Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Prill 2020:

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË SHKËMBIMIT TË BANESËS ME KOSTO TË ULËT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 48, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Familjet që kanë siguruar banesa sociale me kosto të ulët, të cilat më vonë rezultojnë nën normat e strehimit për shkak të ndryshimit të përbërjes familjare dhe aplikojnë në njësinë e vetëqeverisjes vendore për zgjerim nëpërmjet programit të banesave me kosto të ulët, dorëzojnë banesën që kanë përfituar më parë, në shkëmbim të një banese sipas normave të strehimit që i përshtaten familjes.
2. Vlerësimi i banesave që shkëmbehen, kur njësia e vetëqeverisjes vendore ka siguruar banesën me kosto të ulët përmes ndërtimeve të reja, kryhet, si më poshtë vijon:
a) Vlera e banesës që dorëzohet nga individi/familja vlerësohet nga subjekti që zbaton programin me koston e ndërtimit, duke zbritur vlerën e amortizimit;
b) Vlera e banesës që shkëmbehet me banesën e dorëzuar nga familja përfshin të gjitha kostot që janë investuar për sigurimin e banesës, ku përfshihen:
i. kostot e ndërtimit, si:

i/1. kostot e projektit;
i/2. kostot e ndërtimit të objektit, të mbikëqyrjes, të kolaudimit;
i/3. kostot për lidhjen e objektit me energji, ujë, kanalizime e telefoni;
i/4. kostot për regjistrimin në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

ii. kostot operacionale, ku përfshihen kostot për punën e stafit të angazhuar, materiale, energji etj., të cilat miratohen me vendim të organit drejtues të institucionit që zbaton programin, të shprehur në përqindje ndaj kostos së ndërtimit sipas nënndarjes “i”, të shkronjës “b”, të kësaj pike, por jo më shumë se 1% kur projekti është realizuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore;
iii. shpenzime për marrjen e lejeve, regjistrimin në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, taksa e detyrime të tjera që nuk janë përfshirë në nënndarjet “i” dhe “ii”, të kësaj pike;
iv. vlera e truallit, e cila përcaktohet sipas vlerave të tregut të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, për qëllim kompensimi.

3. Në rastet kur banesa me kosto të ulët është siguruar nëpërmjet blerjes në tregun e lirë, vlerësimi i banesave që shkëmbehen bëhet, si më poshtë vijon:

a) Vlera e banesës që dorëzohet nga qytetari vlerësohet nga vlerësues të licencuar;
b) Vlera e banesës në pronësi të subjektit që zbaton programin, e cila do të shkëmbehet, përfshin, sa më poshtë:

i. Vlerën me të cilën është blerë banesa në treg;
ii. Kostot për regjistrimin në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, për lidhjen e kontratës dhe çdo shpenzim tjetër të faturuar;
iii. Shpenzimet operacionale, të cilat, kur programi zbatohet nga njësia e vetëqeverisjes vendore, nuk mund të jenë më shumë se 0,5% e çmimit të blerjes, sipas nënndarjes “i”, të shkronjës “b”, të kësaj pike.

4. Diferenca që rezulton midis vlerës së banesës me kosto të ulët që merr përfituesi dhe vlerës së banesës ekzistuese shlyhet në mënyrë të menjëhershme ose me këste. Afati i shlyerjes dhe interesi vjetor përcaktohen nga subjekti që zbaton programin dhe miratohen me vendim të organit drejtues.
5. Procedura e shkëmbimit të banesave sociale për individët/familjet e interesuar/a, që janë në kushtet e pikës 1, të këtij vendimi, fillon kur subjekti që zbaton programin ka siguruar banesa me kosto të ulët nëpërmjet ndërtimit ose blerjes nga tregu i lirë për t’ua shitur individëve/familjeve që kanë aplikuar për këtë program, sipas vendimit nr.384, datë 12.6.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e dokumentacionit për të përfituar strehim sipas çdo programi social të strehimit dhe të afateve e të procedurave të miratimit nga organet e vetëqeverisjes vendore”.
6. Struktura e strehimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore verifikon gjendjen e familjes, të sipërfaqes së banimit në banesën ekzistuese të përfituar nga privatizimet ose nga blerja në treg, si dhe të mundësive për ofrimin e një banese me kosto të ulët, në përputhje me normat e strehimit të zbatueshme për gjendjen dhe nevojat e familjes përfituese.
7. Vendimi për pranimin ose jo të kërkesës merret brenda 7 (shtatë) ditëve nga data e regjistrimit të kërkesës. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim pranë gjykatës administrative.
8. Kontrata e shkëmbimit të të dyja banesave bëhet në përputhje me parashikimet e Kodit Civil për këtë kontratë. Kontrata e shkëmbimit, e lidhur ndërmjet familjes që përfiton nga shkëmbimi me njësinë e vetëqeverisjes vendore, bëhet me akt noterial.
9. Kontrata e shkëmbimit ka si objekt:

a) kalimin e së drejtës së pronësisë në favor të familjes përfituese për banesën e re që përfitohet nga shkëmbimi me sipërfaqen e banimit, brenda normave të nevojshme;
b) kalimin e së drejtës së pronësisë në favor të njësisë së vetëqeverisjes vendore mbi banesën sociale ekzistuese që është nën normën e strehimit dhe kalimin e saj si pjesë e fondit publik të banesave dhe/ose vënien e saj në dispozicion të programit të banesave me kosto të ulët;
c) vlerësimin e banesave që do të shkëmbehen, sipas pikave 2 ose 3, të këtij vendimi, në varësi të formës së sigurimit të banesave që shkëmbehen.
ç) përcaktimin e mënyrës së shlyerjes së diferencës sipas pikës 4, të këtij vendimi, me këste ose në mënyrë të menjëhershme;
d) përcaktimin e rezervës së pronësisë në favor të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në rastin kur shlyerja bëhet me këste, deri në shlyerjen e plotë të diferencës së vlerës së banesës që përfitohet nga shkëmbimi;
dh) përcaktimin se me shlyerjen e plotë të vlerës së banesës së re të përfituar nga shkëmbimi, pronësia i kalon familjes përfituese.

10. Njësia e vetëqeverisjes vendore merr masa për depozitimin e kontratës pranë zyrës vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe ndjek procedurat e kalimit të pronësisë sipas kontratës së shkëmbimit. Shpenzimet për regjistrimin e këtyre kontratave mbulohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore.
11. Njësia e vetëqeverisjes vendore pajis familjen me një kopje të vërtetimit të regjistrimit të tagrit të pronësisë së banesës së re.
12. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.1039, DATË 14.10.2009; NR.616, DATË 11.6.2009; NR.514, DATË 1.8.2012; NR.435, DATË 24.4.2013; NR.910, DATË 11.11.2015; NR.258, DATË 23.3.015; NR.293, DATË 21.5.2018; NR.294, DATË 21.5.2018; NR.737, DATË 12.12.2018; NR.65, DATË 13.2.2019; NR.254, DATË 24.4.2019; NR.182, DATË 4.4.2019, “PËR SHPËRBLIMIN E PRONARËVE, PËR SIPËRFAQET TAKUESE, TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, TË CILAT PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, si dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimet e mëposhtme të Këshillit të Ministrave bëhen këto ndryshime:

a) Lidhja A, vendim nr.65, datë 13.2.2019, i Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8527, pasuritë nr.1362/2 dhe 1380/29, shtohet një emër në listën e bashkëpronarëve; pasuria nr.1351/2, ndryshojnë emrat dhe numri i bashkëpronarëve nga gjashtë në njëzet e shtatë; pasuria nr.1413/1 ndryshon mbiemri i një bashkëpronari; pasuria nr.11/226, zona kadastrale 8521, zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit.
b) Lidhja B, vendim nr.294, datë 21.5.2018, i Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8527, pasuria nr.159/13, pakësohet një emër në listën e bashkëpronarëve; pasuria nr.161/4, shtohet një emër në listën e bashkëpronarëve. Në zonën kadastrale 8190, pasuria nr.5/541, anulohet kompensimi.
c) Lidhja C, vendim nr.293, datë 21.5.20193, i Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8527, për pasuritë nr.181/6 dhe 133/4 , shtohen dy emra në listën e bashkëpronarëve.
ç) Lidhja D, vendim nr.737, datë 12.12.2018, i Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8526, pasuria nr.383/94, shtohet një emër në listën e bashkëpronarëve.
d) Lidhja E, vendim nr.254, datë 24.4.2019, i Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8602, pasuria nr.44/207, anulohet kompensimi.
dh) Lidhja F, vendim nr.910, datë 11.11.2015, i Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8527, pasuria nr.157/4, shtohen tre emra në listën e bashkëpronarëve.
e) Lidhja G, vendim nr.514, datë 1.8.2012, i Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8523, pasuria nr.35/221, pakësohen katër emra në listën e bashkëpronarëve.
ë) Lidhja H, vendim nr.1039, datë 14.10.2009, i Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8120, pasuria nr.5/140, anulohet kompensimi.
f) Lidhja I, vendim nr.258, datë 23.3.2015, i Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 2372, pasuria nr.752/53, korrigjohet lista e bashkëpronarëve dhe numri i pasurisë.
g) Lidhja J, vendim nr.616, datë 11.6.2019, i Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8541, për pasuritë nr.20/72 dhe 20/73, korrigjohet lista e bashkëpronarëve dhe saktësohet sipërfaqja respektive për secilën pasuri; në zonën kadastrale 2315 për pasurinë nr.50/40 zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit, kurse në pasurinë nr.50/41 ndryshon numri i pasurisë dhe zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit.
gj) Lidhja K, vendim nr.435, datë 24.4.2013, i Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 1347, pasuria nr.7/22/1, korrigjohet numri i pasurisë dhe zvogëlohet sipërfaqja e kompensimit.
h) Lidhja L, vendim nr.182, datë 4.4.2019, i Këshillit të Ministrave, në zonën kadastrale 8527, pasuria 149/3/24, shtohen dy emra në listën e bashkëpronarëve.

2. Tabela nr.1 i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.

3. Ngarkohen Agjencia e Trajtimit të Pronave dhe drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.202, DATË 5.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pikat 1 dhe 2, të vendimit nr.202, datë 5.3.2020, të Këshillit të Ministrave, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, në masën 7 280 349 288 (shtatë miliardë e dyqind e tetëdhjetë milionë e treqind e dyzet e nëntë mijë e dyqind e tetëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, sipas projekteve model të miratuara.
2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, t’u kalojë njësive zbatuese, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”, në masën prej 5 440 470 210 (pesë miliardë e katërqind e dyzet milionë e katërqind e shtatëdhjetë mijë e dyqind e dhjetë) lekësh pa TVSH.
b) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi në masën 1 839 879 078 (një miliardë e tetëqind e tridhjetë e nëntë milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e shtatëdhjetë e tetë) lekësh pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar.”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM TEKNIK 2019 PËR PROJEKTIN “PËR NJË TRANSPORT PUBLIK UDHËTARËSH MIQËSOR ME MJEDISIN NË METROPOLIN E TIRANËS (DKTI)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim teknik 2019 për projektin “Për një transport publik udhëtarësh miqësor me mjedisin në metropolin e Tiranës (DKTI)”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE, FAZA E PESTË, NJËSIA ADMINISTRATIVE PORTËZ, FSHATI MBYET”, FIER

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i varrezave publike, faza e pestë, njësia administrative Portëz, fshati Mbyet”, Fier.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Fier.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës së kompensimit përkatës që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “tokë bujqësore”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 863 363 (një milion e tetëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e treqind e gjashtëdhjetë e tre) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 863 363 (një milion e tetëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e treqind e gjashtëdhjetë e tre) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Fier.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Fier.
8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Fier, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit, Bashkia Fier.
9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Fier, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit, Bashkia Fier, për pasurinë e shpronësuar.
10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Fier dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF0A1769, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE TË GRANTIT TË AKORDUAR NGA FONDI I MIRËBESIMIT ME SHUMË DONATORË, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË ZBATIMIT TË NISMËS PËR TRANSPARENCË NË INDUSTRINË NXJERRËSE NË SHQIPËRI (EITI), MIRATUAR ME VENDIMIN NR.397, DATË 1.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së grantit nr.TF0A1769, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të akorduar nga Fondi i Mirëbesimit me Shumë Donatorë, për financimin e projektit të zbatimit të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri (EITI), miratuar me vendimin nr.397, datë 1.6.2016, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E DREJTËSISË TEK AGJENCIA SHTETËRORE E KADASTRËS, PËR PRONAT E PËRCAKTUARA NË VENDIMIN NR.448, DATË 16.6.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME, SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI ZYRËS QENDRORE TË REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, 13, 14 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 6 e 7, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Zëvendëkryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Drejtësisë tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës, për pronat e përcaktuara në vendimin nr.448, datë 16.6.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme, shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, të ndryshuar.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.574, DATË 28.5.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN, NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM, TË BASHKISË FIER TË QARKUT TË FIERIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në listën e inventarit, miratuar me vendimin nr.574, datë 28.5.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohen pronat me nr.859 – 879 (tetëqind e pesëdhjetë e nëntë – tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë), sipas lidhjes 1, formularëve, gjithsej 5 (pesë) fletë, dhe hartës kadastrale, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Ngarkohen Bashkia Fier dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËR BASHKËPUNIMIN PËR PËRDORIMIN E INFORMACIONEVE PËR PASAGJERËT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të memorandumit të bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për bashkëpunimin për përdorimin e informacioneve për pasagjerët, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

 – NORMAT E STREHIMIT – BANESAT ME KOSTO TE ULET

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.