Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 14 Prill 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 14 Prill 2021:

 

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, NË BASHKINË KAMZË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 95 600 000 (nëntëdhjetë e pesë milionë e gjashtëqind mijë) lekë, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para, në Bashkinë Kamzë.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe i transferohet Bashkisë Kamzë në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH BUXHETORE, NDËRMJET PROGRAMEVE TË MIRATUARA NË BUXHETIN E VITIT 2021, PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në buxhetin e vitit 2021, të miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:

a) Në programin buxhetor “Shërbimet e kujdesit parësor”, në kategorinë shpenzime korrente, të pakësohet fondi prej 140 000 000 (njëqind e dyzet milionë) lekësh;
b) Në programin buxhetor “Shërbimet të shëndetit publik”, në kategorinë shpenzime korrente, të shtohet fondi prej 140 000 000 (njëqind e dyzet milionë) lekësh.

2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Instituti i Shëndetit Publik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË KRYEMINISTRISË, TË PRONËS ME EMËRTIMIN “GODINA E KRYEMINISTRISË”, NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 8160, DHE PËR SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.968, DATË 25.10.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Kryeministrisë të pronës me emërtimin “Godina e Kryeministrisë”, ndodhur në zonën kadastrale 8160, sipas formularit dhe planrilevimit bashkëlidhur këtij vendimi, për ushtrimin e aktivitetit administrativ.

2. Vendimi nr.968, datë 25.10.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Financave te Kryeministria, të pronës nr.1/16, në zonën kadastrale ZK 8160, me emërtimin “Godinë e Ministrisë së Financave”, me vendndodhje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nr.1, Tiranë, për sistemimin me mjedise pune të Kryeministrisë dhe për një ndryshim në vendimin nr.622, datë 15.9.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Financave””, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Kryeministria dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

CAKTIMIN E MINISTRISË SË BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL SI ORGAN QENDROR BLERËS PËR REALIZIMIN E PROCEDURËS SË PROKURIMIT ME OBJEKT “MBROJTJEN E GËSHTENJËS NGA PARAZITI GRERËZA GALEFORMUESE DRYOCOSMUS KURIPHILUS HYMENOPTERA CYNIPIDAE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Caktimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si organ qendror blerës për realizimin e procedurës së prokurimit publik me objekt “Mbrojtjen e gështenjës nga paraziti grerëza Galeformuese (Dryocosmus Kuriphilus Hymenoptera: Cynipidae)”.

2. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ngarkohet për lidhjen e kontratës, objekt prokurimi, dhe monitorimin e zbatimit të kontratës.

3. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, monitoron respektimin e kërkesave teknike trajtuese të vendosura në zbatim të këtij procesi.

4. Fondi për procedurën e prokurimit publik të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2021, për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, shpenzimet korrente në programin buxhetor “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”, produkti “Sipërfaqe e trajtuar dhe e mbrojtur nga parazitët në fushën e bujqësisë”.

5. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË SHIJAK TË OBJEKTIT ARSIMOR, SHKOLLA E MESME E BASHKUAR “KAJO KARAFILI”, BASHKIA SHIJAK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 21, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në pronësi të Bashkisë Shijak të objektit arsimor shkolla e mesme e bashkuar “Kajo Karafili”, Bashkia Shijak, sipas listës së inventarit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Shijak për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË GODINËS SË KOPSHTIT PUBLIK DHE GODINËS SË BASHKISË VORË, BASHKIA VORË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË VORË SI NJËSI ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 707 302 333 (shtatëqind e shtatë milionë e treqind e dy mijë e treqind e tridhjetë e tre) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të godinës së kopshtit publik dhe godinës së Bashkisë Vorë, Bashkia Vorë, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Rindërtimi i godinës së kopshtit publik, Bashkia Vorë, në masën 88 433 787 (tetëdhjetë e tetë milionë e katërqind e tridhjetë e tre mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e shtatë) lekë pa TVSH;
b) Rindërtimi i godinës së Bashkisë Vorë, në masën 618 868 546 (gjashtëqind e tetëmbëdhjetë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë lekë) lekë pa TVSH.

2. Bashkisë Vorë, për vitin 2021, i transferohet fondi në masën 141 460 466 (njëqind e dyzet e një milionë e katërqind e gjashtëdhjetë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Për rindërtimin e godinës së kopshtit publik, Bashkia Vorë, në vlerën 17 686 757 (shtatëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e shtatë) lekë pa TVSH;
b) Për rindërtimin e godinës së Bashkisë Vorë, Bashkia Vorë, në vlerën 123 773 709 (njëqind e njëzet e tre milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e shtatëqind e nëntë) lekë pa TVSH.

3. Caktimin e Bashkisë Vorë si njësi zbatuese për rindërtimin e godinës së kopshtit publik dhe të godinës së Bashkisë Vorë, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Vorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM NOTASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR SHTESËN E FINANCIMIT PËR PROJEKTIN E MODERNIZIMIT TË ASISTENCËS SOCIALE, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.53/2018

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e financimit për projektin e modernizimit të asistencës sociale, të ratifikuar me ligjin nr.53/2018, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.980, DATË 2.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIMIT, ZBATIMIT TË PUNIMEVE, MBIKËQYRJES DHE KOLAUDIMIT TË QENDRËS SË SHËRBIMEVE DHE ADMINISTRIMIT TË MJETEVE TË TRANSPORTIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.980, datë 2.12.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) Kudo në vendim, fjalët “… Agjencia e Blerjeve të Përqendruara …” zëvendësohen me “… Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit …”.
b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Fondi i përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi, i shtohet Ministrisë së Brendshme, në programin “Policia e Shtetit”.”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT DHE TË RIPARIMIT TË MJEDISEVE NË BASHKËPRONËSI OSE TË PËRBASHKËTA NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKINË KURBIN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 360 194 728.38 (treqind e gjashtëdhjetë milionë e njëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e njëzet e tetë pikë tridhjetë e tetë) lekë, për financimin e rikonstruksionit ose të riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në Bashkinë Kurbin.

2. Fondi financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe t’i trasferohet Bashkisë Kurbin, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E HARTIMIT TË PROJEKTIT TË NDËRHYRJEVE REHABILITUESE/PËRSHTATËSE TË NEVOJSHME PËR KTHIMIN E STRUKTURËS SË OBJEKTEVE QË JANË KLASIFIKUAR SI OBJEKTE ME DËMTIME TË MËDHA STRUKTURORE OSE DËMTIME SHUMË TË RËNDA JOSTRUKTURORE NË BASHKINË VORË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 31 687 604 (tridhjetë e një milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e katër) lekë, për financimin e hartimit të projektit të ndërhyrjeve rehabilituese/përshtatëse të nevojshme për kthimin e strukturës së njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të cilat janë klasifikuar me dëmtime të mëdha strukturore ose dëmtime shumë të rënda jostrukturore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2021, dhe i transferohet në formën e transfertës së pakushtëzuar Bashkisë Vorë.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Vorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E PËRGATITJES SË SHESHEVE TË NDËRTIMIT, NË BASHKINË KURBIN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 43 634 850 (dyzet e tre milionë e gjashtëqind e tridhjetë e katër mijë e tetëqind e pesëdhjetë) lekësh, për financimin e prishjes së njësive individuale të banimit, në Bashkinë Kurbin.

2. Fondi financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe t’i transferohet Bashkisë Kurbin në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.1128, DATË 30.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ZBATIMIN NGA REPUBLIKA E SHQIPËRISË TË VENDIMEVE TË KËSHILLIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, PËR VENDOSJEN, NDRYSHIMIN DHE SHFUQIZIMIN E MASAVE SHTRËNGUESE NDËRKOMBËTARE, TË NDRYSHUARA”

Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të neneve 3, pika 3, shkronja “c”, e 6, pikat 2 dhe 5, të ligjit nr.72/2019, “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në kreun I, të vendimit nr.1128, datë 30.12.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa:

1. Në fund të pikës 8 shtohet “… i ndryshuar me vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian (CFSP) 2021/30, bashkëlidhur”;

2. Në fund të pikës 10 shtohet “… i ndryshuar me vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian (CFSP) 2021/276, bashkëlidhur”;

3. Në fund të pikës 12 shtohet “… i ndryshuar me vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian (CFSP) 2021/353, bashkëlidhur”;

4. Pas pikës 12 të vendimit shtohen pikat 13, 14, 15, me këtë përmbajtje:

“13. Vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian (CFSP) 2020/1999, “Për vendosjen e masave kufizuese ndaj shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut dhe abuzimeve”, të ndryshuar, sipas aneksit 13.

14. Vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian (CFSP) 2010/788, “Për vendosjen e masave kufizuese kundër Republikës Demokratike të Kongos”, të ndryshuar, sipas aneksit 14.

15. Vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian (CFSP) 2015/1763, “Për vendosjen e masave kufizuese në kuadër të situatës në Burundi”, të ndryshuar, sipas aneksit 15”.

II. Ngarkohen institucionet e parashikuara në pikën 1, të nenit 11, të ligjit nr.72/2019, “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

FINANCIMIN E PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I STADIUMIT TË FUTBOLLIT “ZEQIR YMERI”, KUKËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, pika 2, dhe 31, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Financimin, në masën 293 000 000 (dyqind e nëntëdhjetë e tre milionë) lekë, nga fondet e buxhetit të shtetit, për përfundimin e projektit “Rikonstruksioni i stadiumit të futbollit “Zeqir Ymeri”, Kukës”.

2. Fondi i miratuar, në masën 293 000 000 (dyqind e nëntëdhjetë e tre milionë) lekë nga fondet e buxhetit të shtetit transferohet nga llogaria ekonomike 231, programi buxhetor 08140 “Sporti dhe rinia”.

3. Fondi transferohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë te bashkëfinancuesi i projektit, Federata Shqiptare e Futbollit, në llogari të saj, në një bankë të nivelit të dytë.

4. Fondi prej 293 000 000 (dyqind e nëntëdhjetë e tre milionë) lekësh, për financimin e përfundimit të projektit “Rikonstruksioni i stadiumit të futbollit “Zeqir Ymeri”, Kukës”, përballohet nga fondet e miratuara me ligjin nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

5. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë monitoron mbarëvajtjen e punimeve në këtë objekt, nëpërmjet një grupi pune me ekspertë, përfaqësues nga Bashkia Kukës, Federata Shqiptare e Futbollit dhe kompania projektuese.

6. Përbërja dhe detyrat e grupit të punës, si dhe procedura për transferimin kapital të objektit nga Federata Shqiptare e Futbollit te pronari i objektit, Bashkia Kukës, pas përfundimit të investimit, përcaktohen me urdhër të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

7. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Kukës dhe Federata Shqiptare e Futbollit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË 3 (TRI) OBJEKTEVE NË BASHKINË MIRDITË DHE CAKTIMIN E BASHKISË MIRDITË SI NJËSI ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për financimin e rikonstruksionit të 3 (tri) objekteve në Bashkinë Mirditë, në masën 108 617 578 (njëqind e tetë milionë e gjashtëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Rikonstruksionin e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Mirditë (ish-kinemaja), në masën 25 244 079 (njëzet e pesë milionë e dyqind e dyzet e katër mijë e shtatëdhjetë e nëntë) lekë pa TVSH;
b) Rikonstruksionin e ish-godinës së Bashkisë Mirditë, në masën 58 438 651 (pesëdhjetë e tetë milionë e katërqind e tridhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e një) lekë pa TVSH;
c) Rikonstruksionin e godinës së Muzeut Historik, Mirditë, në masën 24 934 848 (njëzet e katër milionë e nëntëqind e tridhjetë e katër mijë e tetëqind e dyzet e tetë) lekë pa TVSH.

2. Bashkisë Mirditë, për vitin 2021, i transferohet fondi në masën 21 723 515 (njëzet e një milionë e shtatëqind e njëzet e tre mijë e pesëqind e pesëmbëdhjetë) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të 3 (tri) objekteve, në Bashkinë Mirditë, në formën e transfertës së pakushtëzuar, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Rikonstruksionin e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Mirditë (ish-kinemaja), në masën 5 048 815 (pesë milionë e dyzet e tetë mijë e tetëqind e pesëmbëdhjetë) lekë pa TVSH;
b) Rikonstruksionin e ish-godinës së Bashkisë Mirditë, në masën 11 687 730 (njëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e tridhjetë) lekë pa TVSH;
c) Rikonstruksionin e godinës së Muzeut Historik, Mirditë, në masën 4 986 969 (katër milionë e nëntëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë pa TVSH.

3. Caktimin e Bashkisë Mirditë si njësi zbatuese për financimin e rikonstruksionit të 3 (tri) objekteve, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Mirditë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRBËRJEN, FUNKSIONIMIN, ORGANIZIMIN DHE DETYRAT E KOMISIONIT PËR MIRATIMIN DHE AUDITIMIN E TRUPAVE CERTIFIKUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.8/2019, “Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. QËLLIMI DHE PËRKUFIZIMET

1. Qëllimi i këtij vendimi është të përcaktojë përbërjen, sipas përgjegjësive, rregullat dhe procedurat për emërimin e shkarkimin e kryetarit dhe të anëtarëve të komisionit, mënyrën e funksionimit, organizimin dhe detyrat e Komisionit për Miratimin dhe Auditimin e Trupave Certifikuese (KMATC).

2. Përveç termave të parashikuar në ligjin nr.8/2019, “Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”, përkufizimet në vijim kanë këto kuptime:

a) “Ligj”, i referohet ligjit nr.8/2019, “Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”;
b) “Komision”, Komisioni për Miratimin dhe Auditimin e Trupave Certifikuese (KMATC);
c) “Struktura përgjegjëse”, struktura përgjegjëse për skemat e cilësisë në ministri.

II. ORGANIZIMI, PËRBËRJA DHE DETYRAT E KOMISIONIT PËR MIRATIMIN DHE AUDITIMIN E TRUPAVE CERTIFIKUESE (KMATC)

1. Komisioni për Miratimin dhe Auditimin e Trupave Certifikuese (në vijim, komisioni) ka për detyrë të miratojë dhe të auditojë aktivitetin e trupave certifikuese të akredituara, në përputhje me ISO 17065:2012, sipas legjislacionit përkatës në fushën e akreditimit.

2. Në ministri ngrihet dhe funksionon komisioni, i cili përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, si më poshtë vijon:

a) Zëvendësministri i ministrisë, përgjegjës për skemat e cilësisë;
b) Drejtori i drejtorisë përgjegjëse për skemat e cilësisë, në ministri;
c) Një përfaqësues nga institucioni për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, me eksperiencë mbi 5-vjeçare, pjesë e strukturës së kontrollit të skemave të cilësisë, sipas ndarjes së funksioneve, bazuar në analizën e riskut;
ç) Një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, me eksperiencë në fushën e produkteve bujqësore dhe ushqimore;
d) Një përfaqësues nga Universiteti Bujqësor, nga Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit.

III. EMËRIMI DHE SHKARKIMI I KRYETARIT DHE I ANËTARËVE TË KOMISIONIT

1. Anëtarët e komisionit propozohen nga institucionet përkatëse dhe emërohen e shkarkohen me urdhër të ministrit.

2. Emërimi i anëtarëve të komisionit bëhet për një periudhë 3-vjeçare, me të drejtë riemërimi.

3. Ministri cakton, me urdhër, kryetar të komisionit zëvendësministrin përgjegjës për skemat e cilësisë.
4. Shkarkimi i kryetarit dhe i anëtarit të komisionit përpara mbarimit të mandatit bëhet me urdhër të ministrit për një nga arsyet e mëposhtme:

a) Nëse nuk paraqitet në 3 (tri) mbledhje të njëpasnjëshme të komisionit dhe nuk paraqet justifikime të provuara për këto mungesa;
b) Me kërkesën e tij për dorëheqje;
c) Kur i është ndaluar ushtrimi i profesionit me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ç) Kur shkel më shumë se 1 (një) herë në mënyrë të pajustifikuar detyrimet që rrjedhin nga ky vendim;
d) Nga një vendim i komisionit për thyerje të rregullave të etikës, përcaktuar në ligjin nr.9131, datë 8.9.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”. Çdo anëtar i komisionit është i detyruar të zbatojë rregullat e etikës në administratën publike;
dh) Ka pamundësi shëndetësore dhe fizike që e bëjnë të paaftë të ushtrojë detyrën, të provuar nëpërmjet raportit mjekësor;
e) Konstatohet se ka ushtruar vendimmarrje në kushtet e konfliktit të interesit ose të pengesës ligjore;
ë) Dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
f) Pezullohet nga detyra.

5. Kryetari apo anëtari i komisionit që jep dorëheqjen është i detyruar të paraqesë kërkesën me shkrim për dorëheqje dhe arsyet e dorëheqjes pranë ministrit, të paktën 30 (tridhjetë) ditë përpara datës së shkarkimit nga detyra, përveç rastit kur provon ose vërtetohet se kjo nuk ka qenë e mundur për arsyet, si më poshtë vijon:

a) Të paaftësisë fizike, vërtetuar me raport mjeko-ligjor;
b) Nëse ndodhet jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë;
c) Nëse ka anëtarë të familjes të sëmurë, vërtetuar kjo me raport mjeko-ligjor;
ç) Nëse ka rast të vdekjes së një familjari.

6. Struktura përgjegjëse merr masa për zëvendësimin sa më shpejt të kryetarit apo të anëtarit të shkarkuar apo të dorëhequr nga detyra, brenda 20 (njëzet) ditëve punë, duke bërë njoftimin në institucionet përkatëse, sipas parashikimeve të këtij vendimi. Struktura përgjegjëse përgatit urdhrin e emërimit për kandidatët për anëtarë të komisionit dhe ia dërgon për miratim ministrit. Mandati i kryetarit apo i anëtarit të ri është trevjeçar, me të drejtë riemërimi.

IV. DETYRAT E KOMISIONIT PËR MIRATIMIN DHE AUDITIMIN E TRUPAVE CERTIFIKUESE (KMATC)

1. Komisioni kryen këto detyra:

a) Vlerëson kërkesën e trupave certifikuese për miratim, për kryerjen e verifikimit të përpunueshmërisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore, të regjistruara me STG EOM dhe TGJM me specifikimet përkatëse, para vendosjes së produkteve në treg;
b) Miraton trupat certifikuese, nëse plotësohen kushtet e akreditimit, referuar pikës 2, të nenit 23, të ligjit;
c) Pajis trupën certifikuese të miratuar me një numër identifikimi;
ç) Miraton planin e kontrollit të trupave certifikuese për kryerjen e verifikimit të përpunueshmërisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore, të regjistruara me STG EOM dhe TGJM me specifikimet përkatëse;
d) Shqyrton, vlerëson dhe miraton ose dërgon për plotësim raportin vjetor të kontrollit;
dh) Kryen auditimin e trupave certifikuese, duke shmangur mbivendosjen me auditin e kryer nga organizmi akreditues;
e) Auditon trupat certifikuese, bazuar në raportimin vjetor të bërë prej tyre, në plotësim të planit të aktiviteteve për çështjet, sipas pikës 1, të nenit 28, të ligjit;
ë) Njofton trupat certifikuese për konkluzionet dhe veprimet e duhura korrigjuese që duhet të ndërmarrë, nëse është e nevojshme;
f) Harton raportin përmbledhës për kontrollet për certifikimin e produkteve bujqësore ose ushqimore, të kryera nga trupat certifikuese;
g) Kërkon respektimin e formës dhe të përmbajtjes së certifikatës së cilësisë nga trupa certifikuese, referuar pikës 5, të nenit 26, të ligjit;
gj) Çdo detyrë tjetër, në zbatim të ligjit;
Miratimi i trupave certifikuese bëhet me urdhër të ministrit.

2. Kryetari i komisionit (në vijim, kryetari) kryen këto detyra:

a) Organizon dhe drejton punën e komisionit;
b) Thërret mbledhjet e komisionit;
c) Kryeson mbledhjet e komisionit;
ç) Përcakton agjendën paraprake të mbledhjeve të komisionit;
d) Deklaron për kushtet e konfliktit të interesit ose pengesa ligjore për një çështje të caktuar, para fillimit të mbledhjes, si dhe nënshkruan deklaratën që nuk është në kushtet e konfliktit të interesit për çdo kërkesë në shqyrtim të çdo Trupe Certifikimi të Akredituar;
dh) Ruan konfidencialitetin e informacionit të marrë gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre lidhur me diskutimet, dokumentet dhe çdo informacion që u vihet në dispozicion, sipas legjislacionit në fuqi për ruajtjen e të dhënave personale dhe interesin tregtar;
e) Përfaqëson komisionin;
ë) Mbikëqyr veprimtarinë e sekretariatit të komisionit;
f) Raporton për ecurinë e veprimtarisë pranë ministrit.

3. Anëtarët e komisionit kryejnë këto detyra:

a) Kryejnë detyrat sipas përcaktimeve të ligjit dhe të këtij vendimi;
b) Marrin pjesë në mbledhjet e komisionit dhe, në rast mungese, njoftojnë kryetarin për arsyen e mungesës;
c) Deklarojnë për kushtet e konfliktit të interesit ose pengesa ligjore për një çështje të caktuar, para fillimit të mbledhjes, si dhe nënshkruajnë deklaratën që nuk janë në kushtet e konfliktit të interesit për çdo kërkesë në shqyrtim të çdo Trupe Certifikimi të Akredituar;
ç) Kryejnë përgatitjen paraprake thelbësore për mbledhjet e komisionit, sipas agjendës së paraqitur në njoftimin e mbledhjes;
d) Kryejnë detyra specifike të përcaktuara nga vendimet e komisionit;
dh) Marrin vendime;
e) Ruajnë konfidencialitetin e informacionit të marrë gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre lidhur me diskutimet, dokumentet dhe çdo informacion që u vihet në dispozicion, sipas legjislacionit në fuqi për ruajtjen e të dhënave personale dhe interesin tregtar.

Përcaktimet sipas shkronjave “c” dhe “e”, të kësaj pike, do të jenë të aplikueshme edhe në rastet kur nga kryetari apo anëtarët e komisionit janë ftuar ekspertë për konsultime që kanë të bëjnë me çështjen, duke nënshkruar një deklaratë për ruajtjen e konfidencialitetit dhe konfliktin e interesit.

4. Procedurat/mënyrat e zhvillimit të mbledhjeve dhe vendimmarrja e KMATC-së, si dhe detyrat e kryetarit dhe të anëtarëve të komisionit rregullohen nga parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative dhe përcaktimet e ligjit nr.8480, datë 27.5.1999, “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”.

5. Komisioni do të mbështetet nga struktura përgjegjëse në ministri, për skemat e cilësisë, si dhe sekretari teknik, pjesë e strukturës përgjegjëse.

V. SHPËRBLIMI I KRYETARIT DHE I ANËTARËVE TË KOMISIONIT

Kryetari dhe anëtarët e komisionit shpërblehen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

VI. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Komisioni ngrihet brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

2. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.