Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 prill 2016
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT TË TRAKTATIT TË ATLANTIKUT VERIOR PËR ADERIMIN E MALIT TË ZI 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Malit të Zi, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMANDËS SUPREME TË FUQIVE ALEATE NË EVROPË (SHAPE), PËR PATRULLIMIN E HAPËSIRËS AJRORE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komandës Supreme të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE), për patrullimin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MODELIN, PËRSHKRIMIN, RREGULLAT, PROCEDURAT DHE DHËNIEN E MEDALJEVE DHE CERTIFIKATAVE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.9/2015, “Për medaljet në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Modelet dhe përshkrimet e medaljeve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që jepen sipas ligjit nr.9/2015, “Për medaljet në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, janë sipas lidhjeve 1 – 23, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Dhënia e medaljeve shoqërohet me certifikatë. Formati i certifikatës është letër A4 (210 mm x 297 mm), 160 g/m2, me fushë me stemën e institucionit, me kornizë me shirit anash, si më poshtë vijon:
a) Modeli dhe përshkrimi i certifikatës, që shoqëron medaljet që jep ministri i Mbrojtjes është sipas lidhjes nr.24, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë e përbërëse e tij.
b) Modeli dhe përshkrimi i certifikatës, që shoqëron medaljet që jep Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, komandantët e forcave dhe atyre mbështetëse, komandantët e batalioneve/flotiljeve/regjimenteve dhe komandantët e kompanive, është sipas lidhjes nr.25, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë e përbërëse e tij.
3. Ministri i Mbrojtjes i jep medaljet kryesisht ose me propozim të:
– Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
– komandantëve të forcave dhe atyre mbështetëse;
– titullarëve të strukturave të varësisë;
– titullarëve të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes.
4. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura i jep medaljet kryesisht ose me propozim të:
– komandantëve të forcave dhe atyre mbështetëse;
– titullarëve të strukturave të varësisë;
– titullarëve të strukturave të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
5. Komandantët e forcave dhe atyre mbështetëse i japin medaljet kryesisht ose me propozim të titullarëve të strukturave të varësisë.
6. Komandantët e batalioneve/flotiljeve/regjimenteve i japin medaljet kryesisht ose me propozim të titullarëve të strukturave të varësisë.
7. Komandantët e kompanive i japin medaljet kryesisht ose me propozim të titullarëve të strukturave të varësisë.
8. Propozimi për dhënien e medaljes bëhet me shkrim dhe dërgohet  90 (nëntëdhjetë) ditë përpara datës së propozuar për dhënien e medaljes, përveç rasteve të veçanta kur respektimi i këtij afati është i pamundur.
9. Propozimi për dhënien e medaljeve duhet të përmbajë:
– autoritetin propozues;
– emrin, mbiemrin dhe një prezantim të personit të cilit do t’i jepet medalja;
– arsyet e hollësishme të propozimit, motivacionin dhe elementet që vërtetojnë përmbushjen e kritereve përkatëse për dhënien e medaljes;
– llojin e medaljes që do të jepet;
– deklaratë nga personi që propozohet se nuk i është dhënë më parë kjo lloj   medaljeje (përveç medaljes së karrierës);
– vërtetim nga Qendra e Personel-Rekrutimit se personi i propozuar nuk ka marrë më parë këtë lloj medaljeje (përveç medaljes së karrierës);
– vërtetim se personi i propozuar nuk është dënuar për vepra penale;
  – vërtetim se personi i propozuar nuk është nën hetim.
10. Propozimi për dhënien e medaljes i bëhet autoritetit përgjegjës për dhënien e saj. Pas njohjes me propozimin për dhënien e medaljes ndiqet kjo procedurë:
a) Ministri i Mbrojtjes ngarkon strukturën përgjegjëse të burimeve njerëzore/personelit dhe strukturën përgjegjëse të përkujdesjes së ushtarakëve për shqyrtimin e propozimit.
b) Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ngarkon strukturën përgjegjëse të burimeve njerëzore/personelit për shqyrtimin e propozimit.
c) Komandantët e forcave dhe atyre mbështetëse ngarkojnë strukturën përgjegjëse të burimeve njerëzore/personelit për shqyrtimin e propozimit.
ç) Komandantët e batalioneve/flotiljeve/regjimenteve ngarkojnë strukturën përgjegjëse të burimeve njerëzore/personelit për shqyrtimin e propozimit.
d) Komandantët e kompanive i paraqesin kërkesë strukturës eprore të burimeve njerëzore/personelit për shqyrtimin e propozimit.
11. Strukturat përgjegjëse të përmendura në pikën 10, të këtij vendimi, kryejnë shqyrtimin e propozimit për dhënie medaljeje dhe marrin nga autoriteti përgjegjës për dhënien e medaljes, miratimin, në parim, dhe pas këtyre procedurave, strukturat përgjegjëse përgatitin urdhrin përkatës për autoritetin që jep medaljen, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve.
12. Dhënia e medaljeve bëhet me ceremoni zyrtare, e cila organizohet nga autoriteti që jep medaljen. Dhënia e medaljes bëhet në prani të efektit të repartit, të pjesëtarëve të familjes të personit që do të marrë medaljen, si dhe të të ftuarve të tjerë, sipas rastit.
13. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.691, datë 22.10.2014, “Për miratimin e specifikimeve të medaljeve e të certifikatave që jep ministri i Mbrojtjes”, dhe nr.406, datë 25.6.2004, “Për miratimin e rregullores për përshkrimin, procedurat e propozimit, të shqyrtimit dhe të dhënies së medaljeve personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohen.
14. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MASËS SË SHPËRBLIMIT PËR MEDALJET NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.9/2015, “Për medaljet në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Masa e shpërblimit për medaljet që jepen sipas ligjit nr.9/2015, “Për medaljet në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të jetë si më poshtë vijon:
a) Për medaljet që jep ministri i Mbrojtjes:
– “Medalja e nderit” 40 000 lekë;
– “Medalja e mirënjohjes” 30 000 lekë;
– Medalja “Në shërbim të atdheut” 30 000 lekë;
– Medalja “Për shërbime të shquara” 20 000 lekë;
– Medalja “Për shërbime të larta” 20 000 lekë.
b) Për medaljet që jep Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura:
– “Medalja shpëtimtari” 30 000 lekë;
– “Medalja e trimërisë” 30 000 lekë;
– “Medalja e sakrificës” 20 000 lekë;
– “Medalja e karrierës”  5 000 lekë;
– Medalja “Për shërbime të veçanta” 10 000 lekë;
– Medalja “Pjesëmarrje në operacione humanitare” 10 000 lekë;
– Medalja “Pjesëmarrje në emergjenca civile” 10 000 lekë.
c) Për medaljet që japin komandantët e forcave dhe komandantët e komandave mbështetëse:
– “Medalja e ushtarit” 10 000 lekë;
– “Medalja e pilotit” 10 000 lekë;
– “Medalja e marinarit” 10 000 lekë;
– “Medalja e dijes” 10 000 lekë;
– “Medalja e mbështetjes” 10 000 lekë;
– “Medalja e karrierës”  5 000 lekë.
2. Shpërblim për medalje do të marrin vetëm ushtarakët aktivë dhe punonjësit civilë të strukturave organike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
3. Shpërblimet për medaljet sipas pikës 1, të këtij vendimi, jepen, përkatësisht, nga ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, komandanti i forcës dhe komandanti i komandës mbështetëse.
4. Efektet financiare të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.
5. Vendimi nr.581, datë 10.9.2004, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit për medaljet që i jepen personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohet.
6. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E TRANSPORTIT DHE INFRASTRUKTURËS, TË PRONËS NR.1147, ME EMËRTIM “BANKINË”, ME VENDNDODHJE NË BUNEC, LUKOVË, SARANDË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15,     të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”,  të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, të pronës nr.1147, me emërtim “Bankinë”, me vendndodhje në Bunec, Lukovë, Sarandë, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për trajtimin e kërkesave të operatorëve, në kuadrin e partneritetit publik privat, për përmirësimin e infrastrukturës së pontilit sipas standardeve të sigurisë lundrimore, për shfrytëzimin e potencialit të lartë ekonomik dhe për krijimin e kapaciteteve të eksportit të ujit të pijshëm.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, hiqet prona nr.1147, me emërtim “Bankinë”, me vendndodhje në Bunec, Lukovë, Sarandë.
3. Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës së përcakuar në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA  E ZHVILLIMIT URBAN, TË PRONËS NR.101, ME EMËRTIM “DEPO USHQIMI E ISH-REPARTIT USHTARAK NR.5011”, ME VENDNDODHJE TE RRAPI I TRESHIT, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”,  TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e  Zhvillimit Urban, të pronës nr.101, me emërtim “Depo ushqimi e ish-repartit ushtarak nr.5011”, me vendndodhje te Rrapi i Treshit, Tiranë, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për realizimin e projekteve për ndërtimin e banesave sociale.
2. Prona nr.101, sipas planrilevimit, me sipërfaqe 16 470.97 (gjashtëmbëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë pikë nëntëdhjetë e shtatë) m2, me emërtim “Depo ushqimi e ish-repartit ushtarak nr.5011”, me vendndodhje te Rrapi i Treshit, Tiranë, e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
3. Ministrisë së Zhvillimit Urban i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronës të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Përfitues nga projektet e banesave që do të ndërtohen në këtë pronë do të jenë qytetarët e pastrehë dhe ata të sistemuar aktualisht në godinat e Universitetit Bujqësor, Tiranë, dhe në godinën e ish-Institutit të Kërkimeve Biologjike, Tiranë, sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi. Miratimi i listave bëhet me vendimin e këshillit bashkiak dhe përfituesit duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret për strehim social, bazuar në ligjin nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, të ndryshuar.
5. Vendimi nr.415, datë 15.5.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, për Entin Kombëtar të Banesave, të sipërfaqes 10 000 m2, truall, pjesë e pronës nr.101, “Reparti nr.5011”, Rrapi i Treshit, Tiranë, si dhe për një ndryshim në vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, shfuqizohet.
6. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Zhvillimit Urban, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
CAKTIMIN E ANËTARËVE TË KOMISIONIT TË PËRZGJEDHJES  SË PROJEKTEVE NË TURIZËM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 31, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes,  Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Caktimin e anëtarëve, përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për turizmin, në Komisionin e Përzgjedhjes së Projekteve në Turizëm, si më poshtë vijon:
– Z. Frederik Seiti, Sekretar i Përgjithshëm,  Kryetar;
– Znj. Sonia Popa, drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit
të Turizmit,                                                                          anëtar;
– Znj. Suzana Stefa, drejtor i Financës,             anëtar;
– Z. Ardit Çollaku, drejtor i i Përgjithshëm i Agjencisë
  Kombëtare të Turizmit,                                                                 anëtar;
– Z. Ergys Qirici, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve
Mbështetëse                                                                 anëtar.
2. Caktimin e anëtarëve, përfaqësues të shoqatave në sektorin e turizmit, në Komisionin e Përzgjedhjes së Projekteve në Turizëm, si më poshtë vijon:
– Znj. Matilda Naço, Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA),    anëtar;
– Z. Rudenc Ruka, Shoqata Kombëtare e Guidave
  Turistike (NATGA)                                                       anëtar.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE E TË AFATEVE TË KËRKESËPROPOZIMEVE PËR MBËSHTETJEN FINANCIARE TË PROJEKTEVE NË FUSHËN E TURIZMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të nenit 31, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministria përgjegjëse për turizmin, nëpërmjet fondeve të parashikuara në buxhetin e shtetit, financon projekte studimi, promovimi dhe edukimi apo modele inovative të produkteve turistike, në funksion të turizmit, të paraqitura nga persona fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, privatë ose publikë.
2. Ministria përgjegjëse për turizmin përzgjedh projektet në fushën e turizmit, duke vlerësuar ndikimin social, mjedisor dhe ekonomik të tyre.
3. Për realizimin e projekteve konkurruese turistike, skema e financimit do të mbulojë deri në 50% të kostove të pranuara e të miratuara nga ministria përgjegjëse për turizmin.
4. Projektet, për të cilat kërkohet një financim që kalon 50% të fondit buxhetor vjetor të parashikuar në buxhetin e shtetit, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
5. Projektet, që do të përzgjidhen, do të synojnë në:
a) përgatitjen e studimeve apo të modeleve të produkteve turistike;
b) promovimin e destinacioneve turistike e të vlerave të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të vendit;
c) edukimin profesional të burimeve njerëzore të subjekteve që zhvillojnë veprimtari në fushën e turizmit me qëllim rritjen e cilësisë dhe përmirësimin e shërbimit.
6. Subjektet, që do të përfitojnë mbështetje financiare, duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
     6.1. Të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm lidhur me statusin e tyre juridik provuar me ekstraktin e regjistrimit dhe ekstraktin historik, si subjekt, dhe NUIS-in, si dhe dokumentet që vërtetojnë se:
a) nuk janë në proces falimentimi dhe se kapitalet e tij nuk janë në proces ekzekutimi nga përmbaruesit;
b) nuk janë subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit dhe nuk ka një urdhër likuidimi të detyruar ose administrimi nga gjykata, ose nuk ka një marrëveshje me kreditorët, ose ndonjë procedurë tjetër të ngjashme;
c)   nuk janë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale si person juridik, ortak apo aksionar i shoqërisë;
ç)  kanë përmbushur detyrimet për pagimin e tatimeve, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës;
d) kanë përmbushur detyrimet për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës.
6.2. Të paraqesin argumente në mbështetje të propozimeve që justifikojnë financimin e projekteve të rëndësishme të paraqitura prej tyre.
6.3. Të demonstrojnë që janë në gjendje të financojnë 100% të të gjitha kostove të projektit të propozuar përpara përfundimit të tij, provuar me kopje të certifikuara të bilanceve të 2 viteve të fundit, të paraqitura në autoritetet përkatëse dhe raportet e auditit financiar, të certifikuara nga një subjekt i licencuar auditimi dhe kopje të deklaratave të xhiros vjetore.
6.4. Në aplikimin e paraqitur nga subjektet aplikuese duhet të parashikohen edhe shpenzimet për auditimin e projektit.
Kur aplikuesi është i huaj, ai duhet të vërtetojë se i plotëson të gjitha kërkesat e renditura më sipër. Nëse dokumentet e sipërpërmendura nuk lëshohen në shtetin e origjinës, atëherë mjafton një deklaratë noteriale me shkrim nga ana e tij.
7. Në projektet që do të përzgjidhen, subjektet konkurruese duhet të përfshijnë:
a) qëllimin e projektit;
b) vendin e ushtrimit të veprimtarisë;
c) veprimtarinë që do të kryhet;
ç) çmimet e referencës për të gjitha aktivitetet që mund të nënkontraktohen;
d) burimet e financimit;
dh) mënyrën e menaxhimit të projektit dhe sistemin e monitorimit e të vlerësimit të tij;
e) treguesit e verifikueshëm dhe rezultatet e pritshme të projektit.
8. Ministri, nëpërmjet njoftimit në media, në website-in e ministrisë dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, publikon procedurën që u bëhet me dije të gjitha subjekteve të interesuara lidhur me projektet turistike që do të kërkojnë mbështetje financiare nga buxheti i shtetit sipas ligjit.
9. Paraqitja e dokumentacionit sipas pikave 6 e 7, bëhet nga subjektet e interesuara brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit të ministrit përgjegjës për turizimin për vënien në dispozicion të fondit.
10. Formulari i aplikimit dhe procedurat për përfitimin e mbështetjtes financiare lidhur me projektet miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin.
11. Ministri përgjegjës për turizmin, me propozimin e Komisionit të Përzgjedhjes së Projekteve, miraton projektet turistike që përfitojnë mbështetje financiare nga buxheti i shtetit. Nuk mund të marrin pjesë në këtë komision personat që kanë konflikt interesi me aplikuesit, sipas legjislacionit në fuqi për konfliktin e interesit. Anëtarët e komisionit kanë detyrimin të ruajnë konfidencialitetin e përmbajtjes së aplikimeve.
12. Pagesat e përfituara nga fondi buxhetor do të kryhen 30% e vlerës në datën e fillimit të projektit dhe 70% e vlerës në përfundim të projektit, kundrejt faturës/faturave që vërteton/vërtetojnë shpenzimet e kryera për projektin.
13. Financimi nga buxheti i shtetit nuk mund të jepet më tepër se një herë në vit për të njëjtin subjekt konkurues.
14. Organet e kontrollit të ngarkuara me ligj ose ekspertë auditi të pavarur auditojnë një herë në vit projektin që ka fituar për mbështetjen financiare.
15. Raporti përfundimtar i auditimit i paraqitet Komisionit të Përzgjedhjes së Projekteve.
16. Shpenzimet e nevojshme për shpërblimin e ekspertëve të pavarur do të mbulohen nga fondi buxhetor i parashikuar për mbështetjen financiare të projekteve turistike.
17. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË KONVENTËS SË KËSHILLIT TË EVROPËS “PËR MANIPULIMIN E GARAVE SPORTIVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të konventës së Këshillit të Evropës “Për manipulimin e garave sportive”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E REKOMANDIMEVE NË LUFTËN KUNDËR KRIMINALITETIT PËR VITIN 2016
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 54, të ligjit nr.8737, datë 12.2.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rekomandimeve në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2016, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet ministri i Drejtësisë t’i përcjellë menjëherë Prokurorit të Përgjithshëm rekomandimet e miratuara.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E LIQENIT TË OHRIT SI ZONË BASHKËMENAXHUESE PESHKIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 54, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e liqenit të Ohrit si zonë bashkëmenaxhuese peshkimi, për të ushtruar aktivitetin e peshkimit tradicional.
2. Plani i bashkëmenaxhimit për liqenin e Ohrit miratohet me urdhër të ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, brenda 12 muajve nga data e miratimit të kësaj zone.
3. Plani i bashkëmenaxhimit, sipas pikës 2, të jetë në përputhje me planin e menaxhimit të basenit Drin-Buna.
4. Veprimtaritë dhe investimet që do të kryhen në liqenin e Ohrit të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi për zonat e mbrojtura dhe me objektivat e planit të menaxhimit të zonës së mbrojtur të liqenit të Ohrit.
5. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
 V E N D I M
 PËR 
HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT NË KATEGORINË E ULËT DHE TË MESME DREJTUESE EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË, JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2016
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të   ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Për vitin 2016, procedura e plotësimit të pozicioneve të lira të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese, për të cilët lëvizja paralele është mbyllur pa fitues, të jetë e hapur edhe për kandidatë të tjerë, jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kushtet dhe kërkesat për vendet e lira.
2. Numri maksimal i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, është:
a) 18, për kategorinë e mesme drejtuese;
b) 55, për kategorinë e ulët drejtuese.
3. Pozicionet, në të cilat mund të konkurojnë edhe kandidatë nga jashtë shërbimit civil, për nivelin e mesëm drejtues, gjithsej 18, dhe për nivelin e ulët drejtues, gjithsej 55, përcaktohen në lidhjen 1, bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMETIT RRUGOR “HIDROCENTRALI I BANJËS – GRAMSH DHE URA E TASHOVICËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë.22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Hidrocentrali i Banjës – Gramsh dhe Ura e Tashovicës”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “arë”, “truall” dhe “objekt”, me sipërfaqe të përgjithshme 110 973 (njëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tre) m2, me vlerë 30 929 985 (tridhjetë milionë e nëntëqind e njëzet e nëntë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e pesë) lekë, nga të cilat:
– pasuritë “arë” dhe “truall”, me sipërfaqe 110 878 (njëqind e dhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e tetë) m2, me vlerë 29 466 985 (njëzet e nëntë milionë e katërqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e pesë) lekë;
– “objekt”, me sipërfaqe 95 (nëntëdhjetë e pesë) m2, me vlerë  1 463 000 (një milion e katërqind e gjashtëdhjetë e tre mijë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë “arë”, “truall” dhe “objekt”, prej 30 929 985 (tridhjetë milionë e nëntëqind e njëzet e nëntë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e pesë) lekësh, të përballohet nga buxheti i shoqërisë “Devoll Hidropower”, sh.a.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i shoqërisë “Devoll Hidropower”, sh.a.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë  pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë, që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Shoqëria “Devoll Hydropower”, sh.a. të kryejë shlyerjen, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, menjëherë pas miratimit të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Elbasan dhe Gramsh, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Elbasan dhe Gramsh të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, shoqëria “Devoll Hidropower”, sh.a., Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Elbasan dhe Gramsh për  zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “LEJE NDËRTIMI PËR RIKUALIFIKIMIN URBAN TË SHESHIT “AVNI RUSTEMI”  DHE PAZARIT TË RI”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit, “Leje ndërtimi për rikualifikimin urban të sheshit “Avni Rustemi” dhe Pazarit të Ri”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “tokë truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë të përgjithshme prej 85 945 757 (tetëdhjetë e pesë milionë e nëntëqind e dyzet e pesë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e shtatë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 85 945 757 (tetëdhjetë e pesë milionë e nëntëqind e dyzet e pesë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e shtatë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
5. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
6. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Tiranë.
7. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
9. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.