Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Janar 2026: 
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AGJENCISË KOMBËTARE TË MJEDISIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 61, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Marjeta Përlala emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË VEÇANTA DHE TË PROCEDURAVE PËR PËRZGJEDHJEN, EMËRIMIN, VLERËSIMIN E REZULTATEVE NË PUNË, DISIPLINËN, LIRIMIN DHE SHKARKIMIN NGA DETYRA TË INSPEKTORIT TË PËRGJITHSHËM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 16, të  ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Ky vendim përcakton kriteret e veçanta dhe procedurat për përzgjedhjen, emërimin, vlerësimin e rezultateve në punë, disiplinën, lirimin dhe shkarkimin nga detyra të inspektorit të Përgjithshëm.
II. KRITERET PËR PËRZGJEDHJEN DHE EMËRIMIN
Kandidati për inspektor të Përgjithshëm, krahas kritereve të përcaktuara në pikën 1, të nenit 16, të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, duhet të plotësojë edhe këto kritere të veçanta:
a) Të ketë diplomë të nivelit “Master i Shkencave” ose “Master Profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike” ose të barasvlershme me to;
b) Të ketë të paktën 5 (pesë) vjet përvojë pune në pozicione të larta drejtuese në institucione publike ose private.
III. PROCEDURA E PËRZGJEDHJES DHE EMËRIMIT
1. Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalenderike nga krijimi i pozicionit vakant të inspektorit të Përgjithshëm, sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm, hap thirrjen për aplikim dhe ngre një komision ad hoc të përbërë nga:
a) një përfaqësues nga institucioni që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm;
b) një përfaqësues nga Departamenti i Administratës Publike;
c) një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë.
2. Njoftimi për aplikim publikohet në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në faqen zyrtare të  institucionit përgjegjës dhe qëndron i hapur për një periudhë jo më pak se 7 (shtatë) ditë kalendarike.
3. Kandidati paraqet këto dokumente:
a) Kërkesën për aplikim;
b) Jetëshkrimin të përditësuar (CV);
c) Kopjen e diplomës dhe të listës së notave;
ç)  Dëshminë e përvojës profesionale;
d) Vetëdeklarimin për konfliktin e interesit dhe papajtueshmërinë sipas legjislacionit në fuqi;
      dh)  Kopjen e letërnjoftimit (ID);
e) Vërtetimin nga institucioni që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
ë)  Vetëdeklarimin e gjendjes gjyqësore;
f) Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimimin shtesë, publikimet, angazhimet akademike apo të tjera, të përmendura në jetëshkrim.
4. Komisioni ad hoc përfundon shqyrtimin e dokumentacionit dhe zhvillimin e intervistave me kandidatët, brenda një afati jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga data e përfundimit të afatit për dorëzimin e aplikimeve.
5. Vlerësimi i kandidatëve bëhet në një total prej 100 pikësh dhe përbëhet nga:
a) Vlerësimi i dokumentacionit dhe i përvojës profesionale: deri në 60 pikë;
b) Intervista e strukturuar me gojë: deri në 40 pikë.
6. Vlerësimi i dokumentacionit dhe i përvojës profesionale deri në 60 pikë realizohet sipas skemës së mëposhtme:
a) Deri në 10 (dhjetë) pikë për tejkalim të nivelit të arsimit, sipas kritereve të mëposhtme:
i. 5 pikë, për diplomë ekzekutive ose diplomë specializimi;
ii. 10 pikë, për gradë ose titull shkencor.
b) Deri në 20 (njëzet) pikë për tejkalim të përvojës në punë si drejtues në institucione publike apo private, sipas kritereve të mëposhtme:
i. 5 pikë, për 1 (një) vit përvojë shtesë;
iii. 10 pikë, për më shumë se 1 vit deri në 3 vjet përvojë shtesë;
iii. 20 pikë, për më shumë se 3 vjet përvojë shtesë.
c) Publikime, angazhime akademike: 10 pikë;
ç) Deri në 15 (pesëmbëdhjetë) pikë për trajnime ose kualifikime profesionale, sipas kritereve të mëposhtme:
i. 5 pikë, për 1 (një) deri në 3 (tre) trajnime ose kualifikime profesionale;
ii. 10 pikë, për 3 (tre) deri në 5 (pesë) trajnime ose kualifikime profesionale;
iii. 15 pikë, për më shumë se 5 (pesë) trajnime ose kualifikime profesionale.
d) Integriteti profesional në bazë të deklaratave, referencave dhe dokumentacionit plotësues: 5 pikë.
7. Komisioni harton listën përfundimtare të kandidatëve të kualifikuar, të shoqëruar me renditjen sipas pikëve të grumbulluara, dhe ia paraqet sekretarit të Përgjithshëm të institucionit përgjegjës brenda 3 (tri) ditëve kalendarike nga përfundimi i procesit të vlerësimit.
8. Komisioni ad hoc funksionon në përputhje me këto rregulla:
a) Mbledhjet janë të vlefshme kur marrin pjesë të gjithë anëtarët;
b) Vendimmarrja bëhet me shumicë votash;
c) Çdo anëtar nënshkruan një deklaratë mbi mungesën e konfliktit të interesit para fillimit të vlerësimit;
ç) Në rast mungese të një anëtari, zëvendësimi bëhet nga institucioni përkatës brenda 3 (tri) ditëve kalendarike.
9. Komisioni garanton barazi, objektivitet dhe transparencë gjatë gjithë procesit të vlerësimit.
10. Inspektori i Përgjithshëm emërohet në detyrë me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të titullarit të institucionit përgjegjës që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm.
IV. MASAT DISIPLINORE DHE PROCEDURA DISIPLINORE
1. Në rastet kur ka indicie të arsyeshme për shkelje disiplinore, sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, me iniciativë të tij ose pas informacionit zyrtar të ardhur nga institucione shtetërore, vendos fillimin e procedurës disiplinore dhe njofton me shkrim inspektorin e Përgjithshëm për shkeljen e dyshuar dhe për fillimin e hetimit administrativ.
2. Sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës urdhëron ngritjen e një grupi të posaçëm për hetimin administrativ të inspektorit të Përgjithshëm, duke mbledhur prova, dëshmi, raportime dhe deklarata, sipas natyrës së shkeljes së pretenduar.
3. Inspektori i Përgjithshëm ka këto të drejta:
a) Të paraqesë shpjegime me shkrim;
b) Të zhvillojë një dëgjesë me grupin e posaçëm, brenda një afati jo më të gjatë se 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga data e njoftimit;
c) Të përfaqësohet nga përfaqësues ligjor.
4. Pas përfundimit të hetimit, grupi i posaçëm përgatit një raport përfundimtar, i cili i paraqitet sekretarit të Përgjithshëm brenda 7 (shtatë) ditëve kalendarike nga data e përfundimit të këtij hetimi.
5. Sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, pas administrimit të raportit përfundimtar, i njofton titullarit të institucionit rezultatet e raportit të grupit të posaçëm.
6. Sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, në rast të konstatimit të shkeljes dhe në varësi të rrethanave të konstatuara, i propozon titullarit të institucionit përgjegjës, që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm, një nga masat disiplinore të mëposhtme:
a) Vërejtje me shkrim;
b) Vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra;
c) Largim nga detyra.
7. Titullari i institucionit përgjegjës, që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm, merr vendim për dhënien e njërës nga masat disiplinore të parashikuara në pikën 6, të këtij kreu.
V. VLERËSIMI I REZULTATEVE NË PUNË TË INSPEKTORIT TË PËRGJITHSHËM
1. Inspektori i Përgjithshëm i nënshtrohet vlerësimit të rezultateve në punë 1 (një) herë në vit nga titullari i institucionit, që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm.
2. Vlerësimi i inspektorit të Përgjithshëm kryhet në bazë të performancës së tij profesionale, në përputhje me kriteret e përgjithshme, si më poshtë vijon:
a)  Realizimi i objektivave institucionalë të përcaktuar në fillim të periudhës së vlerësimit;
b) Cilësia dhe efektiviteti i veprimtarisë inspektuese;
c) Menaxhimi i burimeve njerëzore dhe financiare në dispozicion të institucionit;
ç) Respektimi i dispozitave ligjore dhe i standardeve të etikës profesionale;
d)  Transparenca dhe komunikimi me publikun;
dh)Nismat për përmirësim të punës dhe përdorimi i teknologjisë në proceset inspektuese;
e)  Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përfaqësimi institucional.
VI. LIRIMI DHE SHKARKIMI NGA DETYRA
1. Inspektori i Përgjithshëm lirohet dhe shkarkohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të titullarit të institucionit përgjegjës, që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm, sipas rasteve të parashikuara në ligjin nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
2. Sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, brenda 7 (shtatë) ditëve kalendarike nga marrja dijeni apo konstatimi i shkakut për lirimin apo shkarkimin nga detyra të inspektorit të Përgjithshëm, i paraqet titullarit të institucionit raportin me faktet dhe rrethanat përkatëse.
VII. DISPOZITË E FUNDIT
Ngarkohet Inspektorati i Përgjithshëm për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUADRIT MAKROEKONOMIK E FISKAL PËR PERIUDHËN 2027-2029
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 23, të ligjit nr.9936,  datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2027-2029, “Treguesit kryesorë makroekonomikë”, lidhja nr.1, dhe “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar”, lidhjet nr.2/1 e nr.2/2 , që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KABINETIT TË MINISTRAVE TË UKRAINËS, PËR TRANSPORTIN NDËRKOMBËTAR RRUGOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 11, pika 2, të  ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kabinetit të Ministrave të Ukrainës, për transportin ndërkombëtar rrugor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.270, datë 9.5.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kabinetit të Ministrave të Ukrainës, për transportin ndërkombëtar rrugor”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS  SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të  ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit, bashkëlidhur vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, përmasat e pronave me numrat rendorë 1040, me emërtimin “Reparti ushtarak nr.1030”, dhe 1275, me emërtimin “Ish-batalioni i A-M”, zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularët, gjithsej, 5 (pesë) fletë, dhe planet e rilevimeve, gjithsej, 2 (dy) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.250, DATË 24.4.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BRENDSHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.250, datë 24.4.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Brendshme”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Në titull dhe kudo në përmbajtje të vendimit, emërtesa “Ministria e Brendshme” zëvendësohet me “ Ministria e Punëve të Brendshme”;
b) Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore bashkëlidhur vendimit, përmasat e pronave me emërtimin “Postë Policie Selenicë”, “Komisariati i Policisë Pukë”, “Reparti 752 FNSH-Fier”, “Stacioni i Policisë Fushë-Krujë”, “Stacion Policie Manzë”, “Kampi i Riedukimit Çekrez”, “Stacioni i Policisë Patos”, “Komisariati i Policisë Mallakastër”, “Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër”, “Drejtoria e Policisë Korçë”, “Komisariati i Policisë Korçë”, “Reparti 754 FNSH-Plasë”, “Komisariati i Policisë Pogradec”, “Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë”, “Komisariati i Policisë Rrëshen”, “Drejtoria Qendrore Dibër” dhe “Helioporti” zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularët, gjithsej,                         17 (shtatëmbëdhjetë) fletë formulari, në planrilevimet, gjithsej,     17 (shtatëmbëdhjetë) planrilevime dhe 1 (një) planimetri, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij;
c) Prona me emërtimin “Posta e Policisë Drini i Zi” dhe “Posta e Policisë Qukës” hiqen nga lista e inventarit, bashkëlidhur vendimit.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME  NË VENDIMIN NR.1039, DATË 4.12.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PUNËS DHE PËR CAKTIMIN E PËRFAQËSUESVE TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE NË KËTË KËSHILL”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 200, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.1039, datë 4.12.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për funksionimin e Këshillit Kombëtar të Punës dhe për caktimin e përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave në këtë këshill”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. KKP-ja kryesohet nga ministri përgjegjës për çështjet e punës dhe ka në përbërje, si përfaqësues të Këshillit të Ministrave, këta anëtarë:
a) Ministrin e Financave;
b) Ministrin e Drejtësisë;
c) Ministrin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale;
ç)           Ministrin e Arsimit;
d) Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit;
dh) Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë;
Përfaqësues kandidatë të KKP-së, në mungesë të përfaqësuesve, anëtarë të Këshillit të Ministrave, janë zëvendësministrat përkatës.”.
2. Në pikën 9 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në shkronjën “b” bëhen këto ndryshime:
i. Fjalia hyrëse ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Komisioni i punësimit, arsimit dhe formimit profesional kryesohet nga drejtori i Drejtorisë së Politikave të Punësimit dhe Migratore në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe ka në përbërje anëtarë, përfaqësues nga:”.
ii. Nënndarja “i” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“i. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, përgjegjësi i sektorit të PAP-së;”.
b) Në shkronjën “c” bëhen këto ndryshime:
i. Fjalia hyrëse ndryshohet, si më poshtë vijon:
    “Komisioni i pagave, pensioneve dhe përkrahjes sociale kryesohet nga drejtori i Drejtorisë së Politikave të Sigurimeve Shoqërore në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe ka në përbërje anëtarë, përfaqësues nga:”.
ii. Nënndarja “i” ndryshohet, si më poshtë vijon:
    “i. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përgjegjësi i sektorit që mbulon çështjet për mbrojtjen sociale.”.
c) Në shkronjën “ç” bëhen këto ndryshime:
i. Fjalia hyrëse ndryshohet, si më poshtë vijon:
    “Komisioni i kushteve të punës, shëndetit dhe sigurimit në punë kryesohet nga drejtori i  Drejtorisë së Marrëdhënieve të Punës, Sigurisë dhe Shëndetit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe ka në përbërje anëtarë, përfaqësues nga:”.
ii. Nënndarja “i” ndryshohet, si më poshtë vijon:
    “i.  Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përgjegjësi i sektorit që mbulon çështjet e shëndetit dhe sigurisë në punë.”.
ç) Në shkronjën “d” bëhen këto ndryshime:
i. Fjalia hyrëse ndryshohet, si më poshtë vijon:
    “Komisioni i ekonomisë dhe i financës kryesohet nga drejtori i Drejtorisë së Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe ka në përbërje anëtarë, përfaqësues nga:”.
ii. Nënndarja “i” ndryshohet, si më poshtë vijon:
    “i. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, përgjegjës i sektorit, Drejtoria e Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar;”.
d) Në shkronjën “dh” bëhen këto ndryshime:
i. Fjalia hyrëse ndryshohet, si më poshtë vijon:
    “Komisioni i shanseve të barabarta, aftësive të kufizuara dhe rinisë kryesohet nga drejtori i  Drejtorisë së Politikave të Aftësimit Profesional dhe Inspektimit të AFP-së në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe ka në përbërje anëtarë, përfaqësues nga:”.
ii. Nënndarja “i” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“i. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përgjegjës i sektorit që mbulon çështjet për shanset e barabarta dhe aftësitë e kufizuara;”.
3. Kudo në përmbajtjen e vendimit emërtimi “Ministria e Financave dhe Ekonomisë” zëvendësohet me “Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit”.
II. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË TURIZMIT, KULTURËS DHE SPORTIT TË DISA PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE DHE PËR DISA SHTESA   E NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.715, DATË 13.12.2023,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË KULTURËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të disa pronave të paluajtshme shtetërore, sipas formularëve, 22 (njëzet e dy) fletë, planrilevimeve, 31 (tridhjetë e një) fletë, dhe planimetrive, 13 (trembëdhjetë) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Pronat e përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi i shtohen listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.715, datë 13.12.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së  inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Kulturës”.
3. Në vendimin nr.715, datë 13.12.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Kulturës”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Kudo në titull dhe në përmbajtje, emërtesa “Ministria e Kulturës” zëvendësohet me “Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit”;
b) Paragrafi i dytë i pikës 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Lista përbëhet, gjithsej, nga 42 (dyzet e dy) fletë formulari, 51 (pesëdhjetë e një) planrilevime, 13 (trembëdhjetë) planimetri dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.”.
4. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË HOLLËSISHME PËR KALIMIN E PRONËSISË SË TRUALLIT SHTETËROR  NË PËRDORIM DHE MIRATIMIN E MODELIT TË AKTIT TË KALIMIT NË PRONËSI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 63, të  ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Në këtë vendim, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Harta e vlerës së tokës”, harta e vlerës e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, në fuqi në kohën e kryerjes së procedurave, sipas këtij vendimi;
     b) “Ligj”, ligji nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”;
c)  “Ndërtesa të privatizuara”, ndërtesa:
i. të përfituara sipas ligjit nr.7512, datë 10.8.1991, “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”, të shfuqizuar;
ii. të shitura nga ndërmarrjet shtetërore, përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.7512, datë 10.8.1991, “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarur dhe privatizimit”, të shfuqizuar;
iii. të shitura nga ish-kooperativat bujqësore apo njësitë e vetëqeverisjes vendore, si pronë e ish-kooperativës.
     ç)  “Ndërtesë e dëmtuar”, në kuptim të këtij vendimi, objekti që ka pësuar dëmtime në mbulesë apo në strukturën e saj dhe nuk është prishur tërësisht;
 d) “Ndërtesa të ngritura me leje ndërtimi”, ndërtesat e ngritura në bazë të lejeve të ndërtimit të lëshuara nga organet e vetëqeverisjes vendore, pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, për të cilat mungon dokumentacioni apo vendimi i organeve të pushtetit vendor për dhënien e tokës për ndërtim;
dh) “Truall shtetëror në përdorim”, sipas kuptimit të pikës 23, të          nenit 4, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, që përfshin truallin e përcaktuar në  genplanin dhe dokumentacionin në momentin e privatizimit të ndërmarrjeve apo objekteve, ku përfshihet sipërfaqja nën objekt dhe sipërfaqe funksionale përreth tij, nëse ka, si dhe sipërfaqja e truallit sipas genplanit dhe dokumentacionit të dhënies së lejes së ndërtimit, në të cilat janë përcaktuar sipërfaqja e objektit dhe e sheshit të ndërtimit.
2. Procedurat administrative të kalimit të së drejtës së pronësisë së truallit do të kryhen nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (në vijim ASHK) edhe në ato raste kur ndërtesa e privatizuar sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij kreu, dhe ndërtesa e ngritur sipas lejes së ndërtimit, sipas                    shkronjës “d”, të pikës 1, të këtij kreu, është e dëmtuar, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, me kushtin që ndërtimi të jetë i pasqyruar në regjistrat kadastralë të pasurive të paluajtshme.
3. Procedura e kalimit të së drejtës së pronësisë, sipas këtij vendimi, fillon sipas përcaktimeve të nenit 62, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe ndjek rregullat dhe afatet e parashikuara në këtë ligj dhe në Kodin e Procedurave Administrative.
4. Për kërkesat e paraqitura nga subjektet, modeli i kërkesës për kalimin e pronësisë është sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Kërkesa paraqitet on-line nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania” dhe tarifa e shërbimit paguhet në momentin e paraqitjes së kërkesës nga subjekti i interesuar.
5. Tarifa e shërbimit për procedurën administrative është sipas                      vendimit nr.5, datë 11.1.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e vlerës së tarifave dhe pagesave, masës së penaliteteve, si dhe të mënyrës së llogaritjes, mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave të arkëtuara nga proceset kalimtare të pronësisë”, dhe është e pakthyeshme në rast të refuzimit të kërkesës nga ASHK-ja.
6. Për kërkesat e paraqitura pranë strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës publike, para hyrjes në fuqi të ligjit, për të cilat nuk ka përfunduar procedura administrative, nuk aplikohet pagesa e tarifës sipas pikës 5, të kreut I, të këtij vendimi.
7. Në rastet kur gjatë regjistrimit fillestar apo përmirësimit të zonës kadastrale evidentohen raste të aplikimit të procedurave të kalimit të pronësisë së truallit shtetëror në përdorim, ASHK-ja njofton subjektin nëpërmjet njoftimit publik, sipas rregullave të parashikuara në kreun II, të pjesës së shtatë të Kodit të Procedurave Administrative, për depozitimin e kërkesës nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”.
8. Përfitojnë ulje 20 % të vlerës subjektet që kanë paraqitur kërkesë për privatizim të truallit shtetëror në përdorim, përpara datës 1.7.2012, dhe nuk e kanë kryer pagesën për efekt të mosnjoftimit të faturës, sipas                    ligjit nr.10270, datë 22.4.2010, “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij”, nëse kryejnë pagesën brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja dijeni për njoftimin. Kjo lehtësi përfitohet sipas pikës 3, të nenit 63, të ligjit.
9. Të ardhurat e mbledhura nga kalimi i të drejtës së pronësisë së truallit shtetëror në përdorim arkëtohen dhe përdoren nga ASHK-ja, në përputhje e parashikimet e nenit 67, të ligjit.
II. PROCEDURAT E KALIMIT TË PRONËSISË PËR TROJET E NDËRTESAVE TË PRIVATIZUARA
1. Kërkesa e paraqitur sipas pikës 4, të kreut I, të këtij vendimi, shoqërohet nga dokumentacioni, që, sipas rastit është, si më poshtë vijon:
a) Kontrata e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi ndërtesën, bashkë me genplanin ose planimetrinë përkatëse në çastin e privatizimit, kur pronësia mbi ndërtesën nuk është e regjistruar në regjistrin kadastral, dhe deklarata noteriale e mostjetërsimit të ndërtesës te të tretët. Në këtë rast, ASHK-ja shqyrton dokumentacionin e depozituar pranë saj në momentin e paraqitjes së kërkesës, me qëllim vërtetimin e pronësisë së ndërtesës; ose
b) Kontrata e kalimit të pronësisë së ndërtesës, kur pronësia e saj ka kaluar te të tretët; ose
c) Vërtetimi ose certifikata e regjistrimit të pronësisë së ndërtesës kur është e regjistruar, dhe
ç) Vërtetim i lëshuar nga drejtoria rajonale tatimore për pagesën e taksës së truallit në përdorim, nga data 7.6.2010 deri në datën e paraqitjes së kërkesës për kalimin në pronësi të truallit shtetëror në përdorim.
2. Për të kaluar pronësinë mbi truallin e ndërtesës së privatizuar, ASHK-ja kryen procedurat, si më poshtë vijon:
a) Verifikon pronësinë mbi ndërtesën, e cila të jetë fituar në bazë të ligjit nr.7512, datë 10.8.1991, “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”, të shfuqizuar, provuar kjo nga kontrata e privatizimit/shitjes së objektit me organin shtetëror përgjegjës. Është organ shtetëror përgjegjës, sipas kësaj pike, ai që ka realizuar procedurat e privatizimit të ndërtesës, si më poshtë vijon:
i. Agjencia Kombëtare e Privatizimit dhe degët e saj në rrethe; ose
ii. Ndërmarrjet shtetërore; ose
iii. Ish-kooperativat bujqësore, njësitë e qeverisjes vendore, për pasuritë e ish-kooperativave; ose
iv. Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore dhe degët e saj në rrethe.
b) Evidenton nëse trualli dhe ndërtesa e privatizuar janë në posedim të kërkuesit, fakt i cili provohet nga evidentimi në terren;
c) Verifikon nëse trualli për të cilin kërkohet kalimi i pronësisë është ende në pronësi shtetërore dhe nuk ka kaluar në pronësi të tretëve, si dhe nuk përbën tokë publike të patjetërsueshme, në kuptim të                            ligjit nr.8743, datë 22.1.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar;
ç) Verifikon nëse janë paguar nga subjekti detyrimet lidhur me pagesën e taksës së truallit në përdorim, nga data 7.6.2010 deri në datën e paraqitjes së kërkesës për kalimin e truallit shtetëror në përdorim.
3. Brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga depozitimi i kërkesës, sipas pikës 4, të kreut I, të këtij vendimi, ASHK-ja kryen procedurat administrative, si më poshtë vijon:
a) Verifikon dokumentacionin arkivor që administron institucioni dhe dokumentacionin e dorëzuar nga subjekti;
b) Verifikon gjendjen juridike të pronësisë së truallit, nëse trualli për të cilin kërkohet kalimi i pronësisë është shtetëror apo jo;
c) Verifikon gjendjen faktike të ndërtesës së privatizuar e të truallit për të cilin është kërkuar kalimi i pronësisë dhe harton aktin e evidentimit në terren, sipas aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. ASHK-ja përcakton sipërfaqen e truallit të ndërtesës së privatizuar që kalon në pronësi, duke u bazuar në:
a) genplanin dhe dokumentacionin e praktikës së privatizimit të ndërtesës së regjistruar në regjistrin kadastral ose në dokumentacionin e dorëzuar nga subjekti për regjistrimin e ndërtesës së privatizuar;
b) dokumentacionin hartografik ndihmës nga Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit apo nga Arkivi Qendror Shtetëror; ose
c) aktin e evidentimit në terren, ku evidentohet sipërfaqja e truallit nën ndërtesë, kur mungon dokumentacioni sipas shkronjave “a” dhe “b”, të kësaj pike.
5. Sipërfaqja e truallit të ndërtesës të privatizuar që kalon në pronësi është e njëjtë me sipërfaqen e përcaktuar në genplanin dhe në dokumentacionin në momentin e privatizimit të objektit. Në rastin e parashikimeve të shkronjës “c”, të pikës 4, të këtij kreu, sipërfaqja e truallit për të cilën miratohet kalimi i pronësisë është sipërfaqja nën objekt.
6. Kalimi i pronësisë për sipërfaqen e truallit, për objektin e privatizuar si banesë, i cili edhe nga evidentimi në terren rezulton se nuk ka ndryshuar destinacion, kryhet pa pagesë, në masën e përcaktuar në dokumentacionin e privatizimit, me kushtin që kjo sipërfaqe të posedohet në terren nga subjekti.
7. Kalimi i pronësisë për sipërfaqen e trojeve të ndërtesave, me funksion social-ekonomik, bëhet kundrejt pagesës, sipas çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së tokës, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Për ndërtimet me funksion të përzier, kalimi i pronësisë për sipërfaqen e truallit do të bëhet me pagesë vetëm për pjesën që shfrytëzohet për veprimtari social-ekonomike, duke mbajtur parasysh raportin që zë kjo sipërfaqe në raport me sipërfaqen e përdorur për banim.
Drejtoria vendore e ASHK-së llogarit detyrimin financiar dhe ia njofton atë subjektit, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga akti i evidentimit në terren. Pagesa e vlerës së truallit duhet të shlyhet nga subjekti brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit.
8. Drejtoria vendore e ASHK-së, brenda 20 (njëzet) ditëve nga data e shlyerjes së pagesës për truallin e ndërtesës së privatizuar, miraton vendimin për miratim ose refuzim të kalimit të pronësisë, sipas aneksit 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Vendimi i miratuar, i shoqëruar edhe nga planvendosja e pasurisë, i njoftohet subjektit përfitues, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e miratimit.
9. Vendimi për miratimin e kalimit të pronësisë për truallin e ndërtesës së privatizuar regjistrohet në regjistrin kadastral, kryesisht nga drejtoria vendore e ASHK-së, pasi të jetë plotësuar një nga kushtet e mëposhtme:
a) Të ketë kaluar afati 30-ditor i paraqitjes së ankimit administrativ ndaj vendimit dhe ndaj tij nuk është paraqitur ndonjë ankim. Afati i ankimit llogaritet nga data e njoftimit të vendimit; ose
b) Të ketë përfunduar shqyrtimi i ankimit nga struktura e posaçme për ankimet në Drejtorinë e Përgjithshme të ASHK-së dhe vendimi të jetë lënë në fuqi apo të jetë vendosur mospranimi i ankimit; ose
c) Kur struktura e posaçme për ankimet vendos për ndryshimin e përmbajtjes së vendimit të drejtorisë vendore ose shfuqizimin apo anulimin e pjesshëm ose të plotë të tij, regjistrimi kryhet pasi drejtoria vendore të ketë miratuar vendimin e ri për dokumentin e pronësisë, në bazë të aktit të strukturës së posaçme.
10. Regjistrimi kryhet nga drejtoria vendore e ASHK-së, pa u kushtëzuar nga kërkesa për shërbim kadastral dhe nga parapagimi i tarifave kadastrale. Pas kryerjes së shërbimit të regjistrimit ajo njofton subjektin përfitues për të shlyer tarifat përkatëse. Deri në shlyerjen e vlerës së plotë të tarifës së shërbimit, mbi pasurinë e regjistruar rëndon hipoteka ligjore.
11. Pasuritë për të cilat është miratuar akti i kalimit të pronësisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, publikohen çdo muaj në faqen zyrtare të internetit të ASHK-së. Drejtoria vendore e ASHK-së harton njoftimin publik, i cili duhet të përmbajë gjenealitetet e subjektit përfitues (emër, atësi, mbiemër), të dhënat e pasurisë (numër pasurie trualli dhe ndërtesë, zonë kadastrale) dhe adresën e pasurisë, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
12. Nuk janë objekt trajtimi i këtij vendimi rastet që lidhen me privatizimin e objekteve të ish-ndërmarrjeve bujqësore, për të cilat ka filluar procesi i privatizimit nga ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të ndërmarrjeve bujqësore, sipas parashikimeve të bëra në ligjin nr.18/2023, “Për përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve të ish-ndërmarrjeve bujqësore”, dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.
III. KALIMI I PRONËSISË PËR TROJET E PAPRIVATIZURA TË  NDËRTESAVE TË NGRITURA NË BAZË TË LEJEVE TË NDËRTIMIT TË LËSHUARA NGA ORGANET E VETËQEVERISJES VENDORE, PAS DATËS 10.8.1991 E NË VAZHDIM, KUR MUNGON DOKUMENTACIONI I DHËNIES SË TOKËS PËR NDËRTIM
1. Subjektet, që paraqesin kërkesë sipas këtij kreu, për kalimin e pronësisë për trojet e ndërtesave të ngritura në bazë të lejes së ndërtimit, të lëshuar pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, e shoqërojnë kërkesën me dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Lejen e ndërtimit dhe genplanin përkatës, kur pronësia mbi ndërtesën nuk është regjistruar në regjistrin kadastral dhe deklaratën noteriale të mostjetërsimit të ndërtesës te të tretët. Në këtë rast, ASHK-ja shqyrton dokumentacionin e depozituar pranë saj, me qëllim vërtetimin e pronësisë së ndërtesës; ose
b) Kontratën e kalimit të pronësisë për ndërtesën, në rastin kur ajo ka kaluar te të tretët; ose
c) Vërtetimin ose certifikatën e pronësisë për ndërtesën kur është e regjistruar; dhe
ç) Vërtetimin e lëshuar nga organet e vetëqeverisjes vendore, që vërteton se subjekti ka paguar rregullisht qiranë e truallit në përdorim nga përfundimi i procedurës së lejes së ndërtimit deri në datën 7.6.2010, si dhe nga drejtoria rajonale e tatimeve për pagesën e taksës së truallit në përdorim, nga data 7.6.2010 deri në datën e paraqitjes së kërkesës për kalimin në pronësi të truallit shtetëror në përdorim.
2. Brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga depozitimi i kërkesës sipas pikës 1, të këtij kreu, ASHK-ja kryen procedurat administrative, si më poshtë vijon:
a) Verifikon nëse për ndërtesën ka leje ndërtimi, të miratuar nga organet e vetëqeverisjes vendore, në periudhën kohore pas                      datës 10.08.1991 e në vazhdim;
b) Verifikon nëse ka dokumentacion administrativ për dhënien e truallit për ndërtim nga organet e vetëqeverisjes vendore, ku këto të fundit lëshojnë vërtetim për këtë fakt;
c) Evidenton nëse trualli është në posedim të kërkuesit, fakt i cili provohet nga evidentimi në terren;
ç) Verifikon nëse trualli është ende në pronësi shtetërore dhe nuk ka kaluar në pronësi të të tretëve, si dhe nuk përbën tokë publike të patjetërsueshme, në kuptim të ligjit nr.8743, datë 22.1.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar;
d) Verifikon nëse janë paguar nga subjekti detyrimet lidhur me pagesën e qirasë së truallit, nga përfundimi i procedurës së lejes së ndërtimit deri në datën 7.6.2010, si dhe pagesën e taksës së truallit në përdorim për periudhën, nga data 7.6.2010 deri në datën e paraqitjes së kërkesës për kalimin në pronësi të truallit shtetëror në përdorim.
3. ASHK-ja përcakton sipërfaqen e truallit të ndërtesës së privatizuar që kalon në pronësi, duke u bazuar në:
a) genplanin dhe dokumentacionin e praktikës së lejes së ndërtimit të regjistruar në regjistrin kadastral ose në dokumentacionin e dorëzuar nga subjekti për regjistrimin e ndërtesës, në të cilën janë përcaktuar objekti dhe sheshi i ndërtimit;
b) dokumentacionin hartografik ndihmës nga Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit apo Arkivi Qendror Shtetëror; ose
c) aktin e evidentimit në terren, ku evidentohet sipërfaqja e truallit nën objekt, kur mungon dokumentacioni sipas shkronjave “a” dhe “b”, të kësaj pike.
4. Sipërfaqja e truallit të objektit së ngritur në bazë të lejes së ndërtimit, që kalon në pronësi, është e njëjtë me sipërfaqen e përcaktuar në genplanin shoqërues të lejes së ndërtimit ose dokumentacionin ligjor të saj. Në rastin e parashikimeve të shkronjës “c”, të pikës 3, të këtij kreu, sipërfaqja e truallit, për të cilën miratohet kalimi i pronësisë, do të jetë sipërfaqja nën objekt.
5. Kur ndërtesa ka funksion banimi sipas lejes së ndërtimit, si dhe nga evidentimi në terren konstatohet se përdoret për banim, kalimi i pronësisë mbi truallin, për sipërfaqen e konfiguruar sipas dokumentacionit të lejes së ndërtimit (ku bën pjesë edhe trualli nën ndërtesë), kryhet pa pagesë.
6. Kur ndërtesa e ngritur në bazë të lejes së ndërtimit, lëshuar pas                              datës 10.8.1991 e në vazhdim, ka funksion social-ekonomik, vlera e truallit për të cilin miratohet kalimi i pronësisë llogaritet në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së tokës, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Për ndërtimet me funksion të përzier, kalimi i pronësisë për sipërfaqen e truallit do të bëhet me pagesë vetëm për pjesën që shfrytëzohet për veprimtari social-ekonomike, duke mbajtur parasysh raportin që zë kjo sipërfaqe në raport me sipërfaqen e përdorur për banim.
Drejtoria vendore e ASHK-së llogarit detyrimin financiar dhe ia njofton atë subjektit, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga akti i evidentimit në terren. Pagesa e vlerës së truallit duhet të shlyhet nga subjekti brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit.
7. Rregullat e parashikuara në pikat 8-11, të kreut II, të këtij vendimi, që lidhen me afatet e miratimit, njoftimit, regjistrimit dhe publikimit të vendimit të kalimit të pronësisë mbi truallin, zbatohen edhe për ndërtesën e ngritur në bazë të lejes së ndërtimit, lëshuar pas datës 10.8.1991 e në vazhdim.
IV. KALIMI I PRONËSISË SË TRUALLIT SHTETËROR NË PËRDORIM KUR PRONARI I NDËRTESËS SË PRIVATIZUAR/ME LEJE NDËRTIMI KA KRYER EDHE NDËRTIM PA LEJE OSE KUR TRUALLI SHTETËROR ËSHTË TRANSFERUAR TEK INSTITUCIONET QENDRORE DHE NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE
1. Nëse ASHK-ja gjatë evidentimit në terren verifikon se poseduesi i truallit në përdorim ka kryer ndërtime pa leje mbi të njëjtin truall, të lidhura me ndërtesën e privatizuar/me leje ndërtimi, kalimi i pronësisë së truallit do t’i nënshtrohet përcaktimeve të pikës 1, të nenit 63, të ligjit, dhe parashikimeve të këtij vendimi.
2. Kur nga evidentimi në terren, sipas shkronjës “c”, të pikës 4, të kreut II, të këtij vendimi, konstatohet se ka ndryshim të sipërfaqeve në raport me dokumentacionin e privatizimit, në masën minus/plus 5 për qind, por në asnjë rast, jo më shumë se 50 (pesëdhjetë) m2, ky ndryshim do të konsiderohet si normë gabimi në matje. Ky ndryshim i konstatuar nga evidentimi në terren do të mbahet parasysh gjatë procesit të kalimit të sipërfaqes së truallit shtetëror në përdorim.
3. Nëse trualli për të cilin kërkohet kalimi i pronësisë, me përjashtim të pronës publike të patjetërsueshme, gjendet në pasuri të transferuara në përgjegjësi administrimi tek institucionet e qeverisjes qendrore, sipas legjislacionit në fuqi për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit, apo në përdorim te njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas legjislacionit në fuqi për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit te njësitë e qeverisjes vendore, me miratimin e kalimit të pronësisë, sipas këtij vendimi, shuhet edhe përgjegjësia e administrimit apo e përdorimit, sipas rastit. ASHK-ja regjistron vendimin në regjistrat kadastralë dhe për këto sipërfaqe njofton organet shtetërore përkatëse për shuarjen e përgjegjësisë së administrimit, duke i bashkëlidhur njoftimit dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Kopje të vendimit të kalimit të pronësisë së truallit në përdorim në emër të subjektit;
b) Hartën kadastrale të pronës për të cilën shuhet përgjegjësia e organit shtetëror qendror/njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Organet e qeverisjes qendrore/njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë t’i kërkojnë Këshillit të Ministrave zëvendësimin e këtyre pasurive me pasuri të tjera shtetërore, të lira.
4. Nëse trualli për të cilin kërkohet kalimi i pronësisë, me përjashtim të pronës publike të patjetërsueshme, figuron i regjistruar në regjistrat kadastralë në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore, me miratimin e kalimit të pronësisë, ASHK-ja njofton këto institucione për vendimmarrjen për kalimin në pronësi të truallit shtetëror në përdorim dhe i kërkon përditësimin e listës së pronave shtetërore. Vetëm pas miratimit të vendimit të Këshillit të Ministrave, për heqjen nga inventari të kësaj pasurie, ASHK-ja vijon me regjistrimin e vendimit për kalimin në pronësi të truallit shtetëror në regjistrin kadastral në favor të subjektit.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë t’i kërkojnë Këshillit të Ministrave zëvendësimin e këtyre pasurive me pasuri të tjera shtetërore, të lira.
V. TRAJTIMI I RASTEVE PËRJASHTIMORE, SI PASOJË E ZBATIMIT TË VENDIMIT NR.413, DATË 25.6.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
1. Në rastet kur ndërtesa e privatizuar/me leje ndërtimi është e regjistruar në regjistrin kadastral, por ASHK-ja nuk administron praktikën e regjistrimit apo mungojnë akte në përmbajtje të praktikës, atëherë do të kërkohet, sipas rastit, kopje e konfirmuar e praktikës apo e dokumentacionit që është në mungesë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, arkivit vendor, arkivit noterial apo institucionit publik, ku është depozituar dokumentacioni i ndërtesës së privatizuar/me leje ndërtimi. Nëse nga kërkimi rezulton se dosja mungon, ASHK-ja do të pranojë dokumentacionin origjinal që disponon subjekti i interesuar, e shoqëruar nga një deklaratë noteriale, nëpërmjet të cilës ai merr përsipër përgjegjësinë për origjinalitetin dhe vërtetësinë e dokumentacionit të dorëzuar për mostjetërsimin e pasurisë te të tretët, si dhe për faktin që titulli i pronësisë nuk është shpallur i pavlefshëm me një vendim gjyqësor të formës së prerë.
2. Në rastin kur nga dokumentacioni i administruar rezultojnë pagesa të kryera nga subjekti për blerjen e truallit të ndërtesës së privatizuar/me leje ndërtimi, pas konfirmimit të tyre ato merren të mirëqena, në funksion të përfundimit të procedurës administrative të kalimit në pronësi të truallit shtetëror në përdorim.
3. Kur ndërtesa e privatizuar figuron e regjistruar në regjistrat kadastralë dhe e tjetërsuar te të tretët, por akti i origjinës së fitimit të pronësisë (akti i privatizimit) nuk është në formën e kërkuar nga ligji (jo përpara noterit), ASHK-ja vijon procedurat për kalimin e pronësisë së truallit shtetëror, për subjektin që ka pronësinë mbi ndërtesën.
4. Kur gjatë kryerjes së procedurave administrative, ASHK-ja konstaton se pronësia mbi ndërtesën e privatizuar/ndërtesën me leje ndërtimi është transferuar te të tretët, kalimi në pronësi i truallit do të realizohet në favor të këtyre të fundit.
VI.  DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Kërkesat e paraqitura përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për të cilat struktura e shitjes së pronës publike në ministrinë përgjegjëse, nuk ka përfunduar procedurën administrative të kalimit të pronësisë së truallit, do t’i nënshtrohen përcaktimeve të këtij vendimi.
2. Vendimi nr.413, datë 25.6.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve e të procedurave të shitjes së trojeve në përdorim, sipërfaqes të domosdoshme, dhe trojeve shtesë funksionale të ndërmarrjeve shoqërive tregtare, të objekteve shtetërore të veçuara, të privatizuara, të objekteve apo ndërtesave të shitura të ish-kooperativave bujqësore, si dhe të ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit”, i ndryshuar, shfuqizohet, me përjashtim të rregullave që lidhen me privatizimin e truallit shtetëror në përdorim për personat juridikë, shoqëri tregtare.
3. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike pranë ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR VITIN 2026, NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të  nenit 12, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2026, për njësitë e qeverisjes qendrore, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Pagesa për emërtesën “Punonjës arkivi (DPA)”, të përfshirë në lidhjen nr.1, të sipërpërmendur, kryhet nga institucionet përkatëse, pas miratimit të listëprezencës dhe shënimeve përkatëse të titullarit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
3. Punonjësit me kontratë në funksionin “Operator EDRMS” paguhen në përputhje me kategorinë e pagës së funksionit “Operator”, sipas  vendimit nr.326, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
4. Rregullat përjashtimore për punësimin e punonjësve në funksionin “Specialist” në Kryeministri dhe funksionin “specialist” (asistent/ndihmës ligjorë) në Këshillin e Lartë Gjyqësor janë:
a) Kohëzgjatja e punës është 8 orë përgjatë gjithë vitit buxhetor;
b) Niveli i pagës për këta punonjës është kategoria IV-1.
5. Në mbështetje të nevojave për përballimin e emergjencave të paparashikuara shëndetësore si dhe programet e depistimit, 50 punonjësit shëndetësorë dhe të tjerë mbështetës alokohen me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë pranë Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (Operatori) dhe Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore. Pagesa për pozicionin e punës në të cilin caktohen punonjësit bëhet përkatësisht nga Operatori dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore.
6. Mbulimi i efekteve financiare për punonjësit me kontratë bëhet nga shpenzimet korrente, të miratuara në buxhetin përkatës të njësive të qeverisjes qendrore. Për punonjësit me kontratë të Shtëpisë së Pushimit Durrës (MB), Shtëpisë së Pushimit të SHISH-it dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, efektet financiare përballohen nga të ardhurat e vetë institucionit.
7. Ngarkohen për hartimin e rregullave të veçanta për punësimin dhe veprimtarinë e punonjësve të përkohshëm, përkatësisht,:
a) Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për punonjësit shëndetësorë dhe punonjësit socialë të kontraktuar në institucionet shëndetësore.
b) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për funksionin “Punonjës shërbimi”.
c) Agjencia Kombëtare e Bregdetit për funksionin “Specialist”.
8. Ngarkohen ministritë dhe institucionet sipas lidhjes nr.1, të përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave detajimin e numrit të punonjësve me kontratë, kategorinë përkatëse të pagës dhe burimin e financimit të tyre.
9. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi fillojnë pas hyrjes në fuqi të tij. Për punonjësit, të cilët kanë lidhur kontratë në vitin paraardhës, puna e të cilëve nuk është ndërprerë dhe për të cilët është bërë regjistrimi në sistemin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, efektet financiare fillojnë më 1 janar 2026.
  Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI PROJEKTIT “NDËRHYRJE NË ZONA SPORTIVE DHE LODRA PËR FËMIJË “DUA TË LUAJ””, BASHKIA FIER
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të   ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërhyrje në zona sportive dhe lodra për fëmijë “Dua të luaj””, Bashkia Fier.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Fier.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 193 385 534 (njëqind e nëntëdhjetë e tre milionë e treqind e tetëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e tridhjetë e katër) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 193 385 534 (njëqind e nëntëdhjetë e tre milionë e treqind e tetëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e tridhjetë e katër) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Fier.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Fier.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Fier për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe të regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Fier për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Bashkia Fier, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.191,  DATË 9.3.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE PËR SISTEMIN  E SHËRBIMEVE TË PUNËSIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.191, datë 9.3.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për sistemin e shërbimeve të punësimit”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive është administratori i vetëm i SSHP-së. AKPA-ja, në mbështetje të funksionimit të SSHP-së, krijon e administron platformën e bashkëpunimit “puna.gov.al”, ku realizohen procedurat e shërbimit të punësimit ndaj punëkërkuesve dhe punëdhënësve.”;
b) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Të dhënat parësore konsiderohen të dhënat për:
a) punëkërkuesit:
i. punëkërkues i papunë;
ii. punëkërkues i punësuar;
iii. përfitues i shërbimeve të punësimit;
iv. përfitues nga programe të nxitjes së punësimit;
v. përfitues i kurseve të formimit profesional publik;
vi. përfitues nga programi i pagesës së papunësisë.
b) punëdhënësit:
i. shërbime që i ofrohen;
ii. përfitues nga programet.
c) vendet e lira të punës në sektorin privat.”;
c) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Të dhënat dytësore konsiderohen të dhënat për:
a) punëkërkuesin:
i. të dhëna personale nga baza e të dhënave shtetërore të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, administruar nga DPGJC-ja;
ii. të dhëna mbi punësimin nga baza e të dhënave shtetërore të tatimit elektronik, administruar nga DPT-ja;
iii. të dhëna nga trajtimi i tij me ndihmë ekonomike nga baza e të dhënave shtetërore të ndihmës ekonomike, administruar nga Shërbimi Social Shtetëror;
iv. të dhëna mbi leje drejtimi nga baza e të dhënave shtetërore të Regjistrit Kombëtar të Personave të Aftësuar për Drejtimin e Mjeteve, administruar nga DPSHTRR-ja;
v. të dhëna mbi kontributet e sigurimeve shoqërore nga baza e të dhënave shtetërore të sistemit elektronik për menaxhimin e kontributeve, administruar nga ISSH-ja.
b) punëdhënësin:
i. të dhënat e subjektit tregtar nga baza e të dhënave shtetërore të Regjistrit Tregtar, administruar nga QKB-ja;
ii. të dhënat e subjektit të tatueshëm nga baza e të dhënave shtetërore të tatimit elektronik, administruar nga DPT-ja.
c) vendet e lira të punës të shpallura nga punëdhënësit e sektorit shtetëror.”;
ç) Pas pikës 6 shtohet pika 6/1, me këtë përmbajtje:
“6/1. Në kuptim të këtij vendimi, në sektorin shtetëror përfshihen institucionet/entet dhe sistemet e administratës shtetërore, njësitë e fondeve speciale, ndërmarrjet shtetërore me kapital mbi 50 për qind shtetëror dhe shoqëritë aksionare shtetërore, që kanë detyrimin:
a) të publikojnë në platformën “puna.gov.al” të gjitha vendet e lira të punës, brenda një afati kohor jo më vonë se 7 (shtatë) ditë kalendarike përpara mbylljes së afatit për aplikim;
b) të raportojnë në platformën “puna.gov.al” të dhëna për numrin e aplikantëve dhe rezultatin përfundimtar të procesit të rekrutimit, brenda një afati jo më vonë se 7 (shtatë) ditë kalendarike nga përfundimi i procesit.”;
d) Fjalia hyrëse dhe shkronja “a”, e pikës 8, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“8. Baza e të dhënave të AKPA-së shkëmben informacion me institucione të sektorit shtetëror, sipas legjislacionit në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore, lidhur me shërbimet që ofron. Bazuar në legjislacionin në fuqi:
a) institucionet, nga të cilat SSHP-ja merr të dhëna parësore, janë:
i. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;
ii. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
iii. Shërbimi Social Shtetëror;
iv. Qendra Kombëtare e Biznesit;
v. Instituti i Sigurimeve Shoqërore;
vi. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor;
vii. Departamenti i Administratës Publike.”;
dh) Pas pikës 8 shtohet pika 8/1, me këtë përmbajtje:
“8/1. Përpunimi i të dhënave personale në Sistemin e Shërbimeve të Punësimit (SSHP) kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Palët transmetojnë vetëm të dhënat personale të domosdoshme për realizimin e qëllimit të bazës së të dhënave në fushën e punësimit, duke zbatuar masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel të përshtatshëm sigurie.”;
e) Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. Nivelet e aksesit të çdo përdoruesi janë:
a) nivel administrator;
b) nivel modifikues;
c) nivel lexues;
ç) nivel përdorues i jashtëm.
Rolet e nivelit të aksesit dhe të të drejtave të çdo përdoruesi përcaktohen në rregulloren “Për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të bazës së të dhënave shtetërore për Sistemin e Shërbimeve të Punësimit”, që miratohet nga drejtori i përgjithshëm i AKPA-së.”;
ë) Kudo në tekst, emërtesa “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” zëvendësohet me “Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive”;
f) Kudo në tekst, emërtesa “Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit” zëvendësohet me “Drejtoria Qendrore e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive”.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, institucionet/entet dhe sistemet e administratës shtetërore, njësitë e fondeve speciale, ndërmarrjet shtetërore me kapital mbi 50 për qind shtetëror dhe shoqëritë aksionare shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.