Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Maj 2020

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Maj 2020:

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E GARANCISË SHTETËRORE TË HUAS ME BANKAT TREGTARE PËR GARANTIMIN E HUAMARRJES SË TREGTARËVE OSE SHOQËRIVE TREGTARE PËR TË MUNDËSUAR FINANCIMIN E NEVOJSHËM PËR RIMËKËMBJEN E AKTIVITETIT TREGTAR TË NDIKUAR NGA SITUATA E KRIJUAR NGA COVID-19, SI EDHE PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE E TË KRITEREVE TË MARRËVESHJES SË GARANCISË DHE MARRËVESHJES SË MIRËKUPTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3 e 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e linjës së garancisë shtetërore në vlerën 15 000 000 000 (pesëmbëdhjetë miliardë) lekë, në favor të bankave tregtare që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, pjesë e skemës së garancisë që do të mundësojë huadhënien për tregtarët dhe shoqëritë tregtare për të siguruar fondet e nevojshme për kapital qarkullues dhe investime për të mbështetur rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar që është ndikuar nga situata e krijuar nga COVID-19.

2. Linja e garancisë shtetërore, që lëshohet në favor të secilës bankë tregtare, është, si më poshtë vijon:

⦁ Raiffeisen Bank sh.a. Albania, deri në vlerën 2 600 000 000 lekë;
Banka Tirana sh.a. deri në vlerën 850 000 000 lekë;
Banka Union sh.a. deri në vlerën 800 000 000 lekë;
Banka Intesa Sanpaolo Albania sh.a. deri në vlerën 1 200 000 000 lekë;
Banka Kombëtare Tregtare sh.a. deri në vlerën 2 550 000 000 lekë;
Banka OTP Albania sh.a. deri në vlerën 1 450 000 000 lekë;
Banka Procredit sh.a. deri në vlerën 600 000 000 lekë;
Banka Alpha Albania sh.a. deri në vlerën 950 000 000 lekë;
Banka Amerikane e Investimeve sh.a. deri në vlerën 650 000 000 lekë;
Banka Credins sh.a. deri në vlerën 2 800 000 000 lekë;
Banka e Bashkuar e Shqipërisë sh.a. deri në vlerën 150 000 000 lekë;
Banka e Parë e Investimeve, Albania sh.a.
deri në vlerën 400 000 000 lekë.

3. Marrëveshjet e garancisë janë sipas kushteve dhe kritereve të marrëveshjes tip që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4. Ministri i Financave dhe Ekonomisë ka të drejtë që, pas 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga data e nënshkrimit të marrëveshjeve përkatëse, nëse është e nevojshme, sipas raportit të strukturës së posaçme ndërinstitucionale, i propozon Këshillit të Ministrave rialokimin e shumës së garancisë, nga huadhënësi që nuk e ka ezuaruar shumën e garancisë në favor të tij te huadhënësi që e ka ezauruar atë plotësisht.

5. Autorizohet ministri i Financave dhe Ekonomisë për nënshkrimin e marrëveshjeve të garancisë me secilën nga bankat tregtare.

6. Marrëveshja e mirëkuptimit, e cila nënshkruhet nga huamarrësi, përmban kushtet dhe kriteret sipas marrëveshjes tip të integruar si aneks në marrëveshjen tip të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi.

7. Kryeministri miraton me urdhër strukturën e posaçme ndërinstitucionale, e cila monitoron, shqyrton dhe raporton periodikisht pranë ministrit të Financave dhe Ekonomisë në lidhje me ecurinë e garancisë shtetërore, si dhe trajton çështje mbi mbarëvajtjen dhe unifikimin e zbatimit të parashikimeve të kësaj marrëveshjeje.

8. Ministria e Financave dhe Ekonomisë mund të kërkojë këshillim/asistencë nga Banka e Shqipërisë, gjatë implementimit të marrëveshjeve të garancisë. Ky bashkëpunim mund të rregullohet edhe nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi.

9. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E KUFIJVE TË PARKUT ARKEOLOGJIK DURRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 212, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Përcaktimin e kufijve të Parkut Arkeologjik Durrës sipas koordinatave gjeografike, hartës së zonifikimit dhe shtojcave, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Kufijtë e Parkut Arkeologjik Durrës ndodhen brenda zonës arkeologjike “A” të qytetit të Durrësit, të shpallur me vendimin nr.786, datë 26.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Durrësit dhe të planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre”, i konceptuar në formë ishujsh.

3. Plani i përgjithshëm vendor i Bashkisë Durrës merr në konsideratë kufijtë e zonifikimit të Parkut Arkeologjik Durrës.

4. Rregullat për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e Parkut Arkeologjik Durrës i nënshtrohen legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore.

5. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor që të publikojë hartën për përcaktimin e kufijve të Parkut Arkeologjik Durrës në Gjeoportalin Kombëtar.

6. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E LETËRMARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF0B1063, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM/SHOQATËS NDËRKOMBËTARE PËR ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA QEVERIA E KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA SEKRETARIATI SHTETËROR ZVICERAN PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE (SECO), NË KUADËR TË FONDIT TË BESIMIT ME DONATORË TË VETËM SECO, PËR FUQIZIMIN E KAPACITETEVE MBIKËQYRËSE TË AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES FINANCIARE NË SHQIPËRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e letërmarrëveshjes së grantit nr.TF0B1063, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim/Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga qeveria e Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), në kuadër të fondit të besimit me donatorë të vetëm SECO, për fuqizimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në Shqipëri, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E LISTËS DHE TË TARIFAVE TË SHËRBIMEVE KADASTRALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 63, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë

 

V E N D O S I:

I. SHËRBIMET DHE TARIFAT

1. Ky vendim përcakton shërbimet publike kadastrale që ofron Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në zbatim të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, mënyrën e aplikimit dhe tarifat standarde për çdo shërbim.

2. Lista e shërbimeve kadastrale dhe tarifat standarde janë sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Nga lista e shërbimeve të miratuara me këtë vendim, këshilli drejtues i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përzgjedh ato që mund të ofrohen edhe në mënyrë të përshpejtuar, si dhe tarifat e diferencuara që aplikohen në këtë rast. Vlera e tarifës së diferencuar, në asnjë rast nuk mund të kalojë dyfishin e vlerës së tarifës standarde.

4. Tarifa ka për qëllim të mbulojë shpenzimet për procedurat administrative që ASHK-ja kryen, pavarësisht nëse shërbimi i kërkuar nuk mund të realizohet për shkaqe të ligjshme, në përputhje me ligjin “Për kadastrën” dhe me legjislacionin në fuqi. Në rastet kur shërbimi refuzohet, vlera e parapaguar e tarifës nuk i kthehet subjektit të interesuar. Përjashtimisht, për shërbimet që i nënshtrohen kamatëvonesës në regjistrim sipas aneksit 1, në rast refuzimi, kthehet vetëm shuma e kamatëvonesës.

5. Për shërbimet kadastrale që përfshijnë më shumë se një pasuri, tarifa si rregull do të aplikohet për secilën nga pasuritë. Përjashtimisht, tarifimi nuk kryhet mbi bazë të numrit të pasurive, për shërbimet, si më poshtë vijon:

a) Shërbimi nr.50 “lëshim kopje të planshetës së hartës kadastrale”, i cili tarifohet mbi bazë të numrit të planshetave të kërkuara;
b) Shërbimi nr.52 “lëshim vërtetimi negativ/pozitiv”, i cili tarifohet në varësi të territorit (drejtorive vendore të ASHK-së) për të cilin kërkohet informacioni. Përjashtimisht, kur vërtetimi kërkohet për të gjithë territorin e vendit, tarifa ndryshon sipas vlerës së përcaktuar në aneksin 1.
c) Shërbimin nr.59, i cili tarifohet mbi bazën e numrit të faqeve të vendosura në dispozicion.

6. Të gjitha subjektet e interesuara, duke përfshirë edhe institucionet publike, e paraqesin kërkesën për shërbime kadastrale në rrugë digjitale-on-line, nëpërmjet platformës e-Albania. Tarifa e shërbimit paguhet në momentin e paraqitjes së kërkesës për shërbim nga subjekti i interesuar ose në momentin e dhënies së pëlqimit për përfitimin e shërbimit nëpërmjet noterit.

7. Nëse ASHK-ja, gjatë trajtimit të kërkesës, konstaton se për realizimin e saj është e nevojshme të kryhen edhe shërbime të tjera mbi pasurinë (ose se kërkesa përfshin pasuri të tjera për të cilat nuk është paguar tarifë shërbimi), ia njofton ato kërkuesit, duke e njohur edhe me tarifat përkatëse të shërbimit. Shërbimet realizohen pasi kërkuesi të ketë shlyer tërësinë e këtyre tarifave.

8. Të gjitha institucionet publike detyrohen të parashikojnë në projektbuxhetin e tyre shpenzimet e nevojshme për shlyerjen e tarifave të shërbimeve kadastrale.
Për shërbimet kadastrale që ofrohen në funksion të shpronësimeve për interes publik, organi qendror, vendor, apo subjekti privat përfitues i shpronësimit, detyrohet të parashikojë shumën e tarifave të shërbimeve kadastrale, si pjesë të shpenzimeve procedurale të tij.

9. Përjashtohen nga parapagimi i tarifave për shërbimet kadastrale me numër rendor 31;49;50;51;59;60;62;63;64, sipas aneksit 1, për efekt të realizimit të detyrimeve ligjore, institucionet, si më poshtë vijon:

a) Gjykatat;
b) Prokuroritë;
c) Policia e Shtetit;
ç) Institucionet që veprojnë në fushën e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve;
d) Autoriteti përgjegjës për deklarimin dhe kontrollin e pasurive;
dh) Autoriteti shtetëror përgjegjës për parandalimin e pastrimit të parave;
e) Autoriteti përgjegjës për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara;
ë) Avokati i Shtetit
Për Avokatin e Shtetit, shërbimet kadastrale për të cilat nuk parapaguhet janë dhe ato me numër rendor 33 dhe 65, sipas aneksit 1.

9.1. Institucionet e përmendura në pikën 9, të këtij vendimi, e paraqesin kërkesën për shërbime kadastrale, pranë strukturave vendore të ASHK-së, në rrugë digjitale-on-line, në përputhje me pikën 6, të këtij vendimi.

9.2. Ato duhet t’i shlyejnë drejtorisë vendore të ASHK-së, çdo muaj, shumën e tarifave të shërbimeve kadastrale të ofruara në favor të tyre gjatë muajit paraardhës. Në rast mosshlyerjeje të detyrimit të plotë brenda dy javëve, drejtoria vendore e ASHK-së ndërpret ofrimin e shërbimeve ndaj institucionit, deri në pagimin e tij.

10. Për të gjitha rastet e tjera që nuk parashikohen në pikën 9, të këtij vendimi, institucioni publik, si dhe çdo subjekt tjetër kërkues nuk përfitojnë shërbimet kadastrale pa paguar më parë tarifën përkatëse.
Përjashtimisht, në përputhje me pikën 3, të nenit 25, të ligjit “Për kadastrën”, për regjistrimin e titujve të pronësisë që ASHK-ja miraton në bazë të legjislacionit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, me akt nëligjor mund të parashikohen rregulla të veçanta për mënyrën e shlyerjes së tarifës së shërbimit nga përfituesit.

11. Shërbimet e korrigjimit të gabimeve në kartelë, hartë kadastrale ose certifikatë nuk tarifohen kur gabimi vjen nga veprimtaria e ASHK-së, në përputhje me nenin 16, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”. I njëjti rregull zbatohet edhe për procedurat e përmirësimit që kryhen sipas kreut VI, të këtij ligji.

II. DISPOZITA TË FUNDIT

12. Barrët hipotekore dhe sekuestrot mbi pasuritë e paluajtshme, të vendosura nga administrata tatimore dhe doganore, si dhe nga përmbaruesit gjyqësorë (shtetërorë dhe privatë), regjistrohen vetëm pasi të jetë paguar tarifa e shërbimit. I njëjti rregull zbatohet edhe për vendosjen në dispozicion të tyre të kopjeve të kartelave, hartave kadastrale, të informacionit dhe dokumentacionit mbi pasuritë e paluajtshme, si dhe për regjistrimin e kalimit të pronësisë nëpërmjet konfiskimit të administratës tatimore/doganore apo aktit të përmbaruesit gjyqësor.

13. Afati 30 (tridhjetë)-ditor pas të cilit aplikohen kamatëvonesat sipas nenit 25, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, si rregull llogaritet nga data e miratimit të aktit të pronësisë/të drejtave reale. Përjashtimisht, për titujt që burojnë nga aktet administrative, ose nga vendimet gjyqësore, nëse subjektet e interesuara provojnë se janë njoftuar në një datë të mëvonshme, llogaritja nis nga data e njoftimit të aktit/vendimit në përputhje me rregullat e Kodit të Procedurave Administrative ose Kodit të Procedurës Civile.

14. Përjashtohen nga tarifat sipas këtij vendimi shërbimet kadastrale që ofrohen për regjistrimin e pasurive të subjekteve përfituese sipas aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”. Vlera e këtyre tarifave kompensohet nga buxheti i shtetit në përputhje me pikën 3, të nenit 63, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”. Për këtë qëllim, ASHK-ja, brenda muajit tetor të çdo viti, i dërgon ministrisë përgjegjëse për financat, të dhënat për vlerën e tarifave të shërbimeve që u janë ofruar subjekteve të mësipërme, për 9 muajt e parë të vitit ushtrimor, si dhe për tremujorin e fundit të vitit ushtrimor paraardhës. Kjo shumë parashikohet në projektbuxhetin e shtetit të vitit vijues, për t’iu alokuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Procedurat e hollësishme për kompensimin e tarifave nga buxheti i shtetit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

15. Tarifat për shërbimet kadastrale bëhen publike në ambientet e çdo drejtorie dhe zyre vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

16. Vendimi nr.576, datë 29.8.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e listës së shërbimeve që ofron Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, dhe udhëzimi i përbashkët nr.5341/5, datë 7.9.2012, i ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Financave “Për miratimin e tarifave të shërbimit të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, shfuqizohen.

17. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E LISTËS SË STANDARDEVE TË HARMONIZUARA SHQIPTARE ME KARAKTER REFERUES PËR sigurinë e LODRAve, të VENDOSURA në AMBIENTE PUBLIKE DHE PRIVATE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, pika 12, dhe 5, të ligjit nr.10480, datë 17.11.2011, “Për sigurinë e përgjithshme të produkteve joushqimore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e listës së standardeve të harmonizuara shqiptare me karakter referues për sigurinë e lodrave, të vendosura në ambiente publike dhe private, sipas listës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Standardet e harmonizuara shqiptare, të paraqitura me numrat dhe tituj në listën sipas pikës 1, të këtij vendimi, shërbejnë si dokumente referencë për prezumimin e sigurisë së lodrave të vendosura në ambiente publike dhe private.

3. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS) dhe Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.433, DATË 8.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKIVE TË PYJEVE DHE KULLOTAVE PUBLIKE SIPAS LISTAVE TË INVENTARIT DHE AKTUALISHT NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË MJEDISIT E TË ISH-KOMUNAVE/BASHKIVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 18, të ligjit nr.48/2016, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar”, dhe të nenit 9, të ligjit nr.49/2016, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.433, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në pikën 3, numri rendor “…1 149 (një mijë e njëqind e dyzet e nëntë) …” zëvendësohet me “… 1 192 (një mijë e njëqind e nëntëdhjetë e dy) …”.
b) Në pikën 4, numri rendor “… 129 (njëqind e njëzet e nëntë) …” zëvendësohet me “… 171 (njëqind e shtatëdhjetë e një) …”.
c) Në pikën 5, numri rendor “… 412 (katërqind e dymbëdhjetë) …” zëvendësohet me “… 346 (treqind e dyzet e gjashtë) …”.
ç) Në pikën 6, numri rendor “… 892 (tetëqind e nëntëdhjetë e dy) …” zëvendësohet me “… 1 697 (një mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e shtatë) …”.
d) Në pikën 7, numri rendor “… 646 (gjashtëqind e dyzet e gjashtë) …” zëvendësohet me “… 1079 (një mijë e shtatëdhjetë e nëntë) …”.
dh) Në pikën 28, numri rendor “… 658 (gjashtëqind e pesëdhjetë e tetë) …” zëvendësohet me “… 649 (gjashtëqind e dyzet e nëntë) …”.
e) Në pikën 29, numri rendor “… 215 (dyqind e pesëmbëdhjetë) …” zëvendësohet me “… 79 (shtatëdhjetë e nëntë) …”.
ë) Në pikën 30, numri rendor “… 688 (gjashtëqind e tetëdhjetë e tetë) …” zëvendësohet me “… 682 (gjashtëqind e tetëdhjetë e dy) …”.
f) Në pikën 31, numri rendor “… 643 (gjashtëqind e dyzet e tre) …” zëvendësohet me “… 869 (tetëqind e gjashtëdhjetë e nëntë) …”.
g) Në pikën 32, numri rendor “… 631 (gjashtëqind e tridhjetë e një) …” zëvendësohet me “… 901 (nëntëqind e një) …”.
gj) Në pikën 33, numri rendor “… 561 (pesëqind e gjashtëdhjetë e një) …” zëvendësohet me “… 439 (katërqind e tridhjetë e nëntë) …”.
h) Në pikën 34, numri rendor “… 481 (katërqind e tetëdhjetë e një) …” zëvendësohet me “… 527 (pesëqind e njëzet e shtatë) …”.
i) Në pikën 35, numri rendor “… 2 793 (dy mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tre) …” zëvendësohet me “… 1 749 (një mijë e shtatëqind e dyzet e nëntë) …”.
j) Në pikën 36, numri rendor “… 1 108 (një mijë e njëqind e tetë) …” zëvendësohet me “… 1 395 (një mijë e treqind e nëntëdhjetë e pesë) …”.
k) Në pikën 38, numri rendor “… 1 739 (një mijë e shtatëqind e tridhjetë e nëntë) …” zëvendësohet me “… 2 157 (dy mijë e njëqind e pesëdhjetë e shtatë) …”.
l) Në pikën 39, numri rendor “… 486 (katërqind e tetëdhjetë e gjashtë) zëvendësohet me “… 565 (pesëqind e gjashtëdhjetë e pesë) …”.
ll) Në pikën 40, numri rendor “… 909 (nëntëqind e nëntë) …” zëvendësohet me “… 1 447 (një mijë e katërqind e dyzet e shtatë) …”.

2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shtojcat sipas pikave 3, 4, 5, 6, 7, 28, 29, 30, 31, 32, 33, 34, 35, 36, 38, 39 e 40 zëvendësohen me shtojcat me të njëjtin numër, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

3. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bashkitë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.687, DATË 22.11.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E METODOLOGJISË PËR PËRCAKTIMIN E ÇMIMIT VJETOR TË BLERJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE, QË DO T’U PAGUHET PRODHUESVE EKZISTUES ME PËRPARËSI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2 e 3, të nenit 22, të ligjit nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në pikën 3, të vendimit nr.687, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, fjalët “… në masën 1.30 …” zëvendësohen me “… në masën 1.20 …”.”

2. Ngarkohet ERE për përcaktimin e çmimit të aplikueshëm për prodhuesit ekzistues me përparësi, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË SHTETËRORE PËR SHPRONËSIMIN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 6, të nenit 11, të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.90/20l2, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin (në vijim ASHSH), është person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për zhvillimin urban, me seli në Tiranë.

2. Misioni i ASHSH-së është të garantojë që procedurat e shpronësimit ose të marrjes në përdorim të përkohshëm, për interes publik, të pasurive të personave fizikë ose juridikë privatë në të gjithë territorin e Republikën e Shqipërisë të realizohen në përputhje me kushtet dhe procedurat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi, duke garantuar transparencën, barazinë e shtetasve dhe mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të tyre pasurore.

3. ASHSH-ja ka këto fusha përgjegjësie:

a) Zbatimin e të gjitha procedurave të shpronësimit ose të marrjes në përdorim të përkohshëm, për interes publik, të pasurive të personave fizikë ose juridikë privatë;
b) Administrimin e fondeve të buxhetit të shtetit për shpronësime, për të gjitha njësitë e pushtetit ekzekutiv në njësitë e qeverisjes qendrore.

4. ASHSH-ja financohet nga buxheti i shtetit. Kursimet nga prokurimet publike të projekteve të investimeve në njësitë e pushtetit ekzekutiv të qeverisjes qendore, gjatë zbatimit të buxhetit vjetor, nuk përdoren nga vetë njësitë, por rialokohen në programin buxhetor për shpronësimet. Ministri përgjegjës për financat publike nxjerr udhëzim për këtë qëllim.
Tepricat e fondeve buxhetore që rezultojnë në mbyllje të vitit buxhetor, nga njësitë e pushtetit ekzekutiv të qeverisjes qendore, transferohen në llogarinë speciale të shpronësimeve, pranë Bankës së Shqipërisë, sipas përcaktimeve në ligjin vjetor të buxhetit.

II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË ASHSH-SË

ASHSH-ja ka këto përgjegjësi:

a) Të organizojë punën për planifikimin dhe trajtimin e kërkesave për shpronësim, të paraqitura nga subjektet kërkuese të shpronësimit dhe institucionet përkatëse;
b) Të organizojë punën për ndjekjen dhe realizimin e mbikëqyrjes së ecurisë së procedurave të procesit të shpronësimeve.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I ASHSH-SË

1. ASHSH-ja e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.

2. ASHSH-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj agjencie.

3. Drejtori i Përgjithshëm emërohet dhe lirohet nga detyra me vendim të Kshillit të Ministrave. Ai zgjidhet nga radhët e profesionistëve të fushave të inxhinierisë, të gjeodezisë, të drejtësisë, të ekonomisë ose të administrimit publik, me eksperiencë pune të paktën 3 vjet në organet e administratës shtetërore.

4. Drejtori i Përgjithshëm, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në këtë vendim dhe në legjislacionin në fuqi, kryen këto detyra:

a) Drejton aktivitetin e Agjencisë në fushën e zbatimit të legjislacionit për çështjet e shpronësimeve, sipas objektivave politikë të Këshillit të Ministrave, planeve strategjike dhe programeve të performancës;
b) Harton programe dhe miraton urdhra e udhëzime për funksionimin, zhvillimin, përmirësimin e aktivitetit, në zbatim të legjislacionit për çështjet e shpronësimeve;
c) Përfaqëson ligjërisht agjencinë në marrëdhënie me të tretët;
ç) Detyra të tjera të parashikuara në ligj apo në akte nënligjore.

5. Agjencia kryen detyrat, si më poshtë vijon:

a) Kryen procedurat e shpronësimit ose të marrjes në përdorim të përkohshëm, për interes publik, të pasurive të personave fizikë ose juridikë privatë, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë;
b) Përllogarit vlerën përfundimtare të shpronësimit, masën e shpronësimit për çdo pronë të prekur nga projekti i shpronësimit;
c) Mbikëqyr ecurinë e procedurave të procesit të shpronësimeve;
ç) Krijon dhe administron bazën e të dhënave për të gjitha shpronësimet dhe likuidimet e çdo shpronësimi;
d) Hyn në negociata me subjektet që shpronësohen, për sa i përket vlerës së shpronësimit dhe afatit të shlyerjes së kësaj vlere. Rregullat e hollësishme për mënyrën e negociimit me subjektet e shpronësuara përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për zhvillimin urban;
dh) Harton projektprogramin buxhetor afatmesëm dhe projektprogramin vjetor të veprimtarisë të vitit të ardhshëm financiar;
e) Mbështet ministrinë përgjegjëse për zhvillimin urban në hartimin e akteve ligjore apo nënligjore për shpronësimin;
ë) Çdo detyrë tjetër të përcaktuar në legjislacionin në fuqi.

6. Rregullorja për funksionimin e ASHSH-së, metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të saj, miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të kësaj agjencie.

7. Struktura dhe organika e ASHSH-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

8. Marrëdhëniet e punës se nëpunësve të ASHSH-së rregullohen në bazë të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm dhe të punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
9. ASHSH-ja ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria … (emri i ministrisë nga varet agjencia, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

10. Vula e ASHSH-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e përdorimit, të administrimit, të kontrollit dhe të ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

V. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Ngarkohet ministri përgjegjës për zhvillimin urban që të marrë masa për sistemimin e ASHSH-së në mjedise të përshtatshme pune.

2. Procedurat e pagesës në proces do të vazhdojnë të përmbyllen nga institucionet për aq fonde sa kanë në dispozicion për shpronësimet për vitin 2020.

3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i shtetit.

4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimet për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA DREJTORIA E PËRGJITHSHME E ARKIVAVE TEK AGJENCIA SHTETËRORE E KADASTRËS, TË MJEDISEVE TË ARKIVIT SHTETËROR VENDOR TË QARKUT TIRANË DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.660, DATË 4.8.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME, SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARKIVAVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, 13, 14 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 6 e 7, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës, të mjediseve të Arkivit Shtetëror Vendor të Qarkut Tiranë, të ndodhura në zonën kadastrale 8 330, me numër pasurie 8/114, sipas planimetrisë bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.660, datë 4.8.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme, shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegësi administrimi Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave”, të ndryshuar.

3. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “RIKONSTRUKSION I RRUGËS “MIHAL GRAMENO”, SI DHE DEGËZIMIT TË RRUGËS “BUDI” ME DEPON E UJIT (FAZA E DYTË)”, NË TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, si dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Rikonstruksion i rrugës “Mihal Grameno”, si dhe degëzimit të rrugës “Budi” me depon e ujit (faza e dytë)”, në Tiranë.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “truall”, me vlerë 63 241 575 (gjashtëdhjetë e tre milionë e dyqind e dyzet e një mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 63 241 575 (gjashtëdhjetë e tre milionë e dyqind e dyzet e një mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Tiranë.

8. Bashkia Tiranë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Jug, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Tiranë.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Jug, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Tiranë.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Jug për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR UNAZA LINDORE LOTI 3”, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Ndërtimi i segmentit rrugor Unaza Lindore Loti 3”, Tiranë.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “arë”, tokë “truall” dhe “ndërtesë” me vlerë të përgjithshme 959 423 147.57 (nëntëqind e pesëdhjetë e nëntë milionë e katërqind e njëzet e tre mijë e njëqind e dyzet e shtatë pikë pesëdhjetë e shtatë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 959 423 147.57 (nëntëqind e pesëdhjetë e nëntë milionë e katërqind e njëzet e tre mijë e njëqind e dyzet e shtatë pikë pesëdhjetë e shtatë) lekësh, të përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitet 2020-2021.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, në Autoritetin Rrugor Shqiptar.

8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë në favor të shtetit.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Rurale 1 dhe Tirana Jug si, dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SIGURIMIN E JETËS SË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 32, të ligjit nr.152/2015, “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore sigurojnë jetën e punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes Zjarri dhe Shpëtimin nga aksidentet gjatë kryerjes së shërbimit ose për shkak të tij.

2. Punonjësit, të cilët përfitojnë sigurim jete, janë vetëm punonjësit që kryejnë funksione operacionale.

3. Sigurimi i jetës nga aksidentet gjatë shërbimit ose për shkak të tij realizohet nëpërmjet lidhjes së kontratës së sigurimit me shoqëritë e sigurimeve, të përzgjedhura sipas rregullave për prokurimin publik.

4. Kontrata e sigurimit të jetës nga aksidentet të punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin mbulon ngjarjet aksidentale, si më poshtë vijon:

a) Vdekje si rezultat i aksidentit;
b) Paaftësi e përhershme gjatë shërbimit ose aftësi e kufizuar gjatë shërbimit, ose një lloj i caktuar dëmtimi si rezultat i një aksidenti gjatë shërbimit ose për shkak të tij;
c) Paaftësi e përhershme gjatë shërbimit ose aftësi e kufizuar gjatë shërbimit, ose një lloj i caktuar dëmtimi si rezultat i një sëmundjeje;
ç) Paaftësi e përkohshme si rezultat i një aksidenti;
d) Paaftësi e përkohshme si rezultat i një sëmundjeje;
dh) Shërbimet spitalore dhe/ose mjekësore në spitalet publike ose bazuar në marrëveshjen me shtetet e tjera për mbulimet shëndetësore që nuk ofrohen në spitalet publike të vendit.

5. Shuma e përcaktuar në kontratën e sigurimit, për çdo punonjës të siguruar, nuk mund të jetë më e ulët se 5 000 000 (pesë milionë) lekë.

6. Tarifa e primit të sigurimit përcaktohet në kontratën e sigurimit, por nuk mund të jetë më e ulët se 0.5%.

7. Kushtet standarde të kontratës së sigurimit, përfshirë tabelën e koeficientëve të përfitimit ndaj dëmtimeve trupore, të miratuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, shërbejnë si kushte minimale, të detyrueshme për t’u zbatuar nga shoqëritë e sigurimeve.

8. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi përballohen nga buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore.

9. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË NJË SIPËRFAQEJE TË PASURISË ME NUMËR 242/2, ZONA KADASTRALE 1031, BASHKIA DURRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen prej 150 m2, pjesë e pasurisë me numër 242/2, zona kadastrale 1031, Bashkia Durrës, sipas certifikatës së pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Durrës, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen prej 150 m2, pjesë e pasurisë me numër 242/2, zona kadastrale 1031, Bashkia Durrës.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Durrës dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË NJË SIPËRFAQEJE TË PASURISË ME NUMËR 64/40, ZONA KADASTRALE 3743, BASHKIA PATOS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen prej 3 160 m2, pjesë e pasurisë me numër 64/40, zona kadastrale 3743, fshati Verbas, njësia administrative Zharrës, Bashkia Patos, sipas certifikatës të pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Fier, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen ndërtimore sipas lidhjes nr.1, të pasurisë me numër 64/40, zona kadastrale 3743, fshati Verbas, njësia administrative Zharrës, Bashkia Patos.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Fier dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË NJË SIPËRFAQEJE TË PASURISË ME NUMËR 108/169, ZONA KADASTRALE 2420, BASHKIA POGRADEC

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen prej 555 m², pjesë e pasurisë me numër 108/169, zona kadastrale 2420, fshati Leshnicë, njësia administrative Çërravë, Bashkia Pogradec, sipas certifikatës të pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Korçë, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen ndërtimore prej 555 m², sipas lidhjes nr.1, të pasurisë me numër 108/169, zona kadastrale 2420, fshati Leshnicë, njësia administrative Çërravë, Bashkia Pogradec.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Korçë dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Pogradec për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË NJË SIPËRFAQEJE TË PASURISË ME NUMËR 51/56, ZONA KADASTRALE 3428, BASHKIA SHKODËR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen prej 565 m2, pjesë e pasurisë me numër 51/56, zona kadastrale 3428, Bashkia Shkodër, sipas certifikatës së pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Shkodër, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të sipërfaqes prej 565 m2, pjesë e pasurisë me numër 51/56, zona kadastrale 3428, Bashkia Shkodër.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Shkodër dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN SI ZONË TË LIRË TË NJË PJESE TË TERRITORIT DOGANOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË GJIRIN E VLORËS TË OBJEKTIT “PORT “VLORA-1””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 216, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Përcaktimin si zonë të lirë të një pjese të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë në Gjirin e Vlorës, të objektit “Port “Vlora-1””.

2. Planvendosja e zonës së lirë dhe pikat e hyrjes e të daljes përcaktohen në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

3. Ushtrimi i veprimtarisë në zonën e lirë do të autorizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pas plotësimit nga aplikuesi të kushteve dhe të kritereve të parashikuara në kuadrin ligjor e nënligjor në fuqi për këtë qëllim.

4. Të gjitha shpenzimet për rrethimin e zonës së lirë, plotësimin e kushteve të punës dhe për sistemet e monitorimit me videokamera e të ndriçimit, për ushtrimin e mbikëqyrjes nga autoritetet doganore, të përcaktuara në legjislacion, do të kryhen me shpenzimet e aplikuesit.

5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN SI ZONË TË LIRË TË NJË PJESE TË TERRITORIT DOGANOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PORTO-ROMANO

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 216, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Përcaktimin si zonë të lirë të një pjese të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë në Porto-Romano.

2. Planvendosja e zonës së lirë dhe pikat e hyrjes e të daljes përcaktohen në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

3. Ushtrimi i veprimtarisë në zonën e lirë do të autorizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pas plotësimit nga aplikuesi të kushteve dhe të kritereve të parashikuara në kuadrin ligjor e nënligjor në fuqi për këtë qëllim.

4. Të gjitha shpenzimet për rrethimin e zonës së lirë, plotësimin e kushteve të punës dhe për sistemet e monitorimit me videokamera e të ndriçimit për ushtrimin e mbikëqyrjes nga autoritetet doganore, të përcaktuara në legjislacion, do të kryhen me shpenzimet e aplikuesit.

5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN SI ZONË TË LIRË TË NJË PJESE TË TERRITORIT DOGANOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PORTO-ROMANO

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 216, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Përcaktimin si zonë të lirë të një pjese të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë në Porto-Romano.

2. Planvendosja e zonës së lirë dhe pikat e hyrjes e të daljes përcaktohen në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Ushtrimi i veprimtarisë në zonën e lirë do të autorizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pas plotësimit nga aplikuesi të kushteve dhe të kritereve të parashikuara në kuadrin ligjor e nënligjor në fuqi, për këtë qëllim.

4. Të gjitha shpenzimet për rrethimin e zonës së lirë, plotësimin e kushteve të punës dhe për sistemet e monitorimit me videokamera e të ndriçimit, për ushtrimin e mbikëqyrjes nga autoritetet doganore, të përcaktuara në legjislacion, do të kryhen me shpenzimet e aplikuesit.

5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.