Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Prill 2022:
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, ADMINISTRIMIN DHE PËRDORIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE TË REGJISTRIT ELEKTRONIK TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË METROLOGJISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 51, të ligjit nr.126/2020, “Për metrologjinë”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e Regjistrit Elektronik të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë për regjistrimin dhe administrimin e të dhënave të:
a) pajisjeve matëse dhe kalibruese, që janë objekt i ligjit nr.126/2020, “Për metrologjinë”;
b) autorizimeve për subjektet për të ushtruar veprimtari në zbatim të këtij ligji;
c) autorizimeve për subjektet që bëjnë riparime dhe mirëmbajtje të pajisjeve matëse e kalibruese, në zbatim të këtij ligji;
ç) subjekteve që zotërojnë dhe përdorin pajisje matëse, objekt i kontrollit metrologjik ligjor, sipas nenit 17, të ligjit nr.126/2020, “Për metrologjinë”;
d) rezultateve të inspektimeve të kryera, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji.
2. Baza e të dhënave të Regjistrit Elektronik të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë administrohet e përditësohet periodikisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (DPM), si institucioni administrues, sa herë është e nevojshme apo ka ndryshime të tyre, në kuptim të ligjit nr.126/2020, “Për metrologjinë”.
3. Regjistri Elektronik i Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë shërben për:
a) ndjekjen, monitorimin dhe vlerësimin e punës e së shërbimeve që ofron DPM-ja;
b) ofrimin e përgjigjeve të kërkesave të bëra nga subjekte apo qytetarë;
c) referimin për të marrë shërbimin ose informacionin e kërkuar në kohë të shpejtë;
ç) unifikimin e kompjuterizimin e të dhënave të punës dhe përmirësimin e cilësisë së statistikave të harmonizuara, të gjeneruara nga regjistri;
d) identifikimin e nevojave dhe hartimin e planeve përkatëse nga strukturat përgjegjëse.
4. Dhënës të informacionit në Regjistrin Elektronik të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë janë:
a) laboratorët e autorizuar si mbajtës të etalonëve kombëtarë dhe sekondarë, sipas nenit 13, të ligjit nr.126/2020, “Për metrologjinë”;
b) personat juridikë privatë të autorizuar me një nga format e parashikuara në legjislacionin në fuqi për të kryer shërbimet e parashikuara në ligjin nr.126/2020, “Për metrologjinë”;
c) personat juridikë të autorizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë për të kryer verifikim periodik të instrumenteve në metrologjinë ligjore, sipas dispozitave të ligjit nr.126/2020, “Për metrologjinë”;
ç) personat juridikë dhe fizikë të autorizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë për të kryer riparim të instrumenteve matëse.
5. Regjistri Elektronik i Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë përmban këto të dhëna parësore dhe dytësore:
5.1. Të dhënat parësore janë:
a) të dhënat për pajisjet matëse dhe kalibruese, që janë objekt i ligjit nr.126/2020, “Për metrologjinë”;
b) vendimet për autorizimet për subjektet për të ushtruar veprimtari në zbatim të këtij ligji;
c) vendimet për autorizimet për subjektet që bëjnë riparime dhe mirëmbajtje të pajisjeve matëse e kalibruese, në zbatim të këtij ligji;
ç) data e verifikimit/kalibrimit;
d) data e verifikimit të ardhshëm periodik;
dh) të dhënat e certifikatave dhe shenjave të konformitetit të lëshuara jashtë vendit, nëse ato janë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë, sipas nenit 30, të ligjit nr.126/2020, “Për metrologjinë”;
e) të dhënat e paketuesve të parapaketimeve me shenjë konformiteti, sipas nenit 38, të ligjit nr.126/2020, “Për metrologjinë”;
ë) laboratorët mbajtës të etalonëve kombëtarë të matjeve, sipas nenit 13, të ligjit nr.126/2020, “Për metrologjinë”.
5.2. Të dhëna dytësore janë të dhënat e regjistrit tregtar për emrin, numrin unik të identifikimit, adresën dhe statusin për subjektet që zotërojnë dhe përdorin pajisje matëse, objekt i kontrollit metrologjik ligjor, sipas nenit 17, të ligjit nr.126/2020, “Për metrologjinë”.
6. Niveli i aksesimit në Regjistrin Elektronik të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë është, si më poshtë vijon:
a) Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë ka akses si administratore dhe përdoruese e regjistrit. Niveli i aksesimit, funksionet e të drejtat për secilën kategori përdoruesi të sistemit janë në përputhje me pozicionin e punës së punonjësit të DPM-së;
b) Dhënësit e informacionit, sipas pikës 4, të këtij vendimi, kanë akses si përdorues të regjistrit;
c) Qytetarët, subjektet private dhe institucionet shtetërore kanë nivel aksesi si lexues të regjistrit.
7. Drejtori i Përgjithshëm i drejtorisë përgjegjëse për metrologjinë miraton rregulloren për organizimin e funksionimin e brendshëm të bazës së të dhënave shtetërore, që krijohet nëpërmjet këtij vendimi.
8. Plotësimi i të dhënave parësore dhe dytësore në regjistrin elektronik nga strukturat përkatëse për plotësimin, administrimin duhet të ketë përfunduar brenda 1 (një) viti kalendarik nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
9. Administrimi teknik i infrastrukturës hardware dhe software të sistemit bëhet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
10. Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë ruan konfidencialitetin dhe besueshmërinë e këtyre të dhënave personale, në përputhje me nenin 28, të ligjit nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar.
11. Baza e të dhënave të Regjistrit Elektronik të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë ndërvepron nëpërmjet shkëmbimit elektronik të të dhënave me bazën e të dhënave të regjistrit tregtar.
12. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Endrit Hoxha emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PROJEKTIN “EU4SCHOOLS”, FAZA E DYTË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së bashkëpunimit me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për projektin “EU4Schools”, faza e dytë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE TË MASËS SË KOMPENSIMIT PËR SHOQËRITË E LINJAVE TË TRANSPORTIT QYTETASE, RRETHQYTETASE DHE NDËRQYTETASE, PJESË E PAKETËS ANTIKRIZË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. TË PËRGJITHSHME
1. Kompensimin e shoqërive të transportit për linjat qytetase, rrethqytetase dhe ndërqytetase, në masën 100 (njëqind) lekë për litër karburanti, për një periudhë tremujore: mars, prill, maj 2022. Kompensimi bëhet për shumën e konsumimit të karburantit për periudhën: mars, prill, maj 2022, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2021, për secilën nga shoqëritë.
2. Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në zërin shpenzime korente të programit 01140 “Menaxhimi i të ardhurave tatimore”, i shtohet fondi prej 430 000 000 (katërqind e tridhjetë milionë) lekësh, për kompensimin e shoqërive të transportit për linjat qytetase, rrethqytetase dhe ndërqytetase.
II. KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E KOMPENSIMIT
1. Kërkesa për të përfituar kompensimin financiar, të përcaktuar në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, bëhet nga subjekti çdo muaj pranë administratës tatimore nën juridiksionin e së cilës është regjistruar, e cila bën verifikimin e dokumentacionit të paraqitur.
2. Subjektet kërkuese duhet të paraqesin pranë administratës tatimore, nën juridiksionin e së cilës janë regjistruar, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën, sipas shtojcës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi;
b) Kopjen e licencës përkatëse të vlefshme për transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas;
c) të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS;
ç) Emrin e bankës, ku subjekti përfitues ka llogarinë rrjedhëse bankare;
d) IBAN-in e llogarisë bankare (jo më shumë se 28 karaktere dhe në monedhën lekë);
dh) Shoqëritë që kryejnë vetëm aktivitet të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, kopje të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën: mars, prill, maj, të vitit 2021 dhe 2022;
e) Shoqëritë, që përveç aktivitetit të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, ushtrojnë edhe aktivitete të tjera, përveç kopjeve të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën: mars, prill, maj, të vitit 2021 dhe 2022, duhet të paraqesin edhe:
i. vetëdeklarim të sasisë së karburantit të përdorur për transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas;
ii. kopje të fletëdaljeve të karburantit gjatë muajve mars, prill, maj, të viteve 2021 dhe 2022, të përdorur për transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, sipas targave të mjeteve.
3. Kërkesat nga subjektet paraqiten pas datës 10 (dhjetë), të muajit pasardhës, duke filluar nga muaji prill 2022.
4. Në rastin kur konstatohen se në dokumentet e dorëzuara nga subjekti janë të paplota apo kanë mangësi, administrata tatimore, brenda 5 (pesë) ditëve pune, e kthen kërkesën me qëllim plotësimin e dokumentacionit.
5. Administrata tatimore, pas verifikimit të dokumentacionit të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, dërgon pranë degës përkatëse të thesarit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune, urdhërshpenzimet, duke bashkëlidhur listën përmbledhëse të subjekteve përfituese, sipas bankave të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë e tyre bankare.
6. Për shoqëritë e regjistruara pas muajit maj, të vitit 2021, si vlerë reference për kompensim do të merret vlera më e lartë e konsumit të karburantit, për periudhën janar-shkurt 2022.
7. Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore mund të kryejnë edhe verifikime në vend, në rast konstatimi të pasaktësive në dokumentacionin e paraqitur në kërkesë.
8. Struktura e thesarit në degë, mbas marrjes së urdhërshpenzimit me listën e përfitueseve, sipas pikës 5, të këtij kreu, kryen pagesën brenda 5 (pesë) ditëve pune.
III. ÇËSHTJE TË FUNDIT
1. Kërkesat për kompensim do të pranohen deri në datën 1 gusht 2022.
2. Efekti financiar prej 430 000 000 (katërqind e tridhjetë milionë) lekësh, sipas pikës 2, të kreut I, të këtij vendimi, përballohet nga fondi i kontigjencës për paketën e rezistencës sociale ndaj pasojave të krizës, miratuar për vitin 2022.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE SPECIFIKE TË LICENCIMIT, DOKUMENTEVE SHOQËRUESE, PROCEDURAVE TË SHQYRTIMIT, VLEFSHMËRISË, PROCEDURAVE TË PEZULLIMIT DHE TË SHFUQIZIMIT TË LICENCËS PËR PRODHUESIT DHE TREGTUESIT ME SHUMICË TË PAJISJEVE MJEKËSORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21, pika 5, e 22, pika 1, të ligjit nr.89/2014, “Për pajisjet mjekësore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Vendimi ka për qëllim përcaktimin e kushteve specifike të licencimit, dokumenteve shoqëruese, procedurave të shqyrtimit, vlefshmërisë, procedurave të pezullimit dhe të shfuqizimit të licencës për prodhuesit dhe tregtuesit me shumicë të pajisjeve mjekësore në Republikën e Shqipërisë.
II. KUSHTET SPECIFIKE TË LICENCIMIT, DOKUMENTET SHOQËRUESE DHE PROCEDURAT E SHQYRTIMIT PËR PRODHUESIT E PAJISJEVE MJEKËSORE
1. Kushtet specifike të licencimit, që duhet të plotësojnë prodhuesit e pajisjeve mjekësore, janë:
a) përmbushja e kërkesave thelbësore dhe e kërkesave të sigurisë së shëndetit, duke marrë në konsideratë qëllimin e synuar të përdorimit të pajisjes, sipas legjislacionit në fuqi në formën e një vetëdeklarimi;
b) sigurimi i mjediseve të përshtatshme dhe i pajisjeve teknologjike të nevojshme për prodhimin, si më poshtë vijon:
i. Hapësira të dedikuara për prodhimin e pajisjeve mjekësore nuk duhet të jetë më e vogël se 100 (njëqind) m²;
ii. Mjedisi i përcaktuar për etiketimin, ruajtjen dhe magazinimin e pajisjeve mjekësore, shpërndarjen e pajisjeve mjekësore nuk duhet të jetë më i vogël se 50 (pesëdhjetë) m².
c) mbajtja e dokumentacionit të duhur sipas llojeve e sasive të pajisjeve mjekësore dhe sipas klasave të rrezikut;
ç) të ketë një person përgjegjës për linjën e prodhimit, i cili duhet të plotësojë këto kushte:
i. Të zotërojë diplomë të ciklit të dytë, që lëshohet në përfundim të një programi të ciklit të dytë apo të një programi të integruar studimi ose programe studimi të barasvlefshme me to, në fushën e inxhinierisë biomjekësore/klinike/elektronike/elektrike/kimike/fizike/mekanike ose të mjekësisë së përgjithshme/stomatologjisë/farmaceutikës ose në fusha mjekësore të ngjashme;
ii. Të ketë jo më pak se 3 (tre) vjet punë në fushën përkatëse.
d) plotësimi i kërkesave të lidhjes funksionale të mjediseve, me qëllim ruajtjen e sigurt të pajisjeve mjekësore, sipas kushteve specifike të prodhimit të klasës të pajisjes, të tilla si: temperatura, lagështira, të përcaktuara në rregulloren e brendshme;
dh) marrja e masave për realizimin e transportit, sipas rregullave teknike të miratuara me vendimin nr.731, datë 2.9.2015, “Për miratimin e rregullit teknik “Për kërkesat thelbësore, vlerësimin e konformitetit, klasifikimin dhe markimin CE të pajisjeve mjekësore”;
e) marrja e masave për kryerjen e proceseve të sterilizimit në kushtet e përshtatshme, sipas klasës së pajisjes së prodhuar, të përcaktuara në rregulloren e brendshme;
ë) kur objekti i prodhimit janë pajisjet mjekësore me burime rrezatimi, prodhuesi duhet të jetë i pajisur me licencën e dokumentacionin përkatës, sipas legjislacionit për mbrojtjen nga rrezatimi;
f) kur objekti i prodhimit janë pajisjet mjekësore, që përmbajnë lëndë plasëse, prodhuesi duhet të jetë i pajisur me licencat/lejet dhe/ose dokumentacionin përkatës, sipas legjislacionit përkatës;
g) kur prodhuesi i pajisjeve mjekësore prodhon edhe produkte të tjera, mjediset e prodhimit e të ruajtjes duhet të jenë të veçanta, të përcaktuara në planimetrinë dhe në rregulloren e brendshme.
2. Administratori i subjektit ose personi i autorizuar prej tij duhet të paraqesë kërkesën për pajisje me licencë për prodhimin e pajisjeve mjekësore, sipas ligjit për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë. Aplikanti është i detyruar të bashkëngjisë dokumentacionin që përmban të dhënat dhe dokumentet e mëposhtme:
a) Listën e grupeve të pajisjeve mjekësore, prodhimi i të cilave synohet të kryhet, sipas klasave të rrezikut;
b) Diplomën e arsimit të lartë të personit përgjegjës për linjën e prodhimit, sipas nënndarjes i, të shkronjës “ç”, të pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi;
c) Kontratën e punës me kohë të plotë për personin përgjegjës për linjën e prodhimit;
ç) Dëshminë e pronësisë ose kontratën e qirasë së ambientit, ku do të ushtrohet aktiviteti;
d) Planimetrinë e mjedisit nga një projektues i licencuar, sipas legjislacionit në fuqi;
dh) Rregulloret e brendshme bazë të organizimit, të rregullave të prodhimit dhe ruajtjes, përfshirë procedurat për hetimet klinike dhe vlerësimin e konformitetit dhe të përshkrimit të organizimit të ambienteve të brendshme të ushtrimit të aktivitetit;
e) Dëshminë e tarifës administrative të paguar, në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë;
ë) Vetëdeklarim për përmbushjen e kërkesave thelbësore dhe kërkesat e sigurisë së shëndetit, duke marrë në konsideratë qëllimin e synuar të përdorimit të pajisjes, sipas legjislacionit në fuqi;
f) Listën e specifikuar e pajisjeve mjekësore, që do të prodhohen, sipas llojeve dhe klasave të rrezikut;
g) Dokumentacion provues për eksperiencën 3-vjeçare të punës në ushtrimin e profesionit për personin përgjegjës për linjën e prodhimit (kopje të librezës së punës/vërtetim nga organet tatimore);
gj) Vetëdeklarimin për plotësimin e kërkesave të lidhjes funksionale të mjediseve, me qëllim ruajtjen e sigurt të pajisjeve mjekësore, sipas kushteve specifike të prodhimit të klasës të pajisjes, të tilla si: temperatura, lagështira etj.;
h) Vetëdeklarimin për përmbushjen e kushteve të përshtatshme për realizimin e transportit të pajisjes së prodhuar, sipas kushteve specifike të klasës, ku bën pjesë pajisja;
i) Vetëdeklarimin për marrjen e masave për kryerjen e proceseve të sterilizimit në kushtet e përshtatshme, sipas klasës së pajisjes së prodhuar ose kontratë shërbimi për ofrimin e shërbimit të sterilizimit.
3. Në rastet kur është e aplikueshme, subjekti i licencuar nuk mund të fillojë të ushtrojë aktivitetin pa u pajisur edhe me:
a) licencë për mbrojtjen nga rrezatimi, sipas legjislacionit për mbrojtjen nga rrezatimi;
b) licencë/leje për lëndët plasëse, kur tregtohen pajisje që përmbajnë lëndë plasëse.
4. Procedura e shqyrtimit të kërkesës është, si më poshtë vijon:
a) Kërkesa e subjektit për licencën e prodhimit bëhet sipas ligjit për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë, pranë sportelit të shërbimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit;
b) Dosja e kërkesës i kalon strukturës përgjegjëse për licencimin në ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, e cila ia përcjell Komisionit për Verifikimin e Kushteve të Prodhimit të Pajisjeve Mjekësore (në vijim, Komisioni), i ngritur me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë;
c) Komisioni shqyrton e verifikon, nëpërmjet inspektimit fizik, përmbushjen e kushteve të prodhimit brenda 25 (njëzet e pesë) ditëve;
ç) Pas verifikimit të përmbushjes së kushteve, Komisioni i rekomandon, brenda 5 (pesë) ditëve, dhënien ose refuzimin e aktit të miratimit për prodhimin e pajisjeve mjekësore ministrit përgjegjës për shëndetësinë;
d) Vendimi i ministrit përgjegjës për shëndetësinë publikohet në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve brenda 30 ditëve.
dh) Subjekti ka të drejtën e ankimit ndaj vendimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, sipas parashikimeve të nenit 30, të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
e) Licenca për prodhimin e pajisjeve mjekësore është pa afat.
III. KUSHTET SPECIFIKE TË LICENCIMIT, DOKUMENTET SHOQËRUESE DHE PROCEDURAT E SHQYRTIMIT PËR TREGTUESIT ME SHUMICË TË PAJISJEVE MJEKËSORE
1. Kushtet specifike të licencimit, që duhet të plotësojë tregtuesi me shumicë i pajisjeve mjekësore janë, si më poshtë vijon:
a) Të ketë një person përgjegjës të punësuar, i cili, në varësi të klasës së rrezikut të pajisjeve mjekësore që tregton, duhet të plotësojë këto kushte:
i. Për pajisjet mjekësore të klasës I të rrezikut, personi përgjegjës duhet të zotërojë të paktën diplomë të ciklit të parë, që lëshohet në përfundim të një programi të ciklit të parë “Bachelor” ose diplomë të barasvlefshme me të, në fushën e inxhinierisë biomjekësore/klinike, elektronike/kimike, fizike, mekanike, elektrike, të mjekësisë së përgjithshme/stomatologjisë, farmaceutikës ose në fusha mjekësore të ngjashme, dhe të ketë jo më pak se 1 (një) vit përvojë pune në fushën përkatëse;
ii. Për pajisjet mjekësore të klasës së rrezikut IIa, personi përgjegjës duhet të zotërojë të paktën diplomë të ciklit të dytë, që lëshohet në përfundim të një programi të ciklit të dytë apo të një programi të integruar studimi ose programe studimi të barasvlefshme me to, në fushën e inxhinierisë biomjekësore/klinike, elektronike/kimike, fizike, mekanike, elektrike, të mjekësisë së përgjithshme/stomatologjisë, të farmaceutikës ose në fusha mjekësore të ngjashme dhe të ketë jo më pak se 1 (një) vit përvojë pune në fushën përkatëse. Personi përgjegjës për pajisjet mjekësore të klasës së rrezikut IIa mund të jetë person përgjegjës edhe për pajisjet mjekësore të klasës I;
iii. Për pajisjet mjekësore të klasës së rrezikut IIb dhe III, pajisjet mjekësore diagnostikuese “in-vitro” dhe pajisjet mjekësore të implantueshme aktive – personi përgjegjës duhet të zotërojë të paktën diplomë të ciklit të dytë që lëshohet në përfundim të një programi të ciklit të dytë apo të një programi të integruar studimi ose programe studimi të barasvlefshme me to, në fushën e inxhinierisë biomjekësore/ klinike/ elektronike/ elektrike/ kimike/ fizike/ mekanike ose mjekësisë të përgjithshme/ stomatologjisë/ farmaceutikës ose në fusha mjekësore të ngjashme dhe të ketë jo më pak se tre vjet përvojë pune në fushën përkatëse. Personi përgjegjës për pajisjet mjekësore të klasës së rrezikut IIb dhe III, pajisjet mjekësore diagnostikuese “in-vitro” dhe pajisjet mjekësore të implantueshme aktive mund të jetë person përgjegjës edhe për pajisjet mjekësore të klasës së rrezikut I dhe IIa.
b) Të ketë një hapësirë të përshtatshme të përshkruar jo më pak se 100 (njëqind) m2, në varësi të fushës së veprimtarive që përfshin:
i. mjedisi për pranimin dhe shitjen e pajisjeve mjekësore;
ii. mjedisi për ruajtjen dhe magazinimin e pajisjeve mjekësore;
iii. mjedisi për produktet mjekësore të tërhequra nga qarkullimi.
c) Të paraqesë një rregullore të brendshme për plotësimin e kërkesave të lidhjes funksionale të mjediseve, me qëllim ruajtjen e sigurt të pajisjeve mjekësore, sipas kushteve specifike të përshkruara nga prodhuesi (temperatura, lagështira).
2. Administratori i subjektit ose personi i autorizuar prej tij duhet të paraqesë kërkesën për pajisje me licencë për tregtimin me shumicë të pajisjeve mjekësore, sipas ligjit për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë, pranë sportelit të shërbimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit. Aplikanti është i detyruar të bashkëngjisë dokumentacionin që përmban të dhënat dhe dokumentet e mëposhtme:
a) Listën e grupeve të pajisjeve mjekësore, tregtimi i të cilave synohet të kryhet, sipas klasave të rrezikut;
b) Diplomën e arsimit të lartë të personit përgjegjës për tregtimin e pajisjeve mjekësore, sipas përcaktimeve në shkronjën “a”, të pikës 1, të kreut III, të këtij vendimi;
c) Kontratën e punës për personin përgjegjës;
ç) Dëshminë e pronësisë ose e kontratës së qirasë së ambientit ku do të ushtrohet aktiviteti;
d) Planimetrinë e mjedisit nga një projektues i licencuar, sipas legjislacionit në fuqi;
dh) Rregulloret e brendshme bazë të organizimit, të ruajtjes dhe të përshkrimit të organizimit të ambienteve të brendshme të ushtrimit të aktivitetit;
e) Dëshminë e tarifës administrative të paguar, në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë;
ë) Dokumentacionin provues për eksperiencën e punës në ushtrimin e profesionit, sipas përcaktimeve në shkronjën “a”, të pikës 1, të kreut III, të këtij vendimi, për personin përgjegjës për tregtimin e pajisjeve mjekësore (kopje të librezës së punës/ vërtetim nga organet tatimore).
3. Në rastet kur është aplikueshme, subjekti i licencuar nuk mund të fillojë të ushtrojë aktivitetin pa u pajisur edhe me:
a) licencën për mbrojtjen nga rrezatimi, sipas legjislacionit për mbrojtjen nga rrezatimi;
b) licencën/lejen për lëndët plasëse, kur tregtohen pajisje që përmbajnë lëndë plasëse.
4. Procedura e shqyrtimit të kërkesës është, si më poshtë vijon:
a) Kërkesa e subjektit për licencën e tregtimit me shumicë të pajisjeve mjekësore bëhet sipas ligjit për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë, pranë sportelit të shërbimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit;
b) Dosja e kërkesës i kalon strukturës përgjegjëse për licencimin në ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, e cila ia përcjell strukturës përgjegjëse për pajisjet mjekësore në ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë;
c) Struktura përgjegjëse për pajisjet mjekësore shqyrton e verifikon, nëpërmjet inspektimit fizik, përmbushjen e kushteve të tregtimit me shumicë brenda 25 (njëzet e pesë) ditëve;
ç) Pas verifikimit të përmbushjes së kushteve, struktura përgjegjëse për pajisjet mjekësore i rekomandon, brenda 5 (pesë) ditëve, dhënien ose refuzimin e aktit të miratimit për tregtimin me shumicë të pajisjeve mjekësore ministrit përgjegjës për shëndetësinë;
d) Vendimi i ministrit përgjegjës për shëndetësinë publikohet në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve brenda 30 (tridhjetë) ditëve;
dh) Subjekti ka të drejtën e ankimit ndaj vendimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, sipas parashikimeve të nenit 30, të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
e) Licenca për tregtimin me shumicë të pajisjeve mjekësore është pa afat.
IV. PROCEDURAT E SHFUQIZIMIT DHE PEZULLIMIT TË LICENCËS PËR TREGTUESIT ME SHUMICË TË PAJISJEVE MJEKËSORE DHE PËR PRODHUESIT E PAJISJEVE MJEKËSORE
1. Shfuqizimi ose pezullimi i licencës bëhet nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, sipas parimeve të vendosura në legjislacionin shqiptar për lejet dhe licencat.
2. Ministri përgjegjës për shëndetësinë pezullon licencën me iniciativën e tij ose me propozimin e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, në rast se ka dyshime imediate për kërcënim të jetës së pacientëve, të përdoruesve ose të palëve të treta nga pajisjet mjekësore, që prodhohen dhe/ose tregtohen nga subjektet, deri në konstatimin e shkeljes së dyshuar.
3. Ministri përgjegjës për shëndetësinë shfuqizon licencën me propozimin për shfuqizimin e licencës nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, pasi është konstatuar se subjekti ka kryer të njëjtën shkelje në mënyrë të përsëritur më shumë se 1 (një) herë brenda 2 (dy) vjetëve, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 30, të ligjit nr.89/2014, “Për pajisjet mjekësore”, të ndryshuar.
4. Propozimi për shfuqizimin e licencës nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore shoqërohet me argumentet dhe faktet përkatëse për konstatimin e shkeljeve.
5. Vendimi i ministrit përgjegjës për shëndetësinë për shfuqizimin e licencës së subjektit publikohet nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve.
V. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Autorizimet për tregtim me shumicë të pajisjeve mjekësore të lëshuara për subjektet para hyrjes në fuqi të këtij vendimi janë të vlefshme deri në përfundim të afatit të tyre të vlefshmërisë.
2. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.61, DATË 3.2.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PAKETAVE TË PAJISJEVE MJEKËSORE TE RIMBURSUESHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 9/1, e vendimit nr.61, datë 3.2.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9/1. Lista e pajisjeve mjekësore (fisha diabeti) që do të rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për vitin 2022, për pacientët e grupmoshës 0-25 vjeç, është sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
3. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.85, DATË 8.2.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR PRODHIMIN, SHPËRNDARJEN DHE PAJISJEN E UDHËTARËVE ME BILETA TRANSPORTI RRUGOR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 21/2, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.85, datë 8.2.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 3, e kreut I, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Biletat e transportit në shërbimin ndërqytetas rrugor të udhëtarëve mund të jenë në format letër ose elektronik, me vulë elektronike, ku të dyja formatet gjenerohen dhe ekzekutohen nëpërmjet platformës elektronike të dedikuar. Biletat e transportit në shërbimin qytetas, rrethqytetas, ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve mund të jenë me çmim të parashtypur, në format letër ose elektronik, me vulë elektronike, me mundësi gjenerimi në të njëjtën formë që mundësohet edhe në transportin ndërqytetas. Biletat e transportit të udhëtarëve përmbajnë, në çdo rast:
a) gjatësinë e udhëtimit në km;
b) çmimin për km;
c) numrin e serisë;
ç) emrin e operatorit të transportit;
d) datën dhe kohën e nisjes;
dh) pjesën e biletës (dëshminë/etiketën) për bagazhin e udhëtarit;
e) të dhëna për faturën fiskale;
ë) vulën elektronike.”.
2. Pika 4, e kreut I, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Modeli i biletave të transportit për shërbimin qytetas, rrethqytetas, ndërqytetas dhe në transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve, si për biletat në format letër me çmim të parashtypur, edhe për biletat elektronike me mundësi gjenerimi në të njëjtën formë që gjenerohet edhe në transportin ndërqytetas, është sipas standardit të përcaktuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për transportin.”.
3. Në pikën 7, të kreut I, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Për shërbimin ndërqytetas të transportit rrugor të udhëtarëve, rregullat e posaçme, kriteret dhe procedurat për rimbursimin e shoqërive të transportit rrugor ndërqytetas për personat që përfitojnë lehtësi, sipas akteve ligjore dhe nënligjore të veçanta, caktohen me udhëzim të përbashkët të ministrave përgjegjës për financat, për transportin rrugor, për mbrojtjen sociale dhe për arsimin.”.
4. Titulli i kreut II ndryshohet dhe bëhet “Biletat në format letër dhe me çmim të parashtypur”.
5. Në pikën 2, të kreut II, në fjalinë e parë hiqet fjala “ndërqytetas”. Gjithashtu, pas fjalisë së parë të kësaj pike, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Gjithashtu, tërheqja e biletave për transportin rrugor, qytetas dhe rrethqytetas të udhëtarëve mund të realizohet edhe nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.”.
6. Në kreun II, pas pikës 4 shtohen pikat 5, 6 dhe 7, me këtë përmbajtje:
“5. Në transportin ndërqytetas, prerja e biletave të bëhet nëpërmjet përdorimit të sistemit e-Transport, nga agjencia e transportit ose nëpërmjet pajisjeve të transaksionit elektronik të biletimit, të instaluara në mjete të transportit rrugor, të integruara me sistemin e-Transport, të cilat plotësojnë kërkesat e ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar. Pajisja për printimin e biletave duhet të jetë e integruar me sistemin elektronik e-Transport dhe të garantojë ciklin e plotë fiskal të biletës.
6. Agjencia e transportit të udhëtarëve, sipas kontratës së lidhur me shoqërinë e licencuar për çdo linjë të transportit ndërqytetas, përdor sistemin elektronik e-Transport për ndjekjen e ciklit të plotë të prerjes së biletës, përzgjedhjen e linjës së transportit ndërqytetas, të vendeve të lira, të orareve, të fiskalizimit, si dhe të menaxhimit elektronik në kohë reale të biletave të prera.
7. Platforma elektronike e-Transport, mbështetur nga pajisjet e transaksionit elektronik të biletimit në format letër, duhet të garantojë ciklin e plotë fiskal të gjenerimit të biletës, në integrim në kohë reale me platformën qendrore, ciklin e plotë të prerjes dhe gjenerimit të biletës, pagesën on-line nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit për pagesën elektronike, rezervimin e vendit të lirë në mjetin e udhëtimit.”.
7. Në pikën 2, të kreut III, fjalët “… ministria përgjegjëse për transportin …” zëvendësohen me “… autoriteti kompetent i licencimit …”.
II. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2023.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.489, DATË 30.7.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË BARNAVE QË RIMBURSOHEN NGA FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR DHE MASËN E MBULIMIT TË ÇMIMIT TË TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 37, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, dhe të pikave 2, shkronja “b”, dhe 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.489, datë 30.7.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Efektet financiare të përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.”.
2. Listat I dhe II bashkëlidhur vendimit zëvendësohen me listat I dhe II, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 maj 2022.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.795, DATË 22.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “UNAZA LINDORE TIRANË (LOTET I, II)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.795, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 3 bëhen këto ndryshime:
a) Në fjalinë e parë, vlera e shpronësimit “278 268 838 (dyqind e shtatëdhjetë e tetë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e tetëqind e tridhjetë e tëtë) lekë” zëvendësohet me “293 549 545 (dyqind e nëntëdhjetë e tre milionë e pesëqind e dyzet e nëntë mijë e pesëqind e dyzet e pesë) lekë”.
b) Dy nënparagrafët, ku përcaktohen sipërfaqet e pasurive sipas llojeve dhe vlerat e tyre, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“- tokë “arë”, “truall” dhe “pyll”, me sipërfaqe 136 855.60 (njëqind e tridhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë pikë gjashtëdhjetë) m2, me vlerë 64 211 333 (gjashtëdhjetë e katër milionë e dyqind e njëmbëdhjetë mijë e treqind e tridhjetë e tre) lekë;
-“objekte”, me vlerë 229 338 212 (dyqind e njëzet e nëntë milionë e treqind e tridhjetë e tetë mijë e dyqind e dymbëdhjetë) lekë.”.
2. Në pikën 4 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në fjalinë e parë, vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë “arë”, “truall”, “pyll” dhe “objekte” prej “278 268 838 (dyqind e shtatëdhjetë e tetë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e tetëqind e tridhjetë e tetë) lekësh” zëvendësohet me “293 549 545 (dyqind e nëntëdhjetë e tre milionë e pesëqind e dyzet e nëntë mijë e pesëqind e dyzet e pesë) lekë”;
b) Në fund të pikës shtohet nënparagrafi, me këtë përmbajtje:
“-15 280 707 (pesëmbëdhjetë milionë e dyqind e tetëdhjetë mijë e shtatëqind e shtatë) lekë të përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.”.
3. Tabelave bashkëlidhur vendimit në fuqi, të ndryshuar, i shtohet edhe tabela që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
III. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Rurale 1, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut të Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË KULTURËS TË PASURISË NR.1/100, NË ZONËN KADASTRALE 8150, DHE REVOKIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË BASHKISË TIRANË PËR KËTË PASURI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të shkronjës “a”, të nenit 8/a, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë Kulturës të pasurisë nr.1/100, në zonën kadastrale 8150, me sipërfaqe trualli 292.4 (dyqind e nëntëdhjetë e dy pikë katër) dhe me sipërfaqe ndërtesë 152 (njëqind e pesëdhjetë e dy) m2, dhe revokimin e së drejtës së pronësisë Bashkisë Tiranë për këtë pasuri, me qëllim zhvillimin e projektit “Për restaurimin, rikonstruksionin dhe rehabilitimin e hapësirave në Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura (Galeria e Arteve)”, sipas planrilevimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Prona me numër rendor 8 hiqet nga formulari dhe lidhja 1, që i bashkëlidhen vendimit nr.780, datë 7.10.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për transferimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të njësisë administrative Tiranë, të disa pronave”.
3. Ministrisë së Kulturës i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË KORÇËS
Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës, dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Dhori Spirollari, prefekt i Qarkut të Korçës, lirohet nga kjo detyrë.
2. Z. Nertil Jole emërohet prefekt i Qarkut të Korçës.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, KRITEREVE DHE AFATEVE PËR NDJEKJEN E PROGRAMEVE TË FORMIMIT E TË KUALIFIKIMIT PROFESIONAL, TË AFATEVE TË VAZHDIMIT TË USHTRIMIT TË PROFESIONIT DHE TË ANËTARËSIMIT NË URDHRIN E PUNONJËSVE SOCIALË PËR INDIVIDËT QË NUK KANË FORMIMIN E KUALIFIKIMIN PROFESIONAL MINIMAL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 19, të ligjit nr.163/2014, “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Individët, të cilët në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nr.141/2020, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.163/2014, “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ushtrojnë ose kanë ushtruar profesionin e punonjësit social për një periudhë prej jo më pak se 10 (dhjetë) vjetësh e zotërojnë diplomën e studimeve të ciklit të parë në fushën e punës sociale dhe të ciklit të dytë në një fushë tjetër janë të detyruar të ndjekin një program të formimit e të kualifikimit profesional, të përshtatshëm për ushtrimin e profesionit të tyre, në një nga institucionet e arsimit të lartë, publike dhe jopublike, që ofrojnë këto programe studimi. Programet e studimit të përfundohen brenda 3 (tre) vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Pas përfundimit të këtij programi, ata i nënshtrohen provimit të shtetit.
2. Individët, të cilët në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nr.141/2020, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.163/2014, “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë””, të ndryshuar, ushtrojnë ose kanë ushtruar profesionin e punonjësit social për një periudhë jo më pak se 10 (dhjetë) vjet e zotërojnë diplomën e studimeve të ciklit të dytë të punonjësit social dhe diplomën e studimeve të ciklit të parë në një fushë tjetër, janë të detyruar të ndjekin një program të formimit e të kualifikimit profesional, të përshtatshëm për ushtrimin e profesionit të tyre, në një nga institucionet e arsimit të lartë, publike dhe jopublike, që ofrojnë këto programe studimi. Programet e studimit të përfundohen brenda 3 (tre) vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Pas përfundimit të këtij programi, ata i nënshtrohen provimit të shtetit.
3. Individët e përcaktuar në pikat 1 e 2, të këtij vendimi, e ruajnë vendin e punës për 4 (katër) vjet nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe kanë të drejtën të bëjnë kërkesën për regjistrim të përkohshëm pranë Urdhrit të Punonjësve Socialë, ku, në përfundim të plotësimit të kritereve të përcaktuara në pikat e sipërpërmendura, u lind e drejta e anëtarësimit dhe e përfitimit të statusit të punonjësit social.
4. Vendimi nr.826, datë 7.10.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave, kritereve dhe afateve për ndjekjen e programeve të formimit e të kualifikimit profesional për individët që ushtrojnë profesionin e punonjësit social për një periudhë të caktuar kohe, por nuk kanë formimin dhe kualifikimin profesional minimal për punonjës social”, shfuqizohet.
5. Ngarkohet ministria përgjegjëse për çështjet sociale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS NR.ABA-P3, DATË 30 QERSHOR 2008, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS JAPONEZE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR (TË ZËVËNDËSUAR NGA AGJENCIA JAPONEZE E BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR, NË TETOR 2008), PËR PROJEKTIN “PËRMIRËSIMI I SISTEMIT TË KANALIZIMEVE PËR TIRANËN E MADHE”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9964, DATË 24.7.2008
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të ndryshimit me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huasë nr.ABA-P3, datë 30 qershor 2008, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (të zëvëndësuar nga Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në tetor 2008), për projektin “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e madhe”, ratifikuar me ligjin nr.9964, datë 24.7.2008, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA PROJEKTI “ZGJERIMI I VARREZAVE MORAVË, NJËSIA ADMINISTRATIVE OTLLAK, BERAT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga projekti “Zgjerimi i varrezave Moravë, Njësia Administrative Otllak, Berat”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Berat.
3. Pronari kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 366 212 (treqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e dyqind e dymbëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 366 212 (treqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e dyqind e dymbëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i miratuar për Bashkinë Berat.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Bashkinë Berat.
6. Shpronësimi i pronarit të pasurisë të paluajtshme, pronë private, fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Pronari i pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë Bashkisë Berat.
8. Bashkia Berat kryen procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Berat.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Berat, fillon procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe bën regjistrimin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Berat.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimi i kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Berat.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Bashkia Berat, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut të Beratit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “ZGJERIMI I SIPËRFAQEVE TË VARREZAVE PUBLIKE TUFINË, FAZA 2”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Zgjerimi i sipërfaqeve të varrezave publike Tufinë, faza 2”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 5 829 376 (pesë milionë e tetëqind e njëzet e nëntë mijë e treqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 5 829 376 (pesë milionë e tetëqind e njëzet e nëntë mijë e treqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekësh, përballohet nga buxheti i miratuar për Bashkinë Tiranë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Bashkinë Tiranë.
6. Shpronësimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi kanë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore, Tirana Rurale 1, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, fillon procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe bën regjistrimin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Tiranë.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Rurale 1, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimi i kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Rurale 1, dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut të Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “SISTEMIM I LAGJES “29 MARSI”, BLLOKU “ZJARRFIKËSJA”, PATOS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Sistemim i lagjes “29 Marsi”, blloku “Zjarrfikësja”, Patos”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Patos.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall” dhe “godinë ekonomike”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 569 618.16 (një milion e pesëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e tetëmbëdhjetë pikë gjashtëmbëdhjetë) lekësh.
4. Masa e shpërblimit për pronarët që shpronësohen është 1 569 618.16 (një milion e pesëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e tetëmbëdhjetë pikë gjashtëmbëdhjetë) lekë dhe përballohet nga buxheti i Bashkisë Patos.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Patos.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues, për likuidim, pranë Bashkisë Patos.
8. Bashkia Patos kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Patos.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe bën regjistrimin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Patos.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimi i kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Patos për pasuritë e shpronësuara.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Patos, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.35, DATË 19.1.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR VITIN 2022, NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në lidhjen nr.1, që përmendet në pikën 1, të vendimit nr.35, datë 19.1.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në ndarjen “Gr.11, Ministria e Arsimit dhe Sportit”, në ndarjen “Gr.14, Ministria e Drejtësisë”, në ndarjen “Gr.31, Agjencia Telegrafike Shqiptare” dhe në ndarjen “Gr.87, institucione të tjera qeveritare” shtohen nënndarjet përkatëse, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
b) Periudha kohore me 4 orë në ditë e punonjësve sanitarë në zyrat arsimore vendore, në ndarjen “Gr.11, Ministria e Arsimit dhe Sportit”, bëhet 6 orë në ditë.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Agjencia Telegrafike Shqiptare, Agjencia Kombëtare e Rinisë, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës dhe Shkolla Shqiptare e Administratës Publike të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë detajimin e numrit të punonjësve me kontratë, periudhën kohore të punësimit dhe kategorinë përkatëse të pagës së tyre.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.317, DATË 15.5.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PËRDORIMIN E QËNDRUESHËM TË PRODUKTEVE PËR MBROJTJEN E BIMËVE DHE KRITERET E KUALIFIKIMIT PËR PËRDORUESIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 23, të ligjit nr.105/2016, “Për mbrojtjen e bimëve”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në tekstin bashkëlidhur vendimit nr.317, datё 15.5.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Kudo në tekst, emërtimi “Agjencia Rajonale e Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve” zëvendësohet me “Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB)”.
b) Në pikën 3, të kreut I, pas shkronjës “i” shtohet shkronja “j”, me këtë përmbajtje:
“j. “Prodhues” është subjekti i regjistruar në regjistrin e fermës dhe që ushtron aktivitet bujqësor, si:
i. fermer që është pajisur me kod fermeri dhe/ose NIPT fermeri;
ii. person fizik i pajisur me numër identifikimi për personin e tatueshëm nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
iii. person juridik i pajisur me numër identifikimi për personin e tatueshëm nga Qendra Kombëtare e Biznesit.”.
c) Pika 10, e kreut V, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. Prodhuesi mban dhe plotëson regjistrin e përdorimit të PMB-ve në fermë. Fermerët dhe individët, që kultivojnë për konsum familjar, e mbajnë regjistrin në mënyrë vullnetare. Modeli i regjistrit, përmbajtja dhe plotësimi i tij miratohen me urdhër të ministrit.
Regjistri i vihet në dispozicion Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në fermë ose sa herë kërkohet. Regjistri, gjithashtu, mund t’i vihet në dispozicion palëve të treta që kanë detyra të certifikimit të fermave ose prodhimeve të lidhura me etiketat e cilësisë, si dhe pikave të grumbullimit dhe përpunimit, nëse kërkohet.”.
2. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.546, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PAGAVE DHE SHTESAVE MBI PAGË TË PUNONJËSVE TË PËRFAQËSIVE DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË SHTETET E HUAJA, TË ATASHEVE USHTARAKË TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE PERSONELIT CIVIL TË MINISTRISË SË MBROJTJES QË SHËRBEJNË NË PËRFAQËSITË USHTARAKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PRANË NATO-S, NË ORGANIZATAT NDËRKOMBËTARE DHE NË SHTABET USHTARAKE NDËRKOMBËTARE, TË PUNONJËSVE SHQIPTARË PËR KOHËN QË SHËRBEJNË SI NËPUNËS NDËRLIDHËS PRANË QENDRËS SECI, TË PUNONJËSVE SHQIPTARË PËR KOHËN QË SHËRBEJNË SI OFICERË KONTAKTI, PRANË MINISTRIVE TË BRENDSHME HOMOLOGE TË SHTETEVE TË NDRYSHME, TË ATASHUAR NË PËRFAQËSITË DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE PROKURORI I SISTEMIT TË PROKURORISË PËR KOHËN QË SHËRBEN SI PROKUROR NDËRLIDHËS PRANË EUROJUST NË HAGË, HOLANDË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10 405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të nenit 53, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 7, të vendimit nr.546, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 7/1, me këtë përmbajtje:
“7/1 Punonjësit e personelit diplomatik, të cilët shërbejnë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në New York, për një periudhë dyvjeçare të anëtarësisë së Republikës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, 1 dhjetor 2021 deri 15 janar 2024, përfitojnë një shpërblim mujor, në masën e përcaktuar në lidhjen nr.9, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për periudhën 1 dhjetor 2021 deri 15 janar 2024, përballohen nga buxheti i planifikuar për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për secilin vit buxhetor.
3. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 dhjetor 2021.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA