionimi i Komisionit të Ekspertizës
1. Në Arkivin Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura funksionon Komisioni i Ekspertizës, i përbërë nga jo më pak se 5 (pesë) anëtarë, me kryetar drejtorin e arkivit.
2. Komisioni i Ekspertizës harton listën konkrete të dokumenteve me rëndësi historike kombëtare dhe të dokumenteve me afat ruajtjeje të përkohshme, si dhe përcakton afatet e ruajtjes për këto të fundit jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) vjet dhe jo më shume se 25 (njëzet e pesë) vjet.
3. Komisioni i Ekspertizës ndjek dhe zbaton të gjitha rregullat dhe procedurat e parashikuara në ligjin nr.9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat”, të ndryshuar, dhe aktet nënligjore në zbatim të tij për asgjësimin e dokumenteve.
4. Komisioni i Ekspertizës shqyrton dhe miraton paraprakisht listat e veçimit për dokumentet e tipologjisë së veçantë, të përshkruara në pikën 2, të këtij neni, të cilat e kanë plotësuar afatin e ruajtjes dhe nuk paraqesin vlerë për ruajtje të mëtejshme pranë Arkivit Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura.
5. Asgjësimi i dokumenteve nga Arkivi Qendror në Veprim i Dokumentacionit Teknik të Tipologjisë së Veçantë së Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura bëhet pas miratimit të vendimit nga Komisioni Qendror i Ekspertizës, që funksionon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Neni 7
Detyrimet e institucioneve fondkrijuese
1. Institucionet fondkrijuese të Forcave të Armatosura, që krijojnë dhe administrojnë dokumentacion të tipologjisë së veçantë, të përshkruar në nenin 2, të këtij vendimi, duhet t’i dorëzojnë ato për ruajtje dhe administrim pranë Arkivit Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura, brenda afatit të përcaktuar në pikën 1, të nenit 4, të këtij vendimi.
2. Rregullat për mënyrën e dorëzimit dhe transferimit të këtij dokumentacioni pranë Arkivit Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit të Forcave të Armatosura miratohen nga Arkivi Qendror në Veprim, në përputhje me legjislacionin në fuqi për arkivat dhe aktet nënligjore në fuqi.
Neni 8
Kriteret për përzgjedhjen e drejtorit
1. Drejtori i Arkivit Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra nga ministri i Mbrojtjes.
2. Në pozicionin e drejtorit, sipas pikës 1, të këtij neni, emërohet kandidati i cili plotëson kriteret e mëposhtme:
a) Është shtetas shqiptar;
b) Ka zotësi të plotë për të vepruar;
c) Është i aftë nga ana shëndetësore për të kryer detyrën përkatëse;
ç) Zotëron diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike, në shkenca shoqërore me profil histori ose arkivistikë;
d) Ka të paktën 8 (tetë) vjet eksperiencë në punë;
dh) Nuk i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike me vendim gjyqësor të formës së prerë;
e) Nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
ë) Plotëson kushtet e sigurisë për kontrollin e verifikimit të pasurisë e të figurës;
f) Nuk është larguar për shkelje disiplinore nga administrata publike, si dhe nuk ka marrë masë disiplinore që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
g) Nuk ka konflikt interesi me detyrën ose funksionin që kryen, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.
Neni 9
Lirimi nga detyra i drejtorit
Drejtori i Arkivit Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura lirohet nga detyra në rastet kur:
a) plotëson moshën për pension pleqërie;
b) jep dorëheqjen nga detyra;
c) humbet shtetësinë shqiptare;
ç) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor apo merr formë të prerë vendimi gjyqësor për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar;
d) emërohet në një detyrë tjetër.
dh) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi;
e) i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Neni 10
Shkarkimi nga detyra i drejtorit
Drejtori i Arkivit Qendror në Veprim për Dokumentacionin Teknik të Tipologjisë së Veçantë të Armatimit, Pajisjeve Teknologjike Ushtarake të Forcave të Armatosura shkarkohet kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
b) kryen veprimtari që krijon konflikt interesi, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit;
c) i hiqet ose i refuzohet certifikata e sigurisë sipas legjislacionit në fuqi;
ç) kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës;
d) në rastet e moszbatimit haptazi të dispozitave ligjore në përmbushjen e detyrave funksionale;
dh)mungon në detyrë, pa shkaqe të arsyeshme, për më shumë se 30 (tridhjetë) ditë pune në vijim/radhazi;
e) nuk përmbush objektivat e punës.
Neni 11
Dispozita të fundit
1. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e Forcave të Armatosura për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MODELEVE STANDARDE TË AUTORIZIMEVE, INDIVIDUALE, TË PËRGJITHSHME E GLOBALE, PËR TREGTIMIN E PRODUKTEVE, QË JANË OBJEKT I KONTROLLIT SHTETËROR, TË CILAT MUND TË PËRDOREN PËR DËNIME ME VDEKJE, TORTURË OSE DËNIME APO TRAJTIME MIZORE, ÇNJERËZORE OSE POSHTËRUESE, E TË FORMATEVE TË KËRKESAVE PËR KËTO DOKUMENTE DHE PËRCAKTIMIN E AFATEVE, PROCEDURAVE E TARIFAVE PËR LËSHIMIN E AUTORIZIMEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 17, të ligjit nr.27/2023, “Për kontrollin e tregtimit të produkteve që mund të përdoren për dënime me vdekje, torturë ose dënime apo trajtime mizore, çnjerëzore apo poshtëruese”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Objekti i këtij vendimi është miratimi i modeleve standarde të autorizimeve, tarifave të autorizimeve, formateve të kërkesave për këto dokumente, si dhe afateve dhe procedurave për lëshimin e të tria llojeve të autorizimeve për produktet, që janë objekt i kontrollit shtetëror, të cilat mund të përdoren për dënime me vdekje, torturë ose dënime apo trajtime mizore, çnjerëzore ose poshtëruese.
2. Qëllimi i këtij vendimi është formalizimi dhe standardizimi i procesit të lëshimit të autorizimeve, të cilat jepen në përputhje me ligjin nr.27/2023, “Për kontrollin e tregtimit të produkteve që mund të përdoren për dënime me vdekje, torturë ose dënime apo trajtime mizore, çnjerëzore apo poshtëruese”.
II. MODELET STANDARDE TË AUTORIZIMEVE, TARIFAT E AUTORIZIMEVE DHE FORMATET E KËRKESAVE
3. Modelet standarde të dokumentacionit për autorizimet individuale/të përgjithshme/globale për eksportin, importin, transitin, ofrimin e ndihmës teknike dhe veprimtaritë ndërmjetësuese, të lëshuara nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (në vijim, AKSHE), janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Tarifa e aplikimit për të gjitha llojet e autorizimeve është 3000 (tre mijë) lekë. Kjo tarifë derdhet në buxhetin e shtetit.
5. Formatet e kërkesave dhe të autorizimeve janë sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
III. AFATET DHE PROCEDURAT PËR LËSHIMIN E AUTORIZIMEVE
6. Personi fizik/juridik privat ose publik paraqet kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues për t’u pajisur me autorizimin përkatës pranë AKSHE-së nëpërmjet portalit “e-Albania”.
7. Operatorët ekonomikë shprehin interesin për kategoritë e mallrave dhe shtetet, të cilat kërkojnë t’i përfshijnë në licencë të përgjithshme.
8. AKSHE-ja, pas marrjes në shqyrtim të kërkesës nga operatori ekonomik, verifikimit të dokumentacionit, si dhe verifikimit të kushteve të përcaktuara në nenin 9, të ligjit nr.27/2023, në një afat kohor brenda 20 (njëzet) ditëve punë, vendos lëshimin ose refuzimin e kërkesës.
9. Në rastet kur AKSHE-ja konstaton që aplikimi ka mangësi në dokumentacion, brenda 5 (pesë) ditëve punë nga marrja në dorëzim e kërkesës, i njofton operatorit ekonomik, nëpërmjet portalit “e-Albania”, kërkesën për plotësim dokumentacioni. Komunikimi për plotësimin e mangësive të konstatuara pezullon afatet e shqyrtimit të kërkesës.
10. Nga momenti i njoftimit për plotësimin e mangësive të konstatuara, operatori ekonomik ka 5 (pesë) ditë pune kohë për të plotësuar mangësitë e konstatuara, në të kundërt kërkesa do të konsiderohet e refuzuar. Për këtë, operatori ekonomik njoftohet nëpërmjet portalit “e-Albania”.
11. Në rastin e plotësimit të mangësive të konstatuara, AKSHE-ja shqyrton kërkesën, verifikon dokumentacionin dhe vendos lëshimin ose refuzimin e kërkesës, në përputhje me afatin e parashikuar në pikën 8 të këtij vendimi.
12. AKSHE-ja bashkëpunon me institucionet e tjera përgjegjëse, të përcaktuara në nenin 24, të ligjit nr.27/2023, duke marrë mendim dhe informacion për operatorët ekonomikë, që paraqesin kërkesat për pajisjet me autorizim pranë tij, sipas fushave të përgjegjësisë.
13. Autorizimi i përgjithshëm miratohet pas konsultimit me grupet e interesit (operatorët ekonomikë në transferimin e mallrave që mund të përdoren për qëllime torture apo ndëshkime mizore, çnjerëzore ose poshtëruese), si dhe me institucionet e përmendura në pikën 2, të nenit 24, të ligjit nr.27/2023.
14. Informacioni i dërguar nga institucionet shtetërore dhe subjektet e tjera bëhet pjesë përbërëse e vlerësimit përfundimtar nga AKSHE-ja, mbi bazën e të cilit merret vendimi për lëshimin ose refuzimin e aplikimit.
15. AKSHE-ja, në përfundim të procesit të konsultimit, vendos lëshimin ose refuzimin e autorizimit të përgjithshëm, duke përcaktuar kategoritë e mallrave dhe shtetet importuese.
16. Vendimi për lëshimin ose refuzimin e aplikimit i njoftohet operatorit ekonomik nëpërmjet portalit “e- Albania”.
17. Autorizimi i përgjithshëm për eksport, për mallrat që mund të përdoren për qëllime torture apo trajtime të tjera apo ndëshkime mizore, lëshohet nga AKSHE-ja për një afat 3-vjeçar dhe mund të përdoret nga të gjithë personat fizikë/juridikë, të cilët veprojnë në përputhje me kërkesat dhe kushtet e parashikuara nga ky akt, si dhe në përputhje me kushtet e përcaktuara në autorizimin e përgjithshëm për dërgimin e mallrave në shtetet që janë listuar në autorizim.
18. Autorizimi individual për import, eksport, transit, ofrimin e shërbimeve të ndërmjetësimit dhe për ndihmën teknike lëshohet nga AKSHE-ja për një afat 1-vjeçar dhe mund të përdoret për disa transferta brenda vlefshmërisë së autorizimit ose deri sa të mbarojë sasia e mallrave në autorizim.
19. Autorizimi global për import, eksport, transit, ofrimin e shërbimeve të ndërmjetësimit dhe për ndihmën teknike lëshohet nga AKSHE-ja për një afat 2-vjeçar dhe mund të përdoret për disa transferta brenda vlefshmërisë së autorizimit ose deri sa të mbarojë sasia e mallrave në autorizim.
20. Operatori ekonomik ka të drejtë të ankimojë vendimin e AKSHE-së, në përputhje me përcaktimet e Kodit të Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë.
21. AKSHE-ja, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, është e detyruar të ruajë informacionin e klasifikuar, konfidencialitetin e të dhënave dhe sekretet tregtare të subjekteve të përfshira, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE
22. Paraqitja e kërkesave dhe plotësimi i dokumentacionit nga ana e subjekteve sipas parashikimit të pikave 6 dhe 10, të këtij vendimi, si dhe detyrimi i AKSHE-së për të kryer njoftimet dhe vendimmarrjen sipas pikave 8 deri 10 dhe pikës 16, të këtij vendimi, nëpërmjet portalit “e-Albania”, hyn në fuqi pas përfundimit të zhvillimeve teknike të trajtimit të aplikimeve në sistemin e përmirësuar të menaxhimit të informacionit për AKSHE-në. Deri në përfundimin e zhvillimeve teknike, paraqitja e kërkesës dhe plotësimi i dokumentacionit nga ana e subjekteve, si dhe njoftimet për vendimmarrjen nga ana e AKSHE-së do të kryhen nëpërmjet shërbimit postar.
23. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Autoriteti i Kontrollit Shtetëror i Eksporteve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E FORMULARËVE TË KËRKESËS PËR PËRDORIM BURIMI UJOR, DOKUMENTEVE SHOQËRUESE, PROCEDURËS SË SHQYRTIMIT E VENDIMMARRJES, FORMATEVE TË LEJES, AUTORIZIMIT, KUSHTEVE TË POSAÇME DHE AFATEVE TË VLEFSHMËRISË SË TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 135, pika 3, 136, pika 7, 137, pika 3, 141, pika 6, e 144, pika 3, të ligjit nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Objekt i këtij vendimi është miratimi i formularëve të kërkesës për miratim, në parim, për dhënien me koncesion të përdorimit të burimit ujor, të lejes/autorizimit për përdorim burimi ujor, veprimtari ndërtimore në brigje, veprimtari në shtratin e burimit ujor, shkarkime të lëngshme, përdorim dhe ripërdorim të ujërave të përdorura, të ndotura, dokumenteve shoqëruese, procedurës së shqyrtimit të kërkesave, vendimmarrjes, rinovimit, ndryshimit, transferimit, pezullimit, revokimit të tyre, formateve të lejes/autorizimit, kushteve të përgjithshme e të posaçme të tyre dhe afateve të vlefshmërisë së tyre.
2. Akronimet dhe termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “AMBU”, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore;
b) “KKTU”, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit;
c) “KBL”, Këshilli i Basenit Lumor;
ç) “ZABL”, Zyra e Administrimit të Basenit Lumor;
d) “Person fizik”, personi fizik, në kuptim të Kodit Civil, dhe personi që ushtron veprimtari tregtare, i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si person fizik;
dh) “Leje/autorizim”, leja/autorizimi i miratuar nga KKTU-ja, KBL-ja ose AMBU-ja për përdorim burimi ujor, veprimtari ndërtimore në
brigje, veprimtari në shtratin e burimit ujor, shkarkime të lëngshme,
përdorim dhe ripërdorim të ujërave të përdorura e të ndotura.
II. FORMULARËT E KËRKESËS PËR MIRATIMIN, NË PARIM, PËR DHËNIEN ME KONCESION TË BURIMIT UJOR, TË LEJES/AUTORIZIMIT, RINOVIMIT, NDRYSHIMIT, TRANSFERIMIT, PEZULLIMIT DHE REVOKIMIT TË TYRE, DOKUMENTET SHOQËRUESE, FORMATET E LEJEVE/AUTORIZIMEVE, KUSHTET E POSAÇME
1. Formularët e kërkesës për secilën veprimtari, për të cilën kërkohet miratim, në parim, për dhënien me koncesion të përdorimit të burimit ujor, leje/autorizim, rinovim, ndryshim, transferim, pezullim dhe revokim të tyre, të dokumentacionit teknik e ligjor shoqërues, specifikohen në shtojcën 1 dhe përmbajtja e dokumentacionit teknik në shtojcën 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Formatet e lejes/autorizimit dhe të kushteve të posaçme specifikohen në shtojcën 3, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
III. PARAQITJA DHE PROCEDURA E SHQYRTIMIT TË KËRKESËS PËR MIRATIM, NË PARIM, PËR DHËNIEN ME KONCESION TË PËRDORIMIT TË BURIMIT UJOR, LEJE/AUTORIZIM
1. Autoriteti kontraktor, që kërkon miratim, në parim, për dhënien me koncesion të përdorimit të burimit ujor nga KKTU-ja, paraqet kërkesën on-line, nëpërmjet portalit “e-Albania”, në shërbimin “Aplikim për përdorim burimi ujor”, duke ngarkuar formularin e kërkesës për miratimin, në parim, të dhënies me koncesion të përdorimit të burimit ujor sipërfaqësor ose nëntokësor, të plotësuar, si dhe dokumentacionin teknik e ligjor, të parashikuar në formular.
2. Çdo person fizik, juridik, privat apo shtetëror (në vijim aplikant), i cili kërkon leje/autorizim, ndryshimin, transferimin, pezullimin apo revokimin e lejes/autorizimit, paraqet personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij kërkesën on-line, në portalin “e-Albania”.
Kërkesa paraqitet nëpërmjet plotësimit të formularit të të dhënave të përgjithshme, ngarkimit në sistemin elektronik të formularit të kërkesës për veprimtarinë përkatëse, të dokumentacionit teknik e ligjor shoqërues, të përcaktuar në të, dhe të dokumentit që provon pagesën e tarifës së kërkesës. Dokumentacioni teknik, që ngarkohet, duhet të jetë i nënshkruar me firmë elektronike nga subjekti hartues i licencuar.
3. Kërkesa dhe dokumentacioni shoqërues shqyrtohet nga AMBU-ja.
4. AMBU-ja shqyrton formalisht, brenda 5 (pesë) ditëve punë, nëse është paraqitur i gjithë dokumentacioni teknik e ligjor. Ky afat fillon nga dita e nesërme e regjistrimit të kërkesës për miratim, në parim, për dhënien me koncesion të përdorimit të burimit ujor apo kërkesës për leje/autorizim në portalin “e-Albania”. Në rast se dokumentacioni nuk është i plotë, AMBU-ja njofton aplikantin që, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë, të plotësojë dokumentacionin. Me dërgimin e njoftimit si më sipër, ndërpritet llogaritja e afatit të shqyrtimit të kërkesës deri në plotësimin e dokumentacionit dhe fillon një afat i ri. Nëse aplikanti nuk plotëson dokumentacionin, brenda afatit të caktuar, ose nëse dokumentacioni i ngarkuar në sistem ka përsëri mangësi, atëherë AMBU-ja merr vendim të arsyetuar për refuzimin e kërkesës.
5. Në mungesë njoftimi për mangësi në dokumentacion, brenda afatit të përcaktuar në pikën 4, të këtij kreu, AMBU-ja ka detyrimin të vijojë me shqyrtimin teknik e ligjor të kërkesës.
6. Pasi aplikanti ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm teknik e ligjor, të përcaktuar në formularët e kërkesës për secilën veprimtari dhe ka paguar tarifën e kërkesës, AMBU-ja, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë, përfundon shqyrtimin teknik e ligjor të kërkesës.
Nëse gjatë procesit të shqyrtimit të kërkesës, AMBU-ja konstaton mangësi në përmbajtje, mospërputhje të dhënash teknike dhe/ose ligjore ose vlerëson se është e nevojshme që të kryhen ndryshime në projektin e paraqitur, njofton aplikantin për plotësimin, korrigjimin, ndryshimin e dokumentacionit ose të projektit, duke dhënë arsyet përkatëse. Këto veprime duhet të kryhen nga aplikanti brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë nga njoftimi. Ky afat zbatohet për plotësimin apo saktësimin e dokumenteve, për të cilat nuk kërkohet miratimi nga organet e administratës shtetërore ose të enteve publike.
Nëse për plotësimin, ndryshimin e dokumentacionit ose të projektit kërkohet miratim nga organet e administratës shtetërore ose të enteve publike, atëherë afati për plotësimin e tyre është brenda 50 (pesëdhjetë) ditëve punë. Me dërgimin e njoftimit si më sipër, ndërpritet llogaritja e afatit të shqyrtimit teknik e ligjor të kërkesës deri në plotësimin e dokumentacionit nga aplikanti dhe fillon një afat i ri.
Nëse plotësimi, korrigjimi, ndryshimi i dokumentacionit ose i projektit nuk është i plotë, atëherë aplikanti njoftohet dhe një herë për kryerjen e veprimeve të nevojshme, sipas afateve të përcaktuara në paragrafët e dytë e të tretë, të kësaj pike. Në rast se ndryshimet nuk ngarkohen në portalin “e-Albania”, brenda afateve të përcaktuara apo ngarkohen përsëri me mangësi, atëherë AMBU-ja merr vendim të arsyetuar për refuzimin e kërkesës.
7. AMBU-ja për çdo kërkesë analizon ndikimin e zhvillimit të veprimtarisë në statusin e trupit ujor që kërkohet të përdoret, në ato raste kur statusi është i përcaktuar në planet e menaxhimit të baseneve lumore. Nëse konstatohet se veprimtaria ka ndikim të konsiderueshëm në përkeqësimin e statusit të trupit ujor, AMBU-ja përfshin argumentet në relacionin teknik e ligjor, duke rekomanduar kufizime në ushtrimin e veprimtarisë apo refuzimin e kërkesës.
Në ato raste, kur vendimmarrja për miratimin e lejes/autorizimit është në kompetencë të AMBU-së, kufizimet përkatëse apo refuzimi i kërkesës bëhet nga kjo e fundit.
8. Pas shqyrtimit të kërkesës, sipas pikave 4, 5, 6 e 7, të këtij kreu, AMBU-ja, kur ligji parashikon se miratimi i lejes/autorizimit është në kompetencë të saj, përgatit raportin teknik dhe ligjor.
Nëse gjykohet e nevojshme, AMBU-ja ka të drejtë t’ia dërgojë për mendim kërkesën për leje/autorizim dhe institucioneve të tjera shtetërore ose operatorëve të shërbimeve publike, të cilët brenda 7 (shtatë) ditëve punë, kanë detyrimin të japin informacion apo pëlqim lidhur me kërkesën. Kur kërkesa për leje/autorizim prek zonë të mbrojtur, në çdo rast merret mendimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Në këtë rast, AMBU-ja përgatit raportin teknik e ligjor pas marrjes së mendimit nga këto institucione. Në mungesë të përgjigjes, brenda afatit 7-ditor, prezumohet që institucioni ose grupi i interesit nuk ka komente për kërkesën dhe është dakord me vijimin për vendimmarrje.
Në këtë rast, AMBU-ja njofton aplikantin nëpërmjet portalit “e-Albania” për përfundimin e procedurës së shqyrtimit të kërkesës dhe dërgimin për vendimmarrje.
9. Pas shqyrtimit të kërkesës, sipas pikave 4, 5, 6 e 7, të këtij kreu, AMBU-ja, me përjashtim të rasteve kur miratimi i lejes/autorizimit, sipas ligjit është në kompetencë të saj, ia dërgon për mendim kërkesën për leje/autorizim, nëpërmjet portalit “e-Albania”, institucioneve që përfaqësohen me anëtarë në KKTU, në rastet kur ligji parashikon se miratimi është kompetencë e këtij organi ose kryetarit të KBL-së dhe përfaqësuesve të grupeve të interesit e institucioneve, që përfaqësohen me anëtarë në këtë organ, në rastet kur miratimi është kompetencë e KBL-së. Institucionet dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit duhet të shprehin mendimin e tyre brenda 7 (shtatë) ditëve punë.
AMBU-ja ka të drejtë t’ia dërgojë për mendim kërkesën për leje/autorizim dhe institucioneve të tjera shtetërore ose operatorëve të shërbimeve publike, të cilët brenda 7 (shtatë) ditëve punë kanë detyrimin të japin informacion apo pëlqim lidhur me kërkesën. Kur kërkesa për leje/autorizim prek zonë të mbrojtur, në çdo rast merret mendimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Institucionet shtetërore, që u dërgohet kërkesa për mendim, shprehen për përputhshmërinë e kërkesës me politikat, strategjitë, projektet dhe legjislacionin, që rregullon fushën e tyre të përgjegjësisë shtetërore. Anëtari i KBL-së, që përfaqëson grupet e interesit, shprehet për cenimin ose jo të interesit të grupit që përfaqëson.
Në mungesë të përgjigjes, brenda afatit 7-ditor, prezumohet që institucioni ose grupi i interesit nuk ka komente për kërkesën dhe është dakord të paraqitet për shqyrtim në mbledhjen e KKTU-së ose KBL-së. Në këtë rast, AMBU-ja ka detyrimin të vijojë me paraqitjen e saj për miratim në organin kompetent.
10. Nëse gjatë procesit të bashkërendimit të kërkesës, sipas pikës 9, të këtij kreu, një nga institucionet kundërshton dhënien e lejes/autorizimit, atëherë AMBU-ja, pasi e vlerëson këtë mendim, nëse është brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore të institucionit përkatës, i kërkon aplikantit të plotësojë mangësitë e konstatuara brenda 10 (dhjetë) ditëve punë. Nëse kundërshtimi bëhet për arsye të tjera, AMBU-ja pasqyron arsyet e kundërshtimit në raportin teknik e ligjor, që i përcillet organit miratues, pa kërkuar plotësime nga aplikanti.
Nëse plotësimet e kërkuara nuk ngarkohen në sistemin elektronik, brenda afatit të përcaktuar në paragrafin e parë apo ngarkohen përsëri me mangësi, atëherë AMBU-ja njofton dhe një herë aplikantin për plotësimin e dokumentacionit brenda 5 (pesë) ditëve punë. Nëse plotësimet nuk ngarkohen në portalin “e-Albania” ose janë përsëri me mangësi, atëherë AMBU-ja merr vendim të arsyetuar për refuzimin e kërkesës.
11. Në përfundim të shqyrtimit të kërkesës dhe bashkërendimit të saj, sipas pikave 4, 5, 6, 7, 9 e 10, të këtij kreu, AMBU-ja përgatit raportin e vlerësimit teknik e ligjor dhe e përcjell për vendimmarrje në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit, përmes sekretariatit teknik të këtij organi ose në Këshillin e Basenit Lumor, sipas kompetencave të përcaktuara në ligj për miratimin e veprimtarisë përkatëse, përveç rasteve kur AMBU-ja është vetë kompetente për miratimin e lejes/autorizimit, sipas përcaktimeve në ligj. Në këtë rast, AMBU-ja njofton aplikantin nëpërmjet sistemit elektronik për përfundimin e procedurës së shqyrtimit të kërkesës dhe për përcjelljen e saj pranë organit kompetent.
IV. VENDIMMARRJA DHE HYRJA NË FUQI E VENDIMIT
1. KKTU-ja, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve punë, dhe KBL-ja, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve punë, nga paraqitja e raportit të vlerësimit teknik e ligjor nga AMBU-ja, si dhe AMBU-ja brenda 5 (pesë) ditëve punë nga paraqitja e raportit drejtorit të Përgjithshëm, marrin vendim për:
a) miratimin, në parim, të kërkesës për dhënien me koncesion të përdorimit të burimit ujor;
b) miratimin e lejes/autorizimit, sipas kërkesës së paraqitur;
c) miratimin me ndryshime nga kërkesa e paraqitur;
ç) refuzimin e kërkesës;
d) rinovimin e afatit të lejes/autorizimit;
dh) ndryshimin e vendimit të dhënies së lejes/autorizimit;
e) transferimin e lejes/autorizimit;
ë) pezullimin e lejes/autorizimit;
f) revokimin e vendimit të dhënies së lejes/autorizimit.
Vendimi për refuzimin e kërkesës duhet të jetë në çdo rast i arsyetuar.
2. Vendimi i KKTU-së hyn në fuqi sipas parashikimeve në vendimin nr.519, datë 20.9.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e përbërjes së Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit”, të ndryshuar. Vendimi i KBL-së dhe i AMBU-së hyn në fuqi pas njoftimit të përmbajtjes së tij aplikantit ose titullarit të lejes/autorizimit.
3. Vendimi i KKTU-së, i KBL-së dhe AMBU-së i njoftohet aplikantit nëpërmjet portalit “e-Albania”, në seksionin “Dokumentet e mia”, te “Hapësira ime”, jo më vonë se 5 (pesë) ditë pune nga data e marrjes së vendimit.
4. Në rastin e miratimit, rinovimit, transferimit të lejes/autorizimit ose ndryshimit, me kërkesë të titullarit, aplikanti, brenda 30 (tridhjetë) ditëve punë nga marrja e njoftimit, duhet të ngarkojë aktet që provojnë pagimin e tarifës së shpenzimeve administrative për dhënien e lejes/autorizimit. Në rastin kur nga AMBU-ja konstatohen pasaktësi në vërtetimin e pagesës së ngarkuar nga subjekti, këtij të fundit i lihet një afat shtesë prej 5 (pesë) ditësh punë për të ringarkuar pagesën.
5. AMBU-ja, brenda 5 (pesë) ditëve punë nga ngarkimi në portal i dokumentit të pagesës së shpenzimeve administrative, plotëson formatin e lejes/autorizimit dhe e ngarkon në portalin “e-Albania”, bashkë me vendimin e KKTU-së, KBL-së ose AMBU-së, në përputhje me kriteret e dokumentit elektronik. Në rastet e lejeve/autorizimeve dhe vendimeve të miratuara nga KKTU-ja apo KBL-ja, aplikanti ka të drejtë të pajiset edhe me formatin fizik të lejes/autorizimit dhe të vendimit për miratimin e kërkesës.
6. Mospagimi i tarifës së shpenzimeve administrative të dhënies së lejes/autorizimit, rinovimit, transferimit ose ndryshimit me kërkesë, brenda afatit të përcaktuar në pikën 4, të këtij kreu, sjell si pasojë pushimin e fuqisë juridike të vendimit të miratimit.
V. RINOVIMI, NDRYSHIMI, TRANSFERIMI, PEZULLIMI DHE REVOKIMI I LEJES/AUTORIZIMIT
1. Subjekti i pajisur me leje/autorizim, në përfundim të afatit të vlefshmërisë së tyre, sipas pikave 2 e 3, të kreut VI, kërkon rinovimin e afatit të vlefshmërisë, nëse nuk ndryshon llojin e veprimtarisë, koordinatat e ushtrimit të veprimtarisë dhe sasinë e ujit, që kërkon të përdorë. Në rast të ndryshimit të njërit prej këtyre elementeve, titullari i saj duhet të paraqesë kërkesë të re për miratimin, në parim, për nisjen e një procedure koncesioni ose për leje/autorizim.
2. Subjekti i pajisur me leje/autorizim, jo më vonë se 6 (gjashtë) muaj përpara përfundimit të afatit të vlefshmërisë, njofton AMBU-në nëse do të kërkojë rinovimin e tyre. Nëse ky njoftim nuk bëhet nga subjekti, AMBU-ja njofton titullarin e saj, jo më vonë se 5 (pesë) muaj përpara përfundimit të afatit të vlefshmërisë, të shprehet me shkrim nëse do të kërkojë rinovimin. Me përfundimin e afatit të vlefshmërisë së lejes/autorizimit titullari i saj duhet të paraqesë kërkesë të re.
3. Kërkesa për rinovimin e lejes/autorizimit paraqitet nëpërmjet sistemit elektronik, sipas formularit përkatës të parashikuar në shtojcën 1, të këtij vendimi, duke plotësuar dokumentacionin e kërkuar. Shqyrtimi i kërkesës për rinovim bëhet sipas procedurës dhe afateve të parashikuara në kreun III, të këtij vendimi.
4. Ndryshimi i lejes/autorizimit vendoset kryesisht nga organi miratues ose me kërkesë të AMBU-së, për shkaqet e parashikuara në nenin 145, të ligjit nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar, sipas procedurave të parashikuara në ligjin që rregullon veprimtarinë e dhënies së licencave, lejeve dhe autorizimeve në Republikën e Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi.
Nëse ndryshimi kërkohet nga mbajtësi i titullit, kërkesa paraqitet nëpërmjet portalit “e-Albania”, sipas formularit përkatës të parashikuar në shtojcën 1, të këtij vendimi, duke plotësuar dokumentacionin e kërkuar. Nëse mbajtësi i titullit kërkon të ndryshojë llojin e veprimtarisë, vendin e ushtrimit ose të rrisë sasinë e ujit që kërkon të përdorë, atëherë duhet të paraqesë kërkesë të re për leje/autorizim, sipas llojit të veprimtarisë që kërkon. Shqyrtimi i kërkesës së titullarit për ndryshimin e lejes/autorizimit bëhet sipas procedurës dhe afateve të parashikuara në kreun III, të këtij vendimi.
5. Nëse kërkohet transferimi i lejes/autorizimit, kërkesa paraqitet nga titullari i saj nëpërmjet portalit “e-Albania”, sipas formularit përkatës të parashikuar në shtojcën 1, të këtij vendimi, duke plotësuar dokumentacionin e kërkuar. Shqyrtimi i kërkesës së titullarit për transferimin e lejes/autorizimit bëhet sipas procedurës dhe afateve të parashikuara në kreun III, të këtij vendimi.
6. Pezullimi i lejes/autorizimit vendoset nga organi miratues, kryesisht ose me kërkesë të AMBU-së, për shkaqet e parashikuara në nenin 145, të ligjit nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar, sipas procedurave të parashikuara në ligjin që rregullon veprimtarinë e dhënies së licencave, lejeve dhe autorizimeve në Republikën e Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi.
Nëse pezullimi kërkohet nga mbajtësi i titullit, kërkesa paraqitet nëpërmjet portalit “e-Albania”, sipas formularit përkatës të parashikuar në shtojcën 1, të këtij vendimi, duke plotësuar dokumentacionin e kërkuar. Shqyrtimi i kërkesës së titullarit për pezullim bëhet sipas procedurës dhe afateve të parashikuara në kreun III, të këtij vendimi. Nëse shkaku për të cilën titullari kërkon pezullimin e lejes/autorizimit nuk është i mbështetur në ligjin nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar, ose në legjislacionin në fuqi, atëherë AMBU-ja merr vendim të arsyetuar për refuzimin e kërkesës.
7. Revokimi i lejes/autorizimit bëhet për shkaqet e parashikuara në nenin 146, të ligjit nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar, sipas procedurave të parashikuara në ligjin që rregullon veprimtarinë e dhënies së licencave, lejeve dhe autorizimeve në Republikën e Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi.
Nëse revokimi kërkohet nga mbajtësi i titullit, kërkesa paraqitet nëpërmjet portalit “e-Albania”, sipas formularit përkatës të parashikuar në shtojcën 1, të këtij vendimi. Shqyrtimi i kërkesës së titullarit për revokim bëhet sipas procedurës dhe afateve të parashikuara në kreun III, të këtij vendimi.
VI. HYRJA NË FUQI E LEJES/AUTORIZIMIT, AFATET E VLEFSHMËRISË
1. Leja/autorizimi për përdorimin e burimit ujor hyn në fuqi vetëm pas publikimit të saj në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve, përveçse kur hyrja në fuqi lidhet me botimin në “Fletoren zyrtare”.
2. Afati i vlefshmërisë së miratimit, në parim, për nisjen e një procedure koncesioni, e lejes/autorizimit për përdorimin e burimeve ujore sipërfaqësore, nëntokësore dhe shkarkimeve të lëngshme është, si më poshtë vijon:
a) Miratimi, në parim, për nisjen e një procedure koncesioni jepet për një periudhë kohore prej 2 (dy) vjetësh;
b) Autorizimi jepet për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vjetësh;
c) Leja jepet për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vjetësh;
ç) Në rastet e përdorimit të burimit ujor me koncesion ose kur përdorimi i burimit ujor i shërben kryerjes së një veprimtarie me koncesion, afati është në përputhje me afatet e koncesionit;
d) Në rastin e investimeve strategjike, afati i lejes/autorizimit është në përputhje me afatin për të cilin është dhënë statusi “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”;
dh) Autorizimi për kryerje shpimi nëntokësor për marrje uji (pus shpimi) jepet për një periudhë 1-vjeçare.
3. Afati i vlefshmërisë së lejes/autorizimit për veprimtari ndërtimore në brigje dhe veprimtari në shtratin e burimit ujor është, si më poshtë vijon:
a) Autorizimi i posaçëm për përdorim burimi ujor për veprimtari ndërtimi, rindërtimi ose shembjen e objekteve, për mbrojtjen e brigjeve, mureve, digave apo veprave të tjera në brigje është i vlefshëm, nga data e miratimit deri në fillimin e zbatimit në terren, në çdo rast jo më shumë se 2 (dy) vjet;
b) Autorizimi për përdorim burimi ujor, për veprimtari ndërtimore në brigje, është i vlefshëm, nga data e miratimit deri në fillimin e zbatimit në terren, në çdo rast jo më shumë se 2 (dy) vjet;
c) Autorizimi për veprimtari mbrojtëse të përkohshme, në rast emergjence, është sipas kërkesës së paraqitur nga strukturat e ngritura për përballimin e emergjencave civile;
ç) Autorizimi për përdorim burimi ujor, për ndërtimin e strukturave
ankoruese, portuale, veprave mbrojtëse dhe ishujve artificialë në det,
është e vlefshme nga data e miratimit deri në fillimin e zbatimit në terren, në çdo rast jo më shumë se 2 (dy) vjet;
d) Leja për shfrytëzimin e materialeve inerte, që nxirren nga shtretërit e
lumenjve, përrenjve, liqeneve me ose pa ujë, është sipas grafikut të
punimeve, por jo më shumë se 3 (tre) vjet;
dh) Leja për rehabilitimin e trupave ujorë është sipas grafikut të punimeve;
e) Leja/autorizimi për veprimtari të tjera në brigje dhe në shtratin e burimit ujor është e vlefshme nga data e miratimit deri në fillimin e zbatimit në terren, në çdo rast jo më shumë se 2 (dy) vjet.
VII. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Vendimi nr.550, datë 15.7.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e formularëve të kërkesës për miratimin, në parim, për dhënien me koncesion të përdorimit të burimit ujor, e lejes/autorizimit për përdorim burimi ujor, veprimtari ndërtimore në brigje, veprimtari në shtratin e burimit ujor, shkarkime të lëngshme, përdorimin dhe ripërdorimin e ujërave të përdorura, të ndotura, të dokumenteve shoqëruese, të procedurës së shqyrtimit e të vendimmarrjes, të formateve të lejes, të autorizimit, të kushteve të posaçme dhe të afateve të vlefshmërisë së tyre”, shfuqizohet.
2. Kërkesat për pajisjen me leje apo autorizim për përdorimin e burimeve ujore, të paraqitura pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar, dhe deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi, do të shqyrtohen sipas parashikimeve në vendimin nr.550, datë 15.7.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e formularëve të kërkesës për miratimin, në parim, për dhënien me koncesion të përdorimit të burimit ujor, e lejes/autorizimit për përdorim burimi ujor, veprimtari ndërtimore në brigje, veprimtari në shtratin e burimit ujor, shkarkime të lëngshme, përdorimin dhe ripërdorimin e ujërave të përdorura, të ndotura, të dokumenteve shoqëruese, të procedurës së shqyrtimit e të vendimmarrjes, të formateve të lejes, të autorizimit, të kushteve të posaçme dhe të afateve të vlefshmërisë së tyre”, lidhur me formatet e kërkesave, dokumentacionit teknik e ligjor, afatet, si dhe me procedurën e shqyrtimit.
3. Gjatë periudhës nga data e hyrjes në fuqi e këtij vendimi, deri në datën e funksionimit të plotë të sistemit e-Leje, të përditësuar, kërkesat për leje/autorizim do të paraqiten në sistemin aktual elektronik e-Leje të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore.
4. Ngarkohen Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUSHTEVE TË NEGOCIIMIT TË SHOQËRISË SHTETËRORE “KAYO”, SH.A., ME SHOQËRI TREGTARE PRIVATE PËR PRODHIMIN OSE PËRSHTATJEN E MJETEVE MOTORIKE TË POSAÇME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim ka për objekt miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., me shoqëri tregtare private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim, me qëllim, mes të tjerave, prodhimin ose përshtatjen e mjeteve motorike të posaçme për t’u përdorur nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e sigurisë dhe të emergjencave civile.
2. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të ketë një pjesëmarrje jo më të ulët se 45% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private, sipas këtij vendimi.
3. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar, me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 m2, që do t’i vihen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
4. Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti me të cilin negocion, minimalisht:
a) një vlerë investimi jo më të ulët se 15 milionë euro në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve;
b) punësimin e jo më pak se 150 (njëqind e pesëdhjetë) punonjësve në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve;
c) ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të mjeteve të blinduara, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të standardeve të NATO-s;
ç) sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve, në rast eksporti.
5. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e mjeteve ushtarake dhe mjeteve për përdorim nga strukturat e sigurisë e të emergjencave civile.
6. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se administratori/ët i/e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërcituara, zgjidhen/t me dakordësinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.
7. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se minimalisht 50% e këshillit drejtues ose këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.
8. Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të pikës 9, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
9. Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë negociatave ofron nëpërmjet strukturave të ruajtjes dhe sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë garancinë e sigurisë fizike të ambienteve të prodhimit të mjeteve ushtarake, të dhënat teknike dhe tregtare në lidhje me këto mjete dhe sigurimin e çdo informacioni teknik dhe projektimi të këtyre mjeteve, në përputhje me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e tyre.
10. Autorizohen shoqëria “KAYO”, sh.a., dhe shoqëria private, me të cilën do të bashkëpunojë, të furnizojnë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë me mjetet që do të prodhohen nëpërmjet shoqërisë që do të krijohet, në përputhje me këtë vendim.
11. Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË, ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË EKONOMISË, KULTURËS DHE INOVACIONIT, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “INVESTMENT AND DEVELOPMENT ALBANIA”, SH.P.K., ME NUIS L91703053C, SI QIRAMARRËS, TË PRONËS SË PALUAJTSHME SHTETËRORE NË ZONËN KADASTRALE NR.8561, BASHKIA KORÇË, PJESË E FONDIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME PËR MBËSHTETJEN E INVESTIMEVE STRATEGJIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3.1, të kreut V, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë, me tarifën 1 (një) euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Investment and Development Albania”, sh.p.k., me NUIS L91703053C, si qiramarrës, për pronën e paluajtshme shtetërore në zonën kadastrale nr.8561, me numër pasurie 1/911, të llojit “truall”, me sipërfaqe totale 10 000 (dhjetë mijë) m2, në pronësi “shtet”, me vendndodhje Bashkia Korçë, pjesë e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, sipas dokumentacionit të pronësisë, rilevimit topografik dhe tekstit të projektkontratës, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe shoqëria “Investment and Development Albania”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË SERBISË, PËR SIGURIMET SHOQËRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Serbisë, për sigurimet shoqërore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.61, DATË 29.1.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I FIDERAVE ME KABËLL 20 KV, V4, V5 DHE KABINAVE TË REJA NGA NËNSTACIONI I RI VALIAS””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Të dhënat e pasurisë me numër rendor 1 të tabelës, bashkëlidhur vendimit nr.61, datë 29.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i fiderave me kabëll 20 kV, V4, V5 dhe kabinave të reja nga nënstacioni i ri Valias””, zëvendësohen me të dhënat e pasurisë me numrin rendor 1 të tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Group, sh.a.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Group, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kamzë Vorë, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.127, DATË 3.3.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË BURGJEVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në kreun III, të vendimit nr.127, datë 3.3.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”, bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 7, fjalët “… legjislacioni për nëpunësin civil dhe aktet nënligjore në zbatim të tij …” zëvendësohen me “… Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë dhe rregullorja e brendshme e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve …”.
2. Në pikën 8, fjalët “… në shërbimin civil …” zëvendësohen me “… në sistemin e burgjeve …”.
3. Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“14. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale rregullohen sipas Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë.”.
II. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E TURIZMIT DHE MJEDISIT TE DREJTORIA E SHËRBIMEVE QEVERITARE, TË PRONËS ME EMËRTIMIN “POSTA E POLICISË KUFITARE, VIVAR”, ME NUMËR PASURIE 7/555/ND, NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 2297, SARANDË, DHE PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË DREJTORISË SË SHËRBIMEVE QEVERITARE TË PASURIVE ME NUMRA 7/539 DHE 7/541, NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 2297, SARANDË, SI DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1058, DATË 16.7.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit te Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, të pronës me emërtimin “Posta e Policisë Kufitare, Vivar”, me numër pasurie 7/555/ND, ndodhur në zonën kadastrale 2297, Sarandë, me qëllim për t’u përdorur në funksion të përmbushjes së veprimtarisë shtetërore, sipas të dhënave të pronës me nr.rendor 1 në formular, kartelës së pasurisë së paluajtshme dhe hartës kadastrale, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare të pasurive me numra 7/539 dhe 7/541, ndodhur në zonën kadastrale 2297, Sarandë, me qëllim për t’u përdorur në funksion të përmbushjes së veprimtarisë shtetërore, sipas të dhënave të pronës me numrat rendorë 2 dhe 3 në formular, kartelave të pasurive të paluajtshme dhe hartave kadastrale, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
3. Pasuritë e përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të këtij vendimi i shtohen listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.1058, datë 16.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Këshillit të Ministrave, për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare”, të ndryshuar.
4. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.12, DATË 9.1.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRANSFERIMIN TE KORPORATA E INVESTIMEVE SHQIPTARE TË PRONAVE SHTETËRORE, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË DISA INSTITUCIONEVE SHTETËRORE, PËR REALIZIMIN E NËNPROJEKTEVE “COPËZAT”, “HOSPITALITY” DHE “GODINA E RE E BIBLIOTEKËS KOMBËTARE”, PJESË E PROJEKTIT TË INVESTIMIT “PËR ZHVILLIMIN DHE MENAXHIMIN E PRONAVE SHTETËRORE””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, dhe në zbatim të shkronjës “b”, të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në shtojcën nr.1 “Pronat që transferohen në pronësi të Korporatës”, që i bashkëlidhet vendimit nr.12, datë 9.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për transferimin te Korporata e Investimeve Shqiptare të pronave shtetërore, në përgjegjësi administrimi të disa institucioneve shtetërore, për realizimin e nënprojekteve “Copëzat”, “Hospitality” dhe “Godina e re e Bibliotekës Kombëtare”, pjesë e projektit të investimit “Për zhvillimin dhe menaxhimin e pronave shtetërore”” shtohen pronat sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU