Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 14 Nëntor 2018:

 

V E N D I M

PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE TE FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT, TË OBJEKTIT ME EMËRTIM “OBORR I QENDRËS SPITALORE UNIVERSITARE “NËNË TEREZA”, TIRANË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c” , të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale te Fondi Shqiptar i Zhvillimit, të një pjese të oborrit të brendshëm të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, me sipërfaqe 10 457 m2, zona kadastrale nr.8130, në njësinë administrative nr.3, Bashkia Tiranë, sipas planvendosjes bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim shfrytëzimin për parkim, përmirësimin e infrastrukturës së jashtme urbane dhe pritëse, si dhe menaxhimin cilësor të shërbimeve publike, që do të zhvillohen në këtë sipërfaqe.

2. Fondit Shqiptar të Zhvillimit i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose ta japë në përdorim te të tretët që nuk janë në varësi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

3. Nga aktiviteti që do të zhvillojë Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për përmirësimin e infrastrukturës së jashtme urbane dhe pritëse, si dhe menaxhimi cilësor i shërbimeve publike, që do të zhvillohen në këtë sipërfaqe, do të përfitojë 55% të të ardhurave, ndërsa Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, do të përfitojë 45% të të ardhurave.

4. Vlera prej 45% e të ardhurave, si pjesë takuese e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, do të ndahet sipas modalitetit të mëposhtëm:

a) 3% do të kalojë në llogarinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, me destinacion edukimin në vazhdim të burimeve njerëzore të kësaj qendre;

b) 42% do të investohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me kërkesë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, dhe pas miratimit paraprak të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në infrastrukturë, për përmirësimin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme, në përmbushje të objektivave dhe të misionit të saj.

5. Marrëdhëniet ndërmjet Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit do të rregullohen me marrëveshje të përbashkët.

6. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

KRYEMINISTRI

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

MONITORIMIN SHKENCOR PASVAKSINAL TË KAFSHËVE TË VAKSINUARA NË KUADËR TË PROJEKTIT “PAZA”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.61/2016, “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Lejimin e gjuetisë së dhelprës së kuqe, për arsye të monitorimit shkencor pasvaksinal, që realizohet në kuadër të projektit “Përmirësimi i mbrojtjes së konsumatorit ndaj sëmundjeve zoonotike” (“PAZA”), për fazën e dhjetë dhe të fundit të projektit.

2. Gjuetia e dhelprës së kuqe, me qëllim marrjen e kampionëve të dhelprës, të kryhet në të gjithë territorin e vendit, me përjashtim të territorit të zonave të mbrojtura, për 40 ditë, të shtrira brenda periudhës 10 dhjetor 2018 – 15 shkurt 2019, në ditët nga e hëna deri në të premten, duke filluar kjo gjueti nga dita që lëshohet autorizimi për këtë qëllim.

3. Për marrjen e kampionëve të dhelprave të kuqe, nëpërmjet gjuajtjes së tyre, të angazhohen në të gjithë vendin 39 (tridhjetë e nëntë) punonjës të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të pajisur me shenjë dalluese për këtë proces, që do të sigurojnë në total 324 (treqind e njëzet e katër) kampionë të dhelprave të kuqe. Numri i personave që do të realizojnë marrjen e kampionëve në çdo qark, si dhe numri i kampionëve të dhelprave që do të sigurohen për secilin qark, jepen në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Detajimi i punonjësve përkatës që do të marrin pjesë në këtë proces të bëhet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

4. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit pajis me autorizimin përkatës për marrjen e kampionëve të dhelprës së kuqe punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në çdo qark, brenda 5 (pesë) ditëve nga data që merr kërkesën për monitorim të dhelprave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për realizimin e fazës së dhjetë të projektit.

5. Gjatë të gjithë kohës së kryerjes së kësaj veprimtarie në zonat ku të kryhet marrja e kampionëve të dhelprave, procesi do të kontrollohet nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit, si dhe Policia e Shtetit.

6. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të bashkërendojë punën për marrjen e kampionëve të dhelprave të kuqe, për dërgimin e tyre në laboratorët përkatës, për analizimin dhe nxjerrjen e rezultateve, si dhe për raportimin e këtyre rezultateve pas përfundimit të fazës së dhjetë të procesit të monitorimit pasvaksinal kundër sëmundjes së tërbimit të dhelprës së kuqe në Shqipëri.

7. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Brendshme, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit, si dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKËS SË MALIT TË ZI DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR IPA II, MALI I ZI – SHQIPËRI, ALOKIMET E VITIT 2017

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Mali i Zi – Shqipëri, alokimet e vitit 2017, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.728, DATË 20.10.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN E NATO-S “AEGEAN SEA”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, pika 5, dhe 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 3, të vendimit nr.728, datë 20.10.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në shkronjat “a” dhe “b”, data “… 30 nëntor 2018 …” ndryshohet dhe bëhet “… 30 nëntor 2019…”;
b) Në shkronjën “c”, data “… 31 dhjetor 2018 …” ndryshohet dhe bëhet “… 31 dhjetor 2019…”.

2. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR 

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E DREJTËSISË, PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË BURGJEVE, TË PRONËS NR.104, ME EMËRTIM “REPARTI USHTARAK NR.4003”, ME VENDNDODHJE TE RRAPI I TRESHIT, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Drejtësisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, të pronës nr.104, me emërtim “Reparti ushtarak nr.4003”, me vendndodhje te Rrapi i Treshit, Tiranë, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për plotësimin e nevojave institucionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqet prona nr.104, me emërtim “Reparti ushtarak nr.4003”, me vendndodhje te Rrapi i Treshit, Tiranë, dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Drejtësisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

3. Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e përdorimit të pronës të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë ose t’ua japin atë në përdorim të tretëve.

4. Për ruajtjen dhe sigurinë e pronës nr.1335, me emërtim “Qendra Zhvillimore e Fëmijëve Autikë”, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, që ndodhet në kufi me pronën nr.104, me emërtim “Reparti ushtarak nr.4003”, me vendndodhje te Rrapi i Treshit, Tiranë, të cilat janë brenda të njëjtit rrethim, për mënyrën e zbatimit të rregullave të hyrje-daljeve të personelit të strukturave ushtarake, të përdorimit e të mirëmbajtjes së rrjeteve inxhinierike, të linjave të komunikimit elektronik dhe të furnizimit me ujë, energji elektrike e të tjera linja, që janë në përdorim të përbashkët, të hartohet aktmarrëveshje ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, të përfaqësuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Armatosura, të përfaqësuar nga Komanda Mbështetëse dhe Batalioni i Mbështetjes i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

5. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Drejtësisë, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe Kryeregjistruesi i Pronave të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË TE BASHKIA TIRANË, TË NJË PJESE TË PASURISË SË PALUAJTSHME SHTETËRORE, NR.4/258, TË “ALBA FILM”, SH.A., TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2003, “Për pasuritë e paluajtshme shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë te Bashkia Tiranë, të një pjese të pasurisë shtetërore, me nr.4/258, të shoqërisë “Alba Film”, sh.a, të llojit “truall”, me sipërfaqe 909.5 m², në zonën kadastrale 8130.

2. Vendimi nr.79, datë 17.2.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të disa mjediseve të “Alba Film Studio”, sh.a. nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve te Ministria e Brendshme”, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme, Bashkia Tiranë dhe Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I 

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA TOKË BUJQËSORE NË TOKË TRUALL, PËR NDËRTIMIN E NJË KAPANONI INDUSTRIAL NJË KAT-REPART PËRPUNIMI, NGA ANA E SHOQËRISË “LASER TUBE ALBANIA”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga tokë bujqësore në tokë truall, të sipërfaqes prej 6 213 (gjashtë mijë e dyqind e trembëdhjetë) m², sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi, për ndërtimin e një kapanoni industrial një kat- repart përpunimi, nga ana e shoqërisë “Laser Tube Albania”, sh.p.k.

2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës të Qarkut Durrës të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral përkatës ndryshimet e kategorisë së resursit, nga tokë bujqësore në tokë truall, për sipërfaqen prej 6 213 (gjashtë mijë e dyqind e trembëdhjetë) m², sipas pikës 1, të këtij vendimi.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës të Qarkut Durrës, Këshilli i Qarkut Durrës, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.2 TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF0A1769, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE TË GRANTIT TË AKORDUAR NGA FONDI I MIRËBESIMIT ME SHUMË DONATORË, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË ZBATIMIT TË NISMËS PËR TRANSPARENCË NË INDUSTRINË NXJERRËSE NË SHQIPËRI (EITI)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, datë 21.4.2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese nr.2 të marrëveshjes së grantit nr.TF0A1769, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të akorduar nga Fondi i Mirëbesimit me Shumë Donatorë, për financimin e projektit të zbatimit të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri (EITI), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

PRODHIMIN, TRANSMETIMIN DHE FINANCIMIN E EMISIONEVE TË POSAÇME TELEVIZIVE, ARSIMORE DHE KULTURORE, TË DEDIKUARA PËR DIASPORËN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 13, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”, të nenit 116, të ligjit nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Prodhimin, transmetimin dhe financimin nga buxheti i shtetit të emisioneve të posaçme televizive, për mësimin e gjuhës shqipe dhe për kulturën shqiptare, të dedikuara për diasporën, si pjesë të programit “RTSH 3”, të Radiotelevizionit Shqiptar (RTSH).

2. Emisioni i posaçëm televiziv për mësimin e gjuhës shqipe prodhohet e transmetohet nga Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH) dhe financohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

3. Emisioni i posaçëm televiziv për kulturën shqiptare, si prodhim i pavarur i Ministrisë së Kulturës, transmetohet nga Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH), me financimin e buxhetit të miratuar për ministrinë.

4. Përmbajtja e programeve të emisionit të posaçëm televiziv për mësimin e gjuhës shqipe do t’u kushtohet interesave të arsimimit për komunitetet shqiptare jashtë vendit, sipas kurrikulës së përbashkët të realizuar për këtë qëllim, në bazë të marrëveshjes me qeverinë e Republikës së Kosovës.

5. Platforma e programeve të emisioneve të posaçme për mësimin e gjuhës shqipe, kulturën shqiptare dhe identitetin kombëtar të përgatitet nga një grup pune ndërinstitucional, që ngrihet me urdhër të Kryeministrit, me përfaqësues të ministrive përgjegjëse për arsimin, kulturën dhe diasporën.

6. Transmetimet e programeve të miratuara do të inkurajojnë mësimdhënien on-line dhe, pas transmetimit periodik në “RTSH 3”, do të vihen në dispozicion të publikut të interesuar pa pagesë.

7. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Kulturës, për prodhimin, transmetimin dhe financimin e emisioneve të posaçme, sipas pikave 1, 2 e 3, të këtij vendimi, të lidhin marrëveshjet përkatëse me Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH).

8. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Kulturës dhe ministri i Shtetit për Diasporën, brenda fushës së tyre të përgjegjësisë, në bashkëpunim me Radiotelevizionin Shqiptar, të marrin masat e nevojshme për realizimin e emisioneve të posaçme dhe transmetimin e tyre, duke filluar nga viti i ri mësimor 2019-2020.

9. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Kulturës dhe ministri përgjegjës për diasporën të mbështesin Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH) për zbatimin e marrëveshjes me Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) për realizimin, brenda vitit 2019, të programit të përbashkët televiziv mbi bazën e interesave të diasporës shqiptare.

10. Ngarkohen ministri i Shtetit për Diasporën, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

KRITERET, MËNYRËN E SHPËRBLIMIT DHE PËRFITIMIN E TRAJTIMIT PËR PËRGATITJEN SPORTIVE TË SPORTISTËVE, QË PËRFITOJNË STATUSIN E NIVELIT TË LARTË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 27, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Dispozita të përgjithshme

1. Sportistët që kanë arritur rezultate të larta në aktivitete kombëtare apo ndërkombëtare, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, konsiderohen sportistë të nivelit të lartë dhe gëzojnë status e trajtim të veçantë, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

2. Sportistët gëzojnë statusin e sportistit të nivelit të lartë nga momenti i marrjes së rezultatit zyrtar në veprimtaritë ndërkombëtare apo kombëtare, sipas përcaktimeve të bëra në pikat 1.1 dhe 2.1, të kreut II, të këtij vendimi, deri në marrjen zyrtare të të njëjtit rezultat nga një sportist tjetër pasardhës.

3. Sportistët, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë, klasifikohen sipas rezultateve të larta sportive të arritura në veprimtaritë ndërkombëtare dhe kombëtare.

II. Kriteret e përcaktimit të statusit të sportistit të nivelit të lartë dhe mënyra e shpërblimit

1. Në veprimtaritë ndërkombëtare:

1.1. Kriteret e përcaktimit të nivelit të lartë sportiv për të rritur, në sportet individuale në përbërje të ekipit kombëtar, si dhe në ekipet kombëtare të sporteve kolektive, për sportet olimpike të përcaktuara dhe të miratuara nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, të jenë rezultatet e arritura në aktivitetet ndërkombëtare zyrtare, sipas klasifikimeve përfundimtare të përcaktuara në rregulloret ndërkombëtare, si më poshtë vijon:

a) sportisti, i cili thyen rekord olimpik;
b) sportisti, i cili thyen rekord botëror;
c) sportisti, i cili thyen rekord evropian;
ç) vendi i parë deri në vendin e tetë në Lojërat Olimpike;
d) vendi i parë deri në vendin e gjashtë në kampionate botërore;
dh) vendi i parë deri në vendin e tretë në kampionate evropiane;
e) vendi i parë në Lojërat Mesdhetare.

1.2. Klasifikimi i ekipeve në sportet individuale nuk merret parasysh në kategorizimin e mësipërm.

1.3. Sportistët që arrijnë rezultatet e përcaktuara në pikën 1.1 të këtij kreu shpërblehen sipas tabelës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, brenda 3 muajve pas shpalljes së rezultateve zyrtare.

1.4. Kriteret e përcaktimit të nivelit të lartë sportiv për të rinjtë janë të njëjta me ato sipas pikës 1.1, të këtij kreu. Kategoria e të rinjve shpërblehen në masën 30% të vlerës së përcaktuar për të rriturit, sipas tabelës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, brenda 3 muajve pas shpalljes së rezultateve zyrtare.

1.5. Trajnerët e sportistëve të nivelit të lartë shpërblehen në masën 40% të vlerës së përcaktuar për sportistët fitues sipas kategorizimeve në tabelën I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, brenda 3 muajve pas shpalljes së rezultateve zyrtare.

1.6. Klasifikimi i ekipeve dhe shuma përfituese për sportet kolektive përcaktohet në tabelën II, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Nga kjo shumë, komitetet drejtuese të federatave sportive përcaktojnë shpërblimin e sportistëve në sportet kolektive, i cili është individual dhe bazohet në kontributin e secilit.
1.7. Sportistët, që arrijnë rezultatet e përcaktuara në pikën 1.1, të këtij kreu, marrin trajtim të veçantë lidhur me:

a) ndjekjen e studimeve pa procedura konkurrimi në Universitetin e Sporteve, Akademinë e Sigurisë dhe Akademinë e Mbrojtjes;
b) ndjekjen e studimeve me plane individuale në institucionet e arsimit të lartë;
c) punësimin në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme.

2. Në veprimtaritë kombëtare:

2.1. Kriteret për përcaktimin e nivelit të lartë sportiv në veprimtaritë kombëtare janë rezultatet e arritura, si më poshtë vijon:

a) Sportisti, i cili thyen rekordin kombëtar;
b) Vendi i parë në kampionatin kombëtar.

2.2. Shpërblimi, sipas masës së përcaktuar në tabelën III, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, mbulohet nga buxhetet e federatave përkatëse sportive.

III. Trajtimi i sportistëve të nivelit të lartë dhe trajnerëve

1. Sportistët pjesëmarrës në veprimtaritë kombëtare të përcaktuara në rregulloret kombëtare dhe në veprimtari ndërkombëtare, për përgatitjen e tyre, përfitojnë trajtim ushqimor në natyrë ose në vlerë, si dhe trajtim mjekësor.

2. Trajtimi ushqimor është 2 500 (dy mijë e pesëqind) lekë në ditë, për 25 (njëzet e pesë) ditë në muaj. Trajtimi mjekësor dhe riaftësimi i sportistëve është deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë në muaj.

3. Trajtimi ushqimor dhe mjekësor mbulohet plotësisht ose pjesërisht nga klubet sportive, me fondet e pushtetit vendor, nga fondi grant ose të ardhura të tjera të ligjshme.

4. Trajnerët e kontraktuar me kohë të pjesshme pranë klubeve sportive/shumësportesh do të paguhen në masën 500 (pesëqind) lekë për orë stërvitore dhe jo më shumë se 1 000 (një mijë) lekë në ditë për 25 (njëzet e pesë) ditë në muaj.

5. Federatat dhe klubet mund të grumbullojnë ekipet e tyre përfaqësuese për veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare. Vlera ditore për akomodimin dhe ushqimin është 7 000 (shtatë mijë) lekë (4 000 lekë ushqimi + 3 000 lekë fjetja) në ditë, sipas nevojave që ato kanë, dhe mbulohet nga buxhetet e federatave apo klubeve, sipas marrëveshjes ndërmjet palëve.

IV. Dispozita të fundit

1. Efektet financiare për zbatimin e pikave 1.1 deri në 1.5, të kreut II, të këtij vendimi, përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për sportin.

2. Efektet financiare për zbatimin e pikës 1.6, të kreut II, të këtij vendimi, dhe shpërblimet e dhëna nga ministri përgjegjës për sportin, deri në 500 000 (pesëqind mijë lekë), për veprimtari të tjera të rëndësishme ndërkombëtare, në sporte individuale dhe në përbërje të ekipeve kombëtare, përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për sportin.

3. Vendimi nr.1720, datë 29.10.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e përcaktimit të nivelit të lartë sportiv, për mënyrën e shpërblimit të sportistëve, që i arrijnë këto nivele, si dhe për përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive”, i ndryshuar, shfuqizohet.

4. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PRAKTIKAVE PËR PROMOVIMIN E INVESTIMEVE TË PËRBASHKËTA, RAJONALE, NË INFRASTRUKTURËN E SEKTORIT TË ENERGJISË *

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 4; 9, 11, 16, pikat 1, 4, 5, 13 e 25; dhe 49 e 108, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të neneve 4, pika 2, shkronjat “c” e “ç”; 18, 23, 30 dhe 31, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, dhe të neneve 9, 10, 100, pika ii, dhe të pikës 7, të aneksit I, të Traktatit të Krijimit të Komunitetit të Energjisë, të ratifikuar me ligjin nr.9501, datë 3.4.2006, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Qëllimi

1. Qëllimi i këtij vendimi është promovimi i investimeve të përbashkëta, rajonale në infrastruktutën e sektorit të energjisë, identifikimin e projekteve me interes për Komunitetin e Energjisë e të projekteve me interes të ndërsjellë të palëve kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe/ose vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në lidhje me infrastrukturën rajonale të energjisë elektrike, gazit natyror dhe naftës bruto, si dhe të bashkërendojë aktivitetet në lëshimin e lejeve.
_______________________________
*Ky vendim është përafruar pjesërisht me rregulloren (KE) Nr.347/2013 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 17 prill 2013, “Mbi udhëzimet për infrastrukturën energjetike transevropiane, që shfuqizon vendimin nr.1364/2006/EC si dhe amendon regulloret (KE) nr.713/2009, (EC) nr.714/2009 dhe (EC) No.715/2009”, të inkorporuara dhe të përshtatura me vendimin e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, 2015/09/MC-EnC, të datës 16 tetor 2015 për zbatimin e Rregullores (BE) Nr.347/2013 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit mbi udhëzimet për infrastrukturën energjetike transevropiane.

II. Fusha e zbatimit

2. Dispozitat e këtij vendimi vlejnë për të gjitha projektet në kategoritë e infrastrukturës rajonale të energjisë elektrike, gazit natyror dhe naftës bruto, të cilat janë projekte me interes për Komunitetin e Energjisë dhe projekte me interes të ndërsjellë të palëve kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe/ose vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

III. Përkufizime

3. Termat e përdorur në këtë vendim kanë këto kuptime:

a) “Infrastrukturë energjetike”, çdo pajisje apo impiant fizik, brenda kategorive të infrastrukturës energjetike rajonale, që vendoset brenda territoreve të palëve kontraktuese apo që lidh palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë ose palët kontraktuese dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian;
b) “Vendim gjithëpërfshirës”, një vendim apo tërësi vendimesh, që merren nga autoriteti apo autoritetet e një pale kontraktuese, që nuk përfshijnë gjykatat apo kolegjet gjyqësore, që përcaktojnë nëse një promovues i projektit duhet të marrë ose nuk duhet të marrë autorizimin për të ndërtuar infrastrukturën e energjisë për të realizuar projektin, pa paragjykuar vendimet e marra në kontekstin e procedurës administrative në shkallë apeli;
c) “Projekt”, një apo më shumë rrjete, tubacione, impiante, pajisje apo instalime që bëjnë pjesë në kategoritë e infrastrukturës së energjisë;
ç) “Projekt i investimeve të përbashkëta, rajonale, në infrastrukturën energjetike me interes”:

i. Projekt me interes për Komunitetin e Energjisë është një projekt i nevojshëm për implementimin e infrastrukturës rajonale energjetike si dhe pjesë e listës së projekteve me interes për Komunitetin e Energjisë, përmendur në pikën 11, të kreut VII;
ii. Projekt me interes të ndërsjellë për palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë është një projekt i infrastrukturës energjetike në një nga kategoritë e elektricitetit, të gazit ose naftës, që lidh një palë kontraktuese të Komunitetit të Energjisë (Shqipërinë) dhe një vend anëtar të BE-së, dhe që është pjesë e listës së projekteve me interes të ndërsjellë, të miratuar nga Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë, përmendur në pikën 12, të kreut VII;

d) “Ngushtim kapaciteti i infrastrukturës energjetike”, kufizimi i rrjedhave fizike në një sistem energjetik, për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të transmetimit, që përfshin, ndërmjet të tjerash, mungesën e infrastrukturës;
dh) “Promovues i projektit”:

i. Operator i Sistemit të Transmetimit, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes apo ndonjë operator a investitor tjetër, që zhvillon një projekt me interes për Komunitetin e Energjisë ose një projekt me interes të ndërsjellë për palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë;
ii. Operatorë të sistemit të transmetimit, operatorë të sistemit të shpërndarjes, operatorë të tjerë, investitorë apo ndonjë grup i tyre, subjekte me personalitet juridik sipas ligjit të zbatueshëm vendor, që është përcaktuar me marrëveshje kontraktuale ndërmjet tyre, si dhe që kanë kapacitetin për të marrë përsipër detyrime ligjore e financiare në emër të palëve, në rregullimet e tilla kontraktuale.

e) “Rrjet inteligjent”, rrjet elektrik ose rrjet gazi, që mund të integrojë, në mënyrë efektive për koston, sjelljet dhe veprimet e të gjithë përdoruesve të lidhur në të, duke përfshirë prodhuesit (gjeneruesit) e konsumatorët dhe ata që janë njëkohësisht prodhues e konsumatorë, për të siguruar një sistem energjetik ekonomikisht efikas e të qëndrueshëm, me humbje të vogla dhe nivele të larta të cilësisë, sigurisë së furnizimit dhe sigurisë e rregullit;
ë) “Punime”, blerje, furnizim dhe dërgesë e pjesëve, sistemeve e shërbimeve, duke përfshirë programet kompjuterike, kryerjen e aktiviteteve të zhvillimit, ndërtimit dhe instalimit të projekteve, pranimin e instalimit dhe nisjen e projektit;
f) “Studime”, aktivitete të nevojshme për përgatitjen e implementimit të projektit, siç janë studimet përgatitore, të fizibilitetit, vlerësimit, testimit e vlefshmërisë, duke përfshirë programet kompjuterike, si dhe masat e tjera të mbështetjes teknike, duke përfshirë veprimet paraprake për përcaktimin e zhvillimin e projektit si dhe vendimmarrjen për financimin e tij, siç janë vëzhgimet në terren për vendndërtimet në fjalë dhe përgatitjen e paketës financiare;
g) “Enti Rregullator i Energjisë (ERE)”, një institucion i pavarur në sektorin e energjisë, që është ngritur, organizohet dhe funksionon në bazë të ligjeve nr.43/2015, “Për sektorin e energjise elektrike”, të ndryshuar, dhe nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”;
gj) “Komisionimi”, procesi i futjes së një projekti në veprim, menjëherë pasi të jetë ndërtuar;
h) “Autoritet kompetent”, ministria përgjegjëse për energjinë, institucioni shtetëror përgjegjës për lehtësimin dhe bashkërendimin e procesit të dhënies së lejeve për promovimin e investimeve të përbashkëta, rajonale, në infrastrukturën e sektorit të energjisë;
i) “Grupi përkatës”, organ i ngritur sipas nenit 3 dhe shtojcës II.1, të rregullores 347/EC, datë 17.4.2013, miratuar me vendimin e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë nr.2015/09/MC-EnC, datë 16 tetor 2015;
j) “Bordi i Rregullatorëve të Komunitetit të Energjisë”, institucioni koordinues i rregullatorëve kombëtarë të energjisë të palëve nënshkruese të Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Është forumi për shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e praktikave më të mira për tregjet e rregulluara të energjisë elektrike dhe të gazit në Komunitetin e Energjisë. Aktivitetet e tij përfshijnë sigurimin e qëndrimeve të koordinuara rregullatore në debatet e politikave energjetike, harmonizimin e rregullave rregullatore përgjatë kufijve dhe ndarjen e njohurive e të përvojës rregullatore;
k) “Palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë”, palët nënshkruese të Traktatit të Komunitetit të Energjisë;
l) “Lista e Projekteve me Interes për Komunitetin e Energjisë (PECI)”, lista e projekteve të miratuara me vendimin e Këshillit Ministror nr.2015/09/MC-EnC, datë 16 tetor 2015, që do të përditësohet çdo dy vjet;
ll) “Lista e Projekteve me Interes të Ndërsjellë për Palët Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë (PMI)”, lista e projekteve të miratuara me vendimin e Këshillit Ministror nr.2015/09/MC-EnC, datë 16 tetor 2015, që do të përditësohet çdo dy vjet;
m) “Studim parafizibiliteti”, një vlerësim paraprak, i përafërt, teknik, ekonomik, financiar dhe mjedisor i një projekti për ndërtimin e një linje/kapaciteti të ri transmetues të energjisë;
n) “Studim fizibiliteti”, një vlerësim i plotë teknik, ekonomik, financiar dhe mjedisor i një projekti për ndërtimin e një linje/kapaciteti të ri transmetues të energjisë;
nj) “Interkonektor”, linjë transmetimi, e cila kalon apo përshkon kufirin ndërmjet palëve kontraktuese dhe lidh sistemet shtetërore të transmetimit të palëve kontraktuese;
o) “Tranzit”, transferim i energjisë me origjinë nga një shtet tjetër, e destinuar për një shtet të tretë, nëpër rrjetin shqiptar, ose transmetimi i energjisë me origjinë nga një shtet tjetër, i destinuar për po atë shtet, nëpërmjet rrjetit të Shqipërisë;
p) “Depozitim i energjisë”, çdo proces apo gjendje e ruajtjes së energjisë, në një formë, e cila lejon që energjia të vihet në dispozicion në një formë të dobishme në një moment të mëvonshëm.

4. Termat e tjerë, të përdorur në këtë vendim, kanë kuptimin sipas përcaktimeve të përdorura në ligjet nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, nr.43/2015, “Për sektorin e energjise elektrike”, të ndryshuar, dhe nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar.

IV. Caktimi i autoritetit kompetent shtetëror

5. Autoriteti kompetent shtetëror për lehtësimin dhe bashkërendimin e procesit të dhënies së lejeve për promovimin e investimeve të përbashkëta, rajonale, në infrastrukturën e sektorit të energjisë, sipas këtij vendimi, është ministria përgjegjëse për energjinë, siç përcaktohet në pikën 4, të nenit 5, të ligjit nr.102/2015, në pikën 2, të nenit 4, të ligjit nr.43/2015, të ndryshuar, dhe në nenin 13, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, të ndryshuar.

6. Ministria përgjegjëse për energjinë përgatit dhe paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave praktikat administrative për promovimin e çdo ndërtimi të objekteve të infrastrukturës rajonale energjetike për energjinë elektrike, gazin natyror e naftën bruto dhe këtë veprim ia komunikon Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

V. Detyrat dhe përgjegjësitë e autoritetit kompetent

7. Autoriteti kompetent, sipas kreut IV, të këtij vendimi, është përgjegjës për:

a) lehtësimin dhe bashkërendimin e procesit të dhënies së lejeve për projektet e infrastrukturës energjetike, rajonale, me interes për Komunitetin e Energjisë dhe të projekteve me interes të ndërsjellë për palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe/ose vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Autoriteti kompetent bashkërendon dhënien e miratimit gjithëpërfshirës. Në konsultim me autoritetet e tjera të përfshira si dhe pa paragjykuar afatet kohore, të përcaktuara në përputhje me kreun X, të këtij vendimi, autoriteti kompetent vendos afatet kohore të arsyeshme për secilin rast, brenda të cilave duhen të jepen miratimet individuale nga autoritetet përkatëse. Ai monitoron edhe respektimin e afateve kohore nga autoritetet në fjalë. Nëse një miratim i caktuar nga një autoritet në fjalë nuk jepet brenda afatit kohor të caktuar, autoriteti informon autoritetin kompetent pa vonesë, duke dhënë edhe arsyetimin për mosdhënien e miratimit brenda afatit kohor të caktuar. Në vijimësi, autoriteti kompetent rivendos afatin kohor brenda të cilit jepet miratimi individual derisa, ndërkohë, respektohen afatet e përgjithshme kohore, të vendosura në përputhje me kreun X, të këtij vendimi;
b) publikimin dhe përditësimin, kurdo që është e nevojshme, të manualit të procedurave, në bashkëpunim me autoritetet e tjera përkatëse që japin leje, para datës 30 dhjetor 2018;
c) miratimin apo kërkimin e modifikimit të konceptit të pjesëmarrjes publike, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse, dorëzuar nga promovuesi i projektit, brenda tre muajve, nga dorëzimi i tij;
ç) përgatitjen e një skeme të hollësishme afatesh për procesin e dhënies së lejeve, në konsultim me promovuesin e projektit dhe autoritetet e tjera të përfshira;
d) bashkëpunimin me autoritetet kompetente të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe palët e tjera kontraktuese të Komunitetit të Energjisë në përgatitjen e planeve të përbashkëta, me qëllim të koordinimit të afateve;
dh) dorëzimin te grupi përkatës i Komunitetit të Energjisë të raportit vjetor mbi progresin apo vonesat në implementimin e projektit, në kuptimin e proceseve të dhënies së lejeve.

VI. Masat për harmonizimin e procedurave dhe të praktikave

8. Ministria përgjegjëse për energjinë, në bashkërendim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, analizon dhe vlerëson se cilat masa janë të mundshme për harmonizimin e procedurave e të praktikave shtetërore të vlerësimit mjedisor për projektet e infrastrukturës energjetike, rajonale, me interes për Komunitetin e Energjisë dhe të projekteve me interes të ndërsjellë për palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe/ose vendet anëtare të Bashkimit Evropian, në bazë të udhëzimeve të nxjerra nga Komisioni Evropian, si dhe informon Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë për rezultatet.

9. Deri më 30 dhjetor 2018, ministria përgjegjëse për energjinë, në bashkërendim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, ndërmarrin masat e nevojshme administrative për harmonizimin e procedurave të identifikuara sipas pikës 8, të këtij vendimi.

10. Duke filluar nga 30 qershori 2019, ministria përgjegjëse për energjinë, në bashkërendim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, duhet të ndërmarrin masat ligjore të identifikuara sipas pikës 8, të këtij kreu. Këto masa duhen marrë pa paragjykuar detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni i miratuar nga Komuniteti i Energjisë.

VII. Statusi prioritar i projekteve rajonale të infrastrukturës energjetike

11. Projektet rajonale të infrastrukturës energjetike me interes për Komunitetin e Energjisë (PECI) duhet të marrin statusin prioritar, në mënyrën në të cilën një trajtim i tillë mundësohet me ligjin e zbatueshëm vendor për llojin përkatës të infrastrukturës energjetike. Statusi prioritar i projekteve PECI përfshin edhe dhënien e statusit më të lartë të mundshëm të një çështjeje të rëndësisë kombëtare në planifikimin e territorit, që të trajtohet si e tillë në proceset e dhënies së lejeve, për sa parashikohet në ligjin për planifikim territorial, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me vlerësimet mjedisore.

12. Projektet rajonale të infrastrukturës energjetike me interes të ndërsjellë për palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe/ose vendet anëtare të Bashkimit Evropian (PMI), të cilat janë projekte që lidhin një ose disa palë kontraktuese të Komunitetit të Energjisë (p.sh. Shqipërinë dhe një vend anëtar të BE-së), duhet të marrin statusin prioritar në mënyrën që një trajtim i tillë mundësohet me ligjin e zbatueshëm vendor për llojin përkatës të infrastrukturës energjetike ndërmjet palëve kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe/ose vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Statusi prioritar i projekteve PMI përfshin edhe dhënien e statusit të një çështjeje të rëndësisë kombëtare në planifikimin e territorit, që të trajtohet si e tillë në proceset e dhënies së lejeve, për sa parashikohet në ligjin për planifikim territorial, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me vlerësimet mjedisore.

VIII. Implementimi dhe monitorimi

13. Promovuesit e projekteve të infrastrukturës energjetike rajonale detyrohen të zhvillojnë planet e zbatimit për projektet me interes për Komunitetin e Energjisë dhe projektet me interes të ndërsjellë për palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe/ose vendet anëtare të Bashkimit Evropian, duke përfshirë tabelën e afateve kohore për secilën prej këtyre çështjeve, që janë:

a) studimi i fizibilitetit dhe projektimi;
b) aprovimi nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) dhe autoritetet e tjera që përfshihen, për rastet kur kërkohet nga legjislacioni specifik;
c) ndërtimi dhe komisionimi;
ç) tabela e afateve kohore limit të dhënies së lejeve, për procesin e lejeve, në pajtim me detajet e dhëna me shtojcën II.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

14. Operatori i Sistemit të Transmetimit si dhe operatorët e tjerë duhet të bashkëpunojnë ndërmjet tyre për të lehtësuar zhvillimin në fushëveprimin e tyre përkatës të projekteve PECI dhe PMI.

15. Çdo vit, deri më 31 mars, promovuesit e projekteve duhet të dorëzojnë një raport vjetor për secilin projekt që bie në kategoritë e renditura në shtojcën I.1 dhe 2, tek autoriteti kompetent i përmendur në kreun IX, si dhe te bordi i rregullatorit ose, për projektet, që bëjnë pjesë në kategoritë e renditura në shtojcën I.3, te grupi përkatës. Ky raport duhet të japë hollësi për:

a) progresin e arritur në zhvillimin, ndërtimin dhe komisionimin e projekteve, sidomos në lidhje me procedurat e dhënies së lejeve e të konsultimit;
b) vonesat, nëse ka të tilla, në krahasim me planin e zbatimit, arsyet për vonesat e tilla si dhe vështirësitë e përballura;
c) planin e rishikuar, nëse ka të tillë, me qëllim tejkalimin e vonesave.

16. Brenda një muaji, nga marrja e raporteve të paraqitura nga promovuesit e projekteve, autoriteti kompetent i dorëzon ato te Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, që përgatit dhe dorëzon raportet e konsoliduara te grupet.

17. Çdo vit, autoriteti kompetent i raporton grupit përkatës për progresin dhe për elementet e tjera të rëndësishme, vonesat në zbatimin e projekteve PECI e PMI, që gjenden në territorin e tyre, në lidhje me procesin e marrjes së lejeve, si dhe arsyet për vonesa të tilla.

IX. Transparenca dhe pjesëmarrja publike

18. Deri më 30 dhjetor 2018, autoriteti kompetent, në bashkëpunim me autoritetet e tjera të angazhuara, duhet të publikojë një manual procedurash për procesin e dhënies së lejeve, që vlen për projektet PECI dhe PMI. Manuali duhet përditësuar sa herë që është e nevojshme dhe të vihet në dispozicion për publikun. Manuali duhet të përfshijë, së paku, informatat e specifikuara në pikën 1, të shtojcës II.

19. Brenda një periudhe 3-mujore nga fillimi i procesit të dhënies së lejeve, sipas shkronjës “a”, të pikës 27, të kreut X, të këtij vendimi, promovuesi i projektit harton dhe dorëzon tek autoriteti kompetent një projekt konceptual të pjesëmarrjes publike, bazuar në kërkesat dhe procedurat e ligjit nr.146/2014, “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, duke respektuar procesin e përcaktuar në manualin e përmendur në pikën 18, si dhe në pajtim me udhëzimet e dhëna te shtojca II. Autoriteti kompetent mund të kërkojë modifikime apo të pajtohet me konceptin e pjesëmarrjes publike brenda dy muajve.

20. Autoriteti kompetent duhet të marrë parasysh çdo formë të pjesëmarrjes dhe konsultimit publik që përdoret para procesit të dhënies së lejeve, referuar dispozitave të ligjit nr.146/2014, deri në masën që ajo pjesëmarrje dhe konsultim publik të përmbushë kriteret e këtij neni.

21. Në rastet ku promovuesi i projektit synon të bëjë ndryshime të konsiderueshme në një koncept të pjesëmarrjes publike të aprovuar, ai duhet të informojë autoritetin kompetent për këto. Në atë rast, pas konsultimit me autoritetet përkatëse, autoriteti kompetent mund të miratojë modifikimet.

22. Promovuesi i projektit duhet të mbajë, së paku, një konsultim publik ose, kur kërkohet nga autoriteti kompetent, në përputhje me legjislacionin në zbatim, para dorëzimit të aplikimit përfundimtar e të plotë tek autoriteti kompetent, sipas shkronjës “a”, të pikës 27, të kreut X. Kjo duhet të bëhet pa anashkaluar konsultimet publike që duhen mbajtur pas dorëzimit të aplikimit për miratim zhvillimor, duke marrë parasysh edhe vlerësimin e ndikimit në mjedis. Gjatë konsultimeve publike, promovuesi i projektit duhet të informojë palët e interesuara sipas përcaktimit në pikën 3.1, të shtojcës II, në lidhje me projektin në një fazë të hershme, duhet të kërkojë ndihmë në përcaktimin e vendndodhjes apo të rrugës më të mirë të mundshme si dhe për çështjet përkatëse, që duhen adresuar në dosjen e aplikimit. Kërkesat minimale, që vlejnë për këtë konsultim publik, specifikohen në pikën 5, të shtojcës II.

23. Promovuesi i projektit duhet të përgatisë një raport që përmbledh rezultatet e aktiviteteve në lidhje me pjesëmarrjen publike para se të dorëzojë dosjen e aplikimit, duke përfshirë aktivitetet që janë mbajtur para fillimit të procesit të dhënies së lejeve. Promovuesi i projektit duhet të dorëzojë raportin me dosjen e aplikimit tek autoriteti kompetent. Këto rezultate duhet të merren parasysh nga autoriteti kompetent kur merret vendimi gjithëpërfshirës.

24. Promovuesi i projektit duhet të krijojë e të mirëmbajë rregullisht një faqe interneti, me të gjitha informacionet e duhura për projektet PECI dhe PMI, të cilat duhet të jenë të ndërlidhura me faqen e internetit të Komunitetit të Energjisë si dhe të plotësojnë kërkesat e specifikuara në pikën 6, të shtojcës II. Informacionet e ndjeshme komerciale, që kanë të bëjnë me leverdishmërinë ekonomike të projektit, duhet të mbesin konfidenciale.

25. Promovuesi i projektit duhet të publikojë edhe informacionet përkatëse në mjetet përkatëse të informimit, në të cilat publiku ka akses të gjerë.

X. Kohëzgjatja dhe implementimi i procesit të dhënies së lejeve

26. Promovimi, procesi i dhënies së lejeve dhe kohëzgjatja e tij, për projektet e infrastrukturës energjetike rajonale, që konsiderohen si projekte PECI dhe PMI, do të bëhet në mbështetje dhe në zbatim të përcaktimeve të nenit 11, të ligjit nr.102/2015, të nenit 31, të ligjit nr.43/2015 , të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, të ndryshuar, duke pasur në konsideratë dhe duke respektuar edhe kërkesat e legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar.

27. Procesi i dhënies së lejeve përbëhet nga dy procedura:

a) Procedura para aplikimit, që përfshin periudhën ndërmjet fillimit të procesit të dhënies së lejeve e miratimeve, si dhe të pranimit, nga ana e autoritetit kompetent, të aplikimit të dorëzuar, që përfshin një periudhë indikative, të përcaktuar në aktet nënligjore përkatëse për secilin aktivitet, energji elektrike, gaz natyror apo naftë bruto.
Kjo procedurë përfshin edhe Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) si dhe raportet e tjera relevante, që duhen siguruar nga promovuesi i projektit.
Promovuesit e projekteve duhet të njoftojnë me shkrim autoritetin kompetent për projektin dhe të ofrojnë një përshkrim të hollësishëm të tij.
Në rast se projekti përfshin dy apo më shumë palë kontraktuese dhe/ose palë të tjera, data e pranimit të njoftimit të fundit nga autoriteti kompetent në fjalë shërben si data e fillimit të procesit të lejeve;

b) Procedura ligjore e dhënies së lejeve, që mbulon periudhën nga data e miratimit paraprak nga autoriteti kompetent deri në miratimin përfundimtar nga institucionet e ngarkuara me ligj për lëshimin e lejeve për punimet ndërtimore për objekte të infrastrukturës energjetike, sikurse përcaktohet në dispozitat e legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, ligji nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar.

28. Kushtet dhe procedurat për ndërtimin e objekteve të infrastrukturës rajonale, energjetike, të sektorit të gazit natyror, për projektet PECI dhe PMI, do të bëhet në referencë të përcaktimeve të vendimit nr.713, datë 25.8.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave për kushtet dhe procedurat për dhënien e lejeve për ndërtimin dhe përdorimin e tubacioneve e të infrastrukturës së sistemeve të gazit natyror”.

29. Kushtet dhe procedurat për ndërtimin e objekteve të infrastrukturës rajonale, energjetike, të sektorit të energjisë elektrike, për projektet PECI dhe PMI, do të bëhet në referencë të përcaktimeve të vendimit nr.16, datë 11.1.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kushteve dhe të procedurave për ndërtimin e interkonektorëve të rinj”, të ndryshuar.

30. Kushtet dhe procedurat për ndërtimin e objekteve të infrastrukturës rajonale, energjetike, të sektorit të naftës bruto, për projektet PECI dhe PMI, do të bëhet në referencë të përcaktimeve të vendimit nr.411, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat dhe kushtet për dhënien e përsëritjen e licencës së koncesionit të naftësjellësve për importimin, eksportimin dhe transportimin e naftës bruto”.

XI. Mundësia e investimeve me ndikim ndërkufitar

31. Kostot e investimeve të bëra në mënyrë efikase, të cilat përjashtojnë kostot e mirëmbajtjes, në lidhje me një projekt me interes për Komunitetin e Energjisë (PECI) ose me një projekt me interes të ndërsjellë për palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe/ose vendet anëtare të Bashkimit Evropian (PMI), që bën pjesë në kategoritë e përcaktuara në pikat 1 e 2, të shtojcës I, si dhe që kanë të bëjnë vetëm me palët kontraktuese, përballohen nga OST-ja përkatëse apo promovuesit e projekteve të infrastrukturës së transmetimit te pala kontraktuese, për të cilët projekti siguron ndikim neto-pozitiv, deri në masën që nuk mbulohet me qiratë e kongjestionit apo tarifa të tjera, të cilat do të paguhen nga shfrytëzuesit e rrjetit nëpërmjet tarifave për akses në rrjet brenda asaj apo atyre palëve kontraktuese.

32. Kostot e investimeve të bëra në mënyrë efikase, të cilat përjashtojnë koston e mirëmbajtjes, të ndërlidhura me projekte PECI, që bëjnë pjesë në kategoritë e parashikuara në pikat 1 e 2, të shtojcës I, si dhe që kanë të bëjnë me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, mund të përballohen nga OST-ja apo promovuesit e projekteve përkatëse të infrastrukturës transmetuese të palëve kontraktuese dhe shteteve anëtare, për të cilat projekti ofron ndikim neto-pozitiv, deri në masën që nuk mbulohet me qiratë e kongjestionit apo tarifa të tjera, të cilat do të paguhen nga shfrytëzuesit e rrjetit nëpërmjet tarifave për akses në rrjet, në atë apo ato palë kontraktuese dhe shtete anëtare të prekura.

33. Mundësia e investimeve me ndikim ndërkufitar realizohet:

a) për një projekt me interes për Komunitetin e Energjisë (PECI), që bën pjesë në kategoritë e përcaktuara në pikat 1, paragrafët 1.1 e 1.3, dhe 2, paragrafi 2.1, të shtojcës I, për të cilin ky kre do të zbatohet vetëm nëse, të paktën, një promovues i projektit kërkon nga autoritetet përkatëse për të aplikuar këtë nen për të gjitha apo një pjesë të kostove të projektit. Për projektet PECI, që bëjnë pjesë në kategoritë e përcaktuara në paragrafin 2.1, të pikës 2, të shtojcës I, do të zbatohen vetëm në rastet kur vlerësimi i kërkesës së tregut është tashmë i kryer dhe tregon që kostot investuese efikase nuk mund të pritet të mbulohen me tarifë.
b) për një projekte me interes të ndërsjellë për palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe/ose vendet anëtare të Bashkimit Evropian (PMI), që bën pjesë në kategoritë e përcaktuara në pikat 1, paragrafët 1.1 e 1.3, dhe 2, paragrafi 2.1, të shtojcës I, për të cilat ky kre do të zbatohet vetëm nëse, të paktën, një promovues i projektit kërkon nga autoritetet përkatëse për të aplikuar këtë nen për të gjitha apo një pjesë të kostove të projektit. Për projektet PMI, që bëjnë pjesë në kategoritë e përcaktuara në paragrafin 2.1, të pikës 2, të shtojcës I, ky kre do të zbatohet vetëm në rastet kur vlerësimi i kërkesës së tregut është tashmë i kryer dhe tregon që kostot investuese efikase nuk mund të pritet të mbulohen me tarifë.

34. Në rastet kur projekti ka disa promovues, autoritetet përkatëse rregullatore, shetërore, kërkojnë nga të gjithë promovuesit e projektit që të dorëzojnë këkesat për investime bashkërisht, në pajtim me pikën 33, të këtij kreu.

35. Detyrimet e promovuesve të projekteve për informim janë, si më poshtë vijon:

a) Për projektet me interes për Komunitetin e Energjisë (PECI), për të cilat aplikohet pika 31, e këtij kreu, promovuesit e projekteve duhet të informojnë rregullisht Entin Rregullator të Energjisë, së paku një herë në vit si dhe deri në komisionimin e projektit, për progresin e projektit dhe për identifikimin e kostove dhe ndikimin e tyre;
b) Për projektet me interes të ndërsjellë për palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe/ose vendet anëtare të Bashkimit Evropian (PMI), për të cilat aplikohet pika 31, e këtij kreu, promovuesit e projekteve duhet të informojnë rregullisht Entin Rregullator të Energjisë, së paku një herë në vit si dhe deri në komisionimin e projektit, për progresin e projektit dhe për identifikimin e kostove dhe ndikimin e tyre.

36. Pasi një projekt i tillë arrin të plotësojë kriteret e përcaktuara me rregullat sipas kreut X, të këtij vendimi, promovuesit e projekteve, pas konsultimit me operatorin e sistemit të transmetimit të palës kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe/ose shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në fjalë, për të cilat projekti ofron ndikim të konsiderueshëm neto-pozitiv, duhet të dorëzojnë kërkesën për investime. Një kërkesë e tillë për investime duhet të përfshijë edhe një kërkesë për ndarjen ndërkufitare të kostos dhe duhet të dorëzohet tek Enti Rregullator i Energjisë, duke pasur, bashkëngjitur dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) Analizën e kostos dhe të përfitimit, specifike për projektin, në pajtim me metodologjinë e zhvilluar nga ERE, sipas dispozitave përkatëse të legjislacionit për sektorin e gazit, për sektorin e energjisë elektrike dhe legjislacionin përkatës të Bashkimit Evropian, si dhe duke marrë parasysh edhe dobitë përtej kufijve të palës kontraktuese dhe shtetit anëtar në fjalë;
b) Planin e biznesit, që trajton dhe vlerëson rentabilitetin financiar të projektit, duke përfshirë modelin financiar të zgjedhur dhe projektin me interes për Komunitetin e Energjisë apo projektin me interes të ndërsjellë për palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe/ose vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që i përket kategorisë së përcaktuar në pikën 2, të shtojcës I, duke vlerësuar, po ashtu, edhe rezultatet e testimit të tregut.

37. Nëse bien dakord promovuesit e projekteve për propozimin e arsyetuar për ndarje ndërkufitare të kostos, nëse projekti promovohet nga disa promovues të projekteve, ata duhet të dorëzojnë bashkërisht kërkesën e tyre për investim.

38. Enti Rregullator i Energjisë duhet të ruajë konfidencialitetin e informacioneve komerciale të ndjeshme.

39. Brenda 6 muajve, nga data në të cilën është pranuar kërkesa e fundit për investime nga entet rregullatore respektive, pas konsultimit me promovuesit e projektit në fjalë, rregullatorët marrin vendime të koordinuara për ndarjen e kostove të investimit që duhen përballuar nga secili operator sistemi për atë projekt, bashkë me përfshirjen e tyre brenda tarifave.
Enti Rregullator i Energjisë mund të vendosë të ndajë vetëm një pjesë të kostos ose mund të vendosë të ndajë kostot ndërmjet një pakete të disa projekteve PECI dhe PMI.

40. Kur kostot e tilla të investimit ndahen, Enti Rregullator i Energjisë duhet të ketë parasysh:

a) tarifën e kongjestionit apo tarifat e tjera;
b) të ardhurat që rrjedhin nga mekanizmi i kompensimit ndërmjet operatorëve të sistemeve, të bëra sipas dispozitave përkatëse të legjislacionit për sektorin e energjisë elektrike dhe për sektorin e gazit natyror.

41. Në rastet kur vendoset ndarja ndërkufitare e kostos, duhet të merren parasysh kostot dhe përfitimet e projekteve ekonomike, sociale e mjedisore te palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe shtetet përkatëse anëtare të Bashkimit Evropian si dhe nevojat e mundshme për mbështetje financiare.

42. Në vendosjen e ndarjes ndërkufitare të kostos, rregullatorët, në konsultim me operatorët e përfshirë, kërkojnë marrëveshje të ndërsjellë, që bazohet, por pa u kufizuar tek informatat e specifikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 36, këtij kreu.

43. Nëse një projekt PECI zbut aspektet negative të ndikimeve individuale, siç janë flukset në rajon, dhe ai projekt PECI apo PMI zbatohet në palën kontraktuese të Komunitetit të Energjisë ose në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian që është vendi i origjinës së pasojës indirekte negative, një zbutje e tillë nuk konsiderohet përfitim ndërkufitar, domethënë nuk përbën një bazë për ndarjen e kostos për operatorin për ato ndikime negative indirekte.

44. Në rast se rregullatorët nuk kanë arritur një marrëveshje për kërkesën për investime brenda 6 muajve, nga data në të cilën është pranuar kërkesa prej tyre, atëhere rregullatori, duke bashkërenduar edhe me rregullatorë të tjerë, duhet të informojë Bordin Rregullator të Komunitetit të Energjisë si dhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.

Në këtë rast ose në rastin e kërkesës së përbashkët nga rregullatorët përkatës, vendimi për kërkesën për investime, duke përfshirë ndarjen ndërkufitare të kostos, të përmendur në pikat 33 e 34, si dhe mënyrën në të cilën do të reflektohen kostot në tarifa, duhet marrë parasysh nga Bordi Rregullator i Komunitetit të Energjisë brenda 3 muajve, nga data e dërgimit.

Para marrjes së një vendimi të tillë, Bordi Rregullator i Komunitetit të Energjisë duhet të konsultojë Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, rregullatorët përkatës dhe promovuesit e projektit. Periudha tremujore, siç përmendet në paragrafin më sipër, mund të zgjatet për një periudhë shtesë prej dy muajsh, nëse kërkohen informata të tjera nga Bordi Rregullator i Komunitetit të Energjisë. Kjo periudhë shtesë fillon në ditën pas marrjes së informacioneve të plota.

45. Vendimi për ndarjen e kostove duhet të publikohet. Procedura vlen për projektet ndërkufitare, që kanë ndikim vetëm ndërmjet palëve kontraktuese të Komunitetit të Energjisë. Çështjet e ndërlidhura me ndarjen e kostove ndërmjet shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe palëve kontraktuese të Komunitetit të Energjisë konsiderohet të jenë zgjidhur vetëm me marrëveshje të ndërsjellë.

46. Kopjet e të gjitha vendimeve për ndarje të kostove, bashkë me të gjitha informacionet e duhura për to, i dërgohen Bordit Rregullator dhe Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Informacionet mund të dërgohen në mënyrë të përmbledhur. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë mbron konfidencialitetin e informacioneve komerciale të ndjeshme.

47. Vendimi i ndarjes së kostove nuk prek të drejtën e operatorëve për të aplikuar si dhe të drejtën e rregullatorëve përkatës për të miratuar tarifat për akses në rrjet, në pajtim me dispozitat e legjislacionit për energjinë si dhe përshtatjet që janë bërë për Komunitetin e Energjisë.

XII. Politikat nxitëse

48. Në rastet kur promovuesi i projektit bart rreziqe më të mëdha për zhvillimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e një projekti PECI apo PMI, që bën pjesë në kategoritë e përcaktuara në shtojcat I, pikat 1, paragrafët 1.1.e 1.3., dhe 2, në krahasim me rreziqet që normalisht ekzistojnë në projekte të krahasueshme infrastrukture, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) duhet të sigurojë që operatorët e sistemit dhe përdoruesit e tij të gëzojnë politika nxitëse përkatëse, në terma afatgjatë e afatshkurtër, për të rritur efikasitetin e sistemit dhe për të mundësuar integrimin e tregut në përputhje me dispozitat e legjislacionit të energjisë dhe legjislacionit përkatës të miratuar nga Komuniteti i Energjisë.

49. Pas datës 31 dhjetor 2018, ERE duhet të miratojë e të publikojë metodologjinë, kriteret që përdoren në vlerësimin e investimeve në projektet rajonale të infrastrukturës së energjisë elektrike dhe gazit, si dhe risqet e mëdha me të cilat ato përballen.

XIII. Kualifikimi i projekteve për ndihmë teknike dhe financiare nga BE-ja

50. Projektet me interes për Komunitetin e Energjisë (PECI) apo projektet me interes të ndërsjellë për palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe/ose vendet anëtare të Bashkimit Evropian (PMI), që bëjnë pjesë në kategoritë e përcaktuara në pikat 1 e 2, të shtojcës I, mund të kualifikohen për ndihmë teknike dhe financiare nga Bashkimi Evropian, në formë grantesh për studime, dhe nga instrumentet financiare: Instrumenti për Ndihmë Paraasociimit (IPA) dhe Instrument i Investimeve në Fqinjësi.

51. Projektet PECI apo PMI, që bëjnë pjesë në kategoritë e përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të shtojcës I, mund të kualifikohen për ndihmë financiare në formë grantesh nga Instrumenti për Ndihmë Paraasociimit (IPA) dhe Instrumenti i Investimeve në Fqinjësi, përveç projekteve që lidhen me depozitimin e energjisë elektrike me hidropompa.

Projektet e parashikuara në këtë pikë mund të kualifikohen nëse plotësojnë këto kritere:

a) Analiza kosto-përfitim, që është specifike për projektin, në përputhje me metodologjinë e zhvilluar e të publikuar nga rregullatori dhe legjislacionin përkatës për energjinë, sugjeron prova në lidhje me ekzistencën e ndikimeve të jashtme, të rëndësishme, pozitive, të tilla si siguria e furnizimit, solidariteti ose inovacioni;
b) Kur ofrojnë shërbime nëpërmjet kufijve, duke sjellë inovacion teknologjik, garantojnë sigurinë e operimit ndërkufitar të rrjetit, synojnë ndarjen ndërkufitare të kostos së projektit, ose projektet PECI e PMI, që bëjnë pjesë në kategoritë e parashikuara në nënpikën 1.2, të pikës 1, të shtojcës I, dhe të cilët nuk përfshihen në vendime për ndarjen e kostove ndërkufitare;
c) Projekti nuk është ekonomikisht rentabël, sipas planit të biznesit dhe vlerësimeve të tjera që janë bërë, kryesisht nga investitorët, kreditorët potencialë apo vetë Enti Rregullator i Energjisë, por ka ndikime të jashtme, të rëndësishme, pozitive, të tilla si siguria e furnizimit, solidariteti ose inovacioni.

52. Vendimi për politikat nxitëse dhe arsyetimet e tij, të parashikuara në kreun XII, duhen marrë parasysh kur vlerësohet rentabiliteti ekonomik i projektit.

53. Projektet me interes për Komunitetin e Energjisë dhe projektet me interes të ndërsjellë për palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe/ose vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që bëjnë pjesë në kategoritë e përcaktuara në pikat 1 she 2, të shtojcës I, mund të kualifikohen për ndihmë financiare nga BE-ja në formë të granteve për punë nëse plotësojnë kriteret e parashikuara në pikën 51, të këtij kreu.

XIV. Raportimi

54. Autoriteti kompetent duhet të përgatisë raportin e progresit të arritur në planifikimin dhe zhvillimin e projekteve me interes për Komunitetin e Energjisë, për projektet me interes të ndërsjellë për palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe/ose vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe, kur është e nevojshme, t’i dorëzojë këto raporte te Sekretariati i Komunitetit të Energjisë.

55. Çdo vit, autoritetet kompetente, të përmendura në kreun VIII duhet të raportojnë te grupi përkatës i Komunitetit të Energjisë për progresin dhe, atje ku është e përshtatshme, për vonesat në implementimin e projekteve PECI e PMI, që gjenden në territorin e tyre përkatës, në lidhje me proceset e dhënies së lejeve si dhe mbi arsyet për vonesat.

XV. Dispozita të fundit

56. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Enti Rregullator i Energjisë, që veprojnë në kuadër të tagrit të tyre të përcaktuar sipas ligjeve nr.102/2015, nr.43/2015, të ndryshuar, dhe nr.8450, datë 24.2.1999, të ndryshuar, sigurojnë monitorim dhe vlerësim të vazhdueshëm të praktikave për promovimin e investimeve të përbashkëta, rajonale, në infrastrukturën e sektorit të energjisë.

57. Praktikat për promovimin e investimeve të përbashkëta rajonale në infrastrukturën e sektorit të energjisë, siç janë përcaktuar në këtë vendim, janë të aplikueshme në projekte që lidhin Shqipërinë me vende palë kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe/ose me vende anëtare të Bashkimit Evropian, që do të jenë efektive në infrastrukturën e:

a) transmetimit të energjisë elektrike;
b) transmetimit, të depozitimit nëntokësor të gazit natyror si dhe të terminaleve të gazit natyror të lëngëzuar;
c) transportimit të naftës bruto.

58. Shtojcat I dhe II, që i bashkëlidhen këtij vendimi, janë pjesë përbërëse të tij.

59. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Enti Rregullator i Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

SENIDA MESI

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.