Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Dhjetor 2020:
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.371, DATË 11.6.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR DORËZIMIN E MBETJEVE TË RREZIKSHME DHE TË DOKUMENTIT TË DORËZIMIT TË TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 26, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.371, datë 11.6.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Pikat 9 e 20 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“9. Dorëzuesi, për çdo transfertë, u dërgon nga një kopje elektronike, nëpërmjet portalit e-Albania, të dokumenteve të dorëzimit, të plotësuar e të nënshkruar nga palët, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
…
20. Dokumenti i dorëzimit përmban kodin unik, i cili përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë e kodit unik miratohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, pas paraqitjes së kërkesës në mënyrë elektronike nga dorëzuesi. Kërkesa shoqërohet me kopje të ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), si dhe një kopje të licencës III.2.B.”.
2. Në pikën 21, emërtesa “Agjencia Kombëtare e Mjedisit” zëvendësohet me emërtesën “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”.
3. Pikat 24 e 26 ndryshojnë, si më poshtë vijon:
“24. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit krijon një bazë të dhënash për kodet unike, të cilën ia përcjell të përditësuar Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, brenda datës 10 janar të çdo viti. Baza e të dhënave shërben si pjesë e Regjistrit Kombëtar të Transfertave të Mbetjeve të Rrezikshme që mban Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Baza e të dhënave për kodet unike përmban elementet e mëposhtme:
a) institucion administrues – ministria përgjegjëse për mjedisin;
b) të dhënat parësore – lloji i mbetjes; kodi i mbetjes sipas Katalogut Shqiptar të Mbetjeve; gjendja/forma fizike e mbetjes (e gaztë/lëngët/ngurtë/pluhur/llum/përzier);
c) të dhënat dytësore – numri i regjistrimit – NIPT-i, numri i identifikimit të lejes së mjedisit, numri i identifikimit të licencës III.2.B;
ç) dhënësit e informacionit – personi fizik/juridik, Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB);
d) ndërveprimi – QKB, ministria përgjegjëse për mjedisin;
dh) personat e interesuar – personi fizik/juridik, ministria përgjegjëse për mjedisin.
…
26. Ngarkohen ministria përgjegjëse për mjedisin dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË NJË SIPËRFAQEJE NË PASURINË ME NUMËR 16/15, ZONA KADASTRALE 3361, BASHKIA PATOS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen prej 1750 m2, pjesë e pasurisë me numër 16/15, zona kadastrale 3361, Bashkia Patos, sipas certifikatës së pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Fier, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, për sipërfaqen ndërtimore sipas lidhjes nr.1, të pasurisë me numër 16/15, zona kadastrale 3361, Bashkia Patos.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Fier dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.703, DATË 9.9.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, TË PRONËS SHTETËRORE MENOMENKLATURË K-34-112-127-D, ME NUMËR PASURIE 402, 403, 404, 405, 406, 410(NUMËR 19 SIPAS HARTËS SË KADASTRËS DAMT), 411 (NUMËR 20 SIPASHARTËS SË KADASTRËS DAMT), 412, 413 E 414, ZONA KADASTRALE NR.2443, BASHKIA FIER, NJËSIA ADMINISTRATIVE LIBOFSHË, DHE TË PRONËS SHTETËRORE SIPAS HARTËS TREGUESE, ME NOMENKLATURË K-34-111-(111-D), ME NUMËR PASURIE 220/1, 220/3, 221/1, 221/3, 224/1, 225/1, 226/1, 227/1,227/3, 228/1, 228/3, 229/1, 229/3, 230/1, 231/1 E 232/1, ZONA KADASTRALE NR.2085, KARAVASTA E RE, NJËSIA ADMINISTRATIVE REMAS, BASHKIA DIVJAKË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.703, datë 9.9.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në titull dhe pikën 1 hiqen pronat me numër pasurie “227/3” dhe “229/3” dhe shtohet prona me numër pasurie “218/6”.
b) Aneksi II, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me aneksin II, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.229, DATË 23.4.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR TRANSFERIMIN E MBETJEVE JO TË RREZIKSHME DHE INFORMACIONIT QË DUHET TË PËRFSHIHET NË DOKUMENTIN E TRANSFERIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 11, të nenit 21, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.229, datë 23.4.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Pikat 13 e 14 ndryshohen, me këtë përmbajtje:
“13. Krijuesi, grumbulluesi dhe pritësi i mbetjeve dërgojnë në mënyrë elektronike, nëpërmjet portalit e-Albania, pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, si dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, informacion lidhur me mbetjet jo të rrezikshme të transferuara, të paktën 1 (një) herë në vit.
14. Dokumenti i transferimit përmban kodin unik, i cili përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë e kodit unik miratohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit pas paraqitjes së kërkesës në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit e-Albania, nga personi që transferon mbetjet jo të rrezikshme te pritësi. Kërkesa shoqërohet me kopje të ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe një kopje të licencës III.2.B.”.
2. Në pikën 15, emërtesa “Agjencia Kombëtare e Mjedisit” zëvendësohet me emërtesën “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”.
3. Pikat 18 e 20 ndryshohen, me këtë përmbajtje:
“18. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit krijon dhe administron një bazë të dhënash për kodet unike, të cilën ia përcjell të përditësuar Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, brenda datës 10 janar të çdo viti. Baza e të dhënave shërben si pjesë e Regjistrit Kombëtar të Transfertave të Mbetjeve Jo të Rrezikshme, që mban Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Baza e të dhënave për kodet unike përmban elementet e mëposhtme:
a) institucion administrues – Ministria e Turizmit dhe Mjedisit;
b) të dhënat parësore – lloji i mbetjes; kodi i mbetjes sipas Katalogut Shqiptar të Mbetjeve; gjendja/forma fizike e mbetjes (e gaztë/lëngët/ngurtë/pluhur/llum/përzier);
c) të dhënat dytësore – numri i regjistrimit – NIPT-i, numri identifikimit të lejes së mjedisit, numri i identifikimit të licencës III.2.B;
ç) dhënësit e informacionit – personi fizik/juridik, QKB;
d) ndërveprimi – QKB, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit;
dh) personat e interesuar – personi fizik/juridik, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
…
20. Ngarkohen ministria përgjegjëse për mjedisin dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.”.
4. Kudo në aneksin 1, fjalët “… tipi i lejes së mjedisit (A, B apo C) …” zëvendësohen me fjalët “… tipi i lejes së mjedisit (A, B) …”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT/RIPARIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE NË BASHKINË SHIJAK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 108 540 027 (njëqind e tetë milionë e pesëqind e dyzet mijë e njëzet e shtatë) lekë, për financimin e rikonstruksionit ose riparimit të banesave individuale, të cilat janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime në Bashkinë Shijak.
2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga pjesa e financuar nga grantet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2020, dhe i transferohet Bashkisë Shijak për financimin e rikonstruksionit ose riparimit të banesave individuale, të cilat janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Shijak për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR RIFORCIMIN E PALLATIT TË KULTURËS “DEDË NDUE LAZRI”, BASHKIA LEZHË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Caktimin e Bashkisë Lezhë si njësi zbatuese për riforcimin e pallatit të kulturës “Dedë Ndue Lazri”, Bashkia Lezhë.
2. Përdorimin e fondit të rindërtimit nga njësia zbatuese Bashkia Lezhë, në masën 130 000 000 (njëqind e tridhjetë milionë) lekë, për financimin e riforcimin e pallatit të kulturës “Dedë Ndue Lazri”, Bashkia Lezhë.
3. Përdorimi i fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2020, për financimin e riforcimit të pallatit të kulturës “Dedë Ndue Lazri”, Bashkia Lezhë, të jetë në masën 26 000 000 (njëzet e gjashtë milionë) lekë dhe të përballohet nga pjesa e financuar nga grantet e fondit të rindërtimit.
4. Fondi për financimin e riforcimit të pallatit të kulturës “Dedë Ndue Lazri” i transferohet njësisë zbatuese, Bashkisë Lezhë.
5. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.469, DATË 26.7.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E QENDRËS SË BOTIMEVE PËR DIASPORËN”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 23, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.469, datë 26.7.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
a) Pas pikës 8, shtohet pika 8/1, me këtë përmbajtje:
“8/1. Pranë Qendrës së Botimeve për Diasporën funksionon Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës, i cili ka për qëllim të japë informacionet e nevojshme të lidhura me çështjet e arsimit, si dhe propozime konkrete të lidhura me to.”.
b) Pas pikës 13, shtohen pikat 13/1, 13/2, 13/3, 13/4, 13/5, 13/6 e 13/7, me këtë përmbajtje:
“13/1. Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës është organ kolegjial i përbërë nga 15 (pesëmbëdhjetë) anëtarë, të cilët zgjidhen nga radhët e arsimtarëve me origjinë shqiptare në diasporë dhe ushtrojnë mësimdhënien për komunitetet shqiptare në diasporë.
13/2. Anëtarët e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve të Diasporës propozohen nga Këshilli Koordinues i Botimeve për Diasporën dhe miratohen nga ministri përgjegjës për diasporën. Anëtarët e këtij këshilli janë vullnetarë, të cilët duhet të jenë me origjinë shqiptare, si dhe të kenë së paku 5 (pesë) vjet eksperiencë në mësimdhënie.
13/3. Funksionimi i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve të Diasporës realizohet sipas rregullave të parashikuara në rregulloren përkatëse të tij, e cila miratohet nga Këshilli.
13/4. Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për politikën e jashtme dhe Qendrën e Botimeve për Diasporën, organizon takimin vjetor të arsimtarëve në diasporë. Shpenzimet financiare të këtij takimi përballohen nga buxheti i Qendrës së Botimeve për Diasporën.
13/5. Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës bëhet pjesë e konsultimeve dypalëshe, me dakordësim paraprak, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, në funksion të marrëveshjeve për mësimdhënien në diasporë.
13/6. Shpenzimet financiare të aktiviteteve të Këshillit Koordinues të Arsimtarëve të Diasporës përballohen nga buxheti i Qendrës së Botimeve për Diasporën.
13/7. Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës ka një figurë identifikuese, sipas modelit në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
2. Ngarkohen Ministri i Shtetit për Diasporën, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Qendra e Botimeve për Diasporën për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SERBISË, PËR LËVIZJEN E NDËRSJELLË TË SHTETASVE, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10474, DATË 27.10.2011
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Serbisë, për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve, ratifikuar me ligjin nr.10474, datë 27.10.2011, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT “STANDARDET SHTETËRORE PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI-TEMA: DETET”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 11, pika 2, shkronja “u”, dhe 16, pika 1, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri – Tema: Detet”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PËRBËRJEN, FUNKSIONIMIN DHE DETYRAT E KOMISIONIT TEKNIK KËSHILLIMOR PËR ZVOGËLIMIN E RISKUT NDAJ FATKEQËSIVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 25, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Nën drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile në Ministrinë e Mbrojtjes krijohet dhe funksionon Komisioni Teknik Këshillimor (në vijim KTK), i cili këshillon për çështje të zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë për mbrojtjen civile.
2. KTK-ja kryesohet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe ka në përbërje përfaqësues të ministrive, të strukturave në varësi të tyre dhe të institucioneve, si më poshtë vijon:
a) Ministria e Mbrojtjes;
b) Ministria e Brendshme;
c) Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme;
ç) Ministria e Financave dhe Ekonomisë;
d) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë;
dh) Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
e) Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
ë) Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
f) Ministria e Turizmit dhe Mjedisit;
g) Ministria e Drejtësisë;
gj) Ministria e Kulturës;
h) Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit;
i) Drejtoria për Çështjet Vendore dhe Prefekturat;
j) Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit;
k) Drejtoria e Përgjithshme për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin;
l) Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (me ftesë);
ll) Shërbimi Gjeologjik Shqiptar;
m) Instituti i Shëndetit Publik;
n) Instituti i Fizikës Bërthamore të Zbatuar (me ftesë);
nj) Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore;
o) Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH);
p) Sekretariati Kombëtar i Digave të Mëdha;
q) Universiteti Politeknik i Tiranës (me ftesë);
r) Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare;
rr) Agjencia e Kombëtare e Mjedisit;
s) Agjencia Kombëtare e Pyjeve;
sh) Instituti i Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake;
t) Instituti i Ndërtimit (me ftesë);
th) Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG);
u) Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha;
v) Universiteti Bujqësor i Tiranës (me ftesë);
x) Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH);
xh) Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE);
y) Enti Kombëtar i Banesave (me ftesë);
z) Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (me ftesë).
Niveli i përfaqësimit në KTK është drejtues ose specialist, i cili, në ushtrimin e detyrës së tij, ka kompetenca për çështjet e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, sipas fushave të përgjegjësisë shtetërore të institucionit apo të strukturës që përfaqëson.
3. Mënyra e funksionimit të Komisionit Teknik Këshillimor është, si më poshtë vijon:
a) KTK-ja thirret dhe drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, sa herë që ai e gjykon të nevojshme, por jo më pak se një herë në gjashtë muaj;
b) Në varësi të nevojave, në mbledhjet e KTK-së ftohen edhe përfaqësues nga institucione shkencore dhe monitoruese, organizatave joqeveritare etj;
c) Drejtori i AKMC-së për çështje specifike, sipas rastit, mund të thërrasë një pjesë të anëtarëve të KTK-së;
ç) Pranë KTK-së funksionon sekretaria teknike, me punonjës të AKMC-së, e cila përgjigjet për përgatitjen e materialeve dhe për njoftimin për mbledhjen e radhës së komisionit, duke ia dërguar çdo anëtari, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë përpara datës së mbledhjes.
4. Komisioni Teknik Këshillimor ka përgjegjësi:
a) të shqyrtojë strategjitë, politikat, programet dhe planet për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, me qëllim mbrojtjen e jetës së njerëzve, të pronës, të trashëgimisë kulturore dhe të mjedisit;
b) të shqyrtojë dhe të rekomandojë për çështjet që lidhen me programet e edukimit/arsimimit për strukturat e sistemit të mbrojtjes civile dhe publikun e gjerë në fushën e mbrojtjes civile;
c) të shqyrtojë dhe të analizojë planet për emergjencat civile, të përgatitura nga institucionet shtetërore e joshtetërore, dhe të japë rekomandimet përkatëse, sipas rastit;
ç) të ndihmojë në përmirësimin e sistemit të mbrojtjes civile, vënien në efiçencë të plotë të tij, përcaktimin e prioriteteve, si dhe identifikimin e nevojave;
d) të kontribuojë në rrugët e zgjidhjes për masat parandaluese, të rehabilitimit dhe të rimëkëmbjes për lloje të ndryshme fatkeqësish natyrore ose fatkeqësi të tjera;
dh) të shqyrtojë ose të vlerësojë studime në fushën e mbrojtjes civile.
5. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, institucionet e përmendura në pikën 2, të vendimit dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 23.6.2020, PËR ÇËSHTJEN “KASMI KUNDËR SHQIPËRISË”, (PËR KËRKESËN NR.1175/06)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 23.6.2020, për çështjen “Kasmi kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr.1175/06, përfundimtar në datën 23.9.2020, në shumën 30 000 (tridhjetë mijë) euro, për kërkuesin Gëzim Kasmi, në lidhje me dëmin pasuror, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.
2. Vlera e përcaktuar si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
3. Vlera e përcaktuar si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit Gëzim Kasmi, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 23.6.2020.
4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve të pikës 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit Gëzim Kasmi, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është bërë përfundimtar.
5. Mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, duke filluar nga data 23.9.2020, deri në datën e ekzekutimit të këtij vendimi, të paguhen interesa të thjeshta të barabarta me kursin marzhinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.
6. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes, bashkëlidhur vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Shtohen pronat me numra rendorë nga 1 435 (një mijë e katërqind e tridhjetë e pesë) deri në 1 446 (një mijë e katërqind e dyzet e gjashtë), sipas formularëve standard të inventarizimit dhe planrilevimeve bashkëlidhur.
Lista përbëhet nga 13 (trembëdhjetë) fletë inventari dhe 12 (dymbëdhjetë) fletë planrilevimi, që janë pjesë përbërëse e këtij vendimi.
b) Përmasat e disa pronave zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularët standardë të inventarizimit dhe në planrilevimet bashkëlidhur këtij vendimi.
Lista përbëhet nga 12 (dymbëdhjetë) fletë inventari dhe 8 (tetë) fletë plane rilevimi, që janë pjesë përbërëse të këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, (MARRËSI), FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT, (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, (KFW), PËR FURNIZIMIN ME UJË TË ZONAVE RURALE IV: GRANTI 2 I WBIF-SË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Marrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit, (agjencia e zbatimit të projektit) dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për furnizimin me ujë të zonave rurale IV: Granti 2 i WBIF-së, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1996, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat në caktimin e pagave dhe shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paga bazë minimale mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 30 000 (tridhjetë mijë) lekë.
2. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
3. Paga bazë minimale orare të jetë 172.4 (njëqind e shtatëdhjetë e dy pikë katër) lekë.
4. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.
5. Vendimi nr.809, datë 26.12.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2021.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.929, DATË 17.11.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE PËRDORIMIN E FONDIT TË VEÇANTË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 23.4.2011, “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të nenit 12, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 9, e vendimit nr.929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Përjashtimisht për vitin 2020, fondi i veçantë i institucioneve qendrore buxhetore dhe jobuxhetore, institucioneve të vetëqeverisjes vendore, njësive të fondeve speciale, institucioneve publike të krijuara me ligj të posaçëm, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror në varësi të institucioneve qendrore dhe të vetëqeverisjes vendore, nuk përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve.”.
2. Ngarkohen institucionet e përmendura në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, TË PRONËS SHTETËRORE, NË ZONËN KADASTRALE NR.8602, NË PRONËSI TË PORTIT DETAR VLORË, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të pronës shtetërore, në zonën kadastrale nr.8602, në pronësi të Portit Detar Vlorë, sh.a., sipas planrilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, do të përdoret nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në përputhje me Planin Kombëtar Sektorial të Transportit Detar dhe Infrastrukturës Portuale.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR NDIHMË TË NDËRSJELLË JURIDIKE NË ÇËSHTJET CIVILE DHE TREGTARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjёherё.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.788, DATË 22.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, STANDARDEVE DHE PROCEDURAVE TË AKREDITIMIT TË AKTIVITETEVE TË EDUKIMIT NË VAZHDIM PËR PROFESIONISTËT E SHËNDETËSISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pas nënpikës 2.11.6, të vendimit nr.788, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet nënpika 2.11.6/1, me këtë përmbajtje:
“2.11.6/1. Nënpika 2.11.6 nuk zbatohet deri në përfundim të pandemisë dhe të situatave kur vendosen masa të jashtëzakonshme.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR PRODHIMIN E USHQIMEVE BIOLOGJIKE TË PËRPUNUARA PËR KAFSHË, USHQIMEVE BIOLOGJIKE TË PËRPUNUARA, MAJAVE BIOLOGJIKE DHE RREGULLAT PERJASHTUESE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave të hollësishme për prodhimin e ushqimeve biologjike të përpunuara për kafshë, ushqimeve biologjike të përpunuara, majave biologjike dhe rregullat përjashtuese, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe trupat e kontrollit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E TARIFAVE TË SHPENZIMEVE ADMINISTRATIVE PËR KËRKESAT PËR PËRDORIMIN, SHKARKIMIN E UJIT DHE NDËRTIMIN E OBJEKTEVE E VEPRAVE UJORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të pikës 2, të nenit 93, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e tarifave të shpenzimeve administrative që lidhen me përdorimin, shkarkimin e ujit, ndërtimin e objekteve dhe veprave ujore sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe që është pjesë përbërëse e tij.
2. Tarifat për shpenzimet administrative përfshijnë:
a) tarifën e paraqitjes së kërkesës për pajisjen me leje/autorizim;
b) tarifën e miratimit të lejes/autorizimit.
3. Tarifat e shpenzimeve administrative arkëtohen në emër Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe derdhen në buxhetin e shtetit. Një kopje e mandatpagesës ngarkohet në sitemin elektronik të lejeve dhe autorizimeve “Aplikim për përdorim burimi ujor”.
4. Vendimi nr.876, datë 14.12.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave të shpenzimeve administrative”, shfuqizohet.
5. Ngarkohen Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe zyrat e administrimit të baseneve ujore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PËRMBAJTJEN, ZHVILLIMIN DHE ZBATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE TË MENAXHIMIT TË BURIMEVE UJORE, TË PLANEVE TË MENAXHIMIT TË BASENEVE UJORE DHE PLANEVE TË MENAXHIMIT TË RREZIKUT NGA PËRMBYTJET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 16, pika 6, 17, pika 2, dhe 70, pika 5, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e përmbajtjes dhe të procedurave për zhvillimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Burimeve Ujore, sipas shtojcës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Miratimin e përmbajtjes dhe të procedurave për zhvillimin dhe zbatimin e planeve të menaxhimit të baseneve ujore, sipas shtojcës II, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Miratimin e përmbajtjes dhe të procedurave për zhvillimin dhe zbatimin e planeve të menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet, sipas shtojcës III, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Strategjia Kombëtare e Menaxhimit të Burimeve Ujore, planet e menaxhimit të baseneve ujore dhe planet e menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet duhet të marrin në konsideratë:
a) aktet ndërkombëtare, të nënshkruara dhe të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë;
b) politikat dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian, sidomos ato të fushës së politikave për ujërat.
5. Për qëllime të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:
a) “AMBU”, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore;
b) “Burim i disponueshëm me ujëra nëntokësorë”, norma afatgjatë mesatare vjetore e ngarkimit të përgjithshëm të trupit me ujëra nëntokësore minus normën afatgjatë vjetore të rrjedhës së nevojshme, për të arritur objektivat e cilësisë ekologjike për ujërat sipërfaqësore që kanë lidhje, në mënyrë që të shmanget çdo zvogëlim i dukshëm në statusin ekologjik të ujërave të tilla dhe që të shmanget çdo dëmtim i konsiderueshëm i ekosistemeve tokësore që kanë lidhje;
c) “Futja e ndotësve në ujërat nëntokësore”, hyrja e drejtpërdrejtë ose jo e drejtpërdrejtë e ndotësve, si rezultat i aktivitetit njerëzor;
ç) “Kufiri i zbulimit”, sinjali i prodhimit ose vlera e përqendrimit mbi të cilën mund të konfirmohet, me një nivel të sigurt besimi, se kampioni është i ndryshëm nga një kampion bosh, që nuk ka përcaktues interesi (me rëndësi);
d) “Kufiri i kuantifikimit”, shumëfishi i caktuar i kufirit të zbulimit në një përqendrim të përcaktuesit, që mund të vendoset logjikisht me një nivel të pranueshëm saktësie dhe precizioni. Kufiri i kuantifikimit mund të llogaritet duke përdorur një standard apo kampion të përshtatshëm dhe mund të përftohet nga pika më e ulët e kalibrimit, në kurbën e kalibrimit, duke përjashtuar pjesën bosh;
dh) “Niveli bazë”, vlera mesatare e matur gjatë periudhës së parë, për të cilën është e disponueshme një periudhë përfaqësuese e monitorimit të të dhënave;
e) “Niveli i sfondit”, përqendrimi i një substance ose vlera e një treguesi në një trup me ujëra nëntokësore, që nuk korrespondon me asnjë, apo korespondon vetëm me pak ndryshime antropogjene, në kushte të rregullta;
ë) “Nënbaseni”, zona e tokës prej së cilës të gjitha rrjedhat sipërfaqësore derdhen, nëpërmjet një sërë përrenjsh, lumenjsh dhe, mundësisht, liqenesh, në një pikë të veçantë të një rrjedhe ujore (normalisht liqen ose bashkërrjedhje lumi)
f) “Norma e cilësisë së mjedisit”, ka kuptimin që i është dhënë nga pika 23, e nenit 3, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”;
g) “Norma e cilësisë së ujërave nëntokësore”, norma mjedisore e cilësisë, e shprehur si përqendrim i një ndotësi të veçantë, një grupi ndotësish ose indikatorit të ndotjes në ujërat nëntokësore, që nuk duhet tejkaluar, me qëllim që të mbrohet shëndeti i njeriut dhe mjedisi;
gj) “Pasiguria e matjeve”, një parametër, jo negativ, që karakterizon shpërndarjen e vlerave të sasisë që i atribuohet një matjejeje, bazuar në informacionin e përdorur;
h) “Përmbytja”, mbulimi i përkohshëm nga uji i tokës që, normalisht, nuk mbulohet nga uji. Këtu përfshihen përmbytjet nga lumenjtë, përrenjtë malorë, rrjedhat ujore kalimtare mesdhetare dhe përmbytjet nga deti, në zonat bregdetare, me përjashtim përmbytjet nga sistemet e kanalizimit;
i) “Substanca të rrezikshme”, ka kuptimin që i është dhënë nga pika 17, e nenit 5, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”;
j) “Shkarkimi i drejtpërdrejtë në ujërat nëntokësore”, shkarkimi i ndotësve në ujërat nëntokësore, pa filtrim, nëpërmjet tokës ose nëntokës;
k) “Rajon baseni ujor”, zona e tokës dhe e detit, e përbërë nga një ose më shumë basene lumenjsh fqinjë, së bashku me ujërat e tyre nëntokësore dhe bregdetare, që identifikohet si njësia kryesore për menaxhimin e ujërave të baseneve ujore;
l) “Risk”, kombinimi i mundësisë së ndodhjes së një ngjarjeje dhe të pasojave të saj negative;
ll) “Tendenca rritëse e konsiderueshme dhe e qëndrueshme”, çdo rritje e konsiderueshme statistikore dhe mjedisore e ndotësit, grupit të ndotësve ose e indikatorit të ndotjes në ujërat nëntokësore, për të cilat kthimi i tendencës identifikohet si i nevojshëm;
m) “Vlera e pragut”, standardi i cilësisë së ujërave nëntokësore për ndotës të veçantë, grup ndotësish ose indikatorësh të ndotjes në ujërat nëntokësore, që janë identifikuar si kontribues në karakterizimin e trupave ose të grupeve të trupave të ujërave nëntokësore që janë në rrezik;
n) “ZABU”, Zyra e Administrimit të Basenit Ujor;
nj) “Ujëmbajtës”, shtresa nënsipërfaqësore ose shtresa shkëmbore apo shtresa të tjera gjeologjike, me porozitet dhe përshkueshmëri të mjaftueshme për të lejuar rrjedhjen ose nxjerrjen e konsiderueshme të ujërave nëntokësore.
6. Të gjitha termat apo shprehjet e tjera, të përdorura në këtë vendim, kanë kuptimin që u është dhënë në ligjin nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar.
7. Ngarkohen organet e administrimit dhe menaxhimit të integruar të burimeve ujore për zbatimin e këtij vendimi.
8. Planet e menaxhimit të baseneve ujore dhe planet e menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet, që janë në proces hartimi ose hartohen për herë të parë, përjashtohen nga etapat dhe afatet kohore të përcaktuara në këtë vendim.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE