Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Janar 2020:  

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR ZGJERIMIN E VARREZAVE NË FSHATIN ROSHNIK”, BERAT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndyshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Për zgjerimin e varrezave në fshatin Roshnik”, Berat.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Berat.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, për pasuritë e llojit “tokë arë” dhe kultura bujqësore “drufrutorë”, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me një vlerë të përgjithshme prej 1 343 213 (një milion e treqind e dyzet e tre mijë e dyqind e trembëdhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë e llojit “tokë arë” dhe kultura bujqësore “drufrutorë”, prej 1 343 213 (një milion e treqind e dyzet e tre mijë e dyqind e trembëdhjetë) lekësh, të përballohet nga fondet e Bashkisë Berat.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të tij të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët, e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Bashkisë Berat.

8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Berat, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Berat dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I 

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes, shtohen pronat me nr. rendorë nga 1 376 (një mijë e treqind e shtatëdhjetë e gjashtë) deri në 1 432 (një mijë e katërqind e tridhjetë e dy), sipas formularëve dhe planrilevimeve bashkëlidhur.
Lista përbëhet nga 59 (pesëdhjetë e nëntë) fletë inventari dhe 58 (pesëdhjetë e tetë) fletë plane rilevimi që janë pjesë përbërëse e këtij vendimi;
b) Në listën e inventarit bashkëlidhur vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, përmasat e pronave zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularët dhe planrilevimet bashkëlidhur këtij vendimi.
Lista përbëhet nga 87 (tetëdhjetë e shtatë) fletë inventari dhe 89 (tetëdhjetë e nëntë) fletë plane rilevimi që janë pjesë përbërëse e këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PLANIN VJETOR TË PRANIMIT PËR VITIN 2020 NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESË TË SHËRBIMIT CIVIL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim, gjatë vitit 2020, është gjithsej, 880, të ndara sipas kategorive të mëposhtme:

a) Për Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues 3;
b) Për kategorinë e mesme drejtuese 59;
c) Për kategorinë e ulët drejtuese 150;
ç) Për kategorinë ekzekutive 668.

2. Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm, në kategorinë ekzekutive, janë, si më poshtë vijon:

– Shkenca juridike;
– Audit i brendshëm;
– Shkenca ekonomike;
– Shkenca ekonomike/juridike;
– Shkenca shoqërore;
– Shkenca sociale;
– Histori-filologji;
– Shkenca mjekësore;
– Veterinari;
– Agronomi;
– Shkenca biologjike dhe të ngjashme me to;
– Kimi;
– Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme;
– Shkenca inxhinierike;
– Arkitekturë;
– Arkeologji dhe restaurime;
– Artet e bukura;
– Gjeodezi;
– Shkenca ekzakte;
– Shkenca edukimi;
– Mësuesi;
– Arsim i lartë ushtarak/policor;
– Arsim i lartë.

3. Institucionet e administratës shtetërore, ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2020, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

4. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E KONEKTIVITETIT TË RRUGËVE RAJONALE DHE LOKALE NË SHQIPËRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 26 e 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri, nëpërmjet një huaje prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) USD-sh, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PROCEDURËS SË DETAJUAR, TË KRITEREVE DHE TË KUSHTEVE QË MAGJISTRATI DUHET TË PËRMBUSHË PËR PËRFITIMIN E KREDISË PËR QËLLIME BANIMI, INTERESAT E SË CILËS FINANCOHEN NGA SHTETI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 17, të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ky vendim ka si qëllim të vendosë rregullat e përgjithshme që zbatohen për përfitimin nga magjistrati të kredisë për qëllime banimi, interesat e së cilës financohen nga shteti.

2. Në kuptim të këtij vendimi, me magjistrat, i cili trajtohet me kredi, nënkuptohet magjistrati sipas parashikimeve të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

3. Me trajtim me kredi për shtëpinë, të financuar nga shteti, nënkuptohet interesi i paguar nga shteti për shumën e kredisë, sipas marrëveshjes së lidhur me bankat e nivelit të dytë.

4. Magjistrati ka të drejtë që të përfitojë vetëm një herë kredi hipotekore, interesat e së cilës financohen nga shteti, kur ka ushtruar detyrën për një periudhë jo më pak se tre vjet pa ndërprerje dhe ka nevojë për banim, në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti prej 50 m2, në zonën e qendrës së qytetit ku ai ushtron detyrën. Për çdo anëtar të familjes, i cili jeton në të njëjtën banesë me magjistratin, masa referuese e sipërfaqes së banesës në fjalë shtohet me 10 m2 për person.

Me sipërfaqe apartamenti kuptohet sipërfaqja e shfrytëzimit të banesës, sipas përkufizimit të dhënë në normat e projektimit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për normativat e projektimit të banesave.

Me vlerë mesatare të apartamentit kuptohet çmimi në lekë për metër katror (m2) i banesave në treg, që miratohet me udhëzim të Këshillit të Ministrave.

5. Me nevojë për banesë, sipas këtij vendimi, do të kuptohen rastet kur magjistrati nuk disponon shtëpi banimi për strehim ose kur disponon banesë në pronësi me sipërfaqe sa ose më të vogël se ato të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për normativat e projektimit të banesave.

6. Magjistratit i lind e drejta të përfitojë kredi për banim, sipas rregullave të këtij vendimi, në rastet kur plotëson kushtet e mëposhtme:

a) Të ketë ushtruar jo më pak se tre vjet detyrën e tij;
b) Të mos ketë përfituar më parë kredi për shtëpi të financuar nga shteti, gjatë ushtrimit të funksionit të tij;
c) Të mos jetë përfituar kredia për shtëpi e subvencionuar nga shteti nga një person tjetër brenda familjes së magjistratit, i cili ka të drejtën e përfitimit të kësaj kredie;
ç) Magjistrati ose bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmija i tij nën moshën 18 vjeç nuk ka në pronësi të tij pasuri të paluajtshme pa kolateral, për qëllime banimi ose pasuri të paluajtshme, që përdoret për veprimtari tregtare, shërbimi e prodhimi;
d) Magjistrati ose bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmija i tij nën moshën 18 vjeç nuk kanë pasuri të mjaftueshme për të blerë një banesë në shumën e vlerës përkatëse të kredisë të financuar nga shteti, që duhet të përfitojë magjistrati, në zonën e qendrës së qytetit ku magjistrati ushtron detyrën, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Me pasuri të mjaftueshme kuptohet çdo pasuri e luajtshme ose e paluajtshme, përfshirë mjetet motorike për qarkullim në tokë/det/ajër, likuiditete (mjetet monetare në gjendje cash, llogari rrjedhëse, depozita, me dhe pa afat, bono thesari, obligacione dhe çdo lloj titulli tjetër pronësie të barasvlefshëm me to) tituj pronësie përfshirë edhe të drejta reale pasurore, me vlerë të barabartë ose më të madhe se vlera e shumës maksimale për kreditim.

7. Magjistrati, i cili nuk disponon banesë në pronësi, përfiton kredi në shumën e llogaritur, bazuar në sipërfaqen e apartamentit që përfiton sipas pikës 4, të këtij vendimi dhe vlerën mesatare të tregut të banesave në zonën ku ushtron detyrën. Çdo sipërfaqe e tepërt mbi atë të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi, shlyhet ndaj bankës me interesat e tregut.

8. Magjistrati, i cili gëzon të drejtën që të përfitojë kredi hipotekore, sipas këtij vendimi, duhet të paraqesë kërkesën, me shkrim, pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të shoqëruar me:

a) certifikatën e lindjes dhe certifikatën familjare, në çastin e dorëzimit të kërkesës;
b) deklaratën për rrethanat, që mbështesin nevojën për strehim, sipas këtij vendimi. Për çdo deklarim, për të përfituar nga kredia lehtësuese, subjekti konfirmon vërtetësinë e tyre dhe pranon kushtin për konvertimin e drejtpërdrejtë të kredisë lehtësuese në kredi tregtare, kur vërtetohen pavërtetësi në deklarim dhe/ose rrethana të rreme. Kopje e kësaj deklarate i vihet në dispozicion edhe institucionit bankar;
c) vërtetimin nga gjykata ose prokuroria ku magjistrati ushtron detyrën;
ç) vërtetimin nga punëdhënësi mbi të ardhurat neto të çdo anëtari të familjes mbi moshën 18 vjeç;
d) vërtetimin nga Agjencia Kombëtare e Kadastrës se, në emër të tij dhe të çdo anëtari të familjes, nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis që mund të përdoret si e tillë;
dh) kopje të deklaratës së interesave private.

9. Kur gjatë apo pas zbatimit të kredisë rezultojnë se në kërkesë janë bërë deklarime të rreme apo magjistrati nuk gëzon më statusin si magjistrat, si pasojë e shkarkimit nga detyra, kredia konvertohet drejtpërdrejt në kredi tregtare, kusht i përcaktuar edhe në kontratën e kredisë. Në këtë rast, magjistrati është i detyruar të kthejë interesin e paguar nga shteti për kredinë sipas marrëveshjes, të përcaktuar në pikën 12, të këtij vendimi.

10. Në rastet e mosekzekutimit në mënyrë vullnetare të rimbursimit të shumës së përfituar në kundërshtim me pikën 9, të këtij vendimi, këshilli përkatës kërkon përmbushjen e detyrimit dhe kthimin e shumës në përputhje me legjislacionin në fuqi.

11. Detyrimi i parashikuar në pikën 9, të këtij vendimi, nuk është i kufizuar vetëm gjatë kohëzgjatjes së kredisë, por edhe pasi magjistrati të ketë shlyer plotësisht principalin dhe marrëdhënia e huamarrjes me bankën të ketë përfunduar.

12. Trajtimi me kredi bëhet sipas marrëveshjes kuadër, të nënshkruar ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe bankave të nivelit të dytë. Këshilli i Ministrave përfaqësohet nga ministri përgjegjës për strehimin, i cili vepron në emër dhe për llogari të Këshillit të Ministrave.

13. Përzgjedhja e bankës bëhet nëpërmjet një oferte publike dhe transparente, e cila u vihet në dispozicion të gjitha bankave që kryejnë shërbime në territorin e Republikës së Shqipërisë, së bashku me kriteret e përzgjedhjes së ofertës fituese.

14. Përzgjedhja e ofertës fituese bëhet nga një komision vlerësimi që ngrihet me urdhër të ministrit përgjegjës për strehimin, me përfaqësues të ministrit përgjegjës për drejtësinë, përfaqësues të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Bankës së Shqipërisë.

15. Kredia për shtëpi do të financohet nga bankat e nivelit të dytë, sipas një marrëdhënie tripalëshe, ku magjistrati do të ketë detyrimin për të paguar principalin me interes të barabartë me 0% në vit dhe shteti do të ketë detyrimin për të paguar interesat.

16. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë përgjegjës për mbajtjen e bazës së të dhënave, për planifikimin e fondeve të nevojshme dhe pagesën e subvencionit te banka e përzgjedhur, në çdo vit buxhetor.

17. Fondi i përcaktuar për këtë qëllim të planifikohet në buxhetin përkatës vjetor të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

18. Trajtimi me kredi, sipas këtij vendimi, mund të bëhet edhe nëpërmjet bankave që kanë lidhur marrëveshje për zbatimin e programit te strehimit, sipas nenit 47, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”. Në këtë rast, menaxhimi i procesit pas miratimit të listës së përfituesve bëhet nga Enti Kombëtar i Banesave.

19. Këshillat përkatës, së bashku me listën e përfituesve, i dërgojnë Entit Kombëtar të Banesave edhe dokumentacionin miratues për çdo përfitues.

20. Fondet e subvencionimit të interesave të kredive planifikohen në buxhetin e këshillit respektiv dhe i çelen Entit Kombëtar të Banesave në llogari të tij.

21. Enti Kombëtar i Banesave i raporton këshillit çdo tremujor mbi lidhjen e kontratave dhe disbursimin e fondeve.

22. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, ministria përgjegjëse për strehimin, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Enti Kombëtar i Banesave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PROCEDURAT, KRITERET DHE RREGULLAT PËR ZBATIMIN E PROGRAMEVE TË NXITJES SË PUNËSIMIT NËPËRMJET PUNËSIMIT, FORMIMIT NË PUNË DHE PRAKTIKAVE PROFESIONALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 11, të ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim përcakton procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programeve të mëposhtme të nxitjes së punësimit:

a) programit të punësimit;
b) formimit nëpërmjet punës;
c) praktikave profesionale.

2. Programet, sipas pikës 1, të këtij vendimi, zbatohen në përputhje me nevojat individuale të punëkërkuesit për t’u integruar në tregun e punës dhe në planin individual të integruar për punësimin e tij.

3. Ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit përcakton çdo vit prioritetet dhe miraton planin e zbatimit të fondeve të nxitjes së punësimit, sipas pikës 1, të këtij vendimi, pas propozimit nga drejtoria e përgjithshme e institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

II. KRITERET E APLIKIMIT

1. Punëkërkuesit me të drejtë përfitimi janë të gjithë punëkërkuesit e papunë të regjistruar dhe aktivë, për jo më pak se 3 (tre) muaj në zyrën e punës, pasi të kenë marrë shërbimet e nevojshme të punësimit të përcaktuara në legjislacionin në fuqi nga specialisti përkatës i punësimit. Nevojat dhe profili i punëkërkuesit duhet të përshtaten me kërkesat për aftësi të vendit të lirë të punës të ofruar nga punëdhënësi.

2. Punëkërkuesi, pjesëmarrës në programet sipas pikës 1, të këtij vendimi, nuk mund të zëvendësohet.

3. Një punëkërkues mund të marrë pjesë vetëm një herë në të njëjtin program brenda një periudhe pesëvjeçare.

4. Punëdhënësit me të drejtë aplikimi duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a) Të jenë shoqëri tregtare të regjistruara, për jo më pak se 6 (gjashtë) muaj;
b) Të mos jenë në proces falimentimi;
c) Të jenë subjekt i pagimit të taksave dhe të jenë të regjistruar si punëdhënës pranë autoriteteve tatimore;
ç) Të mos kenë shkelur legjislacionin për punësimin në dy vitet e fundit para aplikimit në program;
d) Të kenë paguar rregullisht të gjitha sigurimet e detyrueshme shëndetësore dhe shoqërore;
dh) Të ofrojnë punë me kohë të plotë, për një minimum prej 40 (dyzet) orësh në javë, me një pagesë mujore jo më pak se paga minimale, në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës. Punësimi me kohë të pjesshme ose punët sezonale afatshkurtra nuk përfitojnë subvencionim;
e) Të jenë shoqëri tregtare, të cilat nuk kanë detyrime ndaj organeve tatimore ose, në momentin e aplikimit në program, të vërtetojnë se:

i. kanë lidhur marrëveshjet përkatëse për shlyerjen e këtyre detyrimeve dhe janë të rregullta në shlyerjen e tyre;
ii. kanë shlyer detyrimet, por kanë ende pa paguar gjobat;
iii. kanë shlyer detyrimet ose kanë vendosur garanci bankare për shumën e plotë të detyrimit, në përputhje me nenin 107, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe janë në proces të apelimit administrativ e në procese gjyqësore me organet tatimore.

ë) Vendi i punës i financuar nga ky program duhet të vijë si rezultat i rritjes së fuqisë punëtore në aktivitetin e punëdhënësit;
f) Nuk duhet të ketë pakësuar numrin e të punësuarve, duke reduktuar fuqinë punëtore brenda 4 (katër) muajve të kaluar.

5. Punëdhënësit kanë të drejtë të aplikojnë në më shumë se një program për një numër punëkërkuesish jo më të madh se 20 (njëzet) % të fuqisë punëtore aktuale, por jo më shumë se 21 (njëzet e një) pjesëmarrës. Punëdhënësit me më pak se 5 (pesë) punonjës mund të aplikojnë për maksimumi dy pjesëmarrës.

III. PROGRAMET, PËRFITUESIT DHE MBËSHTETJA

1. Programi i punësimit përmban elementet e mëposhtme:

a) Programi i punësimit është një program njëvjeçar punësimi, në të cilin profili dhe nevojat e punëkërkuesit përshtaten me vendin e lirë nga punëdhënësi;
b) Paga përcaktohet në kontratën e punës, në përputhje me pozicionin përkatës dhe nivelin e pagave në treg;
c) Punëkërkuesit e papunë me të drejtë përfitimi nga programet, sipas pikës 1, të këtij vendimi, janë nga kategoritë e mëposhtme:

i. Të rinjtë me moshë nën 29 (njëzet e nëntë) vjeç;
ii. Punëkërkuesit e papunë afatgjatë;
iii. Punëkërkuesit me moshë mbi 45 (dyzet e pesë) vjeç;
iv. Punëkërkuesit e papunë të pakualifikuar;
v. Punëkërkues të papunë, të kthyer prej jo më shumë se 2 (dy) vjetësh nga emigracioni;
vi. Punëkërkuesit që përfitojnë ndihmë ekonomike, duke trajtuar me prioritet përfituesit e ndihmës ekonomike, që parashikohet të dalin nga skema e ndihmës ekonomike në vitin përkatës dhe atë pasardhës;
vii. Punëkërkuesit që marrin pagesa papunësie për më shumë se 3 (tre) muaj;
viii. Personat me aftësi të kufizuara;
ix. Viktimat e trafikimit, të dhunës me bazë gjinore dhe viktimat e dhunës në familje;
x. Punëkërkuesit nga komuniteti rom dhe egjiptian;
xi. Personat që kanë përfunduar kursin e formimit profesional ose programin e formimit nëpërmjet punës dhe janë ende të papunë 6 (gjashtë) muaj pas përfundimit.

ç) Programi subvencionon kostot e mëposhtme:

i. Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.
ii. Financimin e pagës në shumën 100 (njëqind) % të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi:

⦁ për 4 (katër) muaj, për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e pestë dhe të gjashtë të kontratës, dhe në muajt e njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë të kontratës;
⦁ për 6 (gjashtë) muaj, për pjesëmarrësit, të cilët janë viktima të trafikimit, të dhunës në familje apo viktima të dhunës me baza gjinore, romë dhe egjiptianë, të kompensuara në muajin e katërt, të pestë, të gjashtë, të shtatë, të njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë të kontratës;
⦁ për 12 (dymbëdhjetë) muaj për pjesëmarrësit, persona me aftësi të kufizuar, të kompensuara çdo muaj.

2. Programi i formimit nëpërmjet punës përmban elementet e mëposhtme:

a) Programi i formimit nëpërmjet punës ka si qëllim trajnimin në punë të punëkërkuesve, sipas nevojave të profilit të punës të kërkuar nga punëkërkuesit dhe përshtatur me nevojat e punëdhënësit;
b) Kohëzgjatja e subvencionimit të ofruar nga ky program do të jetë për një periudhë katërmujore për të gjitha profesionet;
c) Plani individual i trajnimit hartohet nga punëdhënësi e miratohet nga strukturat përkatëse të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë;
ç) Çdo punëdhënës cakton të paktën një trajner për çdo grup përfituesish, nga një deri në shtatë persona përfitues, të përfshirë në program;
d) Përfitues i këtij programi është punëkërkuesi i papunë dhe i pakualifikuar në profesionin e interesuar;
dh) Programi subvencionon kostot e mëposhtme:

i. Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesën e kontributeve të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë gjithë kohëzgjatjes së formimit, të kompensuara çdo muaj;
ii. Financimin e pagës në shumën 100 (njëqind) % të pagës minimale në shkallë vendi të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, të kompensuara çdo muaj;
iii. Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesën e kontributeve të punëdhënësit) për tetë muajt e ardhshëm, të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, në rastet kur, pas përfundimit të formimit nëpërmjet punës, punëdhënësi lidh kontratë punësimi të paktën tetëmujore me punëmarrësin pas përfundimit të programit;
iv. Pagesën për mentorin në vlerën 2 000 (dy mijë) lekë për çdo përfitues, pjesëmarrës të angazhuar nga ky punëdhënës.

3. Programi i praktikave profesionale përmban elementet e mëposhtme:

a) Programi i praktikave profesionale ka si qëllim të garantojë tranzicion të shpejtë në tregun e punës, në të njëjtën fushë ose në një fushë të ngjashme me atë, në të cilën ka studiuar i diplomuari, për një kohëzgjatje 6-mujore;
b) Përfitues të këtij programi janë të gjithë punëkërkuesit e papunë, të cilët janë të sapodiplomuar, deri në 24 (njëzet e katër) muajt e fundit pas diplomimit, të cilët janë regjistruar si punëkërkues të papunë;
c) Programi subvencionon kostot e mëposhtme:

i. Kontributet për sigurimin nga aksidentet në punë;
ii. Financim i pagës në shumën 50 (pesëdhjetë) % të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, të kompensuara çdo muaj.

4. Përveç subvencionimit të kostove të mbuluara nga këto programe, të përcaktuara në pikat 1, 2 e 3, të këtij vendimi, për përfituesit jetimë, prindër të vetëm me fëmijë nën 6 (gjashtë) vjeç, prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara, viktimat e viktimat e mundshme të trafikimit, viktimat e dhunës në familje ose të dhunës me bazë gjinore, përfitues të ndihmës ekonomike mbulohen edhe shpenzime të tjera, si më poshtë vijon:

a) Bonuse për shpenzimet e transportit mbulohen për të gjitha kategoritë e mësipërme, të cilat kanë vendbanimin mbi 2 (dy) km nga vendi i punës, në vlerën prej 1 600 (një mijë e gjashtëqind) lekësh në muaj;
b) Për prindërit e vetëm me një fëmijë nën 6 (gjashtë) vjeç jepet një bonus në vlerën prej 3 000 (tre mijë) lekësh në muaj për ndjekjen e kopshteve dhe të çerdheve për fëmijët në ngarkim;
c) Deri në shumën 200 000 (dyqind mijë) lekë për përshtatjen e arsyeshme të vendit të punës për personat me aftësi të kufizuar për punëdhënësit.

IV. RREGULLAT DHE PROCEDURAT E ZBATIMIT

Procedura e përgjithshme e zbatimit të këtyre programeve përfshin hapat, si më poshtë vijon:

1. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, nëpërmjet strukturave të tij, publikon informacionin e nevojshëm në buletinin e njoftimeve publike dhe në platforma të tjera (faqe interneti, media sociale, shtyp etj.) lidhur me zbatimin e programeve dhe informon rregullisht punëdhënësit e punëkërkuesit e regjistruar.

2. Punëdhënësit mund të aplikojnë për përfshirjen në program në rrugë elektronike ose në zyrat përkatëse të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, duke ngarkuar në faqen e internetit ose duke dorëzuar fizikisht dokumentacionin e mëposhtëm:

a) formularin e aplikimit të plotësuar, sipas modelit standard të miratuar dhe publikuar nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë;
b) autorizimin e punëdhënësit, me të cilin autorizohet institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë për të kryer të gjitha verifikimet dhe kërkimet e nevojshme të dokumenteve dhe të të dhënave të aplikimit;
c) vetëdeklarim për mospasjen në ngarkim të punëdhënësit, të shkeljeve apo sanksioneve që lidhen me legjislacionin e punës, përgjatë dy viteve të fundit.

3. Pas marrjes së aplikimit nga punëdhënësi, struktura vendore e punësimit kryen verifikimet e përmbushjes së kritereve të punëdhënësve, nëpërmjet dokumenteve të mëposhtme:

a) ekstraktit historik të punëdhënësit, të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
b) vërtetimit për pagimin e detyrimeve tatimore;
c) vërtetimit për derdhjen e kontributeve shoqërore e shëndetësore për tatimpaguesin për 12 (dymbëdhjetë) muajt e fundit.

4. Struktura vendore e punësimit verifikon, brenda 7 (shtatë) ditëve pune, plotësimin e kushteve formale paraprake të aplikimit dhe përputhshmërinë e tij me rregullat e zbatueshme të 3 (tri) programeve të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.

5. Në rast të mosplotësimit të kushteve paraprake, struktura vendore e punësimit i kërkon aplikuesit plotësimin e dokumentacionit.

6. Në rast të plotësimit të kushteve paraprake, struktura vendore i përcjell për miratim aplikimin strukturës rajonale të punësimit, e cila, brenda 5 (pesë) ditëve pune, vendos miratimin ose mosmiratimin e projektit sipas rregullave të përcaktuara në manualin e zbatimit të programeve të nxitjes së punësimit.

7. Struktura vendore e punësimit i komunikon punëdhënësit aplikues përgjigjen përfundimtare për pranimin apo refuzimin e aplikimit brenda 2 (dy) ditëve pune.

8. Punëdhënësi dhe punëkërkuesi, në cilësinë e punëmarrësit, lidhin një kontratë pune, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e secilës palë, në përputhje me programet e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi. Një kopje e kontratës së punësimit dorëzohet në strukturën vendore të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, i cili do të monitorojë zbatimin e saj deri në përfundim të projektit.

9. Pas nënshkrimit të kontratës së punës nënshkruhet marrëveshja tripalëshe për zbatimin e programit.

10. Për pjesëmarrësit në program, të cilët kanë qenë përfitues të ndihmës ekonomike, institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë informon institucionin përgjegjës për shërbimin social.

11. Nëse punëdhënësi zgjidh në mënyrë të njëanshme kontratën me përfituesin, punëdhënësi është i detyruar të kthejë 100 (njëqind) % të mbështetjes financiare të përfituar deri në atë moment.

12. Nëse punëdhënësi nuk respekton marrëveshjen tripalëshe për zbatimin e programeve, sipas pikës 1, të këtij vendimi, ai përjashtohet nga pjesëmarrja në program për një periudhë katërvjeçare.

13. Financimi i punëdhënësit do të bëhet çdo muaj, pas verifikimit nga struktura përkatëse e punësimit të kryerjes së pagesës nga ana e tij.

14. Monitorimi i zbatimit kryhet nga strukturat përkatëse të punësimit (institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë).

V. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë përgatit raportin vjetor brenda datës 31 mars të vitit pasardhës dhe ia paraqet ministrisë përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe strukturës përgjegjëse të ndihmës shtetërore.

2. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë ruan të dhënat për programet 10 (dhjetë) vjet në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.

3. Vlerësimi i ndikimit të programeve kryhet çdo 4 (katër) vjet nga ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit, nëpërmjet ekspertëve ose organizatave me përvojë në këtë fushë.

4. Afati i zbatimit të programeve të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, është 5 (pesë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

5. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.27, datë 11.1.2012, “Për programin e nxitjes së punësimit të grave dhe vajzave nga grupet e veçanta”, i ndryshuar; nr.47 datë 16.1.2008, “Për programet e nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë nëpërmjet formimit në punë”, i ndryshuar; nr.48, datë 16.1.2008, “Për programet e nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë nga grupet e veçanta”, i ndryshuar; nr.64, datë 27.1.2016, “Për programin e nxitjes së punësimit të të rinjve që kanë fituar statusin e jetimit”, i ndryshuar; nr.162, datë 21.3.2018, “Për pagesën e pjesëmarrjes në kurset e formimit profesional”; nr.199, datë 11.1.2012, “Për masën e financimit, kriteret dhe procedurat e zbatimit të programit të nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë të rinj”, i ndryshuar; nr.248, datë 30.4.2014, “Për programin e nxitjes së punësimit të personave me aftësi të kufizuara”, i ndryshuar; nr.873, datë 27.12.2006, “Për programet e nxitjes së punësimit të praktikave profesionale për punëkërkuesit që kanë mbaruar arsimin e lartë brenda dhe jashtë vendit”, i ndryshuar, shfuqizohen.

6. Programet e miratuara me bazën ligjore, e cila shfuqizohet sipas pikës 5, të këtij kreu, vazhdojnë zbatimin sipas kushteve të vendosura në momentin e miratimit të tyre.

7. Ngarkohet institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë për hartimin e rregulloreve të zbatimit të programeve të nxitjes së punësimit, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

8. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.378, DATË 26.4.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI URBAN I BLLOKUT TË KUFIZUAR NGA RRUGËT “SULEJMAN DELVINA”, “MEDAR SHTYLLA”, “SKËNDER LUARASI”, “GRIGOR HEBA” DHE “GJIK KUQALI”, TIRANË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.378, datë 26.4.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Tabelës bashkëlidhur vendimit nr.378, datë 26.4.2017, të Këshillit të Ministrave, i bëhen ndryshimet dhe shtesat e paraqitura në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi;

b) Në pikën 4, vlera e përgjithshme e shpronësimit, nga 115 185 048 (njëqind e pesëmbëdhjetë milionë e njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e dyzet e tetë) lekë bëhet 133 310 401 (njëqind e tridhjetë e tre milionë e treqind e dhjetë mijë e katërqind e një) lekë dhe do të përballohet nga fondet e buxhetit të Bashkisë Tiranë;

c) Në pikën 5, vlera e përgjithshme e shpenzimeve procedurale nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë bëhet 10 000 (dhjetë mijë) dhe do të përballohet nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I 

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “RRUGËT PËRGJATË BREGUT JUGOR TË REZERVUARIT TË BANJËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Rrugët përgjatë bregut jugor të rezervuarit të Banjës”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, paraqitur në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “arë”, “truall” dhe “kultura bujqësore”, me vlerë 14 564 482 (katërmbëdhjetë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e katërqind e tetëdhjetë e dy) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 14 564 482 (katërmbëdhjetë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e katërqind e tetëdhjetë e dy) lekësh, të përballohet nga fondet e “Devoll Hydropower”, sh.a.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpenzimet për publikimin e kërkesës për shpronësim në organet e shtypit, në vlerën 2 692 000 (dy milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë, të përballohen nga fondet e “Devoll Hydropower”, sh.a.
7. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë deri në tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

8. Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë “Devoll Hydropower”, sh.a.

9. “Devoll Hydropower”, sh.a., të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

10. Për pasuritë e llojit “tokë bujqësore”, sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi, ndryshohet statusi në tokë urbane “truall”.

11. Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Elbasan, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral ndryshimin e kategorisë së resursit, sipas pikës 10, të këtij vendimi.

12. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara.

13. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Gramsh, në bashkëpunim me “Devoll Hydropower”, sh.a., brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

14. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Gramsh, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

15. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, “Devoll Hydropower”, sh.a., dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Gramsh, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.368, DATË 20.6.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI NË ZONËN URBANE PRANË QENDRËS SË QYTETIT VLORË”, “HARTIMI I PROJEKTIT URBAN, RESTAURIMI I MONUMENTEVE TË KULTURËS NË KËTË ZONË DHE RIKONSTRUKSIONI I OBJEKTEVE TË TJERA, VLORË””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.368, datë 20.6.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

a) Në pikën 3, vlera nga “… 152 930 608 (njëqind e pesëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e tridhjetë mijë e gjashtëqind e tetë) lekë …” ndryshohet në “… 154 728 098 (njëqind e pesëdhjetë e katër milionë e shtatëqind e njëzet e tetë mijë e nëntëdhjetë e tetë) lekë …”.

b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Vlera e shpronësimit, prej 154 728 098 (njëqind e pesëdhjetë e katër milionë e shtatëqind e njëzet e tetë mijë e nëntëdhjetë e tetë) lekësh, të përballohet, si më poshtë vijon:

a) 152 930 608 (njëqind e pesëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e tridhjetë mijë e gjashtëqind e tetë) lekë, të përballohet në masën 50% nga Bashkia Vlorë dhe 50% nga llogaria e shpronësimeve në Bankën e Shqipërisë;
b) 1 797 490 (një milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e katërqind e nëntëdhjetë) lekë, nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Bashkinë Vlorë.”.

c) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.”.

ç) Në tabelën 2, bashkëlidhur vendimit, shtohet numri rendor 21, pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË MBI PARCELAT E OBJEKTEVE TË LEGALIZUARA DHE KOMPENSIMIN E PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME,
QË PREKEN PREJ TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 15/1 e 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 10 e 24, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë në favor të subjekteve përfituese, për 618 (gjashtëqind e tetëmbëdhjetë) parcela ndërtimore të objekteve të legalizuara dhe kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken prej tyre, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Numri i parcelave ndërtimore për të cilat miratohet kalimi i pronësisë sipas qarqeve është, si më poshtë vijon:

a) Për Qarkun Tiranë (Drejtoritë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë), numri i parcelave ndërtimore është 137 (njëqind e tridhjetë e shtatë), me sipërfaqe të përgjithshme 32 325 (tridhjetë e dy mijë e treqind e njëzet e pesë) m²;
b) Për Qarkun Berat (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Berat), numri i parcelave ndërtimore është 1 (një), me sipërfaqe të përgjithshme 350 (treqind e pesëdhjetë) m²;
c) Për Qarkun Elbasan (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Elbasan), numri i parcelave ndërtimore është 315 (treqind e pesëmbëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 86 549 (tetëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e dyzet e nëntë) m²;
ç) Për Qarkun Durrës (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës, Krujë), numri i parcelave ndërtimore është 30 (tridhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 8 898 (tetë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e tetë) m²;
d) Për Qarkun Gjirokastër (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Gjirokastër dhe Tepelenë), numri i parcelave ndërtimore është 53 (pesëdhjetë e tre), me sipërfaqe të përgjithshme 10 322 (dhjetëmijë e treqind e njëzetë e dy) m²;
dh) Për Qarkun Vlorë (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë dhe Sarandë), numri i parcelave ndërtimore është 10 (dhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 5 185 (pesë mijë e njëqind e tetëdhjetë e pesë) m².
e) Për Qarkun Fier (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, Lushnjë), numri i parcelave ndërtimore është 9 (nëntë), me sipërfaqe të përgjithshme 2 294 (dy mijë e dyqind e nëntëdhjetë e katër) m²;
ë) Për Qarkun Lezhë (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lezhë), numri i parcelave ndërtimore është 35 (tridhjetë e pesë), me sipërfaqe të përgjithshme 6 328 (gjashtë mijë e treqind e njëzet e tetë) m².
f) Për Qarkun Kukës (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Kukës), numri i parcelave ndërtimore është 7 (shtatë), me sipërfaqe të përgjithshme 2 130 (dy mijë e njëqind e tridhjetë) m²;
g) Për Qarkun Korçë (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Korçë), numri i parcelave ndërtimore është 2 (dy), me sipërfaqe të përgjithshme 770 (shtatëqind e shtatëdhjetë) m²;
gj) Për Qarkun Tiranë dhe Shkodër (Drejtoria e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Zonat e Stimuluara), numri i parcelave ndërtimore është 19 (nëntëmbëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 8 399 (tetë mijë e treqind e nëntëdhjetë e nëntë) m².

Sipërfaqja e përgjithshme që kompensohet është 26 416,1 (njëzet e gjashtë mijë e katërqind e gjashtëmbëdhjetë presje një) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 229 260 847,34 (dyqind e njëzet e nëntë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë mijë e tetëqind e dyzet e shtatë presje tridhjetë e katër) lekë, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet pa leje, për numrat rendorë sipas kolonës 1, të shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, do të veprohet, si më poshtë vijon:

a) Numri rendor nr.586, sipas seksionit të veçantë (kolona 17), të shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi – shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas miratimit nga kreditori, sipas pikës 12, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”;
b) Numrat rendorë nr.560, nr.606, nr.596, sipas seksionit të veçantë (kolona 17), të shtojcës 1 – shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit, sipas pikës 15, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”.
c) Numri rendor nr.439, sipas seksionit të veçantë (kolona 17), të shtojcës 1 – shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të mbivendosjes, sipas pikës 16, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave.

Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.

4. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Jug, Kamzë-Vorë, Tiranë Veri, Tirana Rurale 1, Durrës, Krujë, Korçë, Elbasan, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Fier, Lushnjë, Berat, Lezhë, Kukës dhe Zonat e Stimuluara të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

5. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “NDËRTIMI DHE RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS QË LIDH RRUGËT “PJETËR BUDI”, “QAMIL GURANJAKU” DHE “STAVRI VRINJAO”, TIRANË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti, “Ndërtimi dhe rikonstruksioni i rrugës që lidh rrugët “Pjetër Budi”, “Qamil Guranjaku” dhe “Stavri Vrinjao”, Tiranë”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “truall”, me vlerë 170 228 501 (njëqind e shtatëdhjetë milionë e dyqind e njëzet e tetë mijë e pesëqind e një) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 170 228 501 (njëqind e shtatëdhjetë milionë e dyqind e njëzet e tetë mijë e pesëqind e një) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.

8. Bashkia Tiranë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Tiranë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.