Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Nëntor 2024:
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1095, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KËRKESAVE THELBËSORE NË FUSHËN E AVIACIONIT CIVIL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 34, pika 2, 37, pika 3, 50, pika 2, 54, pika 2, 84, pika 2, 91, pika 3, dhe 114, pika 2, të ligjit nr.96/2020, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në kërkesat thelbësore në fushën e aviacionit civil, që i bashkëlidhen vendimit nr.1095, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
Fjalia e parë, e pikës 2, të nenit 9, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për sa u përket zhurmës dhe shkarkimeve, avionët dhe motorët e tyre, helikat, pjesët dhe pajisjet e painstaluara të tyre, të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, duhet të jenë në përputhje me kërkesat e mbrojtjes së mjedisit, të përfshira në ndryshimin 13, të vëllimit I, në ndryshimin 10, të vëllimit II, dhe në ndryshimin 1, të vëllimit III, të aneksit 16, të Konventës së Çikagos, të gjitha të zbatueshme nga 1 janari 2021.”.
Në nenin 67 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Në titullin e nenit 67 hiqen fjalët “(ky nen do të zbatohet kur Shqipëria të jetë asociuar në EASA, sipas parashikimeve të marrëveshjes shumëpalëshe)”;
Pika 1, e këtij neni, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Certifikatat e lëshuara nga EASA-ja apo autoriteti kompetent i ndonjë shteti anëtar dhe deklaratat e bëra nga persona fizikë dhe juridikë, në përputhje me rregulloren e BE-së nr.2018/1139, “Për rregullat e përbashkëta në fushën e aviacionit civil”, dhe me aktet zbatuese dhe të deleguara, të cilat janë miratuar në bazë të saj, do të jenë të vlefshme dhe të njohura nga Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar pa kërkesa apo vlerësime të mëtejshme.”.
iii. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Për njohjet e bëra nga Autoriteti i Aviacionit Civil, në bazë të këtij neni, për rastet e përmendura në pikat 2 dhe 3, Autoriteti i Aviacionit Civil ndërmerr masa për të vendosur procedura komunikimi të vazhdueshme me autoritetin kompetent mbikëqyrës të personit fizik ose juridik, në mënyrë që të përditësohet për statusin e certifikimit apo deklarimit.”.
Në nenin 70 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
Në titullin e nenit 70 hiqen fjalët “(ky nen do të zbatohet kur Shqipëria të jetë asociuar në EASA, sipas parashikimeve të marrëveshjes shumëpalëshe)”;
Pas pikës 4 shtohen pikat 5 dhe 6, me këtë përmbajtje:
“5. Autoriteti i Aviacionit Civil reagon, pa vonesa të panevojshme, për një problem urgjent të sigurisë, brenda fushës së zbatimit të këtyre kërkesave thelbësore, duke përcaktuar masat korrigjuese, që duhet të ndërmerren nga personat fizikë dhe juridikë, në lidhje me të cilët vepron si autoriteti kompetent dhe duke i shpërndarë informacionet përkatëse këtyre personave, përfshirë direktivat ose rekomandimet, kur kjo është e nevojshme për të mbrojtur objektivat e përcaktuar në nenin 1, të këtyre kërkesave thelbësore. Autoriteti i Aviacionit Civil, gjithashtu, mund të nxjerrë buletinin e sigurisë, që përmban informacione jo të detyrueshme ose rekomandime të adresuara personave të tjerë fizikë dhe juridikë, të përfshirë në aktivitetet e aviacionit.
6. Për raste, të cilat nuk rregullohen nga aktet e dala, në zbatim të këtij vendimi, apo për rastet kur mund të cenohet siguria në operim (safety), Autoriteti i Aviacionit Civil mund të nxjerrë masa të detyrueshme për zbatim. Për rastet, të cilat nuk rregullohen nga aktet e dala, në zbatim të këtij vendimi, masat përkatëse do të jenë në fuqi deri në plotësimin e legjislacionit përkatës, por jo më shumë se 1 (një) vit.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti i Aviacionit Civil për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
VENDIM
PËR
KALIMIN TE BASHKIA TIRANË TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 19, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Kalimin te Bashkia Tiranë të 28 (njëzet e tetë) apartamenteve në 1 (një) ndërtesë me njësi banimi (pallat), përkatësisht, sipas listës së inventarit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN TE BASHKITË VORË DHE KURBIN TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 19, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Kalimin te bashkitë Vorë dhe Kurbin të 422 (katërqind e njëzet e dy) apartamenteve dhe 1 (një) hapësire të përbashkët, në 27 (njëzet e shtatë) ndërtesa me njësi banimi (pallat), përkatësisht, sipas listave të inventarit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, si më poshtë vijon:
404 (katërqind e katër ) apartamente dhe 1 (një) hapësire të përbashkët, në 26 (njëzet e gjashtë) ndërtesa me njësi banimi (pallat) në Bashkinë Vorë;
18 (tetëmbëdhjetë) apartamente në 1 (një) ndërtesë me njësi banimi (pallat) në Bashkinë Kurbin.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkitë Vorë e Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E DETYRAVE DHE TË PËRGJEGJËSIVE TË OPERATORIT TË ENERGJISË SË RINOVUESHME, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 16, të ligjit nr.24/2023, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N DO S I:
Përcaktimin e detyrave dhe të përgjegjësive të Operatorit të Energjisë së Rinovueshme, sh.a.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., do të jetë blerësi i energjisë elektrike i të gjithë prodhuesve me përparësi, që janë me mbështetje në formën e një marrëveshjeje të blerjes së energjisë (MBE) dhe do ta shpërndajë këtë energji direkt në tregun e organizuar.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., do të ketë përgjegjësi kontraktore ndaj çdo prodhuesi me përparësi për mbulimin e pagesave, që rezultojnë nga çdo kontratë për mbështetje, sipas ligjit nr.24/2023, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., menaxhon fondin e mbështetjes së burimeve të rinovueshme, i cili përllogaritet dhe përdoret për të mbuluar kostot e skemave mbështetëse, si më poshtë vijon:
Diferencat e pagueshme, ndërmjet çmimit të garantuar dhe çmimit të referencës për prodhuesit me përparësi, mbështetjen e dhënë në formën e një CfD-je dhe pagesave të prim-it për prodhuesit me përparësi, mbështetjen e dhënë në formën e kontratave për prim;
Tarifat nxitëse për prodhuesit me përparësi, mbështetjen e dhënë në formën e MBE-ve;
Kostot e përditshme operative dhe të mirëmbajtjes së Operatorit të Energjisë së Rinovueshme, sh.a., duke përfshirë, por pa u kufizuar në koston e financimit, aksesin në treg, kapitalin qarkullues dhe koston e sigurimit të rezervave për të siguruar likuiditetin financiar dhe aftësinë e pagesave të fondit të mbështetjes së rinovueshme në baza të vazhdueshme.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., për realizimin e qëllimit, në zbatim të politikave për mbështetjen e energjisë nga burime të rinovueshme, propozon modelin e operimit për energjinë nga burimet e rinovueshme, duke u bazuar në vlerësimin e në krahasimin me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian dhe propozon përmirësimin ose përshtatjen e nevojshme në aktet ligjore e nënligjore për burimet e rinovueshme.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., do të përgatisë modelin e biznesit të tij, përfshirë planin ekonomik të veprimtarisë, i cili planifikohet të zbatohet, me qëllim kalimin në operim të Operatorit të Energjisë së Rinovueshme, sh.a., mbështetur në përcaktimet e legjislacionit në fuqi për burimet e rinovueshme dhe legjislacionit në fuqi për sektorin e energjisë.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., për qëllime të kalimit në operim, propozon pranë ministrisë përgjegjëse për energjinë, bazuar në vlerësimet ekonomike dhe ligjore të realizuara, procesin e llogaritjes dhe përditësimit sistematik të fondit të mbështetjes së burimeve të rinovueshme, i cili miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.24/2023, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., do të propozojë edhe formën e financimit të nevojshëm për të mundësuar ngritjen e strukturës organizative, teknike dhe financiare për kalimin në operim të tij, të cilat shqyrtohen dhe miratohen në përputhje me ligjin nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., është shoqëri aksionare, aksionet e së cilës do të zotërohen 100% nga ministria përgjegjëse për energjinë, e krijuar në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, në momentin e krijimit.
Kapitali fillestar për krijimin e Operatorit të Energjisë së Rinovueshme, sh.a., është 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë. Efektet financiare për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë transferon këtë shumë pranë kësaj shoqërie, pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Furnizuesi i Tregut të Lirë, sh.a., deri në kalimin në operim të Operatorit të Energjisë së Rinovueshme, sh.a., ngarkohet të vijojë realizimin e detyrave të Operatorit të Energjisë së Rinovueshme, sh.a., si dhe të vërë në dispozicion të tij të gjitha të dhënat e mbledhura përgjatë veprimtarisë së tij, si subjekt i ngarkuar për realizimin e këtyre detyrave.
Vendimi nr.275, datë 16.5.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e operatorit të energjisë së rinovueshme”, shfuqizohet.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Furnizuesi i Tregut të Lirë, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MASAVE MBËSHTETËSE, RREGULLAVE DHE PROCEDURAVE PËR PËRFITIMIN E MASAVE MBËSHTETËSE PËR PRODHIMIN E ENERGJISË ELEKTRIKE NGA BURIMET E RINOVUESHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.24/2023, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Qëllimi i këtij vendimi është të përcaktojë masat mbështetëse për nxitjen e përdorimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të diellit e të erës dhe procedurat për përzgjedhjen e projekteve për përfitimin e tyre, në mbështetje të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.24/2023, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, dhe objektivave të Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës.
Masat mbështetëse për nxitjen e përdorimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të diellit e të erës jepen nëpërmjet një procesi konkurrues, të hapur, transparent dhe jodiskriminues, i cili siguron besueshmëri për pjesëmarrësit dhe garanton dhënien e këtyre masave subjekteve që ofrojnë kushtet më të mira për sa i përket çmimit të energjisë, teknologjisë së përdorur dhe mënyrës së ndërtimit të impiantit.
Në këtë vendim termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
“Masa mbështetëse”, masat e parashikuara në pikën 5, të kreut I, të këtij vendimi që kanë si qëllim nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme të diellit e të erës;
“Autoriteti kontraktues”, ministria përgjegjëse për energjinë;
“Ministri”, ministri përgjegjës për energjinë;
ç) “Komision i posaçëm”, komisioni i krijuar me urdhër të ministrit përgjegjës për energjinë, që përbëhet nga anëtarë specialistë, të cilët kanë njohuritë e duhura teknike, juridike dhe ekonomike;
“Dokumentet e procesit konkurrues”, dokumentet, të cilat hartohen nga komisioni i posaçëm i ofertave, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, të cilat përcaktojnë formën, kriteret dhe procedurat e pjesëmarrjes, të shqyrtimit të ofertave dhe përzgjedhjes së ofertuesit më të mirë;
dh) “Sigurimi i ofertës”, dokumenti në formën e garancisë bankare të pakushtëzuar, që do të dorëzohet nga ofertuesi së bashku me ofertën;
“Garancia e kontratës”, dokumenti në formën e garancisë bankare të pakushtëzuar që do të dorëzohet nga ofertuesi i përzgjedhur përpara nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare;
ë) “Marrëveshja e blerjes së energjisë (MBE)” një lloj marrëveshjeje për mbështetje, ku një blerës i caktuar garanton blerjen fizike të detyrueshme të energjisë elektrike të gjeneruar nga prodhuesit për një çmim fiks, i cili do të dalë nga procesi konkurrues.;
f) “Ofertues i përzgjedhur”, ofertuesi më i mirë i përzgjedhur sipas procedurës konkurruese për zhvillimin e projektit të përzgjedhur për prodhimin e energjisë elektrike prej burimeve të rinovueshme të erës dhe/ose diellit;
“Operatori i ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik”, enti i ngarkuar për realizmin e detyrave të operatorit të energjisë së rinovueshme;
gj) “Projekti”, kapaciteti gjenerues i instaluar (në MW) për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të diellit ose erës, i cili do të realizohet nga ofertuesi i përzgjedhur për përfitimin e masave mbështetëse, në bazë të procedurave konkurruese, sipas përcaktimeve të këtij vendimi;
“Shoqëria e projektit”, shoqëria për qëllime të veçanta, që do të themelohet nga ofertuesi i përzgjedhur për realizimin e projektit;
i) “Tarifa tavan” tarifa tavan për procedurën konkurruese që përcaktohet nga ministri, duke u bazuar në tarifën e miratuar nga ERE për të njëjtën teknologji, llojin dhe kapacitetin e impiantit, koston e investimit të teknologjisë së ngjashme, si dhe tarifave të rezultuara në ankande për kapacitete të ngjashme në Shqipëri dhe vende të tjera.
j) “Kontratë për diferencën” (CfD) kontratë për mbështetje e rregulluar financiarisht ku enti i ngarkuar për të realizuar detyrat e Operatorit të Energjisë së Rinovueshme i paguan prodhuesit me përparësi diferencën midis çmimit të garantuar dhe çmimit të referencës kur çmimi i referencës është më i ulët se çmimi i garantuar dhe prodhuesi me përparësi i paguan diferencën Operatorit të Energjisë së Rinovueshme kur çmimi i referencës është më i lartë se çmimi i garantuar.
k) “Kontrata për zhvillimin e projektit”, kontrata për zhvillimin e projektit, e lidhur ndërmjet ofertuesit të përzgjedhur dhe autoritetit kontraktor.
l) “Marrëveshja përfundimtare”, marrëveshja e nënshkruar nga autoriteti kontraktor, ofertuesi i përzgjedhur dhe shoqëria e projektit, që konfirmon përmbushjen e të gjitha kushteve të përcaktuara në kontratën për zhvillimin e projektit dhe që e bën efektive.
“Procedura konkurruese me vendndodhje të përcaktuar”, procedura konkurruese e organizuar sipas rregullave të parashikuara në krerët II dhe III, të këtij vendimi, që mundëson dhënien e masave mbështetëse për impiante diellore dhe/ose nga era (eolike), me vendndodhje dhe kapacitet të instaluar, të përcaktuar nga autoriteti kontraktor.
m) “Procedura konkurruese me vendndodhje të papërcaktuar”, procedura konkurruese e organizuar sipas rregullave të parashikuara në kreun IV, të këtij vendimi, që mundëson dhënien e masave mbështetëse për impiante nga burime të rinovueshme me kapacitet dhe vendndodhje të përcaktuar nga ofertuesi, sipas kërkesave të autoritetit kontraktor.
Çdo term tjetër i përdorur në këtë vendim do të ketë kuptimin e dhënë në ligjin nr.24/2023, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, dhe të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar.
Me qëllim arritjen e objektivit kombëtar të përcaktuar në Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën në mënyrën më efektive miratohen masat mbështetëse, si më poshtë vijon:
a) Kontrata sipas skemës mbështetëse, përcaktuar në ligjin nr.24/2023, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, e cila mund të jetë në formën e marrëveshjes për blerjen e energjisë ose në formën e kontratës për diferencë dhe përcaktimeve në marrëveshjen që do të nënshkruhet me autoritetin kontraktor, me një kohëzgjatje maksimale prej 15 vitesh, duke filluar nga data e dhënies së certifikatës së përdorimit të projektit;
b) Në rastin e procedurës konkurruese me vendndodhje të përcaktuar, kalimin në administrim të autoritetit kontraktor të pasurive të paluajtshme për realizimin dhe shfrytëzimin e projektit dhe vënien e tyre në dispozicion të shoqërisë së projektit për të gjithë kohëzgjatjen e tij, pa pagesë.
Garantimin e lidhjes dhe aksesit për përdorimin e rrjetit të transmetimit/shpërndarjes së energjisë së prodhuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
ç) Garantimin nga autoriteti kontraktues të ndjekjes të të gjitha procedurave për marrjen e lejeve dhe autorizimeve të nevojshme për zbatimin dhe shfrytëzimin e projektit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Procesi për dhënien e masave mbështetëse duhet të garantojë:
arritjen e objektivit për përdorimin e energjisë së rinovueshme në përputhje me Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën brenda afatit kohor të caktuar;
dhënien e mbështetjes për blerjen e energjisë me koston më të ulët të mundshme dhe efektivitetin më të madh;
besueshmërinë e ofertave dhe realizimin e plotë të projektit;
ç) të qenët transparent, i hapur, jodiskriminues, objektiv, si dhe sigurimin e besimit të gjerë të investitorëve;
minimizimin e deformimeve të tregut të energjisë dhe lehtësimin e zhvillimit të tij.
ZHVILLIMI I PROCESIT PËR PËRZGJEDHJEN E PROJEKTIT ME VENDNDODHJE TË PËRCAKTUAR QË DO TË PËRFITOJË MASAT MBËSHTETËSE
Ministri autorizon fillimin e procesit konkurrues për përzgjedhjen e projektit që do të përfitojë masat mbështetëse, duke përcaktuar të dhënat, si më poshtë vijon:
Kapacitetin total që do të përfitojë masa mbështetëse;
Llojin e teknologjisë së projektit;
Vendndodhjen e projektit;
ç) Kushtet për lidhjen me rrjetin, si dhe rregullat për balancimin dhe dispeçerimin;
Dokumentet e nevojshme për zhvillimin e procesit konkurrues;
dh) Kriteret e vlerësimit të ofertave;
Afatin e përfundimit të projektit dhe të marrjes së certifikatës së përdorimit.
Ministri urdhëron ngitjen e komisionit të posaçëm, i cili ka këto kompetenca:
Harton, brenda 30 (tridhjetë)ditëve, dokumentet e procesit konkurrues, që specifikojnë mënyrën e zhvillimit të procesit konkurrues për përfitimin e masave mbështetëse;
Harton kritere të veçanta të aplikimit dhe të kualifikimit, bazuar në përcaktimet e pikës 6, të kreut II, të këtij vendimi;
Harton metodologjinë e vlerësimit, e cila është pjesë e dokumenteve të procesit konkurrues;
ç) Vlerëson ofertat e ofertuesve, bazuar në kriteret e kualifikimit të ofertës;
Harton raportin përfundimtar të vlerësimit dhe e paraqet për miratim pranë ministrit;
dh) Mund të angazhojë ekspertizë të veçantë vendase ose të huaj për të asistuar gjatë zhvillimit të procesit;
Çdo funksion tjetër, bazuar në parashikimet e këtij vendimi.
ë) Përgatit projektmarrëveshjet, që do të përmbyllen ndërmjet palëve, sipas parashikimeve të ligjit nr.24/2023 dhe të këtij vendimi.
Dokumentet e procesit konkurrues, ndër të tjera, përmbajnë:
ftesën për ofertë, e cila publikohet së paku në dy buletine të njoftimeve zyrtare dhe dy gazeta ndërkombëtare, si dhe në faqen e internetit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
udhëzuesin për pjesëmarrës në proces;
sigurimin e ofertës, i cili lëshohet nga një institucion bankar i besueshëm dhe në formatin e parashikuar në dokumentet e procesit konkurrues;
ç) afatin e vlefshmërisë së ofertës;
pagesën e tarifës së pjesëmarrjes në proces;
dh) kriteret bazë të aplikimit dhe të kualifikimit;
kriteret e vlerësimit të ofertave;
ë) garancinë e kontratës, e cila lëshohet nga një institucion bankar i besueshëm dhe siguron përmbushjen e detyrimeve kontraktuale të marrëveshjes;
afatin e paraqitjes së ofertave, i cili, në çdo rast, nuk do të jetë më pak se 30 ditë;
zonat e ndaluara për zhvillim si rrjedhojë e statusit të zonës ose kapaciteteve teknike;
gj) përcaktimin e detajuar të rregullave të procedurës konkurruese, si proces me një fazë ose me disa faza, i cili mund të përfshijë një fazë parakualifikimi, kërkesa për kualifikim dhe kërkesa për propozime dhe kur gjykohet e justifikuar nga kompleksiteti i projektit, mund të përfshijë gjithashtu një fazë negociimi me kusht që të sigurohet trajtim i barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë ofertuesit e përzgjedhur;
rregullat për trajtimin e ofertave marxhinale dhe barazimit/eve ndërmjet ofertave të ndryshme.
Dokumentet e procesit konkurrues duhet të përfshijnë edhe parimet e mëposhtme, referuar marrëveshjes së mbështetjes:
Tarifa duhet të jetë në euro/MWh;
Tarifa duhet të jetë e nivelizuar dhe e pandryshuar për një periudhë deri në 15 vjet;
Tarifa tavan nuk duhet jetë më e lartë se tarifa për të njëjtën teknologji, e miratuar nga ERE;
ç) Forma e mbështetjes për prodhimin e energjisë të jetë bazuar në parashikimet e ligjit nr.24/2023.
Dokumentet e procesit konkurrues duhet të përfshijnë parimet e mëposhtme, duke iu referuar pagesës sipas kontratës së blerjes së energjisë:
Mënyra e kryerjes së pagesave dhe penalitetet për pagesa të vonuara;
Përcaktimi i një mekanizmi të duhur të sigurimit të pagesave të energjisë së prodhuar.
Për të siguruar që ofertuesit kanë kapacitetin e nevojshëm për realizimin e projektit, komisioni i posaçëm do të bazohet në kriteret bazë të aplikimit dhe të kualifikimit, në të cilat, ndër të tjera, përfshihen:
Kriteret ligjore:
Ekstrakti tregtar i shoqërisë/apo bashkimit të shoqërive, i cili gjenerohet nëpërmjet sistemit nga institucioni. Në rast të bashkimit të shoqërive, ofertat e dorëzuara duhet të shoqërohen me një marrëveshje të përbashkët të ofertimit midis anëtarëve të bashkimit;
Vërtetime për shlyerjen e detyrimeve tatimore, pagesën e sigurimeve shoqërore, pagesën e detyrimeve të energjisë elektrike dhe të ujësjellës-kanalizimeve dhe që shoqëria nuk është në proces falimentimi dhe/ose likuidimi, të cilat gjenerohen nëpërmjet sistemit nga institucioni;
Shoqëria apo bashkimi i shoqërive, si dhe drejtuesit e shoqërisë ofertuese ose e ndonjë prej shoqërive pjesëmarrëse në bashkimin e shoqërive ofertuese nuk duhet të jenë në ndjekje penale ose të jenë dënuar me një vendim të formës së prerë, të cilat gjenerohen nëpërmjet sistemit nga institucioni.
Kriteret financiare:
Çdo dokumentacion të nevojshëm që vërteton gjendjen financiare të kompanisë dhe provon aftësinë e saj financiare për të realizuar projektin, sipas dokumenteve të procesit konkurrues;
Pasqyrat financiare, të audituara nga audituesit e licencuar, të tri viteve të fundit të veprimtarisë dhe të depozituara në organet tatimore ose, kur shoqëria ka më pak se tre vjet që është krijuar, për periudhën e ekzistencës së saj, si dhe çdo dokumentacion tjetër financiar që provon aftësitë financiare për të realizuar projektin e propozuar, shoqëruar me vërtetimin e licencës së audituesit;
Garancinë bankare në sigurimin e fondeve, e cila vlerësohet bazuar në përvojën e mëparshme në sigurimin e fondeve nga ana e ofertuesit ose çdo letër mbështetëse për financimin e projektit, marrë nga një institucion bankar i besueshëm.
Kriteret teknike:
Shoqëria ofertuese ose bashkimi i shoqërive ofertuese duhet të kenë përvojë në të shkuarën për realizimin dhe shfrytëzimin e centraleve të prodhimit të energjisë elektrike prej burimeve të rinovueshme prej diellit dhe/ose erës;
Në varësi të teknologjisë së përzgjedhur, modulet e paneleve diellore apo të turbinave eolike, inverterat dhe komponentët e tjerë elektrikë dhe elektromekanikë, si dhe lidhjet elektrike dhe ndërfaqësimet software dhe hardware të jenë në përputhje me kërkesat e rrjetit, si dhe të sigurojnë ofrimin e të dhënave reale metrike diellore dhe/ose eolike lidhur me prodhimin e pritshëm vjetor të energjisë;
Aparaturat duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe kriteret e veçanta të përcaktuara nga komisioni i posaçëm.
ç) Kriteret e përvojës në fushën e energjisë së rinovueshme, në vlerësim te komisioni:
Përvojë në ndërtimin e të paktën një centrali të një kapaciteti të ngjashëm;
Përvojë në ndërtimin dhe operimin e të paktën një centrali të prodhimit të energjisë elektrike prej burimeve të rinovueshme;
Përvojë në ushtrimin e aktiviteteve të biznesit në Shqipëri.
Kriteri i besueshmërisë:
Nuk duhet të jetë ose të ketë qenë objekt i penaliteteve ligjore dhe tatimore gjatë veprimtarisë së tij nga institucionet/agjencitë shqiptare dhe/ose prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian;
Nuk duhet të jetë i/e listuar që t’i kufizohet ushtrimi i aktivitetit në Shqipëri ose në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
dh) Kritere të tjera të vlerësimit të ofertës:
Ofertuesit duhet të ofrojnë një tarifë të nivelizuar 15-vjeçare në euro/MWh, e cila do të jetë pjesë e kritereve të vlerësimit dhe në çdo rast nuk duhet jetë më e lartë se tarifa për të njëjtën teknologji, e miratuar nga ERE, sipas përcaktimeve në dokumentet e procesit konkurrues;
Ofertuesit duhet të garantojnë ndërtimin e kapaciteteve të tjera shtesë, përveç atyre të parashikuara si pjesë e masave mbështetëse, sipas përcaktimeve në dokumentet e procesit konkurrues.
Të drejtën për të aplikuar e ka:
çdo shoqëri ose bashkim shoqërish ofertuese, që plotëson kriteret e përcaktuara në dokumentet e procesit konkurrues, të parashikuara në këtë vendim;
çdo shoqëri ose bashkim shoqërish ofertuese që provon kapacitetin teknik, financiar dhe të besueshmërisë për të zhvilluar projektin e specifikuar, sipas kritereve të vlerësimit, të përcaktuara në pikën 6, të kreut II, të këtij vendimi;
çdo shoqëri ose bashkim shoqërish ofertuese që paguan tarifat e pjesëmarrjes në procesin konkurrues, siç specifikohet në dokumentet e procesit konkurrues.
Komisioni do të vlerësojë vetëm ofertat e atyre ofertuesve që kanë paraqitur aplikimin e plotë sipas këtij vendimi dhe dokumenteve të procesit dhe që kanë paguar tarifën e pjesëmarrjes në proces.
Kostot e zhvillimit të procedurës së sipërpërmendur mbulohen nga ofertuesi i përzgjedhur fitues për ndërtimin e impiantit.
VLERËSIMI I OFERTAVE, NEGOCIIMI DHE LIDHJA E MARRËVESHJES PËRFUNDIMTARE ME OFERTUESIN E PËRZGJEDHUR
Ofertat e ofertuesve do të vlerësohen sipas kritereve të kualifikimit të ofertës të përcaktuara në pikën 6, të kreut II, të këtij vendimi, bazuar në një metodologji të vlerësimit të ofertave, të përbërë me pikë të ndara sipas secilit kriter.
Metodologjia e vlerësimit është pjesë e dokumenteve të procesit konkurrues.
Për secilin prej kritereve të vlerësimit, ofertuesit duhet të sigurojnë dokumentet e nevojshme, sipas përcaktimeve në dokumentet e procesit konkurrues.
Ofertuesi me rezultatin më të lartë, sipas metodologjisë së vlerësimit të ofertës, shpallet ofertuesi i përzgjedhur.
Në përfundim të vlerësimit të ofertave, komisioni i posaçëm paraqet për miratim pranë ministrit raportin përfundimtar të vlerësimit.
Ministri autorizon negociimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare me ofertuesin e përzgjedhur, që përmban të gjitha elementet për zbatimin e suksesshëm të projektit.
Ofertuesi i përzgjedhur duhet të formojë një shoqëri për projektin për të hyrë në marrëveshje përfundimtare, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
Ofertuesi i përzgjedhur duhet të zotërojë jo më pak se 51% të aksioneve të kapitalit në shoqërinë e projektit për të paktën tre vjet nga data e operimit tregtar.
Para nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare, ofertuesi i përzgjedhur/shoqëria e projektit duhet të paraqesë garancinë e kontratës, sipas përcaktimeve të dokumenteve të procesit konkurrues.
Ofertuesi i përzgjedhur duhet të garantojë respektimin e rregullave të tregut, si dhe të kërkesave teknike të rrjetit dhe balancimit të ngarkesës në Shqipëri.
IV. ZHVILLIMI I PROCESIT KONKURRUES PËR PËRZGJEDHJEN E PROJEKTEVE ME PROCEDURË KONKURRUESE ME VENDNDODHJE TË PAPËRCAKTUAR
1. Ministri autorizon fillimin e procesit konkurrues për përzgjedhjen e projekteve me procedurë konkurruese me vendndodhje të papërcaktuar, duke përcaktuar të dhënat, si më poshtë vijon:
Kapacitetin total që do të përfitojë masa mbështetëse;
Kapacitetin e instaluar që mund të ketë çdo projekt që do të përfitojë masat mbështetëse;
Llojin e teknologjisë së projekteve;
ç) Dokumentet e nevojshme për zhvillimin e procesit konkurrues;
d) Kriteret e vlerësimit të ofertave;
dh) Kërkesat për caktimin e vendndodhjes së projektit.
2. Ministri mund të përcaktojë organizimin e procedurës konkurruese me një fazë ose me dy faza, në përputhje me kërkesat e mëposhtme:
Në procesin me një fazë, komisioni i posaçëm harton dhe publikon të gjitha dokumentet e procedurës konkurruese në një fazë;
Në procesin me dy faza, komisioni përcakton listën e dokumenteve për fazën e kërkesave kualifikuese, që përfshijnë kërkesat teknike dhe financiare për parakualifikimin e ofertuesve. Në fazën e dytë komisioni përcakton kërkesat për fazën e propozimit, gjatë së cilës ofertuesit e parakualifikuar në fazën e parë do të ftohen për të paraqitur propozimin e detajuar teknik dhe financiar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga komisioni.
Ministri urdhëron ngritjen e komisionit të posaçëm, i cili ka këto kompetenca:
Harton dokumentet e procesit konkurrues, që specifikojnë mënyrën e zhvillimit të procesit konkurrues për përfitimin e masave mbështetëse;
Harton kritere të veçanta të aplikimit, parakualifikimit dhe të kualifikimit, bazuar në përcaktimet e pikës 6, të kreut II, të këtij vendimi;
Harton metodologjinë e vlerësimit të ofertave, e cila është pjesë e dokumenteve të procesit konkurrues;
ç) Vlerëson ofertat e ofertuesve bazuar në kriteret e parakualifikimit, kualifikimit dhe vlerësimit të ofertës;
Harton raportin përfundimtar të vlerësimit dhe e paraqet për miratim pranë ministrit;
dh) Çdo funksion tjetër, bazuar në parashikimet e këtij vendimi;
Përgatit projektmarrëveshjet, që do të përmbyllen mes palëve sipas parashikimeve të ligjit nr.24/2023 dhe të këtij vendimi.
Dokumentet e procesit të posaçëm konkurrues, ndër të tjera, përmbajnë, si më poshtë vijon:
Ftesën për ofertë, e cila bëhet publike dhe publikohet së paku në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, si dhe në faqen e internetit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
Udhëzuesin për pjesëmarrje në proces;
Sigurimin e ofertës, i cili lëshohet nga një institucion bankar apo financiar i besueshëm, në vlerën dhe formatin e parashikuar në dokumentet e procesit konkurrues;
ç) Afatin e vlefshmërisë së ofertës;
Pagesën e tarifës së pjesëmarrjes në proces;
dh) Kriteret bazë të aplikimit, parakualifikimit dhe të kualifikimit;
Kriteret e vlerësimit të ofertave;
ë) Zonat e ndaluara për zhvillim si rrjedhojë e statusit të zonës ose kapaciteteve teknike;
Kur vlerësohet e nevojshme, kufizimin e pjesëmarrjes me disa projekte ose për kapacitet të caktuar të ofruar minimal dhe/ose maksimal.
Në dokumentet e procesit konkurrues duhet të përcaktohet gjithashtu se:
tarifa e ofertuar nga subjektet duhet të jetë në euro/mwh dhe të jetë e nivelizuar dhe e pandryshuar për një periudhë deri në 15 (pesëmbëdhjetë) vjet;
tarifa e ofertuar nga subjektet nuk duhet të jetë më e lartë se tarifa tavan e përcaktuar nga ministri;
marrëveshja e mbështetjes do të aplikohet si marrëveshje për blerjen e energjisë ose si kontratë për diferencë, bazuar në parashikimet e ligjit nr.24/2023.
Për të siguruar që ofertuesit kanë kapacitetin e nevojshëm për realizimin e projektit, komisioni i posaçëm do të bazohet në kriteret bazë të aplikimit dhe të kualifikimit, në të cilat, ndër të tjera, përfshihen:
Kriteret ligjore:
Në rast të bashkimit të shoqërive, ofertat e dorëzuara duhet të shoqërohen me një marrëveshje të përbashkët të ofertimit ndërmjet anëtarëve të bashkimit;
Vërtetime për shlyerjen e detyrimeve tatimore, pagesën e sigurimeve shoqërore dhe që shoqëria nuk është në proces falimentimi dhe/ose likuidimi;
Shoqëria apo bashkimi i shoqërive, si dhe drejtuesit e shoqërisë ofertuese ose e ndonjë prej shoqërive pjesëmarrëse në bashkimin e shoqërive ofertuese nuk duhet të jenë në ndjekje penale ose të jenë dënuar me një vendim të formës së prerë.
Kriteret financiare:
Çdo dokumentacion i nevojshëm që vërteton gjendjen financiare të kompanisë dhe provon aftësinë e saj financiare për të realizuar projektin, sipas dokumenteve të procesit konkurrues;
Pasqyrat financiare, të audituara nga audituesit e licencuar, të tri viteve të fundit të veprimtarisë dhe të depozituara në organet tatimore ose, kur shoqëria ka më pak se tre vjet që është krijuar, për periudhën e ekzistencës së saj, si dhe çdo dokumentacion tjetër financiar që provon aftësitë financiare për të realizuar projektin e propozuar, shoqëruar me vërtetimin e licencës së audituesit.
Kriteret teknike:
Shoqëria ofertuese ose bashkimi i shoqërive ofertuese duhet të provojnë vetë ose me anë të një marrëdhënieje bashkëpunimi përvojë në të shkuarën për realizimin dhe/ose shfrytëzimin e centraleve të prodhimit të energjisë elektrike prej burimeve të rinovueshme, në përputhje me dokumentet e procesit konkurrues;
Në varësi të teknologjisë së përzgjedhur, modulet e paneleve diellore apo të turbinave eolike, inverterat dhe komponentët e tjerë elektrikë dhe elektromekanikë, si dhe lidhjet elektrike dhe ndërfaqësimet software dhe hardware të jenë në përputhje me kërkesat e rrjetit, si dhe të sigurojnë ofrimin e të dhënave reale metrike diellore dhe/ose eolike, lidhur me prodhimin e pritshëm vjetor të energjisë;
Aparaturat duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe kriteret e veçanta të përcaktuara nga komisioni i posaçëm.
ç) Kritere të tjera të vlerësimit të ofertës:
Ofertuesit duhet të ofrojnë një tarifë të nivelizuar 15-vjeçare në euro/mwh, e cila do të jetë pjesë e kritereve të vlerësimit;
Ofertuesit duhet që në momentin e aplikimit të kenë paraqitur dokumentacionin ligjor, në përputhje me dispozitat e Kodit Civil, që provon marrëdhënien afatgjatë mbi tokën/pasurinë që do të përdoret për ndërtimin dhe operimin e burimit gjenerues;
Ofertuesi duhet të paraqesë propozimin për lidhjen me rrjetin, duke deklaruar se do të mbulojë me fondet e saj çdo kosto për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për lidhjen e rrjetit deri në pikën e autorizuar nga operatori i rrjetit.
Kritere për përcaktimin e vendndodhjes:
Vendndodhja e propozuar duhet të jetë në tokë të pafrytshme ose toka që janë jo të kategorizuara si të frytshme.
Të drejtën për të aplikuar e ka çdo shoqëri ose bashkim shoqërish ofertuese që paguan tarifën e pjesëmarrjes në procesin konkurrues, sipas kushteve të specifikuara në dokumentet e procesit konkurrues.
Ofertat e ofertuesve do të vlerësohen sipas kritereve të kualifikimit të ofertës, të përcaktuara në pikën 5, të këtij kreu, bazuar në një metodologji të vlerësimit të ofertave, të përbërë me pikë të ndara sipas secilit kriter, që është pjesë e dokumenteve të procesit konkurrues.
Metodologjia e vlerësimit të ofertave duhet të parashikojë që çmimi i ofruar nga subjektet për blerjen e energjisë të zërë së paku 50% të pikëve.
Për secilin prej kritereve të vlerësimit, ofertuesit duhet të sigurojnë dokumentet e nevojshme, sipas përcaktimeve në dokumentet e procesit konkurrues.
Kur kapaciteti i përbashkët i ofertave që përmbushin kriteret e kualifikimit, sipas këtij vendimi, është më i ulët sesa kapaciteti i ofruar nga ministria, komisioni i posaçëm shpall të gjithë ofertuesit që përmbushin kriteret e kualifikimit si ofertues të përzgjedhur.
Kur kapaciteti i përbashkët i ofertave që përmbushin kriteret e kualifikimit është më i lartë sesa kapaciteti i ofruar nga ministria, komisioni i posaçëm bën përllogaritjen e pikëve për ofertuesit dhe renditjen e tyre sipas rezultatit më të lartë, duke shpallur edhe ofertuesit e përzgjedhur.
Në përfundim të vlerësimit të ofertave, komisioni i posaçëm paraqet për miratim pranë ministrit raportin përfundimtar të vlerësimit.
Ministri autorizon negociimin dhe nënshkrimin e kontratës për zhvillimin e projektit me ofertuesit e përzgjedhur, që përmban të gjitha elementet për zbatimin e suksesshëm të projektit.
Ofertuesi i përzgjedhur duhet të formojë një shoqëri për projektin për të hyrë në marrëveshje përfundimtare, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
Para nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare, ofertuesi i përzgjedhur/shoqëria e projektit duhet të paraqesë garancinë e kontratës, sipas përcaktimeve të dokumenteve të procesit konkurrues.
Ofertuesi i përzgjedhur duhet të garantojë respektimin e rregullave të tregut, si dhe të kërkesave teknike të rrjetit dhe balancimit të ngarkesës në Shqipëri.
DISPOZITA TË FUNDIT
Mbështetja sipas kontratës për diferencë bëhet e aplikueshme në përputhje me parashikimet e ligjit nr.24/2023, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”.
Vendimi nr.349, datë 12.6.2018, i Këshillit të |Ministrave, “Për masat mbështetëse për nxitjen e përdorimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të diellit dhe erës dhe procedurat për përzgjedhjen e projekteve për përfitimin e tyre”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimin në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.10, DATË 7.1.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR LICENCIMIN DHE INSPEKTIMIN E VEPRIMTARIVE ME BURIME TË RREZATIMEVE JONIZUESE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 9, të ligjit nr.8025, datë 9.11.1995, “Për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese”, të ndryshuar, dhe të nenit 5, të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në rregulloren, që i bashkëlidhet vendimit nr.10, datë 7.1.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për licencimin dhe inspektimin e veprimtarive me burime të rrezatimeve jonizuese”, të ndryshuar”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Në rubrikën “Format shpjegues, në lidhje me plotësimin e kërkesës për licencë, përdorim, gjeneratorë me rreze X”, në fjalinë e fundit të pikës 8, fjalët “… siç përcaktohet në faqen zyrtare …” zëvendësohen me “… ose t’i referohen listës së ekspertëve të njohur nga KMR-ja.”.
Në rubrikën “Format shpjegues në lidhje me plotësimin e kërkesës për licencë, përdorim, burime radioaktive”, në pikën 4, pas emërtimit “Instituti i Fizikës Bërthamore të Zbatuar” shtohen fjalët “… ose ekspertë të njohur nga KMR-ja …”.
Në rubrikën “Format shpjegues në lidhje me plotësimin e kërkesës për licencë, gjeneratorë/llambë me rreze X, instalim/mirëmbajtje”, në fjalinë e fundit të pikës 5, fjalët “… siç përcaktohet në faqen zyrtare …” zëvendësohen me “… ose t’i referohen listës së ekspertëve të njohur nga KMR-ja.”.
Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimi për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
HAPJEN E INSTITUCIONIT TË ARSIMIT TË LARTË, JOPUBLIK, TË LLOJIT AKADEMI, “AMERICAN ACADEMY OF TECHNOLOGY TIRANA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 19, 30 dhe 31, pika 1, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Hapjen e institucionit të arsimit të lartë, jopublik, të llojit akademi, “American Academy of Technology Tirana”, në vijim Akademia “American Academy of Technology Tirana” (AATT), në emër të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan “Harry T. Fultz”, i cili ushtron veprimtarinë në qytetin e Tiranës.
Akademia “American Academy of Technology Tirana” organizohet në Fakultetin e Inxhinierisë dhe Teknologjisë dhe ka në përbërje njësitë bazë, si më poshtë vijon:
Departamentin e Inxhinierisë Elektrike;
Departamentin e Teknologjisë së Informacionit;
Qendrën Kërkimore Shkencore.
Akademia “American Academy of Technology Tirana” ofron programe të studimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi.
Akademia “American Academy of Technology Tirana” fillon veprimtarinë vetëm pas nxjerrjes së urdhrit të ministrit përgjegjës për arsimin për fillimin e veprimtarisë.
Akademia “American Academy of Technology Tirana” duhet t’u nënshtrohet procesit të akreditimit institucional dhe programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Statuti i Akademisë “American Academy of Technology Tirana” miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ushtron kontroll periodik të ligjshmërisë në institucion, sipas kuadrit ligjor në fuqi.
Çdo ndryshim i njësisë kryesore të Akademisë “American Academy of Technology Tirana” miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, sipas legjislacionit në fuqi.
Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan “Harry T. Fultz” për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.101, DATË 23.2.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCIVE PRIVATE TË PUNËSIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.101, datë 23.2.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e organizimit e të funksionimit të agjencive private të punësimit”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit publikon në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve aktin e miratimit, refuzimit dhe revokimit të licencës.”.
2. Në pikën 4, pas fjalëve “… shtetasve shqiptarë jashtë shtetit …” shtohen fjalët “… dhe të shtetasve të huaj brenda vendit …”.
3. Pas pikës 5 shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:
“5/1. Pjesë e dosjes administrative të një punëkërkuesi është dokumentacioni për të dhënat identifikuese të punëkërkuesit dhe të subjektit punëdhënës.”.
4. Pas pikës 6 shtohen pikat 6.1 dhe 6.2, me këtë përmbajtje:
“6/1. Agjencia mban evidenca për ndërmjetësimet e kryera, duke përfshirë dokumentet, si më poshtë vijon:
Regjistrin, me numrin identifikues përkatës për çdo të ndërmjetësuar;
Dokumentin identifikues të ndërmjetësuarit;
Regjistrin me të dhënat identifikuese të subjekteve tregtare përkatëse, që kanë punësuar të ndërmjetësuarin/it.
6/2. Agjencia, gjatë gjithë aktivitetit të saj, duhet të ketë një minimum rezervë sigurie të ngurtësuar, jo më pak se 1 000 000 (një milion) lekë të provueshme nëpërmjet një dokumenti të lëshuar nga një bankë ose një shoqëri sigurimi, e licencuar nga shteti për të ushtruar këtë veprimtari, që mund të përdoret për kompensimet ndaj të tretëve.”.
5. Në pikën 7, pas fjalëve “… trajtim të barabartë për të gjithë punëkërkuesit …” shtohen “… dhe i nënshtrohet parimeve të përgjithshme, si parimi respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut e të drejtave të punës, i ligjshmërisë, i mosdiskriminimit, i sjelljes etike dhe profesionalizmit, konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale …”.
6. Në pikën 8 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
Fjala “… pasurisë …” zëvendësohet me “… sigurisë …”;
Në fund të pikës 8 shtohen fjalët “… si dhe çdo e drejtë e parashikuar nga legjislacioni kombëtar për çështjet e punësimit.”.
7. Pas pikës 12 shtohet pika 12/1, me këtë përmbajtje:
“12/1. Agjencia, çdo 6 (gjashtë) muaj, njofton ministrinë përgjegjëse për çështjet e punësimit për strukturën, veprimtarinë e vet dhe për ruajtjen e çdo kriteri të licencimit.”.
8. Në fund të pikës 13, fjalët “… ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit njofton Qendrën Kombëtare të Biznesit për revokimin e licencës …” zëvendësohen me “… ministri përgjegjës për çështjet e punësimit revokon licencën …”.
9. Pas pikës 18 shtohet pika 18/1, me këtë përmbajtje:
“18/1. Ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive publikojnë në faqet e tyre zyrtare të internetit të dhënat për agjencitë private të punësimit të licencuara.”.
II. Dispozitë kalimtare
Për licencat aktive, për nënkategorinë X.2.A, të dhëna para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, brenda afatit kohor prej 120 (njëqind e njëzet) ditësh kalendarike, subjektet kanë detyrimin të aplikojnë për ndryshimet e nevojshme, në përputhje me kriteret e reja, me qëllim mbajtjen e licencës, në të kundërt ajo do të revokohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.77, DATË 28.1.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KONTRIBUTET E DETYRUESHME DHE PËRFITIMET NGA SISTEMI I SIGURIMEVE SHOQËRORE DHE SIGURIMI I KUJDESIT SHËNDETËSOR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 9, 10, 11, 13, 15 e 99, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 6, 8 e 9, të ligjit nr.9136, datë 1.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
Pas shkronjës “j”, të pikës 1, të kreut I, shtohet shkronja “k”, me këtë përmbajtje:
“k) Nxënësit punëmarrës, që ndjekin arsimin dhe formimin profesional në formën e dyfishtë në kualifikimet e niveleve 2 deri në 5 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve dhe që nënshkruajnë një kontratë pune për mësimin e profesionit, me pagesë mujore, për të cilët paguhen kontribute nga punëdhënësi në nivelin minimal, vetëm për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, për kohëzgjatjen e kontratës.”.
Pas pikës 22, të kreut III, shtohet pika 23, me këtë përmbajtje:
“23. Për nxënësin punëmarrës, që ndjek arsimin dhe formimin profesional, në formën e dyfishtë në kualifikimet e niveleve 2 deri në 5 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, që nënshkruan një kontratë pune për mësimin e profesionit me pagesë, kontributi i detyrueshëm për aksidente në punë dhe sëmundjet profesionale është në vlerën 0.3% të pagës bruto minimale në shkallë vendi dhe përballohet nga kompania trajnuese për arsimin e dyfishtë.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.54, DATË 5.2.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURËS E TË MËNYRËS SË DHËNIES ME QIRA, ENFITEOZË APO KONTRATA TË TJERA TË PASURISË SHTETËRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, të miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Në ndarjen I bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:
Pas shkronjës “g”, të pikës 5, shtohet shkronja “gj”, me këtë përmbajtje:
“gj) dhënia me qira ose enfiteozë e pasurive shtetërore subjekteve private në rastin kur Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar statusin “Investim strategjik” për projektin e investimit me potencial strategjik, si dhe masën mbështetëse për vënien në dispozicion të pasurisë shtetërore. Ndryshimet e mëvonshme në kontratë nuk i nënshtrohen kufizimeve të shkronjës “e”, të pikës 5, të kësaj ndarjeje.”.
Nënndarja “i”, e shkronjës “a”, të pikës 6, ndryshohet, si më poshtë vijnon:
“i. Pasuritë shtetërore që ka në administrim, me sipërfaqe deri në 200 m², sipas pikës 2, të këtij vendimi, përveç truallit të lirë dhe tokës së pafrytshme.”.
Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. Dhënia në përdorim e pasurive kulturore te të tretët bëhet nga ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, në përputhje me ligjin nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.”.
Pas fjalisë së parë, të shkronjës “c”, të pikës 9, të ndarjes II, shtohen fjalitë, me këtë përmbajtje:
“Në rast se verifikimi i dokumentacionit të paraqitur në konkurrim në formën e deklaratave ose vetëdeklarimeve është i pamundur të realizohet nga Komisioni nëpërmjet platformës elektronike “e-Albania” ose nëpërmjet komunikimit e ndërveprimit ndërinstitucional, atëherë u kërkohet me shkresë subjekteve në konkurrim të paraqesin dokumentacionin provues. Subjektet duhet që brenda 10 (dhjetë) ditëve të sjellin dokumentacionin e marrë nga institucionet shtetërore përkatëse, në formë elektronike ose fizike. Në këtë rast, afati 15-ditor i shqyrtimit rifillon nga mbarimi i afatit 10-ditor të dorëzimit të dokumentacionit të sipërpërmendur.”.
Në ndarjen V bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Dy fjalitë e fundit të pikës 2 zëvendësohen me fjalitë, me këtë përmbajtje:
“Në rastet kur propozimi për kontratat e qirasë ose të enfiteozës vjen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, propozimi për Këshillin e Ministrave bëhet nga ministri përgjegjës për ekonominë. Ministria përgjegjëse për ekonominë kryen të gjitha procedurat sipas përcaktimeve të këtij vendimi. Propozimi shoqërohet me projektkontratën e negociuar ndërmjet subjektit dhe ministrisë përgjegjëse për ekonominë, bazuar në kontratën tip të këtij vendimi. Propozimi përmban të gjithë dokumentacionin e kërkuar, të përcaktuar në këtë vendim. Në rast se ky dokumentacion nuk është i plotë ose ka mangësi kthehet për plotësim ose rishqyrtim në institucionin propozues.”.
Shkronja “a”, e pikës 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Për kontratat e qirasë ose të enfiteozës, me nivele investimi mbi 100 000 000 (njëqind milionë) lekë, me qëllim ushtrimin e veprimtarive në fushën e sportit, kulturës, turizmit, inovacionit apo që ndikojnë për zgjidhjen e problemeve sociale ose për strehimin dhe përkujdesjen e të moshuarve;”.
Pas pikës 3 shtohet pika 3.1, me këtë përmbajtje:
“3.1. Ministria përgjegjëse për ekonominë propozon në Këshillin e Ministrave dhënien me qira/enfiteozë të pasurisë shtetërore pa konkurrim dhe me tarifën simbolike 1 euro/kontrata për projekte për të cilat Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) ka miratuar vënien në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore, si masë mbështetëse për realizimin e investimit, sipas ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ka ngarkuar ministrinë përgjegjëse për ekonominë për lidhjen e kontratës me tarifën simbolike 1 euro/kontrata.”.
ç) Në pikën 4, togflashi “… në konkurrim …” hiqet.
Fjalia e dytë, e shkronjës “b”, të pikës 3, të ndarjes IV, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Ministria përgjegjëse për ekonominë bën përmbledhësen vjetore në rang vendi dhe një kopje të saj ia dërgon ministrisë përgjegjëse për financat.”.
Në ndarjen VIII bëhen këto ndryshime:
Në pikën 6, fjalët “…, në përputhje me shkronjën “b”, të nenit 3, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar…” zëvendësohen me “… sipas kritereve dhe procedurës së parashikuar në pikën 4, të kësaj ndarjeje …”.
Paragrafi i parë, i pikës 7, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Në rast se në pasuritë shtetërore, për të cilat është lidhur një kontratë qiraje/enfiteoze, ekzistojnë objekte apo ndërtime ekzistuese, të cilat nuk mundësojnë përmbushjen e objektit të kontratës, subjektit qiramarrës/enfiteozëmarrës i lind e drejta e paraqitjes së kërkesës pranë përfaqësuesit të pronës shtetërore për shembjen e tyre, nëse është parashikuar në projektin, pjesë e kontratës.
Kur pasuria shtetërore, që përmban objekte apo ndërtesa, shtrihet në gjurmën e projekteve për të cilat është miratuar leja e zhvillimit në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, objektet dhe ndërtesat ekzistuese të ndodhura në këtë pasuri shemben në funksion të zhvillimit të projektit, në përputhje me procedurat e parashikuara në legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
Shpenzimet e shembjes, si dhe vlera kontabël e këtyre objekteve apo ndërtesave përballohen nga subjekti zhvillues i projektit. Në këto shpenzime të shembjes përfshihen edhe pagesat për audituesit ligjorë ose ekspertë të tjerë të pavarur të specializuar dhe të licencuar, të emëruar nga subjekti shtetëror qiradhënës/enfiteozëdhënës për të gjithë procedurën e zhvilluar për këtë qëllim.
Përcaktimi i vlerës kontabël bëhet nga eksperti kontabël i miratuar/audituesi ligjor i emëruar për këtë qëllim nga ministri përgjegjës për ekonominë. Kur eksperti kontabël i miratuar/audituesi ligjor konstaton se për objektet apo ndërtesat në vlerësim nuk ka vlerë kontabël të përcaktuar, i kërkon ministrit përgjegjës për ekonominë emërimin e një eksperti vlerësues të pasurive të paluajtshme. Pas dorëzimit të raportit nga ana e ekspertit kontabël të miratuar/audituesit ligjor, ministri përgjegjës për ekonominë autorizon kryerjen e pagesës së vlerës përkatëse kontabël të përcaktuar nga eksperti kontabël i miratuar/audituesi ligjor, sipas rastit, që do të përballohet nga subjekti qiramarrës/enfiteozëmarrës në llogarinë e ministrisë përgjegjëse për ekonominë.”.
Paragrafi dytë, i pikës 7, shfuqizohet.
Kudo në përmbajtjen e vendimit, pas fjalëve “… ekspert kontabël i miratuar …” shtohen “… /auditues ligjor, sipas rastit …”.
Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA