Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Tetor 2020

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Tetor 2020:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MALIT TË ZI, PËR BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E DIASPORËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Malit të Zi, për bashkëpunimin në fushën e diasporës, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE” TRUALL, TË NJË SIPËRFAQEJE NË PASURINË ME NUMËR 171/54 DHE TË NJË SIPËRFAQEJE NË PASURINË ME NUMËR 171/60, ZONA KADASTRALE 3737, BASHKIA ROSKOVEC

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndryshimit të statusit nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të një sipërfaqeje prej 40 (dyzet) m2 të pasurisë me numër 171/60 dhe të një sipërfaqeje prej 833.6 (tetëqind e tridhjetë e tre, pikë gjashtë) m2, të pasurisë me numër 171/54, zona kadastrale 3737, Bashkia Roskovec, sipas certifikatës së pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Fier, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, për sipërfaqen ndërtimore sipas lidhjes nr.1, të pasurive me numër 171/54 dhe 171/60, zona kadastrale 3737, Bashkia Roskovec.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Fier dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, ME SHKËMBIM NOTASH, NDЁRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË JAPONEZE, MBI NDIHMËN GRANT TË JAPONISË “PROGRAMI I ZHVILLIMIT EKONOMIK DHE SOCIAL” (SIGURIMI I PAJISJEVE MJEKËSORE)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë japoneze, mbi ndihmën grant të Japonisë “Programi i zhvillimit ekonomik dhe social” (Sigurimi i pajisjeve mjekësore), sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.431, DATË 26.6.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI I SHESHIT “ITALIA”, TIRANË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shkronja “b”, e pikës 4, të vendimit nr.431, datë 26.6.2019, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) Fondi prej 67 402 334 (gjashtëdhjetë e shtatë milionë e katërqind e dy mijë e treqind e tridhjetë e katër) lekësh, nga fondet e buxhetit të vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.17, DATË 15.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT, KRITERET DHE RREGULLAT PËR ZBATIMIN E PROGRAMEVE TË NXITJES SË PUNËSIMIT NËPËRMJET PUNËSIMIT, FORMIMIT NË PUNË DHE PRAKTIKAVE PROFESIONALE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 11, të ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 4, të kreut II, të vendimit nr.17, datë 15.1.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në shkronjën “a”, fjalët “… shoqëri tregtare të regjistruara …” zëvendësohen me “… persona fizikë apo juridikë të regjistruar …”.

b) Në shkronjën “e”, fjalët “… shoqëri tregtare …” zëvendësohen me “… persona fizikë apo juridikë …”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE, TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR MAQELLARË – PESHKOPI”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik të pronarëve, të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i segmentit rrugor Maqellarë – Peshkopi”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen për pasuritë e llojit “tokë arë” dhe kultura bujqësore “drufrutorë”, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me një vlerë të përgjithshme prej 1 198 195 (një milion e njëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e pesë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasuritë e llojit “tokë arë” dhe kultura bujqësore “drufrutorë”, me vlerë 1 198 195 (një milion e njëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e pesë) lekë, do të përballohet nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

5. Shpenzimet procedural, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Dibër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Dibër, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.

11. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Dibër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.654, DATË 14.9.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE ORGANIKËS SË AGJENCISË SË OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 17, të ligjit nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.654, datë 14.9.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Numri i punonjësve të Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) të jetë, gjithsej, 185 veta.”.

2. Shtojca I, që përmendet në pikën 1, zëvendësohet me shtojcën I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Shtojca II, që përmendet në pikën 2, zëvendësohet me shtojcën II, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.