Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Mars 2019:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E BUXHETIT PËR AUTORITETIN E KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE E POSTARE, PËR VITIN 2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 117, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e fondit të shpenzimeve të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP), për vitin 2019, në shumën 378 360 000 (treqind e shtatëdhjetë e tetë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT PËR IDENTIFIKIMIN, NDIHMËN E MENJËHERSHME DHE REFERIMIN E FËMIJËVE TË SHFRYTËZUAR EKONOMIKISHT, PËRFSHIRË FËMIJËT NË SITUATË RRUGE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 64, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim përcakton rregullat dhe procedurat për identifikimin, ndihmën e menjëhershme dhe referimin e fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikisht në sektorin formal dhe informal, përfshirë fëmijët në situatë rruge, si dhe rolet e përgjegjësitë e institucioneve përgjegjëse.
2. Në kuptim të këtij vendimi termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a. “Fëmijë në situatë rruge”, fëmija që varet nga rruga për të jetuar dhe/ose punuar vetëm, me moshatarë ose me familjen.
b. “Punë e ndaluar e fëmijës”, çdo punë e kryer nga fëmija, e cila është në kundërshtim me legjislacionin e punës dhe i shkakton dëm apo rrezikon shëndetin, zhvillimin mendor, fizik, shoqëror e social të fëmijës. Këtu përfshihet çdo punë e detyruar, si dhe çdo punë, e cila nuk lejon ose pengon fëmijën të ndjekë arsimin e detyruar.
II. ORGANIZIMI I PUNËS PËR IDENTIFIKIMIN PROAKTIV DHE REFERIMIN E FËMIJËVE TË SHFRYTËZUAR EKONOMIKISHT, PËRFSHIRË FËMIJËT NË SITUATË RRUGE
1. Struktura përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki është institucioni përgjegjës për organizimin e veprimtarisë lidhur me planifikimin e punës në terren, marrjen e masave për identifikimin, ndihmën e menjëhershme dhe referimin e rasteve të fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikisht, përfshirë fëmijët në situatë rruge.
2. Kjo strukturë harton një herë në vit hartën e zonave ku kryhet identifikimi i fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikisht, përfshirë fëmijët në situatë rruge. Harta përpilohet e përditësohet nga kjo strukturë në këshillim me institucione të tjera përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.
3. Drejtori i strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki ngre grupet e skuadrave të terrenit, harton dhe miraton planin e punës së strukturave të mbrojtjes së fëmijës në nivel vendor dhe skuadrave të terrenit për identifikimin në mënyrë proaktive në terren të fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikisht, përfshirë fëmijët në situatë rruge, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Në planin e punës përcaktohen sektorët e zonat ku identifikohen fëmijët që shfrytëzohen ekonomikisht, përfshirë fëmijët në situatë rruge, ora dhe kohëzgjatja e shërbimit mbi baza një mujore, kontaktet e punonjësit të mbrojtjes së fëmijës, kontaktet e anëtarëve të skuadrave të terrenit, kontaktet e koordinatorit të skuadrave të terrenit dhe personat e kontaktit në drejtorinë vendore të policisë ose në komisariatin e policisë që mbulon zonën.
4. Struktura përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki shkëmben me drejtorinë vendore të policisë/komisariatin e policisë që mbulon zonën dhe inspektoratin, që mbulon fushën e punës, kontaktet e punonjësit të mbrojtjes së fëmijës dhe të shërbimeve sociale ditore e rezidenciale për fëmijët e shfrytëzuar ekonomikisht, përfshirë fëmijët në situatë rruge, si dhe kontaktet e anëtarëve të skuadrave të terrenit.
5. Struktura përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki pajis skuadrat e terrenit me mjetet e punës për realizimin e procedurave të parashikuara në këtë vendim.
6. Drejtori i strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki, ngarkon një punonjës të Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijës, me detyrën e koordinimit dhe të mbikëqyrjes së skuadrave të terrenit.
7. Koordinatori i skuadrave të terrenit garanton zbatimin e planit për identifikimin në terren të fëmijës në nevojë për mbrojtje, si edhe mbledh të dhëna nga skuadra e terrenit për rastet e identifikuara të fëmijëve në nevojë për mbrojtje. Një kopje e planit të skuadrave të terrenit i dërgohet drejtorisë vendore të policisë.
8. Koordinatori i skuadrave të terrenit i paraqet drejtorit të strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki raportin mujor për veprimtarinë e skuadrave të terrenit dhe rastet e referuara. Ky raport u shpërndahet edhe drejtorëve të institucioneve të përfshira në këtë proces.
9. Skuadra e terrenit ngrihet në çdo bashki dhe përbëhet nga punonjës socialë të strukturave të mbrojtjes së fëmijës, të përcaktuara në ligjin nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës” dhe/ose përfaqësues të organizatave jofitimprurëse. Numri i anëtarëve të secilës skuadër terreni nuk duhet të jetë më shumë se tre.
10. Skuadra e terrenit mbikëqyr zonat që njihen si më të frekuentuara nga fëmijët që shfrytëzohen ekonomikisht, përfshirë fëmijët në situatë rruge.
11. Skuadra e terrenit jep ndihmën e parë, plotëson formën e vëzhgimit dhe vlerësimit të shpejtë, sipas aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe raporton me shkrim brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga momenti i identifikimit të fëmijës në nevojë për mbrojtje tek koordinatori i skuadrës së terrenit dhe punonjësi për mbrojtjen e fëmijës, që mbulon zonën ku është identifikuar rasti sipas aneksit 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
III. PROCEDURAT PËR IDENTIFIKIMIN, NDIHMËN E MENJËHERSHME DHE REFERIMIN E RASTEVE TË SHFRYTËZIMIT EKONOMIK, PËRFSHIRË FËMIJËT NË SITUATË RRUGE
1. Identifikimi proaktiv në terren nga skuadra e terrenit përfshin veprimet, si më poshtë vijon:
a) Vëzhgim i rregullt i fëmijës në mjedisin ku punon ose qëndron në rrugë; kontakt me fëmijët që punojnë nën moshën dhe kushtet e përcaktuara në legjislacionin e punës e me fëmijët dhe familjet e fëmijëve që janë në situatë rruge; vlerësim i shpejtë i situatës së fëmijës për të përcaktuar rrezikun e moshën;
b) Mbledhje e informacionit shtesë për fëmijën dhe gjendjen familjare, përfshirë dhe të rriturit që nuk janë kujdestarë ligjorë, me të cilët fëmija mund të jetë i lidhur;
c) Informim i kujdesshëm i fëmijës dhe të të rriturit të pranishëm për të drejtat e ndihmën që mund t’i ofrohet, për detyrimin ligjor që kanë kujdestarët për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe detyrimet që ka shteti për mbrojtjen e fëmijës që konsiderohet në situatë rreziku.
ç) Informim për alternativat e mundshme të ndihmës dhe dhënia e ndihmës së menjëhershme për ta larguar fëmijën nga situata e rrezikshme e shfrytëzimit ekonomik dhe/ose ajo e rrugës.
d) Referimi i rastit brenda 24 (njëzet e katër) orëve te koordinatori i skuadrës së terrenit dhe te punonjësi për mbrojtjen e fëmijës, që mbulon zonën ku është identifikuar rasti.
dh) Kryerjen e kallëzimit penal ndaj prindit/kujdestarit apo çdo personi tjetër, në rastet kur fëmija vazhdon të jetë në situatë rruge edhe pas njoftimit, referimit ose ofrimit të alternativave për ndihmë.
2. Kur skuadra e terrenit, përgjatë daljes në terren, identifikon një rast fëmije të shfrytëzuar ekonomikisht, përfshirë fëmijë në situatë rruge dhe vlerëson se fëmija është në rrezik të lartë e të menjëhershëm, sipas parashikimeve të vendimit nr.578, datë 3.10.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e referimit e të menaxhimit të rastit, hartimin dhe përmbajtjen e planit individual të mbrojtjes, financimin e shpenzimeve për zbatimin e tij, si dhe zbatimin e masave të mbrojtjes”, e referon menjëherë rastin pranë punonjësit për mbrojtjen e fëmijës.
IV. ROLI DHE PËRGJEGJËSITË E POLICISË SË SHTETIT
1. Çdo punonjës i policisë, që konstaton një fëmijë në rrezik të lartë dhe të menjëhershëm, merr fëmijën në mbrojtje dhe njofton menjëherë punonjësin e mbrojtjes së fëmijës në territorin ku është fëmija.
2. Skuadrat e terrenit dhe/ose punonjësi i mbrojtjes së fëmijës njoftojnë punonjësin e strukturave të Policisë së Shtetit në territorin ku veprojnë, në rastet kur:
a) fëmija është në situatë rreziku të lartë dhe të menjëhershëm;
b) skuadrat e terrenit organizojnë verifikime ose ndërhyrje në orët e vona të natës;
c) shfaqet qëndresë apo kundërshtim nga prindi, ose person tjetër i rritur, që mbikëqyr punën e fëmijës në sektorin informal ose shoqëron fëmijën në rrugë.
3. Në rastet kur punonjësit e skuadrës së terrenit dhe/ose punonjësi i mbrojtjes së fëmijës kanë bindjen ose dyshimin se ndaj fëmijës është kryer vepër penale, njoftojnë menjëherë me telefon sallën operative të Policisë së Shtetit.
4. Strukturat vendore përgjegjëse të Policisë së Shtetit shkëmbejnë informacion me strukturën përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijës në bashki, për kontaktet e punonjësit të Policisë së Shtetit, të ngarkuar për të ndjekur çështjet e fëmijëve në nevojë për mbrojtje.
V. ROLI DHE PËRGJEGJËSITË E INSPEKTORATIT QË MBULON FUSHËN E PUNËS PËR IDENTIFIKIMIN DHE REFERIMIN E FËMIJËVE TË SHFRYTËZUAR EKONOMIKISHT
1. Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore është struktura kryesore përgjegjëse për identifikimin e rasteve të fëmijëve që shfrytëzohen ekonomikisht.
2. Në rast se gjatë procesit të inspektimit të subjektit, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore konstaton se ka fëmijë që kryen/kryejnë punë të ndaluar, raporton menjëherë rastin pranë punonjësit të mbrojtjes së fëmijës në territorin ku është kryer inspektimi, sipas parashikimeve ligjore në fuqi.
3. Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe strukturat për mbrojtjen e fëmijës në nivel vendor, kryejnë inspektime për identifikimin e rasteve të fëmijëve që kryejnë punë të ndaluar dhe/ose shfrytëzohen ekonomikisht.
4. Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore shkëmben me Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dhe Policinë e Shtetit të dhënat e mbledhura nga raportimi vjetor i inspektimeve të punës së fëmijëve dhe masat e marra nga ky institucion.
VI. DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohen mekanizmat këshillimorë e koordinues institucionalë dhe strukturat për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, në nivel qendror dhe vendor, sipas paragrafëve 2, 3 e 4, të nenit 34, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, Policia e Shtetit dhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT E TRANSFERIMIT TË FONDIT GRANT “PËR PËRMIRËSIMIN E KUSHTEVE NË KONVIKTET E STUDENTEVE” TË BASHKISË TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Fondi në dispozicion të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në masën 300 000 000 (treqind milionë) lekë, në llogarinë ekonomike 604, të programit buxhetor 09450, “Arsimi i Lartë”, i trashëguar për vitin 2019, të përdoret me destinacion përmirësimin e kushteve në konviktet e studentëve të Bashkisë Tiranë.
2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, pas miratimit nga Komiteti i Ndihmës Shtetërore, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të transferohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë te përfituesi, ndërmarrja/et e trajtimit të studentëve, me pronar Bashkinë Tiranë, si transfertë në llogarinë e përfituesit në bankën e nivelit të dytë.
3. Transferimi i fondeve të realizohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, pas konfirmimit nga Bashkia Tiranë të ndërmarrjes/eve të trajtimit të studentëve, Tiranë, (përfituesi), dhe numrit të llogarisë bankare të tij/tyre në bankën e nivelit të dytë përkatëse.
4. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Bashkia Tiranë të monitorojnë mbarëvajtjen e punimeve për realizimin e projektit, sipas pikës 1, të këtij vendimi, nëpërmjet një grupi ekspertësh me përfaqësues nga të dyja institucionet.
5. Përbërja dhe detyrat e grupit të ekspertëve përcaktohen me urdhër të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Tiranë dhe ndërmarrja/et e trajtimit të studentëve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË, ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, SI QIRADHËNËS, DHE FONDACIONIT “FUNDJAVË NDRYSHE”, SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË NR.109, ME EMËRTIM “SHA RIPARIM ARTILERIE ”, E PËRBËRË NGA DISA SIPËRFAQE, TRUALL FUNKSIONAL DHE OBJEKTE, ME VENDNDODHJE NË BRAR, TIRANË, ME SIPËRFAQE TË PËRGJITHSHME 43 169 M2
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në vijim të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me ofertë të pakërkuar, me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, si qiramarrës, për pasurinë nr.109, me emërtim “SHA Riparim Artilerie”, e përbërë nga disa sipërfaqe, truall funksional dhe objekte, me vendndodhje në Brar, Tiranë, me sipërfaqe të përgjithshme 43 169 (dyzet e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë) m2, me afat 20 (njëzet) vjet.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe fondacioni “Fundjavë Ndryshe” për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi me botimin në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E LEJES SË POSAÇME “TRANS ADRIATIC PIPELINE”, AG, ZVICËR, PËR NDËRTIMIN DHE OPERIMIN E GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIK (TAP) NË TERRITORIN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, pikat 3.4, paragrafi ii, e 3.5; 5, pikat 5.1, 5.2 e 5.3; dhe 45, të “Marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP)”, ratifikuar me ligjin nr.116/2013, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Shoqëria Trans Adriatic Pipeline, AG (TAP AG) gjatë operimit të gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) zbaton kërkesat e përcaktuara nga ERE me vendimin nr.64, datë 13.6.2013, të bordit të komisionerëve të ERE-s, “Për amendimin e vendimit të bordit të komisionerëve të ERE-s, nr.27, datë 1.3.2013, “Për miratimin e përjashtimit të kushtëzuar të kompanisë TAP-AG prej kërkesave të neneve 9, 32 dhe 41(6), (8) dhe (10) të Direktivës 2009/73/EC për projektin Trans Adriatik Pipeline”, për marrjen në konsideratë të opinionit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë (nr.1/2013) dhe vendimit të Komisionit Evropian (C(2013) 2949” (Vendimi për përjashtim i ERE”).
2. Pas marrjes së lejes së posaçme, në përputhje me MQP-në dhe legjislacionin në fuqi, investitori i projektit ka përgjegjësinë të mirëmbajë gazsjellësin TAP operativ gjatë të gjithë vlefshmërisë së lejes së posaçme.
II. PËRKUFIZIME
Përkufizimet e përcaktuara në ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, në marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës (MQP), ratifikuar me ligjin nr.116/2013, të ndryshuar, dhe në vendimin nr.713, datë 25.8.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave për kushtet e procedurat për dhënien e lejeve për ndërtimin dhe përdorimin e tubacioneve e të infrastrukturës së sistemeve të gazit natyror”, zbatohen, për sa janë të aplikueshme në kontekstin e MQP-së, nëse nuk përcaktohet ndryshe në këtë vendim.
Ndërkohë, përkufizimet e mëposhtme kanë kuptimet, si më poshtë vijon:
1. “Mbajtësi i lejes së posaçme”, investitori i projektit;
2. “Lejet dhe licencat ekzistuese”, të gjitha lejet dhe licencat e çfarëdo lloji natyre, të lëshuara për investitorin e projektit nga shteti, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, lidhur me ndërmarrjen e cilësdo veprimtarie të projektit për ndërtimin dhe përdorimin e infrastrukturës shqiptare dhe të sistemit të gazsjellësit në përgjithësi;
3. “Pikë hyrje dhe/ose dalje”, pika(t) në infrastrukturën shqiptare, në territorin shqiptar, që do të shërbejnë për marrjen ose futjen dhe transportimin e gazit natyror në sistemin e gazsjellësit.
III. DHËNIA E LEJES SË POSAÇME
1. Investitorit të projektit i jepet kjo leje e posaçme për ndërtimin dhe operimin e gazsjellësit Trans Adriatik dhe të gjithë infrastrukturës shqiptare, që shërben për qëllimet e transmetimit të gazit natyror dhe lidhjes së tij me sistemet e vendeve fqinje, sipas kushteve dhe termave të MQP-së. Sistemi i gazsjellësit është projektuar të funksionojë me një kapacitet transporti që mund të rritet nga kapaciteti fillestar, prej 10 miliardë metrash kub gaz (BCM) në vit, deri në 20 miliardë metra kub gaz (BCM) në vit.
2. Në vijim të MQP-së dhe në përputhje me lejen e posaçme dhe leje të tjera të posaçme vijuese, mbajtësi i lejes së posaçme nuk është i detyruar të themelojë si dhe të veprojë nëpërmjet një shoqërie në Republikën e Shqipërisë, sipas pikave 2, 4, 5, 6, shkronja “a”, dhe 7, të vendimit nr.713, datë 25.8.2010, të Këshillit të Ministrave, dhe mbajtësit të lejes së posaçme nuk i imponohen kritere të mëtejshme lidhur me statusin e vet të veprimtarisë së biznesit, sipas legjislacionit shqiptar.
3. Kjo leje e posaçme është e zbatueshme lidhur me realizimin, ndërtimin dhe operimin e infrastrukturës shqiptare, në përputhje me skemën e miratuar me vendimin nr.1, datë 8.4.2014, të Këshillit Kombëtar të Territorit, “Për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për gazsjellësin Trans Adriatik (Projekti TAP)”, të ndryshuar, duke përfshirë edhe:
a) ndërtimin e një pike dalëse/hyrëse në afërsi të stacionit të kompresorëve në Topojë, Fier (SKO-3), në përputhje me vendimin nr.233, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e marrëveshjes së angazhimit për zhvillimin e tregut të gazit dhe të marrëveshjes për përfitimet vendase, të lidhura ndërmjet Republikës së Shqipërisë, e cila vepron nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline, AG, lidhur me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik.”;
b) një tjetër pikë dalëse/hyrëse, e parashikuar në seksionin 4.7.7, të vendimit të përjashtimit të ERE-s, duke i dhënë përparësi zonës së Kuçovës, Qarkut Berat si dhe çdo pike hyrëse dhe dalëse shtesë, në përputhje me seksionin 4.7.8, të vendimit të përjashtimit të ERE-s, duke përfshirë mundësinë e ofruar nga stacioni matës/kompresor i Bilishtit, Korçë (SKO-2);
Për miratimin e marrëveshjes së angazhimit për zhvillimin e tregut të gazit dhe marrëveshjes për përfitimet vendase, të lidhura ndërmjet Republikës së Shqipërisë, e cila vepron nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik
4. Kjo leje e posaçme lëshohet për një periudhë 30-vjeçare, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Afati i lejes mund të shtyhet në përputhje me dispozitat e MQP-së;
5. MQP-ja konsiderohet si marrëveshja e referuar në pikën 2, të nenit 11, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, dhe në pikën 18, të vendimit nr.713, datë 25.8.2010, të Këshillit të Ministrave, që lidhet ndërmjet investitorit të projektit dhe palës shtetërore ose autoritetit të pavarur, lidhur me lejen e posaçme.
6. Çdo kërkesë tjetër, sipas dispozitave ligjore të sipërpërmendura, konsiderohet e përmbushur plotësisht. MQP-ja ka hyrë në fuqi më 11.11.2014 (data efektive), sipas përcaktimit të pikës 2.2, të MQP-së.
IV. TRANSFERIMI I LEJES SË POSAÇME
1. Në përputhje me nenin 45.2, të MQP-së, leja e posaçme, e lëshuar në kuadër të këtij vendimi, mund t’i transferohet nga investitori i projektit, si mbajtësi i lejes së posaçme, çdo pale të tretë, që do të ndërmarrë ato veprimtari të autorizuara të projektit, të cilat lidhen me përdorimin e pjesës shqiptare të infrastrukturës, por vetëm në masën që ky transferim është në përputhje me MQP-në dhe nuk sjell mospërputhje me legjislacionin shqiptar mbi konkurrencën. Leja mund t’i transferohet përsëri investitorit të projektit, sipas zgjedhjes së këtij të fundit.
2. Në përputhje me nenin 45.2, të MQP-së, për qëllimet e transferimit të lejes së posaçme, investitori i projektit, në funksionin e mbajtësit të lejes së posaçme, duhet të marrë, paraprakisht, miratimin e autoriteteve shtetërore, bazuar në kërkesën e investitorit të projektit, miratim, i cili nuk mund të refuzohet në mënyrë të paarsyeshme dhe që duhet shqyrtuar brenda një periudhe 20-ditore.
V. RINOVIMI I LEJES SË POSAÇME
1. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ose çdo pasardhës ligjor i saj në sektorin e hidrokarbureve, përpara përfundimit të afatit të lejes së posaçme (përfshirë të gjitha lejet e posaçme vijuese, të lëshuara në përputhje me nenin 5.3, të MQP-së), pas miratimit me vendim nga Këshilli i Ministrave, i lëshon investitorit të projektit lejen e posaçme vijuese, me të njëjtat terma, kushte dhe kohëzgjatje prej 30 vitesh, pa nevojën e veprimeve nga ana e palëve shtetërore ose autoritetit të pavarur. Dispozitat e pikave 18, shkronja “c”, dhe 27, të vendimit nr.713, datë 25.8.2010, të Këshillit të Ministrave, (përfshirë të gjitha ndryshimet që mund të ndërmerren në këtë vendim), lidhur me rinovimin e lejes së posaçme, nuk zbatohen për investitorin e projektit.
2. Rinovimi i lejes së posaçme, sipas pikës 1, më lart, nuk kryhet nëse investitori i projektit, jo më vonë se dy vjet përpara përfundimit të afatit të lejes së posaçme dhe në përputhje me dispozitat e MQP-së, i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë apo pasardhësit të saj ndërprerjen përfundimtare të veprimtarive të projektit.
VI. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Brenda 30 ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, shoqëria TAP AG ekzekuton pagesën prej 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekësh, të përcaktuar sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 23, të vendimit nr.713, datë 25.8.2010 të Këshillit të Ministrave.
2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SЁ VERIUT, PËR THEMELIMIN E QENDRAVE KULTURORE DHE INFORMATIVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË DHE QENDRAVE KULTURORE DHE INFORMATIVE NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SЁ VERIUT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë sё Veriut, për themelimin e qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Shqipërisë dhe qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Maqedonisë sё Veriut, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE BAZË, TË SEKTORËVE QË DO TË MBËSHTETEN DHE TË MASËS SË FINANCIMIT NGA FONDI I PROGRAMIT PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL, PËR VITIN 2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, pika 3, dhe 36, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, të nenit 18, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, i miratuar në buxhetin e vitit 2019 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, shuma prej:
a) 495 000 000 (katërqind e nëntëdhjetë e pesë milionë) lekësh, në zërin “Transfertë në buxhetet familjare” (llogaria ekonomike 606), të përdoret për:
– rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve blegtorale e të peshkimit dhe uljen e kostove të prodhimit, nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara, për dorëzimin e qumështit si dhe për açuge dhe sardele të peshkuara;
– mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale;
– mbështetjen për Fermën Didaktike Eksperimentale, të Universitetit Bujqësor të Tiranës, për trajnimin dhe transferimin e njohurive në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural.
b) 125 000 000 (njëqind e njëzet e pesë milionë) lekësh, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të huaj” për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit” (llogaria ekonomike 231), të përdoret për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, përmirësimin e mekanizimit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit.
2. Masat e mbështetjes dhe të financimit të jenë, si më poshtë vijon:
a) Për tufën bazë të matrikulluar, për fermat me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1 000 (një mijë) lekë/krerë.
b) Dorëzim qumështi lëndë e parë, në vlerën 10 lekë për litër në pikat e përpunimit, për fermat me jo më pak se 10 krerë lopë kundrejt faturës tatimore të shitjes, por jo më shumë se 700 000 (shtatëqind mijë) lekë për subjekt.
c) Mbarështim i bletarisë me 1 000 (një mijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje, por masa e financimit të jetë jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë për subjekt.
ç) Mbështetje ndaj anijeve të peshkimit me flamur shqiptar, në vlerën 20 (njëzet) lekë/kg për açuge dhe/ose sardele të peshkuara. Pagesa të kryhet kundrejt sasive të tregtuara në stabilimentet shqiptare vetëm për qëllime përpunimi të këtyre produkteve, të vërtetuara me fatura tatimore dhe certifikatë zënieje. Në rastin kur anijet janë në pronësi ose të marra me qira nga stabilimentet e përpunimit të peshkut, pagesa të kryhet kundrejt sasive të verifikuara me certifikatë zënieje dhe/ose:
– faturave të shitjes së produkteve të përpunuara për në tregun vendas;
– të deklaratës doganore për eksportin e prodhimeve të përpunuara.
d) Mbjellje e ullinjve në vlerën 350 000 (treqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha, për format intensive të kultivimit, dhe në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha, për format tradicionale. Kur kultivari është autokton masa e financimit shtohet me 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë/ha.
Sipërfaqja e mbjellë me ullinj për fermerët individualë të jetë jo më pak se 0.2 ha, për grup fermerësh jo më pak se 1 ha, në një bllok të vetëm, për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB) jo më pak se 3 ha. Madhësia e ngastrës të jetë jo më pak se 0.2 ha, kur nuk është në bllok.
Masa e financimit për sipërfaqe të mbjellë të jetë:
– deri në 0.5 ha, me 100% të vlerës për ha;
– mbi 0.5-5 ha (4.5 ha e dytë) të rritet me 25% të vlerës për ha;
– mbi 5.0 -10 ha (5 ha e tretë), të rritet me 50% të vlerës për ha.
Masa e financimit për sipërfaqe të mbjellë, për aplikuesit me status SHBB:
– 3-5 ha, të rritet me 40% të vlerës për ha;
– mbi 5.0 -10 ha (5 ha e dytë), të rritet me 65% të vlerës për ha.
Pagesa për plotësimin e numrit të bimëve në ullishtet e vjetra/degraduara në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë/ha.
dh) Përmirësimi i teknikave të ujitjes, nëpërmjet instalimit të ujitjes me pika në ullinj, jo më shumë se 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha. Financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 0.2 ha.
e) Blerje e makinerive dhe e pajisjeve për vjeljen e ullirit, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5 000 000 (pesë milionë) lekë për subjekt.
ë) Blerje e makinerive dhe e pajisjeve për prodhimin e vajit të ullirit, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë për subjekt.
f) Mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 6 deri në 10 dhoma, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5 000 000 (pesë milionë) lekë për subjekt. Përfitues janë subjektet të cilët nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.
g) Mbështetje për investime në agroturizëm kundrejt planit të biznesit, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë për subjekt. Përfitues janë subjektet të cilët nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.
3. Mbështetje për Fermën Didaktike Eksperimentale (FDE), të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), në vlerën deri në 125 milionë lekë, nëpërmjet transferimit të fondit nga llogaria ekonomike 606 në llogarinë ekonomike 604 “Të tjera transferta të brendshme” për financimin e projekteve, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ekzekuton transferimin e fondit përkatës te UBT-ja, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e këtij fondi.
4. Përfitues të masave mbështetëse, nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, janë fermerët, personat fizikë, juridikë, SHBB-të dhe UBT-ja.
5. Kriteret, procedurat dhe mënyra e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
6. Nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2019, të përdoret shuma prej:
a) 83 000 000 (tetëdhjetë e tre milionë) lekësh, për pagesën e vlerës së palikuiduar për subjektet e shpallur fituese nga AZHBR-ja, në zbatim të vendimit nr.72, datë 7.2.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve bazë, të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2018”, të ndryshuar;
b) 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë detyrime, për pagesat e normës së interesave bankare për kontratat e lidhura.
7. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MBYLLJEN E NDËRMARRJES SHTETËRORE “QENDRA NDËRKOMBËTARE E KULTURËS “ARBNORI””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës publike”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbylljen e ndërmarrjes shtetërore “Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori””.
2. Ngarkohet Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori” të likuidojë detyrimet ndaj të tretëve.
3. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.286, datë 8.8.1991, “Për krijimin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës”, dhe nr.384, datë 6.3.2009, “Për mbylljen e përkohshme të veprimtarisë së ndërmarrjes shtetërore “Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori””, shfuqizohen.
4. Ngarkohet Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.760, DATË 19.12.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, TË PRONËS ME NR.98, ME EMËRTIMIN “GRUP DEPO (ISH-REPARTI USHTARAK NR.5011)”, DHE TË DISA SIPËRFAQEVE, TRUALL FUNKSIONAL DHE OBJEKTE, TË PRONËS NR.109, ME EMËRTIMIN “SH.A. RIPARIM ARTILERIE”, ME VENDNDODHJE NË BRAR, TIRANË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Mbrojtjes , Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.760, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Titulli i vendimin ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të disa sipërfaqeve, truall funksional dhe objekte, të pronës nr.109, me emërtimin “Sh.a. Riparim artilerie”, me vendndodhje në Brar, Tiranë.”;
b) Në pikën 1 hiqen fjalët “… të pronës me emërtimin “Grup Depo (ish- Reparti Ushtarak nr.5011)”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, dhe …”;
c) Në pikat 2 dhe 3, fjalët “… pronat e përcaktuara …” zëvendësohen me “… trualli funksional dhe objektet e pronës nr.109, të përcaktuara …”;
ç) Në pikën 4, fjala “… pronave …” zëvendësohet me “… truallit funksional dhe objekteve të pronës nr.109…”.
2. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë te Ministria e Mbrojtjes, të pronës nr.98, me emërtimin “Grup Depo (ish-Reparti Ushtarak nr.5011)”.
3. Prona nr.98, me emërtimin “Grup Depo (ish-Reparti Ushtarak nr.5011)”, i kthehet listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike dhe Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË MBI PARCELAT E OBJEKTEVE TË LEGALIZUARA DHE KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN PREJ TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 15/1, dhe të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 10 e 24, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, si dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë në favor të subjekteve përfituese për 681 (gjashtëqind e tetëdhjetë e një) parcela ndërtimore të objekteve të legalizuara dhe kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken prej tyre, sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Numri i parcelave ndërtimore, për të cilat miratohet kalimi i pronësisë sipas qarqeve, është, si më poshtë vijon:
a) Për Qarkun Berat (ZVRPP Berat, Kuçovë, Lushnjë), numri i parcelave ndërtimore është 27 (njëzet e shtatë), me sipërfaqe të përgjithshme 5 759 (pesë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e nëntë) m².
b) Për Qarkun Elbasan (ZVRPP Elbasan, Peqin, Librazhd, Gramsh), numri i parcelave ndërtimore është 179 (njëqind e shtatëdhjetë e nëntë), me sipërfaqe të përgjithshme 50 462 (pesëdhjetë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e dy) m².
c) Për Qarkun Tiranë (ZVRPP Tiranë dhe Kavajë), numri i parcelave ndërtimore është 142 (njëqind e dyzet e dy), me sipërfaqe të përgjithshme 36 442 (tridhjetë e gjashtë mijë e katërqind e dyzet e dy) m².
ç) Për Qarkun Fier (ZVRPP Fier, Lushnjë), numri i parcelave ndërtimore është 78 (shtatëdhjetë e tetë), me sipërfaqe të përgjithshme 30 250 (tridhjetë mijë e dyqind e pesëdhjetë) m².
d) Për Qarkun Shkodër (ZVRPP Shkodër), numri i parcelave ndërtimore është 11 (njëmbëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 3 753 (tre mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e tre) m².
dh) Për Qarkun Vlorë (ZVRPP Vlorë dhe Sarandë), numri i parcelave ndërtimore është 131 (njëqind e tridhjetë e një), me sipërfaqe të përgjithshme 38 721 (tridhjetë e tetë mijë e shtatëqind e njëzetë e një) m².
e) Për Qarkun Gjirokastër (ZVRPP Gjirokastër, Përmet), numri i parcelave ndërtimore është 46 (dyzet e gjashtë), me sipërfaqe të përgjithshme 9 201 (nëntë mijë e dyqind e një) m².
ë) Për Qarkun Lezhë (ZVRPP Lezhë), numri i parcelave ndërtimore është 4 (katër), me sipërfaqe të përgjithshme 1 067 (një mijë e gjashtëdhjetë e shtatë) m².
f) Për Qarkun Kukës (ZVRPP Kukës, Tropojë), numri i parcelave ndërtimore është 26 (njëzet e gjashtë), me sipërfaqe të përgjithshme 7 251 (shtatë mijë e dyqind e pesëdhjetë e një) m².
g) Për Qarkun Korçë (ZVRPP Korçë, Pogradec), numri i parcelave ndërtimore është 21 (njëzet e një), me sipërfaqe të përgjithshme 4 717 (katër mijë e shtatëqind e shtatëmbëdhjetë) m².
gj) Për Qarkun Durrës (ZVRPP Durrës), numri i parcelave ndërtimore është 13 (trembëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 3 182 (tre mijë e njëqind e tetëdhjetë e dy) m².
3. Masa e kompensimit financiar për pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet e legalizuara, referuar kartelave të pasurive sipas ZVRPP-ve, është 11 866,63 (njëmbëdhjetë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë presje gjashtëdhjetë e tre) m² dhe vlera totale e kompensimit financiar është 49 033 353,21 (dyzet e nëntë milionë e tridhjetë e tre mijë e treqind e pesëdhjetë e tre presje njëzet e një) lekë.
4. Vlera e miratuar e kompensimit financiar për numrat rendorë dhe pasuritë e mëposhtme vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, sipas kushteve vijuese:
a) Për numrin rendor nr.389, pasuria nr.141/26, në zonën kadastrale 3550, pas miratimit nga kreditori të vënies në dispozicion të shumës, sipas pikës 12, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”.
b) Për numrin rendor nr.502, pasuria nr.13/67, në zonën kadastrale 8642, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit, sipas pikës 15, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”.
5. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Berat, Elbasan, Peqin, Librazhd, Gramsh, Durrës, Tiranë, Fier, Lushnjë, Shkodër, Korçë, Pogradec, Lezhë, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Përmet, Kavajë dhe Kukës të regjistrojnë, brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, kalimin e së drejtës së pronësisë së parcelave ndërtimore dhe hipotekën ligjore mbi to, në përputhje me përcaktimet e pikave 15 e 16, të vendimit nr.1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, si dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”.
6. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Agjencia e Trajtimit të Pronës, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.546, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PAGAVE DHE SHTESAVE MBI PAGË TË PUNONJËSVE TË PËRFAQËSIVE DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË SHTETET E HUAJA, TË ATASHEVE USHTARAKË TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE PERSONELIT CIVIL TË MINISTRISË SË MBROJTJES QË SHËRBEJNË NË PËRFAQËSITË USHTARAKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PRANË NATO-S, NË ORGANIZATAT NDËRKOMBËTARE DHE NË SHTABET USHTARAKE NDËRKOMBËTARE, TË PUNONJËSVE SHQIPTARË PËR KOHËN QË SHËRBEJNË SI NËPUNËS NDËRLIDHËS PRANË QENDRËS SECI, TË PUNONJËSVE SHQIPTARË PËR KOHËN QË SHËRBEJNË SI OFICERË KONTAKTI, PRANË MINISTRIVE TË BRENDSHME HOMOLOGE TË SHTETEVE TË NDRYSHME TË ATASHUAR NË PËRFAQËSITË DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, të ligjit nr.9210, datë 12.2.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.Në vendimin nr.546, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në fund të titullit të vendimit shtohen fjalët “… dhe të punonjësve të sekretariatit të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural për kohën që shërbejnë si përfaqësues të kësaj ministrie pranë Misionit të Republikës së Shqipërisë në Bruksel …”.
b) Në fund të pikës 1/4 shtohen fjalët “… dhe punonjësit e sekretariatit të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural për kohën që shërbejnë si përfaqësues të kësaj ministrie pranë Misionit të Republikës së Shqipërisë në Bruksel …”.
c) Në kolonën “Pozicioni”, të lidhjes nr.4, që përmendet në pikën 5, pas emërtimit “oficer kontakti”, shtohet emërtimi “përfaqësues të sekretariatit të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural”.
2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të fillojnë nga momenti i emërimit të punonjësve në detyrë dhe të përballohen nga fondet e miratuara për sistemin e ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NGA FONDI REZERVË I BUXHETIT TË SHTETIT, MIRATUAR PËR VITIN 2019, DHE RISHPËRNDARJE FONDESH NDËRMJET PROGRAMEVE TË MINISTRISË SË ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË DHE MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 13 e 18, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në buxhetin e vitit 2019, në programin “Arsimi universitar”, në artikullin 604, i shtohet fondi prej 1 700 000 000 (një miliard e shtatëqind milionë) lekësh.
2. Efekti financiar, sipas pikës 1 të këtij vendimi, do të përballohet duke pakësuar fondet, si më poshtë vijon:
a) 380 000 000 (treqind e tetëdhjetë milionë) lekë në shpenzimet korrente në programin “Arsimi bazë”, të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
b) 300 000 000 (treqind milionë) lekë në shpenzimet korrente në artikullin 606, në programin “Përkujdesi social”, të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
c) 1 020 000 000 (një miliard e njëzet milionë) lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NGRITJEN E TASK-FORCËS PRANË MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNËT E JASHTME DHE TË NJËSISË PRANË MISIONIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PRANË ORGANIZATAVE NDËRKOMBËTARE NË VJENË, PËRGJEGJËSE PËR KRYESIMIN E GRUPIT TË KONTAKTIT TË MESDHEUT, ORGANIZATËS PËR SIGURI DHE BASHKËPUNIM NË EVROPË DHE GRUPIT TË KONTAKTIT PËR AZINË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe të nenit 11, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. TASK-FORCA NË MINISTRINË PËR EVROPËN DHE PUNËT E JASHTME
1. Në varësi të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme ngrihet Task-Forca, si institucion përgjegjës për kryesimin e:
a) Grupit të Kontaktit të Mesdheut (më poshtë referuar GKM), në kuadrin e OSBE-së, në vitin 2019;
b) Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (më poshtë referuar OSBE), në vitin 2020;
c) Grupit të Kontaktit për Azinë (më poshtë referuar GKA), në kuadrin e OSBE-së, në vitin 2021.
2. Task-Forca, e krijuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, ka si qëllim arritjen e këtyre objektivave:
a) Drejtimin me sukses të gjithë procesit të kryesimit të OSBE-së, GKM-së dhe GKA-së në periudhat e përcaktuara në pikën 1;
b) Drejtimin, në emër të Kryetarit të Radhës, të gjithë veprimtarisë së kryesimit të OSBE-së, nëpërmjet koordinimit të punës me Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë organizatave ndërkombëtare dhe ON në Vjenë;
c) Mbështetjen e përfaqësimit të Republikës së Shqipërisë si Kryetare e Radhës në OSBE;
ç) Mbikëqyrjen e aktiviteteve të OSBE-së, që lidhen me parandalimin e konflikteve, administrimin e krizave dhe të situatave postkonflikt në hapësirën e OSBE-së;
d) Drejtimin dhe koordinimin e punës ndërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (më poshtë MEPJ), institucionit të Presidentit të Republikës, Kuvendit dhe institucioneve të administratës shtetërore shqiptare për periudhën e kryesimit të OSBE-së, GKM-së dhe GKA-së;
dh) Hartimin dhe propozimin për miratim ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të prioriteteve dhe qëndrimeve të kryesimit të OSBE-së, GKM-së dhe GKA-së;
e) Evidentimin dhe përçimin e vlerave më të mira të politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë në ruajtjen dhe forcimin e paqes e të sigurisë, nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve dhe popujve në rajonet ku vepron OSBE-ja, në mbrojtje dhe respektim të të drejtave të njeriut.
3. Për realizimin e objektivave, sipas pikës 2, të këtij vendimi, Task-Forca kryen këto detyra:
a) Ndjek të gjitha zhvillimet që kanë të bëjnë me çështje të sigurisë, bashkëpunimit dhe ato të respektimit të të drejtave të njeriut në rajonin e OSBE-së dhe më gjerë;
b) Së bashku me Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë, angazhohet për organizimin e aktiviteteve në përputhje me prioritetet e kryesisë në tri dimensionet e OSBE-së;
c) Përgatit dhe koordinon aktivitetet që parashikon programi i kryesimit të OSBE-së;
ç) Përgatit programin e punës dhe prioritetet për kryesimin në GKM dhe GKA;
d) Në bashkëpunim me strukturat e MEPJ-së dhe ministritë e linjës, përgatit qëndrimet përkatëse për zhvillimet gjatë kryesimit të OSBE-së, GKM-së, GKA-së;
dh) Organizon agjendën e Kryetarit të Radhës së OSBE-së, ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, në funksion të vizibilitetit të nevojshëm dhe situatave të krijuara;
e) Organizon konferencën mesdhetare, takimin e ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të OSBE-së në Tiranë dhe Konferencën Aziatike;
ë) Kryeson, bashkërendon dhe raporton mbi aktivitetet e saj në takimet e Këshillit të Ministrave, Këshillit të Përhershëm dhe organeve të varësisë të OSBE-së;
f) Bashkëpunon me Sekretariatin e OSBE-së, institucionet dhe misionet e organizatës në terren për zbatimin e prioriteteve të Kryesisë.
4. Task-Forca varet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe, në mungesë të tij, nga njëri prej zëvendësministrave, dhe në përbërje ka:
a) diplomatë karriere;
b) nëpunës të emëruar nga ministritë e tjera;
c) ekspertë të jashtëm;
ç) nëpunës financierë dhe juristë;
d) personel teknik dhe mbështetës.
5. Task-Forca informon në vijimësi titullarin e MEPJ-së dhe, me miratimin e tij, institucionet qendrore shqiptare për çështje me rëndësi që dalin nga drejtimi i OSBE-së.
6. Trajtimi financiar për personelin e Task-Forcës është, si më poshtë vijon:
a) Diplomatët e karrierës trajtohen sipas pagës referuese të gradës diplomatike personale ose në përputhje me pozicionin e emërimit;
b) Nëpunësit e emëruar nga ministritë e tjera trajtohen sipas pagës për pozicionin e punës që mbulojnë në institucionet respektive;
c) Pagesa për ekspertët e jashtëm barazohet me pagën e nëpunësit civil të kategorisë III b;
ç) Pagesa për nëpunësit “financierë/juristë” barazohet me pagën e nëpunësit civil të kategorisë III b;
d) Pagesa për personelin teknik dhe mbështetës trajtohet sipas pagës referuese për pozicionin shofer dhe sekretar, të përcaktuar në vendimin nr.717, datë 23.6.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve mbështetës të institucioneve buxhetore dhe të nëpunësve të disa institucioneve buxhetore”, të ndryshuar.
7. Struktura e Task-Forcës përcaktohet me urdhër të Kryeministrit.
II. NJËSIA PRANË MISIONIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PRANË ORGANIZATAVE NDËRKOMBËTARE NË VJENË
1. Pranë Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë krijohet njësia përgjegjëse (më poshtë Njësia) për mbulimin e kryesimit të:
a) Grupit të Kontaktit të Mesdheut (GKM), në vitin 2019;
b) Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në vitin 2020; dhe
c) Grupit të Kontaktit për Azinë (GKA), në vitin 2021.
2. Njësia është përgjegjëse për mbulimin e të gjitha angazhimeve që rrjedhin për Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë nga kryesimi i GKM-së, OSBE-së dhe GKA-së.
3. Njësia është në varësi të Përfaqësuesit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë dhe ka në përbërje të saj:
a) diplomatë;
b) nëpunës të emëruar nga ministritë e tjera;
c) ekspertë të huaj të sekonduar;
ç) ekspertë të huaj të kontraktuar;
d) personel teknik dhe mbështetës.
4. Trajtimi financiar për personelin e Njësisë është, si më poshtë vijon:
a) Diplomatët trajtohen sipas pagës referuese të gradës diplomatike të emërimit, në përputhje me vendimin nr.546, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagave dhe shtesave mbi pagë të punonjësve të përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja, të atasheve ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe personelit civil të Ministrisë së Mbrojtjes, që shërbejnë në përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare, të punonjësve shqiptarë për kohën që shërbejnë si nëpunës ndërlidhës pranë qendrës SECI, të punonjësve shqiptarë për kohën që shërbejnë si oficerë kontakti, pranë ministrive të brendshme homologe të shteteve të ndryshme të atashuar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, dhe vendimin nr.20, datë 18.1.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për mbulimin e shpenzimeve financiare të personelit të shërbimit të jashtëm dhe familjarëve që i shoqërojnë ata gjatë kohës që dërgohen me shërbim në misionet diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit”;
b) Nëpunësit, të cilët përfaqësojnë ministritë e linjës, trajtohen nga institucionet respektive, sipas pagës referuese të gradës diplomatike të emërimit “Sekretar i Parë”, në përputhje me vendimin nr.546, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, dhe vendimin nr.20, datë 18.01.2017, të Këshillit të Ministrave;
c) Ekspertët e huaj të sekonduar trajtohen financiarisht tërësisht nga vendet sekonduese;
ç) Ekspertët e huaj të kontraktuar trajtohen nga buxheti i MEPJ-së, sipas kontratave tip të OSBE-së;
d) Personeli teknik dhe mbështetës trajtohet nga buxheti i MEPJ-së, sipas pagës referuese për pozicionin e punës, në përputhje me vendimin nr.546, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave.
5. Personeli sipas shkronja “b”, të pikës 3, të kreut II, për periudhën e shërbimit në Mision gëzon statusin e diplomatit, në përputhje me ligjin nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, por nuk përfiton gradë diplomatike personale.
6. Struktura e Njësisë përcaktohet me urdhër të ministrit përgjegjës për punët e jashtme.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Nëpunësit e Task-Forcës dhe të Njësisë emërohen dhe lirohen nga ministri përgjegjës për punët e jashtme, sipas dispozitave të ligjit nr.23/2015 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”.
2. Përshkrimi i punës dhe detyrat kryesore të secilit punonjës të Task-Forcës e Njësisë përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për punët e jashtme.
3. Strukturat e MEPJ-së dhe të institucioneve të përfaqësuara në përbërje të Task-Forcës dhe Njësisë mbështesin me informacion dhe materiale aktivitetin e tyre.
4. Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme i shtohen 14 punonjës për Task-Forcën dhe Njësinë e Misionit në Vjenë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të ministrisë në 565 punonjës. Ky numër përballohet nga reduktimi në të njëjtën masë i numrit rezervë të punonjësve për vitin 2019.
5. Efektet financiare për ushtrimin e veprimtarisë së Task-Forcës dhe të Njësisë të përballohen nga buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe i institucioneve pjesëmarrëse në to, miratuar, respektivisht, për vitet 2019, 2020 e 2021, si dhe nga burime financiare e materiale të siguruara për këtë qëllim në mënyra të ligjshme nga institucione vendase ose të huaja.
6. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të gjitha institucionet shtetërore, brenda fushës së tyre të përgjegjësisë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E TAVANEVE PËRGATITORE TË SHPENZIMEVE TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2020 – 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 23, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e tavaneve përgatitore të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2020 – 2022, sipas lidhjes nr.1, “Tavanet e ministrive dhe institucioneve buxhetore”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA