Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Mars 2025:

V E N D I M
PËR
  REVOKIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË BASHKISË TIRANË DHE TRANSFERIMIN E PRONËSISË TE SHOQËRIA SHTETËRORE “KAYO”, SH.A., TË PASURIVE, PJESË TË PRONËS NR.16, ME EMËRTIMIN “ISH-UZINA E PJESËVE TË NDËRRIMIT TË AUTOMJETEVE”, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 8170, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të nenit 8/a, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të pikës 1, të nenit 9, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, të ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Revokimin e së drejtës së pronësisë Bashkisë Tiranë dhe transferimin e pronësisë te shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., të pasurive, pjesë të pronës nr.16, me emërtimin “Ish-Uzina e Pjesëve të Ndërrimit të Automjeteve”, me vendndodhje në zonën kadastrale 8170, Tiranë, sipas lidhjes nr.1, kartelave të pasurive dhe planit të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, me qëllim përdorimin sipas objektit të veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar, hiqen pasuritë, pjesë të pronës nr.16, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
3. Shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit përtej objektit të veprimtarisë ose t’i tjetërsojë pronat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M 
PËR
DEKLARIMIN “PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME” TË  ZONAVE ARKEOLOGJIKE “A” DHE “B” TË QYTETIT LEZHËS, MIRATIMIN E ZONIFIKIMIT DHE TË PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN
E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9, pika 3, shkronjat “a” dhe “ç”, 53, pika 3, shkronja “b”, nënndarja “iv”, e 62, pika 3, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin “pasuri kulturore e paluajtshme” të zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Lezhës, sipas hartës së zonifikimit dhe koordinatave gjeografike, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
4. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartat e qendrës historike dhe zonës mbrojtëse në Gjeoportalin Kombëtar.
5. Vendimi nr.728, datë 1.9.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Lezhës dhe miratimin e rregullores së administrimit”, shfuqizohet.
6. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PERIUDHËS SË SHFRYTËZIMIT DHE TË NIVELIT MINIMAL TË KAPACITETIT TË SHFRYTËZIMIT TË STRUKTURAVE AKOMODUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 64/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e rregullave për shfrytëzimin e strukturave akomoduese dhe të  nivelit minimal të kapacitetit të shfrytëzimit të tyre, në funksion të deklarimit për qëllime tatimore, gjatë vitit kalendarik.
2. Për qëllim të këtij vendimi:
a) “Kapacitet i strukturës akomoduese”, numri i përgjithshëm i dhomave të saj, të vëna në dispozicion për turistët gjatë periudhës të shfrytëzimit;
b) “Kapacitet shfrytëzimi”, raporti i numrit të përgjithshëm të dhomave të zëna me kapacitetin e strukturës akomoduese përgjatë periudhës së shfrytëzimit;
c) “Nivel minimal i shfrytëzimit të kapacitetit”, niveli më i ulët i shfrytëzueshmërisë së kapacitetit të strukturës akomoduese përgjatë periudhës së shfrytëzimit, të përcaktuar në këtë vendim.
3. Procedurës së deklarimit të kapacitetit të strukturave akomoduese dhe nivelit të shfrytëzimit të tyre u nënshtrohen strukturat akomoduese në kategoritë e mëposhtme:
a) “Bujtinë”;
b) “Bllok apartamentesh”;
c) “Motel”;
ç)  “Fjetje dhe mëngjes”;
d) “Hotel”;
dh)  “Hotel i shpërndarë”;
e) “Resort”;
ë)   “Strukturë akomoduese e trashëgimisë kulturore”.
4. Periudhë e shfrytëzimit është periudha e ndarë në dy periudha sezonale, përkatësisht, nga data 1 maj deri në datën 30 shtator dhe nga data 1 tetor deri në datën 30 prill të çdo viti. Në përllogaritjet, për efekt të kapacitetit të shfrytëzimit, ditët që merren në konsideratë janë ditët kalendarike gjatë kësaj periudhe.
5. Niveli i shfrytëzimit të strukturave akomoduese bazohet në të dhënat e deklaruara nga sipërmarrësi i strukturës akomoduese për shfrytëzimin e kapacitetit të saj. Ky nivel llogaritet duke marrë në konsideratë numrin e përgjithshëm të dhomave të shfrytëzuara përgjatë periudhës së shfrytëzimit në raport me kapacitetin e plotë të strukturës akomoduese gjatë kësaj periudhe. Mënyra e llogaritjes së kapacitetit dhe niveli i shfrytëzimit të një strukture akomoduese paraqiten në mënyrë të detajuar në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Niveli minimal i shfrytëzimit të strukturës akomoduese është:
a) jo më pak se 65 %  e kapacitetit të strukturës akomoduese për periudhën nga data 1 maj deri në datën 30 shtator;
b) jo më pak se 30 % e kapacitetit të strukturës akomoduese për periudhën nga data 1 tetor deri në datën 30 prill.
Kjo vlerë llogaritet si mesatare e nivelit minimal të shfrytëzimit përgjatë periudhës së shfrytëzimit.
7. Sipërmarrësit e strukturës akomoduese zgjedhin të deklarojnë nivelin e shfrytëzimit:
a) sipas pikës 6, të këtij vendimi; ose
b) të parashikuar prej tyre.
8. Në rastin kur tatimpaguesi zgjedh formën e deklarimit sipas shkronjës “a”, të pikës 7, administrata tatimore, në fund të periudhës së shfrytëzimit, vlerëson deklarimin e bërë në sistemin tatimor. Në rastet kur ky deklarim është më i vogël se niveli minimal i shfrytëzimit, administrata tatimore bën vlerësim nga zyra, duke e çuar nivelin e deklarimit në nivelin minimal të shfrytëzimit dhe në sistemin tatimor.
9. Në rast të zgjedhjes së deklarimit, sipas shkronjës “b”, të pikës 7, të këtij vendimi, bazuar në pikën 7, të nenit 64/1, të ligjit nr.93/2015,  “Për turizmin”, të ndryshuar, si dhe të kreut VIII, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, administrata tatimore nëpërmjet strukturave të saj verifikon në terren ose nga zyra respektimin e deklarimit të kapaciteteve të shfrytëzuara dhe në rastet kur këto kapacitete të shfrytëzuara janë të pasakta dhe joreale, atëherë administrata tatimore zbaton metodat alternative të vlerësimit për përcaktimin e detyrimeve tatimore, sipas legjislacionit përkatës.
10. Sipërmarrësi, për strukturat akomoduese, të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, deklaron pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin, brenda muajit janar të çdo viti, kapacitetin e shfrytëzimit dhe nivelin e shfrytëzimit të strukturës akomoduese, sipas aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
11. Në rastet kur ka ndryshime të kapacitetit të strukturës akomoduese, sipërmarrësi ka detyrimin të deklarojë ndryshimet e kapacitetit të strukturës akomoduese, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e ndryshimit të kapacitetit të strukturës.
12. Zgjedhja e një prej formave të nivelit të deklarimit të shfrytëzimit nuk mund të ndryshohet brenda vitit kalendarik.
13. Ministria përgjegjëse për turizmin, brenda muajit shkurt të çdo viti, u dërgon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe njësisë së qeverisjes vendore, që administron territorin ku ndodhet struktura akomoduese, të dhënat e deklaruara nga sipërmarrësi, sipas parashikimeve të pikës 10, të këtij vendimi.
14. Në rast të ndryshimit nga ana e sipërmarrësit të kapacitetit të strukturës akomoduese, ministria përgjegjëse për turizmin, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit, ua dërgon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe njësisë së qeverisjes vendore, që administron territorin ku ndodhet struktura akomoduese, të dhënat e deklaruara nga sipërmarrësi.
15. Përjashtimisht, për vitin 2025, deklarimi i sipërmarrësit pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe ministria përgjegjëse për turizmin u dërgon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe njësisë së qeverisjes vendore, që administron territorin ku ndodhet struktura akomoduese, të dhënat e deklaruara nga sipërmarrësi brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga përfundimi i afatit të deklarimit nga sipërmarrësi.
16. Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin, ministria përgjegjëse për financat, administrata tatimore dhe sipërmarrësit e strukturave akomoduese për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.649, DATË 16.10.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR KUSHTET DHE KRITERET E USHTRIMIT TË VEPRIMTARISË SË STACIONIT TË PLAZHIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 64, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në tekstin e rregullores, bashkëlidhur vendimit nr.649, datë 16.10.2024, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në nenin 7 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Në stacionin e plazhit ushtrojnë veprimtarinë subjektet që plotësojnë kriteret e kësaj rregulloreje dhe që lidhin një kontratë qiraje për përdorimin e hapësirës së plazhit. Të drejtën për të përdorur hapësirën e plazhit e kanë subjektet e mëposhtme:
a) Subjektet private që disponojnë strukturë akomoduese të kategorizuar si:
i. “Bujtinë” ;
ii. “Fjetinë” (Hostel);
iii. “Hotel”;
iv. “Resort”;
v. “Qendër kurative”;
vi. “Fjetje dhe mëngjes” (B&B);
vii. “Apartament”/”vilë”, që kanë jo më pak se 5 (pesë) dhoma;
viii. “Bllok apartamentesh”, që janë dy ose më shumë apartamente në të njëjtën vendndodhje dhe menaxhohen nga i njëjti sipërmarrës turistik, që kanë jo më pak se 5 (pesë) dhoma”;
b) Njësitë e vetëqeverisjes vendore përkatëse, rast pas rasti.”.
b) Fjalia hyrëse e pikës 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Subjektet private të parashikuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, përmbushin kriteret e mëposhtme:”.
2. Pas pikës 4, të nenit 14, shtohen pikat 5 dhe 6, me këtë përmbajtje:
“5. Përjashtimisht, për vitin 2025, afati kohor për lidhjen e kontratave të qirasë për përdorimin e stacionit të plazheve, të parashikuar në pikën 5, të nenit 4, të kësaj rregulloreje, do të jetë deri në datën 31 maj.
6. Përjashtimisht, për vitin 2025, afati kohor për fazën e dytë të aplikimit të subjektit, të parashikuar në pikën 9, të nenit 7, të kësaj rregulloreje, do të jetë brenda datës 30 prill.”.
II. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.417, DATË 25.6.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E TARIFAVE TË LEJEVE TË MJEDISIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.10 448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.417, datë 25.6.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave të lejeve të mjedisit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 4, fjala “… ministrisë …” zëvendësohet me emërtimin “… Agjencisë Kombëtare të Mjedisit …”.
2. Fjalia e parë, e pikës 7, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Tarifat për çdo aplikim sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, derdhen nga kërkuesi në llogarinë bankare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe janë të pakthyeshme.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.865, DATË 24.12.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MËNYRËN E KRYERJES SË PROCESIT TË AKREDITIMIT TË INSTITUCIONEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR E PËRCAKTIMIN E TARIFAVE DHE AFATEVE KOHORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 26, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.865, datë 24.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e kryerjes së procesit të akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor e përcaktimin e tarifave dhe afateve kohore”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në fund të pikës 4, pas fjalëve “… dhe institucionit përgjegjës për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor.” shtohen fjalët “… në regjistrin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe shoqëror përmes shërbimit on-line që institucioni përgjegjës ka në portalin “e-Albania”.”.
b) Në pikën 9, pas fjalëve “… në këtë vendim …” shtohen “… në shërbimin    on-line që ofrohet nëpërmjet portalit “e-Albania”.”.
c) Në fjalinë e dytë, të pikës 11, fjalët “… të cilat dorëzohen, brenda dy muajve pas marrjes së ftesës, pranë institucionit përgjegjës,…” zëvendësohen me   “… të cilat ngarkohen brenda dy muajve pas marrjes së ftesës në shërbimin on-line që institucioni përgjegjës ka në portalin “e-Albania”,…”.
ç) Pika 18 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“18. Grupi i ekspertëve të vlerësimit të jashtëm mund të marrë parasysh ose jo vërejtjet e institucionit të kujdesit shëndetësor dhe, brenda një jave, ngarkon në shërbimin on-line që institucioni përgjegjës ka në portalin “e-Albania” raportin final të vlerësimit, të firmosur nga të gjithë anëtarët e ekipit. Institucioni përgjegjës për akreditimin i përcjell një kopje të raportit institucionit të kujdesit shëndetësor.”.
d) Në pikën 40, pas fjalës “… sociale …” shtohen fjalët “… dhe Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror,…”.
2. Kërkesat dhe procedurat administrative, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi janë në proces shqyrtimi nga sistemi ministror i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, zhvillohen sipas dispozitave në fuqi të vendimit nr.865, datë 24.12.2019, të Këshillit të Ministrave, në kohën e paraqitjes së tyre.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
 ***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.848, DATË 28.10.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR STANDARDET, KRITERET E PROCEDURAT E AKREDITIMIT TË AKTIVITETEVE TË EDUKIMIT TË VAZHDUESHËM TË PROFESIONISTËVE TË SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHOQËROR, SI DHE TË OFRUESVE TË TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 39, pika 2, e 43, pika 4, të ligjit nr.121/2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.848, datë 28.10.2020 të Këshillit të Ministrave, “Për standardet, kriteret e procedurat e akreditimit të aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm të profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror, si dhe të ofruesve të tyre”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në të gjithë përmbajtjen e vendimit, emërtesa “Qendra Kombëtare e Edukimit të Vazhdueshëm” zëvendësohet me “Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor e Shoqëror (në vijim, ASCK)”.
2. Në pikën 2, të kreut II, pas fjalës “… licencuara …” shtohen fjalët “… për ushtrim të veprimtarisë në fushën e kujdesit shoqëror …”.
3. Fjalia e parë, e pikës 3, të kreut III.2, “Procesi i akreditimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Aplikimi për akreditimin e aktivitetit të edukimit të vazhdueshëm për profesionistët e shërbimeve të kujdesit shoqëror bëhet në shërbimin on-line, që ka Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror nëpërmjet portalit “e-Albania”.”.
4. Pika 16, e kreut III.2, “Procesi i akreditimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“16. ASCK-ja shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga aplikuesi nëpërmjet shërbimit on-line, që ofrohet përmes portalit “e-Albania”, me dokument me vulë elektronike dhe, nëse ai është i plotë, bën vlerësimin e tij sipas kritereve të cilësisë në planifikimin e aktivitetit, përfshirë vlerësimin e burimeve të përdorura (trajnerët, materialet pedagogjike) dhe përgatit raportin përkatës. Në rast se kërkesa nuk është e plotë, ASCK-ja cakton një afat për plotësimin e saj dhe, pas paraqitjes së plotë të dokumenteve, e merr atë në shqyrtim. Kur kërkesa nuk plotësohet brenda afatit të përcaktuar, kërkesa kthehet dhe konsiderohet se nuk është paraqitur.”.
5. Pas pikës 4, të kreut VII, shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:
“4/1.Kërkesat, për të cilat nuk kanë përfunduar procedurat administrative deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi, trajtohen në përputhje me dispozitat në fuqi, në kohën e paraqitjes së tyre.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.440,  DATË 17.5.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E STANDARDEVE, TË KRITEREVE DHE PROCEDURAVE TË AKREDITIMIT TË OFRUESVE TË AKTIVITETEVE TË EDUKIMIT NË VAZHDIM PËR PROFESIONISTËT E SHËNDETËSISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 33/1, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.440, datë 17.5.2017,  të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e standardeve, të kritereve dhe procedurave të akreditimit të ofruesve të aktiviteteve të edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Kudo në përmbajtjen e vendimit, fjalët “… Qendra Kombëtare e Edukimit (në vijim (QKEV) …” zëvendësohen me “… Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror, (në vijim ASCK) …”.
2. Në ndarjen V bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a) Në  pikën 1, në fund të fjalisë së parë, pas fjalëve “… të kufizuar ose të pakufizuar …” shtohen “… në shërbimin on-line, që ofrohet nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror, nëpërmjet portalit “e-Albania” …”;
b) Në pikën 2, fjalët “… të dorëzojë në QKEV …” zëvendësohen me “… të ngarkojë në shërbimin on-line, që ofrohet nga ASCK-ja, nëpërmjet portalit “e-Albania” …”.
3. Fjalia e dytë, e ndarjes VIII, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Çdo ankesë paraqitet në shërbimin on-line, që ofrohet nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror, nëpërmjet portalit “e-Albania” dhe shoqërohet me të dhëna e argumente që mbështesin ankimin.”.
4. Pas ndarjes IX shtohet ndarja X, me këtë përmbajtje:
“X. Dispozita kalimtare dhe të fundit
1. Kërkesat dhe procedurat administrative, që në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, janë në proces shqyrtimi nga struktura përkatëse e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, zhvillohen sipas dispozitave në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave, në kohën e paraqitjes së tyre.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.”.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.789, DATË 22.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, STANDARDEVE DHE PROCEDURAVE TË PROGRAMIT TË CERTIFIKIMIT PËR PROFESIONISTË TË SHËNDETËSISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 33, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.789, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, standardeve dhe procedurave të programit të certifikimit për profesionistë të shëndetësisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Në të gjithë përmbajtjen e vendimit, emërtimi “Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV)” zëvendësohet me “Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror”, këtu e në vijim “ASCK”.
2. Në kreun III bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Të gjithë profesionistët e përfshirë në programin e certifikimit janë përgjegjës për regjistrimin e tyre në Regjistrin Kombëtar të Certifikimit të Profesionistëve të Kujdesit Shoqëror dhe Shëndetësor që administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror, këtu e në vijim ASCK, si dhe për vërtetësinë e të dhënave të dokumentuara në dosjen e tyre individuale në shërbimin on-line që ofrohet nëpërmjet portalit “e-Albania”.”.
b) Pika 3.1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3.1 Regjistrimi i krediteve nga aktivitete të edukimit në vazhdim të akredituara  nga ASCK-ja. Në rastet kur profesionisti merr pjesë në një aktivitet të edukimit në vazhdim, të akredituar nga ASCK-ja, atëherë raportimi i krediteve përkatëse është përgjegjësi e ofruesit të aktivitetit, i cili duhet të dorëzojë, me nënshkrim elektronik në shërbimin on-line që ofrohet nëpërmjet portalit “e-Albania”, listën e pjesëmarrësve në aktivitet brenda 7 (shtatë) ditëve nga data e zhvillimit të aktivitetit. Regjistrimi i krediteve bëhet nga ASCK-ja në dosjet individuale elektronike të të gjithë pjesëmarrësve. Në rastet kur profesionisti ka marrë pjesë si lektor në një aktivitet të edukimit me kohëzgjatje më pak se një javë, atëherë kreditet, që regjistrohen, përllogariten në bazë të kohëzgjatjes së aktivitetit dhe kriterit 1 (një) orë 2 (dy) kredite. Në rastet kur profesionisti ka marrë pjesë si lektor në aktivitet me kohëzgjatje më shumë se një javë, atëherë kreditet, që regjistrohen, përllogariten në bazë të kohëzgjatjes së leksioneve të kryera nga lektori dhe kriterit 1 (një) orë x 2 (dy) kredite.”.
c) Pikat 4.1 dhe 4.2 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“4.1 Regjistrimi i krediteve nga botimet në revista shkencore, botim i teksteve mësimore, recencimi i botimeve, udhëheqja e oponenca shkencore, ndjekja e praktikave profesionale, stafet profesionale, shkencore në shërbimet klinike të QSUT-së, lektorë me kohë të plotë apo të pjesshme pranë institucioneve të arsimit të lartë, pjesëmarrja në grupe pune institucionale, borde dhe ekspertiza të ndryshme, si dhe postera e abstrakte. Në  këtë rast, kërkesa për njohjen dhe regjistrimin e krediteve duhet bërë individualisht nga profesionisti në shërbimin on-line që ofrohet nëpërmjet portalit “e-Albania”. Dokumentet, që duhet të paraqiten në rastet e botimit të artikujve, kapitujve të librave ose librave, janë: fotokopje të kapakut të revistës ose të librit, si dhe fotokopje të faqes së parë të artikullit ose të kapitullit. Në rastet kur profesionisti ka marrë pjesë në një vizitë studimore duhet të paraqesë dokument nga institucioni ku është kryer vizita studimore e strukturuar. Në rastin kur profesionisti ka hartuar kurrikula universitare ose pasuniversitare, dokumenti që duhet të paraqesë është një vërtetim nga fakulteti përkatës. Në rastet kur profesionistët kanë qenë pjesë e grupeve institucionale të punës, bordeve dhe ekspertizave të ndryshme vlerësimi bëhet, rast pas rasti, sipas rregullores së brendshme të ASCK-së. Të gjitha dokumentet e kërkuara do të dorëzohen nëpërmjet shërbimit on-line që ofrohet nëpërmjet portalit “e-Albania”. Përllogaritja e krediteve për aktivitetet e kësaj kategorie bëhet sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4.2. Regjistrimi i krediteve nga aktivitete të vetëraportuara kryhet në mënyrë individuale nga profesionisti në shërbimin on-line që ASCK-ja ka në portalin “e-Albania”. Profesionisti duhet të deklarojë programet e multimedias, të studimit të literaturës profesionale që ka kryer gjatë një viti kalendarik, në funksion të përmbushjes së nevojave të tij profesionale. Përllogaritja e krediteve për aktivitete të kësaj kategorie bëhet sipas aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR 
EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË TEATRIT KOMBËTAR TË OPERËS, BALETIT DHE ANSAMBLIT POPULLOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Aulon Naçi emërohet drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN SHTESË PËR “VEPRIMIN E OFRIMIT  TË SHËRBIMEVE TË PËRQENDRUARA DHE GJITHËPËRFSHIRËSE TË PËRDORUESIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 26 e 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin shtesë për “Veprimin e ofrimit të shërbimeve të përqendruara dhe gjithëpërfshirëse të përdoruesit”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ELIMINIMI I PIKAVE TË ZEZA (BLACK SPOTS) NË RRJETIN RRUGOR KOMBËTAR SHKODËR – HANI I HOTIT, KRYQËZIMI RRUGA E HURMAVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Eliminimi i pikave të zeza (Black Spots) në rrjetin rrugor kombëtar Shkodër – Hani i Hotit, kryqëzimi Rruga e Hurmave”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 44 010 (dyzet e katër mijë e dhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 44 010 (dyzet e katër mijë e dhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e  miratimit  të  këtij  vendimi,  nis  procedurat  për  hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Autoritetin Rrugor Shqiptar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Autoritetin Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I                                                    
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I INFRASTRUKTURËS SË RRJETIT TË KULLIMIT NË ZONËN E PORTO – ROMANOS – KËNETË DHE SISTEMIMIN E RRJETIT TË UJËRAVE TË SHIUT NË ZONËN URBANE TË QYTETIT TË DURRËSIT, FAZA E PARË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto – Romanos – Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit, faza e parë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Durrës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 17 853 204 (shtatëmbëdhjetë milionë e tetëqind e pesëdhjetë e tre mijë e dyqind e katër) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 17 853 204 (shtatëmbëdhjetë milionë e tetëqind e pesëdhjetë e tre mijë e dyqind e katër) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Durrës.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Durrës.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Durrës.
8. Bashkia Durrës kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Durrës.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Durrës për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Durrës për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Durrës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit të Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
 V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË KANDIDATËVE PËR KRYETAR TË KOMISIONIT TË PROKURIMIT PUBLIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të listës së kandidatëve të kualifikuar për kryetar të Komisionit të Prokurimit Publik, sipas renditjes në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Dërgimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë edhe të listës së kandidatëve të skualifikuar për mosparaqitje në intervistën e strukturuar me gojë, sipas aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M 
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Erjona Bejleri emërohet zëvendësministër i Financave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M 
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të  ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Adela Xhemali, zëvendësministër i Financave, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.