Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Nëntor 2019:

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT PËR RIMËKËMBJEN E SEKTORIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.170/2014

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të ndryshimit me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike, ratifikuar me ligjin nr.170/2014, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

***

V E N D I M

PËR

RREGULLAT PËR KOHËZGJATJEN E PUNËS, DITËT PUSHIM DHE LEJEN, ORËT JASHTË ORARIT DHE SHPËRBLIMIN E TYRE, SI DHE KOMPENSIMIN E SHPENZIMEVE PËR KRYERJEN E DETYRËS JASHTË VENDIT TË PUNËS PËR NËPUNËSIT CIVILË GJYQËSORË DHE TË PROKURORISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 4, të nenit 64, të ligjit nr.98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, të shkronjës “b”, të pikës 4, të nenit 84, të ligjit nr.97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 76-108, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. KOHËZGJATJA E PUNËS

1. Kohëzgjatja javore e punës për nëpunësit civilë gjyqësorë dhe të prokurorisë është 40 orë në javë.

2. Orari ditor i punës fillon çdo ditë në orën 8.00 dhe përfundon në orën 16.00.

3. Për efekt të llogaritjes së pagës orare muaji llogaritet, mesatarisht, me 174 orë pune.

4. Në raste të veçanta dhe për arsye objektive, orari ditor i punës mund të ndryshohet me urdhër të kryetarit të gjykatës ose drejtuesit të prokurorisë përkatëse, por jo për një periudhë më të gjatë se 3 muaj.

5. Me kërkesë të eprorit të drejtpërdrejtë dhe me miratimin e kryetarit të gjykatës ose drejtuesit të prokurorisë, nëpunësit mund t’i kërkohet të kryejë orë shtesë.

Nëpunësit, që kryen orë shtesë në punë, i kompensohen me pushim, të barabartë me orët shtesë plus 25 për qind të tyre, kur këto orë janë kryer në ditë të zakonshme pune apo me orët shtesë plus 50 për qind të tyre, kur orët janë kryer në ditë pushimi, ditë feste apo nga ora 22:00 – 6:00. Në raste të veçanta, kur është e pamundur dhënia e pushimit për orët shtesë në punë, nëpunësi civil gjyqësor dhe i prokurorisë ka të drejtë të kompensohet financiarisht. Mënyra e kompensimit bëhet sipas legjislacionit në fuqi nga këshillat përkatës, pasi të jetë konsultuar më parë me ministrinë përgjegjëse për financat.

6. Nëpunësi civil gjyqësor dhe i prokurorisë mund të kryejë veprimtari mësimdhënieje pas miratimit nga kryetarit i gjykatës ose drejtuesi i prokurorisë, por jo më shumë se 4 (katër) orë në javë, të cilat kompensohen në orë pune, brenda javës, pas orarit zyrtar të punës. Nëpunësi civil gjyqësor dhe i prokurorisë, që angazhohet në mësimdhënie, detyrohet të depozitojë pranë kancelarit kopjen e kontratës së lidhur me institucionin arsimor.

II. PUSHIMET

1. Ditët e shtunë dhe e diel janë ditë pushimi javor.

2. Kohëzgjatja e pushimit vjetor të paguar është 4 javë kalendarike. Koha e kryerjes së lejes së pushimit vjetor përcaktohet nga kryetarit i gjykatës ose drejtuesi i prokurorisë, sipas kërkesës së nëpunësit civil gjyqësor ose të prokurorisë, duke mos cenuar vijueshmërinë e punës. Nëpunësi civil gjyqësor ose i prokurorisë ka të drejtë të kërkojë kryerjen e pushimit vjetor edhe në periudha të ndryshme e të ndara, por këto periudha nuk mund të jenë më të shkurtra se 6 ditë në vijim. Në qoftë se pushimi vjetor nuk kryhet brenda vitit kalendarik përkatës, ai mund të kryhet deri në tremujorin e parë të vitit kalendarik pasardhës.

Ditët e festave zyrtare nuk përfshihen në pushimet vjetore të paguara. Nëse nëpunësit dita e festës i bie në periudhën e pushimeve vjetore të paguara, këto të fundit i shtyhen për aq ditë sa ka qenë festa zyrtare.

3. Pushimet vjetore nuk kompensohen me pagesë, përveç rastit kur është zgjidhur marrëdhënia e punës. Çdo marrëveshje që parashikon heqjen dorë nga e drejta për pushim vjetor, kundrejt pagesës, do të jetë e pavlefshme.

4. Kohëzgjatja e pushimit vjetor të paguar, kur nëpunësi civil gjyqësor dhe i prokurorisë nuk ka kryer një vit kalendarik pune të plotë, përcaktohet në përpjesëtim të drejtë me kohëzgjatjen e marrëdhënieve juridike të punës.

5. Pushimi vjetor i paguar, që i është dhënë nëpunësit civil gjyqësor dhe të prokurorisë në një vend tjetër pune, llogaritet në kohën e pushimit vjetor të paguar, kur ai caktohet në një vend tjetër pune.

6. Kur marrëdhëniet juridike në shërbimin civil gjyqësor dhe të prokurorisë apo të punës kanë përfunduar dhe nëpunësi civil gjyqësor dhe i prokurorisë nuk ka kryer pushimin vjetor të paguar, ai përfiton një shpërblim në masën e pagës përkatëse.

7. Paga e dhënë për pushimin vjetor të paguar është ajo që ka përfituesi në çastin e marrjes së saj dhe i jepet atij në fillim të pushimit vjetor.

8. Kur nëpunësi civil gjyqësor dhe i prokurorisë, për arsye shëndetësore, bëhet i paaftë për punë gjatë periudhës së kryerjes së pushimit vjetor të paguar dhe këtë e vërteton me raport mjekësor, njofton kancelarin dhe strukturën që kujdeset për mbarëvajtjet e çështjeve të personelit dhe pushimi vjetor i zgjatet për atë periudhë kohe.

9. Nëpunësi civil gjyqësor dhe i prokurorisë ka të drejtën e pushimit të paguar edhe për rastet, si më poshtë vijon:

a) Martesën e nëpunësit civil 5 ditë;
b) Martesën e fëmijës së tij 3 ditë;
c) Lindjen e fëmijës për baballarët 3 ditë;
ç) Vdekjen e prindërve, të gjyshërve, të bashkëshortit, të fëmijës, të vëllezërve, të motrave 5 ditë;
d) Ndërrimin e banesës 2 ditë;
dh) Sëmundje të rënda të fëmijëve, prindërve apo bashkëshortit, të vërtetuara me raport mjekësor 5 ditë;
e) Përgatitjen dhe mbrojtjen e titujve pasuniversitarë, për punën që kryejnë 10 ditë.

10. Nëpunësi civil gjyqësor dhe i prokurorisë ka të drejtë, që, në raste të veçanta, të kërkojë leje pa të drejtë page, për arsye shëndetësore, personale, për fëmijët, bashkëshortin apo prindërit. Kohëzgjatja e kësaj lejeje përcaktohet nga drejtuesi i institucionit, me propozimin e eprorit të drejtpërdrejtë. Kohëzgjatja maksimale e të gjitha lejeve të papaguara, brenda një viti kalendarik, nuk mund të jetë më e gjatë se 30 ditë.

III. PUNA NË DITËT E FESTAVE ZYRTARE DHE TË PUSHIMIT JAVOR

1. Si rregull, ditët e festave zyrtare janë ditë pushimi. Nëpunësi civil gjyqësor dhe i prokurorisë gëzon të drejtën e pagës në këto ditë.

2. Kur festa zyrtare bie në ditët e punës dhe me vendim të Këshillit të Ministrave ose në kontratën kolektive është vendosur të punohet, puna e kryer ditën e festës zyrtare kompensohet me një shtesë page, jo më pak se 25 për qind ose me një pushim të barabartë me kohëzgjatjen e ditës së punës së kryer plus një pushim shtesë, jo më pak se 25 për qind të kohëzgjatjes së kësaj pune, që merret një javë para ose pas kryerjes së saj.

3. Kur festa zyrtare bie në ditët e pushimit javor, dita e hënë është ditë pushimi.

4. Pushimi vjetor i paguar, pushimet e tjera dhe koha e kryerjes së tyre shënohen në dosjen e personelit të nëpunësit civil.

IV. KOMPENSIMI I SHPENZIMEVE PËR KRYERJEN E DETYRËS JASHTË VENDIT TË PUNËS

1. Nëpunësi civil gjyqësor dhe i prokurorisë i cili gjatë ditëve zyrtare të punës shkon me shërbim jashtë qendrës së punës, brenda vendit, trajtohet financiarisht për përballimin e shpenzimeve të shërbimit në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë qendrës së punës, brenda vendit.

2. Nëpunësi civil gjyqësor dhe i prokurorisë i cili dërgohet me shërbim jashtë vendit, për të marrë pjesë në veprimtari të ndryshme ndërkombëtare, trajtohet financiarisht për përballimin e shpenzimeve të shërbimit në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit.

V. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Efektet financiare  të këtij vendimi përballohen nga buxhetet e miratuara për zbatimin e këtij vendimi.

2. Ngarkohen Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, gjykatat dhe prokuroritë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T RI

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

VENDIM

PËR

MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR TË KËRKIM-SHPËTIMIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË DHE PLANIT TË VEPRIMIT TË TIJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.10435, datë 23.6.2011, “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Brendshëm, ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Planit Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit në Republikën e Shqipërisë dhe planit të veprimit të tij, sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË TË FONDEVE BUXHETORE PËR INSTITUCIONET E SISTEMIT TË DREJTËSISË, PËR VITIN 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Institucioneve të sistemit të drejtësisë, në grupin buxhetor nr.63, në shpenzimet korrente, të miratuara në buxhetin e vitit 2019, i shtohet fondi i përgjithshëm prej 18 0000 000 (tetëmbëdhjetë milionë) lekësh, i detajuar në programet buxhetore, si më poshtë vijon:

a) 9 000 000 (nëntë milionë) lekë në programin “Veprimtaria e rivlerësimit kalimtar të magjistratit”;
b) 2 000 000 (dy milionë) lekë në programin “Veprimtaria e apelimit të rivlerësimit kalimtar;
c) 7 000 000 (shtatë milionë) lekë në programin “Veprimtaria e Komisionerit Publik”.

2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të vendimit, të përballohet nga fondi rezervë i institucioneve të sistemit të drejtësisë për vitin 2019.

3. Ngarkohen Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisionerët Publikë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E STANDARDEVE KOMBËTARE TË ADMINISTRIMIT TË MASËS SË FALIMENTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 204, të ligjit nr.110/2016, “Për falimentimin”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e standardeve kombëtare të administrimit të masës së falimentimit, sipas dokumentit bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Vendimi nr.124, datë 6.2.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e standardeve kombëtare për administrimin e masës së falimentimit”, shfuqizohet.

3. Ngarkohet Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia Kombëtare e Falimentimit për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.