Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Dhjetor 2023:
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË MENAXHIMIT TË GARANCIVE DHE KREDIVE TË PAKTHYERA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të pikës 3, të nenit 3, të ligjit nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera (në vijim, Agjencia) është person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për financat, me seli në Tiranë.
2. Agjencia financohet nga buxheti i shtetit. Buxheti i Agjencisë përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për financat.
3. Agjencia ka për mision sigurimin e menaxhimit të skemave të veçanta të garancive të huas, si dhe trajtimin e kredive të transferuara nga bankat tregtare të nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror pas privatizimit të tyre, në përputhje me rregullat e përcaktuara në ligjin nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AGJENCISË PËR MENAXHIMIN E GARANCIVE DHE KREDIVE TË PAKTHYERA
Agjencia ka këto përgjegjësi:
a) Organizimin e punës për menaxhimin e skemave të veçanta të garancive shtetërore të huas;
b) Organizimin e punës për kthimin e garancive, huave dhe nënhuave;
c) Organizimin e punës për trajtimin e kredive të transferuara nga bankat tregtare të nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror pas privatizimit të tyre;
ç) Organizimin e punës për trajtimin e portofolit të investimeve të kryera në banesa nga shoqëria “INSIG”, sh.a., para privatizimit të saj.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË
1. Agjencia e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Agjencia organizohet në nivel qendror.
2. Me qëllim përmbushjen e misionit, të funksioneve dhe të përgjegjësive funksionale të saj, Agjencia:
a) mbledh detyrimet e huamarrësve kundrejt ministrisë përgjegjëse për financat për detyrimet që kanë lindur si rezultat i pagesës së garancive nga ministria përgjegjëse për financat dhe si rezultat i marrëdhënies së huadhënies e nënhuazimit të fondeve;
b) verifikon dhe konfirmon përmbushjen e kërkesave të marrëveshjeve të garancisë në tipat e kontratave bankare;
c) administron informacionin dhe dokumentacionin e skemave të veçanta të garancisë;
ç) monitoron shlyerjen e detyrimeve të huamarrësve ndaj ministrisë përgjegjëse për financat për pagesat e kryera nga kjo e fundit, në kuadër të marrëveshjeve të garancisë;
d) kryen mbikëqyrjen e kushteve financiare të të gjithë huamarrësve, që kanë marrë garanci nga skemat që ajo menaxhon dhe u kërkon huamarrësve informacionin e nevojshëm për realizimin e kësaj mbikëqyrjeje.
3. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon të gjithë veprimtarinë e saj dhe përgjigjet para ministrit përgjegjës për financat. Drejtori i Përgjithshëm përfaqëson Agjencinë në marrëdhënie me të tretët. Ai emërohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat, sipas përcaktimeve të ligjit nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”.
4. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohet me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
5. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm, të nëpunësve dhe të punonjësve administrativë të Agjencisë rregullohen sipas dispozitave në fuqi të Kodit të Punës.
6. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjellja e personelit të Agjencisë miratohet nga ministri përgjegjës për financat, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë.
7. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën zyrtare. Stema e Agjencisë ka shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
8. Vula e Agjencisë ka elementet dhe formën e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË KULTURËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Kulturës, sipas formularëve dhe planrilevimeve, bashkëlidhur këtij vendimi, për ushtrimin e veprimtarisë sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.
Lista përbëhet, gjithsej, nga 20 (njëzet) fletë formulari e 20 (njëzet) planrilevime dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
2. Ministrisë së Kulturës i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronave të përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi, t’i tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, NDЁRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKЁS SЁ SHQIPЁRISЁ DHE BANKËS ISLAMIKE PËR ZHVILLIM, PËR MARRËVESHJEN ISTISNA’A DHE MARRËVESHJEN E AGJENCISË ISTISNA’A, PËR NDËRTIMIN E SEGMENTIT QUKËS-QAFË PLLOÇË, SI PJESË E KORRIDORIT RRUGOR TIRANË-KORÇË, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.128/2013, DHE MARRËVESHJEN NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES ISTISNA’A DHE TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË AGJENCISË ISTISNA’A, PËR NDËRTIMIN E SEGMENTIT QUKËS-QAFË PLLOÇË, SI PJESË E KORRIDORIT RRUGOR TIRANË-KORÇË, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.73/2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, datë 21.4.2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, ndёrmjet Këshillit të Ministrave të Republikёs sё Shqipёrisё dhe Bankës Islamike për Zhvillim, për marrëveshjen Istisna’a dhe marrëveshjen e agjencisë Istisna’a, për ndërtimin e segmentit Qukës-Qafë Plloçë, si pjesë e korridorit rrugor Tiranë-Korçë, ratifikuar me ligjin nr.128/2013, dhe marrëveshjen ndryshuese të marrëveshjes Istisna’a dhe të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së agjencisë Istisna’a, për ndërtimin e segmentit Qukës-Qafë Plloçë, si pjesë e korridorit rrugor Tiranë-Korçë, ratifikuar me ligjin nr.73/2022, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT PËR BASHKËPUNIMIN E NDËRSJELLË, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA SHTETËRORE E PROGRAMIMIT STRATEGJIK DHE KOORDINIMIT TË NDIHMËS, DHE AGJENCISË FRANCEZE TË ZHVILLIMIT (AFD)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunimin e ndërsjellë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit (AFD), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.458, DATË 10.6.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FAKTORËVE DHE TË SITUATAVE QË MERREN PARASYSH NË VLERËSIMIN E RREZIQEVE TË PASTRIMIT TË PARAVE DHE FINANCIMIT TË TERRORIZMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4/2, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 4, të vendimit nr.458, datë 10.6.2020, të Këshillit të Ministrave, emërtimi “Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave” zëvendësohet me “Agjencia e Inteligjencës Financiare”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.538, DATË 29.7.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE TË DETAJUARA PËR NGRIRJEN E PËRKOHSHME TË FONDEVE APO TË PASURIVE TË TJERA TË PERSONAVE OSE ENTEVE TË SHPALLURA NGA STRUKTURAT PËRKATËSE TË KËSHILLIT TË SIGURIMIT TË KOMBEVE TË BASHKUARA APO ORGANIZATAT NDËRKOMBËTARE, KU REPUBLIKA E SHQIPËRISË ËSHTË PALË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10/1, të ligjit nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Kudo në vendimin nr.538, datë 29.7.2022, të Këshillit të Ministrave, emërtimi “Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave” zëvendësohet me “Agjencia e Inteligjencës Financiare”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.929, DATË 17.11.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE PËRDORIMIN E FONDIT TË VEÇANTË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 23.4.2011, “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të nenit 12, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 9, e vendimit nr.929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Përjashtimisht, për vitin 2023, fondi i veçantë i institucioneve qendrore buxhetore dhe jobuxhetore, institucioneve të vetëqeverisjes vendore, njësive të fondeve speciale, institucioneve publike të krijuara me ligj të posaçëm, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, në varësi të institucioneve qendrore dhe vetëqeverisjes vendore, nuk përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve.”.
2. Ngarkohen institucionet e përmendura në pikën 1 për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME E ZONAVE ARKEOLOGJIKE “A” DHE “B” TË QYTETIT TË SARANDËS, “KALASË SË LËKURËSIT” E “MANASTIRIT TË 40 SHENJTORËVE”, DHE MIRATIMIN E ZONIMIT E TË PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 9, dhe të dhe nënparagrafit “iv”, të pikës 3/b, të nenit 53, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Sarandës, “Kalasë së Lëkurësit” e “Manastirit të 40 Shenjtorëve”.
2. Miratimin e zonimit të zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Sarandës, “Kalasë së Lëkurësit” dhe “Manastirit të 40 Shenjtorëve”, sipas koordinatave dhe hartave të zonimit në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
4. Vendimi nr.428, datë 20.6.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Sarandës dhe miratimin e rregullores së administrimit”, shfuqizohet.
5. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe aktet nënligjore në fuqi.
6. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartat e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Sarandës në Gjeoportalin Kombëtar.
7. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Sarandë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË VEPRIMIT PËR ZBATIMIN E REZOLUTËS 1325 TË KËSHILLIT TË SIGURIMIT TË ORGANIZATËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA “PËR GRUAN, PAQEN DHE SIGURINË” 2023–2027, NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e planit të veprimit për zbatimin e rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara “Për gruan, paqen dhe sigurinë”, 2023 – 2027, në Republikën e Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministritë dhe institucionet e tjera përgjegjëse, të përcaktuara në planin e veprimit, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË VEPRIMIT PARANDALUES PËR GAZIN NATYROR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në zbatim të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e planit të veprimit parandalues për gazin natyror në Republikën e Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Enti Rregullator i Energjisë dhe Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT, NË ZONËN E RE PËR ZHVILLIM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE NR.11, UNIVERSITETI BUJQËSOR I TIRANËS, BASHKIA TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, dhe të vendimit nr.7, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për kushtet dhe procedurat për shpronësimet dhe/ose shkëmbimin e pronës për interes publik në funksion të procesit të rindërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, në funksion të procesit të rindërtimit, në zonën e re për zhvillim në njësinë administrative nr.11, Universiteti Bujqësor i Tiranës.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, në vlerën prej 133 968 072.50 (njëqind e tridhjetë e tre milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e shtatëdhjetë e dy pikë pesëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e kompensimit, prej 133 968 072.50 (njëqind e tridhjetë e tre milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e shtatëdhjetë e dy pikë pesëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
6. Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë origjinale ose dublikat, kartelën e pasurisë të rifreskuar, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Bashkisë Tiranë.
7. Shpronësimi fillon menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
8. Bashkia Tiranë kryen likuidimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të shpronësuar, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
9. Afati i kryerjes së shpronësimit në vlerë monetare do të jetë momenti i fillimit të realizimit të projektit.
10. Bashkia Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të kryejë regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë të pasurive, pronë private, të shpronësuara, sipas legjislacionit në fuqi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.239, DATË 20.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KËRKESAT TEKNIKE DHE FUNKSIONALE TË ZGJIDHJES SOFTWARE-IKE PËR PROCEDURËN E FATURIMIT DHE TË FISKALIZIMIT, SI DHE PROCEDURËN E KRITERET PËR REGJISTRIMIN E PRODHUESVE E TË MIRËMBAJTËSVE TË ZGJIDHJEVE SOFTWARE-IKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 10, të nenit 16, të ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.239, datë 20.3.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 1, pas fjalëve “… procedurën e kriteret për regjistrimin e prodhuesve e të mirëmbajtësve të programeve …” shtohen “, … dhe procedurën e monitorimit të shoqërive, të certifikuara si prodhues dhe/ose mirëmbajtës të zgjidhjeve software-ike”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 3.1, me këtë përmbajtje:
“3.1.Prodhuesit dhe/ose mirëmbajtësit e zgjidhjeve software-ike, pas certifikimit duhet të deklarojnë në platformën qendrore të faturave numrin real të bizneseve, pranë të cilave është instaluar software-i, të dhënat identifikuese për klientët, si dhe vlefshmërinë e kontratave të lidhura me ta. Prodhuesit dhe/ose mirëmbajtësit e zgjidhjeve software-ike përditësojnë në vazhdimësi këto të dhëna.”.
3. Në pikën 7 bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjën “a”, në fjalinë pas nënpikës “iv”, fjalët “… të paktën njërin nga …” shfuqizohen;
b) Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) Të ketë të ardhura vjetore të tatueshme mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë.”.
4. Në pikën 9 bëhen këto ndryshime :
a) Në paragrafin e parë brenda fjalëve “… për gjatë gjithë periudhës së regjistrimit, …” hiqet fjala “… gjithë …”;
b) Në shkronjën “a”. fjalët “… në më pak se …” zëvendësohen me “… deri në …”;
c) Në shkronjën “b”, fjalët “… por më pak se …” zëvendësohen me “… dhe deri në …”;
ç) Në shkronjën “c”, fjalët “… por më pak se …” zëvendësohen me “… dhe deri në …”.
5. Në pikën 10, fjalia e dytë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Në këtë rast, të gjitha shoqëritë që marrin pjesë në bashkimin e operatorëve ekonomikë paraqesin dokumentet e kërkuara, sipas këtij vendimi, dhe vlerësimi i kritereve kryhet për të gjithë pjesëmarrësit, me përjashtim të kërkesave të shkronjave “a”, “c” dhe “d”, të pikës 7, të cilat duhet të përmbushen minimalisht nga njëri prej pjesëmarrësve në bashkimin e operatorëve.”.
6. Në pikën 12, fjala “… ngarkojnë …” zëvendësohet me fjalët “… depozitojnë pranë AKSHI-t …”.
7. Pika 15 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“15. Komisioni i certifikimit, pas marrjes së informacionit të ardhur nga komisioni i monitorimit, i ngritur sipas pikës 16.2, të këtij vendimi, në rast se për operatorët prodhues/mirëmbajtës të zgjidhjeve software-ike të certifikuar kanë ndryshuar kriteret mbi bazën e të cilave janë certifikuar, vendos ricertifikimin e tyre, pasi të jetë rivlerësuar përmbushja e kërkesave, sipas kreut III, të këtij vendimi. Informacioni i përcjellë përmban të dhëna në lidhje me subjektin dhe kriteret konkrete që kanë ndryshuar, për të cilat nevojitet ricertifikimi i tij.”.
8. Pas pikës 16.1 shtohet pika 16.2, me këtë përmbajtje:
“16.2. AKSHI dhe DPT-ja, për monitorimin e zbatimit të këtij vendimi, me urdhër të përbashkët, ngrenë një komision të përhershëm me specialistë, sipas fushave të përkatësisë, të ndryshëm nga komisioni i ngritur sipas pikës 16, të këtij vendimi, i cili do t’i monitorojë prodhuesit dhe/ose mirëmbajtësit e zgjidhjeve software-ike, në mënyrë të detyrueshme, të paktën 1 (një) herë në vit, në bazë të analizës së riskut dhe sa herë konstatohet e nevojshme, bazuar në informacionet e marra. Ky komision shqyrton informacionet e ardhura nga strukturat e tjera në DPT apo tek AKSHI, nga palët e treta, si dhe nga ankesat e qytetarëve, në lidhje me shkeljet e kryera nga prodhuesit dhe/ose mirëmbajtësit e zgjidhjeve software-ike, duke kryer më tej monitorime apo kontrolle për verifikimin e informacionit të marrë.”.
9. Pika 18 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“18. Nëse komisioni i përhershëm, i ngritur sipas pikës 16.2, të këtij vendimi, konstaton se personi i certifikuar ka shkelur ndonjë nga dispozitat e këtij vendimi, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja dijeni për shkeljen e pretenduar, kryen verifikimet përkatëse, duke kërkuar të dhëna apo dokumente shtesë, sipas rastit edhe nga subjekti i certifikuar, ku është konstatuar shkelja, si dhe në çdo rast kërkon nga subjekti i certifikuar listën e tatimpaguesve, së bashku me të dhënat e kontaktit të tyre, të cilët kanë instaluar software-in e subjektit të certifikuar. Në përfundim të verifikimeve, komisioni harton një relacion sqarues dhe propozon masën përkatëse, të cilën ia përcjell titullarëve të AKSHI-t dhe DPT-së. Titullarët e AKSHI-t dhe DPT-së vendosin nëse do të shfuqizojnë ose jo certifikatën e dhënë. Vendimi për shfuqizimin e certifikatës, i marrë sipas kësaj pike, publikohet në një aneks të veçantë të regjistrit.
Subjektet e certifikuara gëzojnë të gjitha të drejtat dhe detyrimet e parashikuara nga Kodi i Procedurave Administrative.
Përgjegjësitë, detyrat, mënyra e monitorimit të prodhuesve dhe/ose mirëmbajtësve të zgjidhjeve software-ike, si dhe raportimi nga ana e komisionit të ngritur sipas pikës 16.2, të këtij vendimi, përcaktohen në mënyrë të hollësishme në rregulloren e përbashkët të AKSHI-t dhe DPT-së, të miratuar për këtë qëllim.”.
10. Pas pikës 21 shtohen pikat 21.1, 21.2, 21.3 dhe 21.4, me këtë përmbajtje:
“21.1. Konsiderohen shkelje të rënda, me pasojë revokimin e certifikatës, këto raste:
Heqja, shtimi apo ndryshimi i elementeve në faturat e lëshuara nga software-et e certifikuara;
Vënia në dispozicion apo hedhja në treg nga shoqëritë e certifikuara të software-eve të tjera të pacertifikuara;
Mosdeklarimi real i numrit të bizneseve pranë të cilave është instaluar software-i;
Mosdeklarimi real i klientëve, si dhe i vlefshmërisë së kontratave;
Shoqëritë e certifikuara pas përfundimit të afatit të garancisë nuk e rinovojnë atë në mënyrë të përsëritur;
Shoqëritë e certifikuara e instalojnë software-in në një numër më të madh biznesesh nga sa është vendosur garancia dhe nuk shtojnë vlerën e garancisë;
Kur komisioni i monitorimit, bazuar në informacionet e ardhura nga burimet e ndryshme, pas kryerjes së verifikimeve përkatëse, konstaton shkelje me pasojë revokimin e certifikatës.
21.2. Çdo shkelje tjetër e dispozitave të këtij vendimi, që nuk përfshihet në përcaktimet e pikës 21.1, të këtij vendimi, konsiderohet shkelje e lehtë dhe në këto raste komisioni i ngritur sipas pikës 16.2, të këtij vendimi, paralajmëron shoqërinë e certifikuar se, në rast përsëritjeje do të procedohet me revokimin e certifikatës. Gjithashtu, ky komision ia përcjell këtë informacion tatimpaguesve që rezultojnë se përdorin software-in e shoqërisë, tek e cila janë hasur problematika.
21.3. Në rastet kur komisioni i ngritur sipas pikës 16.2, të këtij vendimi, vendos revokimin e certifikatës, ky vendim hyn në fuqi pas kalimit të një afati 60 (gjashtëdhjetë) – ditor nga e nesërmja e njoftimit të tij pranë shoqërisë (prodhuesit/mirëmbajtësit të zgjidhjes software-ike). Komisioni merr masa të menjëhershme për njoftimin e tatimpaguesve, të cilët rezultojnë se përdorin software-in e kësaj shoqërie, për t’u regjistruar pranë një shoqërie tjetër të certifikuar. Brenda afatit 60 (gjashtëdhjetë) – ditor këta tatimpagues duhet të regjistrohen pranë një shoqërie tjetër të certifikuar.
21.4. Pas revokimit të certifikatës, garancia e vendosur sipas parashikimeve të pikës 9, të këtij vendimi, ekzekutohet menjëherë nga DPT-ja. Tatimpaguesit e përmendur në pikën 21.3, të këtij vendimi, dëmshpërblehen nga DPT-ja deri në masën e garancisë së vendosur nga shoqëria, në përpjesëtim me numrin e bizneseve të regjistruara pranë saj. Procedurat dhe mënyrat e dëmshpërblimit, sipas kësaj pike, rregullohen me urdhër të titullarit të DPT-së. Në rastin e prodhuesve dhe të mirëmbajtësve të zgjidhjeve software-ike për përdorim vetjak, si dhe në rastin e bankave të certifikuara në cilësinë e prodhuesve dhe të mirëmbajtësve të zgjidhjeve software-ike për regjistrimin e pagesave pa para në dorë të faturave elektronike, garancia kalon në favor të DPT-së.”.
II. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.332, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I AKSIT RRUGOR THUMANË – VORË – KASHAR””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.332 datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall”, “ndërtesë”, “pemëtore” dhe “pyll”, me një vlerë të përgjithshme prej 420 537 115.55 (katërqind e njëzet milionë e pesëqind e tridhjetë e shtatë mijë e njëqind e pesëmbëdhjetë pikë pesëdhjetë e pesë) lekësh.”.
2. Në pikën 4, vlera “179 008 557.70 (njëqind e shtatëdhjetë e nëntë milionë e tetë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë shtatëdhjetë) lekë” zëvendësohet me “420 537 115.55 (katërqind e njëzet milionë e pesëqind e tridhjetë e shtatë mijë e njëqind e pesëmbëdhjetë pikë pesëdhjetë e pesë) lekë”.
3. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.”.
4. Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.”.
5. Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Krujë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kamzë-Vorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Rurale 2, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit.”.
6. Tabelës bashkëlidhur vendimit i shtohet tabela që i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 90 000 (nëntëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
II. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Krujë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kamzë-Vorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Rurale 2, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.354, DATË 16.6.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR PROJEKTIMIN, NDËRTIMIN DHE MIRËMBAJTJEN E RRUGËS PORTI I JAHTEVE–BYPASS ORIKUM–DUKAT (URA E SHËN ELIZËS)””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.354 datë 16.6.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “tokë arë”, “truall”, “ndërtesë” dhe “pemëtore”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 23 128 876,3 (njëzet e tre milionë e njëqind e njëzet e tetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e gjashtë pikë tre) lekësh.
b) Në pikën 4 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
i. Vlera “20 838 377.3 (njëzet milionë e tetëqind e tridhjetë e tetë mijë e treqind e shtatëdhjetë e shtatë pikë tre) lekë” zëvendësohet me “23 128 876,3 (njëzet e tre milionë e njëqind e njëzet e tetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e gjashtë presje tre) lekë”;
ii. Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) vlera prej 2 290 499 (dy milionë e dyqind e nëntëdhjetë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekësh përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë.”.
c) Tabelës bashkëlidhur vendimit, i shtohet tabela që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
4. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
5. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.378, DATË 5.6.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLIT TEKNIK PËR PAJISJET RADIO, NJOHJEN E NDËRSJELLË TË VLERËSIMIT TË KONFORMITETIT TË TYRE DHE PËRCAKTIMIN E LISTËS SË STANDARDEVE TË HARMONIZUARA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 2, e 42, të ligjit nr.10489, datë 15.12.2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, i ndryshuar, si dhe të pikës 3, të nenit 79, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në tekstin e rregullit teknik për pajisjet radio, njohjen e ndërsjellë të vlerësimit të konformitetit të tyre dhe përcaktimin e listës së standardeve të harmonizuara, miratuar me vendimin nr.378, datë 5.6.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 3 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
1. Shkronja “a”, e pikës 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) pajisjet radio ndërveprojnë me aksesorë të ndryshëm, përveç pajisjeve të karikimit për kategoritë ose klasat e pajisjeve radio, të specifikuara në pjesën e parë të aneksit I/1, bashkëlidhur këtij vendimi dhe që referohen në mënyrë specifike në pikën 5, të këtij neni;”.
2. Pas pikës 4 shtohen pikat 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12 dhe 13, me këtë përmbajtje:
“5. Pajisjet radio brenda një kategorie ose klase të specifikuar në pjesën e parë të aneksit I/1 ndërtohen në përputhje me specifikimet për aftësitë e ushqimit/ngarkimit, të përcaktuara në aneks për kategorinë ose klasën përkatëse të pajisjeve radio.
6. Për pajisjet radio që mund të ngarkohen me karikues me tel, ministri, bazuar në zhvillimet teknologjike ose të tregut dhe pas konsultimit me AKEP-in, nxjerr udhëzim për:
a) modifikimin, shtimin ose heqjen e kategorive ose klasave të pajisjeve radio;
b) modifikimin, shtimin ose heqjen e specifikimeve teknike, përfshirë referencat dhe përshkrimet, në lidhje me prizën e karikimit dhe protokollin e komunikimit të karikimit për çdo kategori ose klasë të pajisjeve radio në fjalë.
7. AKEP-i vlerëson vazhdimisht zhvillimet e tregut, me qëllim identifikimin e kategorive ose klasave të pajisjeve radio, të afta për t’u ngarkuar me anë të karikimit me tel dhe përfshirja në pjesën e parë të aneksit I/1 lehtëson konsumatorin dhe redukton mbetjet mjedisore.
8. AKEP-i i paraqet ministrit një raport mbi vlerësimin e kryer sipas pikës 7, të këtij neni, tre vjet pas hyrjes në fuqi të këtij rregulli dhe më pas çdo 5 vjet.
9. Për pajisjet radio, që mund të ngarkohen me mjete të ndryshme nga karikimi me tel, bazuar në zhvillimet shkencore, teknologjike dhe të tregut, ministri nxjerr udhëzim:
a) për të prezantuar, modifikuar, shtuar, hequr kategoritë ose klasat e pajisjeve radio;
b) për të prezantuar, modifikuar, shtuar ose hequr specifikimet teknike, përfshirë referencat dhe përshkrimet, në lidhje me ndërfaqen/et e karikimit dhe protokollin/et e komunikimit të karikimit, për çdo kategori ose klasë të pajisjeve radio në fjalë.
10. Bazuar në ligjin për standardizimin publikohet lista e standardeve të harmonizuara që përcaktojnë specifikimet teknike për ndërfaqet e karikimit dhe protokollet e komunikimit të karikimit për pajisjet radio që mund të rimbushen edhe me mjete të ndryshme nga karikimi me tel.
11. Kërkesat në lidhje me përmbajtjen e standardeve të harmonizuara të kërkuara bazohen në vlerësimin e kryer për gjendjen aktuale të teknologjive të karikimit me valë për pajisjet radio, duke mbuluar veçanërisht zhvillimet në treg, depërtimin e tyre në treg, fragmentimin e tregut, performancën teknologjike, ndërveprueshmërinë, efikasitetin e energjisë dhe performancën e karikimit.
12. Në përgatitjen e udhëzimeve të përmendura në këtë nen në lidhje me pajisjet radio që mund të karikohen me anë të karikimit me tel, si dhe në lidhje me pajisjet radio që mund të karikohen me mjete të ndryshme nga karikimi me tel merret parasysh shkalla e pranimit në treg të specifikimeve teknike në shqyrtim, lehtësitë për konsumatorin, shkalla e reduktimit të mbetjeve mjedisore dhe fragmentimi i tregut që mund të pritet nga këto specifikime teknike.
13. Specifikimet teknike që bazohen në standardet shqiptare (SSH) dhe/ose evropiane ose ndërkombëtare përkatëse të disponueshme konsiderohen se përmbushin objektivat e përcaktuar në pikën 12, të këtij neni. Kur këto standarde nuk ekzistojnë ose kur AKEP-i, bazuar në vlerësimin e tij teknik përcakton se ato nuk i përmbushin objektivat në mënyrë optimale, mund të përcaktohen specifikime të tjera teknike që përmbushin më mirë këta objektiva.”.
Neni 2
Pas nenit 3 shtohet neni 3/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 3/1
Pajisjet radio pa pajisje karikimi
1. Kur një operator ekonomik u ofron konsumatorëve dhe përdoruesve të tjerë fundorë mundësinë për të blerë pajisje radio, të përcaktuara në pikën 5, të nenit 3, të këtij rregulli, së bashku me një pajisje karikimi, operatori ekonomik i ofron, gjithashtu konsumatorit dhe përdoruesve të tjerë fundorë mundësinë e marrjes së asaj pajisjeje radio pa pajisje karikimi.
2. Operatorët ekonomikë duhet të sigurojnë informacion nëse pajisja e karikimit përfshihet apo jo në pajisjen radio të përmendur në pikën 5, të nenit 3, të këtij rregulli.
3. Informacioni sipas pikës 2 të këtij neni duhet të jepet në një formë grafike, duke përdorur një piktogram të përshtatshëm për përdoruesit dhe lehtësisht të aksesueshëm, siç përcaktohet në pjesën e tretë të aneksit I/1 të këtij rregulli teknik.
4. Kur një pajisje radio vihet në dispozicion të konsumatorëve dhe përdoruesve të tjerë fundorë, piktogrami duhet të printohet në paketim ose të ngjitet në paketim. Piktogrami duhet të shfaqet në mënyrë të dukshme dhe të lexueshme dhe, në rastin e shitjes në largësi, të shfaqet afër treguesit të çmimit.
5. Si pasojë e ndryshimeve në pjesën e parë dhe të dytë të aneksit I/1, sipas përcaktimeve në nenin 3, të këtij rregulli, ose për shkak të ndryshimeve në kërkesat e etiketimit apo të progresit teknologjik, elementet grafike ose tekstuale të piktogramës mund të modifikohen përkatësisht në pjesën përkatëse të aneksit I/1.”.
Neni 3
Pas pikës 9, të nenit 10, shtohet pika 9/1, me këtë përmbajtje:
“9/1. Në rastin e pajisjeve radio të përmendura në pikën 5, të nenit 3, të këtij rregulli, udhëzimet përmbajnë informacion për specifikimet për aftësitë e karikimit të pajisjeve radio dhe pajisjet karikuese të përshtatshme, siç përcaktohet në pjesën e dytë të aneksit I/1. Përveç informacionit të përfshirë në udhëzime, informacioni do të shfaqet në një etiketë, sipas modelit të përcaktuar në pjesën e katërt të aneksit I/1. Etiketa duhet të printohet në udhëzime dhe në paketim ose të ngjitet në paketim. Në mungesë të paketimit, etiketa duhet të fiksohet me ngjitës te pajisja radio. Etiketa duhet të shfaqet në mënyrë të dukshme dhe të lexueshme dhe në rastin e shitjes në largësi, afër treguesit të çmimit. Kur madhësia ose natyra e pajisjes radio nuk e lejon ndryshe, etiketa mund të printohet si një dokument i veçantë që shoqëron pajisjen radio. Për reflektimin e ndryshimeve të miratuara në pjesën e parë dhe të dytë të aneksit I/1, sipas përcaktimeve në nenin 3, të këtij rregulli, ose kur diktohet nga ndryshimet e kërkesave të etiketimit apo për shkak të progresit teknologjik, elementet grafike ose tekstuale të pjesës së katërt të aneksit I/1 do të modifikohen përkatësisht, duke futur, modifikuar, shtuar ose hequr çdo detaj në lidhje me informacionin, elementet grafike ose tekstuale, siç përcaktohet në këtë nen.”.
Neni 4
Pas pikës 4, të nenit 12, shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:
“4.1 Kur pajisjet radio të përmendura në pikën 5, të nenit 3, të këtij rregulli, vihen në dispozicion të konsumatorëve dhe përdoruesve të tjerë fundorë, importuesi duhet të sigurojë që:
a) këto pajisje radio të kenë ose të pajisen me një etiketë në përputhje me pikën 9.1, të nenit 10, të këtij rregulli;
b) etiketa të jetë shfaqur në mënyrë të dukshme dhe të lexueshme dhe, në rastin e shitjes në largësi, të jetë vendosur afër treguesit të çmimit.”.
Neni 5
Pas pikës 2, të nenit 13, shtohet pika 2/1, me këtë përbajtje:
“2.1 Kur pajisjet radio të përmendura në pikën 5, të nenit 3, të këtij rregulli, i vihen në dispozicion konsumatorëve dhe përdoruesve të tjerë fundorë, shpërndarësit duhet të sigurojnë që:
a) pajisjet radio të kenë ose të pajisen me një etiketë, në përputhje me pikën 9/1, të nenit 10, të këtij rregulli;
b) etiketa të jetë shfaqur në mënyrë të dukshme dhe të lexueshme dhe, në rastin e shitjes në largësi, të jetë vendosur afër treguesit të çmimit.”.
Neni 6
Në pikën 1, të nenit 17, fjalët “… sipas përcaktimeve të nenit 3.” zëvendësohen me “… sipas përcaktimeve të pikave 1 dhe 5 të nenit 3”.
Neni 7
Në pikën 3, të nenit 21, fjalët “… do të jetë në gjuhën shqipe.” zëvendësohen me “… do të jetë në gjuhën zyrtare të vendit ku organi i miratuar/notifikuar është krijuar ose në një gjuhë lehtësisht të kuptueshme nga organi i miratuar/ notifikuar”.
Neni 8
Në nenin 35 bëhen këto ndryshime:
1. Titulli ndryshohet dhe zëvendësohet me “Procedura në nivel kombëtar për trajtimin e pajisjeve radio që paraqesin rrezik ose nuk janë në përputhje me kërkesat thelbësore”.
2. Në pikën 1, pas fjalëve “… për aspektet e mbrojtjes së interesit publik, …” shtohen “… ose që nuk përputhen me të paktën një nga kërkesat thelbësore të zbatueshme siç përcaktohet në nenin 3,…”.
Neni 9
Në pikën 1, të nenit 38, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Shkronjat “ë” dhe “g”, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“ë) mungesës, si pjesë shoqëruese e pajisjes radio, të informacionit sipas pikës 9/1, të nenit 10, të këtij rregulli, deklaratës EC të konformitetit ose të kufizimeve të përdorimit sipas përcaktimeve në pikën 11, të nenit 10, të këtij rregulli;
g) moszbatimit të përcaktimeve të pikës 1, të nenit 3/1 ose nenit 5.”.
2. Pas shkronjës “g” shtohen shkronjat “h”, “i”, dhe “j”, me këtë përmbajtje:
“h) piktogrami i përmendur në pikën 3, të nenit 3/1, ose etiketa siç referohet në pikën 9/1, të nenit 10, të këtij rregulli, nuk është hartuar saktë;
i) etiketa e përmendur në pikën 9.1, të nenit 10, të këtij rregulli, nuk shoqëron pajisjet radio në fjalë;
j) piktogrami ose etiketa nuk është ngjitur ose shfaqur në përputhje me pikën 3, të nenit 3/1, ose me pikën 9.1, të nenit 10, të këtij rregulli, përkatësisht.”.
Neni 10
Pas nenit 38 shtohet neni 39, me këtë përmbajtje:
“Neni 39
Dispozitë kalimtare
1. Masat e parashikuara për kategoritë ose klasat e pajisjeve radio, të përcaktuara në pikat 1.1 deri në 1.12, të pjesës së parë të aneksit I/1, zbatohen duke filluar nga data 1 janar 2025.
2. Masat e parashikuara për kategoritë ose klasat e pajisjeve radio, të përcaktuara në pikën 1.13, të pjesës së parë, të aneksit I/1, zbatohen duke filluar nga data 1 korrik 2026.”.
Neni 11
Pas aneksit I, bashkëlidhur rregullit, shtohet aneksi I/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Neni 12
Aneksi VIII, bashkëlidhur rregullit, zëvendësohet me aneksin me të njëjtin numër që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E STATUSIT TË VEÇANTË “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 5 YJE, STATUS SPECIAL”, APLIKUESIT “WHITE ROADS HOTEL”, SH.P.K
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special”, aplikuesit “White Roads Hotel”, sh.p.k.
2. Ngarkohet ministria përgjegjëse për turizmin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE PËR MBROJTJEN E VIKTIMAVE TË KRIMIT 2024–2030, TË PLANIT TË SAJ TË VEPRIMIT DHE TË PASAPORTËS SË TREGUESVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2024–2030, të planit të saj të veprimit dhe të pasaportës së treguesve, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, ministritë e linjës dhe institucionet e tjera përgjegjëse, të përcaktuara në strategji, në planin e veprimit dhe në pasaportën e treguesve, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA TË DREJTA TË PUNONJËSVE TË AGJENCISË SË MBIKËQYRJES POLICORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 62, pika 4, 66, pika 6, dhe 70, pikat 1, shkronjat “b”, “c” dhe “d”, dhe 3, të ligjit nr.128/2021, “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (në vijim punonjësi i Agjencisë), i emëruar në detyrë, i cili me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë transferohet ose emërohet, në përputhje me funksionin që mban, brenda strukturave qendrore dhe vendore të Agjencisë, përfiton pagesë për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit, si më poshtë vijon:
a) Nga 36 km deri 60 km, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë/muaj;
b) Nga 61 km deri 100 km, në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë/muaj;
c) Nga 101 km deri 150 km, në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë/muaj;
ç) Nga 151 km deri 200 km, në masën 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë/muaj;
d) Mbi 200 km, në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë/muaj.
Përfitimi i kësaj pagese vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit të Agjencisë, që nënkupton sistemimin me banesë në territorin që përkon me juridiksionin e njësisë strukturore të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ku punonjësi është caktuar.
2. Për përfitimin e pagesës, sipas pikës 1, të këtij vendimi, punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore paraqet në strukturën përgjegjëse të burimeve njerëzore dokumentacionin e poshtëshënuar:
a) Kërkesë me shkrim, ku është i punësuar si punonjës i Agjencisë;
b) Fotokopje të kartës së identitetit, certifikatën e gjendjes familjare;
c) Vërtetim nga organi i qeverisjes vendore, ku të vërtetohet vendbanimi i familjes dhe i vetë punonjësit të Agjencisë, pavarësisht nga gjendja civile;
ç) Vërtetim pranë drejtorive vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nëse punonjësi i agjencisë ka banesë në juridiksionin ku është transferuar;
d) Vërtetim pranë drejtorive vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nëse punonjësi i Agjencisë ka aplikuar për legalizim banese në juridiksionin ku është transferuar.
3. Kur punonjësi i Agjencisë transferohet ose emërohet në detyrë në punë jashtë vendbanimit të tij, dhe për këtë shkak, bashkëshorti ndërpret marrëdhëniet e punës, bashkëshorti ka të drejtë të përfitojë një pagë mujore në rast se nuk mund të punësohet në vendin e transferimit ose emërimit në punonjësit të Agjencisë. Paga mujore përfitohet deri në datën e punësimit të bashkëshortit, por jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) vite. Paga mujore është në masën 100 (njëqind) % të pagës mesatare mujore të vitit të fundit të punës, por, në çdo rast, jo më shumë se 150 (njëqind e pesëdhjetë) % të pagës minimale në shkallë vendi, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Paga mujore, sipas pikës 3, të këtij vendimi, rritet me të njëjtën masë, si dhe masa e indeksimit të pagave të të punësuarve në institucionet e administratës publike, sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave.
5. Për përfitimin e pagesës, sipas pikës 3, të këtij vendimi, punonjësi paraqet në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dokumentacionin e poshtëshënuar:
a) Kërkesë me shkrim, me gjenealitetet e plota, drejtuar strukturës përgjegjëse të burimeve njerëzore, në të cilën përcaktohen:
i. urdhri i transferimit;
ii. data e transferimit;
iii. arsyeja e transferimit;
iv. adresa ku ka banuar deri në momentin e transferimit;
v. adresa aktuale ku banon pas transferimit;
vi. qendra e punës ku ka punuar bashkëshortja/i, data dhe shkaku i largimit nga puna.
b) Për hartimin dhe miratimin e procedurës, njësia përgjegjëse e burimeve njerëzore kërkon nga punonjësi dokumentacionin, si më poshtë vijon:
i. Vërtetim të pagës mesatare mujore të vitit të fundit kalendarik të punës për pagesën e marrë nga bashkëshortja/bashkëshorti;
ii. Vërtetim nga sigurimet shoqërore për kontributet e derdhura nga bashkëshorti / bashkëshortja për periudhën e punësimit;
iii. Librezën e punës së bashkëshortes/it, ku të jetë cilësuar largimi nga puna për arsye të transferimit të bashkëshortes/it;
iv. Vërtetim nga zyra përkatëse e punësimit, ku të vërtetohet se bashkëshortja/i është regjistruar si punëkërkues i papunë dhe nuk i është ofruar punë në profesionin e saj/tij. Këtë vërtetim punonjësi e paraqet çdo 3 (tre) muaj në njësinë përgjegjëse të burimeve njerëzore;
v. Kontratën e qirasë së banesës ku punonjësi është i transferuar;
vi. Fotokopje të kartës së identitetit, certifikatën e gjendjes civile familjare;
vii. Vërtetim nga njësia administrative/bashkiake/bashkia, ku të vërtetohet vendbanimi i familjes dhe i vetë punonjësit të Agjencisë, pavarësisht nga gjendja civile.
6. Vjetërsia në punë e bashkëshortes/it konsiderohet vjetërsia e përgjithshme në punë, për të cilën janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, e pasqyruar në dokumentacion sipas procedurave për regjistrimin dhe evidentimin e kontributeve, me përjashtim të viteve të sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, shërbimit ushtarak për meshkujt, viteve të shkollimit në institucionet e arsimit të lartë dhe periudhave të trajtimit me pagesë papunësie.
7. Koha e qëndrimit pa punë e bashkëshortes/it të punonjësit të Agjencisë llogaritet në vjetërsinë e përgjithshme të punës, për efekt përfitimi pensioni pleqërie, invaliditeti e familjar, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Kontributi në degën e sigurimeve të pensioneve derdhet nga institucioni, sipas legjislacionit në fuqi për sigurimet shoqërore mbi bazën e pagesës së përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi.
8. Punonjësi i Agjencisë për rezultate të larta në punë, gjatë kryerjes së detyrave e shërbimeve të veçanta në realizimin e veprimtarive të Agjencisë, si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe shkeljeve të tjera të ligjit, përfiton shpërblim deri në 6 (gjashtë) paga mujore në vit. Ky shpërblim përballohet nga fondi i pagave të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe mund të jepet përgjatë të gjithë vitit kalendarik.
9. Për përfitimin e pagesës, sipas pikës 7, të këtij vendimi, drejtori i drejtorisë qendrore apo rajonale në Agjenci paraqet në strukturën përgjegjëse të burimeve njerëzore, në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, propozimin për shpërblim për punonjësin, duke e shoqëruar me relacionin për rezultatet konkrete të arritura. Pas shqyrtimit të propozimit dhe verifikimeve, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, nëpërmjet një vendimi të arsyetuar, miraton ose jo përfitimin e këtij shpërblimi.
10. Në rast sëmundjeje të rëndë apo fatkeqësie familjare, punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore përfiton ndihmë financiare në masën e 1 (një) page mujore (pagën më të lartë mujore të nivelit të ulët drejtues).
11. Për përfitimin e ndihmës financiare, sipas pikës 9, të këtij vendimi, punonjësi i Agjencisë paraqet në strukturën përgjegjëse të burimeve njerëzore, në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Për sëmundje të rëndë:
i. raport mjeko-ligjor nga spitali ku është shtruar;
ii. kopje të kartelës ekzaminuese të shtrimit në spital.
b) Në rast të vdekjes së një anëtari të familjes së tij (bashkëshorti/ja, prindërit apo fëmijët):
i. certifikatë familjare;
ii. certifikatë vdekjeje të familjarit.
12. Punonjësi i Agjencisë gëzon të drejtën e pushimit vjetor të pagueshëm, si më poshtë vijon:
a) 45 (dyzet e pesë) ditë kalendarike për punonjësit e nivelit të lartë drejtues;
b) 40 (dyzet) ditë kalendarike për punonjësit e nivelit të mesëm drejtues;
c) 35 (tridhjetë e pesë) ditë kalendarike për punonjësit e nivelit të ulët drejtues;
ç) 30 (tridhjetë) ditë kalendarike për punonjësit e nivelit ekzekutiv.
13. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti vjetor i miratuar për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
14. Vendimi nr.776, datë 19.11.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për disa të drejta të punonjësve të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, shfuqizohet.
15. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU